Taktika e Dritës i ‘çmend’ danezët – trajneri Neestrup dhe sulmuesi Elyounoussi lavdërojnë skuadrën e Zekirija Ramadanit
Fitorja 2-0 e FC Copenhagen ndaj FC Dritës në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues për Ligën e Kampionëve i ka lënë pa fjalë as trajnerin danez Jacob Neestrup, e as yllin norvegjez të ekipit, Mohamed Elyounoussi – por jo vetëm për rezultatet, por edhe për mënyrën sesi Drita u paraqit në “Parken”.
Në një ndeshje ku dy penalltitë e Magnus Mattsson vendosën gjithçka në pjesën e dytë, trajneri Neestrup e përshkroi përballjen si “sfiduese” dhe vlerësoi punën e lojtarëve të tij, por edhe qasjen taktike të kampionëve nga Gjilani, me trajnerin Zekirija Ramadani.
“Në përputhje me pritshmëritë, Drita ishte e vështirë për t’u çarë, ndaj na u desh shumë durim. Ata kanë një mbrojtje solide dhe e kontrolluan lojën me thellësi dhe topa të gjatë. Na vunë në siklet me ritmin që na e ndërprenë përmes këndoreve dhe rivënieve anësore – gjëra që nuk i menaxhuam gjithmonë mirë”, deklaroi Neestrup.
Trajneri i kampionëve danezë pranoi se nuk ishte ndeshje e lehtë dhe se fitorja erdhi falë thellësisë së skuadrës dhe durimit në lojë.
Ai përmendi gjithashtu se hyrja e Mattsson ishte vendimtare dhe theksoi paraqitjen e mirë të Moukoko dhe përballimin e ndryshimeve të papritura në formacion për shkak të lëndimeve.
Por ishte ylli i gjigantëve danez, Mohamed Elyounoussi ai që e vuri në pah më qartë atë që e bëri Dritën “të veçantë” në këtë sfidë.
“Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë. Më ndiqte një lojtar gjatë gjithë kohës, kudo që shkoja – qoftë në krahun e djathtë apo të majtë. Ishte një mbulim ekstrem, një për një, që më habiti”, u shpreh sulmuesi norvegjez.
Ai tregoi se për të “shkëputur” ndjekjen, u përpoq të ndërronte pozicione në mënyrë të qëllimshme dhe se nga ato lëvizje erdhën dy penalltitë e fituara.
“Drita na testoi durimin dhe disiplinën taktike. Duhej të improvizonim me rotacione për të thyer sistemin e tyre të markimit,” shtoi ai.
Pavarësisht humbjes, Drita doli nga kjo përballje me kokën lart dhe me respekt të madh nga një skuadër elitare evropiane. /Telegrafi/
The post Taktika e Dritës i ‘çmend’ danezët – trajneri Neestrup dhe sulmuesi Elyounoussi lavdërojnë skuadrën e Zekirija Ramadanit appeared first on Telegrafi.