Që nga 9 shkurti kur janë mbajtur zgjedhjet parlamentare, vendi është ende pa institucione të reja të dala nga këto zgjedhje, rrjedhimisht ende nuk kemi kuvend të konstituuar dhe qeveri të re.
Këto ditë pritej që Kushtetuesja të dalë me një sqarim lidhur me situatën pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani për masë të përkohshme, pasi Kuvendi nuk u konstituua edhe pas 30 ditëve afat sa kishte dhënë fillimisht Kushtetuesja.
Por, një ditë më parë, e para e shtetit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Osmani tha se vendimi për tërheqjen e kërkesës është marrë si reagim ndaj caktimit të gjyqtarit Radomir Laban si raportues i kësaj lënde, të cilin ajo e cilëson si figurë problematike për sigurinë e shtetit.
“Sot, në përputhje me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren përkatëse, kam tërhequr kërkesën e paraqitur më 22 korrik 2025. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës, tashmë të konfirmuar, se si gjyqtar raportues në këtë rast është caktuar Radomir Laban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024 institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare”, deklaroi Osmani.
Ajo shtoi se, sipas të dhënave të sigurisë, gjyqtari Laban përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe ka qenë i përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues të vendit.
“Caktimi i tij në një çështje të një rëndësie të tillë kushtetuese është thellësisht shqetësues dhe mund të krijojë pasoja serioze për institucionet tona,” theksoi presidentja.
Presidentja ka kërkuar vëmendje të shtuar ndaj integritetit të institucioneve kushtetuese dhe sigurisë së shtetit, duke nënvizuar se nuk mund të lejohet që çështje të ndjeshme të trajtohen nga individë për të cilët ekzistojnë dyshime të thella për rrezikshmëri ndaj rendit kushtetues të Kosovës.
Tutje theksoi se gjyqtari Llaban nuk është emëruar nga ajo. Procedura për shkarkimin e një gjyqtari të Kushtetueses kërkon një vendim të marrë nga dy të tretat e anëtarëve të kësaj gjykate, çka e bën të pamundur çdo veprim të Presidencës pa një propozim zyrtar nga vetë gjykata.
Osmani u rekomandon deputetëve t’i drejtohen Kushtetueses, pas tërheqjes së kërkesës për seancën konstituive
Presidentja Osmani, tutje, në këtë konferencë për media ka rekomanduar deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, pas tërheqjes së kërkesës së saj lidhur me seancën konstituive të Kuvendit.
Osmani theksoi se deputetët kanë mandat të plotë për të kërkuar sqarime për çështjet që mbeten të paqarta, posa të publikohen vendimet në rastet e iniciuara nga PDK dhe LDK.
Ajo u shpreh se kjo duhet bërë me shpresën se në rastin e ri nuk do të caktohet i njëjti gjyqtar raportues.
“Unë dua t’i inkurajojë deputetët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë mandat të plotë që t’i adresohen Gjykatës Kushtetuese, që pasi të publikohen vendimet në dy rastet e iniciuara nga partitë PDK dhe LDK, për çështjet që mbesin të pasqaruara dhe pas atij aktgjykimi që t’i adresohen drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese, nën shpresën që nuk do të caktohet i njëjti gjyqtar raportues”, deklaroi Osmani.
Ajo shtoi se për një çështje kaq sensitive, nuk do të inkurajonte askënd ta linte lëndën në Kushtetuese nëse gjyqtar raportues mbetet i njëjti.
“Unë nuk do ta inkurajoja asnjë institucion që ta linte lëndën në Gjykatën Kushtetuese, në qoftë se gjyqtar raportues, për temë kaq sensitive është fjala, vendoset ky gjyqtar, së paku derisa të sqarohet përfundimisht nga institucionet tona të drejtësisë”, tha ajo.
Por, kush është Radomir Laban?
Radomir Laban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.
Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Labanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, Laban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Labanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.
Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Mandati i gjyqtarit Laban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.
Si shihet veprimi i Osmanit nga juristët?
Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare dhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka cilësuar si shkelje flagrante të Kushtetutës tërheqjen e kërkesës nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Në një intervistë për KosovaPress, Hasani ka thënë se ky veprim është “djallëzor fund e krye” dhe ka për synim bllokimin e punës së Gjykatës Kushtetuese në prag të vendimit që pritet të merret deri më 8 gusht, kur edhe skadon masa e përkohshme e kësaj gjykate për çështjen e moskonstituimit të Kuvendit.
“Kjo tërheqje është djallëzore dhe ka për synim bllokadën dhe paralizimin e vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese. Si veprim, është krejtësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përbën shkelje flagrante të saj,” deklaroi Hasani.
Ndërkaq, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka ngritur katër pyetje publike ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas vendimit të saj për të tërhequr kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 22 korrik 2025.
Në këtë kontekst, Kryeziu kërkon përgjigje për sa vijon:
A keni komunikuar me Kryetaren e kaluar dhe Kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me këto gjetje të organeve të sigurisë?
A janë këto gjetje të organeve të sigurisë të faktuara mirë, përtej çdo dyshimi të bazuar?
A keni biseduar me anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje?
A keni sugjeruar që, në dritën e këtyre gjetjeve, Gjykata Kushtetuese të nisë procedurën për të rekomanduar shkarkimin e gjyqtarit?
The post Ngërçi politik, tërheqja e kërkesës nga Kushtetuesja për seancën konstituive dhe deklaratat e presidentes Osmani appeared first on Telegrafi.