Shqipëri: Nevojiten urgjentisht përgjigje mbi pengimin e berë ndaj Focus Media Group dhe të drejtën e gazetarëve për të ushtruar detyrën
DEKLARATË E PËRBASHKËT
12 Gusht 2025
Ne, Rrjeti SafeJournalists, partnerët e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe organizatat shqiptare për lirinë e medias, shprehim shqetësimin e përbashkët mbi pengimin policor dhe ngjarjet pasuese që prekën Focus Media Group: News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe media të tjera të lidhura me të.
Në orët e para të 9 gushtit, Policia e Shtetit rrethoi ndërtesën në Tiranë ku ushtrojnë veprimtarinë këto media, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe pengoi qasjen për gazetarët dhe stafin. Kjo ndaloi transmetimin televiziv të News24 në kohë reale. Sipas Focus Media Group, nuk ishte dhënë asnjë paralajmërim paraprak për ndërprerjen efektive të sinjalit të transmetimit.
Veprimi i policisë buron nga një mosmarrëveshje më e gjerë pronësie midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Focus Media Group mbi qiratë dhe procedurat. Megjithatë, ndërhyrja e fortë e policisë është kryer mesa duket deri tani mbi baza ligjore të paqarta dhe pa respektuar procedurën e rregullt ligjore. Në mungesë të një baze ligjore të publikuar, vendimve gjyqësorë dhe urdhrave ekzekutues, ose një afati dhe hapash të qartë për vijimin e procesit, ligjshmëria dhe proporcionaliteti i veprimit vendosen seriozisht në pikëpyetje.
Si pasojë, që nga data 9 gusht një nga transmetuesit kryesorë të lajmeve në Shqipëri në nivel kombëtar, News24, ka qenë jashtë transmetimit. Deri më 12 gusht 2025, ende nuk ka asnjë qartësi se kur do të rifillojë transmetimi, as mbi të ardhmen e gazetarëve, punonjësve të medias dhe stafit mbështetës të Focus Media Group. Kjo pasiguri minon besimin e publikut, dobëson pluralizmin dhe rrezikon të krijojë një efekt frikësues mbi lirinë e medias.
Ndikimi mbi punonjësit e medias është i menjëhershëm dhe serioz. Rreth 230 të punësuar, gazetarë, punonjës të medias dhe staf mbështetës tani përballen me rrezikun e papunësisë, ndërsa shumë prej tyre prej disa kohësh po përjetojnë vonesa në pagesat e rrogave dhe mosshlyerje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me ndërtesën e bllokuar dhe veprimtarinë e ndërprerë, mjetet e tyre të jetesës dhe e ardhmja e tyre profesionale janë në rrezik.
Prandaj, ne u bëjmë thirrje të përbashkët autoriteteve shqiptare që të garantojnë të drejtën e gazetarëve për të punuar, sigurinë e tyre, dhe:
- të ofrojnë një shpjegim të plotë dhe publik mbi bazën ligjore, domosdoshmërinë dhe urgjencën e operacionit të ndërmarrë në orët e para të së shtunës, më 9 gusht 2025, duke përfshirë kohën e zhvillimit, metodat e përdorura, proporcionalitetin dhe nëse janë marrë parasysh alternativa më pak kufizuese;
- të heqin kordonin policor, të rikthejnë furnizimin me energji elektrike dhe të lejojnë hyrje të lirë dhe pa pengesa në redaksi dhe vendet e raportimit, pa frikësim ose ndërhyrje;
- të mbrojnë materialet dhe infrastrukturën gazetareske, duke u përmbajtur nga çdo sekuestrim ose dëmtim dhe duke siguruar akses të sigurt në pajisje, arkiva dhe lidhjet e transmetimit;
- të mbrojnë të drejtat e punës gjatë ndërprerjes, duke bashkëpunuar me Inspektoratin e Punës që pagat dhe kontributet shoqërore të shlyhen dhe të mundësohen ambiente të përkohshme dhe masa për vazhdimësinë e punës;
- të ofrojnë garanci efektive ligjore duke publikuar bazën ligjore dhe urdhrat, duke përcaktuar afatin dhe kushtet për heqjen e masave, duke siguruar një mundësi të qasshme për ankim me efekt pezullues kur është e zbatueshme, si dhe duke bashkëpunuar me AMA-n duke përdorur mjetet më pak kufizuese për të ruajtur vazhdimësinë e shërbimit të lajmeve;
- të hetojnë çdo pengesë ndaj gazetarëve dhe të sigurojnë llogaridhënie dhe të komunikojnë rregullisht me publikun.
Ndërkohë, ne u bëjmë thirrje pronarëve dhe drejtuesve të Focus Media Group:
- të veprojnë me urgjencë për të mbrojtur mjetet e jetesës dhe të drejtat e punonjësve, të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore dhe kontraktuale, si dhe të sigurojnë ambiente të përkohshme dhe plane vazhdimësie për të mbrojtur stafin dhe për të ruajtur aksesin e publikut në informacion;
- të angazhohen në mënyrë konstruktive me autoritetet për të zgjidhur mosmarrëveshjen në mënyrë ligjore dhe transparente, me sa më pak ndërprerje të jetë e mundur në punën gazetareske dhe në të drejtën e publikut për t’u informuar;
- të sigurojnë shlyerjen e rrogave dhe kontributeve shoqërore, aksesin e sigurt në pajisje dhe të dhëna, si dhe të mos ndërmarrin masa hakmarrëse ndaj stafit gjatë kësaj ndërprerjeje;
- të ofrojnë transparencë të plotë mbi situatën ligjore dhe kontraktuale, në mënyrë që punonjësit dhe publiku të kuptojnë bazën e mosmarrëveshjes.
Kjo nuk është thjesht një mosmarrëveshje kontraktuale. Kjo situatë ngre çështje thelbësore lidhur me respektimin e procedurave të rregullta, proporcionalitetin, lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias. Të gjitha palët duhet të veprojnë shpejt, në mënyrë transparente dhe në interes të publikut për të siguruar që këto të drejta të respektohen dhe mbrohen.
Nënshkruar,
Rrjeti SafeJournalists
- Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
- Shoqata e Gazetarëve të Kosovës
- Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
- Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
- Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
- Sindikatë e Medias e Malit të Zi
Reporterët pa Kufij (RSF)
Partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR)
- Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
- Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
- ARTICLE 19 Europe
- Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
- Shtyp i Lirë Pa Kufizim (FPU)
Organizata të shoqërisë civile në Shqipëri:
- Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
- Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
- Asociacioni e Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
- Gruaja Shqiptare në Audiovizual (AWA)
- Amfora
- Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)
- Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM)
- Komiteti Shqiptar i Helsinkit (AHC)
- Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
- Rrjeti Ballkanik për Raportim Hulumtues Shqipëri (BIRN Albania)
- Faktoje
- Unioni i Gazetarëve Shqiptar (UGSH)
- Shoqata e Gazetarëve Europian, Seksioni shqiptar
- Qendra Citizens Channel
- Qendra Respublica
The post Shqipëri: Nevojiten urgjentisht përgjigje mbi pengimin e berë ndaj Focus Media Group dhe të drejtën e gazetarëve për të ushtruar detyrën appeared first on Faktoje.al.