Ajo që hamë nuk ndikon vetëm në shëndetin tonë të përgjithshëm, por edhe në lëkurën tonë. Disa ushqime mund të shkaktojnë inflamacion dhe të ndikojnë në hormonet, duke çuar në bllokimin e poreve dhe shpërthime aknesh.
Edhe pse gjenetika dhe stili i jetesës luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e aknes, disa ushqime mund ta përkeqësojnë gjendjen. Nëse po përpiqeni të shmangni shpërthimet dhe të mbani lëkurën të pastër, dermatologët që folën për “Eat This, Not That!” rekomandojnë të shmangni këto shtatë ushqime:
Qumështi i tërshërës (Oat Milk)
Edhe pse është një zëvendësues shumë i njohur për qumështin e lopës, qumështi i tërshërës mund të shkaktojë akne tek disa persona.
“Oat milk ka gjithashtu një përmbajtje të lartë karbohidratesh dhe mund të kontribuojë në shfaqjen e aknes,” thotë Dr. Karan Lal, drejtor i dermatologjisë pediatrike dhe kirurgjisë kozmetike në Scottsdale, Arizona. “E kam parë vetë këtë efekt!”
Proteina e hirrës (Whey Protein)
Proteina e hirrës përdoret shpesh në smoothie apo shake për të shtuar proteina, por mund të çojë në probleme me lëkurën.
“Proteina e koncentruar e hirrës është njësoj sikur të pije 6 deri në 12 litra qumësht,” thotë dermatologia Emily Wood nga Westlake Dermatology, në Marble Falls, Texas.
Ajo shpjegon: “Arsyeja është sepse proteina e hirrës ndikon në rritjen e një faktori që quhet IGF-1 (Insulin-like Growth Factor 1), i cili rrit nivelet e androgjenëve, estrogjenit dhe proliferimin e qelizave të lëkurës (keratinociteve).”
“Androgjenët janë hormone si testosteroni që rrisin aknen. Ndërsa proliferimi i keratinociteve ndihmon në formimin e komedoneve (pikat e zeza apo të bardha).”
Ushqimet me indeks të lartë glicemik
Këtu përfshihen ushqime si biskota, ëmbëlsira, pijet me sheqer, orizi i bardhë, buka e bardhë dhe karamelet – të gjitha të lidhura me përkeqësimin e aknes.
“Këto ushqime rrisin nivelin e sheqerit në gjak, që më pas rrit inflamacionin dhe prodhimin e yndyrës në lëkurë,” thotë Dr. Wood.
Dr. Lal pajtohet dhe shton: “Sheqeri në përgjithësi nxit inflamacionin dhe është ‘ushqim’ për bakteret dhe majat që shkaktojnë akne! Mundohuni të shmangni sheqernat e rafinuara dhe zgjidhni burime më të shëndetshme si frutat.”
Suplemente me vitaminë B6 apo B12
Shumë njerëz marrin suplemente me vitamina B6 apo B12, por Dr. Wood thotë se këto mund ta përkeqësojnë aknen.
Ajo shpjegon: “Një teori është se këto vitamina ndryshojnë mikrobiomën e lëkurës, veçanërisht ndikojnë sjelljen e bakterit Propionibacterium acnes (P. acnes), i cili është një nga shkaktarët kryesorë të aknes.”
Marrja e tepruar e jodit (Iodine)
Sipas Dr. Wood, marrja e tepruar e jodit mund ta përkeqësojë aknen.
“Jodi gjendet në sasi të larta në algat detare dhe suplementet me kelp. Disa smoothie që pretendojnë se ndihmojnë lëkurën përmbajnë gjithashtu këto përbërës,” shpjegon ajo.
Ajo shton: “Kujdes me ato që pini – mund të jenë duke ju përkeqësuar aknen. Nuk dihet saktësisht pse jodi e përkeqëson aknen, por duket se rrit inflamacionin dhe prodhimin e yndyrës në lëkurë.”
Qumështi pa yndyrë (Skim Milk)
Edhe pse është zgjedhje më e shëndetshme për ata që duan të reduktojnë yndyrën, qumështi pa yndyrë mund të shkaktojë akne.
Studime vëzhguese kanë treguar një lidhje mes konsumit të qumështit pa yndyrë dhe rritjes së aknes tek adoleshentët. Ka disa teori pse ndodh kjo:
Qumështi përmban hormone si androgjenët dhe IGF-1 që ndikojnë në ndryshimet hormonale në trup;
Disa proteina në qumështin pa yndyrë mund të përkeqësojnë aknet;
Qumështi pa yndyrë mund të rrisë insulinën më shumë se qumështi i plotë;
Një tjetër hipotezë lidhet me përmbajtjen e jodit në qumësht, që ndikon në akne;
Dr. Lal shton: “Studimet kanë treguar se qumështi pa yndyrë lidhet me akne, dhe mendojmë se kjo ndodh për shkak të përmbajtjes më të lartë të sheqerit! Zgjidhni më mirë qumështin e bajames apo qumësht të plotë”. /Telegrafi/
The post Shtatë ushqime që shkaktojnë akne tek të rriturit appeared first on Telegrafi.