Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Izraeli urdhëron evakuimin e palestinezëve nga veriu i Gazës/ Trump shton thirrjet për armëpushim

By: Rovena
29 June 2025 at 21:51

Izraeli ka urdhëruar evakuimin e palestinezëve nga disa pjesë të veriut të Gazës përpara një intensifikimi të pritshëm të ofensivës ushtarake, ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar thirrjet për një marrëveshje armëpushimi dhe kthimin e pengjeve.

Banorët e qytetit të Gazës dhe të Jabalisë janë udhëzuar të zhvendosen drejt jugut, në zonën bregdetare të al-Mawasit, teksa ushtria izraelite deklaron se operacionet po “zgjerohen drejt perëndimit”.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi, të paktën 86 persona u vranë nga sulmet izraelite në 24 orët e fundit deri të dielën në mesditë. Tre fëmijë u vranë në një goditje ajrore në al-Mawasi, një zonë e konsideruar më parë si e “sigurt”, ku ishin strehuar me familjet e tyre.

Në një reagim të fundit, Trump theksoi se është momenti për të “arritur marrëveshjen në Gaza” dhe për të kthyer pengjet. Ai deklaroi gjithashtu se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është duke negociuar aktualisht me Hamasin.

Ndërkohë, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Avichay Adraee, deklaroi se trupat izraelite janë aktive në veri të Gazës me qëllim “eliminimin e terroristëve dhe infrastrukturës së tyre”.

Banorët dhe ekipet mjekësore konfirmuan për Reuters se bombardimet izraelite janë shtuar ndjeshëm në orët e para të së dielës, duke shkatërruar disa banesa. Në al-Mawasi, pesë persona – përfshirë tre fëmijë nga familja Maarouf – u vranë nga një sulm ajror që goditi një tendë ku strehoheshin të zhvendosurit.

“Na bombarduan teksa flinim në tokë,” tha nëna e tyre, Iman Abu Maarouf. “Fëmijët e mi u vranë, pjesa tjetër është në terapi intensive.” Babai i tyre deklaroi se kishin mbërritur në atë zonë të sigurt një muaj më parë, pas një urdhri nga ushtria izraelite.

IDF nuk dha përgjigje specifike për incidentin, por tha për BBC se “respekton ligjin ndërkombëtar dhe merr masa për të shmangur dëmet ndaj civilëve”.

Po të dielën, një ushtar izraelit 20-vjeçar, rreshteri Yisrael Natan Rosenfeld, u vra gjatë operacioneve në veri të Gazës.

Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për një marrëveshje armëpushimi janë shtuar. Një zyrtar i Hamasit tha për BBC se ndërmjetësit – përfshirë Katarin – po rrisin përpjekjet për një marrëveshje të re, por bisedimet me Izraelin mbeten të bllokuara.

Netanyahu deklaroi të dielën para agjencisë izraelite të sigurisë Shin Bet se “fitorja ndaj Iranit” krijon mundësi të reja, duke e lidhur këtë me qëllimin për të shpëtuar pengjet dhe për të “mposhtur Hamasin”.

Trump, nga ana tjetër, ka shprehur optimizëm se një marrëveshje armëpushimi në Gaza mund të arrihet brenda javës së ardhshme. Ai ka kërkuar gjithashtu që proceset gjyqësore ndaj Netanyahut – i akuzuar për korrupsion që nga viti 2019 – të ndërpriten, duke i cilësuar si “gjueti politike shtrigash”. Kjo ndërhyrje është kritikuar nga liderë izraelitë të opozitës, të cilët i kujtojnë Trumpit se proceset gjyqësore në Izrael janë të pavarura.

Një armëpushim i mëparshëm, i nisur më 19 janar, u rrëzua në mars pasi Izraeli rifilloi bombardimet, duke kërkuar lirimin e pengjeve. Në të njëjtën kohë, vendi vendosi një bllokadë të plotë të ndihmave humanitare për Gazën, të cilën e zbuti pjesërisht pas 11 javësh presioni nga aleatët perëndimorë dhe paralajmërimeve për rrezik urie masive.

Për të menaxhuar shpërndarjen e ndihmave, u krijua një mekanizëm i ri, Gaza Humanitarian Foundation (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli. Por agjencitë e OKB-së e kanë kritikuar këtë sistem, duke e quajtur “një fushë vrasjeje”, për shkak të incidenteve të shumta ku civilë janë vrarë teksa përpiqeshin të merrnin ndihma.

Konflikti aktual nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Që atëherë, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, mbi 56,500 persona janë vrarë nga ofensiva izraelite./abcnews.al

Këshilli i Gardës i Iranit miraton pezullimin e bashkëpunimit me agjencinë bërthamore të OKB-së

By: Rovena
26 June 2025 at 16:01

Mbikëqyrësi kushtetues i Iranit, Këshilli i Gardës, e ka miratuar të enjten vendimin e Parlamentit për ta pezulluar bashkëpunimin e Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), pasi objektet bërthamore të vendit u bombarduan gjatë fundjavës në konfliktin 12-ditor me Izraelin.

Për këtë ligj, i cili u miratua një ditë më parë nga ligjvënësit me 221 vota pro dhe asnjë kundër, do të vendosë përfundimisht Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare (SNSC).

SNSC teknikisht drejtohet nga presidenti, por ashtu si të gjitha institucionet kyçe të shtetit, i përgjigjet udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei.

“Plani për ta detyruar Qeverinë ta pezullojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore nuk ishte në kundërshtim me ligjin islamik dhe Kushtetutën pas shqyrtimit nga anëtarët e Këshillit të Gardës”, tha zëdhënësi i këshillit, Hadi Tahan Nazif, në një postim në X.

Izraeli kreu sulme të papara ndaj objekteve kyçe bërthamore dhe ushtarake të Iranit, si dhe zonave të banuara, më 13 qershor, në një luftë që mori jetën e shumë civilëve nga të dyja palët para se të përfundonte me një armëpushim të brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara më 24 qershor.

Më 21 qershor, SHBA-ja i goditi tri objekte bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan.

Projektligji parashikon që pezullimi i bashkëpunimit të hiqet vetëm nëse garantohet që objektet dhe shkencëtarët bërthamorë iranianë janë të mbrojtur dhe që e drejta e Iranit për të pasuruar uranium brenda vendit është e garantuar.

Ndër shënjestrat e Izraelit gjatë sulmeve ndaj Iranit ishin edhe shkencëtarë të përfshirë në programin bërthamor iranian.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor dhe se nuk ka për qëllim ta përdorë atë për të zhvilluar armë bërthamore.

Pezullimi i bashkëpunimit me IAEA do të thotë se Irani do t’i ndalojë inspektimet, raportimet dhe veprimtarinë mbikëqyrëse sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

Para votimit, kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, e kritikoi IAEA-n, duke thënë se ajo dështoi “qoftë edhe të shtirej sikur e dënonte sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit” dhe e akuzoi për “shitjen e besueshmërisë së vet ndërkombëtare”.

Teherani ka akuzuar prej kohësh IAEA-n për anshmëri dhe bashkëpunim me fuqitë perëndimore dhe Izraelin kundër Iranit.

Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, ka shprehur prej vitesh shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit nga Irani në hetimet për objekte të vjetra, por të padeklaruara, bërthamore.

“Organizata për Energjinë Atomike e Iranit do të pezullojë bashkëpunimin me agjencinë deri sa të garantohet siguria e objekteve bërthamore, dhe programi bërthamor paqësor i Iranit do të ecë përpara me një ritëm më të shpejtë”, tha Qalibaf në komentet që u pasuan nga thirrjet e ligjvënësve “vdekje Amerikës dhe Izraelit”./REL

Trump kërkon që gjyqi ndaj Netanyahut të anulohet

By: Rovena
26 June 2025 at 13:14

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërkuar që Izraeli ta falë kryeministrin Benjamin Netanyahu, ose ta anulojë gjyqin ndaj tij për korrupsion, duke thënë se SHBA-ja do ta shpëtojë atë ashtu siç e shpëtoi vendin e tij.

Ndaj Netanyahut u ngrit aktakuzë për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në vitin 2019. AI i mohon të gjitha akuzat.

Gjyqi ndaj tij filloi në vitin 2020 dhe përfshin tri çështje penale. Netanyahu është deklaruar i pafajshëm.

“Gjyqi i Bibi Netanyahut duhet të ANULOHET, MENJËHERË, ose të falet Heroi i Madh, i cili ka bërë kaq shumë për shtetin [e Izraelit]”, shkroi Trump në platformën Truth Social të mërkurën, duke shtuar se mori vesh që Netanyahu pritet të paraqitet në gjykatë të hënën.

Lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid, tha se Trump nuk duhet të ndërhyjë në këtë çështje.

“Me gjithë respektin dhe mirënjohjen për presidentin e Shteteve të Bashkuara, ai nuk duhet të ndërhyjë në një proces ligjor të një shteti të pavarur”, tha Lapid.

“Shpresoj dhe besoj se ky është një shpërblim që ai [Trump] po i jep atij [Netanyahut], sepse synon të ushtrojë trysni ndaj tij për Gazën dhe për ta detyruar ta pranojë një marrëveshje për pengjet që do ta përfundojë luftën”, i tha Lapid faqes izraelite të lajmeve Ynet.

Trump e lavdëroi Netanyahun si një “luftëtar”, por shtoi në postimin e tij: “Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që e shpëtuan Izraelin, dhe tani do të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ato që do ta shpëtojnë Bibi Netanyahun”.

Duket se ai po i referohej përfshirjes dhe mbështetjes së SHBA-së për sulmet izraelite ndaj programit bërthamor të Iranit.

Nuk është e qartë nëse Trump nënkuptoi se SHBA-ja mund të bëjë diçka konkrete për ta ndihmuar Netanyahun në betejën e tij ligjore.

Presidenti republikan e përshkroi çështjen kundër udhëheqësit izraelit si “gjueti shtrigash” – një term që Trump e ka përdorur shpesh për t’i përshkruar përpjekjet për ta ndjekur atë penalisht në SHBA, dhe të cilin edhe Netanyahu e ka përdorur për ta përshkruar gjyqin ndaj tij.

Fjalët e ngrohta të Trumpit vijnë pas një qortimi të rrallë që ai ia bëri të martën Izraelit për sulmet ajrore ndaj Iranit pas armëpushimit./REL

“Irani nuk ka asnjë shans për pasurim të uraniumit”, Trump nga samiti i NATO-s: Sulmi i SHBA i dha fund luftës

By: Rovena
25 June 2025 at 16:11

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dha një konferencë për shtyp në Hagë, atje ku zhvillohet samiti i NATO-s. Gjatë fjalës së tij Donald Trump konfirmoi edhe një herë që centrali bërthamor, i pasurimit të uraniumit të Irani u shkatërrua nga bombardimet e SHBA.

Ai hodhi poshtë tezat dhe lajmet, që sipas tij janë të rreme, se Irani ka uranium dhe se centralet bërthamore nuk ishin shkatërruar. Teksa kritikoi mediat e huaja për lajme “fake”, Trump shtoi me ironi se “sulmi i keq” i SHBA-ve solli përfundimin e luftës mes Izraelit dhe Iranit.

“Lufta mes Izraelit dhe Iranit ka mbaruar. Gjatë kësaj aleance jemi të varur edhe në bazë të marrëveshje për mineralet e çmuara të Ukrainës. Ka ardhur një letër, sipas kësaj letre sulmet e SHBA ndaj Fordow, e ka shkatërruar plotësisht, kjo do të thotë që Irani nuk ka asnjë shans për pasurimin e uraniumit. Ky sulm përfundoi një luftë tjetër dhe kjo ishte plotësisht shkatërruese. Çfarë më shqetësoi më shumë, janë lajmet e rreme nga New York Time, kurse të gjithë njerëzit e kënaqshëm kanë besueshmëri. Kur më thanë për kalibrin e sulmit thashë po ishte një “sulm i keq”, por që i dha fund luftës”, tha Trump./abcnews.al

Trump për armëpushimin Izrael-Iran: Jam shumë krenar për këtë zhvillim pozitiv

By: Rovena
25 June 2025 at 11:31

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur “shumë krenar” për arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, duke e cilësuar këtë si një zhvillim “shumë të mirë” për rajonin. Komentet e tij u bënë gjatë një konference për shtyp në samitin e NATO-s të mbajtur në Hagë.

Në fjalën e tij, Trump vlerësoi vetëpërmbajtjen e të dy palëve dhe ndaloi gjithashtu te ndërhyrjet ajrore të SHBA-së kundër infrastrukturës bërthamore të Iranit. Ai u përball me pyetje të shumta lidhur me raportet e inteligjencës amerikane, të cilat sugjeronin se objektivat iraniane nuk ishin goditur plotësisht. Trump reagoi me vendosmëri, duke thënë:

“Besoj se kemi pasur një shkatërrim thuajse total. Ata nuk patën kohë të shpëtonin asgjë, sepse ne vepruam shumë shpejt. Është tepër e vështirë dhe e rrezikshme të zhvendosësh atë lloj materiali.”

I pyetur nëse SHBA është e shqetësuar për deklaratat e Iranit lidhur me vijimin e pasurimit të uraniumit, Presidenti amerikan ishte i prerë:

“Gjëja e fundit që duan të bëjnë tani është të pasurojnë diçka. Ata kanë nevojë të rimëkëmben. Ne nuk do t’i lejojmë ta bëjnë këtë.”

Këto deklarata vijnë në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme, pas një vale përshkallëzimesh ushtarake dhe sulmesh të drejtpërdrejta të SHBA-së ndaj objekteve strategjike të Iranit./abcnews.al

“Trump po i vë ‘fre’ Izraelit, Irani në disavantazh”, Krisafi për armëpushimin: Është herët të thuash që lufta ka mbaruar

By: Rovena
24 June 2025 at 13:37

Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Ledion Krisafi, në një intervistë për emisionin “News Line” në ABC News, ka komentuar zhvillimet më të fundit në konfliktin Izrael-Iran, duke analizuar situatën pas shpalljes së armëpushimit. Sipas tij, ndonëse zyrtarisht palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e luftimeve, ka sinjale për shkelje të marrëveshjes, përfshirë një raketë balistike të mundshme nga ana e Iranit, ende e pakonfirmuar.

Krisafi thekson se ndërhyrja e SHBA-ve, dhe veçanërisht reagimi i Donald Trump, synon të ushtrojë presion mbi Izraelin për të shmangur një përshkallëzim të ri. Ai nënvizon se Izraeli ka përmbushur objektivat strategjike dhe mban tani përgjegjësinë kryesore për ruajtjen e armëpushimit, ndërsa Irani ndodhet në një pozitë të dobësuar ushtarakisht. Në këtë kontekst, Krisafi nuk përjashton mundësinë që Irani të ripërcaktojë rolin e tij në rajon, duke u shndërruar në një aktor të ngjashëm me Hezbollah, por në përmasa shtetërore.

“Duket se ka pasur një thyerje të armëpushimit nga ana e Iranit, ka pasur një raketë balistike në orët e para të mëngjesit, por deri më tani nuk ka asgjë të konfirmuar. Trump me reagimin e tij i bën edhe thirrje Izraelit për të mos sulmuar. Sulmi i SHBA-ve nuk ishte për ndryshimin e regjimit. Izraeli i ka plotësuar objektivat, nuk ka më kuptim që të vazhdohet lufta. Në raste të tilla ndodh që armëpushimet nuk mbyllen 100%, janë raste që ndodhin, palët ngacmojnë njëra-tjetrën.

Izraeli është ai që ka kontroll në hapësirën ajrore të Iranit, kështu që Izraeli ka një përgjegjësi më të madhe për armëpushimet. Tani është momenti që palët të ulen në tavolinë, dhe palët janë SHBA dhe Iran, dhe jo Izrael. Trump po i vë fre Izraelit, që të mos sulmojë. Izraeli dhe SHBA kanë një nivel tjetër komunikimi, fakti që del në Trouth Social, do të thotë që i ngarkon Izraelit më shumë përgjegjësi. Nëse arrihet një marrëveshje do të ketë një kufizim për Iranin, për raketat balistike.

Negociatat nuk do të jenë shumë të lehta, sepse kushtet për Iranin janë shumë të mëdha. Në 12 ditë luftë Irani është dërrmuar. Por, nuk e përjashtoj mundësinë që Irani të kthehet në një ‘Hezbollah’ gjigant. Në këtë pjesë Irani është ai që është në disavantazh sepse i është shkatërruar një arsenal, i madh ushtarak.  Është e vështirë që të thuash se lufta ka mbaruar, sepse koha ka treguar se në konfliktet në Lindjen e Mesme, nuk mbyllen lehtë”, tha Ledion Krisafi./abcnews.al

Trump: Izraeli dhe Irani kanë shkelur armëpushimin

By: Rovena
24 June 2025 at 12:54

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se të dyja palët si Izraeli ashtu edhe Irani, kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit në Lindjen e Mesme.

Duke folur për gazetarët para nisjes për në samitin e NATO-s në Hagë, Trump u shpreh se nuk është i kënaqur me asnjërën palë, por theksoi: “Jam veçanërisht i pakënaqur me Izraelin.”

Ai shtoi gjithashtu se kapacitetet bërthamore të Iranit “janë eliminuar plotësisht” dhe u shpreh i bindur se Teherani nuk do të mund ta rindërtojë më programin e tij bërthamor./abcnews.al

“Mund të hapet Kutia e Pandorës!”/ Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme, Baton Haxhiu: Përfitojnë Kina dhe Rusia

23 June 2025 at 21:35

Analisti Baton Haxhiu, i ftuar në një emision televiziv, ka folur për luftën Izrael-Iran dhe goditjen e bazave bërthamore iraniane nga SHBA-të.

Haxhiu tha se kundërpërgjigja e Iranit ditën e sotme, me hedhjen e raketave drejt bazave amerikane në Katar dhe Irak, ishte thjesht një “bombardim në zbrazëti”.

“Është një bombardim në zbrazëti, të gjithë elementet jo esenciale, para fillimit të bombardimit janë të larguara nga vendet ku mund të sulmohet nga Irani.

Bombardimet e SHBA, kur Shtëpia e Bardhë vendosi të sulmohet Irani, kanë kaluar 5-6 ditë derisa u mor. Elementet jo esenciale janë larguar nga vendet e ngjarjes, duke përfshirë edhe njerëzit rreth Iranit.

Kjo ka dy elemente, nëse ky bombardim ka ndodhur pa viktima dhe dëme, Irani për probleme te brendshme, thotë e kthyem bombardimin dhe tani kërkojmë bisedime ose paqe. Varianti i dytë është, nëse Irani ose një prej liderëve ekstremistë thotë do të vazhdojmë luftën, aty do të ketë pasoja serioze.

Izraeli e ka nisur luftën dhe Irani nuk ka fuqi të bëjë të tilla. Por përmes milicive dhe grupeve terroriste do të krijojë problem. SHBA për këtë arsye janë në pozitë të vështirë. Irani mund të kërkojë paqe, por elementet radikale nuk e lënë”, tha Haxhiu.

Lidhur me konfliktin, Haxhiu deklaroi se përshkallëzimi sjell përfitime për Rusinë dhe Kinën, për luftën në Ukrainë apo konfliktin e ngrirë në Taivan.

“Përfitueset më të mëdhenj janë Kina dhe Rusia. Rusia për Ukrainën dhe Kina për Taivanin që mund ta sulmojë apo okupojë dhe pastaj këtu kutia e pandorës hapet për të gjithë konfliktet e ngrira që kanë qenë deri tani.

Nëse SHBA hyn frontalisht, jo me trupa, por frontalisht dhe politikisht për të ndërruar regjimin, mendoj se tre fronte vështirë të mbahen. Një negociatë e ardhshme, kur ka pafuqi, Kina ka hapësirë për destabilizim. Mund të kemi një treshe që do të diskutojë të ardhmen, SHBA, Rusia dhe Kina. BE u poshtërua”, tha ndër të tjera Haxhiu.

The post “Mund të hapet Kutia e Pandorës!”/ Përshkallëzimi në Lindjen e Mesme, Baton Haxhiu: Përfitojnë Kina dhe Rusia appeared first on Sot News | Lajme.

“Keni kujdes”, njoftimi i Ministrisë së Jashtme për shqiptarët në Gjirin Persik

By: Besnik
23 June 2025 at 20:34

Menjëherë pas sulmeve ajrore të Iranit ndaj bazave në Katar dhe Irak, Ministria e Punëve të Jashtme ka dalë me një njoftim urgjent për shqiptarët që ndodhen në vendet e Gjirit Persik.

Në njoftim, ata këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin me vëmendje njoftimet dhe udhëzimet e autoriteteve vendase, si dhe për çdo nevojë apo informacion të kontaktojnë me numrat e kontaktit të ambasadave shqiptare në rajon.

Njoftimi i plotë i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme këshillon qytetarët shqiptarë që ndodhen aktualisht në vendet e Gjirit Persik, të ndjekin njoftimet e autoriteteve vendase, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të qëndrojnë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore”.

Për çdo informacion, emergjencë ose ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë në:

AMBASADA SHQIPTARE NË KATAR

Email: [email protected]

Tel: +974 77180778

AMBASADA SHQIPTARE NË KUVAJT

E-mail: [email protected]

Tel: +965 2524 0627

AMBASADA SHQIPTARE NË ARABI SAUDITE

Email: [email protected]

Tel: +966501422449

AMBASADA SHQIPTARE NË EMIRATET E BASHKUARA ARABE

Email: [email protected]

Tel: +971 50 980 7881

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Keni kujdes”, njoftimi i Ministrisë së Jashtme për shqiptarët në Gjirin Persik appeared first on Euronews Albania.

Tensionet në Lindjen e Mesme, ambasada në Abu Dhabi numra emergjence në dispozicion të qytetarëve shqiptarë

By: M C
23 June 2025 at 20:38

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Abu Dhabi ka vënë në dispozicion të qytetarëve shqiptarë që banojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe numrat e telefonit dhe adresën e e-mailit ku mund të kontaktojnë në rast emergjence.

Ambasada Republikës së Shqipërisë në Abu Dhabi bën të ditur se po ndjek evolimin e situatës në koordinim të vazhdueshëm me Njësinë e Krizave në Abu Dhabi.

“Në rast emergjence, bashkatdhetarët që banojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe mund të kontaktojnë Ambasadën e RSH në:

Celulari i emergjencës +971509807881

E-maili i ambasadës: Embassy.uae@mfa.gov.al

Telefoni: +971-2-6582505”, bën të ditur ambasada në një postim në rrjetet sociale.

The post Tensionet në Lindjen e Mesme, ambasada në Abu Dhabi numra emergjence në dispozicion të qytetarëve shqiptarë appeared first on Albeu.com.

Sulmet në Lindjen e Mesme/ Katari reagon pas sulmeve të Iranit: Raketat balistike drejt bazës amerikane, s’ka viktima

23 June 2025 at 19:30

Katari ka reaguar menjëherë pas sulmeve iraniane ndaj 6 bazave ushtarake amerikane në Katar.

Aktivizimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore izraelite, pas sulmeve iraniane ndaj Tel Avivit më 21 qershor 2025

Sipas Sky News, Katari njofton se nga sulmet iraniane nuk janë regjistruar viktima.

Katari tha se rezervon të drejtën për t’u përgjigjur drejtpërdrejt dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Gjithashtu në deklaratën e Katarit thuhet se nuk ka viktima në bazën ushtarake amerikane al Udeid në Doha, pas sulmit të Iranit ndaj kësaj strukture.

Katari tha se mbrojtja e tij ajrore ka interceptuar një sulm me raketa.

“Jemi të sigurt se mbrojtja ajrore e Katarit pengoi sulmin dhe interceptoi me sukses raketat iraniane”, thuhet në deklaratën e Katarit.

Ministria e Mbrojtjes shtoi: “Falë Zotit, vigjilencës së forcave të armatosura dhe masave paraprake të marra, incidenti nuk rezultoi në vdekje ose lëndime.”

Hapësira ajrore dhe territori i vendit janë “të sigurta”, tha gjithashtu ministria

Reuters raportoi më herët se Irani lëshoi raketa në drejtim të bazave ushtarake amerikane në Katar dhe Irak.

Mediat e huaja citojnë një zyrtar izraelit, i cili raporton se Irani ka synuar bazat amerikane në Katar.

Sipas Sky News, Irani lëshoi ​​raketa balistike në bazën ajrore amerikane Al Udeid në Katar të hënën pasdite.

Më herët Katari njoftoi mbylljen e hapësirës tij ajrore të hënën pasdite (23/6), teksa tensionet në Lindjen e Mesme mbeten të larta.

Mbyllja e hapësirës ajrore në Katar do të thotë që hapësira ajrore mbi bazën amerikane në Al Udeid është e mbyllur.

Baza Al Udeid në Katar pret më shumë se 10,000 trupa amerikanë dhe është qendra më e madhe ushtarake amerikane në rajon.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Katarit, vendimi u mor për të garantuar sigurinë e banorëve dhe vizitorëve, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe thuhet se do të ndërmarrin një hap të ngjashëm.

Kujtojmë se në fundjavë SHBA sulmuan me raketa 3 objekte bërthamore në Iran, me Teheranin i cili u zotua për hakmarrje pas përfshirjes së SHBA-ve në konfliktin e Iranit me Izraelin për armët bërthamore.

The post Sulmet në Lindjen e Mesme/ Katari reagon pas sulmeve të Iranit: Raketat balistike drejt bazës amerikane, s’ka viktima appeared first on Sot News | Lajme.

Ngushtica e Hormuzit/ Çfarë ndodh nëse Irani mbyll korridorin e naftës?

By: Rovena
23 June 2025 at 13:57

Në sfondin e tensioneve të shtuara mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, janë intensifikuar spekulimet se Teherani mund të hakmerret për sulmet e fundit amerikane ndaj objekteve të tij bërthamore, duke ndërmarrë një veprim me pasoja të mëdha globale: mbylljen e Ngushticës së Hormuzit – një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Të dielën, mediat iraniane raportuan se Parlamenti i vendit ka dhënë miratimin paraprak për mbylljen e kësaj nyje strategjike detare, megjithëse një vendim përfundimtar nga autoritetet më të larta nuk është marrë ende.

Ngushtica e Hormuzit, e vendosur në hyrje të Gjirit Persik, është një arterie jetike për tregtinë globale të energjisë: rreth 20% e furnizimit botëror me naftë dhe gaz kalon çdo ditë përmes saj. Bllokimi i saj do të shkaktonte një goditje të rëndë ndaj ekonomisë ndërkombëtare, duke nxitur rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës dhe duke trazuar zinxhirët e furnizimit në mbarë botën.

Ky veprim, nëse realizohet, do të kishte ndikim veçanërisht të madh mbi ekonomitë e vendeve si Kina, India dhe Japonia, të cilat varen fort nga importet e naftës bruto që kalon përmes kësaj ngushtice strategjike. Ndikimi do të ndjehej gjithashtu në rritjen e kostos së mallrave dhe shërbimeve në nivel global, duke ushtruar presion të ri mbi inflacionin dhe tregjet ndërkombëtare.

Çfarë është Ngushtica e Hormuzit – dhe ku ndodhet?

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit në botë dhe pika më e rëndësishme e tranzitit të naftës.

I kufizuar në veri nga Irani dhe në jug nga Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), korridori – i cili është vetëm rreth 50 km i gjerë në hyrje dhe dalje, dhe rreth 33 km i gjerë në pikën e tij më të ngushtë – lidh Gjirin Persik me Detin Arabik.

Ngushtica është mjaftueshëm e thellë për cisternat më të mëdha të naftës bruto në botë dhe përdoret nga prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme dhe klientët e tyre.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, rreth 20 milionë fuçi naftë kkanë kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit në ditë, sipas vlerësimeve nga Administrata Amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA).

Kjo është e barabartë me gati 600 miliardë dollarë në vit.

Kjo naftë nuk vjen vetëm nga Irani, por edhe nga shtete të tjera të Gjirit si Iraku, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Cili do të ishte ndikimi i mbylljes së ngushticës?

Ish-kreu i agjencisë së inteligjencës së Mbretërisë së Bashkuar MI6, Sir Alex Younger, i ka thënë BBC-së se skenari i tij më i keq në konfliktin e vazhdueshëm Iran-Izrael përfshinte një bllokadë në Ngushticën e Hormuzit.

“Mbyllja e ngushticës do të ishte padyshim një problem i jashtëzakonshëm ekonomik duke pasur parasysh efektin që do të kishte në çmimin e naftës”, ka thënë ai.

Do të ishte “terren i paeksploruar”, sipas Bader Al-Saif, një profesor asistent në Universitetin e Kuvajtit i specializuar në gjeopolitikën e Gadishullit Arabik.

“Do të kishte pasoja të drejtpërdrejta në tregjet botërore, sepse do të shihnit një rritje të çmimit të naftës, dhe do të shihni tregjet e aksioneve që reagojnë shumë nervozisht ndaj asaj që po ndodh”, ka thënë Al-Saif për BBC Neëshour.

Kjo do të dëmtonte vendet e Gjirit, ekonomitë e të cilave mbështeten shumë në eksportet e energjisë.

Arabia Saudite, për shembull, përdor ngushticën për të eksportuar rreth 6 milionë fuçi naftë bruto në ditë, më shumë se çdo vend fqinj, sipas një studimi nga firma analitike Vortexa.

Irani, në krahasim, eksporton rreth 1.7 milionë fuçi në ditë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Edhe Azia do të goditej rëndë. Në vitin 2022, rreth 82% e naftës bruto dhe kondensateve (hidrokarbure të lëngshme me dendësi të ulët që zakonisht ndodhin me gazin natyror) që dalin nga Ngushtica e Hormuzit ishin të destinuara për vendet aziatike, sipas vlerësimeve të EIA-s.

Vetëm Kina vlerësohet të blejë rreth 90% të naftës që Irani eksporton në tregun global.

Çdo ndërprerje në këtë drejtim mund të rrisë kostot e karburantit dhe të prodhimit në një kohë kur

Kina duhet të mbështetet në prodhim dhe eksporte. Ky nuk është vetëm një problem i brendshëm: rritja e kostove të prodhimit përfundimisht mund t’u kalojë konsumatorëve, duke nxitur inflacionin në të gjithë botën.

Ndikimi mund të jetë gjithashtu i madh për ekonomitë e tjera kryesore aziatike, të cilat janë ndër importueset më të mëdha, pas Kinës. Pothuajse gjysma e naftës bruto të Indisë dhe 60% e importeve të saj të gazit natyror kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Koreja e Jugut thuhet se merr 60% të naftës së saj bruto përmes ngushticës, dhe Japonia gati tre të katërtat.

Si mund ta mbyllë Irani ngushticën?

Rregullat e Kombeve të Bashkuara u lejojnë vendeve të ushtrojnë kontroll deri në 12 milje detare nga vija e tyre bregdetare.

Kjo do të thotë se në pikën e saj më të ngushtë, Ngushtica e Hormuzit dhe korridoret e saj të transportit detar shtrihen tërësisht brenda ujërave territoriale të Iranit dhe Omanit.

Nëse Irani do të përpiqej të bllokonte rreth 3,000 anije që lundrojnë nëpër ngushticë çdo muaj, një nga mënyrat më efektive për ta bërë këtë, sipas ekspertëve, do të ishte vendosja e minave duke përdorur anije sulmi të shpejta dhe nëndetëse.

Marina e rregullt e Iranit dhe marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) mund të nisin sulme ndaj anijeve luftarake dhe anijeve tregtare të huaja.

Megjithatë, anijet e mëdha ushtarake nga ana tjetër mund të bëhen objektiva të lehta për sulmet ajrore të SHBA-së.

Anijet e shpejta të Iranit shpesh janë të armatosura me raketa kundër anijeve, dhe vendi gjithashtu operon një gamë anijesh sipërfaqësore, anijesh gjysmë-nëndetëse dhe nëndetëse.

Ekspertët thonë se Irani mund ta bllokojë ngushticën përkohësisht, por shumë janë po aq të bindur se SHBA-ja dhe aleatët e saj mund të rivendosin shpejt rrjedhën e trafikut detar përmes mjeteve ushtarake.

SHBA-ja e ka bërë këtë edhe më parë.

Në fund të viteve 1980, gjatë luftës tetëvjeçare Iran-Irak, sulmet ndaj objekteve të naftës u përshkallëzuan në një “luftë me cisterna” duke i bërë të dy vendet të sulmonin anije neutrale për të ushtruar presion ekonomik.

Cisternat kuvajtiane që transportonin naftë irakiane ishin veçanërisht të prekshme dhe përfundimisht, anijet luftarake amerikane filluan t’i shoqëronin ato përmes Gjirit në atë që u bë operacioni më i madh i konvojeve detare që nga Lufta e Dytë Botërore.

A do ta bllokojë Irani ngushticën?

Ndërsa Irani ka kërcënuar vazhdimisht të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në konfliktet e kaluara, ai kurrë nuk e ka zbatuar atë.

Thirrja më e afërt ishte gjatë luftës së tankerëve në fund të viteve 1980, por edhe atëherë, transporti detar përmes Ngushticës së Hormuzit nuk u ndërpre kurrë seriozisht.

Nëse Irani e përmbush kërcënimin e tij, këtë herë mund të jetë ndryshe.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka pohuar se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani do të përbënte “vetëvrasje ekonomike” dhe i bëri thirrje Kinës, një aleate e Teheranit, të ndërhyjë.

“Unë e inkurajoj qeverinë kineze në Pekin t’i telefonojë ata për këtë, sepse ata varen shumë nga Ngushtica e Hormuzit për naftën e tyre”, ka thënë Rubio në një intervistë me Fox Neës të dielën.

“Ne kemi mundësi për t’u marrë me këtë, por edhe vendet e tjera duhet ta shqyrtojnë këtë. Do të dëmtonte ekonomitë e vendeve të tjera shumë më keq se tonat”, ka shtuar ai.

Edhe pse Kina ende nuk ka reaguar, Pekini ka shumë pak gjasa të mirëpresë ndonjë rritje të çmimeve të naftës ose ndërprerje të rrugëve të transportit detar.

Analistja e energjisë Vandana Hari ka thënë se Irani ka “pak për të fituar dhe shumë për të humbur” nga mbyllja e Ngushticës.

“Irani rrezikon t’i shndërrojë fqinjët e tij prodhues të naftës dhe gazit në Gjirin Persik në armiq dhe të shkaktojë zemërimin e tregut të tij kryesor, Kinës, duke ndërprerë trafikun në Ngushticë”, ka thënë Hari për BBC News.

A mund të kompensojnë rrugët alternative një bllokadë?

Kërcënimi i vazhdueshëm i mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, me kalimin e viteve, i ka nxitur vendet eksportuese të naftës në rajonin e Gjirit Persik të zhvillojnë rrugë alternative eksporti.

Sipas një raporti të EIA-s, Arabia Saudite ka aktivizuar tubacionin e saj Lindje-Perëndim, një linjë 1,200 km e gjatë, e aftë të transportojë deri në 5 milionë fuçi naftë bruto në ditë.

Në vitin 2019, Arabia Saudite e ripërdori përkohësisht një tubacion gazi natyror për të transportuar naftë bruto.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë lidhur fushat e tyre të naftës në brendësi të vendit me portin e Fujairah në Gjirin e Omanit nëpërmjet një tubacioni me një kapacitet ditor prej 1.5 milion fuçish.

Në korrik 2021, Irani përuroi tubacionin Goreh-Jask, i cili synon të transportojë naftë bruto në Gjirin e Omanit. Ky tubacion aktualisht mund të transportojë rreth 350,000 fuçi në ditë, megjithëse raportet sugjerojnë se Irani nuk e bën ende.

EIA vlerëson se këto rrugë alternative mund të trajtojnë së bashku rreth 3.5 milionë fuçi naftë në ditë – afërsisht 15% të naftës bruto që transportohet aktualisht përmes ngushticës.

Sulmet e Iranit lënë mijëra izraelitë pa energji elektrike

By: Rovena
23 June 2025 at 11:56

Rreth 8,000 banorë në Izrael kanë mbetur pa energji elektrike pas sulmeve me raketa nga Irani në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka bërë të ditur ministri i Energjisë, Eli Cohen.

Sipas ministrit, autoritetet kishin marrë masa parandaluese në rast të dëmtimit të rrjeteve të furnizimit dhe janë duke punuar për rikthimin e energjisë brenda tri orëve.

Ndërkohë, Korporata Elektrike e Izraelit (IEC) njoftoi se një objekt strategjik i infrastrukturës në jug të vendit ka pësuar dëme si pasojë e sulmeve, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa komunitete përreth.

“Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë për të riparuar dëmet dhe për të rikthyer furnizimin me energji sa më shpejt të jetë e mundur,” thuhet në deklaratën e IEC-së.

Kompania thekson gjithashtu se operacionet po zhvillohen në bashkëpunim me forcat e sigurisë, dhe përfshijnë jo vetëm riparime teknike, por edhe neutralizimin e çdo rreziku të mundshëm për sigurinë publike./abcnews.al

Situata në Lindjen e Mesme, ministrat e jashtëm të BE-së mblidhen në Bruksel

By: user 11
23 June 2025 at 11:06

Ministrat e Jashtëm e Bashkimit Europian do të diskutojnë këtë të hënë në Bruksel për situatën në Lindjen e Mesme. Ky takim mbahet pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Shqetësimi ndërkombëtar është rritur pasi SHBA goditur objektet bërthamore në Iran, në mbështetje të sulmeve të fundit të Izraelit.

Një nga çështjet kryesore që do të jetë në fokus të ministrave të Jashtëm të BE, do të jetë gjetja e një zgjidhjeje për konfliktin, për të ulur tensionet e krizës me diplomaci. Shefja e politikës së jashtme europiane, Kaja Kallas u bëri thirrje të gjitha palëve të dielën të bëjnë një hap prapa dhe të kthehen në tryezën e negociatave dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm.

The post Situata në Lindjen e Mesme, ministrat e jashtëm të BE-së mblidhen në Bruksel appeared first on Lapsi.al.

Lufta në Lindjen e Mesme/ Ministri Hasani: Evakuohen nga Izraeli 4 shqiptarë të tjerë

By: user7
23 June 2025 at 09:38

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka njoftuat sot se 4 qytetarë të tjerë shqiptarë janë evakuuar me sukses nga Izraeli. Ministri thotë se u evakuuan dy përmes Jordanisë dhe dy përmes Egjiptit, të cilët gjendeshin atje për arsye profesionale dhe familjare.

Ai ka falenderuar autoritetet Izraelite, Jordaneze, Egjiptiane dhe Ambasadën Austriake në Tel Aviv për koordinimin e ngushtë me ambasadat shqiptare në Tel Aviv dhe Kajro. Gjithashtu Hasani thotë se vijojnë të ndjekin me përparësi çdo rast të qytetarëve shqiptarë të prekur, të cilët kërkojnë asistencë nga institucionet.

“4 qytetarë të tjerë shqiptarë janë evakuuar me sukses nga Izraeli – dy përmes Jordanisë dhe dy përmes Egjiptit – të cilët gjendeshin atje për arsye profesionale dhe familjare. Falënderojme autoritetet Izraelite, Jordaneze, Egjiptiane dhe Ambasadën Austriake në Tel Aviv për koordinimin e ngushtë me ambasadat shqiptare në Tel Aviv dhe Kajro. Vijojmë të ndjekim me përparësi çdo rast të qytetarëve shqiptarë të prekur, të cilët kërkojnë asistencë nga institucionet tona”, njofton ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

The post Lufta në Lindjen e Mesme/ Ministri Hasani: Evakuohen nga Izraeli 4 shqiptarë të tjerë appeared first on Lapsi.al.

Ministri i Jashtëm i Iranit: Do të diskutojmë “kërcënimet e përbashkëta” me Putinin

23 June 2025 at 07:31

Ministri i Jashtëm i Iranit, i cili ndodhet në Moskë për bisedime në Kremlin, është shprehur  se do të ketë “diskutime serioze dhe të rëndësishme” me Presidentin rus Vladimir Putin, duke prekur “sfidat dhe kërcënimet e përbashkëta”.

Rusia ka dënuar sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, me ambasadorin rus në OKB që tha se Amerika kishte “hapur kutinë e Pandorës”.

Nëse Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, takohet me Putinin më vonë sot, ka të ngjarë që ai të marrë fjalë të forta mbështetjeje nga udhëheqësi i Kremlinit, por ndihma ushtarake nga Moska duket e pamundur.

Për të filluar, përparësia e Rusisë tani është lufta e saj me Ukrainën. Është e vërtetë që Rusia dhe Irani kanë një marrëveshje partneriteti strategjik, por ajo nuk është një pakt mbrojtjeje dhe nuk e detyron Moskën të ofrojë mbështetje ushtarake për Teheranin.

Javën e kaluar Putini deklaroi se Irani nuk kishte kërkuar ndihmë ushtarake nga Moska dhe nga komentet e tij ishte e qartë se ai nuk kishte nxitim për të ofruar ndonjë ndihmë. Kremlini ka qenë i etur të mbajë marrëdhënie të mira si me Iranin ashtu edhe me Izraelin  dhe të ndërtojë një marrëdhënie të mirë pune me Donald Trump.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ministri i Jashtëm i Iranit: Do të diskutojmë “kërcënimet e përbashkëta” me Putinin appeared first on Euronews Albania.

Përfaqësuesi i Iranit në OKB akuzon SHBA-në: Zhvilluan një luftë me pretekst absurd

By: Rovena
22 June 2025 at 23:39

Amir Said Iravani, përfaqësuesi i Iranit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka akuzuar të hënën Shtetet e Bashkuara se kanë “deklaruar luftë” ndaj Iranit nën një “pretekst të fabrikuar dhe absurd”.

Në një fjalim të gjatë para anëtarëve të Këshillit, Iravani tha se Irani rezervon të drejtën “të mbrojë veten” ndaj kësaj “agresioni të hapur amerikan”. Ai shtoi se mënyra, kohëzgjatja dhe shkalla e “përgjigjes së përshtatshme” do të vendosen nga forcat e armatosura iraniane.

Po ashtu, ai akuzoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara në “një tjetër luftë të shtrenjtë dhe pa bazë”. Sipas tij, veprimet e SHBA-së dhe Izraelit përbëjnë “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”.

Iravani vijoi duke theksuar se Izraeli ka përhapur “narrativën mashtruese dhe të rremë” se Irani ishte afër ndërtimit të një arme bërthamore.

Ai shtoi se “heshtja, standardet e dyfishta dhe përzierja e organizatave ndërkombëtare dhe disa vendeve perëndimore, përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, janë po aq të dëshpëruara”.

Përfaqësuesi iranian përfundoi adresimin e tij duke bërë thirrje që Këshilli i Sigurimit t’i bëjë “përgjegjës të plotë” Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për veprimet e tyre ndaj Iranit./abcnews.al

Tensionet në Lindjen e Mesme/ Starmer dhe Trump zhvillojnë bisedë telefonike: Irani të kthehet në tryezën e negociatave sa më shpejt

By: Rovena
22 June 2025 at 22:54

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer dhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump kanë zhvilluar një bisedë telefonike mbrëmjen e kësaj të diele, njoftoi Downing Street.

“Udhëheqësit diskutuan situatën në Lindjen e Mesme dhe përsëritën rrezikun e madh që paraqet programi bërthamor i Iranit për sigurinë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

“Ata diskutuan veprimet e ndërmarra nga SHBA-të mbrëmë për të zvogëluar kërcënimin dhe ranë dakord se Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore.”

Udhëheqësit përsëritën “nevojën që Irani të kthehet në tryezën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur” për të përparuar drejt një “zgjidhjeje të qëndrueshme”, shtohet në deklaratë, me palën që ranë dakord të “qëndrojnë në kontakt të ngushtë” në ditët në vijim.

/abcnews.al

 

 

Izraeli i vendosur të çojë deri në fund ofensivën/ Netanyahu: Sulme deri në shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit

By: Rovena
22 June 2025 at 21:33

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi para gazetarëve se Izraeli nuk do të tërhiqet nga operacionet ushtarake kundër Iranit, pavarësisht presioneve ndërkombëtare dhe përshkallëzimit të situatës në Lindjen e Mesme. Komentet e tij vijnë në një moment kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së po mban një mbledhje urgjente në New York, thirrur nga Irani pas sulmeve të fundit ajrore amerikane në territorin iranian.

Në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, avionë luftarakë amerikanë ndërmorën një seri goditjesh të koordinuara ndaj tri objekteve kryesore të programit bërthamor iranian, përfshirë kompleksin nëntokësor të Fordow. Ky veprim shënoi përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në konfliktin Izrael-Iran, duke rritur ndjeshëm tensionet në rajon.

Nga Izraeli, Netanyahu tha për gazetarët se “nuk do të lejojmë që të tërhiqemi në një luftë rraskapitëse, por as nuk do ta ndërpresim parakohe këtë fushatë jetike për sigurinë tonë kombëtare”.

Ai theksoi se Izraeli është shumë pranë përmbushjes së objektivave të tij strategjikë, duke përfshirë shkatërrimin e programit bërthamor iranian dhe të kapaciteteve të raketave balistike të Teheranit.

Duke iu referuar objektit të Fordow, të cilin SHBA e goditi me bomba speciale për depërtim në thellësi, Netanyahu tha se “kompleksi është dëmtuar rëndë”, megjithëse theksoi se “shkalla e plotë e dëmit do të vlerësohet në ditët në vijim”.

Deklaratat e kryeministrit izraelit pasojnë reagime të ashpra nga Teherani, i cili ka akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për “agresion të paprovokuar” dhe ka paralajmëruar se do të ushtrojë të drejtën për vetëmbrojtje.

Tensionet në rajon mbeten në nivel të lartë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon thirrjet për përmbajtje dhe rikthim në tryezën e negociatave./abcnews.al

Izrael – Iran/ OKB: Paqja nuk mund të imponohet, ajo duhet të zgjidhet

By: Rovena
22 June 2025 at 21:18

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së merr fjalën i pari në takimin në New York, duke i quajtur sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit “një kthesë të rrezikshme në një rajon që tashmë është në trazirë”.

Anotnio Guterres thotë se dënon çdo përshkallëzim ushtarak në Lindjen e Mesme.

“Njerëzit e rajonit nuk mund të durojnë një cikël tjetër shkatërrimi, megjithatë tani rrezikojmë të biem në një gropë hakmarrjeje pas hakmarrjeje”, tha ai.

Ai shton: “Kombet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin çdo përpjekje drejt zgjidhjes paqësore. Por paqja nuk mund të imponohet. Ajo duhet të zgjidhet.”/abcnews.al

❌
❌