Një vit pas atentatit të 13 korrikut 2024 në Butler, Pennsylvania, që i mori jetën një mbështetësi dhe e la të plagosur vetë Donald Trump, Presidentin e SHBA-ve vazhdon ta përshkruajë atë ngjarje si një moment që ndryshoi jo vetëm fushatën, por edhe vetë atë si lider politik dhe si njeri.
Në momentin kur plumbi i atentatorit kaloi centimetra pranë kokës së tij, Trump ishte duke parë një grafik mbi emigracionin, i vendosur në anën tjetër të skenës. Ky kthim koke i shpëtoi jetën, dhe shumë nga ndjekësit e tij e konsideruan këtë “dorë të Zotit”.
“Ndodhi një bashkësi rrethanash që shmangu tragjedinë. Ai flet gjithmonë për ndërhyrje hyjnore,” deklaroi drejtori i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Steven Cheung.
Atentatori 20-vjeçar, Thomas Matthew Crooks, u qëllua për vdekje nga shërbimi sekret në vendngjarje. Përveç Trumpit, nga të shtënat humbi jetën edhe një qytetar, Corey Comperatore, dhe u plagosën dy persona të tjerë. Ngjarja tronditi skenën politike amerikane dhe u pa si një pikë kthese në fushatën zgjedhore presidenciale të vitit 2024.

Vetëm dy ditë pas atentatit, Trump u rikthye në skenën politike, duke u shfaqur në Konventën Republikane në Milëaukee, në një hyrje spektakolare që simbolizonte rikthimin e tij si një “kampion” i papërkulur. Që nga ajo ditë, retorika e tij ka përfshirë gjithnjë e më shumë referenca fetare dhe misionare. Ai ka përshkruar shpëtimin nga vdekja si një thirrje hyjnore për të “shpëtuar Amerikën”.
“Nuk dua të them se ishte vetëm rastësi. Më pëlqen të besoj se ishte Zoti. Ai po na shikon,” deklaroi Trump në një intervistë, duke shtuar se përvoja e ka forcuar shpirtërisht dhe politikisht: “Ndryshoi diçka brenda meje. E ndjej veten më të fortë.”

Pas atentatit, siguria në tubimet e tij u përforcua ndjeshëm, ndërsa për disa javë ato u mbajtën në ambiente të mbyllura. Më vonë, me vendosjen e barrierave të blinduara, Trump rifilloi mitingjet karakteristike, edhe pse u duk herë pas here i ndjeshëm ndaj lëvizjeve të papritura nga audienca.
Ngjarja në Butler u përdor nga përkrahësit për të theksuar një dimension “mistik” të lidershipit të tij. Ndër ta, edhe Elon Musk, i cili e mbështeti hapur vetëm një ditë pas atentatit dhe u shfaq krah tij në një tubim tre muaj më vonë.

Pavarësisht momenteve ku u përpoq të promovonte unitetin kombëtar, Trump shpejt iu rikthye sulmeve të ashpra ndaj kundërshtarëve, sidomos Joe Biden dhe Kamala Harris. Megjithatë, bashkëpunëtorët e afërt thonë se ajo që mbeti nga 13 korriku ishte një ndjenjë më e thellë misioni.

“Pas atij momenti, ai e ndjeu edhe më fort përgjegjësinë për të punuar në emër të popullit,” u shpreh Steven Cheung. “Misioni i tij mori një rëndësi edhe më të madhe.”/abcnews.al