Nëse Helicobacter pylori nuk trajtohet, mund të shkaktojë probleme serioze
Nëse kemi dikë në familje që është tashmë i infektuar, mundësia që edhe anëtarët e tjerë të familjes të infektohen është e madhe
Ndjenja gjithnjë e më e shpeshtë e fryrjes pas ngrënies, por edhe ngopja e hershme, dhimbja mbi kërthizë, poshtë koshit të kraharorit, janë simptoma që duhet t’ju shtyjnë të kërkoni ndihmën e një mjeku. Ka shumë mundësi që të jeni infektuar me Helicobacter pylori!
Është vërtetuar se 50% e popullsisë sonë e ka në trup këtë “bashkëbanues” jashtëzakonisht të pakëndshëm, ndoshta që në fëmijëri, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të shkaktojë kancer. Por lajmi i mirë është se ky bakter eliminohet shpejt!
Si transmetohet sëmundja
Më shpesh përmes duarve të pista, frutave dhe perimeve të palara mjaftueshëm, ujit që nuk është i pastër ose është i kontaminuar me mbetje fekale. Mund të transmetohet edhe nëpërmjet pikave të pështymës, është i pranishëm në zmaltin e dhëmbëve, është shkaktar i disa sëmundjeve të lëkurës dhe mund të gjendet edhe te lotët… Edhe kafshët shtëpiake mund të jenë bartëse, transmeton Telegrafi.
Si të mbrohemi
Duhet të kemi shumë kujdes për higjienën, sidomos higjienën e duarve, ushqimin që konsumojmë dhe cilësinë e ujit.
A shfaqet sëmundja menjëherë?
Gjithçka varet nga virulenca e baktereve, faktorët mjedisorë dhe gjendja imunitare e të infektuarit. Disa mund të mos kenë simptoma për një kohë të gjatë, por mund ta transmetojnë helikobakterin te një person tjetër. Infeksioni i zgjatur mund të çojë në kancer; 15% e pacientëve me Helicobacter kanë ulcerë duodenale dhe shumica vuajnë nga gastriti i zakonshëm.
Cilat janë simptomat
Ndjenja e fryrjes pas ngrënies, ngopja e hershme, dhimbja nën koshin e kraharorit. Alarmante është gjithashtu kur pacienti humbet më shumë se 10% të peshës trupore brenda gjashtë muajve, nëse vjell vazhdimisht, vjell gjak të freskët ose ka jashtëqitje të zeza si katrani. Njerëzit shpesh hezitojnë të shkojnë te mjeku nëse gromësijnë shumë, por duhet të dini se edhe kjo mund të jetë simptomë e infektimit me Helicobacter pylori.
Rekomandime parandaluese për të prekurit
Duhet të shmangin ushqimet që nxisin aciditet të lartë, ushqimet shumë pikante, të tymosura ose me shumë erëza, si dhe alkoolin dhe duhanin. Nëse konsumoni produkte të pasura me nitrite (si sallamrat, produktet e konservuara, turshitë), këto substanca në trup shndërrohen në nitrate, të cilat më pas mund të kthehen në komponime kancerogjene si nitrozamina dhe nitrozamide.
Para ekzaminimit – udhëzime për pacientët
Dy javë para ekzaminimit nuk duhet të merren terapitë e zakonshme (bllokuesit e pompës protonike dhe H2 bllokuesit), pasi gjatë biopsisë së mukozës së stomakut mund të jepet një rezultat i rremë (negativ). Gjatë trajtimit, që zakonisht përfshin edhe antibiotikë, duhanpirësit duhet të përmbahen nga duhani të paktën për 14 ditë, për të arritur efektin e plotë të terapisë. Te duhanpirësit, efektiviteti i trajtimit është rreth 30% më i ulët.
Nëse në familje kemi dikë që është tashmë i infektuar, mundësia që të infektohemi edhe ne është e madhe. /Telegrafi/
The post Nëse Helicobacter pylori nuk trajtohet, mund të shkaktojë probleme serioze appeared first on Telegrafi.