FINLANDË – Një anëtar i parlamentit kryen vetëvrasje
HELSINKI, 19 gusht /ATSH/ – Një anëtar i parlamentit finlandez kreu sot vetëvrasje në ambientet e parlamentit në Helsinki, sipas medias lokale, njofton euractiv.com.
Media finlandeze raporton se identiteti i personit të ndjerë është i njohur, por emri nuk do të bëhet publik derisa të kontaktohen të afërmit e përfaqësuesit.
Policia nuk ka raportuar asnjë përfshirje kriminale në vdekje.
“Një fatalitet ka ndodhur këtë mëngjes. Shërbimet e urgjencës mjekësore, shërbimet e shpëtimit dhe autoritetet policore janë njoftuar në vendngjarje nëpërmjet qendrës së reagimit ndaj emergjencave”, tha drejtori i sigurisë së parlamentit, Aaro Toivonen, për gazetën finlandeze ”Iltalehti”.
Ai konfirmoi se incidenti ndodhi në ndërtesën e parlamentit.
Kryeministri finlandez Petteri Orpo e konsideroi “lajm vërtet të trishtueshëm”.
“Në të njëjtën kohë, i urojmë forcë familjes, të dashurve dhe kolegëve të tij. Kjo na prek thellësisht të gjithëve”, tha Orpo sipas medias së shërbimit publik ”Yle”.
Orpo deklaroi se Partia e tij e Koalicionit Kombëtar do të pezullojë aktivitetet politike për shkak të incidentit.
Parlamenti finlandez është aktualisht në pushimet e verës, me seanca të planifikuara për të rifilluar në fillim të shtatorit./ a.jor.
The post FINLANDË – Një anëtar i parlamentit kryen vetëvrasje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.