Ditën e djeshme, Ministria e Drejtësisë prezantoi draftin e ri të Kodit Penal, i cili do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi publik.
Ministri Ulsi Manja, theksoi se ky draft është produkt i një grupi të pavarur ekspertësh të njohur të fushës, në drejtimin e Shkollës së Magjistraturës.
Ministri vuri në dukje se Kodi aktual Penal, nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, ndaj riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i pashmangshëm.
Ai sqaroi se ky draft i ri është i hapur për diskutim dhe se nuk do të jetë përfundimtar pa kaluar më parë nëpër filtrin e konsultimeve. Ministri bëri një ftesë të drejtpërdrejtë për përfshirje në këtë proces.
“Dua të ftoj profesionistët e ligjit, gjyqtarë, prokurorë, avokatë, institucionet e drejtësisë, Avokatin e Popullit dhe një ftesë të veçantë për opozitën parlamentare, opozitën e vendit tim, që të kontribuojnë me ekspertizë dhe pjesëmarrje aktive në tryezat e konsultimit”, – deklaroi ai.
Manja foli edhe për rëndësinë e draftit, në procesin e integrimit.
“Në BE shkon Shqipëria, jo vetëm një forcë politike. Mund të ndërtojmë një Kod Penal modern, efektiv dhe në përputhje të plotë me standardet e BE”, – u shpreh Ministri i Drejtësisë.
Sipas tij me përfundimin e konsultimit dhe marrjes së certifikimit në Bruksel, drafti i ri do të kalojë për miratim në Kuvend, me shumicë të cilësuar.
PROPOZIMET
Arben Rakipi, drejtues i Grupit të Punës për hartimin e Kodit të ri Penal, shpjegoi risinë që lidhet me shkeljet e punonjësve të administratës së Tatimeve.
Ndërsa prezantoi disa prej ndryshimeve, ai tha se kanë parashikuar ashpërsim masash për krimet ndaj të miturve.
“Ne kemi ndjekur alternativën që administrata tatimore dhe autoriteti tatimor do të vlerësojnë administrivisht shkeljet e para dhe nëse shkeljet e dyta do të pikasen atëherë merr juridiksion sistemi i drejtësisë penale. Nëse shkelja e parë, që në rrugë të zakonshme vlerësohet nga pikëpamja administrative, është me nivel të lartë shmangie evazioni, sjell kompetencën e prokurorit të ushtrojë ndjekjen penale pavarësisht zgjidhjes së rregullit që përshkrova. Nga pikëpamja praktike, do të ulë numrin e çështjeve, por do të shtojë edhe përgjegjësinë e organeve përkatëse”, u shpreh ai.
Arben Rakipi, tha se kanë propozuar edhe aplikimin e lirimit me kusht për të dënuarit me burg përjetë.
“Lirim para kohe me kusht. Ne kemi pasur disa pengesa që lidhen me aplikimin e lirimit me kusht për burgimin e përjetshëm. Përfundimisht diskutimi i gjatë është se mund ta aplikojmë lirimin me kusht për dënimin e përjetshëm. Është propozim shumë i guximshëm, debati ka qenë i fortë, sepse këtu pleksen shumë gjëra një pjesë e të cilave i përmenda, paqja sociale, viktima, rendi publik, shkalla e kriminalitetit etj., por nisur nga besimi që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë dhe përmirësohen nëse puna me ta është e efektshme”.
PROPOZIMET, DRAFTI I KODIT TË RI PENAL
DREJTËSIA RESTAURUESE:
Dispozita të posaçme për riparimin e dëmit të shkaktuar viktimës
Ridimensionim tërësor i sistemit të dënimit penal, duke vendosur kritere objektive për caktimin e dënimit nga gjykata duke shmangur arbitraritetin dhe zbatimin preferencial të ligjit penal
Shtimi i llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe i dënimeve plotësuese
Përcaktimi i përgjegjësisë penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës Kriminalizimi i veprave të reja
Terrorizmi kibernetik, trafiku i armëve, evazioni fiskal i sofistikuar, krimet kundër mjedisit etj.
Trafikimi i armëve të printuara 3D, numërtimi i rremë i armëve dhe ndërhyrja në numërtimin e tyre
Veprat penale në fushën e prokurimit publik dhe konfliktit të interesit
Ofrimi i ushqimit të pasigurtë, mashtrimi me produktet ushqimore, paraqitja e rremë të produktit ushqimor
Punësimin e paligjshëm të shtetasve të huaj apo pa shtetësi
Falsifikimi i mjeteve të pagesës cash dhe jo cash, mjeteve matëse, numrave të mjeteve motorike
Pengimi i drejtësisë, keqdrejtimi i organeve procedurës për autorin e krimit
Vrasja me përçmim të viktimës, shkaktim i vetëvrasjes nëpërmjet bullizmit, porosia për të kryer vrasje
MASAT EDUKATIVE PËR TË MITURIT
Rikonceptim i trajtimit të të miturve; Sigurojnë/ garantojnë zhvillimin fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror të të miturit;
Llojet: këshillimi; mbikëqyrja e veçantë nga prindi, prindi birësues ose kujdestari, mbikëqyrja në përkujdesje alternative dhe vendosja në një institucion të përkujdesjes edukativo-korrigjuese;
Në caktimin e tyre merren parasysh një sërë faktorësh dhe Masa më e rëndë edukuese – aplikohet si alternativë e fundit;
Një rol qendror i jepet Njësisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës, strukturave përkatëse të mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor apo çdo organi tjetër kompetent;
Gjykata cakton një/disa detyrime të veçanta ndaj të miturit, kur kjo është e domosdoshme për arritjen e qëllimit të masës, si kërkimi i faljes, dëmshpërblimi, etj..
The post Liri me kusht edhe për të dënuarit e përjetshëm, ku ndryshon Kodi Penal/ Çfarë përmban drafti i propozuar appeared first on Albeu.com.