Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 26 August 2025Main stream

Hapet për qarkullim ura e re mbi Ibër në Mitrovicë

26 August 2025 at 10:39

PRISHTINË, 26 gusht/ATSH/ Sot, është lëshuar në qarkullim ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut me atë të veriut, ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”, ka shkruar Sveçla në rrjetet sociale derisa në fotografinë e postuar nga ai shihen vetura e qytetarë duke lëvizur mbi urë.

Edhe zëvëndësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka publikuar një video për hapjen e kësaj ure.

“Urime Mitrovicë! Urime për të gjithë qytetarët e Kosovës! E gëzofshim urën e re”, ka shkruar ai.

Vlera totale për ndërtimin e tyre është rreth 3 milionë euro. Por, pak pas fillimit të këtyre punimeve, Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet për kontratën nën dyshime për keqpërdorim të fondeve publike.

Institucionet përkatëse kosovare i filluan ndërtimin e dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, me gjithë reagimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe kundërshtimet nga serbët në veri.

/Kosovapress/

The post Hapet për qarkullim ura e re mbi Ibër në Mitrovicë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

“Traktet” e serbëve/ Çfarë po organizohet në Mitrovicën e Veriut? Eksperti: Autoritetet të tregohen vigjilente

25 August 2025 at 17:33

PRISHTINË- “Njerëz ka ardhur koha për rezistence”, kjo është një nga thirrjet në fletëpalosjet që po shpërndahen në Mitrovicën e Veriut banesë më banesë apo të ngjitura ne shtylla ne rrugën kryesore te qytetit.

Përmes këtyre mesazhe kërkohet unitet dhe një shprehje të forcës përmes simbolit të flamurit të Serbisë. Por çfarë rrezikohet në veri të Mitrovicës, pas shpërndarjes së këtyre materialeve?

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, i ftuar në “Ballkan Update”, theksoi se Kosova duhet të tregohet vigjilente ndaj kërcënimeve të tilla.

“Këto aktivitete janë manifestim i grupeve serbe dhe ruse në Kosovë. Këto organizime janë pjesë e manifestimeve të lidhura me Listën Serbe. Kanë për qëllim nxitjen e urrejtjes ndëretnike. Autoritetet e Kosovës duhet të kenë një kujdes të shtuar”, theksoi ai.

Sipas ekspertit të sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po tenton të përdorë elementin nacionalist për qëllime politike, sidomos në veri të Kosovës dhe kjo qasje është e dëmshme për vendin.

“Kurti po përpiqet sërish të përdorë nacionalizmin si mjet politik”, tha ai./abcnews.al

Arrestohen tre të mitur në Mitrovicë, dyshohet se vodhën një veturë

24 August 2025 at 21:15

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot në Mitrovicë janë arrestuar tre persona të mitur, të dyshuar për vjedhjen e një veture.

Rasti është raportuar rreth orës 10:30 në Stacionin Policor Mitrovicë Jugu, kur u njoftua se vetura, pronë e një klubi sportiv lokal, ishte vjedhur.

Pas një pune hetimore dhe operacionale, njësitë policore kanë arritur që në orët e pasdites ta lokalizojnë dhe ndalojnë veturën në fshatin Frashër të Mitrovicës.

Tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku pas intervistimit dhe procedurave përkatëse është iniciuar rasti penal “Vjedhje e rëndë”.

Sipas vendimit të prokurorit, dy prej të dyshuarve janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj njërit prej tyre është caktuar masa e ndalimit policor./Telegrafi/

The post Arrestohen tre të mitur në Mitrovicë, dyshohet se vodhën një veturë appeared first on Telegrafi.

KFOR-i bëri 80 ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreve në disa komuna të Kosovës

24 August 2025 at 17:36

KFOR-i ka njoftuar se gjatë ditëve të fundit ka ndihmuar në shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, me kërkesë të institucioneve të Kosovës përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.

Sipas njoftimit, ndihma e KFOR-it ka përfshirë si aktivitetet e vëzhgimit ashtu edhe ndërhyrjet direkte në terren.

Njësia amerikane Task Force Aviation, e cila vepron në kuadër të Komandës Rajonale Lindore të KFOR-it, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shuarjen e zjarreve përmes operacioneve ajrore.

Më 18 gusht në komunën e Gjakovës, ekuipazhi realizoi 12 hedhje uji brenda pesë orësh.

Më 11 gusht në komunën e Kamenicës, u ndërhy 11 herë gjatë një fluturimi gjashtëorësh.

Më 26 korrik në Mitrovicë, u kryen 18 operacione ajrore për shuarjen e zjarrit brenda katër orësh.

Më 25 korrik në Drenas, KFOR ndërhyri 39 herë gjatë një periudhe prej 20 orësh.

Në deklaratë theksohet se KFOR mbetet e gatshme, brenda mundësive dhe kapaciteteve të saj, të mbështesë në parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente në Kosovë.

KFOR thotë se vazhdon ta zbatojë mandatin e saj, për të kontribuar në një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes, gjithmonë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre si përgjegjës për sigurinë./Telegrafi/

The post KFOR-i bëri 80 ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreve në disa komuna të Kosovës appeared first on Telegrafi.

Operacioni “Lavazhi”, arrestohen tre persona për trafikim të drogës në Mitrovicë

15 August 2025 at 23:20

Zyrtarët policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia Mitrovicë, kanë zhvilluar sot një aksion të koduar “Lavazhi”, me qëllim arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në trafikim me lëndë narkotike.

Aksioni është realizuar pas urdhrit për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, ku policia ka bastisur disa lokacione në Mitrovicë, me asistimin e Njësisë Speciale Operative dhe Forenzikës.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar: 19 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë (184.8 gr), 25 qese me substancë të dyshuar kokainë (85 gr), 1,080 euro para të gatshme, 2 peshore digjitale, 3 automjete, 3 telefona celularë, si dhe prova tjera relevante.

Si të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, janë arrestuar tre persona – njëri prej tyre i mitur.

Me vendim të prokurorit, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i mituri për 24 orë./Telegrafi/

The post Operacioni “Lavazhi”, arrestohen tre persona për trafikim të drogës në Mitrovicë appeared first on Telegrafi.

Ndihmoi në arratisjen e një serbi në Mitrovicën e Veriut, Policia jep detaje për arrestimin e gardianit

14 August 2025 at 18:52

Sot është arrestuar një zyrtar korrektues N.P. (52), i dyshuar për ndihmë në arratisjen e një personi nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë Veri, më 7 gusht 2025.

Gjatë arrestimit, të njëjtit i është sekuestruar një telefon mobil si provë materiale. Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës po vazhdon me veprime të mëtejshme operative për kapjen e personit të arratisur Gjorgje Sava Radomiroviq, i cili ishte i dënuar me 14 vjet e gjysmë burg për veprën vrasje.

Policia apelon te qytetarët që kushdo që ka informacione relevante të lajmërojë në numrin 192 ose në stacionin më të afërt policor.

The post Ndihmoi në arratisjen e një serbi në Mitrovicën e Veriut, Policia jep detaje për arrestimin e gardianit appeared first on Telegrafi.

Arrestohet edhe një oficer korrektues për arratisjen nga paraburgimi në Mitrovicë

14 August 2025 at 16:32

Në kuadër të hetimeve për arratisjen nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë, sot është pezulluar nga puna dhe arrestuar nga Policia e Kosovës një oficer korrektues.

Me këtë rast, numri i zyrtarëve të pezulluar ka arritur në gjashtë, përfshirë drejtorin e Qendrës, një mbikëqyrës të lartë dhe katër zyrtarë korrektues.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se çdo shkelje do të trajtohet me vendosmëri.
“Çdo shkelje do të trajtohet me vendosmëri, duke garantuar llogaridhënie dhe siguri në të gjitha institucionet korrektuese”, ka deklaruar ajo./Telegrafi/

The post Arrestohet edhe një oficer korrektues për arratisjen nga paraburgimi në Mitrovicë appeared first on Telegrafi.

Digjen tri shtëpi banimi në Kçiq të Mitrovicës

10 August 2025 at 18:23

Një zjarr i madh ka shpërthyer sot në lagjen “Ibrahimi” në Kçiq të Mitrovicës, duke përfshirë tre shtëpi banimi.

Zjarri është raportuar të ketë nisur në orët e mesditës dhe është përhapur me shpejtësi për shkak të kushteve atmosferike.

Lidhur me zjarret, banorët e zonës kanë shprehur shqetësim të madh për situatën e krijuar.

The post Digjen tri shtëpi banimi në Kçiq të Mitrovicës appeared first on Telegrafi.

Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të tretë të festivalit “Mitrovica Internacional Jazz”

9 August 2025 at 11:39

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në hapjen e edicionit të tretë të festivalit “Mitrovica Internacional Jazz”, që po mbahet në Parkun e Qytetit në Mitrovicë.

Në këtë mbrëmje kulturore festive, kryeministri Kurti tha se “Mitrovica International Jazz Days” e bën bashkë edhe dimensionin ndërkombëtar e universal të muzikës në njërën anë, por edhe në anën tjetër veçantinë e zhanrit të Jazz-it. Ky është një festival i cili sjellë muzikë cilësore, krijon lidhje të reja dhe pasuron jetën kulturore të qytetit.

Me nëntë koncerte dhe pjesëmarrje të artistëve nga Holanda dhe Britania e Madhe, ai theksoi se ky edicion ka sjellë një kombinim të veçantë mes talentit ndërkombëtar dhe mikpritjes lokale, duke bërë kështu që publiku ta ndjekë me entuziazëm dhe ta bëjë festivalin pjesë të natyrshme të qytetit.

“Këto nëntë koncerte po zhvillohen në të dy anët e Ibrit, sepse e tillë është Mitrovica juaj, Mitrovica e të gjithë neve, pra në të dy anët e Ibrit, dhe nuk mund ta pengoj ose cenoj askush këtë zhvillim të përbashkët kulturor. Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të vazhdojë të mbështesë këtë festival të Mitrovicës dhe të gjitha iniciativat që fuqizojnë jetën kulturore në vendin tonë. Sepse aty ku ka kulturë dhe art, ka zhvillim, e mirëkuptim, dhe mjedis për të gjithë njësoj”, tha ai.

Kryeministri Kurti falënderoi të gjithë ata që kanë punuar për realizimin e këtij festivali, duke thënë se organizimi i një ngjarjeje të tillë kërkon përkushtim të madh dhe bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve, artistëve dhe komunitetit dhe mirënjohje për secilën e secilin që ka dhënë kontributin e vet.

“Urime për këtë edicion të suksesshëm. Uroj që Mitrovica International Jazz Festival të vazhdojë të rritet çdo vit, duke sjellë më shumë muzikë ditën dhe natën, më shumë bashkëpunim gjithandej dhe më shumë mundësi për vetë Mitrovicën dhe mbarë Kosovën”, tha ai në fund të fjalës së tij.

 

The post Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të tretë të festivalit “Mitrovica Internacional Jazz” appeared first on Telegrafi.

Arratiset një i burgosur në Mitrovicë, pezullohen katër zyrtarë

7 August 2025 at 17:40

Një i burgosur është arratisur nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë, duke detyruar Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK) të ndërmarrë masa të menjëhershme disiplinore ndaj stafit të institucionit.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, janë pezulluar nga detyra katër zyrtarë korrektues, përfshirë edhe drejtorin e institucionit, një mbikëqyrës të lartë dhe dy zyrtarë të tjerë korrektues.

Sipas ShKK-së, i burgosuri në fjalë ishte i dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa në momentin e arratisjes i kishin mbetur edhe 3 vjet e 7 muaj për të vuajtur.

“Ai ishte i kategorizuar si i avancuar dhe, në momentin e arratisjes, ndodhej duke punuar në hapësirat e punëtorisë së institucionit. Gjithashtu, ishte në listën e të dënuarve që mund të përfitonin lirimin me kusht”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.

Menjëherë pas konstatimit të mungesës së tij, janë vënë në lëvizje të gjitha procedurat e brendshme operacionale dhe janë njoftuar institucionet relevante të sigurisë për të ndihmuar në lokalizimin dhe kapjen e të arratisurit.

ShKK ka nisur gjithashtu hetimet e brendshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, duke theksuar se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Deri në përfundimin e hetimeve, drejtori i institucionit, mbikëqyrësi i lartë dhe dy zyrtarët korrektues mbeten të pezulluar nga detyra”, përfundon njoftimi.

The post Arratiset një i burgosur në Mitrovicë, pezullohen katër zyrtarë appeared first on Telegrafi.

Ngritet aktakuzë ndaj Nazmi Mulakut dhe një personi tjetër, dyshohet se mashtruan qytetarët se bëjnë shërimin e sëmundjeve të ndryshme

17 July 2025 at 14:54

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega Vushtrri, ndaj dy të pandehurve Nazmi Mulakut dhe P.I., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike“ dhe “Mashtrimi“.

Prokuroria njofton opinionin publik se deri ne datë 16 korrik 2024, në ordinancën “B. M.” në Vushtrri, të pandehurit me dashje, në vazhdim dhe në bashkëkryerje pa pasur kualifikim profesional kryejnë trajtime mjekësore dhe angazhohen në aktivitete mjekësore për të cilat me ligj kërkohen kualifikime të posaçme, ashtu që pretendojnë se shërojnë sëmundje të ndryshme dhe zgjedhin problemet e qytetarëve, të cilat edhe i postojnë në rrjetet sociale duke pretenduar se i shërojnë, në atë mënyrë që “pacientëve” – të dëmtuarve ju japin tableta dhe çajra të ndryshëm, ujë i cili nuk i plotëson normat për cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor.

Po ashtu, të pandehurit, me dashje, në vazhdim dhe në bashkëkryerje me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, i vënë në lajthim qytetarët dhe me këtë i nxitin që të kryejë një veprim i cili rezulton me dëm material të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që përmes rrjeteve sociale bëjnë thirrje për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, dhe duke e shfrytëzuar kështu gjendjen e rëndë shëndetësore, sociale dhe emocionale të të dëmtarëve, në atë mënyrë që për një kontroll i marrin nga 100 € dhe për terapi deri në 30 €.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me dy (2) të pandehurit N.M., dhe P.I., ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, ku të pandehurit pranojnë veprat e kryera penale, dhe pajtohen t’i rekomandojnë gjykatës që të i shqiptojnë dënim me gjobë dhe dënim me burgim, i cili me pëlqimin e tyre të zëvendësohet në dënim me gjobë në vlerën e përgjithshme prej shtatëdhjetë mijë (70,000) euro.

Nazmi Mulaku, i njohur në “TikTok”, si Nazmi Bio Mulaku, publikonte në vazhdimësi video, përmes të cilave pretendonte se po shëronte disa sëmundje, si depresioni etj.

Në disa video, ai shihet duke keqtrajtuar edhe disa qytetarë./Telegrafi/

The post Ngritet aktakuzë ndaj Nazmi Mulakut dhe një personi tjetër, dyshohet se mashtruan qytetarët se bëjnë shërimin e sëmundjeve të ndryshme appeared first on Telegrafi.

Aksident në Kçiq të Mitrovicës, një i lënduar pas përplasjes mes traktorit dhe automjetit

13 July 2025 at 23:30

Një person ka mbetur i lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku janë përfshirë një automjet dhe një traktor.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Mitrovicës, Fexhrije Pllana, e cila ka bërë të ditur se aksidenti është raportuar rreth orës 21:34.

“Sot rreth orës 21:34 është raportuar për një aksident trafiku në fshatin Kçiq, të involvuar janë një automjet dhe një traktor, një person ka marrë lëndime”, ka deklaruar Pllana.

Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Autoritetet policore janë duke hetuar rrethanat e këtij aksidenti./Telegrafi/

The post Aksident në Kçiq të Mitrovicës, një i lënduar pas përplasjes mes traktorit dhe automjetit appeared first on Telegrafi.

Durmishi për urat e reja mbi Ibër: Intensitet i paparë ndonjëherë në ndërtimin e urave në Kosovë

12 July 2025 at 19:57

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar për ecurinë e shpejtë të punimeve në dy urat e reja që po ndërtohen mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

“Paradite themeli i bregorës, e pasdite themeli i mesit të urës. Intensitet i paparë ndonjëherë në ndërtimin e urave në Kosovë. Në shtator do të kalojmë me vetura, e këmbë në trotuare”, ka shkruar Durmishi.

Projekti i ndërtimit të këtyre urave llogaritet se kap vlerën e afro 3 milionë euro.

Ndërkohë, për këtë kontratë ka nisur hetim Prokuroria Speciale, për të vlerësuar përputhshmërinë me procedurat ligjore të ndjekura gjatë tenderimit./Telegrafi/

The post Durmishi për urat e reja mbi Ibër: Intensitet i paparë ndonjëherë në ndërtimin e urave në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Theret me thikë një person në Mitrovicë, rasti po hetohet

10 July 2025 at 14:31

Një person ka marrë lëndime trupore sot rreth orës 11:45 i cili pas një përleshje fizike ishte sulmuar nga një person tjetër me mjet të mprehtë (thikë).

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Rreth orës 11:45, policia në Mitrovicë ka pranuar informatë për një person të lënduar. Bazuar në  informatat fillestare bëhet e ditur se viktima m/k/sh, ka kërkuar tretman mjekësor pasi në rrugën ‘Mbretëresha Teutë’ në një përleshje ishte sulmuar nga një person i dyshuar me një mjet i mprehtë”, ka thënë Zahiti.

Zahiti tha se njësitet përkatëse policore janë duke trajtuar rastin. /Telegrafi/

 

 

 

 

The post Theret me thikë një person në Mitrovicë, rasti po hetohet appeared first on Telegrafi.

Arrestohen dy të dyshuar për zjarrvënie në një lokal në Prishtinë, dërgohen në mbajtje

9 July 2025 at 14:51

Dy persona janë arrestuar sot nën dyshimin se kanë qenë të përfshirë në një rast të zjarrvënies të një lokali në rrugën “Epiri”, në Prishtinë.

Sipas një njoftimit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se të dyshuarit janë F.S i moshës 36 vjeç dhe M.M i moshës 28 vjeç dhe arrestimi i tyre u bë në Shipol të Mitrovicës.

“Policia e Rajonit të Prishtinës, respektivisht hetuesit e Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme (NjHP) -Prishtinë, sot në Shipol të Mitrovicës së jugut kanë arrestuar dy të dyshuar për veprën penale zjarrvënie. Rasti ka ndodhur me datë, 14.02.2025, në rrugën ‘Epiri’ në Prishtinë, saktësisht në një lokal ku janë shkaktuar dëmë të konsiderueshme nga zjarri”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se personat e arrestuar me vendim mbi ndalimin, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërkohë që hetuesit  po vazhdojnë veprimet e mëtejme të procesit hetimor.

“Ndërmarrja e veprimeve hetimore dhe operative të kryera nga hetuesit policor  të NjHP-së , kanë rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve; F. S, 36 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës, si dhe M.M, 28 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës, për të cilët dyshohet me bazë të jenë përfshirë në rastin në fjalë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Arrestohen dy të dyshuar për zjarrvënie në një lokal në Prishtinë, dërgohen në mbajtje appeared first on Telegrafi.

Policia në Mitrovicë parandalon përleshje të planifikuar mes dy grupeve, arrestohen 15 persona

4 July 2025 at 22:39

Policia e Kosovës ka parandaluar një përleshje fizike të planifikuar mes dy grupeve të rinjsh në Mitrovicën e Jugut, duke arrestuar pesëmbëdhjetë persona të dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, pas pranimit të informatave operative që tregonin për një konfrontim të mundshëm mes grupeve të të rinjve.

Reagimi i shpejtë dhe i koordinuar i njësive policore të Stacionit Jug ka bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe neutralizimin e situatës para përshkallëzimit të saj në dhunë fizike.

Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit janë ndaluar në dy lokacione të ndryshme dhe janë shoqëruar në stacionin policor.

Intervistimi i tyre po zhvillohet në praninë e prindërve dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale (QPS), ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me prokurorin kompetent.

Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe raportimin e rasteve që rrezikojnë sigurinë./Telegrafi/

The post Policia në Mitrovicë parandalon përleshje të planifikuar mes dy grupeve, arrestohen 15 persona appeared first on Telegrafi.

Vdes një person në QKUK, rasti po hetohet

2 July 2025 at 10:36

Një person i cili kishte qenë duke marr tretman mjekësor në QKUK kishte ndërruar jetë.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën rreth orës 05:00, në Mitrovicë.

Tutje thuhet se sipas familjarëve viktima kishte pësuar lëndime trupore.

“Është raportuar se viktima m/k i cili kishte qenë duke marr tretman mjekësor në QKUK kishte ndërruar jetë. Sipas familjarëve viktima kishte pësuar lëndime trupore”, thuhet në raport.

Ndërkaq, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/

The post Vdes një person në QKUK, rasti po hetohet appeared first on Telegrafi.

Lumit Ibër do t’i shtohen edhe dy ura, Kurti: Ka kaluar koha e barrikadave

PRISHTINË, 1 korrik/ATSH/ Është vendosur gurthemeli i dy urave të reja mbi lumin Ibër, në vlerë afro tre milionë euro. Aty kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk e ka konfirmuar nëse janë koordinuar me Bashkimin Evropian sa i përket ndërtimit, duke thënë se punojnë në bazë të ligjit dhe në të mirë të qytetarëve, derisa theksoi se do të hapet edhe ura kryesore.

Në ceremoninë e vendosjen e gurthemelit morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri të ditur se ura pranë komunës së Mitrovicës së Veriut do të jetë e dedikuar për automjete dhe këmbësorë, ndërsa tjetra në Jug do të funksionojë vetëm për këmbësorë.

Kurti sqaroi se ura për automjete dhe këmbësorë do të jetë 51 metra e gjatë dhe 10 metra e gjerë, ndërsa ajo vetëm për këmbësorë, do të ketë një gjatësi prej 41 metrash dhe gjerësi prej 37 metrash.

Ai shtoi se përfundimi i punimeve të këtyre dy urave pritet të të përmbyllet në vjeshtën e vitit 2025.

“Po tregojmë përkushtimin tonë që ndërmjet veriut dhe jugut të ketë sa më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim e shkëmbime. Këto dy ura që janë në të dy anët e urës kryesore mbi Ibër njëra prej tyre do të jetë edhe për automjete edhe këmbësorë, ndërkaq tjetra do të jetë vetëm për këmbësorë. Ajo që do të jetë për automjete dhe këmbësorë është e gjatë 51 metra dhe e gjerë 10 metra. Ndërkaq, kjo ku jemi tash këtu do të jetë vetëm për këmbësorë me gjatësi 41 metra dhe gjerësi 37 metra. Mbi lumin Ibër gjithsej janë 77 ura në tri shtete, Mal të Zi, Kosovë dhe Serbi. Pa i numëruar hekurudhat. Prej tyre 35 në Kosovë…Së shpejti në vjeshtë do ta inaugurojmë si përmbyllje e punimeve. Jemi shume të gëzuar sepse përfitojnë të gjithë qytetarët pa dallim”, tha Kurti.

Ai u pyet nëse është dakorduar me Bashkimin Evropian për vendosjen e gurthemeleve, për çka tha se gjithçka që bëjnë është në përputhje me planet, sipas ligjit dhe në të mirë të qytetarëve.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti  tha se u tregua efikasiteti i qeverisë kur u pyet se pse përfundoi për dy javë tenderimi për këto dy ura.

Ndër të tjera në përgjigjet e gazetarëve, Kurti tha se do të hapet edhe ura kryesore mbi lumin Ibër. Ai rinpotencoi qëndrimin se nuk do të heqin dorë nga kjo.

Sipas Kurtit, sa më shpejtë të hapet Ura e Ibrit është më e arsyeshme, duke theksuar se kjo varet edhe nga karabinierët italian që qëndrojnë aty.

Sipas tij, ka kaluar koha e barrikadave.

Ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se vlera e të dy urave në Veri dhe Jug është rreth tre milionë euro.

Aliu potencoi se këto ura do t’i lidhin komunën e Veriut me atë të Jugut.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se vendosja e gurthemelit të dy urave në Ibër është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Mitrovicës së Jugut dhe Veriut.

Krasniqi tha se përveç urave, prioritet po i jepet edhe projekteve infrastrukturore, duke përmendur transportin urban të përbashkët.

Gurthemeli i urës për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve u vendos në afërsi të ndërtesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut. Ndërkaq, gurthemeli i urës për kalimin e këmbësorëve u vendos përballë kopshtit të fëmijëve “Gëzimi Ynë” në Mitrovicën e Jugut.

/Kosovapress/

The post Lumit Ibër do t’i shtohen edhe dy ura, Kurti: Ka kaluar koha e barrikadave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova nis ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër për lidhjen e Mitrovicës

1 July 2025 at 13:14

Procesi i ndërtimit të dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër – përmes së cilave Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se synon ta lidhë Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare – do të fillojë në pasditen e 1 korrikut, ka bërë të ditur Qeveria në detyrë.

Gurthemelet e dy urave të reja, njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë, do të vendosen të martën, në orën 17:00.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti; kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq; nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri; ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave; Elbert Krasniqi; si dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Qeveria në detyrë e Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha më herët se projekti për ndërtimin e urave është iniciuar me kërkesë të dy komunave, si rezultat i krijimit të Bordit të Përbashkët të Mitrovicës.

Memorandumi i mirëkuptimit, thuhet në deklaratë, parashikon që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) t’i financojë dhe zbatojë këto projekte infrastrukturore – që përfshijnë ndërtimin e urave për këmbësorë dhe automjete mbi lumin Ibër – me qëllim të lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave.

Sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve – gjë që ka shkaktuar tensioneve vitin e kaluar – Qeveria ka theksuar se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar:

“Ura kryesore mbi Ibër duhet të jetë e hapur për qarkullim të plotë, ndërsa ndërtimi i dy urave të reja do të kontribuojë më shumë në frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave dhe lëvizjen e lirë në të dyja anët e lumit Ibër”.

The post Kosova nis ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër për lidhjen e Mitrovicës appeared first on Euronews Albania.

Kosovë – Kur mund të hapet ura e Ibrit?

PRISHTINË, 26 qershor /ATSH/ Hapja për qarkullim të automjeteve e urës kryesore mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë dhe Mitrovicën e Veriut të banuar me shumicë serbe, po konsiderohet domosdoshmëri. Pas testimit të sërishëm të qëndrueshmërisë së urës, kësaj radhe nga një kompani e kontraktuar nga Bashkimi Evropian, vlerësohet nevoja që pas këtyre matjeve të arrihet pajtimi për hapjen e saj në tërësi, raporton KosovaPress.

Në qeverinë në detyrë thonë se, pavarësisht kësaj, do të vazhdojnë planifikimet për ndërtimin edhe të dy urave të tjera mbi lumin Ibër, derisa thonë se s’kanë pasur asnjë informacion zyrtar për këto testime. Megjithatë, nga partitë politike janë ngritur edhe shqetësime se tema e hapjes së urës së Ibrit mund të jetë e ndërlidhur me mbajtjen e zgjedhjeve lokale në tetor të vitit 2025.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka tentuar të hapë urën e Ibrit, mirëpo pas presionit ndërkombëtar është tërhequr nga kjo ide, përkundër faktit që ka testuar qëndrueshmërinë dhe ka bërë rehabilitimin e saj.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Bashkimin Evropian në lidhje me testimin e qëndrueshmërisë së urës kryesore mbi lumin Ibër dhe nëse ka dakordim në Bruksel për hapjen e saj, mirëpo nuk kemi marrë përgjigje. Të paqasshëm kanë qenë edhe në zyrën e zëvendëskryeministrit në detyrë për Integrime Evropiane dhe Dialog, Besnik Bislimi, lidhur me atë nëse hapja e urës është diskutuar në takimet e fundit të dialogut.

Megjithatë, zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, thotë për KosovaPress se nuk ka pasur nevojë të bëhen testime të sërishme të urës së Ibrit, pasi e njëjta është stabile për çfarëdo ngarkese që mund të kalojë mbi të.

Ai deklaron se nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar në lidhje me testimet e së martës në urën mbi lumin Ibër, ndërsa shton se planifikimet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër që lidh Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut do të vazhdojnë.

Synimi për ndërtimin e këtyre dy urave në lumin Ibër u tha pasi Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nënshkroi memorandum bashkëpunimi për projekte infrastrukturore me Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

“Asnjë informacion zyrtar nuk kemi pasur që do të ketë testime. Ata i kanë bërë testimet, ne kemi bërë testimet tona dhe kemi marrë rezultatin dhe raportin. Ura është stabile për çfarëdo ngarkese që mund të kalojë mbi të. Për çfarë i kanë bërë ato testime nuk e kam idenë, mirëpo kjo nuk lidhet fare me dy urat e tjera… Ne do të vazhdojmë me ndërtimin e dy urave të tjera dhe ndoshta edhe shumë të tjerave përgjatë lumit Ibër”, thekson Durmishi.

Në anën tjetër, kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila, njëherësh deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, e mirëpret testimin e urës së Ibrit nga Bashkimi Evropian, por thekson nevojën që tani Bashkimi Evropian të pajtohet për hapjen e saj.

Madje, sipas saj, tani është momenti unik që ura të hapet edhe para zgjedhjeve lokale dhe të jetë në funksion të asaj për çka është ndërtuar – lirisë së lëvizjes.

“Qëndrueshmëria e urës së Ibrit është diskutuar disa herë. Mirë që po testohet, por duhet të pasojë edhe vendimi për lirimin e saj për qarkullim. Gjithmonë funksioni i urës është lidhja dhe qarkullimi, jo bllokimi. Është e pakuptimtë që, në një situatë kur kanë ndryshuar rrethanat e sigurisë për të mirë në katër komunat në veri, të mbahet ajo urë e bllokuar. Ka mbetur si një sinonim i një periudhe gati dydekadëshe të frikës dhe ndarjes. Është momenti unik dhe pozitiv që edhe para zgjedhjeve lokale të merret një vendim dhe të ketë një dakordim të përbashkët që ajo urë të jetë në funksion të asaj për çfarë është ndërtuar”, thekson Kusari-Lila.

Hapjen për qarkullim të urës së Ibrit e kërkon edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, mirëpo ai për KosovaPress thotë se një ide e tillë mund të jetë iniciuar nga qeveria në detyrë në mënyrë që Lëvizja Vetëvendosje të përfitojë poena politikë në prag të zgjedhjeve lokale.

“Kam qenë pjesë e nënshkrimit dhe involvimit që ura është dashur të hapet shumë më herët, por që fatkeqësisht ka mbetur kështu. Mirëpo, edhe këtu tash shoh që, në prag të zgjedhjeve lokale, ka lojëra dhe nuk pres që testimet janë problemi kryesor i urës… Këto janë pjesë e lojës politike për shkak të zgjedhjeve lokale,” thekson Shala.

Hapja për qarkullim e urës kryesore mbi lumin Ibër ishte paraparë në vitin 2017, në kuadër të dialogut të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

/Kosovapress/

The post Kosovë – Kur mund të hapet ura e Ibrit? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌