Juventusi vendos 11 lojtarë në shitje – të gjithë emrat, një mini revolucion te “Zonja e Vjetër”
Juventusi po hyn në një verë të mbushur me lëvizje, ku nuk përjashtohet një mini-revolucion brenda skuadrës.
Plot 11 lojtarë nga ekipi aktual janë vendosur në listën e transferimeve, ndërsa drejtuesit e klubit po shqyrtojnë të gjitha ofertat që mund të sjellin përfitime financiare apo riorganizim teknik.
Pa përfshirë emrat që do të rikthehen nga huazimet – si rasti i Tiago Djalos që pritet të huazohet sërish – formacioni i lojtarëve që mund të largohen përbëhet nga: Mattia Perin; Lloyd Kelly, Daniele Rugani, Jonas Rouhi; Filip Kostic, Timothy Weah, Douglas Luiz, Samuel Mbangula; Nico Gonzalez, Dusan Vlahovic, Arek Milik.
Kontrata dhe prapaskena – kush mund të largohet më parë?
Në këtë listë, situatat janë të ndryshme. Vlahovic, Kostic dhe Rugani janë nën kontratë deri më 2026, çka e bën më të ndërlikuar shitjen e tyre, përveç nëse ofrohet një çmim i majmë. Perin dhe Milik e kanë kontratën deri më 2027, ndërsa Weah, Mbangula dhe Rouhi janë të lidhur me klubin deri në 2028.
Treshja Douglas Luiz, Nico Gonzalez dhe Lloyd Kelly e kanë të nënshkruar marrëveshjen deri në vitin 2029.
Sidoqoftë, drejtori i përgjithshëm Damien Comolli është i hapur për bisedime për çdo lojtar, me kusht që oferta të jetë e favorshme dhe vetë lojtari të dëshirojë largimin.
Nga largimet te mundësitë
Synimi i Juventusit është që t’i hapë rrugën një projekti të ri, por pa përsëritur gabimet e së kaluarës. Një vit më parë, klubi ndërtoi një ekip të ri me nëntë afrime të reja dhe çdo lëvizje e gabuar mund të ndikojë në ekuilibrat brenda dhomës së zhveshjes. Ndërkohë, klube si Nottingham Forest janë afër me Timothy Weah dhe Samuel Mbangula, që mund të jenë ndër të parët që lënë Torinon.
Gjithashtu, Juventusi vazhdon bisedimet me PSG për Randal Kolo Muanin dhe me Porton për Francisco Conceicaon, me synimin për të zgjatur qëndrimin e tyre në klub.
A është ky rruga e duhur për të ndërtuar një Juventus të ri fitues? Mbetet për t’u parë, ndërsa Comolli dhe trajneri Igor Tudor mbajnë përgjegjësinë për vendimet që do të formësojnë sezonin 2025/26. /Telegrafi/
The post Juventusi vendos 11 lojtarë në shitje – të gjithë emrat, një mini revolucion te “Zonja e Vjetër” appeared first on Telegrafi.