Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 July 2025Main stream

Provokime në Srebrenicë – në ditën e përvjetorit të gjenocidit, serbët festojnë me muzikë nacionbaliste

12 July 2025 at 09:59

Më 11 korrik, të premten, në Srebrenicë u varrosen edhe shtatë viktima të tjera të gjenocidit të vitit 1995 ndërsa e gjithë bota e civilizuar kujtonte 8.372 të vrarët nga pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Serbe (RS), Ministrisë së Brendshme të RS dhe formacioneve paramilitare nga Serbia.

Megjithatë, në mbrëmje, përpara kishës në Srebrenicë u lëshua muzikë fyese për boshnjakët.

Pasi shumë mysafirë, delegacione ndërkombëtare, qytetarë dhe familje të pikëlluara u larguan nga Srebrenica, pasoi ajo që tashmë është bërë rutinë – një furi provokimesh me qëllime të qartë: të shqetësohen boshnjakët në Srebrenicë, të dërgohen mesazhe urrejtjeje dhe të festohet gjenocidi i kryer.

“Sa Manjače poručuju vuci
Selite se banjalučki Turci

Ne diraj nam Republiku Srpsku
kupi prnje i beži u Tursku

Oj Alija, nisi više glavni
pobedio narod pravoslavni”

Ova pjesma Baje Malog Knindže sinoć je puštena preko velikih zvučnika ispred pravoslavne crkve u Srebrenici,… pic.twitter.com/W3cjVbW6SH

— Istraga.ba (@IstragaB) July 12, 2025

Ashtu si vitet e kaluara, mbrëmë nga altoparlantët përpara kishës u transmetua “muzika” e Baje Malog Knindzhe, ku në mënyrat më të tmerrshme fyhen boshnjakët, madhërohen krimet dhe bëhen thirrje për dëbim.

Nënkryetari i Republikës Serbe, Çamil Durakoviq, ndau një nga incizimet.

“‘Ky popull do të jetojë, edhe pas ustashëve, sepse edhe Zoti është serb, qiejt janë tanët’ – në përvjetorin e tridhjetë të gjenocidit në Srebrenicë, fqinjët tanë, sonte para kishës në qytet, për të disatën herë na tregojnë se në çfarë balte civilizimi po rrokullisen. Eh, zotërinj, me këtë jetojnë boshnjakët e Srebrenicës më 11 korrik, pasi delegacionet të jenë shpërndarë nën sirenat e veturave zyrtare”, shkroi Durakoviq.

Ndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ishte në Srebrenicë për të përkujtuar viktimat e gjenocidit serb. /Telegrafi/

The post Provokime në Srebrenicë – në ditën e përvjetorit të gjenocidit, serbët festojnë me muzikë nacionbaliste appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 11 July 2025Main stream

Shefi i NATO-s, Rutte: Nuk do t’i harrojmë kurrë tmerret që ndodhën në Srebrenicë

11 July 2025 at 13:31

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka folur me rastin e shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit serbë në Srebrenicë, duke theksuar se tmerret që ndodhën nuk duhet të harrohen kurrë.

Në fjalimin e tij, Rutte tha se është detyrë e të gjithëve të ndërtojnë një të ardhme më të ndritur.

“Sot shënojmë 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, një tragjedi që tronditi botën dhe që përgjithmonë lidhi vendin tim me tuajin. Kam vizituar Potoçarin si kryeministër i Holandës. Kurrë nuk do t’i harrojmë tmerret e atyre ditëve, dhe mendimet tona janë me të gjithë ata që u prekën. Është detyrimi ynë të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur”, tha Rutte.

Më pas, ai u ndal edhe tek roli i NATO-s “Dejtoni ndoshta nuk është i përsosur, por mbetet gur themeli për një Bosnje dhe Hercegovinë stabile. NATO ndërhyri në Bosnje për të ndihmuar në ndalimin e një konflikti që mori qindra mijëra jetë nga të gjitha komunitetet. Atëherë ishim pranë jush. Për 30 vjet kemi ofruar stabilitet në rajon. Jemi me ju sot dhe do të jemi edhe në të ardhmen. Nuk do të lejojmë një vakum sigurie, dhe ju nuk duhet të lejoni që retorika përçarëse t’ju tërheqë pas”.

Në fund, ai foli edhe për takimet që ka pasur me studentët në Sarajevë “pashë shpresë për një të ardhme më të ndritur në fytyrat e studentëve që takova në Sarajevë. Ne u detyrohemi atyre dhe kujtimit të një gjenerate të humbur që të ndërtojmë paqe dhe mirëqenie. Çdo ditë, për të gjithë”.

Kujtojmë se në masakrën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, vlerësohet se janë vrarë rreth 8,000 burra dhe djem boshnjakë myslimanë, raporton klix.ba.

Ndryshe, gjenocidi në Srebrenicë nuk është vetëm fakt moral, por edhe ligjor – është vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), si dhe Gjykata e Bosnje e Hercegovinës.

Deri më tani, 54 persona janë dënuar me gjithsej 781 vite burg, përfshirë pesë dënime të përjetshme.

Ndër të dënuarit janë udhëheqësit më të lartë ushtarakë dhe politikë të Republikës Serbe dhe të ushtrisë serbe të Bosnjës. /Telegrafi/

The post Shefi i NATO-s, Rutte: Nuk do t’i harrojmë kurrë tmerret që ndodhën në Srebrenicë appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Dodik u dorëzua pas tre muajsh në arrati – hiqen urdhër-arresti dhe masa e paraburgimit ndaj tij

5 July 2025 at 08:07

Kreu i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, u dorëzua dje në Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës në Sarajevë, pasi i kishte sfiduar autoritetet për më shumë se tre muaj.

Ai u mor menjëherë në pyetje në kuadër të rastit “sulmi ndaj rendit kushtetues të BiH”. Si rezultat, iu hoq masa e mëparshme e paraburgimit.

Sipas informacioneve nga Gjykata e BiH, Dodik shkoi në seancë në shoqërinë e avokatit, pasi kishte qenë në arrati për tre muaj e gjysmë. Ai po hetohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të sulmit ndaj rendit kushtetues. Meqenëse kishte refuzuar thirrjet e Prokurorisë së BiH për t’u paraqitur, ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti dhe ishte caktuar masa e paraburgimit për një muaj.

Tani kjo masë është hequr dhe ndaj tij është vendosur detyrimi për t’u paraqitur periodikisht në polici. Masat ndaluese mund të zgjasin për aq kohë sa ka nevojë ose deri në një vendim tjetër të Gjykatës së BiH, shkruan klix.ba.

Dodik konfirmoi pas marrjes në pyetje se kishte dhënë deklaratë sipas kërkesës së prokurorisë shtetërore.

“Pranova me vullnet të lirë të paraqitem në Gjykatën e BiH dhe pas një ore e gjysmë mora vendimin për heqjen e paraburgimit dhe heqjen e urdhrave për kërkim brenda dhe jashtë BiH. Sigurisht, ky është një proces që do të vazhdojë”, tha ai.

Politikani separatist serb sqaroi se ka detyrimin të paraqitet çdo 15 ditë në stacionin policor në Laktash afër Banja Llukës, ku është i regjistruar me vendbanim. Po ashtu, shtoi se “është i lodhur nga gjithçka”.

Përveç Dodikut, Prokuroria e BiH po heton edhe kryetarin e Kuvendit Popullor të Republikës Serbe, Nenad Stevandiq, dhe kryeministrin entitetit, Radovan Vishkoviq, për të cilët gjithashtu është lëshuar urdhër arresti dhe është caktuar paraburgim. Ata vazhdojnë të jenë në arrati dhe konsiderohen të shpallur në kërkim nga drejtësia. /Telegrafi/

The post Dodik u dorëzua pas tre muajsh në arrati – hiqen urdhër-arresti dhe masa e paraburgimit ndaj tij appeared first on Telegrafi.

Një kontinent, dy realitete: Ndërsa në BE janë të shqetësuar për sigurinë – në Ballkan, përfshirë Kosovën, prioritet është mbijetesa

10 June 2025 at 09:51

Qytetarët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor kanë prioritete dhe pikëpamje të ndryshme jetësore, tregon një anketë e Eurobarometrit, e kryer në pranverë të këtij viti.

Derisa ata të BE-së mbeten të përqendruar në çështje të sigurisë që lidhen me pushtimin rus të Ukrainës, në Ballkanin Perëndimor më të shqetësuar janë për rritjen e çmimeve të ushqimeve, krimin, korrupsionin dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Anketa shpërfaq, gjithashtu, dallime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos Serbisë dhe pjesës tjetër të rajonit, për sa i përket optimizmit, besimit në BE, mosbesimit në NATO dhe mbështetjes për anëtarësimin e mundshëm.

Për tre vjet me radhë, më shumë se një e katërta e të anketuarve nga 27 vende pajtohen se lufta në Ukrainë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e BE-së, ndërsa një e pesta i jep përparësi mbrojtjes dhe sigurisë.

Ballkani Perëndimor, në anën tjetër, përqendrohet te mbijetesa e përditshme.

Krahasuar me anketën e njëjtë të kryer në vjeshtë, Maqedonia e Veriut regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me krimin, ndërsa Kosova regjistroi rritjen më të madhe të shqetësimeve në lidhje me rritjen e çmimeve.

Kosova dallohet krahasuar me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor për optimizmin, ku 76 për qind e të anketuarve shprehen të kënaqur me tregun e punës.

Rreth 40 për qind e të anketuarve në vendet e tjera mendojnë se mundësia për të gjetur punë në vendin e tyre është e mirë, që është në përputhje me mesataren e Bashkimit Evropian.

Krahasuar me sondazhin e Eurobarometrit në vjeshtë, Shqipëria shënon rritjen më të madhe të optimizmit – për 17 për qind, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina rritjen më të madhe të pesimizmit – për 6 për qind.

Sa i përket gjendjes së përgjithshme në vend, dy të tretat e të anketuarve në Serbi mendojnë se ajo është e keqe. Njëkohësisht, kjo është edhe rritja më e madhe e perceptimit negativ: 19 për qind.

Ndryshe nga të tjerët, 80 për qind e të anketuarve në Kosovë e kanë vlerësuar gjendjen në vendin e tyre si të mirë.

Pesimizmi për këtë çështje është rritur më së shumti në Serbi – për 19 për qind – krahasuar me tetorin e vitit 2024.

Të anketuarit në Kosovë dhe në Mal të Zi janë optimistë sa i përket drejtimit që po ndjekin vendet e tyre.

Ndërkohë, në Bosnje dhe Hercegovinë është rritur ndjeshëm pesimizmi – 14% më shumë njerëz se në vjeshtën e vitit 2024 mendojnë se vendi është në rrugë të gabuar.

Rritje e ngjashme e mendimit negativ është shënuar edhe në Serbi, me 11%.

Ndërsa shumica e qytetarëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor besojnë se jeta e tyre nuk do të ndryshojë vitin e ardhshëm, në Kosovë dhe në Shqipëri dominon optimizmi.

Në këto dy vende, shumica besojnë se jeta e tyre do të përmirësohet, ndërsa çdo i pesti i anketuar në Serbi dhe në Maqedoni të Veriut ka frikë se e ardhmja do të jetë më e vështirë.

Në krahasim me të njëjtën anketë të kryer në vjeshtën e vitit 2024, në Mal të Zi është rritur për 20 për qind numri i atyre që mendojnë se gjithçka do të mbetet e njëjtë, ndërsa në pjesën tjetër të rajonit rezultatet janë afërsisht të njëjta.

Në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, shumica e qytetarëve parashikojnë përkeqësim të situatës së përgjithshme në vendet e tyre, gjatë vitit të ardhshëm.

Kosova dhe Shqipëria dallojnë nga ky trend, pasi shumica e të anketuarve presin përmirësim në të ardhmen, madje më shumë se në vjeshtën e kaluar.

Pesimizmi është rritur më së shumti në Bosnje e Hercegovinë, për 6 për qind.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ndërkaq, mbetet i dëshirueshëm për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë.

Entuziazmi është më i lartë në Shqipëri dhe Mal të Zi, ku shumica e të anketuarve besojnë se anëtarësimi do të sjellë përfitime për vendet e tyre.

Në Serbi, mendimet për anëtarësimin në BE janë të ndara në mënyrë të barabartë midis atyre që e përkrahin, e kundërshtojnë ose janë indiferentë.

Në Mal të Zi është shënuar rritja më e madhe e optimizmit për anëtarësim në BE, krahasuar me anketën e mëparshme të vjeshtës – për 13 për qind.

BE-ja gëzon besim të madh në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë – gjë që përputhet me orientimet e tyre proevropiane.

Në anën tjetër, 57 për qind e të anketuarve në Serbi thonë se nuk besojnë në BE.

Sa u përket qytetarëve të BE-së, 52 për qind besojnë në institucionet evropiane, ndërsa 41 për qind nuk besojnë.

Në krahasim me anketën e mëparshme, besimi ka mbetur thuajse i pandryshuar – me një rritje për 9 për qind në Kosovë.

Mungesa e besimit ndaj NATO-s në Serbi është edhe më e theksuar, ku 92 për qind e të anketuarve nuk besojnë në këtë organizatë.

Ndryshe është situata në Kosovë, ku 95 për qind e njerëzve shprehin besim në NATO.

Shumica e qytetarëve të BE-së dhe mbi 60% e banorëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut – të dyja vende anëtare – kanë besim në Aleancën Veriatlantike.

Rritja më e madhe e besimit në NATO është regjistruar në Bosnje e Hercegovinë – për 11 për qind. /REL/

The post Një kontinent, dy realitete: Ndërsa në BE janë të shqetësuar për sigurinë – në Ballkan, përfshirë Kosovën, prioritet është mbijetesa appeared first on Telegrafi.

Tërmet në Bosnjë dhe Hercegovinë, nuk raportohet për dëme materiale apo ndonjë të lënduar

1 June 2025 at 19:54

Një tërmet me magnitudë 3.9 ballë të shkallës Rihter goditi Bosnjën dhe Hercegovinën jugore.

Më saktësisht, siç raportojnë mediat vendase, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një tërmet në një zonë 15 kilometra nga Stolaci dhe 31 kilometra nga Mostari.

Tërmeti u regjistrua në orën 18:41. në një thellësi prej pesë kilometrash.

Ky është tërmeti i tretë në BeH i regjistruar në 44 orët e fundit, raporton EMSC.

Deri më tani nuk raportohet për dëme apo persona të lënduar. /Telegrafi/

The post Tërmet në Bosnjë dhe Hercegovinë, nuk raportohet për dëme materiale apo ndonjë të lënduar appeared first on Telegrafi.

Aksident i rëndë komunikacioni, të paktën tri të vdekur në Bosnje

31 May 2025 at 07:55

Në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi mëngjesin e sotëm në Bosnje-Hercegovinë, në segmentin rrugor midis Zitomisliq dhe Poçitelj, kanë humbur jetën tre persona.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit Hercegovina-Neretva, Ilijana Milosh, konfirmoi për Klix.ba se edhe dy persona të tjerë janë lënduar, por për momentin nuk dihet shkalla e lëndimeve të tyre.

Rreth orës 04:30 të mëngjesit ndodhi një aksident i rëndë trafiku ku u përfshinë tre automjete në rrugën magjistrale M-17, në vendin Shevash Njive.

Qarkullimi është bllokuar plotësisht dhe në vendin e ngjarjes do të kryhet ekspertiza nga pjesëtarët e Sektorit të Policisë Kriminale me asistencën e Policisë së Çaplinës, nën mbikëqyrjen e prokurorit kujdestar.

Si rrugë alternative për shoferët rekomandohet itinerari Buna – Pijesci – Domanoviçi – Çapljina. /Telegrafi/

The post Aksident i rëndë komunikacioni, të paktën tri të vdekur në Bosnje appeared first on Telegrafi.

Familja e Dodikut negocioi me një zyrtar të lartë perëndimor për largimin e tij nga Bosnja

28 May 2025 at 17:36

Sipas një raportimi të publikuar nga gazeta britanike The Guardian, familja e presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, ka kontaktuar një zyrtar të lartë perëndimor për të negociuar kushtet e largimit të tij nga Bosnja dhe Hercegovina.

Ky informacion është konfirmuar nga burime diplomatike në Sarajevë dhe është publikuar gjithashtu në shtypin hungarez.

Raporti gjithashtu përmend se një njësi elitare e policisë hungareze është dërguar fshehurazi në Banja Lluka për të ndihmuar në evakuimin e mundshëm të Dodikut në rast nevoje.

Kjo ndodhi pas një vendimi të Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës më 26 shkurt 2025, ku Dodik u dënua me një vit burg dhe një ndalim gjashtëvjeçar për të ushtruar funksione publike për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në BiH.

Për më tepër, raporti thekson se autoritetet e Republikës Serbe kanë miratuar një ligj që ndalon praninë e institucioneve shtetërore gjyqësore dhe policore në territorin e tyre, një hap që shihet si fillimi i një procesi secesioni.

Gjithashtu, Dodik ka udhëtuar për herë të tretë që nga marsi në Moskë për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, duke theksuar lidhjet e tij me Rusinë.

The Guardian vlerëson se këto zhvillime përfaqësojnë një pikë kthese të rrezikshme, duke theksuar se kryeministri hungarez Viktor Orban, në rast të një konflikti midis Brukselit dhe aleatit rus Dodik, qëndron vendosmërisht në anën e Moskës. /Telegrafi/

The post Familja e Dodikut negocioi me një zyrtar të lartë perëndimor për largimin e tij nga Bosnja appeared first on Telegrafi.

Dënohet për herë të parë në Bosnjë një person për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë

22 May 2025 at 20:57

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës e ka dënuar me dy vjet e gjysmë burgim, në një vendim të shkallës së parë, Vojin Pavloviçin kryetarin e shoqatës pro-ruse “Alternativa Lindore” e Republikës Serbe, për mohimin dhe lartësimin e gjenocidit në Srebrenicë, si dhe për lavdërimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.

Gjyqtari, në vendimin e tij, tha se ky është një moment historik për praktikën gjyqësore në Bosnje e Hercegovinë dhe u bëri thirrje prokurorive t’i ndjekin penalisht rastet e tilla.

Pavloviq u dënua pasi më 10 mars 2023, në një kryqëzim mbi semafor në Bratunac, kishte vendosur një pankartë me portretin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, ku ishte shkruar mesazhin “gëzuar ditëlindjen, rrofsh e jeto mirë”.

Në aktgjykim thuhet se Pavloviq ishte i vetëdijshëm që me këtë veprim po madhëronte Mlladiqin, i cili me vendim të gjykatës ndërkombëtare është dënuar për gjenocid dhe krime të tjera lufte, raporton klix.ba.

Ai u shpall fajtor edhe për miratimin dhe përpjekjen për të justifikuar gjenocidin në Srebrenicë, duke organizuar një tubim në Bratunac më 11 korrik 2023, për të cilin kishte përgatitur posterë me mbishkrimin “11 korrik – Dita e Çlirimit të Srebrenicës; Faleminderit Ushtrisë së Republikës Serbe”.

Këta posterë i kishte vendosur në territorin e komunës së Bratuncit, që kufizohet me Srebrenicën.

Me vendim të gjykatës, Pavloviq është i detyruar të mbulojë shpenzimet gjyqësore. Ky është vendimi i parë i këtij lloji në Bosnje e Hercegovinë.

Si mbrojtja ashtu edhe Prokuroria e Shtetit mund të parashtrojnë ankesë ndaj vendimit.

Ish-Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, kishte vendosur në korrik të vitit 2021, përmes të ashtuquajturave “kompetenca të Bonit”, ndryshime në Kodin Penal të Bosnjës, përmes të cilave ndalohen dhe ndëshkohen mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës, si dhe lartësimi i kriminelëve të luftës. /Telegrafi/

The post Dënohet për herë të parë në Bosnjë një person për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë appeared first on Telegrafi.

Dehumanizimi si strategji: Retorika e Milorad Dodik

13 May 2025 at 10:55

Në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, presidenti i entitetit Republika Srpska, është i njohur për shpërthimet e tij të ashpra. Fjalimet e tij janë të ashpra dhe të pamëshirshme, të shprehura pa asnjë shenjë keqardhjeje. Kjo qasje brutale është pjesë e një manovre të qëllimshme politike: ai kërkon të delegjitimojë boshnjakët si një komunitet politik […]

The post Dehumanizimi si strategji: Retorika e Milorad Dodik appeared first on Reporter.al.

Husiq: Kosova ta ndjekë shembullin e Bosnjës për statusin e viktimave të dhunës gjatë luftës

4 May 2025 at 11:36

Qeveria në Kosovë duhet ta ndjekë shembullin e Bosnje dhe Hercegovinës që të mos ketë kufizim kohor për aplikim për statusin e viktimës së dhunës seksuale së përjetuar gjatë luftës, thotë Sabiha Husiq, drejtoreshë e organizatës “Medica Zenica”.

Ajo e konsideron thelbësore një gjë të tillë, meqë thotë se nuk dihet asnjëherë se kur është gati një e mbijetuar që të aplikojë për pension.

Në një intervistë për KosovaPress, Husiq flet për drejtësi dhe rëndësinë e ndëshkimit të këtij krimi, për çka thotë se duhet të krijohet atmosferë e mirë që viktimat e dhunës seksuale të dëshmojnë atë që iu ka ndodhur.

Sabiha Husiq, e cila udhëheq organizatën më të vjetër të grave në Bosnje, thotë se të mbijetuarit e dhunës seksuale në BeH vazhdojnë të mbajnë të heshtur ngjarjen traumatike.

“Në këtë periudhë, mendoj se është shumë me rëndësi që qeveria të mendojë për shembullin tonë të mirë në lidhje me afatin për aplikim për pensionet në Kosovë. Në Bosnje, nuk ka kufizim kohor për të aplikuar për statusin e viktimave civile të luftës. Kjo është thelbësore, sepse nuk mund të dimë kurrë kur një e mbijetuar do të ndiejë se është gati të flasë dhe të aplikojë për status, ose në rastin tuaj për pension… Po ashtu, kur flasim për dëshmitë, bashkëpunimi me të mbijetuarat është shumë i rëndësishëm. Secili autor i krimit duhet të ndëshkohet, pavarësisht se ngjarja ka ndodhur para dy apo tri dekadave”, tha Husiq.

Ajo thekson se shumë të mbijetuar kanë vendosur pas tri dekadave që të aplikojnë për statusin e viktimës së dhunës seksuale.

“Kjo do të thotë, se kemi raste kur për herë të parë kanë vizituar qendrën mjekësore dhe kanë kërkuar ndihmë dhe mbështetje. Së dyti, është shumë e rëndësishme të theksohet, se ne vazhdojmë të ndihmojmë dhe mbështesim të mbijetuarat për të aplikuar për statusin e viktimave civile të luftës. Situata ekonomike këtu është gjithashtu shumë e vështirë dhe e keqe. Disa të mbijetuara, pas tri dekadash, vendosën të aplikojnë për këtë status. Një nga arsyet pse kanë pritur kaq shumë kohë këtu në Bosnje është edhe stigmatizimi i tyre në familje. Ato janë përballur me ndjenjën e turpit vetëm, sepse nuk kanë dashur që ta transmetojnë traumën e tyre tek fëmijët”, thekson ajo.

Rreth 20 mijë gra janë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sipas institucioneve të vendit.

Qeveria në detyrë e Kosovës në një mbledhje elektronike të zhvilluar më 14 prill ka vendosur që afati për të aplikuar për njohje të statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës të shtyhet deri në maj të vitit 2027./KP/

The post Husiq: Kosova ta ndjekë shembullin e Bosnjës për statusin e viktimave të dhunës gjatë luftës appeared first on Telegrafi.

Besimtari mysliman vritet në një xhami në Francë, sulmuesi me origjinë nga Bosnja filmoi krimin

27 April 2025 at 18:43

Policia në Francën jugore po vazhdon të kërkojë një të dyshuar për goditjen fatale me thikë të një besimtari mysliman brenda një xhamie.

Autoritetet thanë se një burrë në të 20-at e goditi me thikë besimtarin dhjetëra herë në ndërtesën në fshatin La Grand-Combe, në veri të Montpellier, përcjell Telegrafi.

Gazeta Le Parisien citoi një burim hetimor të thoshte se sulmuesi më pas e filmoi viktimën, e cila ishte në fillim deri në mes të të 20-ave, me telefonin e tij celular ndërsa po vdiste.

Videoja iu dërgua një miku i cili më pas e postoi në internet përpara se ta fshinte, sipas raporteve të mediave franceze.

À #Montpellier, une grosse centaine de personnes observe une minute de silence en hommage à Aboubakar, victime d’un crime islamophobe à la mosquée de La Grand-Combe, dans le Gard, où une marche blanche à eu lieu aujourd’hui. Les manifestants demandent “justice pour Aboubakar” pic.twitter.com/3pSoL1oB2J

— Le Poing – Montpellier (@lepoinginfo) April 27, 2025

Kamerat e mbikëqyrjes në xhami gjithashtu filmuan sulmin, i cili tregoi sulmuesin dhe viktimën vetëm në xhami.

Media franceze tha se viktima ishte një besimtar i rregullt në xhami.

Njerëzit i thanë agjencisë së lajmeve AFP se ai kishte mbërritur nga Mali disa vite më parë dhe ishte “shumë i njohur” dhe shumë i respektuar në fshat.

Ndërsa vrasësi nuk ishte parë kurrë më parë atje, thanë hetuesit.

Au moins 500 personnes défilent actuellement à la Grand-Combe, en hommage au fidèle tué dans la mosquée https://t.co/5yrNwglf6n pic.twitter.com/5AEGFxwMpu

— ici Gard Lozère (@icigardlozere) April 27, 2025

Prokurori rajonal Abdelkrim Grini i tha AFP-së se i dyshuari ishte ende në arrati që nga e shtuna.

Ndërkohë një burim tjetër i tha AFP-së se i dyshuari është identifikuar si një shtetas francez me origjinë boshnjake i cili nuk është mysliman.

Presidenti francez Emmanuel Macron komentoi mbi goditjen me thikë dhe tha se liria fetare e vendit është “e paprekshme”, duke shtuar se urrejtja e bazuar në fe “nuk do të ketë kurrë vend në Francë”. /Telegrafi/

The post Besimtari mysliman vritet në një xhami në Francë, sulmuesi me origjinë nga Bosnja filmoi krimin appeared first on Telegrafi.

Dodik kërcënon se do ta arrestojë Përfaqësuesin e Lartë, Schmidt

24 April 2025 at 21:30

Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, i dënuar në shkallën e parë, iu drejtua sot publikut pas vendimit të Përfaqësuesit të Lartë për të ndërprerë financimin nga buxheti për SNSD-në dhe “Ujedinjena Srpska”. Ai gjithashtu komentoi edhe përpjekjen për ta arrestuar.

Dodik sërish kritikoi ashpër Përfaqësuesin e Lartë, Christian Schmidt, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin dhe kompetencat e tij, dhe deklaroi se RS nuk do të respektojë asnjë vendim të tij.

Ai e quajti Schmidtin “guvernator të rremë” dhe “fashist”, duke theksuar se ligjet dhe vendimet që ai imponon bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës dhe nuk kanë asnjë bazë juridike, shkruan klix.ba.

“Christian Schmidt nuk ka legjitimitet, nuk ka të drejtë dhe as kompetenca. Partnerët tanë boshnjakë i kanë pranuar kompetencat e tij sepse ai është kundër nesh në RS, por kjo dëmton më së shumti vetë ekzistencën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Asnjë shtet nuk mbijeton këtë lloj ndërhyrjeje”, tha Dodik.

Sipas tij, Republika Serbe, që përbën 49 për qind të territorit të BiH, nuk do të pranojë “imponime dhe narrativa të rreme” që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare, dhe paralajmëroi se institucionet e RS-së do të reagojnë duke pezulluar zbatimin e akteve të kontestuara dhe duke kërkuar një marrëveshje të re për të ardhmen e BiH.

Ai gjithashtu komentoi krizën politike aktuale dhe paralajmëroi rezistencë përmes institucioneve, duke dërguar një mesazh të ashpër se ndjekja penale e lidershipit politik të RS-së nuk do të kalojë pa pasoja.

“Çfarë mënyre është kjo, që papritur të procesohen presidenti, kryetari i Asamblesë Kombëtare, kryeministri, ministrat? Kush mendon se nuk do të mbrohemi, e ka gabim”, deklaroi separatisti serb.

Në fund, Dodik nuk i kurseu fjalët kur komentoi komunitetin ndërkombëtar dhe vendimin e Schmidtit për ndërprerjen e fondeve buxhetore për SNSD-në dhe “Ujedinjena Srpska” për shkak të politikave antidejtoniane.

“Çfarë budallenjsh mendjemëdhenj. Si është e mundur që disa parti politike të marrin fonde dhe të tjerat jo? Kjo është demokracia e tyre. S’më intereson as për të, as për vendimet e tij”, tha ai. /Telegrafi/

The post Dodik kërcënon se do ta arrestojë Përfaqësuesin e Lartë, Schmidt appeared first on Telegrafi.

Schmidt pezulloi fondet buxhetore të partive politike të Republikës Serbe

24 April 2025 at 15:57

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, ndaloi sot të gjitha fondet buxhetore për financimin e partive politike SNSD dhe “Ujedinjena Srpska”, të cilat ishin të destinuara për të gjitha nivelet e pushtetit në Bosnje dhe Hercegovinë.

Siç deklaroi ai, fondet do të ndalohen dhe do të kalohen në një llogari të veçantë në Bankën Qendrore të Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Me këtë vendim mbështeten përpjekjet e institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës për t’u përballur me sulmet e koalicionit qeverisës nga Republika Serbe kundër parimeve themelore dhe rendit kushtetues të BiH. Udhëheqësia e “Ujedinjena Srpska” dhe e SNSD-së janë në krye të këtyre veprimeve. Ato veprime janë në kundërshtim me respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit”, tha ai.

Diplomati gjerman shtoi se integriteti territorial dhe sovraniteti i Bosnjës dhe Hercegovinës janë të padiskutueshme, shkruan klix.ba.

“Të dy entitetet dhe Brçko kanë të drejta që janë të garantuara nga Marrëveshja e Dejtonit. Por, këto të drejta kërkojnë respektimin e Dejtonit dhe të demokracisë. Udhëheqësia e SNSD-së dhe e “Ujedinjena Srpska” po nxisin institucionet e Republika Serbe dhe qytetarët e saj të kryejnë vepra penale, duke u kërcënuar me ndëshkim nëse nuk i binden. Qytetarët e RS-së kanë të drejtë të vendosin vetë për veten. Ata po kërcënohen me ndjekje penale nëse nuk sillen në përputhje me presionet”, shtoi ai.

Siç tha më tej, “në Bosnje dhe Hercegovinë nuk na duhen kështjella, dhe ata që mendojnë se na duhen, nuk po punojnë për të ardhmen e këtij vendi”.

“Sipas Kodit Penal, çdo mosrespektim i këtij vendimi që kam marrë sot, i nënshtrohet përgjegjësisë penale. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kur këto parti të tregojnë respektim ndaj Marrëveshjes së Dejtonit, do ta rishqyrtoj këtë vendim. Veprimet kundër Dejtonit kanë pasojat e tyre. Respektimi i Marrëveshjes së Dejtonit nuk është çështje zgjedhjeje. Pasdite do të shkoj në kampin Butmir ku do të takohem me komandantin e EUFOR-it”, tha ai. /Telegrafi/

The post Schmidt pezulloi fondet buxhetore të partive politike të Republikës Serbe appeared first on Telegrafi.

Të armatosur deri në dhëmbë – forcat speciale të Policisë së RS-së po e ruajnë Dodikun në Sarajevë

23 April 2025 at 21:32

Atmosferë rrethimi dhe kaosi i plotë ka përfshirë sonte Sarajevën Lindore.

Forcat speciale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Serbe, të armatosura deri në dhëmbë, së bashku me truprojat personale të Milorad Dodikut, po ruajnë presidentin e këtij entiteti, pasi pjesëtarë të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) tentuan ta arrestonin.

Sipas raportimit të klix.ba nga vendngjarja, pjesëtarët e SIPA-s më herët kishin arritur në Qendrën Administrative të Qeverisë së RS-së, ku ndodhet Dodik, për ta arrestuar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës, e cila më parë kishte shpallur një urdhër-arrest qendror ndaj tij.

Megjithatë, planin e SIPA-s e penguan pjesëtarët e policisë së entitetit, të cilët dolën në mbrojtje të një personi ndaj të cilit ekziston një urdhër-arrest gjyqësor.

Zhvillimi i tillë i ngjarjeve ngre pyetje serioze mbi sundimin e ligjit dhe mbi shkallën e kontrollit politik të drejtpërdrejtë ndaj policisë së entitetit.

Në vend që të veprojnë në përputhje me ligjet e shtetit, pjesëtarët e institucioneve të RS-së po tregojnë përsëri besnikëri ndaj një individi dhe jo ndaj rendit juridik.

Kujtojmë se, përveç Dodikut, janë shpallur urdhër-arreste edhe për kryeministrin e RS-së, Radovan Viskoviq, si dhe për kryetarin e Kuvendit Popullor të RS-së, Nenad Stevandiq, gjë që dëshmon për thellësinë e krizës juridike dhe politike në këtë entitet.

Dodik, më herët gjatë ditës, ka qëndruar në Shekoviq, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e nisjes së projektit për gazifikimin e pjesës lindore të RS-së, dhe më pas ka mbërritur në Qendrën Administrative në Sarajevën Lindore për një takim me drejtues lokalë.

Pikërisht aty e ka gjetur SIPA-ja, por duket se policia e entitetit i ka mundësuar që të mbetet i paprekshëm – të paktën për momentin. /Telegrafi/

The post Të armatosur deri në dhëmbë – forcat speciale të Policisë së RS-së po e ruajnë Dodikun në Sarajevë appeared first on Telegrafi.

Policia e Bosnjës tenton të arrestojë Dodikun, pengohet jashtë ndërtesës

23 April 2025 at 21:58

Ministria e Punëve të Brendshme e entitetit të Republikës Sërpska (MUP RS) ka penguar anëtarët e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) të hyjnë në ndërtesën e Qendrës Administrative të Qeverisë së Republikës Sërpska në Sarajevën Lindore, ku po zhvillohet një takim mes Millorad Dodik, dhe përfaqësuesve të Qytetit të Sarajevës Lindore.

Lajmin për pengimin e hyrjes në ndërtesën ku po qëndronte presidenti i Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga vetë SIPA.

Kjo agjenci deklaroi se anëtarët e saj po vepronin sipas një urdhri të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës dhe se nuk është përdorur forcë.

Dodik, kryetari i Parlamentit të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq dhe kryeministri i këtij entiteti, Radovan Vishoviq, janë të dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues. Për ta është lëshuar një fletarrestim qendror në Bosnje dhe Hercegovinë që nga mesi i marsit, pasi nuk janë përgjigjur ftesës së Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës për t’u marrë në pyetje.

Më herët, Gjykata e Bosnjës i kishte kërkuar INTERPOL-it që të rishikojë vendimin për refuzimin e kërkesës për lëshimin e një njoftimi të kuq ndaj përfaqësuesve të udhëheqjes së Republikës Sërpska.

INTERPOL nuk ka lëshuar një njoftim të kuq ndërkombëtar për Dodikun, Stevandiqin, pasi Gjykata e Bosnjës i ishte drejtuar me kërkesë më 27 mars.

Prokuroria e Bosnjës më herët kishte kërkuar lëshimin e fletarrestimit ndërkombëtar, duke theksuar se Dodik dhe Stevandiq, “duke shfrytëzuar pozitat e tyre të larta në RS, kanë shmangur procedurat ligjore të kontrollit kufitar, kanë kaluar kufirin shtetëror dhe kanë lëshuar territorin e Bosnje e Hercegovinës”.

Të dy zyrtarët janë larguar dhe janë kthyer në Bosnje dhe Hercegovinë disa herë që nga lëshimi i urdhrit qendror për arrestimin e tyre.

Pas një vendimi të shkallës së parë në fund të shkurtit, me të cilin Millorad Dodik u dënua me një vit burg dhe iu ndalua angazhimi në politikë për një periudhë prej gjashtë vjetësh, autoritetet në Republikën Sërpska miratuan një sërë ligjesh që ndalojnë funksionimin e organeve shtetërore gjyqësore dhe hetimore të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

The post Policia e Bosnjës tenton të arrestojë Dodikun, pengohet jashtë ndërtesës appeared first on Sot News | Lajme.

Dodik thotë se britanikët kishin planifikuar likuidimin e tij

19 April 2025 at 13:05

Milorad Dodik, president i Republikës Serbe, i cili në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës konsiderohet si i arratisur, ka deklaruar se tre presidentë të shteteve evropiane dhe një kryeministër i kanë thënë se në Bosnjë-Hercegovinë është dërguar një njësit britanik me qëllim likuidimin e tij.

Dodik pohon se bëhet fjalë për rreth 40 ushtarë që kanë ardhur me një urdhër të veçantë, shkruan klix.ba.

“Tre presidentë të shteteve evropiane dhe një kryeministër më thanë se në Bosnjë-Hercegovinë ka ardhur një njësit britanik prej rreth 40 ushtarësh me urdhër, jo për të më arrestuar, por për të më ‘zhdukur’, me arsyen se kam ‘kundërshtuar’. Ose ndoshta, sipas parimeve mafioze. Njeriu është problemi – nëse nuk ka njeri, nuk ka as problem. Nuk janë dorëzuar, por kanë heshtur”, tha Dodik për večernje novosti.

“Thënë nga ata, më këshilluan të largohem, por atë film nuk do ta shoh”, shtoi ai.

Separatisti serb gjithashtu tha se nuk ndihet i izoluar dhe se lëviz normalisht, duke shtuar se “proceset politike kurrë nuk do ta thyejnë” dhe se nuk do të heqë dorë nga “lufta për RS”.

Dodik theksoi gjithashtu se njerëz nga Brukseli i kishin sugjeruar të largohej.

“Atë film nuk do ta shohin. Nuk do të largohem as nëse NATO vjen të më arrestojë”, pohoi 66-vjeçari.

Kujtojmë se Dodik, i cili është dënuar në shkallë të parë, ka refuzuar të përgjigjet për thirrjen e Prokurorisë së BiH për t’u dëshmuar për dyshime se ka marrë pjesë në sulmin ndaj rendit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës. Po ashtu, deri tani janë të dyshuar edhe presidenti i Kuvendit të Popullit të RS-së, Nenad Stevandiq dhe kryeministri i RS-së, Radovan Viskoviq. /Telegrafi/

The post Dodik thotë se britanikët kishin planifikuar likuidimin e tij appeared first on Telegrafi.

Arrestohet ministrja boshnjake

10 April 2025 at 15:57

Në kuadër të aksionit me emrin e koduar “Zarf”, me urdhër të prokurorit përgjegjës të Prokurorisë së Kantonit të Sarajevës, hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Sarajevës kanë arrestuar ministren e Ministrisë për Shkencë, Arsimin e Lartë dhe Rininë e Kantonit të Sarajevës, Adna Mesihoviç, dhe ndihmësen e saj, Gjenita Viteskiq.

Ato dyshohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autorizimeve zyrtare.

Më saktësisht, dyshohen për punësime të paligjshme në Ministri, shkruan klix.ba.

Herët në mëngjes janë kontrolluar banesat e të dyshuara dhe zyrat e Ministrisë për Shkencë, Arsimin e Lartë dhe Rininë e Kantonit të Sarajevës. Janë gjetur dokumente dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale në vijim.

Aksioni është, ndër të tjera, rezultat i protokollit të nënshkruar për ndjekjen penale të veprave korruptive ndërmjet Prokurorisë së Kantonit të Sarajevës, Zyrës për Luftën kundër Korrupsionit të Kantonit të Sarajevës dhe Drejtorisë së Policisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kantonit të Sarajevës.

Ndihmë ka ofruar edhe Agjencia për Siguri dhe Informacion e Bosnjë dhe Hercegovinës (OSA). Në fund, të dyshuarat, pas procedurës hetimore pranë MPB-së së KS-së, do t’i dorëzohen për kompetencë të mëtejshme Prokurorisë së KS-së. /Telegrafi/

The post Arrestohet ministrja boshnjake appeared first on Telegrafi.

Dodik shfaqet nga Moska

1 April 2025 at 09:31

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, objektivi i një urdhër-arresti mbi akuzat për përpjekje për t’u shkëputur, njoftoi të hënën vonë se ishte në Moskë.

Bëhet fjalë për kreun e pjesës së dominuar nga serbët, Republika Srpska, dhe aleati i Kremlinit, i cili për vite me radhë ka hequr dorë nga institucionet qendrore të Bosnjës, përcjell Telegrafi.

Prokurorët boshnjakë lëshuan një urdhër ndërkombëtar për arrestimin e Dodik duke thënë se ai kërkohej për t’u marrë në pyetje mbi veprimet separatiste të kryera në Republika Srpska që nga shkurti.

Një urdhër-arresti kombëtar u lëshua më 18 mars.

“Kam mbërritur në Moskë”, ka shkruar Dodik në platformën X.

“Unë e filloj çdo herë që qëndroj këtu me një vizitë në Varrin e Ushtarit të Panjohur”, shtoi ai, duke ndarë një video me një mesazh në të cilin ai lavdëronte presidentin Vladimir Putin, pa përmendur nëse ata ishin takuar.

➡ Стигао сам у Москву. Сваки мој боравак овдjе почињем посјетом споменику Незнаном јунаку како бих одао пошту 28 милиона страдалих Руса у Другом свјетском рату.

➡ Овдjе ћу бити поново 9. маја на позив предсједника Руске Федерације Владимира Путина на обиљежавању 80. гoдишњице… pic.twitter.com/CMd5jqYda8

— Милорад Додик (@MiloradDodik) March 31, 2025

Që nga fundi i konfliktit të viteve 1990, Bosnja është ndarë në gjysma gjysmë autonome – Republika Srpska dhe një federatë myslimano-kroate.

Secili rajon ka qeverinë dhe parlamentin e vet me vetëm institucione qendrore të dobëta që lidhin vendin me 3.5 milionë banorë.

Dodik, 66 vjeç, ka kërcënuar disa herë se do të shkëpusë entitetin serb nga Bosnja dhe ka ndaluar zyrtarët qendrorë të policisë dhe gjyqësorit të punojnë atje – një urdhër që u pezullua nga gjykata kushtetuese.

Tensionet janë rritur që kur një gjykatë boshnjake në shkurt e shpalli Dodikun fajtor për refuzimin e ndjekjes së vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar që mbikëqyr marrëveshjet e paqes boshnjake.

Ai u dënua me një vit burg dhe u ndalua nga mbajtja e posteve publike për gjashtë vjet.

Pavarësisht urdhërave, Dodik ka vizituar Serbinë dhe Izraelin, ku shkoi në një konferencë mbi antisemitizmin, ku morën pjesë disa liderë të djathtë evropianë.

Në mesazhin e tij të ri, Dodik tha se do të kthehej në Moskë më 9 maj “për të përkujtuar 80-vjetorin e fitores mbi fashizmin, në të cilën vuajtën më shumë popujt rus dhe serb”. /Telegrafi/

The post Dodik shfaqet nga Moska appeared first on Telegrafi.

Dodik raportohet se ka ikur në Rusi

29 March 2025 at 18:30

Pasi presidenti i entitetit të Republikës Serbe (RS), Milorad Dodik, njoftoi ndjekësit në platformën X se “ka arritur”, por nuk ishte e qartë nëse ai po fliste për kthimin në Bosnjë dhe Hercegovinë pas vizitës së dështuar në Izrael.

Megjithatë, siç është konfirmuar joformalisht për Klix.ba nga dy burime të pavarura, separatisti, për të cilin është shpallur një fletarrest ndërkombëtar, ndodhet aktualisht në Moskë.

Cтигао сам.

— Милорад Додик (@MiloradDodik) March 29, 2025

Përkundër faktit që ende nuk ka një konfirmim zyrtar, thuhet se Dodik do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Më parë, ai anuloi papritur vizitën në Rusi që duhej të realizohej më 19 mars.

Dy ditë më parë, ai fluturoi nga Izraeli drejt Serbisë, pas së cilës nuk ka pasur informacione të reja për vendndodhjen e tij.

Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës kërkoi para tre ditësh lëshimin e një fletarresti ndërkombëtar për Milorad Dodikun, dhe pritet ende vendimi i Interpolit.

Ndryshe, Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës po zhvillon një hetim kundër presidentit Dodik për dyshimin se ka kryer veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues.

Përveç Dodik, për sulmin ndaj rendit kushtetues të Bosnjës dhe Hercegovinës janë të dyshuar edhe Radovan Viskoviq dhe Nenad Stevandiq. /Telegrafi/

The post Dodik raportohet se ka ikur në Rusi appeared first on Telegrafi.

Dodik tregon se kur do të kthehet në Bosnje

27 March 2025 at 14:50

Presidenti i entitetit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, njoftoi sot në Izrael se javën e ardhshme planifikon të kthehet në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Unë do të vazhdoj me aktivitetet e mia. Kam disa aktivitete më të rëndësishme që më presin në ditët në vijim për Republikën Serbe dhe do të kthehem javën e ardhshme paqësisht në RS”, tha ai.

Dodik ndodhet në Jerusalem ku po merr pjesë në një konferencë kushtuar luftës kundër antisemitizmit, organizuar nga Ministria e Diasporës izraelite.

Separatisti serb udhëtoi për në Izrael të martën nga Beogradi dhe rrethanat në të cilat ai kaloi kufirin pavarësisht nga një urdhër i brendshëm i lëshuar për të janë ende objekt i një hetimi nga Policia Kufitare e BeH, shkruan klix.ba.

Prokuroria e BeH-së kërkoi që të lëshohej një urdhër-arresti ndërkombëtar për të dhe Gjykata e BeH-së e pranoi këtë të mërkurën, dhe urdhri i tyre për ta bërë këtë u dërgua në Sekretariatin e Përgjithshëm të Interpolit në Lyon, ku tani po kontrollohet nëse janë plotësuar të gjitha parakushtet që urdhër-arresti të bëhet ligjërisht i detyrueshëm dhe, si i tillë, t’i përcillet atij ekstra-arrestimi tek i cili më pas do të jetë anëtari i BeH-së.

Dodik e quajti “shpërdorim të drejtësisë” lëshimin e një urdhër-arresti për të “asgjë e pazakontë, abuzimi i gjyqësorit vazhdon, myslimanët nga Sarajeva po përpiqen të bëjnë gjithçka, si dhe Prokuroria antikushtetuese dhe Gjykata e BiH-së për ta instrumentalizuar atë”.

Ai shtoi se “u shkon për shtat” sepse problemi do të ndërkombëtarizohet.

“Unë i respektoj vendimet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Serbe, ku thuhet gjithçka se si duhet të veproj dhe si president do të veproj në përputhje me rrethanat. Për mua, e vetmja gjë që ka rëndësi është Republika Serbe në lidhje me BeH, e cila është një vend i dështuar dhe i dështuar. Unë dua të tërheq vëmendjen e të gjithë serbëve në Republika Serbe për atë që ata nuk duan të bëjnë myslimanet në të ardhmen Prokuroria dhe Gjykata të merren me çdo politikan apo biznesmen serb”, tha Dodik.

Kërkesa për arrestimin e zyrtarëve më të lartë të RS-së vjen në periudhën e turbullt që pasoi, pasi Dodik u dënua në shkallë të parë nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës më 26 shkurt me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për të kryer funksione publike, për mosbindje ndaj vendimeve të përfaqësuesit të lartë.

Ndryshe, kërkesa për arrestimin e zyrtarëve më të lartë të RS-së vjen në periudhën e turbullt që pasoi, pasi Dodik u dënua në shkallë të parë nga Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës më 26 shkurt me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për të kryer funksione publike, për mosbindje ndaj vendimeve të përfaqësuesit të lartë.

Një ditë pas vendimit, Asambleja Kombëtare e RS miratoi ligje antikushtetuese që u përpoqën të ndalonin punën e Gjykatës dhe Prokurorisë së BiH, Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA) dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial në territorin e atij entiteti. /Telegrafi/

The post Dodik tregon se kur do të kthehet në Bosnje appeared first on Telegrafi.

❌
❌