Shtetet e Bashkuara do të vendosin një tarifë prej 25% për mallrat indiane dhe veç kësaj edhe një gjobë, që nuk dihet ende sa do të jetë, për blerjen e energjisë dhe armëve ruse.
Presidenti Donald Trump tha në “Truth Social” se masat do të hyjnë në fuqi nga 1 gushti, afati i fundit që ai ka vendosur për një marrëveshje tregtare. Edhe pse e cilësoi Indinë një vend mik, Trump tha se tarifat e saj janë ndër më të lartat në botë.
“Gjithashtu, ata gjithmonë kanë blerë shumicën dërrmuese të pajisjeve të tyre ushtarake nga Rusia dhe janë blerësi më i madh i energjisë së Rusisë, së bashku me Kinën, në një kohë kur të gjithë duan që Rusia të ndalojë vrasjet në Ukrainë”, shkroi Trump.
Vitin e kaluar, SHBA kishin një deficit tregtar prej 45.8 miliardë dollarësh me Indinë. Deri vonë, SHBA ishin partneri më i madh tregtar i Indisë, me tregtinë dypalëshe që arriti në 190 miliardë dollarë në vitin 2024.
Trump dhe kryeministri indian Narendra Modi kanë vendosur një objektiv për ta dyfishuar këtë shifër në 500 miliardë dollarë.
Për vite me radhë, Uashingtoni ka kërkuar akses më të madh në sektorin bujqësor të Indisë, duke e parë atë si një treg të madh të pashfrytëzuar. Por India e ka mbrojtur atë me forcë, duke përmendur sigurinë ushqimore, jetesën dhe interesat e miliona fermerëve të vegjël.
Në prill, Trump kishte njoftuar tarifa deri në 27% për mallrat indiane, të cilat më vonë u pezulluan. Kjo e premte është afati i fundit për Indinë dhe vendet e tjera që ose të arrijnë një marrëveshje tregtare ose të përballen me tarifa në rritje.
Deri tani Trump ka arritur marrëveshje me Bashkimin Europian, duke i vendosur tarifat në 15 % dhe me Japoninë, për të cilën tarifat janë po njëlloj.
/abcnews.al/