Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Lajme Kosove

AVONET shpreh shqetësim për sulmet ndaj kryeprokurorit Isufaj dhe vendimit të Gjykatës Supreme

16 July 2025 at 16:59

Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj, siç e cilëson, sulmit ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, si dhe ndaj deklaratave publike të zyrtarëve të lartë qeveritarë për vendimin e Gjykatës Supreme në çështjen e arkave fiskale.

Në një deklaratë publike, AVONET thekson se sulmi ndaj kryeprokurorit Isufaj, në kohën kur ai ka nisur hetime për dyshime mbi keqpërdorime në tenderë publikë dhe menaxhimin e parasë publike, përbën një kërcënim serioz për sistemin e drejtësisë dhe përpjekjet kundër korrupsionit në vend.

“Ky sulm përbën kërcënim serioz ndaj sistemit të drejtësisë, funksionimit të shtetit ligjor dhe përpjekjeve për luftimin e korrupsionit në Kosovë”, thuhet në reagimin e AVONET.

Po ashtu, rrjeti i OJQ-ve dënon deklaratat denigruese të disa zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës në drejtim të vendimit të Gjykatës Supreme për rastin e arkave fiskale, duke i cilësuar ato si cenim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe si retorikë të papërgjegjshme me prapavijë politike.

AVONET i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetime për çdo kërcënim apo presion ndaj kryeprokurorit dhe prokurorëve të tjerë që hetojnë raste të ndjeshme.

Organizata gjithashtu u ka kërkuar zyrtarëve qeveritarë të përmbahen nga deklaratat që mund të minojnë besimin e publikut ndaj drejtësisë dhe të respektojnë pavarësinë institucionale.

“Lufta kundër korrupsionit nuk mund të zhvillohet pa një sistem të drejtësisë të pavarur dhe të pakorruptueshëm. Çdo tentim për ta frikësuar apo diskredituar atë është sulm direkt ndaj demokracisë dhe interesit qytetar”, përfundon deklarata e AVONET.

The post AVONET shpreh shqetësim për sulmet ndaj kryeprokurorit Isufaj dhe vendimit të Gjykatës Supreme appeared first on Telegrafi.

Nisin aludimet – një veprim i Don Xhonit ndaj Loredana Bratit ndez rrjetin

16 July 2025 at 16:58

Reperi i njohur nga Kosova, Don Xhoni, ka ndezur rrjetet sociale pas një veprimi të vogël, por duket se ka domethënie.

Ai i ka lënë një emoji zemër në një nga postimet më të fundit të Loredana Bratit, ish-banore e Big Brother VIP Albania.

Komenti ka tërhequr menjëherë vëmendjen dhe ka shkaktuar një valë reagimesh, ku shumë fansa kanë filluar të aludojnë për një lidhje të mundshme mes tyre.

Brati, e cila pas daljes nga shtëpia e Big Brother u komentua për marrëdhënien me Joz Markun, është aktualisht beqare dhe ka lënë të kuptohet se është e hapur ndaj njohjeve të reja.

Ndërkohë, Don Xhoni, i njohur për stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe provokues në rrjete sociale, ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes.

Foto: Screenshot/Instagram

Ky ndërveprim i vogël mes tyre ka mjaftuar që fansat të hedhin hipoteza për një afrim më personal.

Në mungesë të një deklarate zyrtare, gjithçka mbetet në kuadër të thashethemeve virtuale.

Foto: Screenshot/Instagram

Por një gjë është e sigurt, çdo lëvizje publike e figurave si Don Xhoni dhe Loredana Brati nuk kalon pa u vënë re dhe pa u bërë temë diskutimi.

Sidoqoftë, mbetet për t’u parë në vazhdim nëse do të ketë diçka më shumë mes tyre. /Telegrafi/

The post Nisin aludimet – një veprim i Don Xhonit ndaj Loredana Bratit ndez rrjetin appeared first on Telegrafi.

UEFA përjashton një klub për 10 vjet nga garat evropiane për trukim ndeshjesh – dy lojtarë përjashtohen nga futbolli përgjithmonë

16 July 2025 at 16:56

UEFA ka përjashtuar një klub nga të gjitha garat e saj për një periudhë prej dhjetë vitesh dhe e ka gjobitur me 500 mijë euro, pas akuzave për manipulim të ndeshjeve dhe shkelje të rregullave të integritetit.

Organi më i lartë i futbollit evropian ka ndëshkuar klubin malazez KF Arsenal Tivat, i cili mori pjesë në Ligën e Konferencës për sezonin 2023/24, pas një hetimi mbi dyshimet për trukim të ndeshjes së zhvilluar kundër Alashkert FC në korrik të vitit 2023.

Vendimi i UEFA-s nënkupton se FK Arsenal Tivat nuk do të mund të marrë pjesë në asnjë garë të organizuar nga UEFA – përfshirë Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës – deri në sezonin 2034/35.

 

Breaking: UEFA bans FK Arsenal Tivat from its competitions for TEN YEARS for match fixing linked to Conference League matches

— Rob Harris (@RobHarris) July 16, 2025

Në deklaratën zyrtare të publikuar të mërkurën, UEFA sqaroi: “Pas një hetimi dhe procedurave disiplinore kundër FK Arsenal Tivat dhe individëve të tjerë, lidhur me shkelje të dyshuara të Rregullores Disiplinore të UEFA-s gjatë ndeshjes së Ligës së Konferencës mes Alashkert FC dhe FK Arsenal Tivat në korrik 2023, Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës (CEDB) ka marrë këto vendime:

Akuzat ndaj FK Arsenal Tivat:

Shkelje të parimeve të përgjithshme të sjelljes (Neni 11).

Manipulim i ndeshjeve dhe shkelje të integritetit të garave (Neni 12).

Vendimi:

FK Arsenal Tivat dënohet me një gjobë prej 500,000 eurosh.

FK Arsenal Tivat përjashtohet nga të gjitha garat e UEFA-s për dhjetë vjet, deri në sezonin 2034/35.

FIFA kërkohet të zgjasë këtë ndalim në të gjitha kompeticionet në nivel global”, thuhet në njoftimin e shtëpisë së futbollit evropian.

Përveç klubit, disa individë të përfshirë janë dënuar rëndë. Lojtari Nikola Celebic është ndaluar përjetësisht nga çdo aktivitet i lidhur me futbollin, ndërsa Cetko Manojlovic është pezulluar për dhjetë vjet.

Radule Zivkovic dhe Dushan Puletic janë gjithashtu pezulluar për dhjetë vjet për përfshirje në manipulim të ndeshjeve.

Drejtori sportiv i klubit, Ranko Krgovic, është dënuar me përjashtim të përjetshëm nga çdo aktivitet i lidhur me futbollin.

Ky është dënimi më i rëndë që UEFA ka dhënë për një klub që nga viti 2009, kur FK Pobeda nga Maqedonia e Veriut u përjashtua për tetë vjet për trukim të ndeshjeve. /Telegrafi/

The post UEFA përjashton një klub për 10 vjet nga garat evropiane për trukim ndeshjesh – dy lojtarë përjashtohen nga futbolli përgjithmonë appeared first on Telegrafi.

I përjashtuar nga skuadra prej Amorim, ylli i Man United bën shkelje ligjore

16 July 2025 at 16:45

Alejandro Garnacho është përjashtuar nga stërvitja e ekipit të parë të Manchester United pas një incidenti me trajnerin Ruben Amorim dhe për shkak të një shkeljeje ligjore që lidhet me makinën e tij.

Pas finales së Ligës së Evropës ku United humbi ndaj Spurs, Garnacho kritikoi publikisht Amorimin. Si reagim, trajneri e përjashtoi nga skuadra dhe i sugjeroi të gjente një klub të ri, gjë që e vuri në qendër të spekulimeve për transferim.

Për momentin, Garnacho ndodhet në “skuadrën e padëshiruar” së bashku me Rashford, Antony, Sancho dhe Malacia. Ata lejohen të stërviten vetëm pas orës 17:00, pasi ekipi kryesor largohet nga qendra stërvitore Carrington.

Sipas “Daily Mail”, Garnacho është filmuar duke shkuar në stërvitje me një Audi, por makina e tij rezulton e pataksuar që nga 1 tetori 2024, sipas regjistrit të qeverisë britanike.

Nëse një automjet nuk është i taksuar dhe përdoret në rrugë publike pa deklarim SORN (njoftim për përdorim jashtë rruge), shoferi mund të gjobitet me 30 euro plus një herë e gjysmë të shumës së taksës së papaguar, ose deri në 1,000 euro në gjykatë.

Kjo shkelje ka shkaktuar polemika të tjera për Garnachon, ndërsa ai tashmë përballet me të ardhmen e pasigurt te Manchester United dhe është përjashtuar nga ndeshjet parasezonale.

United do të ndeshet me Leeds, West Ham, Bournemouth, Everton dhe Fiorentinën në fazën përgatitore, por Garnacho nuk pritet të marrë pjesë në asnjë nga këto ndeshje. /Telegrafi/

The post I përjashtuar nga skuadra prej Amorim, ylli i Man United bën shkelje ligjore appeared first on Telegrafi.

IPKO prezanton pakot e reja Roaming – Internet gjithkah, më thjeshtë dhe më lirë se kurrë

By: IPKO
16 July 2025 at 16:45

IPKO ka lansuar sot pakot e reja promocionale Roaming, të dizajnuara për të ofruar një përvojë interneti pa kufinj, pa ndërruar SIM dhe pa ndërlikime teknike.

Me vetëm një kod, përdoruesit mund të aktivizojnë pakon e dëshiruar dhe të lidhen me internetin në Kosovë, Rajon, Evropë dhe SHBA, më lehtë dhe më lirë se kurrë më parë.

Këto pako ofrojnë:

-Aktivizim të menjëhershëm me një kod të shkurtër ose përmes aplikacionit MyIPKO,

-Mbulim ndërkombëtar pa nevojë për SIM kartela të huaja,

-Çmime shumë të volitshme dhe kohëzgjatje fleksibile që i përshtaten çdo udhëtimi.

Pakot fillojnë nga 2.99€ për 1GB, 5.99 € për 3GB deri në 9.99€ për 5GB, me mundësi zgjedhjeje sipas nevojës së përdoruesit.

Të gjitha pakot mund të aktivizohen përmes kodit përkatës ose përmes aplikacionit MyIPKO, edhe kur nuk keni qasje në internet.

Qasja në internet duhet të jetë një standard i garantuar kudo që je. Me pakot e reja Roaming, IPKO po thyen barrierat e lidhjes ndërkombëtare, duke sjellë një zgjidhje të menjëhershme dhe të thjeshtë për të gjithë ata që udhëtojnë. Ky është një tjetër hap konkret drejt vizionit tonë për një botë të pandarë nga teknologjia” tha Andras Pali, CEO i IPKO.

Me këto pako, IPKO e forcon edhe më shumë pozicionin e saj si lider në ofrimin e zgjidhjeve të avancuara të komunikimit për qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, duke sjellë lidhje më të thjeshta, më të lira dhe më të sigurta për të gjithë ata që udhëtojnë.

Për më shumë informata rreth pakove Roaming dhe mbulueshmërisë së tyre, vizitoni: www.ipko.com ose aplikacionin MyIPKO.

 

The post IPKO prezanton pakot e reja Roaming – Internet gjithkah, më thjeshtë dhe më lirë se kurrë appeared first on Telegrafi.

Taravari: VLEN si projekt dështoi, kjo qeveri ka kaluar vijat e kuqe duke e larguar vendin nga BE

16 July 2025 at 16:40

Pjesa aktuale e shqiptarëve që kanë mbetur pjesë e qeverisë janë lajkatarë të pushtetit, dhe me dështimin e projektit VLEN pasojat nuk i ndjejnë vetëm shqiptarët, por të gjithë qytetarët.

Kështu u shpreh kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

I pyetur se si e vlerëson situatën aktuale politike në Maqedoninë e Veriut dhe cilat janë sfidat kryesore, Taravari u përgjigj se situata është shumë e keqe.

“Keq, dhe më e keqja është se jam realist. Me dështimin e projektit VLEN, po i përjetojmë të gjithë pasojat”, deklaroi ai.

Ai shton se ajo pjesë e vogël e shqiptarëve që kanë mbetur në qeveri janë më të bindur se kurrë ndaj partive maqedonase.

Taravari tha se arsyet që e çuan të largohet nga qeveria janë se kjo qeveri ka kaluar vijat e kuqe duke e larguar vendin nga rruga drejt BE-së.

“Metamorfoza e shpejtë dhe e pabesueshme që ndodhi te kolegët e VLEN-it, të cilët harruan se kishin ardhur në pushtet për të ndërtuar një shtet më të mirë për shqiptarët dhe të gjithë qytetarët… dhe e dyta, largimi i politikave qeveritare nga rruga e BE-së. Këto ishin dy shkaqet kryesore të cilat, siç po shihet dita-ditës, janë kthyer në një alarm të kuq”, theksoi Taravari.

Ai tha se faktori ndërkombëtar ka shprehur shqetësim në rritje për ndikimin e botës ruse dhe serbe në Maqedoninë e Veriut./Telegrafi/

 

The post Taravari: VLEN si projekt dështoi, kjo qeveri ka kaluar vijat e kuqe duke e larguar vendin nga BE appeared first on Telegrafi.

Zbardhet vrasja e Renis Dobrës, policia: U rrëmbye, u mbyt dhe u hodh në liqenin e Ulzës

16 July 2025 at 16:39

Drejtoria e Policisë së Dibrës ka bërë publike rezultatet e operacionit policor të koduar “Bashkëfajësia”, që çoi në zbardhjen e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Droba, trupi i pajetë i të cilit u gjet më 9 korrik pranë liqenit të Ulzës.

Në një konferencë për shtyp, drejtori Artion Duka deklaroi se ngjarja ka qenë një vrasje e planifikuar me rrëmbim të mëparshëm dhe pasoja fatale.

Sipas hetimeve, më 8 korrik, në fshatin Zenisht të Burrelit, Renis Droba është rrëmbyer dhe më pas është mbytur me litar nga tre vëllezërit Kristi, Fatjon dhe Aleksandër Bushgjokaj nga Tropoja, si dhe nga i dyshuari tjetër Petrit Çakrri.

“Nga hetimet e thelluara rezultoi se shtetasi R. D. është marrë peng dhe më pas është vrarë në mënyrë të dhunshme, nëpërmjet strangulimit. Më pas, autorët kanë tentuar të fshehin trupin duke e hedhur bashkë me automjetin në liqenin e Ulzës”, u shpreh drejtori Duka.

Megjithatë, ndërsa automjeti përfundoi në ujë, trupi i pajetë i 23-vjeçarit mbeti në sipërfaqe, pranë sektorit “C” të liqenit. Zbulimi i trupit çoi në një operacion intensiv hetimor, ku u përdorën metoda speciale dhe bashkëpunim ndërinstitucional.

Pas një jave hetimesh, Policia ka arrestuar dy prej autorëve të dyshuar: 55-vjeçarin Petrit Çakrri në fshatin Golaj të Kukësit dhe 34-vjeçarin Fatjon Bushgjokaj në zonën e Astirit në Tiranë. Të dy janë vënë në pranga me akuzat për “Vrasje me paramendim në bashkëpunim” dhe “Rrëmbim dhe mbajtje peng e personit”.

Ndërkohë, dy vëllezërit e tjerë, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, janë shpallur në kërkim dhe dyshohet se kanë rol të drejtpërdrejtë në ngjarje. Prokurorja e çështjes, Alisa Spahja, theksoi se “kemi të bëjmë me një akt të rëndë kriminal, të kryer me paramendim dhe bashkëpunim të strukturuar”.

Hetimet paraprake tregojnë se viktima ka pasur një të kaluar problematike dhe ka qenë më parë i dënuar në Gjermani për shpërndarje të lëndëve narkotike. Po ashtu, dyshohet se ka pasur konflikte të hershme me autorët për çështje që lidhen me veprimtari kriminale.

Policia hodhi poshtë zërat në rrjete sociale se autorët ishin të veshur me uniforma policie apo se përdorën automjete zyrtare gjatë rrëmbimit. Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 20 telefona celularë, 7 automjete, një sasi kokaine, një shumë parash në euro dhe prova të tjera materiale.

“Hetimi ka qenë intensiv dhe profesional. Po punohet për kapjen e të kërkuarve dhe për individualizimin e përgjegjësisë së çdo personi të përfshirë”, theksoi drejtori Duka.

Ndërkohë, Forca e Posaçme Operacionale ka shoqëruar katër shtetas të tjerë në Komisariatin Nr. 6 në Tiranë, të cilët po hetohen për lidhje të mundshme me ngjarjen. Hetimet vijojnë.

The post Zbardhet vrasja e Renis Dobrës, policia: U rrëmbye, u mbyt dhe u hodh në liqenin e Ulzës appeared first on Telegrafi.

Ledri dhe Xhensila vijnë me “Let pe lun”

16 July 2025 at 16:35

Ledri Vula dhe Xhensila Myrtezaj kanë bashkuar forcat sërish për një projekt të ri muzikor.

“Let pe lun” mban titullin kënga e tyre, të cilën e kanë sjell të kompletuar edhe nga ana vizuale.

Dyshja, më të përfolur të momentit, kanë mahnitur me paraqitjen në videoklip.

Foto: Screenshot/YouTube

Teksti është shkruar nga vet Vula bashkë me Elinel me muzikë dhe producim nga Bigdeal Records.

Videoja i është besuar ‘Supercut Studio’ nën drejtimin e Besian Durmishit.

Foto: Screenshot/YouTube

Kënga vjen pas suksesit të duetit të tyre “Ma kthe” që ka grumbulluar mbi 13 milionë klikime në YouTube.

Besohet që edhe ky projekt i tyre do të korrë suksese të mëdha dhe reagimet e para kanë qenë mjaft pozitive. /Telegrafi/

The post Ledri dhe Xhensila vijnë me “Let pe lun” appeared first on Telegrafi.

Supremja vendos kufijtë – shkelja mund të çojë në ndjekje penale

16 July 2025 at 16:32

Krizës së gjatë për formimin e institucioneve në Kosovë së fundmi iu shtua edhe një sfidë e re: vendimi i Gjykatës Supreme që e konsideron nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë, si të kundërligjshme dhe shkelje të dispozitave kushtetuese.

Vendimi i datës 15 korrik lidhet me shfuqizimin e udhëzimit administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve fiskale, të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati – i cili është edhe deputet – e që Gjykata Supreme e shpalli të paligjshëm.

Ky aktgjykim u pasua me reagime të ashpra: Qeveria në detyrë e cilësoi si “arbitrar” dhe “të pabazuar në ligj” – duke argumentuar se Ligji për Qeverinë nuk i ndalon shprehimisht ministrat në detyrë të nxjerrin akte nënligjore – ndërsa Gjykata Supreme paralajmëroi se çdo ndërhyrje në vendimet e saj gjyqësore është e papranueshme.

“Ndërhyrja në gjyqësor është e papranueshme”, tha edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

Njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se vendimi i Supremes është i drejtë dhe i detyrueshëm për zbatim, duke theksuar se çdo mospërfillje e tij mund të përbëjë shkelje penale.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë në detyrë të Kosovës dhe ministrin në detyrë, Murati, se çfarë hapash do të ndërmarrin pas këtij aktgjykimi, por nuk mori përgjigje.

Qeveria nuk dha qëndrim as lidhur me pyetjen nëse po shqyrton mundësinë që ministrat, të cilët janë njëkohësisht edhe deputetë, të ndalin ushtrimin e funksioneve ekzekutive.

Lidhja Demokratike e Kosovës iu drejtua Prokurorisë Speciale më 16 korrik për të kërkuar hetime penale ndaj Qeverisë në detyrë, duke dorëzuar si provë vendimin e Gjykatës Supreme për çështjen e arkave fiskale.

Sipas deputetëve të kësaj partie, Besian Mustafa dhe Alban Zogaj, ky vendim konfirmoi se Qeveria në detyrë ka vepruar në mënyrë të jashtëligjshme pas certifikimit të ministrave si deputetë, më 27 mars.

KDI: Vendimi i Supremes thekson shkeljet dhe hap rrugë për kontestime ligjore

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili përcjell punën e Kuvendit, vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme lidhur me Udhëzimin Administrativ të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, është i drejtë dhe i plotfuqishëm.

Ai thekson se çdo mosbindje ose mosrespektim i këtij vendimi përbën shkelje penale.

“Konkretisht, në rastin në fjalë, ministri Murati, nëse vazhdon ta mbajë në fuqi – përkundër që Gjykata (Supreme) e ka anuluar ligjshmërinë apo përmbajtjen e këtij Udhëzimi Administrativ – atëherë ai nuk e zbaton këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme dhe bën shkelje penale”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se vendimi i Supremes, aktualisht, ka efekt vetëm mbi Udhëzimin Administrativ të ministrit në detyrë, Murati. Të gjitha aktet tjera të ministrave në detyrë, që janë njëkohësisht edhe deputetë, mbesin në fuqi, përderisa nuk janë kontestuar në gjykatë.

Megjithatë, thotë Bugaqku, ky vendim lë të kuptohet se edhe vendimet tjera të ngjashme – të nxjerra nga zyrtarë me funksione të dyfishta – mund të jenë të paligjshme dhe të sfidohen juridikisht.

“Ky vendim i Gjykatës Supreme mund të shërbejë si një precedent i mirë ose si një bazë e mjaftueshme ligjore për të gjitha ato palë që janë të afektuara në kuptimin negativ nga vendimet e zyrtarëve publikë. Pra, ta përdorin këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme si provë për t’i kontestuar [vendimet e ngjashme] në gjykata dhe, pastaj, edhe ato të anulohen”, thotë Bugaqku.

Ai shton se vendimi i Gjykatës Supreme e ka sqaruar mirë konfliktin që lind nga ushtrimi i njëkohshëm i funksioneve në ekzekutiv dhe legjislativ nga zyrtarët publikë, por shpreh shqetësimin se ai mund të përdoret nga partitë parlamentare për thellimin e përplasjeve politike.

“Situata e tillë veç i ashpërson dhe i betonizon edhe më tepër qëndrimet e palëve, në këtë rast të partive të mëdha parlamentare, që të mos bashkëpunojnë me njëra-tjetrën”, vlerëson Bugaqku.

Pasojat ligjore në duar të Prokurorisë

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se vendimi i Supremes për ta shpallur të paligjshëm udhëzimin në fjalë është i drejtë, por thotë se u takon organeve të ndjekjes të vlerësojnë nëse ekzistojnë kushte për nisjen e procedurave penale.

“Madje, edhe vetë ministrat në detyrë… unë besoj se e kanë të qartë se nuk duhet të veprojnë me konflikt interesi, sepse jo vetëm që mund të shkelin dispozita që janë përmendur në aktgjykim, por mund të gjendet edhe bazë juridike që dikush t’i ndjekë. Ajo që i ndjek, është Prokuroria e vendit dhe ne nuk mund të paragjykojmë se a do ta bëjë këtë”, thotë Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Ai shpjegon se Kosova nuk ka sistem gjyqësor që thirret në precedentë, ndaj vendimi i fundit i Gjykatës Supreme nuk zbatohet automatikisht për raste të tjera.

Sipas tij, qytetarët apo bizneset mund të kërkojnë drejtësi nëpërmjet padive, nëse mendojnë se janë dëmtuar nga ndonjë vendim i ministrave në detyrë që mbajnë edhe mandat deputeti.

“Pra, mund të iniciojnë (padi) patjetër, sepse parimi i analogjisë në drejtësi është parim që vlerësohet lart dhe është parim standard funksional”, thotë Baraliu.

Ministrat në detyrë përballen tashmë me së paku 17 kallëzime penale, të ngritura nga LDK-ja.

Kosova vazhdon të mbetet me qeveri në detyrë, pasi, pas zgjedhjeve të shkurtit, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet për shkak të mosmarrëveshjeve të thella politike.

Përpjekja e radhës për konstituim, e 48-a, do të bëhet më 17 korrik.

The post Supremja vendos kufijtë – shkelja mund të çojë në ndjekje penale appeared first on Telegrafi.

Sporting dëshiron të përfshijë katër klauzola në marrëveshjen e Gyokeres, por Arsenali refuzon njërën

16 July 2025 at 16:26

Sporting Lisbona dhe Arsenali po finalizojnë marrëveshjen për transferimin e Viktor Gyokeres, por negociatat ende nuk janë mbyllur për shkak të disa klauzolave të kërkuara nga klubi portugez.

Që nga hapja e merkatos, Gyokeres ka qenë objektivi kryesor i Arsenalit për repartin ofensiv. Klubi londinez besohet se është pranë mbylljes së marrëveshjes, pavarësisht interesimit të klubeve të tjera europiane.

Sipas gazetës Record, Sporting kërkon që në marrëveshje të përfshihen katër klauzola, secila me vlerë 2.5 milionë euro, duke e çuar totalin e bonuseve potenciale në 10 milionë euro.

Klauzolat parashikojnë pagesa shtesë për: 20 ndeshjet e para të Gyokeres në Angli, përfundimin e një sezoni të dytë me 20 ndeshje, kualifikimin e Arsenalit në Ligën e Kampionëve dhe një tjetër bllok prej 20 ndeshjesh në sezonin e dytë.

Arsenali është i gatshëm të paguajë 7.5 milionë euro në klauzola të arritshme, por aktualisht po negociohet klauzola e fundit prej 2.5 milionë eurosh, e cila mund të kërkohet të lidhet me një objektiv më të vështirë.

Në total, transferimi i Gyokeres pritet të kushtojë rreth 63.5 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse. Nëse marrëveshja mbyllet, Coventry City do të përfitojë 4.35 milionë euro falë klauzolës së shitjes prej 10%.

27-vjeçari suedez pritet të bashkohet me Arsenalin në ditët në vijim, ndërsa të dy klubet po punojnë për të mbyllur detajet e fundit të marrëveshjes. /Telegrafi/

The post Sporting dëshiron të përfshijë katër klauzola në marrëveshjen e Gyokeres, por Arsenali refuzon njërën appeared first on Telegrafi.

Hoti thotë se është rritur importi nga Serbia, ngrit alarmin se mund të jetë zvogëluar prodhimi vendor

16 July 2025 at 14:57

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se është rritur importi i mallrave në Kosovë nga Serbia.

Hoti ka publikuar edhe disa të dhëna, ku ka bërë krahasimin me importin që është bërë vitin e kaluar nga shteti serb.

“Çfarë po ndodh me importet nga Serbia? Në periudhën Janar-Maj 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, importi i mallrave në Kosovë nga Serbia është rritur me 217%. Nga 42.08 mil. euro të importuara gjatë muajve Janar-Maj 2024, importet janë rritur në 91.37 mil. euro për muajt Janar-Maj 2025”, ka pohuar ai përmes një postimi në Facebook,

Mes tjerash, ai ka shkruar se bazuar në importin që bëhet nga Serbia, ka mundësi që ka rënë prodhimi vendor.

“Duke pasur parasysh natyrën e mallrave që importohen nga Serbia, ka shumë gjasa që prodhimi vendor të jetë zvogëluar për shumën e rritur të importit nga Serbia”, tha ai./Telegrafi/

The post Hoti thotë se është rritur importi nga Serbia, ngrit alarmin se mund të jetë zvogëluar prodhimi vendor appeared first on Telegrafi.

‘Telefononi Ajatollahun’, senatori amerikan i dërgon një paralajmërim Putinit për afatin e paqes

16 July 2025 at 14:55

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar të zbatojë “tarifa të ashpra” ndaj Rusisë, nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje në Ukrainë brenda 50 ditëve.

Ky njoftim ka marrë mbështetje nga senatori amerikan Lindsey Graham, i cili thotë se tarifat për vendet që blejnë naftë të lirë ruse, do ta “godasin Putinin aty ku i dhemb më shumë”, transmeton Telegrafi.

Duke iu referuar sulmeve të fundit të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane, Graham shtoi se nëse Putini “dhe të tjerët” po pyesin veten se çfarë do të ndodhë në ditën e 51-të, “do të sugjeroja që të telefonojnë Ajatollahun”.

Irani ka qenë një aleat kyç i Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës, dhe ka ndihmuar Moskën të zhvillojë armë të vetat.

“Nëse do të isha një vend që blen naftë të lirë ruse, duke mbështetur makinën e luftës së Putinit, do ta besoja presidentin Trump për fjalën e tij”, tha Graham. /Telegrafi/

 

The post ‘Telefononi Ajatollahun’, senatori amerikan i dërgon një paralajmërim Putinit për afatin e paqes appeared first on Telegrafi.

Rreth 375 boksa cigare pa banderola sekuestrohen në Aeroportin e Prishtinës, ndalohen dy shtetas të huaj

16 July 2025 at 14:51

Më 14 dhe 16 Korrik 2025, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën kanë parandaluar tentimet për kontrabandë me cigare në ANP “Adem Jashari”.

Sipas një njoftimi për media nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se në dy raste të ndara, janë ndaluar dy shtetas të huaj në tentativë për t’i larguar nga Kosova rreth 375 boksa cigare të llojeve të ndryshme, të padeklaruara dhe pa banderola.

Tutje në njoftim thuhet se pasagjerët kishin fshehur cigaret në valixhe dhe i kishin dorëzuar në check-in për fluturim drejt Londrës.

“Sasitë e sekuestruara përfshijnë Malboro të kaltër, të bardhë, të kuqe, si dhe marka tjera të njohura. Në të dy rastet, mallrat janë zbuluar në bashkëpunim edhe me Njësitin e Informacionit të Pasagjereve (PIU). Të gjitha produktet janë sekuestruar dhe rastet janë proceduar për hetim të mëtejshëm nga Dogana e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Rreth 375 boksa cigare pa banderola sekuestrohen në Aeroportin e Prishtinës, ndalohen dy shtetas të huaj appeared first on Telegrafi.

Qeveria e tretë e Zelenskyt, kush do të humbë postet e tyre dhe kush mund të bëhet ministër?

16 July 2025 at 14:47

Parlamenti ukrainas do të shkarkojë kryeministrin Denys Shmyhal dhe të gjithë kabinetin e tij sot. Të nesërmen, deputetët planifikojnë të emërojnë Yuliia Svyrydenko si kryeministre të re dhe të votojnë për një numër ministrash të rinj.

Kryeministrja e re hyn në kabinet me një pozicion shumë më të fortë se sa ka pasur ndonjëherë Denys Shmyhal, transmeton Telegrafi.

Ashtu si paraardhësit e saj, Svyrydenko do të ketë ministrin e saj të kabinetit. Ka të ngjarë të jetë Kostiantyn Marievych, Zëvendës Sekretari aktual i Shtetit.

Por, ndërsa ky ishte i vetmi aleat i ngushtë që Denys Shmyhal kishte në qeveri, për Yuliia Svyrydenko, ky është vetëm fillimi.

Ukrainska Pravda ka zbuluar se nën Svyrydenkon, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Ekologjisë dhe Ministria e Politikës Agrare do të bashkohen në një ministri të vetme burimesh, që do të drejtohet nga Oleksii Soboliev, aktualisht Zëvendës i Parë i Svyrydenkos.

Svyrydenko mund të forcojë gjithashtu ndikimin e saj duke emëruar zëvendësin e saj aktual Taras Kachka, si zëvendëskryeministër për integrimin evropian dhe euroatlantik, duke zëvendësuar Olha Stefanishyna.

Stefanishyna do të humbasë pozicionin e saj për shkak të çështjeve penale dhe skandaleve. Zelensky thuhet se planifikon të emërojë Stefanishyna si ambasadore të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Mykhailo Fedorov, zëvendëskryeministri aktual për Inovacionin dhe Ministri i Transformimit Digjital, pritet të emërohet zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së re.

Kryeministri aktual Shmyhal pritet të bëhet ministri i ri i Mbrojtjes. Ministri aktual i Mbrojtjes, Rustem Umierov, pritet të emërohet si ambasador i Ukrainës në Shtetet e Bashkuara.

Disa anëtarë të ekipit të Zelensky i thanë Ukrainska Pravda, “nëse Umierov ka ndonjë forcë të vërtetë, është në negociata”.

Oksana Zholnovych, Ministre e Politikës Sociale, do të shkarkohet për shkak të shkurtimeve të pensioneve dhe përfitimeve sociale. Një zëvendësim nuk është përcaktuar ende.

Oksen Lisovyi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës, pritet të japë dorëheqjen për shkak të vendimit të tij për të mbyllur shkollat e vogla rurale dhe për të konsoliduar universitetet. Zëvendësuesi i tij i mundshëm është zëvendësi i tij, Andrii Vitrenko.

Ministri i Energjisë, Herman Halushchenko, i cili është i afërt me Tymur Mindich, bashkëpunëtorin e Zelensky dhe bashkëthemeluesin e Studio Kvartal 95, pritet gjithashtu të japë dorëheqjen.

Ai mund të zëvendësohet nga Ministrja aktuale e Mjedisit, Svitlana Hrynchuk, të cilën burimet e Ukrainska Pravda në qeveri dhe parlament e përshkruajnë si një bashkëpunëtore të Halushchenko.

Përvoja e saj e vetme relevante është një vit shërbimi si zëvendëse e tij për çështjet ndërkombëtare.

Ministri i Unitetit Kombëtar, Oleksii Chernyshov, i cili është nën hetim për dyshimin se ka marrë mbi 14.5 milionë UAH (rreth 344,000 dollarë amerikanë) në përfitime të paligjshme, jo vetëm që do të humbë punën e tij, por e gjithë ministria e tij do të likuidohet.

Mykola Tochytskyi, Ministër i Kulturës dhe Komunikimeve Strategjike, do të kthehet në shërbimin diplomatik. Zelensky planifikon ta emërojë atë si përfaqësues të përhershëm të Ukrainës në Këshillin e Evropës.

Politika strategjike e komunikimit dhe informacionit do të ndahet nga Ministria e Kulturës dhe do t’i dorëzohet një agjencie vartëse.

Lista e ngushtë për Ministren e Kulturës përfshin dy figura kulturore: Veronika Seleha, ish-drejtoreshë e Drejtorisë për Politikë Humanitare në Zyrën Presidenciale dhe CEO e agjencisë krijuese Bickerstaff.345, dhe Olha Viieru, Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Shtëpisë së Ukrainës.

Midis atyre që mbeten në qeveri janë Oleksii Kuleba, Zëvendëskryeministër për Restaurimin dhe Ministër për Komunitetet dhe Territoret; Ministri i Jashtëm, Andrii Sybiha; Nataliia Kalmykova, Ministre për Çështjet e Veteranëve; dhe Matvii Bidnyi, Ministre për Rininë dhe Sportet. Të gjithë u emëruan në shtator 2024.

“Veteranët” e kabinetit do të qëndrojnë gjithashtu: Zëvendëskryeministri Mykhailo Fedorov, Ministri i Financave, Serhii Marchenko, Ministri i Shëndetësisë, Viktor Liashko dhe Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko. /Telegrafi/

 

The post Qeveria e tretë e Zelenskyt, kush do të humbë postet e tyre dhe kush mund të bëhet ministër? appeared first on Telegrafi.

Enver Hoti kalon nga Nisma në AAK dhe kandidon për kryetar të Komunës së Malishevës

16 July 2025 at 14:43

Enver Hoti ish-anëtari i Nismës Socialdemokrate ka aderuar në AAK.

Kështu ka njoftuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili edhe i ka uruar mirëseardhje Hotit, transmeton Telegrafi.

“Mirë se vjen në Aleancë, Enver Hoti! I njohur për përkushtimin ndaj vendit dhe vlerat e tij atdhetare, Enver Hoti i përket brezit të veprimtarëve të hershëm të angazhuar në çështjet kombëtare. Me një përvojë të pasur institucionale, ai ka shërbyer me profesionalizëm e integritet në çdo përgjegjësi që ka bartur”, ka shkruar Haradinaj.

Ai gjithashtu ka njoftuar se Hoti do të jetë kandidat i AAK-së për kryetar të Malishevës.

“Aderimi i tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është një vlerë e shtuar për vizionin tonë politik dhe përkushtimin ndaj qytetarëve. Enver Hoti gjithashtu do të jetë kandidati ynë për kryetar të Komunës së Malishevës. Me përvojën, vendosmërinë dhe besimin në vlerat e Aleancës, ai përfaqëson më së miri frymën tonë, për një qeverisje të drejtë dhe transparente”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar “Urime Enver! Paçim sukses dhe fitore të përbashkët në shërbim të Malishevës dhe qytetarëve të saj”.

The post Enver Hoti kalon nga Nisma në AAK dhe kandidon për kryetar të Komunës së Malishevës appeared first on Telegrafi.

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, dënohet me 20 muaj burg

16 July 2025 at 14:43

Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, një figurë kryesore në opozitën turke, është dënuar me 20 muaj burg për “fyerje dhe kërcënim” të prokurorit të qytetit.

Çështja është një nga një seri çështjesh kundër Imamoglu, rivalit kryesor të Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili është tashmë nën arrest për akuza për korrupsion, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Arrestimi i tij në mars si pjesë e asaj çështjeje shkaktoi protestat më të mëdha në rrugë në Turqi në më shumë se një dekadë.

Seanca e sotme dëgjimore u zhvillua në kompleksin e gjykatës dhe burgut në Silivri, në periferi perëndimore të Stambollit, ku Imamoglu është mbajtur që nga arrestimi i tij, raportoi AFP.

Imamoglu, i cili u paraqit në gjykatë, i mohoi të gjitha akuzat, duke thënë se po persekutohej për planet e tij për të kandiduar kundër Erdoganit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.

Prokurori fillimisht kërkoi një dënim deri në shtatë vjet e katër muaj burg për Imamoglun dhe një ndalim për të mbajtur poste politike.

Imamoglu u zgjodh kryetar i bashkisë së Stambollit në vitin 2019 dhe u rizgjodh në vitin 2024.

Ai u arrestua më 19 mars në lidhje me një hetim për korrupsion dhe akuza për “lidhje me terroristët”.

Seria e akuzave kundër tij mund ta pengojë atë të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. /Telegrafi/

The post Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, dënohet me 20 muaj burg appeared first on Telegrafi.

Modric zbulon pse zgjodhi Milanin pas largimit nga Real Madridi

16 July 2025 at 14:43

Ish-mesfushori i Real Madridit, Luka Modric, ka folur hapur për vendimin e tij për t’iu bashkuar AC Milanit, pas përfundimit të aventurës së gjatë në “Santiago Bernabeu”.

Shumë klube donin transferimin e veteranit kroat, por ai ka zbuluar se Milanit iu bashkua pasi donte të luante në Evropë dhe të luante futboll konkurrues.

“Pse AC Milan? Doja të qëndroja në Evropë dhe të vazhdoja të luaja futboll konkurrues,” deklaroi Modric.

“Kisha disa oferta të tjera, por kur Milani u shfaq, ishte e qartë për mua. Isha gati që nga momenti i parë”, deklaroi Modric.

Legend. 🌟#WelcomeModrić pic.twitter.com/U5lhhoACXX

— AC Milan (@acmilan) July 14, 2025

Ai tregoi se klubi kuqezi e kishte bindur që në fillim me seriozitetin e qasjes dhe me projektin e tyre.

“Më bëri përshtypje se si erdhën në Kroaci për të më prezantuar projektin dhe gjithçka tjetër. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua,” shtoi kroati.

“Milani është një nga klubet më të mëdha në Evropë,” përfundoi Modric, i cili pritet të jetë një nga liderët e rinj të skuadrës së Massimiliano Allegrit. /Telegrafi/

The post Modric zbulon pse zgjodhi Milanin pas largimit nga Real Madridi appeared first on Telegrafi.

 Gruda: Mbajtja e pozitës së ministrit dhe deputetit përbën vepër penale, ftojmë Prokurorinë të zbatojë vendimin e Supremes

16 July 2025 at 14:37

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës Supreme, i bazuar në Ligjin për Qeverinë, ka vulosur faktin se mbajtja e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që njëkohësisht janë edhe deputetë, është e kundërligjshme dhe jokushtetuese.

Gruda, në një konferencë për media tha se pas këtij aktgjykimi, çdo ditë që këta zyrtarë publikë vazhdojnë të mbajnë dy funksione, nënkupton kryerje të veprës penale të moszbatimit të vendimit gjyqësor.

“Dje, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e shpalli të paligjshëm Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 për pajisjet elektronike fiskale. Ky vendim u bazua në Ligjin për Qeverinë, i cili e ndalon ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që janë njëkohësisht edhe deputetë. Në këtë rast, ministri i financave, Hekuran Murati, nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit. Ky vendim nuk vlen vetëm për një individ, por për të gjithë ministrat dhe për vetë Kryeministrin Kurti, të cilët aktualisht janë edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës.  Gjykata ka vulosur një të vërtetë që ne e kemi theksuar që nga dita e parë: mbajtja e funksioneve të dyfishta është e kundërligjshme dhe jokushtetuese. Kjo është edhe arsyeja që në seancën e parë e kemi kundërshtuar edhe raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve”, theksoi ai.

PDK i bën thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave që janë njëkohësisht deputetë që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke i liruar menjëherë funksionet ekzekutive për t’ua deleguar ato zëvendësve të tyre, si dhe kërkon që ata të ndalin sulmet ndaj gjyqësorit.

“Gjithashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të jetë vigjilente dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi gjyqësor, i cili është i menjëhershëm dhe i detyrueshëm. Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, jo për shtet të njerëzve mbi ligjin”, tha Gruda.

Tutje, Gruda, ka reaguar ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që sot e kanë refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ish-Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

“Partia Demokratike e Kosovës, pa u futur në paragjykime për prapaskenat e këtij vendimi, shpreh keqardhje të thellë, sepse ky ishte një rast i humbur për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet themelore që ajo duhet të mishërojë: objektivitetin, paanshmërinë dhe të vërtetën. Është e papranueshme që asnjë kërkesë e mbrojtjes nuk merret parasysh, ndërkohë që gjykata dhe prokuroria veprojnë si një trup i vetëm”, tha ai.

Sipas Grudës, vendimet e deritanishme dhe rregullorja e kësaj gjykate dëshmojnë se mbrojtja nuk trajtohet në mënyrë të barabartë me prokurorinë.

“Megjithatë, ne besojmë fuqishëm se drejtësia, sado që vonon, në fund gjithmonë mbështetet mbi të vërtetën. Dhe e vërteta në këtë rast është e pakontestueshme: Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me besim të palëkundur vendimin përfundimtar për lirimin e tyre të plotë dhe të përhershëm”, theksoi deputeti Gruda. /Telegrafi/

 

The post  Gruda: Mbajtja e pozitës së ministrit dhe deputetit përbën vepër penale, ftojmë Prokurorinë të zbatojë vendimin e Supremes appeared first on Telegrafi.

Mexhiti: Me ligjin e ri kazinotë largohen së paku 500 metra nga objektet shkollore

16 July 2025 at 14:32

Zv.kryeministri Izet Mexhiti, sot në konferencë për media ka folur për propozim-ligjin e ri për lojërat e fatit, me të cilin tha se klubet e kazinove dhe bastoreve do të largohen së paku 500 metra nga objektet shkollore.

Mexhiti tha se me ligjin e ri për 70 përqind do të ulet prezenca e qendrave të bixhozit dhe bastoreve, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Dje qeveria jonë miratoi ligjin për lojërat e fatit. Është hap i rëndësishëm për luftën kundër mafias së bixhozit. Ne trashëguam shoqëri në të cilin bixhozi lulëzonte, sot të paktën operojnë 1500 qendra bixhozi, bastore dhe aparate bixhozi në të gjithë shtetin. Me ligjin e ri në start do të ulet prezenca e kësaj katastrofe për 70 përqind. Nga mbi 7000 aparate WLT do të eliminohen 4000”.

“Po ndalojmë reklamimin e bixhozit. Largojmë klubet e bixhozit dhe bastoret për të paktën 500 metra nga objektet shkollore, çerdhet. Rrisim taksat për të vështirësiur hapjen e pikave të kumarit. Në qeverisjen paraprake kompanitë me një licencë kanë hapur pa numër pika të basteve”, tha Mexhiti.

Ai gjithashtu theksoi se Qeveria do ta vazhdojë luftën kundër kazinove dhe bastoreve./Telegrafi/

 

The post Mexhiti: Me ligjin e ri kazinotë largohen së paku 500 metra nga objektet shkollore appeared first on Telegrafi.

Publikoi videon në rrjetet sociale duke ndotur ambientin, gjobitet 32 vjeçari në Tiranë

16 July 2025 at 14:31

Një person i moshës 32 vjeçare është gjobitur me 1 milion lekë të vjetra nga Policia e Tiranës, pas një videoje virale në rrjete sociale, ku shfaqet duke hedhur mbeturina nga një automjet në lëvizje.

Nga pamjet e publikuara dhe nga policia, i dyshuari shfaqet duke mësuar një turist të huaj si të hedhë mbeturinat në tokë nga makina, duke e cilësuar një gjë të tillë si normale në Shqipëri.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas publikimit të pamjeve, kryen verifikimet dhe bënë të mundur identifikimin e 32-vjeçarit.

Ai u shoqërua në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme procedurale.

“Si rezultat i verifikimeve u konstatua se videoja e publikuar ishte regjistruar para disa kohësh, si dhe u identifikua shtetasi që kreu shkeljen, konkretisht K. B., 32 vjeç. Ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Në përfundim të këtyre veprimeve, në zbatim të nenit 351 të VKM nr. 153, datë 07.04.2000, dhe nenit 15 të Kodit Rrugor, 32-vjeçari u ndëshkua me masë administrative gjobë 100 000 lekë. Materialet procedurale për këtë rast iu referuan Prokurorisë së Tiranës, me qëllim vlerësimin juridik të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për vlerësim të mëtejshëm juridik. /Telegrafi/

The post Publikoi videon në rrjetet sociale duke ndotur ambientin, gjobitet 32 vjeçari në Tiranë appeared first on Telegrafi.

❌
❌