Maccabi Haifa është kritikuar ashpër nga zyrtarët polakë, pasi tifozët e tyre shfaqën një banderolë ofenduese gjatë ndeshjes së Ligës së Konferencës kundër Rakow Czestochowa.
Skuadra izraelite u përball me Rakow në ndeshjen kualifikuese të raundit të tretë të enjten. Pas humbjes 1-0 në takimin e parë, ekipi polak arriti të përmbyste rezultatin duke fituar 2-0 në ndeshjen e kthimit, e zhvilluar në Debrecen të Hungarisë për arsye sigurie, duke siguruar kështu kualifikimin në raundin tjetër me rezultatin e përgjithshëm 2-1.
Megjithatë, atmosfera sportive u njollos nga një incident i rëndë. Gjatë ndeshjes, tifozët e Maccabi Haifa ngritën një banderolë ku shkruhej: “Vrasës që nga viti 1939”, e cila shkaktoi reagime të ashpra në Poloni. Presidenti polak e cilësoi këtë gjest si një fyerje ndaj kujtimit të miliona viktimave të Luftës së Dytë Botërore, përfshirë 3 milionë hebrenj polakë.
Karol Nawrocki e përshkroi pankartën si “skandaloze” në një reagim të fortë në rrjetin X, duke thënë: “Baneri skandaloz i shfaqur nga tifozët e Maccabi Haifa fyen kujtimin e qytetarëve polakë – viktima të Luftës së Dytë Botërore, përfshirë 3 milionë hebrenj. Budallallëk që asnjë fjalë nuk mund ta justifikojë”.
Ministri i Brendshëm i Polonisë, Marcin Kierwinski, gjithashtu dënoi ashpër veprimin, duke e quajtur “anti-polonizëm” dhe “shtrembërim skandaloz të historisë polake nga huliganët izraelitë”, ndërsa Ambasada e Izraelit në Varshavë deklaroi se nuk ka vend për sjellje të tilla as në stadium, askund tjetër.
Edhe pse Maccabi Haifa është eliminuar nga Liga e Konferencës, klubi rrezikon ndëshkime nga UEFA, bazuar në precedentët e mëparshëm. Më herët, Barcelona dhe Rangers janë gjobitur dhe pezulluar për shfaqjen e pankartave ofenduese.
Barcelona u ndëshkua me 10,000 euro dhe iu ndalua shitja e biletave për një ndeshje jashtë fushe, ndërsa Rangers u gjobit me 30,000 euro për banderola diskriminuese ndaj Fenerbahçes.
UEFA pritet të marrë një vendim për rastin e Maccabi Haifa në ditët në vijim. /Telegrafi/
The post Tifozët e Maccabi Haifas shfaqën transparentin skandaloz – pritet ‘dora e hekurt’ e UEFA-s appeared first on Telegrafi.