“Zëra”, Episodi 3: Brisejda Lala dhe Arnen Sula flasin për restaurimin e Spaçit dhe kujtesën historike
Në serinë e tretë të sezonit të katërt të podcastit “Zëra”, gazetarja Erisa Kryeziu sjell në diskutim mënyrën se si trajtohet kujtesa historike në Shqipëri duke marrë shkas nga rasti i restaurimeve të nisura dhe më pas të pezulluara në ish-burgun e Spaçit.
Të ftuar në këtë bisedë janë Brisejda Lala, studiuese e historisë, dhe Arnen Sula, arkitekt dhe drejtues i qendrës “Tek Bunkeri”.
Një projekt filmik ngjalli diskutime në muajin qershor mbi kujtesën historike pasi u shoqërua me ndërhyrje pa transparencë në burgun e Spaçit.
Sula ngre shqetësime për mënyrën se si u transformua ambienti i dhomës së takimeve në burg.
“Këto vrima që përdoreshin për të përgjuar familjarët e të burgosurve, edhe në çaste intime, janë zhdukur. Ato janë dëshmi të drejtpërdrejta të së kaluarës,” thotë ai.
Drejtuesi i qendrës “Tek Bunkeri” thekson se ndërhyrjet e fundit bien ndesh me Planin e Menaxhimit të Spaçit, që parashikonte ruajtjen e gjendjes ekzistuese për të reflektuar jo vetëm periudhën e diktaturës, por edhe dekadat e braktisjes dhe plaçkitjes pas saj.
“Rrezikojmë të humbasim historitë që ato mure mbartin,” paralajmëron ai.
Për studiuesen Brisejda Lala, është e papranueshme që, pas kaq vitesh, burgu i Spaçit ende nuk është shpallur muze. Ajo thekson se çdo ndërhyrje, sado e vogël, duhet të kalojë në filtrin e një studimi të mirëfilltë, duke respektuar statusin si Monument Kulture i Kategorisë II.
“Shoqëria shqiptare nuk e ka kthyer kokën nga e kaluara. Jemi zgjuar vonë,” thotë ajo, ndërsa e lidh këtë “rizgjim” me zhgënjimin kolektiv nga tranzicioni dhe shembujt pozitivë nga vendet ish-komuniste që e kanë integruar kujtesën historike në ndërtimin e identitetit kombëtar.
Arkitekti Sula kujton bisedat me ish-të dënuarit politikë, të cilët, sipas tij, ndihen të braktisur.
“Njëri prej tyre qante kur tregonte që as djali i vet nuk e dëgjon më,” thotë ai. Për të, kjo është dëshmi e një harrese shoqërore që shkon përtej institucioneve.
Lala shton se mungesa e një vendi zyrtar kujtese e bën të pamundur përfaqësimin e denjë të atyre që kanë vuajtur.
“Fatmirësisht, kemi ende të gjallë shumë prej tyre. Dëshmitë e tyre janë thelbësore për të ngritur narrativën e së vërtetës historike,” shpjegon ajo.
Podcastin mund ta ndiqni dhe në Spotify:
Në bisedë, Brisejda dhe Arneni nënvizojnë nevojën që të rinjtë të njihen me këtë pjesë të historisë. Kjo, sipas tyre bëhet në shkolla, duke e përfshirë këtë pjesë të historisë në kurrikulat shkollore.
“Edukimi duhet të fillojë që në shkollën 9-vjeçare, që duhet të kemi një lloj specifikimi të temave që do të zhvillohen në lidhje me komunizmin dhe zgjerim të njohurive”, u shpreh Brisejda Lala.
Sipas Lalës, shembujt në rajon për mënyrën si është trajtuar në shkolla janë të shumtë.
“Në Rumani kanë module të përcaktuara në klasën e 12-të që zhvillohet vetëm në diktaturën komuniste të implementuar në Rumani dhe ka edhe në klasën e 11-të një modul sa i përket periudhës së Holokasustit”.
Për Arnen Sulën, nevoja për të folur me të rinjtë për periudhën e diktaturës komuniste është e rëndësishme, pasi shumë pak dinë.
“Shumë nga situatat politike dhe sociale që kemi sot si shoqëri, vijnë si pasojë e traumave që na ka lenë diktatura”, argumenton Sula.
Lala sugjeron që të ketë një program të detyruara në shkolla për të vizituar vendet e kujtesës, ndërsa vë në dukje nevojën për të pasur një hartë të vendeve të kujtesës në Shqipëri.
Ndërsa Arnen Sula sjell në vëmendje praninë në postet drejtuese të sotme të personave që kanë shërbyer gjatë diktaturës.
“Është shumë e dhimbshme për ish të përndjekurit politikë të shikojnë figura të tilla ende në pozicione drejtuese”, u shpreh Sula.
Podcasti “Zëra” sjell në çdo episod zëra kritikë dhe reflektime për shoqërinë shqiptare, me qëllim të nxisë mendim të pavarur dhe dialog publik. Hapësira e këtij podcasti i dedikohet gjithashtu qytetarëve që angazhohen në kauza publike, zëri i të cilëve mbytet ose mpaket nga ngjarjet e shumta politike e sociale, që shpesh nuk e kalojnë kryeqytetin.
The post “Zëra”, Episodi 3: Brisejda Lala dhe Arnen Sula flasin për restaurimin e Spaçit dhe kujtesën historike appeared first on Citizens.al.