Këngëtari i njohur amerikan, Chris Brown, është deklaruar i pafajshëm për dy akuza të reja në lidhje me një sulm të dyshuar në një klub nate në Londër në vitin 2023. Ai u paraqit në Gjykatën e Kurorës në Southwark të premten, më 11 korrik, për seancën më të fundit gjyqësore.
Sipas BBC, 36-vjeçari u deklarua i pafajshëm për shkaktim të dëmtimit të vërtetë trupor ndaj producentit muzikor Abe Diaw, si dhe për mbajtje të një arme të rrezikshme, në këtë rast një shishe tekile, gjatë incidentit të dyshuar.
Prokuroria e përshkroi sulmin si të “paprovokuar”, ndërsa gjatë daljes nga gjykata, Brown – përshëndeti shkurtimisht fansat që kishin ardhur ta mbështesnin. Më herët, më 20 qershor, autori i hitit “Forever” ishte deklaruar po ashtu i pafajshëm për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore lidhur me të njëjtin incident.
Chris Brown u arrestua më 15 maj 2025 nga Policia Metropolitane e Londrës në një hotel në Manchester. Sipas deklaratës zyrtare:
“Një 36-vjeçar u arrestua rreth orës 02:00 në lidhje me një sulm të dyshuar më 19 shkurt 2023 në një lokal në Hanover Square.”
Më 21 maj, ai u lirua me garanci prej 6.7 milionë dollarësh, duke paguar menjëherë 4.5 milionë dhe pjesën tjetër brenda një jave. Atij iu kërkua të dorëzojë pasaportën nëse nuk është në udhëtim për turne, dhe të njoftojë gjykatën për adresën e banimit.
Derisa të nisë gjyqi më 24 tetor 2026, Brown nuk lejohet të largohet nga Mbretëria e Bashkuar, nuk mund të kontaktojë me akuzuesin dhe nuk mund të vizitojë klubin ku ndodhi incidenti.
Në nëntor 2023, Abe Diaw e paditi Brown në një gjykatë civile në Los Angeles, duke pretenduar se ishte goditur në kokë dhe kishte pësuar lëndime të përhershme, përfshirë çarje në kokë, dëmtime në këmbë dhe shqetësim të madh emocional. Si armë u përmend një shishe tekile Don Julio 1942.
Sidoqoftë, më 27 qershor 2025, Diaw kërkoi të tërhiqte padinë civile, me vendim që e ndalon atë të rihapë çështjen në të ardhmen. Megjithatë, procesi penal në Mbretërinë e Bashkuar mbetet aktiv dhe Brown përballet ende me akuzat penale.
The post Chris Brown deklarohet i pafajshëm për sulmin në Londër appeared first on Lapsi.al.