Normal view

Berisha për ndarjen nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti: Profesionist i guximshëm

TIRANË,19 korrik /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehu ngushëllimet për ndarjen tragjike nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti, duke e cilësuar atë një profesionist të talentuar dhe një zë të rëndësishëm të qytetarëve të Vlorës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se kjo është një ditë zie për familjen Mehmeti, për gazetarinë dhe median në vend, si dhe për qytetin e Vlorës.

“Enrik Mehmeti do të mbahet mend gjithmonë nga familja dhe qyteti i tij si bir, bashkëshort, prind dhe qytetar shembullor, si një gazetar i talentuar, i guximshëm dhe avokat i vërtetë i interesit publik të qytetarëve të Vlorës”, shkroi Berisha.

Ai i shprehu ngushëllimet familjes, të afërmve dhe kolegëve të gazetarit, duke uruar që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar.

Gazetari Enrik Mehmeti u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti me motor në zonën e Porto Novës, në Zvërnec të Vlorës.

/gj.m/j.p/

The post Berisha për ndarjen nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti: Profesionist i guximshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti në Vlorë

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në homazhet e zhvilluara për gazetarin Enrik Mehmeti, në teatrin “Petro Marko” në Vlorë.

Pas daljes nga ambientet e teatrit, Rama në dalje i ka shprehur gazetarëve ngushëllime për humbjen e kolegut Enrik Mehmetit.

Gazetari Enrik Mehmeti u nda nga jeta pasditen e së shtunës, në moshën 40-vjeçare, pas një aksidenti me motor në zonën e Porto Novës, në Zvërnec.

Mehmeti ishte një nga zërat më të njohur të raportimit nga qarku i Vlorës. Për vite me radhë ai solli në ekranin e News24 zhvillimet më të rëndësishme të jugut të vendit, nga kronika e zezë dhe operacionet policore, te çështjet sociale, politike dhe turistike.

Kolegët e kanë përshkruar gazetarin si një profesionist të përkushtuar, i njohur për praninë e tij në terren, raportimet e drejtpërdrejta dhe përpjekjen për të sjellë informacion të verifikuar edhe në situata të vështira.

Familjarë, miq dhe kolegë do t’i japin sot lamtumirën e fundit gazetarit Enrik Mehmeti.

/gj.m/

The post Rama në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Shqipëria, rezultat historik në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës në Shangai

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Shqipëria ka shënuar rezultat historik në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës (IMO 2026), e zhvilluar në Shangai, me ekipin kombëtar që u vlerësua me dy medalje bronzi dhe një medalje nderi.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku përgëzoi nxënësit shqiptarë për arritjen e tyre në këtë kompeticion ndërkombëtar.

Medaljet e bronzit u fituan nga nxënësit Marius Gjika dhe Jamarbër Rushitaj, ndërsa nxënësi Orest Sherko u vlerësua me Medalje Nderi.

Kryeministri Rama theksoi se ky është rezultati i dytë më i mirë i Shqipërisë në historinë e pjesëmarrjes në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, që prej vitit 1993, për sa i përket pikëve të grumbulluara nga ekipi shqiptar.

“Rezultat historik për Shqipërinë në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës, falë mendjeve të bukura të nxënësve tanë në matematikë”, shkroi Rama në reagimin e tij.

Pjesëmarrja dhe arritjet e ekipit shqiptar në IMO 2026 përbëjnë një tjetër sukses për nxënësit e talentuar në fushën e shkencave ekzakte dhe përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

/gj.m/j.p/

The post Rama: Shqipëria, rezultat historik në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës në Shangai appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohen 5 persona, dyshohet se mbajtën të mbyllur punonjësit e task-forcës së Tatimeve në Golem

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kavajës pasi dyshohet se kanë penguar dhe kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme brenda ambienteve të një resorti në Golem punonjës të task-forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ishin duke ushtruar detyrën.

Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e task-forcës, kanë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” shtetasit S. N., 34 vjeç, administrator i resortit; Z. J., 56 vjeç, shef finance; A. K., 56 vjeç, shef i sigurisë; si dhe dy punonjësit e sigurisë H. S., 64 vjeç dhe B. A., 57 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur dje, kur të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë penguar punonjësit e task-forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe i kanë mbajtur ata brenda ambienteve të resortit në Golem.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/gj.m/j.p/

The post Arrestohen 5 persona, dyshohet se mbajtën të mbyllur punonjësit e task-forcës së Tatimeve në Golem appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndihma e parë dhe siguria në det, Urgjenca Kombëtare ushtrim demonstrues në plazhin e Tales

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, dhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, morën pjesë në një provë ushtrimore të zhvilluar nga ekipet e Urgjencës Kombëtare në plazhin e Tales, në Lezhë.

Gjatë ushtrimit u demonstrua mënyra e reagimit të shpejtë në rastet e incidenteve në det, si dhe procedurat bazë për dhënien e ndihmës së parë për pushuesit.

Ekspertët e Urgjencës Kombëtare u prezantuan pushuesve hapat që duhet të ndiqen në raste rreziku, duke dhënë udhëzime për ndërhyrjen e menjëhershme dhe sjelljen e duhur deri në mbërritjen e ekipeve mjekësore.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për sigurinë gjatë sezonit veror dhe njohjen e veprimeve të para që mund të shpëtojnë jetë në rast incidentesh.

Aktiviteti është pjesë e masave të ndërmarra për rritjen e sigurisë shëndetësore gjatë sezonit turistik, me fokus parandalimin dhe reagimin efikas në situata emergjente.

/gj.m/j.p/

The post Ndihma e parë dhe siguria në det, Urgjenca Kombëtare ushtrim demonstrues në plazhin e Tales appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korça skenë e hapur, mbi 200 artistë nga pesë vende në Air Beat Festival

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Korça mirëpriti për dy net me radhë “Air Beat Festival – LuluFest”, aktivitet që e shndërroi qytetin në një skenë të hapur me parada dhe koncerte, duke sjellë atmosferë festive për banorët dhe vizitorët.

Në festival morën pjesë mbi 200 artistë nga Shqipëria, Italia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët interpretuan repertore të larmishme dhe prezantuan traditat muzikore të vendeve që përfaqësonin.

Paradat artistike dhe koncertet e organizuara në hapësirat publike të qytetit tërhoqën një numër të madh spektatorësh, duke e kthyer Korçën në një qendër të rëndësishme të aktiviteteve kulturore gjatë sezonit veror.

Air Beat Festival i shtohet kalendarit të pasur të aktiviteteve kulturore të Korçës, duke kontribuar në promovimin e qytetit si një destinacion tërheqës turistik dhe kulturor, si edhe në pasurimin e ofertës për vizitorët vendas e të huaj.

/gj.m/j.p/

The post Korça skenë e hapur, mbi 200 artistë nga pesë vende në Air Beat Festival appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ibrahimaj: Debatet ekonomike fitohen me fakte, jo me insinuata

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, reagoi sot në rrjetet sociale ndaj gazetarit Lutfi Dervishi, duke mbrojtur qëndrimet e saj mbi zhvillimet ekonomike në vend dhe duke theksuar se “debatet në ekonomi fitohen me fakte, jo me insinuata”.

Në reagimin e saj, Ibrahimaj kundërshton argumentet e gazetarit lidhur me pagat, pensionet, kursin e këmbimit dhe fuqinë blerëse, duke theksuar se ekonomia është një shkencë që mbështetet në të dhëna dhe analiza, jo në opinione.

Ministrja sjell të dhëna sipas të cilave paga mesatare mujore bruto në Shqipëri është rritur nga rreth 325 euro në rreth 963 euro, ndërsa kursi i këmbimit të euros ndaj lekut ka zbritur nga rreth 140 lekë në vitin 2014 në 93.55 lekë aktualisht.

Duke iu referuar debatit për varfërinë, Ibrahimaj sqaron se nuk ka deklaruar asnjëherë se me 140 euro në muaj një qytetar nuk është i varfër, por se ka cituar një tregues statistikor zyrtar të publikuar nga INSTAT, të ndërtuar sipas metodologjisë së Eurostat-it për matjen e rrezikut të varfërisë.

Sa i takon forcimit të lekut, ministrja thekson se ai është rezultat i një kombinimi faktorësh ekonomikë, si rritja e të ardhurave nga turizmi, remitancat, investimet e huaja, eksportet e mallrave dhe shërbimeve, të ardhurat nga puna, përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë dhe karakteristikat e tregut valutor shqiptar, duke shtuar se ky vlerësim mbështetet edhe nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ibrahimaj pranon ekzistencën e ekonomisë informale, por thekson se nuk ka analiza zyrtare që provojnë se kapitali kriminal është faktori kryesor i mbiçmimit të lekut. Sipas saj, pretendime të tilla kërkojnë prova dhe jo aludime.

Në përfundim të reagimit, ministrja nënvizon se kush ka prova për shkelje të ligjit duhet t’ua paraqesë institucioneve përgjegjëse, ndërsa debatet ekonomike duhet të zhvillohen mbi bazën e argumenteve dhe fakteve.

/gj.m/j.p/

The post Ibrahimaj: Debatet ekonomike fitohen me fakte, jo me insinuata appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plazhi i Semanit në Fier tërheq pushues me rërën kurative dhe detin e ngrohtë

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Plazhi i Semanit, 18 kilometra larg qytetit të Fierit, me hapësira pa fund bregdetare me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta është një tjetër destinacion turistik që tërheq pushues ditëve të verës.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ky plazh mjaft i preferuar nga qytetarët.

Plazhet Darzezë dhe Seman po kthehen gjatë viteve të fundit në të preferuarit e shumë turistëve të huaj, pasi janë plazhe të virgjëra me rërë të pastër dhe ujë të kthjellët.

Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë, eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme.

/gj.m/j.p/

The post Plazhi i Semanit në Fier tërheq pushues me rërën kurative dhe detin e ngrohtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Open Stage” për vajza rikthehet në “Shtëpinë e Futbollit”, FSHF hap dyert për talentet e reja

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë më 28 gusht, në “Shtëpinë e Futbollit”, seleksionimin “Open Stage” për vajza, një iniciativë që zhvillohet për të tretin vit radhazi me synimin për të identifikuar talentet e reja të futbollit shqiptar.

Në këtë seleksionim janë të mirëpritura të gjitha vajzat e datëlindjeve 2009, 2010, 2011 dhe 2012, të cilat do të kenë mundësinë të shfaqin talentin dhe potencialin e tyre përpara stafit teknik të Federatës.

Drejtori i Departamentit të Skautizmit në FSHF, Tefik Osmani, theksoi rëndësinë e këtij projekti për të ardhmen e ekipeve kombëtare.

“Seleksionimi ‘Open Stage’ për vajza është në vitin e tretë që Federata Shqiptare e Futbollit e organizon në ‘Shtëpinë e Futbollit’, këtë herë më 28 gusht. Qëllimi kryesor është t’u japim mundësinë të gjitha vajzave të datëlindjeve 2009, 2010, 2011 dhe 2012 të tregojnë talentin dhe potencialin e tyre.

Përveç kësaj, ky seleksionim na jep mundësinë të identifikojmë lojtare për të ardhmen e ekipeve kombëtare, por njëkohësisht edhe të zgjerojmë bazën e futbollisteve që ndjekim në mënyrë të vazhdueshme. Duke pasur parasysh se kemi shumë shqiptarë të shpërndarë në vende të ndryshme të botës dhe vajza që aktivizohen në akademi e klube me nivel të lartë, ky aktivitet na krijon mundësinë t’i vlerësojmë dhe t’i ndjekim nga afër. Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë kur ato vijnë nga çdo cep i botës për t’u bërë pjesë e këtij seleksionimi”, u shpreh Osmani.

/gj.m/j.p/

The post “Open Stage” për vajza rikthehet në “Shtëpinë e Futbollit”, FSHF hap dyert për talentet e reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Platforma e re e dialogut, mekanizëm midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të BE

TIRANË, 19 korrik /ATSH/  Komisioni Evropian ka hapur thirrjen për organizatat e shoqërisë civile që dëshirojnë të bëhen pjesë e Platformës së re të Shoqërisë Civile, një mekanizëm i përhershëm dialogu ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të Bashkimit Evropian.

Sipas delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, platforma synon të krijojë një forum për shkëmbimin e ideve dhe përvojave, diskutimin e sfidave me të cilat përballet shoqëria civile, monitorimin e zbatimit të Strategjisë së BE-së për Shoqërinë Civile, si dhe dhënien e kontributit në hartimin e politikave të ardhshme të Bashkimit Evropian.

Platforma është e hapur edhe për organizatat nga vendet e procesit të zgjerimit të BE-së. Dy vende janë rezervuar posaçërisht për organizatat që veprojnë në vendet kandidate dhe vendet kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përfshirë Shqipërinë.

Afati i fundit për paraqitjen e aplikimeve është 3 gusht 2026.

Komisioni Evropian fton organizatat e interesuara të informohen mbi kriteret dhe procedurat e aplikimit përmes faqes zyrtare të institucionit.

/gj.m/j.p/

The post Platforma e re e dialogut, mekanizëm midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia zbulon bazë armësh në Manzë, arrestohet një 20-vjeçar

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Baza”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, duke zbuluar në Manzë të Durrësit një bazë me arsenal armësh dhe municioni luftarak, që dyshohet se shërbente për furnizimin e grupeve kriminale.

Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi E. P., 20 vjeç, banues në Manzë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë sekuestruan katër pistoleta, një armë automatike model 56 (kallashnikov), një armë gjahu (shotgun), gjashtë krehëra, qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, një targë automjeti italiane dhe një aparat celular.

Sipas Policisë, baza e zbuluar dyshohet se përdorej për ruajtjen e armëve dhe municionit që furnizonin grupe kriminale.

Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.

Policia bën të ditur se hetimet vijojnë për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

/gj.m/j.p/

The post Policia zbulon bazë armësh në Manzë, arrestohet një 20-vjeçar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plazhe të sistemuara dhe shërbime të përmirësuara, Rama: Kartolinë verore nga Pogradeci

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Pogradeci, një nga destinacionet më të njohura me traditë në brigjet e liqenit të Ohrit, po tërheq këtë sezon veror një numër të lartë pushuesish vendas dhe të huaj, duke u konfirmuar si një nga pikat më të frekuentuara të turizmit liqenor në vend.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plazhet në Pogradec, ku shihen hapësira të sistemuara dhe çadra falas të vendosura në dispozicion të pushuesve.

Pogradeci ofron hapësira të lira për vizitorët, ujë të pastër dhe infrastrukturë të përmirësuar, ndërsa gjatë fundjavave frekuentimi arrin kulmin për shkak të temperaturave të larta.

Autoritetet vendore bëjnë të ditur se gjatë sezonit veror janë intensifikuar shërbimet e pastrimit, mirëmbajtjes dhe sigurisë në plazhet publike, me synimin për të garantuar kushte sa më të mira për pushuesit dhe vizitorët.

Pogradeci vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara të turizmit liqenor në Shqipëri, duke kombinuar bukuritë natyrore të liqenit të Ohrit me mikpritjen, kuzhinën tradicionale dhe ofertën turistike në zgjerim.

/gj.m/j.p/

The post Plazhe të sistemuara dhe shërbime të përmirësuara, Rama: Kartolinë verore nga Pogradeci appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: “Paketa e Maleve” krijon mundësi të reja për zgjerimin e sipërmarrjes

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se “Paketa e Maleve” po krijon mundësi të reja për sipërmarrësit që synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke përfituar nga lehtësitë dhe instrumentet mbështetëse që ofron qeveria.

Duke folur në panelin “Financimi i sipërmarrjes dhe partneriteti publik–privat”, në kuadër të aktivitetit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Demo tha se është rritur interesi i bizneseve të konsoliduara, veçanërisht në sektorët e agroturizmit, përpunimit dhe aktiviteteve të tjera ekonomike, për të investuar në zgjerimin e kapaciteteve.

Sipas tij, “Paketa e Maleve” u jep sipërmarrësve mundësinë të përfitojnë nga lehtësitë që ofron programi, përfshirë ato që lidhen me pronën, për të zgjeruar investimet ekzistuese ose për të zhvilluar projekte të reja turistike.

Demo theksoi se qeveria do të vijojë fushatat informuese në të gjithë territorin, me synim që bizneset të njihen me mundësitë e ofruara nga kjo paketë dhe të përfitojnë prej saj.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e asistencës teknike që do të ofrohet me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), për hartimin e planeve të biznesit dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për aplikim.

Ministri theksoi se bashkitë duhet të kenë një rol aktiv në zbatimin e Paketës së Maleve, duke kujtuar se ato mund të marrin pjesë deri në 25% si aksionere në projekte të caktuara.

Sipas tij, pushteti vendor duhet të hartojë projekte të qëndrueshme ekonomikisht, që gjenerojnë të ardhura dhe kontribuojnë në zhvillimin lokal, duke shfrytëzuar asetet publike dhe instrumentet financiare në dispozicion.

“Këto duhet të jenë histori suksesi që jo vetëm aktivizojnë asetet e bashkive, por edhe krijojnë të ardhura të reja dhe forcojnë financat e pushtetit vendor”, u shpreh Demo.

Ai shtoi se gjatë muajve të ardhshëm do të zhvillohen fushata sensibilizuese në të gjithë vendin, të drejtuara si ndaj sipërmarrjeve, ashtu edhe ndaj institucioneve publike, për të nxitur përdorimin e skemave të reja të financimit dhe zgjerimin e investimeve.

/gj.m/a.f/

The post Demo: “Paketa e Maleve” krijon mundësi të reja për zgjerimin e sipërmarrjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Shqipëria në nivelin më të ulët historik të vrasjeve me dashje

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka bërë publike të dhënat paraprake të raportit mbi kriminalitetin për 6-mujorin e parë të vitit 2026, duke theksuar se Shqipëria ka arritur nivelin më të ulët historik të vrasjeve me dashje, si rezultat i reformave të ndërmarra, forcimit të Policisë së Shtetit dhe investimeve në siguri.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministri Lamallari thekson se grafiku krahasimor i vrasjeve me dashje nga viti 2005 deri në vitin 2026 dëshmon transformimin e thellë të parametrave të rendit dhe sigurisë në vend.

“Nga një mesatare prej 49 vrasjesh me dashje në dekadën 2005–2014, sot kemi zbritur në vetëm 18 raste, në nivelet më të ulëta historike, ndërkohë që mesatarja për dekadën e fundit është më shumë se përgjysmuar në 23.4 raste”, thekson Lamallari.

Ministri nënvizon se këto rezultate nuk janë rastësi, por fryt i reformave të qeverisë shqiptare, mbështetjes së vazhdueshme për Policinë e Shtetit dhe vendosmërisë për të luftuar kriminalitetin.

“Kurrsesi që kjo nuk është rastësi, por rezultat i reformave të qeverisë shqiptare, përfshi mbështetjen dhe rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, investimeve që ne kemi bërë dhe vendosmërisë për të mos u zmbrapsur në luftën me kriminalitetin”, thekson ai.

Duke folur për projektin “Smart City”, Qendra e Komandimit dhe Kontrollit të të cilit u hap një ditë më parë, Lamallari deklaron se integrimi i inteligjencës artificiale, kamerave inteligjente dhe sensorëve të avancuar për zbulimin e të shtënave me armë zjarri do ta çojë vendin në një fazë të re të parandalimit dhe goditjes së krimit.

“Përmes teknologjisë, inovacionit dhe forcimit të institucioneve të zbatimit të ligjit, po krijojmë standarde sigurie të denja për një vend anëtar të familjes europiane, sikundër Shqipëria do të jetë brenda vitit 2030,” përfundon postimin, ministri i Punëve të Brendshme.

/gj.m/a.f/

The post Lamallari: Shqipëria në nivelin më të ulët historik të vrasjeve me dashje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hoxha takim me ministrin e Jashtëm të Serbisë: Deklarata të papranueshme të ministres serbe për Kosovën

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u takua në margjinat e Ministerialit për ​​rikthimin e terrorizmit politik me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç.

Të dy ministrat shkëmbyen mendime mbi zhvillimet aktuale dhe perspektivat e ardhshme.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha njoftoi se gjatë takimit ripërsëriti qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme të një anëtareje të qeverisë së Serbisë për Kosovën.

“Gjithashtu përsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje, retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe që bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”, thekson ministri i Jashtëm.

“Kjo është ajo që përfaqëson diplomacia: angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi”, shkruan Hoxha.

/gj.m/a.f/

The post Hoxha takim me ministrin e Jashtëm të Serbisë: Deklarata të papranueshme të ministres serbe për Kosovën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Korçës: Zbulohen 99% e veprave penale në maj-qershor, 8 operacione kundër kriminalitetit

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Vilson Bala, dhe drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, Gëzim Zhupaj, prezantuan sot rezultatet e punës së strukturave të Policisë Vendore dhe Policisë Kufitare për periudhën maj-qershor 2026, duke vënë në fokus luftën kundër kriminalitetit, sigurinë publike dhe menaxhimin e flukseve në kufi gjatë sezonit turistik.

Sipas drejtorit Bala, gjatë dy muajve janë evidentuar 380 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 376, ose 98.94%. Në total janë identifikuar 369 autorë, ku 65 janë arrestuar ose ndaluar, 296 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 8 janë shpallur në kërkim.

Në fushën e luftës kundër narkotikëve janë evidentuar 16 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike, me 22 autorë të proceduar, ndërsa kontrollet për parandalimin e kultivimit të cannabis-it kanë çuar në zbulimin e një ambienti me bimë cannabis në proces tharjeje dhe raste të tjera me fara të cannabis sativa.

Gjatë periudhës së analizuar janë zhvilluar tetë operacione policore, mes tyre “Vreshtasi”, “Lumalasi”, “Trigger X”, “Dishnica”, “Lozhani”, “Wanted” dhe “Shop”, si rezultat i të cilëve janë arrestuar 10 persona, janë sekuestruar armë zjarri, lëndë narkotike dhe sende të përdorura për veprimtari kriminale.

Në fushën e sigurisë rrugore janë evidentuar 43 vepra penale, janë vendosur 8 460 masa administrative, janë pezulluar 45 leje drejtimi dhe janë arrestuar 30 drejtues mjetesh. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 18 aksidente rrugore me pasoja, ku kanë humbur jetën 5 persona.

Bala bëri të ditur se prioritetet për muajt në vijim do të jenë garantimi i rendit gjatë sezonit turistik, parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike, lufta kundër armëmbajtjes pa leje, rritja e sigurisë rrugore, parandalimi i zjarreve, ndotjes akustike dhe forcimi i bashkëpunimit me institucionet dhe komunitetin.

Nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, Gëzim Zhupaj, deklaroi se gjatë muajve maj-qershor në katër pikat e kalimit kufitar të qarkut janë përpunuar 889 138 shtetas dhe 344 646 automjete, ndërsa janë shtuar sportelet dhe kapacitetet për përballimin e fluksit turistik.

Sipas tij, strukturat e Policisë Kufitare kanë vijuar kontrollet për parandalimin e krimeve ndërkufitare, migracionit të paligjshëm dhe kontrabandës. Gjatë kësaj periudhe janë trajtuar 47 shtetas të huaj në kuadër të migracionit të parregullt dhe janë referuar materiale procedurale për 43 vepra penale, që lidhen me kontrabandën, kalimin e paligjshëm të kufirit, falsifikimin e dokumenteve dhe veprimtari të tjera të paligjshme.

Ai theksoi se masat e sigurisë janë forcuar edhe në hapësirat liqenore të Pogradecit dhe Prespës, me patrullime të vazhdueshme në tokë, ujë dhe nga ajri, duke përdorur mjete lundruese dhe dronë, me synim garantimin e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit veror.

/gj.m/a.f/

The post Policia e Korçës: Zbulohen 99% e veprave penale në maj-qershor, 8 operacione kundër kriminalitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ylli prezanton projektin “Tirana Olympic City” në takimin me këshilltarin global Almohanad Alzooaabe

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli, priti në një takim zyrtar gjyqtarin olimpik dhe këshilltarin global për investimet sportive, Eng. Almohanad Alzooaabe, me të cilin diskutoi mbi projektin “Tirana Olympic City”, të cilësuar si një nga nismat më ambicioze për zhvillimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri.

Gjatë takimit, presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli, theksoi se “Tirana Olympic City” synon të krijojë një qendër moderne sportive sipas standardeve ndërkombëtare, në shërbim të sportistëve, federatave sportive dhe organizimit të aktiviteteve të mëdha ndërkombëtare.

Sipas tij, realizimi i këtij projekti do të forcojë pozicionin e Shqipërisë në hartën sportive të rajonit dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e sportit dhe të ekonomisë përmes investimeve strategjike.

Bisedimet u përqendruan gjithashtu te modelet bashkëkohore të investimeve në sport, zhvillimi i infrastrukturës moderne, partneritetet publiko-private dhe mundësitë për tërheqjen e investimeve që mbështesin rritjen e sportit shqiptar.

Në takim mori pjesë edhe Erion Keri, president i Arcon Studio, kompania projektuese e “Tirana Olympic City” dhe partnere e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, i cili prezantoi kontributin e kompanisë në zhvillimin e projektit.

Takimi shërbeu gjithashtu për shkëmbimin e përvojave mbi qeverisjen sportive, zhvillimin e organizatave dhe ndërtimin e partneriteteve afatgjata, me synimin për të mbështetur iniciativa që krijojnë vlerë të qëndrueshme për sportin shqiptar.

/gj.m/a.f/

The post Ylli prezanton projektin “Tirana Olympic City” në takimin me këshilltarin global Almohanad Alzooaabe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plazhi i Spillesë në Rrogozhinë, pritës i qindra pushuesve

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Plazhi i Spillesë është shndërruar në një destinacion turistik të preferuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.

Plazhi ndodhet vetëm 15 km larg rrugës Durrës – Rrogozhinë dhe 20 km nga qyteti i Kavajës.

Me një bregdet me shtrirje të gjerë ranore, i kufizuar nga brezi i gjelbër i pishave, ky plazh zgjidhet çdo vit nga shumë pushues vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga plazhi i Spillesë në Rrogozhinë.

Spilleja, një fshat i vogël, i fshehur diku në bregdetin e Adriatikut, i njohur më shumë për plazhin e bukur dhe pyllin e lartë të pishave përgjatë tij, gjatë viteve të fundit është kthyer në pikë të rëndësishme turistike, ku numri i turistëve është shumëfishuar vit pas viti.

Plazhi i Spillesë njihet për atmosferën e tij të qetë dhe perëndimin e bukur të diellit.

Ky plazh me rërë ndodhet në një gji, kështu që uji është i qetë dhe relativisht i cekët.

/gj.m/a.f/

The post Plazhi i Spillesë në Rrogozhinë, pritës i qindra pushuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: PS ndryshoi qëndrim për Reformën Territoriale

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se Partia Socialiste ka ndryshuar qëndrim lidhur me Reformën Administrativo-Territoriale, duke akuzuar mazhorancën se kërkon ta vijojë procesin në mënyrë të njëanshme.

Në një konferencë për mediat, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me bojkotin e seancës plenare dhe zhvillimet në komisionet e posaçme parlamentare, Berisha tha se, sipas tij, procesi i reformës territoriale është ndërprerë dhe se nuk janë përfunduar konsultimet e parashikuara.

“Pala socialiste ka ndryshuar qëndrimin dhe kërkon ta miratojë pa Partinë Demokratike. Ne konstatojmë se po ndërpritet procesi. Nuk kanë përfunduar konsultat e parashikuara dhe të miratuara sipas rregullave”, u shpreh Berisha.

Ai vlerësoi punën e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, dhe tha se PD ka kërkuar që procesi të asistohen nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës.

Berisha falënderoi gjithashtu qeverinë zvicerane, Ambasadën e Zvicrës në Tiranë dhe përfaqësinë e Bashkimit Evropian për interesin dhe mbështetjen e tyre ndaj reformës.

Sipas kreut të PD-së, mazhoranca po tenton që procesi të vijojë pa një asistencë ndërkombëtare, ndërsa theksoi se opozita ka platformën e saj për reformën territoriale.

“Ne sigurisht që kemi platformën tonë, por ne e besuam dhe e vlerësuam që të kemi një ndërmjetës, një këshilltar të mençur që ka të gjithë ekspertizën evropiane të reformave territoriale për të bërë më të mirën”, tha Berisha.

Lidhur me Reformën Zgjedhore dhe kërkesat e protestuesve për ndryshime në sistemin zgjedhor, përfshirë listat e hapura, Berisha deklaroi se Partia Demokratike i mbështet këto kërkesa.

“Siç e dini, Edi Rama është i vendosur të mos pranojë asnjë kërkesë të protestës rinore qytetare. Ndërkohë, ne kemi mbështetur të gjitha kërkesat e tyre. Pra, këtu ka një dallim të madh midis nesh dhe atyre”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se PD do të vijojë të kundërshtojë variantin e reformës territoriale të paraqitur nga mazhoranca, duke theksuar se opozita do të bëjë përpjekjet e saj për këtë çështje.

/gj.m/ /a.g/

The post Berisha: PS ndryshoi qëndrim për Reformën Territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi miraton zgjatjen e mandatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, opozita vijon bojkotin

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kuvendi miratoi sot në seancë plenare projektligjet e parashikuara në rendin e ditës, si edhe një sërë projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura.

Partia Demokratike ka vijuar bojkotin e seancës plenare pasi kërkon që Kuvendi të shqyrtojë ndryshimet ligjore të kërkuara nga protestuesit.

Me 77 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër u miratua projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, ndërsa me 78 vota pro dhe 1 kundër u miratua projektligji “Për censin e bujqësisë”.

Deputetët miratuan gjithashtu me 78 vota pro dhe 1 kundër projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 27/2016, ‘Për menaxhimin e kimikateve’, të ndryshuar”, si dhe me 76 vota pro projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 103/2016, ‘Për akuakulturën’”.

Me 77 vota pro dhe 2 kundër u miratua projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për mbrojtjen e tokës bujqësore’”.

Kuvendi ratifikoi gjithashtu marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim teknik 2025, me 79 vota pro.

Me 78 vota pro u miratua marrëveshja e huas me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë–Durrës dhe ndërtimin e lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, si dhe u ratifikua Konventa për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil.

Po me 78 vota pro u miratua edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për librin në Republikën e Shqipërisë’”.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Bankës së Shqipërisë, Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Institutit të Statistikave, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Radiotelevizionit Shqiptar, Autoritetit të Mediave Audiovizive, Entit Rregullator të Energjisë dhe Entit Rregullator të Ujit.

Deputetët miratuan gjithashtu me 76 vota pro dhe 2 kundër projektvendimin për emërimin e Argita Frashërit anëtare të Këshillit të Statistikave.

Në përfundim të seancës, Kuvendi miratoi me 78 vota pro dhe 2 kundër zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore deri më 30 nëntor 2026.

/gj.m/ /a.g/

The post Kuvendi miraton zgjatjen e mandatit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, opozita vijon bojkotin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌