Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 August 2025Main stream

Lëkundje tërmeti në Shqipëri, ja ku ishte epiqendra

By: b b
15 August 2025 at 18:46

Një tërmet u shënua pasditen e sotme në vendin tonë.

Epiqendra e tërmetit ishte në qytetin e Krujës.

Sipas të dhënave paraprake nga Instituti i Gjeoshkencave, lëkundjet ishin të magnitudës 3.6 të shkallës Rihter.

Tërmeti u regjistrua në orën 18:24, shtatë kilometër në jug-jugperëndim të Krujës dhe 16 kilometër në veriperëndim të Tiranës.

Zjarret në vend, Vengu: Vlerësim dhe kompensim të dëmeve të shkaktuara!

By: b b
15 August 2025 at 18:34

Pas zjarreve shkatërruese, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka njoftuar se do të ketë vlerësim dhe kompensim për dëmet e shkaktuara nga  flakët.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vengu shprehet se do të ndiqet një procedurë e veçantë, e cila do të realizohet në çdo bashki të prekur.

“Vlerësimi dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga zjarret do të realizohet në çdo bashki të prekur, sipas një procedure të veçantë, e cila nis me evidentimin e tyre nga Grupi i Konstatimit për inventarizimin e dëmeve, i ngritur me urdhër të kryetarit të Bashkisë.

Ky grup realizon inventarizimin e dëmeve në banesa infrastrukturë, biznese, kultura bujqësore, mjete mekanike, objekte social-kulturore dhe plotëson formularët me kostot financiare.

Më pas, bashkitë përgatisin listat për subjektet e dëmtuara dhe dokumentacionin përkatës dhe pas vlerësimit financiar çdo bashki përcaktohen koston e kompensimit, i cili kryhet nga fondet e bashkisë së prekur, përmes fondit për mbrojtjen civile”, shkruan Vengu në Facebook.

Mediat spanjolle rekomandojnë Shqipërinë: Bregdeti, perlë sekrete në Mesdhe!

By: b b
15 August 2025 at 18:18

“Bregdeti shqiptar: një perlë sekrete në Mesdhe, e njohur si ‘Karaibet Evropiane’”. Me këtë titull, revista e njohur spanjolle Hola i ka kushtuar një reportazh të gjatë turizmit në Shqipëri.

Media spanjolle shkruan se me më shumë se 400 kilometra vijë bregdetare, plazhe ende të shkreta, kuzhinë mesdhetare me një shpirt ballkanik dhe një pasuri historike të habitshme, Shqipëria ofron mundësinë për një eksplorim të veçantë.

“Bregdeti shqiptar mund të mos jetë më sekret për udhëtarët me më shumë përvojë, por ai ende i habit shumicën dërrmuese të vizitorëve.”

Artikulli nis nga Kepi i Rodonit, ku Deti Adriatik shfaq gjithë bukurinë dhe shkëlqimin e tij. Për plazh rekomandohet gjiri i Lalzit.

Për ata që pëlqejnë jetën urbane sugjerohet Durrësi, i cili përveç plazhit të gjatë me rërë ofron edhe histori që daton 2600 vjet më parë me amfiteatrin e tij romak. Vlerësohet gjithashtu ushqimi, që ndërthur elemente tradicionale dhe europiane.

Revista spanjolle ndalet më pas në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, ku veçon biodiversitetin e mrekullueshëm. Rrugëtimi i gazetarëve vijon me Vlorën në jug, një pikënisje perfekte për Rivierën Shqiptare. Uji i kaltër dhe plazhet e shumta ofrojnë gjithçka që kërkojnë turistët, sipas medias spanjolle.

Himara dhe Ksamil janë destinacionet e radhës, për të cilat revista thotë se nëse termi “parajsë” mund të duket i ekzagjeruar, për panoramën që ofron nuk ka përkufizim më të mirë. Sugjerohen Gjiret e Gjipesë, Jalës dhe Porto Palermos.

Në fund, një vizitë në Parkun e Butrintit ofron një udhëtim të pasur në histori, duke e bërë Shqipërinë një destinacion të plotë për çdo lloj vizitori.

Tv Klan

 

Talibanët, afër “zhdukjes” së grave nga jeta publike

By: b b
15 August 2025 at 17:57

Katër vjet pas rikthimit të talibanëve në pushtet në Afganistan, Kombet e Bashkuara kanë thënë se grupi ultra-konservator është “më gati se kurrë në arritjen e vizionit për një shoqëri që i ka zhdukur gratë nga jeta publike”.

Talibanët janë rikthyer në pushtet më 15 gusht 2021 dhe prej atëherë kanë zbatuar rregulla drakonike, duke ua shkelur të gjitha të drejtat grave dhe vajzave afgane, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë.

Qeveria e udhëhequr nga talibanët ua ka ndaluar vajzave shkollimin pas klasës së gjashtë, derisa grave shumicën e vendeve të punës. Ato, as nuk mund të marrin pjesë në jetën politike.

Gratë duhet ta respektojnë edhe kodin e ashpër islamik sapo të dalin jashtë shtëpive të tyre.

Një raport i ri i Misionit të OKB-së për Ndihmë në Afganistan, është në linjë me paralajmërimet e Agjencisë së OKB-së për Gratë, duke thënë se ka dokumentuar raste të grave që janë ndaluar prej inspektorëve të Ministrisë për Përhapje të Virtytit dhe Parandalim të Vesit, nën arsyetimet se i kanë shkelur rregullat e kodit të veshjes.

“Dekretet që i kanë miratuar talibanët i kufizojnë të drejtat e vajzave dhe grave dhe bashkëveprojnë me njëra-tjetrën duke krijuar një cikël, i cili i detyron gratë që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, sepse secilën herë bëhen më të cenueshme”, ka thënë Agjencia e OKB-së për Gratë.

Sipas OKB-së, mbi 78 për qind e grave afgane e kanë humbur qasjen në edukim, punësim dhe trajnim prej kthimit të talibanëve në pushtet.

Shembull, në qytetin e Heratit, agjencitë e OKB-së kanë vërejtur që dhjetëra gra që e kanë respektuar rregullin e hixhabit, nuk janë lejuar që të hyjnë nëpër dyqane apo ta përdorin transportin publik. Sipas raportit, disa gra janë ndaluar derisa familjarët e tyre u kanë blerë rroba për t’u mbuluar tërësisht.

Talibanët ua kanë ndaluar grave që të udhëtojnë pa një përcjellës burrë, vendim që ua ka pamundësuar qasjen në kujdes shëndetësor dhe shërbime tjera të domosdoshme.

Sipas trupave të OKB-së, policia e talibanëve për çështje morali i ka udhëzuar klinikat shëndetësore, zyrat qeveritare, dyqanet dhe shoferët e taksive që të mos kenë kontakt me gratë që nuk e kanë një përcjellës burrë.

Policia e Kandaharit u ka kërkuar grave që punojnë në sistemin shëndetësor që të jenë në shoqërinë e një familjari të gjinisë mashkullore dhe t’i posedojnë gjithmonë dokumentet që i vërtetojnë lidhjet e tyre familjare.

Secilën herë e më të zakonshme janë bërë edhe martesat mes të miturve, dhe sipas OKB-së, “gratë çdo herë e më shumë janë subjekte të dhunës, brenda dhe jashtë shtëpisë”.

Sipas organizatës, pengesat në qasjen në kujdes shëndetësor për gratë do ta rrisin për 50 për qind shkallën e vdekshmërisë së grave në Afganistan deri më 2026.

Në periudhën e fundit është raportuar për plot vdekje për shkak të komplikimeve gjatë shtatzënisë, të cilat janë të parandalueshme.

Mungesa e specialisteve pritet të vërehet edhe më shumë në të ardhmen e afërt, pasi talibanët ua kanë ndaluar grave shkuarjen në universitet dhe i kanë mbyllur shkollat private që kanë ofruar profilizime në infermieri dhe punë në laboratorë.

Agjencia e OKB-së për gratë ka paralajmëruar se rezultati i politikave shtypëse të talibanëve ndaj grave në Afganistan është “shkatërrues”.

“Gratë po jetojnë më pak dhe kanë më tepër probleme shëndetësore”, ka thënë ajo.

Situata e grave dhe vajzave në Afganistan po bëhet “gjithnjë më e papërshtatshme” nën talibanët, ka thënë OKB-ja, duke paralajmëruar që nëse nuk merren veprime urgjente, ky realitet i rëndë do të normalizohet, dhe si përfundim gratë dhe vajzat do të përjashtohen tërësisht nga jeta publike./rel

Mbyllet kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për shkak të zjarreve

By: b b
15 August 2025 at 17:30

Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar në Kosovë ka bërë të ditur se në pasditen e së premtes është mbyllur pika kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në Glloboqicë, për shkak të përhapjes së zjarreve.

Përmes një postimi në Facebook, kjo organizatë qeveritare ka thënë se është njoftuar nga pala maqedonase se zjarret janë afruar afër rrugës së fshatit Jazhincë, ndërsa vendimin për mbylljen e kufirit e ka marrë Ministria e Punëve të Brendshme.

Vendet e Ballkanit dhe një pjesë e mirë e kontinentit evropian po përballen këtë javë me temperatura rreth apo mbi 40 gradë Celsius.

Agjencia për Menaxhim Emergjent në Kosovë ka bërë të ditur më 14 gusht se i ka regjistruar 61 vatra zjarri, dhe që shumica janë lokalizuar.

Një ekip i Radios Evropa e Lirë e ka vizituar të martën fshatin Kçiq në Mitrovicë për t’i parë nga afër dëmet që i kanë shkaktuar zjarret në atë zonë.

Disa banorë janë shprehur shumë të shqetësuar, duke thënë se kanë humbur gjithçka që kanë pasur.

Në Shqipëri dhe Mal të Zi është raportuar edhe për viktima në përpjekjet për shuarje zjarresh, ndërsa qindra mijëra hektarë tokë janë djegur.

Autoritetet në disa shtete kanë thënë se disa zjarre janë nisur edhe qëllimshëm dhe tashmë i kanë arrestuar disa persona që dyshohen për këtë shkelje.

Shkencëtarët për klimën kanë thënë disa herë se disa dekada të nxjerrjes së gazrave serrë në atmosferë, kanë ndikuar në rritje të temperaturave globale.

Bota është ngrohur për 1.1 gradë Celsius në krahasim me epokën industriale, ndërsa shtetet synojnë që ta mbajë atë nën 1.5 gradë Celsius, për të shmangur katastrofa të mëdha natyrore./rel

Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq, reagon shkolla: Shembull i shpirtit të pastër

By: b b
15 August 2025 at 17:11

Shkolla e Mesme e Bashkuar “Tafil Rexhepi”, ka reaguar për humbjen e jetës së 14-vjeçarit në Maliq të Korçës si pasojë e goditjeve të marra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, institucioni shkruan se viktima ishte një nxënës shembullor, larg mosmarrëveshjeve dhe me ëndrra.

Në mesazhin prekës, thuhet po ashtu se banka ku ai ulej do të mbetet bosh, por kujtimet do të mbajnë gjithmonë dritën që ai u fali të gjithëve.

Reagimi i plotë:

“Lamtumirë, ylli ynë i ndritur Erald!

Sot zemrat tona janë më të rënda se kurrë. Humbëm jo thjesht një nxënës, por një djalë të mrekullueshëm, plot ëndrra, buzëqeshje dhe mirësjellje. Ti ishe shembull i përkushtimit, i dashurisë për dijen dhe i shpirtit të pastër.

Shkolla nuk do të jetë më e njëjta pa ty. Banka ku uleshe do të mbetet bosh, por kujtimet tona do të jenë gjithmonë plot me dritën që ti fale.

Fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur dhimbjen, por ti do të mbetesh përjetësisht në zemrat tona.

🕊 U prehsh në paqe!

Ti nuk u largove, por u bëre engjëlli më i bukur i Parajsës!

Ngushëllime familjarëve! Jemi bashkë me ju në këtë dhimbje të madhe”.

Trump bisedë telefonike me Lukashenkon para samitit me Putinin

By: b b
15 August 2025 at 16:46

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka biseduar të premten me liderin bjellorus, Alexander Lukashenka – aleat i ngushtë i Vladimir Putinit – disa orë para samitit të Trumpit me Putinin që do të zhvillohet në Alaskë.

Bisedën telefonike e kanë konfirmuar të dyja palët.

Trump ka thënë përmes një postimi në X  se qëllimi i bisedës ka qenë që ta falënderojë liderin bjellorus për lirimin e 16 të burgosurve.

“Po diskutojmë për lirimin e 1.300 të burgosurve tjerë. I kemi diskutuar disa çështje, përfshirë vizitën me Putinin në Alaskë. Mezi pres ta takoj presidentin Lukashenka në të ardhmen”, ka shkruar Trump.

Trump dhe Putin do të takohen ballë për ballë për t’i diskutuar mënyrat për dhënien fund të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Shqipëria dhe Serbia, më të rrezikuarat nga ndryshimet klimatike

By: b b
15 August 2025 at 16:33

Një raport i Bankës Botërore rendit Shqipërinë dhe Serbinë si dy vendet që preken më shumë nga ndryshimet klimatike. Raporti identifikon 6 rreziqet me të cilat pritet të përballet vendi ynë deri në vitin 2050. Siç duket nga ky dokument, vendi ynë rrezikohet nga vapë ekstreme vjetore me ditë të nxehta, duke sjellë pasoja në prodhimet bujqësore.

Për sa u përket zjarreve, Banka Botërore ka përcaktuar se jugu i Shqipërisë është më i rrezikuari. Nga viti në vit, Shqipëria po përjeton rritje të temperaturave me të paktën 3 gradë.

Popullsia shqiptare sipas raportit rrezikohet edhe nga përmbytjet, sidomos në zonat bregdetare. Ndryshimet klimatike pritet të kenë efekte edhe në rrjetin e transportit.

Raporti i Bankës Botërore analizon 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas së cilit rreziqet në rritje të motit, si nxehtësia ekstreme, thatësirat, përmbytjet dhe reshjet, do të kenë pasoja edhe në ekonomi. Produktiviteti i punëtorëve do të zvogëlohet, rreziqet e shëndetit në punë do të rriten, ndërsa do të ketë ndikim edhe në sektorët kryesorë ekonomikë që varen nga kushtet e motit, si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi.

Po ashtu, vendet e varura nga hidroenergia, si Mali i Zi dhe Shqipëria, sipas Bankës Botërore, do të përballen me vështirësi për shkak të rënies së ujit.

Tv Klan

Spanja po lufton me 14 zjarre të mëdha në “kushte të pafavorshme”

By: b b
15 August 2025 at 16:21

Spanja është duke u përballur me 14 zjarre të mëdha dhe autoritetet paralajmëruan të premten se “kushte të pafavorshme” po e bëjnë më të vështirë luftimin tyre.

Si pasojë e zjarreve kanë humbur jetën shtatë njerëz këtë muaj në Spanjë.

Vala e të nxehtit, që ka zgjatur 12 ditë, dhe erërat nga jugu, e kanë bërë edhe më sfiduese punën e zjarrfikësve në një nga verat më të vështira për zjarret në 20 vjetët e fundit, tha Virginia Barcones, drejtoreshë e përgjithshme e shërbimeve të emergjencës.

“Në pjesën perëndimore të vendit, situata është jashtëzakonisht shqetësuese”, tha Barcones për RTVE.

Në Galicia, disa vatra zjarri u bashkuan duke formuar një zjarr edhe më të madh, i cili detyroi mbylljen e rrugëve dhe shërbimeve hekurudhore drejt rajonit. Zjarret në provincën Ourense në Galicia u përhapën deri në provincën fqinje Zamora.

Derisa shumë banorë u evakuuan, disa qëndruan për t’i mbrojtur shtëpitë e tyre.

Kushtet po shkaktojnë përhapjen e zjarreve me shpejtësi të tillë, sa që zjarrfikësit mund të humbasin kontrollin brenda pak kohësh.

Dy persona u arrestuan në Costa da Morte në Galicia për shkaktim të zjarreve, pasi dogjën jashtëligjshëm kabllo bakri për të nxjerrë metalin dhe për ta shitur, sipas Ministrisë së Brendshme.

Zjarret këtë vit kanë djegur mbi 157.000 hektarë, pothuajse dyfishin e mesatares vjetore që nga viti 2006, sipas Shërbimit të Informacionit mbi Zjarret Pyjore të Bashkimit Evropian./rel

Futën mallra kontrabandë nga Greqia, në pranga dy persona në Kapshticë

By: b b
15 August 2025 at 16:04

Shërbimet e Policisë Kufitare në Kapshticë kanë arrestuar 2 shtetas, pasi tentuan të fusnin kontrabandë në Shqipëri produkte ushqimore, medikamente, produkte medicinale për bimët, ikona kulti dhe disa aparate celularë.

Mësohet se janë sekuestruar mallrat e futura kontrabandë, të fshehura në automjetet që këta shtetas drejtonin.

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kanë intensifikuar kontrollet në kufirin jeshil dhe në pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar automjetin me drejtues shtetasin D. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Papër, Elbasan dhe një autobus me drejtues shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Drenovë,Korçë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u konstatuan të fshehura një sasi produktesh ushqimore dhe produkte medicinale për bimët, të cilat shtetasi D. Ç., tentonte t’i fuste në Shqipëri pa i deklaruar.

Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin që drejtohej nga shtetasi A.K, u konstatuan të fshehura në pjesën e brendshme të derës së autobusit, një numër i konsiderueshëm ikonash kulti, një sasi medikamentesh, 2 aparat celularë dhe disa pajise automjetesh, të cilat shtetasi A. K., tentoi t’i fuste kontrabandë në Shqipëri, pa i deklaruar në kundërshtim me ligjin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit:
D. Ç., për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuar” dhe “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe A. K., për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”.

Mallrat e konstatuara dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit E., Z., 30 vjeç, banues në Korçë, R. Ç., 35 vjeç, banues në Pogradec, dhe G. B., 35 vjeç, banues në Elbasan për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror””, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al

Pesë gjëra që duhet t’i dini para samitit Trump – Putin

By: b b
15 August 2025 at 15:42

Këto janë gjërat kryesore që duhet t’i dini para takimit të presidentit amerikan, Donald Trump me presidentin rus, Vladimir Putin ballë për ballë.

Çfarë dëshiron Putini?

Shumë analistë e shohin takimin me Trumpin si fitore për Putinin, teksa lideri rus tenton t’i japë fund izolimit ndërkombëtar.

“Asnjë lider perëndimor nuk është takuar me Putinin prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkallë të plotë. Tani ai e zhvillon një samit me presidentin amerikan, pa ndonjë koncesion paraprak”, ka thënë Jana Kobzova, e cila ka shërbyer si këshilltare për politikë të jashtme për ish-presidenten sllovake, Zuzana Çaputova.

Përtej kësaj, synimi i Putinit vazhdon të mos ndryshojë qysh prej fillimit të luftës.

“Kremlini beson se është në epërsi në fushëbetejë, prandaj nëse nuk mund të bëjë lëshime diplomatike, ai vetëm vazhdon misionin në terren”, ka thënë Kobzova.

Për këtë arsye, Putini pritet t’i rezistojë idesë së pranimit të armëpushimit.

Çfarë dëshiron Trumpi?

Trump ka thënë se dëshiron ta shfrytëzojë këtë samit për ta shtruar rrugën për një takim tjetër që do ta përfshinte edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Besoj që do të jetë takim i mirë, mirëpo edhe më i rëndësishëm do të jetë takimi i dytë që do ta kemi. Do ta kemi një takim me presidentin Putin, presidentin Zelensky, mua, dhe ndoshta do t’i ftojmë edhe liderët evropianë, ndoshta jo”, ka thënë Trump më 14 gusht.

Trump e ka bërë të qartë se dëshiron të arrijë një armëpushim sa më shpejt që është e mundur, si hap i parë drejt zgjidhjes përfundimtare. Mirëpo, disa analistë kanë thënë se Putini do t’i trazojë ujërat duke bërë propozime tjera.

Jim O’Brien, zyrtari që ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështje evropiane në administratën e Joe Bidenit, ka thënë se ka shumë mundësi që në propozimet e Putinit të dominojë aspekti financiar, si mundësi për t’i shmangur hollësitë konkrete të ndonjë armëpushimi.

“Mund të ketë marrëveshje bilaterale, sidomos për marrëveshje tregtare prej të cilave përfitojnë bizneset amerikane”, ka thënë ai.

Çfarë kërkon Zelensky?

Presidenti ukrainas dëshiron ta ketë një ulëse në tavolinë. Zelensky është përjashtuar nga bisedimet dhe ka paralajmëruar se vendimet që merren në mungesë të tij do të jenë pa asnjë kuptim.

Çështja e koncesioneve territoriale është diçka që Zelensky e ka hedhur poshtë vazhdimisht. Trump ka thënë para samitit se nuk do ta detyrojë Kievin të dorëzojë tokë, mirëpo sugjerimi i tij se Putini dhe Zelensky “mund t’i ndajnë gjërat”, e ka rritur alarmin në Kiev.

Kërkesa të tilla janë të papranueshme jo vetëm për Zelenskyn, por edhe për të gjithë ukrainasit.

Ai shpreson që Trumpi dhe Putini nuk do të pajtohen për diçka që për të është e papranueshme, sepse nuk dëshiron të duket në sytë e Shtëpisë së Bardhë si njeriu që po e pengon procesin e arritjes së paqes.

Si është situata në fushëbetejë?

Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, që përbën afërsisht 114.500 kilometra katrorë.

Vija e frontit të luftës është rreth 1.000 kilometra e gjatë dhe kalon nëpër rajonet e Harkivit, Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjas dhe Hersonit.

Të dyja palët vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha, mirëpo më herët gjatë muajit Rusia ka nisur të shënojë fitore në lindje të Ukrainës, duke avancuar 10 kilometra, teksa ushtria koncentrohet rreth rajoneve të Toretskut dhe Pokrovskut.

Moska vazhdon ta çojë përpara strategjinë që analistët ushtarakë e kanë parë si tregtim të shumë viktimave në luftë, në këmbim të një pjesë të vogël të tokës.

Çfarë ndodh tani?

Trump ka propozuar një takim të dytë trepalësh brenda pak ditësh, i cili mund të mbahet sërish në Alaskë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka folur më shumë më 14 gusht për kushtet që duhet të plotësohen për të arritur te paqja e qëndrueshme.

“Besoj se të gjithë jemi në dijeni që do të ketë diskutime për garanci të sigurisë. Duhet të diskutohet edhe për kontestet territoriale dhe pretendimet për të cilat luftojnë të dyja palët”, ka thënë Rubio.

Rusia do të vazhdojë të insistojë në diskutimin e asaj që e konsideron “rrënjën” e konfliktit – kod i Kremlinit përmes së cilit kërkon që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO, si dhe marrjen e hapave për çarmatosje të ushtrisë ukrainase.

Secila palë i ka vijat e kuqe, prandaj rruga deri te arritja e paqes nuk është e lehtë./REL

Protestat në Serbi/Daçiç: Mes të ndaluarve ka qytetarë të Kroacisë dhe Sllovenisë

By: b b
15 August 2025 at 15:33

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të premten se 114 njerëz janë arrestuar pas incidenteve në protesta në të gjithë Serbinë, në mesin e tyre tre shtetas të huaj, nga Kroacia, Sllovenia dhe Italia.

“Çfarë po bën një qytetar kroat në një protestë dhe duke sulmuar xhandarmërinë? Imagjinoni sikur një turmë serbe nga këtu të shkonte në Zagreb dhe ta sulmonte policinë e tyre”, tha Daçiq në një konferencë për media.

Të enjten mbrëma, në Beograd dhe Novi Sad u shënuan sërish incidente gjatë protestave kundër Qeverisë serbe, të thirrura nga studentët që prej muajsh po bllokojnë institucionet e arsimit të lartë.

Daçiq tha se shtetasi slloven i ndaluar është me origjinë serbe dhe se ai “ka përfunduar studimet e inteligjencës në SHBA”.

“Kaq për mungesën e përfshirjes së huaj”, shtoi ai.

Sipas ministrit, 75 oficerë policorë u plagosën gjatë trazirave të së enjtes në mbrëmje dhe deri më tani janë ngritur 34 kallëzime penale dhe janë shqiptuar 28 kundërvajtje.

Ai shtoi se në tri ditët e mëparshme, 121 oficerë policorë u plagosën në incidente në protesta në të gjithë Serbinë, nëntë prej të cilëve rëndë.

Për tri mbrëmje radhazi, protesta antiqeveritare janë organizuar në qytete anembanë Serbisë, gjatë të cilave paralelisht u mblodhën edhe mbështetës të Qeverisë.

Gjatë këtyre tubimeve, të cilat u thirrën nga studentë dhe qytetarë që i mbështetën ata, shpërthyen disa incidente.

Protestat antiqeveritare të udhëhequra nga studentët kanë vazhduar në Serbi për më shumë se nëntë muaj, duke kërkuar që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e 16 nga shembja e një strehe betoni në stacionin e trenit në Novi Sad, më 1 nëntor.

Qeveria mohon përgjegjësinë për aksidentin dhe refuzon të shpallë zgjedhje të parakohshme, një nga kërkesat e fundit të organizatorëve të protestave masive./REL

Trump niset për në Alaska, ja kush po e shoqëron

By: b b
15 August 2025 at 15:11

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump është nisur drejt Alaskës për t’u takuar me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Sipas CNN, mësohet se avioni presidencial amerikan “Air Force One” është nisur nga baza ajrore Joint Base Andreës, me destinacion Alaskën, ku do të mbahet një samit i rëndësishëm me presidentin e Rusisë.

Ndërsa bëhej gati për të hipur në avion, Trump foli shkurt para gazetarëve, duke thënë se nuk po shkon të “negociojë në emër të Ukrainës”.

Ai nuk premtoi dhënien e garancive të sigurisë për Ukrainën si pjesë e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës, duke thënë se është i hapur për një ide të tillë.

Samiti midis delegacioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të hapet zyrtarisht në mbrëmjen e sotme duke përgatitur terrenin për një maratonë kontaktesh në format të ndryshme: nga bisedimet private midis dy udhëheqësve deri te diskutimet në grupe të zgjeruara.

Sipas programit të paracaktuar, punimet e seancës pritet të përfundojnë pas shtatë orësh. Në fund të konsultimeve , është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp , në të cilën të dy udhëheqësit do të paraqesin rezultatet e bisedimeve të tyre. Megjithatë, e gjithë kjo mbetet në dritën e fleksibilitetit diplomatik dhe zhvillimeve që mund të lindin gjatë ditës.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Thesarit Scott Bessant dhe Sekretari i Tregtisë Howard Latnick pritet ta shoqërojnë Trumpin në udhëtimin e tij në Alaska.

Presidenti amerikan do të shoqërohet gjithashtu nga Drejtori i CIA-s John Ratcliffe , Shefja e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles dhe Sekretarja e Shtypit Caroline Levitt, duke sinjalizuar përfshirjen e plotë të makinerisë më të lartë qeveritare në proces.

Ambasadorët Steve Witkoff dhe Monica Croëley do të marrin pjesë gjithashtu në samit, duke forcuar pjesën diplomatike të misionit.

Trazirat në Serbi, qeveria kundër protestuesve, dënon tubimet në Beograd dhe Novi Sad

15 August 2025 at 16:36

SERBI- Qeveria serbe është e koordinuar në qëndrimin e saj kundër protestuesve. Kryeministri serb Đuro (GJURO) Macut ka dënuar ashpër trazirat në Beograd dhe Novi Sad

Sipas tij ne vend nuk po zhvilloheshin protesta paqësore, por ka vetëm grumbullime huliganësh, qëllimi i të cilëve është prishja e rendit dhe qetësisë publike.

Kur sulmon policinë, sulmon shtetin tha Macut, duke shtuar se nuk do të lejojnë qe ata që kanë mbrojtur me përgjegjësi dhe përkushtim sigurinë e qytetarëve të fyhen dhe të poshtërohen. Kjo sjellje meriton çdo dënim, theksoi kryeministri serb.

Ndërsa Ministri Ivica Daçiç iu drejtua qytetarëve për herë të dytë gjatë natës dhe tha se të paktën 42 oficerë policie u plagosën, disa prej të cilëve rëndë, dhe se deri më tani janë arrestuar me shume se 30 persona, ndërsa operacionet për kapjen e tyre vazhdojnë.

Sipas Dacic, një prej njerëzve më të besuar të presidentit Aleksandër Vucic, organizimi i fundit ishte një nga sulmet më të dhunshme ndaj policisë këto vite, ndërsa mes te arrestuarve ishte edhe një shtetas kroat, duke ngritur edhe njëherë pretendimin e tyre se këto protesta janë të sponsorizuara nga jashtë.

Protestuesit ne Novi Sad kane sulmuar edhe zyrat e Partisë Progresive Serbe, ndërsa tubime janë regjistruar edhe ne qytete si Nish apo Kraleve. Që prej 1 nëntorit 2024, kur u shënua tragjedia e Novi Sad, me 16 viktima, protestuesit nuk janë ndalur me kërkesën e tyre për zgjedhje të reja dhe rrëzimin e qeverise së korruptuar.

/abcnews.al/

VIDEO/ Zjarri në Mirditë, prej orësh avioni italian “Canadair” ka ndërhyrë për të shuar flakët

15 August 2025 at 15:55

Ekipet zjarrfikëse janë ende të angazhuara për të neutralizuar plotësisht vatrat e zjarrit në Mirditë.

Përveç ndërhyrjes nga toka, është ndërhyrë edhe nga ajri. Prej disa orësh avioni italian “Canadair” operon në zonë për të shuar zjarret.

Ndërkohë situata me zjarret orët e fundit është përmirësuar. Në 24 orë janë raportuar 28 vatra zjarri , nga të cilat 3 vatra janë aktive dhe 6 janë në monitorim.

/abcnews.al/

VIDEO/ Digjet banesa në Përrenjas, shpëtojnë mrekullisht familjarët

15 August 2025 at 15:48

Një banesë është djegur plotësisht pasi është përfshirë nga zjarri. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Godovush në Prrenjas.

Familja prej tre personash kanë arritur të shpëtojnë mrekullisht.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit ndërsa policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

/abcnews.al/

Prag samiti SHBA-Rusi, Zelensky: Ne po mbështetemi te Amerika, ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës

15 August 2025 at 15:27

Sytë e botë janë kthyer në takimin që pritet të mbahet në Alaskë mes presidentit Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin. Zhvillimet ndiqen hap pas hapi deri në një pritje përfundimtare të këtij takimi, pasi shpresat janë të mëdha për arritjen e një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Presidenti Volodymir Zelensky në prag të këtij Samiti është shprehur i qartë se Ukraina mbështetet te SHBA. Ndonëse më herët ka kritikuar Rusinë dhe presidentin rus Vladimir Putin se qëllimi i tij kryesor nuk është paqja, por të fitojë sa më shumë kohë. Presidenti ukrainas nuk është i ftuar në këtë takim që do zhvillohet mbrëmjen e sotme në Alaskë.

“Gjëja kryesore është që ky takim të hapë një rrugë të vërtetë drejt një paqeje të drejtë dhe një diskutimi thelbësor midis udhëheqësve në një format trepalësh – Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe pala ruse.  Është koha për t’i dhënë fund luftës dhe Rusia duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm. Ne mbështetemi te Amerika. Ne jemi të gatshëm, si gjithmonë, të punojmë sa më produktivisht të jetë e mundur.”, tha ai.

/abcnews.al/

Shoqëruesit e dy presidentëve, delegacione të nivelit të lartë në Alaskë

15 August 2025 at 15:17

Në tryezën e negociatave SHBA – Rusi këtë të premte në Alaska nuk do të diskutohet vetëm fundi i luftës në Ukrainë, por gjithashtu edhe një sere çështjesh dy palëshe në lidhje me marrëdhëniet mes Moskës dhe Washingtonit.

Ndonëse Trump dhe Putin do të mbajnë një takim kokë më kokë këtë të premte, të dy presidentët janë të shoqëruar nga delegacionet e tyre. Shtëpia e Bardhë zbuloi në nisje të avionit presidencial drejt Alaskës se Donald Trump po shoqërohet në këtë udhëtim nga Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio, i dërguari i Trump për Lindjen e Mesme Stevce Witkoff, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick si dhe kreu I CIA-s John Ratcliffe.

Pjesëtarë të tjerë të delegacionit Amerikan janë edhe sekretarja e Shtypit për Shtëpinë e Bardhë Karoline Leavittt, Susie Wiles shefe e stafit presidencial si dhe këshilltarë politik  dhe anëtarë të tjerë të zyrës së shtypit.

Me disa përjashtime të vogla, pothuajse të njëjtën strukture ka edhe delegacioni Rus sipas asaj që kanë zbuluar mediat ndërkombëtare. Vladimir Putin është i shoqëruar në këtë udhëtim nga Ministri i Jashtëm Rus Sergei Lavrov, ndihmësi i Kremlinit Yuri Ushakov, Ministri i Mbrojtes Andrei Belousov dhe Ministri I financave Anton Siluanov. Pjesë e delegacionit të Moskës sipas fotove të publikuara është edhe Zëdhënësi i Kremlinit Dimitry Peskov, i sanksionuar më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përhapje të propagandës Ruse.

Përbërja e dy delegacioneve sipas asaj që shkruajnë mediat ndërkombëtare tregon se mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara do të ketë diskutime sa i përket marrëdhënies ekonomike dhe diplomatike mes dy vendeve. Vetë Vladimir Putin hodhi te enjten  idenë e një marrëveshjeje të re për kontrollin e armëve bërthamore, për të zëvendësuar traktatin e fundit ekzistues, që skadon në shkurt të vitit të ardhshëm.

Kreu i Kremlinit ndonëse se pranon, vijon te jetë i shqetësuar mbi pasojat që sanksionet Perëndimore kanë lënë mbi ekonominë e vendit të tij.

Ndërsa vetëm disa orë na ndajnë nga takimi i cili ka marrë vëmendjen e mbarë botës, do të jetë konferenca e mundshme për Shtyp mes Donald Trump dhe Vladimir Putin ajo që do të tregojë marrëveshjet e arritura mes palëve.

Turizmi rrit punësimin, Banka Botërore: Më shumë zhvillim në Berat, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë

15 August 2025 at 15:12

Turizmi ka përmirësuar gjendjen ekonomike të komuniteteve të ndryshme në Shqipëri por edhe ka krijuar një sërë vendesh pune.

Në një raport të fundit Banka Botëror thekson se Mundësia e krijuar nga zhvillimi i turizmit të trashëgimisë sidomos në Shqipërinë Jugore dhe investimet e sektorit privat kanë përmbysur gjithashtu rënien e popullsisë së rajonit, duke vepruar si një magnet për tërheqjen e të rinjve apo të  kthyerve nga emigrimi.

Sipas Bankës Botërore Turizmi në Shqipëri  po lulëzon, ndërsa referuar të dhënave Shqipëria pati një rritje prej 82% të mbërritjeve turistike në vitin 2024 krahasuar me vitin 2019. Në jug të Shqipërisë, shifrat janë edhe më mbresëlënëse, me Beratin që ka parë gati katër herë më shumë turistë në të njëjtën periudhë kohore dhe gjashtë herë më shumë që vizitojnë Gjirokastrën.

Ky fluks, i inkurajuar nga përpjekjet e udhëhequra nga sektori publik, po tërheq investime më të mëdha në sektorin privat. Sipërmarrja lokale po lulëzon, me familjet që i shndërrojnë shtëpitë historike në hotele me mëngjes, duke lançuar përvoja kulinare dhe kulturore, dhe madje duke investuar në infrastrukturë të re si shtigje për ecje dhe biçikleta, autobusë elektrikë, varka dhe së shpejti zipline-e funksionale, të cilat po nxisin rritjen në fusha si turizmi aventuresk dhe rekreacioni në natyrë.

Banka Botërore në një analizë të bërë për  investimet e kryera në Shqipëri për këtë sektor  thekson se në partneritet me Qeverinë, ka ndihmuar në restaurimin e vendeve historike, përmirësimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e shërbimeve turistike – duke sjellë mundësi të reja ekonomike dhe vende pune për komunitetet përreth qyteteve të Beratit, Gjirokastrës, Përmetit dhe Sarandës.

/abcnews.al/

Si e arsyeton Specialja pranimin e dokumenteve nga autoritetet serbe?

By: b b
15 August 2025 at 14:51

Si rrallë ndonjëherë, autoritetet e Kosovës janë mobilizuar ditëve të fundit dhe e kanë kundërshtuar njëzëri vendimin e Gjykatës Speciale për të pranuar dokumente prej autoriteteve të Serbisë, në cilësinë e provave materiale.

Gjykata Speciale – me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë – është e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015, por funksionon në Hagë të Holandës dhe i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Rasti kryesor në Hagë po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Gjykata e ka konfirmuar se i ka pranuar dokumentet serbe për këtë rast.

Çfarë tha gjykata?

Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se paneli gjyqësor e ka marrë vendimin për pranimin e materialeve serbe më 29 maj dhe se u takon prokurorisë dhe mbrojtjes të zgjedhin se cilat prova duan t’i përdorin për t’i mbështetur rastet e tyre përkatëse.

Ajo ka thënë se provat pranohen mbi parimin “prima facie” që do të thotë, sipas përshtypjes së parë, por kjo nuk do të thotë se ato do të përdoren me domosdo në aktgjykim.

“Paneli gjyqësor konstatoi se dokumentet në fjalë janë të rëndësishme, për shembull, për vlerësimin nga paneli të ekzistencës së një konflikti të armatosur midis UÇK-së dhe forcave serbe të paktën nga marsi 1998 deri në shtator 1999, siç parashtrohet në aktakuzën e konfirmuar”, ka thënë ajo në përgjigje.

Griep e ka cituar panelin gjyqësor të ketë thënë se dokumentet janë autentike – kanë datë, vulë, titull, numër protokolli dhe janë të nënshkruara.

“Vlera provuese e këtyre materialeve do të varet, në masë të madhe, nga shkalla në të cilën pretendimet dhe informacioni që ato përmbajnë, mbështeten (ose kundërshtohen) nga prova të tjera”, ka thënë zëdhënësja.

Sipas dokumenteve të gjykatës, mbrojtja e ka kundërshtuar pranimin e dokumenteve shtesë, duke argumentuar se dokumentet shtetërore serbe do të duhej t’i nënshtroheshin një vlerësimi të shtuar kritik, për shkak të origjinës së tyre, dhe që shumë dokumente kanë lidhje minimale ose aspak me akuzat.

Çfarë thanë krerët shtetërorë?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka parë me shumë shqetësim vendimin e Speciales, duke thënë se është dëshmuar historikisht që secila provë e shtetit të Serbisë kundër popullit shqiptar dhe UÇK-së, është e falsifikuar.

“Ato e kanë vetëm një synim, që ta rishkruajnë historinë”, ka thënë Osmani në një konferencë për media më 5 gusht.

Sipas ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vendimi i Speciales ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit.

Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) e ka kritikuar gjithashtu këtë vendim dhe e ka cilësuar një arsye më tepër për organizimin e protestës së 7 gushtit në Prishtinë, në të cilën është bërë thirrje “për drejtësi”.

Reagimi i hapur i shoqërisë civile

Por, përtej deklaratave, shoqëria civile pret më shumë nga shteti.

Përmes një reagimi publik, Ramadan Ilazi, Armend Bekaj, Visar Xhambazi, Florian Qehaja, Besa Luzha, Besa Kabashi-Ramaj, dhe Gëzim Visoka, kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të reagojnë me një qëndrim të unifikuar dhe të koordinuar në mbrojtje të interesave kombëtare.

“Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) ka dokumentuar me prova të shumta se organe të shtetit serb, si Ministria e Brendshme dhe mekanizma të tjerë të sigurisë, kanë qenë të përfshirë në krime sistematike kundër civilëve shqiptarë të Kosovës.

Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga institucione që janë implikuar drejtpërdrejt në spastrimin etnik, krime lufte, fushata dezinformimi dhe mohimin e të drejtës së Kosovës për të ekzistuar si shtet, rrezikon seriozisht besimin publik në integritetin e procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara (Gjykatën Speciale)”, është thënë në reagimin publik.

I pyetur se çfarë konkretisht kërkojnë nga institucionet shtetërore, Ramadani Ilazi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se çështja më urgjente tani është konsolidimi i institucioneve të Kosovës.

“Kuvendi të konstituohet, të formohet Qeveria, sepse situata në të cilën ne jemi, tregon një nivel të lartë të brishtësisë së Kosovës në raport me çfarëdo procesi tjetër”, ka thënë ai.

Si hap të dytë, Ilazi e ka përmendur formimin e një grupi punues nga Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca, që do t’i shqyrtonte çështjet legjislative që ndërlidhen me funksionimin e gjykatës.

Prokuroria e ka përmbyllur paraqitjen e provave në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së në prill të këtij viti dhe tani rendin e ka mbrojtja, për të cilën shteti i Kosovës i ka ndarë rreth 33 milionë euro.

Prej themelimit të saj, Gjykata Speciale i ka lëshuar disa aktgjykime për krime lufte si dhe për pengim të drejtësisë.

Ajo financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian, me kontribute shtesë nga disa shtete të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara./REL

❌
❌