Mourinho shpërthen në lot për ish-lojtarin e tij që vdiq tragjikisht në stërvitje
Jose Mourinho u shfaq dukshëm i prekur gjatë një konference për shtyp, teksa i bëri homazh ish-kapitenit të Portos, Jorge Costa, i cili ka ndërruar jetë tragjikisht në moshën 53-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak, ndodhur në qendrën stërvitore të Portos këtë të martë.
Costa, i njohur me dashuri si “Bicho” (Bisha) për udhëheqjen e tij të hekurt dhe praninë dominuese në fushë, ishte kapiten i skuadrës legjendare të Portos që nën drejtimin e Mourinhos fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2004.
Gjatë një karriere 15-vjeçare në klub, ai fitoi tetë tituj kampioni të Portugalisë dhe disa kupa vendase.
Gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes kualifikuese të Ligës së Kampionëve me ekipin e tij aktual, Fenerbahçe, Mourinho mezi përmbajti emocionet teksa foli për humbjen e mikut dhe ish-lojtarit të tij: “Është një pjesë e historisë sime që mbaron”.
“Jorge ishte një nga ata djem që pastronin mbeturinat dhe e linin trajnerin të bënte punën e tij… Kjo është perfekte për një trajner, kur kapiteni i tij e bën një gjë të tillë”.
“Sigurisht që jam shumë i trishtuar. Le ta harrojmë futbollin për një moment dhe të përqendrohemi te ai – te Jorge, te fëmijët e tij… Dhe unë jam këtu sepse, nëse ai do të mund të fliste me mua tani, do të më thoshte: ‘Hajde, bëj konferencën tënde për shtyp… luaj ndeshjen, fitoje dhe harro për një çast për mua'”.
“Kjo është ajo që do të përpiqem të bëj… dhe pastaj të qaj më pas”, shtoi më tej trajneri portugez. /Telegrafi/
The post Mourinho shpërthen në lot për ish-lojtarin e tij që vdiq tragjikisht në stërvitje appeared first on Telegrafi.