Normal view
Bandat vjedhin ndihmat në Gaza, shumë pak shpërndahen tek palestinezët
Palestinezët në Gaza përballen çdo ditë me mungesë ushqimi, edhe pse një pauzë taktike e Izraelit lejoi hyrjen e ndihmave në enklave për të paktën 10 orë në ditë.
Megjithatë një pjesë e madhe e ndihmës së kufizuar që hyn po grumbullohet nga bandat dhe tregtarët dhe shitet me çmime tepër të larta.
Një kilogram miell ka arritur deri në 60 dollarë ditët e fundit dhe një kilogram thjerrëza deri në 35 dollarë.
Kjo është përtej mundësive të shumicës së banorëve në territor, për të cilët ekspertët thonë se janë në rrezik nga uria dhe po mbahen vetëm me kursimet e paketa që u kanë mbetur.
Vendimi i Izraelit këtë fundjavë për të lejuar më shumë shpërndarje ndihmash ka ulur disi çmimet, por ende nuk është ndjerë plotësisht në terren.
Qeset me miell në tregje shpesh mbajnë logot e OKB, ndërsa paketimet e tjera kanë shenja që tregojnë se vijnë nga Fondacioni Humanitar i Gazës, të gjitha të shpërndara fillimisht falas. Është e pamundur të dihet se sa po devijohet, por asnjëri grup nuk është në gjendje të gjurmojë se kush e merr ndihmën e tij.
Në përleshjet rreth shpërndarjes së ndihmave në javët e fundit, banorët thonë se të fortët ishin në pozicionin më të mirë për të marrë ushqim.
Kur OKB merr lejen izraelite për të shpërndarë ndihmë, kamionët e saj pothuajse gjithmonë sulmohen nga bandat e armatosura ose mbingarkohen nga turma të uritura në zonën tampon të kontrolluar nga ushtria.
Shpërndarja e ushqimit vazhdon të jetë e mbizotëruar nga kaosi dhe dhuna. Edhe nëse Izraeli i ndërpret operacionet e tij ushtarake gjatë ditës, është e paqartë se sa do të përmirësohet situata e sigurisë.
/abcnews.al/
Balkan Update me Habi Hoxha, (29/07/2025)
Guterres: Palestinezët në Gaza po përjetojnë një katastrofë humanitare me përmasa epike
Sekretari i Përgjithshëm i OKB Antonio Guterres ka reaguar sërish për situatën problematike në Gaza.
Guterres ka paralajmëruar se në Gaza po përjetojnë një katastrofë humanitare me përmasa epike.
“Ushqimi, uji, ilaçet duhet të jenë pa pengesa”, është shprehur ai.
Referuar edhe alarmit të lëshuar nga organizata që regjistrojnë urinë globale, Guterres shtoi se “është konfirmuar ajo kishim frikë se mund të ndodhte; Gaza është në prag të urisë”.
Më tej nënvizoi se situata problematike po shpaloset përpara syve të të gjithëve.
/abcnews.al/
-
- SPAK, gati dosjen për “Metat”/ Meçe: Po aplikohet metoda “ndiq paratë”, nëse del e suksesshme atëherë…
SPAK, gati dosjen për “Metat”/ Meçe: Po aplikohet metoda “ndiq paratë”, nëse del e suksesshme atëherë…
TIRANË- SPAK ka gati akuzat për çiftin Meta-Kryemadhi. Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe është gati të depozitojë në Gjykatën e Posaçme dosjen që përfshiu tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Kryemadhi është paraqitur në SPAK për të marrë dosjen, ndërsa merret zyrtarisht e pandehur edhe nëna e saj.
Avokati i Ilir Metës kërkoi shtyrjen e komunikimit të akuzës, me pretendimin se është me pushime.
Juristi Arben Meçe, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, foli mbi këtë zhvillim të fundit, ndërsa tha se në këtë dosje, Prokuroria e Posaçme ka ndjekur metodën “ndiq paratë” dhe në këtë kuadër zinxhiri i hetimit ka prekur familjarët dhe lidhjet e afërta të Ilir Metës.
Ai theksoi se Meta është kujdesuar që korrupsionin të mos e firmosë me dorën e vet, por skema që ka ngritur ka bërë që paratë dhe përfitimet t’i shkojnë atij.
Sipas Meçes, nëse metoda që po ndiqet në rastin “Meta” do rezultojë e suksesshme, atëherë kjo qasje do të kthehet siç tha ai në një “tmerr për të gjithë pushtetarët” në Shqipëri.
“Çështja është e lidhur me hetimin pasuror. SPAK po zbaton metodën “ndiq paratë”. Rasti i familjes Meta dallon shumë nga të gjithë njerëzit e korruptuar, sepse Meta është kujdesuar që asnjëherë të mos vendosë firma. Nuk ka impklime formale me firmë të Metës. Zarfet , lekët dhe valixhet i shkonin Metës. Ka përdorur skema korruptive pa shënuar asgjë në letër. SPAK ka filluar të zbulojë të gjithë mekanizmin se si këto njerëz kanë poseduar vlera të mëdha monetare. Pastrimi i parave është në themel. Do kemi gjëra interesante mbi një procedurë, e cila ka zbërthyer një mekanizëm, që ka funksionuar në Shqipëri dhe që do të bëjë një precedent dhe do jetë tmerri i të gjithë pushtetarëve. Nëse kjo do jetë e suksesshëm atëherë metodat do jetë shumë efektive për goditjen e krimit politik në Shqipëri.”, tha ai.
Zjarret, Portugalia në alarm/ Disa fshatra kërcënohen nga flakët, dy mijë zjarrfikës në terren
Zjarret janë përhapur në të gjithë territorin portugez, teksa vendi është përfshirë nga një tjetër valë të nxehti.
Këtë të martë më shumë se 2 mijë zjarrfikës ishin në luftë me flakët, në të paktën tre vatra që ngritën alarm, po ashtu në terren ishin edhe 672 automjete zjarrfikëse dhe 21 mjete ajrore. Spanja gjithashtu dërgoi disa avionë për të ndihmuar në kontrollin e flakëve në zonë.
Në pjesën veriore të vendit, afër kufirit me Spanjën, një zjarr që filloi të shtunën në mbrëmje ka qenë duke djegur për disa ditë, duke kërcënuar fshatrat dhe zonën e mbrojtur natyrore të Geres.
Të hënën vonë, dy zjarre të tjera filluan në rajonin qendror të vendit, duke u përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta.
Zjarret janë të shpeshta në Portugali, veçanërisht në zonat rurale. Në vitin 2024, të paktën 5 persona humbën jetën si pasojë e zjarreve, teksa dhjetëra të tjerë u plagosën. Portugalia ka përjetuar një valë të nxehti ditët e fundit me temperatura afër 40 gradë Celsius.
/abcnews.al/
Virtual Wars me Jeta Kasemin, (29/07/2025)
-
- Starmer: Britania e Madhe do ta njohë Palestinën deri në shtator, nëse Izraeli nuk pranon armëpushim
Starmer: Britania e Madhe do ta njohë Palestinën deri në shtator, nëse Izraeli nuk pranon armëpushim
BRITANI E MADHE- Britania e Madhe do të njohë shtetin palestinez në shtator, përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në shtator në Nju Jork.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ky hap do të bëhet zyrtar nëse qeveria izraelite nuk merr masa për t’I dhënë fund situatës së tmerrshme në Gaza, nuk arrin një armëpushim, nëse nuk e bën të qartë se nuk do të ketë aneksim të Bregut Perëndimor dhe nëse nuk angazhohet për një process paqeje afatgjatë që ofron zgjidhje me dy shtete.
Megjithatë Starmer theksoi se edhe kërkesat e Mbretërisë së Bashkuar ndaj hamasit mbeten të njejta: të lirojë të gjitha pengjet, të nënshkruajë një armëpushim dhe të pranojë se nuk do të luajë asnjë rol në qeverinë e ardhshme të vendit dhe gjithashtu të çarmatosen.
Vendimi I Britanisë pason Francën, e cila gjithashtu do të njohë shtetin palestinesz në shtator në Asamblenë e OKB.
Presidenti Emmanuel Macron njoftoi vendimin javën e kaluar duke e bërë Francën vendin e parë nga G7 që e ndërmerr një hap të tillë.
Vendimi I Francës u kritikua nga Izraeli e gjithashtu edhe nga SHBA, e cila e cilësoi një veprim të pamatur vendimin e Macron.
Presioni ndaj qeverive perëndimore për të ndërmarrë hapa konkretë në lidhje me situatën në Gaza ka ardhur në rritje. Qytetarët e shumë vendeve kanë kërkuar reagim të menjëhershëm, pas skenave tragjike nga Rripi I Gazës, ku njerëzit mbetën pa ushqim dhe shumë humbën jetën nga uria, teksa të tjerë u vranë në përpjekje për të marrë ndihma.
Përmbyset varka në Mesdhe, të paktën 18 viktima dhe rreth 50 të zhdukur
Të paktën 18 emigrantë kanë vdekur dhe 50 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi varka e tyre u fundos në brigjet e Tobrukut gjatë fundjavës. Lajmi tragjik u konfirmua nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, e cila u referohet burimeve lokale.
Dhjetë persona janë shpëtuar deri më tani. Tobruku është një qytet bregdetar në kufirin e Libisë me Egjiptin .
“Kjo tragjedi e fundit është një kujtesë e zymtë e rreziqeve vdekjeprurëse me të cilat përballen njerëzit në kërkim të sigurisë dhe mundësive. Libia mbetet një qendër e madhe për migrantët dhe refugjatët, shumë prej të cilëve përballen me shfrytëzim, abuzim dhe udhëtime kërcënuese për jetën”, shtoi Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.
Që nga përmbysja e Muamar Gadafit në vitin 2011, Libia është bërë një qendër tranziti për emigrantët që kërkojnë të arrijnë Evropën duke kaluar shkretëtirën dhe Detin Mesdhe për t’i shpëtuar luftës dhe varfërisë.
Netanyahu i paraqet kabinetit planin për të aneksuar disa zona në Gaza
Raportohet se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i paraqiti kabinetit të tij të sigurisë një plan për të aneksuar disa zona të Gazës në mënyrë që të mbajë në qeveri ministrin e Financave të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich, i cili ka kërcënuar të japë dorëheqjen.
Sipas lajmit të gazetës “Haaretz”, Netanyahu me qëllimin për të mbajtur ministrin Smotrich në qeveri i paraqiti kabinetit të sigurisë një plan të miratuar edhe nga administrata amerikane.
Thuhet se Hamasit do t’i jepen disa ditë për të pranuar armëpushimin në Gaza dhe nëse kjo nuk ndodh do të vihet në zbatim plani i cili parashikon aneksimin me faza të një pjese të Gazës.
Smotrich ka sinjalizuar tërheqjen e tij nga qeveria izraelite nëse lejohet hyrja e ndihmës humanitare për Gazën.
Në një deklaratë të bërë më parë nga Zyra e kryeministrit izraelit ishte pretenduar se po kryhet bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare, SHBA-në dhe vendet evropiane për të ofruar ndihmë humanitare në Gaza.
Në deklaratë pretendohet se sulmet ndaj zonave me popullsi të dendur në Gaza ndalen çdo ditë midis orës 10:00 dhe 20:00 dhe se janë përcaktuar rrugë të sigurta për të garantuar kalimin e sigurt të autokolonave të ndihmave midis orës 06:00 dhe 23:00.
Gaza po “vdes nga uria”
Rripi i Gazës, nën sulmet izraelite dhe nën një rrethim të rreptë që kufizon ndihmën humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe furnizimesh higjienike.
Vdekjet për shkak të urisë, veçanërisht të fëmijëve, janë në rritje në Rripin e Gazës. Qarqet lokale dhe ndërkombëtare theksojnë se Izraeli përdor “urinë dhe etjen si armë”.
Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Rripit të Gazës duke bombarduar edhe infrastrukturën civile, shpeshherë shënjestron palestinezët që ka zhvendosur me urdhra të dëbimi në zonat ku ata strehohen.
Numri i njerëzve të zhvendosur nga sulmet dhe urdhrat e dëbimit të Izraelit në Gazën e cila ka popullsi prej afërsisht 2.3 milionë banorësh, raportohet të ketë arritur në 2 milionë dhe se shumë njerëz janë zhvendosur disa herë.
Të privuar nga furnizimet bazë, palestinezët luftojnë për të mbijetuar në tenda të improvizuara ose në shkolla të mbipopulluara ku mungojnë furnizimet higjienike ndërsa lavamanët janë të pamjaftueshëm dhe sëmundjet infektive po përhapen.
Ndërkohë, ushtria izraelite me sulmet e përditshme që kryen bombardon tendat dhe strehimoret civile të të zhvendosurve.
BBC: A do të ndjekë Britania hapat e Francës për të njohur shtetin palestinez?
Shkatërrimi që Izraeli i ka shkaktuar Gazës do të duhen vite që palestinezët ta kapërcejnë kështu shkruan BBC, ndërsa shtron pyetjen nëse do të arrijë Mbretëria e Bashkuar që të ndjekë hapat e Francës dhe të njohë shtetin palestinez.
Izraelit do t’i duhen gjithashtu vite që të kapërcejë dëmin që i ka shkaktuar qëndrimit të tij moral.
Perceptimet dhe mënyra se si njerëzit e shohin Izraelin në lidhje me gjendjen e tij morale ka ndryshuar dhe ka një ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh për këtë çështje edhe brenda Izraelit.
Dy organizata izraelite për të drejtat e njeriut dolën dhe thanë se Izraeli po kryente gjenocid. Dje dhe sot ka një mbledhje të kabinetit në Mbretërinë e Bashkuar ku do të diskutohet për njohjen e mundshme të një shteti palestinez nga ana e Britanisë.
Keir Starmer duket se po lëviz drejt kësaj ideje, pasi po përballet me një presion të madh brenda Partisë Laburiste.
Sigurisht, nuk ka shtet palestinez; është një aspiratë. Por është gjithashtu diçka që ka qenë politika e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve të tjera, përfshirë SHBA-në për shumë vite.
Realitetet në terren nënkuptojnë se zgjidhja me dy shtete është bërë praktikisht e pakuptimtë për shkak të zgjerimit të vendbanimeve hebraike, kundërshtimit të qeverisë izraelite dhe mënyrës se si territori ku do të ekzistonte fizikisht një shtet palestinez është gërryer dhe është marrë nga izraelitët, shkruan më tej Rama.
Edhe këtë mëngjes, në gazetat izraelite është folur për aneksimin nga Izraeli së bashku me presionin nga e djathta ekstreme të Bregut Perëndimor, i cili është gjithashtu territor që palestinezët e duan për shtetin e tyre.
Megjithatë, tani lind pyetja se si duhet të ndërmerret një hap konkret për ta bërë realitet zgjidhjen me dy shtete.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka vendosur që mënyra për ta bërë këtë është përmes njohjes. Francezët dhe britanikët e kanë diskutuar këtë për muaj të tërë në nivel diplomatik.
Pra, pyetja është nëse Britania ndoshta në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator do t’i bashkohet Francës për ta bërë këtë?
/abcnews.al/
-
- Parada ushtarake në Kroaci “zemëron” Serbinë/ Perlaskaj: Asnjë rrezik për qytetarët serbë është vetëm propagandë
Parada ushtarake në Kroaci “zemëron” Serbinë/ Perlaskaj: Asnjë rrezik për qytetarët serbë është vetëm propagandë
Në Kroaci mbahen këtë të martë provat gjenerale për paradën e madhe ushtarake që shënon 30 vjetorin e operacionit “Stuhia”. Ky operacion shënoi betejën e fundit të madhe të luftës për pavarësi dhe një fitore kundër Serbisë.
Serbia nuk ka ngelur pa reagim. Përmes Ministrisë së Jashtme këshillon qytetarët e Republikës së Serbisë që të shmangin tubimet që sipas tyre mund të çojnë në incidente nëse ndodhen në Kroaci gjatë periudhës së lartpërmendur, ndërsa për ata qytetar që nuk ndodhen aty, kjo ministri këshillon që mos të udhëtojnë drejt Kroacisë për një periudhë 10 ditore.
Në një intervistë në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Ermira Perlaskaj-Këshilltare në Ministrinë e Jashtme kroate foli për rëndësinë e kësaj parade, duke u shprehur se është një mesazh që tregon se me sa sakrificë është mbrojtur shteti kroat.
Sa i përket reagimeve nga ana e Serbisë, Perlaskaj i cilësoi thjesht si një propagandë, pasi Kroacia ka treguar se “është qendër e stabilitetit në Ballkan”.
“Një mesazh për të treguar se sa me sakrificë është mbrojtur shteti kroat dhe se sa duhet të vazhdojë të mbrohet. Sa për rrezikun që përflitet mund të them se është vetëm një antipropagandë. Pasi Kroacia asnjëherë nuk ka bërë ndonjë promovim që ka bëjë me rrezikun dhe cënimin e kufijve serb dhe mendoj që është thjesht një lojë e Serbisë. Në këtë paradë janë të ftuar të gjithë ata që janë miq të Kroacisë. Do të jetë edhe një homazh për ata që e kanë dhënë jetën për vendin”, tha ajo.
Gjithashtu theksoi se Kroacia është duke financuar në teknologjinë e re dhe në Ushtrinë Kroate.
“Sa për teknologjinë edhe armatimin po ndan një buxhet shumë të fuqishëm, pasi është pjesë e NATO-s dhe punon edhe për sigurimin e kufijve të shteteve të tjera, do të jetë një qendër e stabilitetit këtu në Ballkan. Ndërsa interesi i Kroacisë është që të avancohet marrëveshjet me aleatët e saj si Shqipëria dhe Kosova. Por nëse dëgjojnë deklaratat e serbë mendoj që është thjesht propagandë, pasi kemi parë viktimizim të Beogradit. Ne do të kemi avancim të ushtrisë jo vetëm asaj kroatë por edhe asaj shqiptare dhe kosovare”, u shpreh ndër të tjera ajo.
/abcnews.al/
News Hour me Habi Hoxha, (29/07/2025)
Kroacia, paradë për fitoren/ Nisin përgatitjet, Zagrebi në krah të aleatëve strategjike
Në Kroaci mbahen këtë të martë provat gjenerale për paradën e madhe ushtarake që shënon 30 vjetorin e operacionit “Stuhia”. Ky operacion shënoj betejën e fundit te madhe të luftës për pavarësi dhe një fitore të madhe kundër Serbisë.
Më shumë se 3,400 pjesëmarrës, 500 automjete dhe 40 avionë të Forcave Ajrore kroate do të shënojnë 30-vjetorin e operacionit “Stuhia” dhe Ditën e Fitores, me paradën që do të zhvillohet në Zagreb.
Mbi 2,000 anëtarë të njësive të këmbësorisë të ushtrisë kroate dhe shërbimeve të tjera mblidhen çdo ditë në bazën ushtarake Pleso, ku gjatë dy javëve të fundit kanë bërë prova për paradë historike.
Ushtria Kroate ka shtuar përgatitjet dhe ka intensifikuar ushtrimet për të gjitha njësitë gjatë dy javëve të fundit. Çdo ditë, anëtarët e njësive të këmbësorisë, si dhe anëtarët e shërbimeve të tjera, mblidhen në bazën ushtarake në Ples, në Velika Gorica dhe ecin në një itinerar prej 2.4 kilometrash pesë herë në ditë, sepse aq do të jetë gjatësia e itinerarit të paradës në rrugët e kryeqytetit kroat.
Gjithashtu do të prezantohen armë të reja dhe pajisje moderne ushtarake, të tilla si dronë Bayraktar, tanket Leopard dhe dronët e vegjël luftarakë.
Sipas mediave vendase, Kroacia ka ftuar një sërë vendesh aleate për të marrë pjesë në këtë ngjarje madhore. Në mesin e të ftuarve përmenden Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Franca, Gjermania, Kosova, Shqipëria, Ukraina dhe Polonia.
Këto vende konsiderohen partnerë strategjikë të Kroacisë, si në kuadër të bashkëpunimit ushtarak në NATO, ashtu edhe në kuadër të marrëdhënieve të qëndrueshme diplomatike.
Serbia nuk ka ngelur pa reagim. Përmes Ministrisë se Jashtme këshillon qytetarët e Republikës së Serbisë që të shmangin tubimet që sipas tyre mund të cojnë në incidente nëse ndodhen në Kroaci gjatë periudhës së lartpërmendur, ndërsa për ata qytetar që nuk ndodhen aty, kjo ministri këshillon që mos të udhetojnë drejt Kroacisë për njëe periudhë 10 ditore.
/abcnews.al/
Gjendet trupi në Ujman/ Tre ditë kërkime, bashkëpunim mes FSK dhe KFOR
Në ditën e tretë të kërkimeve gjendet trupi i pajetë i emigrantit në Liqenin e Ujmanit. Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkërendim me KFOR-in zhvilluan operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës, pasi dy dite me pare nga një prej urave të këtij liqeni dyshohet se një person kërceu dhe nuk doli më nga uji.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se FSK-ja u angazhua në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK-së kanë filluar operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejt të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Një 33-vjeçar dyshohet se kërceu nga ura në Ujman pasditen e së dielës. Ujmani gjendet në Zubin Potok, një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Pas këtij rasti Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes gjate kalimit ne ure.
Liqeni i Ujmanit është përdorur nga qytetarët e zonës dhe shumë prej emigrantëve si një lokacion për t’u freskuar në ditët e nxehta të korrikut.
Dyshohet se abuzoi seksualisht me një të mitur në Fier, shpallet në kërkim 30-vjeçari
FIER- Policia e Fierit është vënë në kërkim ete një 30-vjeçari nga lagjja “Sheq u Madh” Fier pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur.
Bashkë me 30 vjetarin , pjesëmarrës në marrëdhëniet seksuale me vajzën 13 vjeçe dyshohet se kane qenë edhe dy adoleshentë, të cilët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Denoncimi është bërë në komisariatin e Fierit mëngjesin e së hënës nga prindërit e të miturës të cilët u thanë oficerëve se vajza nuk ishte kthyer në shtëpi që prej mbrëmjes së të dielës.
Të shqetësuar për fatin e vajzës, prindërit denoncouan zhdukjen e se bijës por kjo e fundit u kthye në banesë pak orë pas denoncimit.
Ndërkohë inspektorët e policisë që kishin nisur kërkimet për vajzën, vazhduan hetimin për rastin duke e dërguar të miturën për ekzaminim mjekësor.
Nga ekzaminimi rezultoi se vajza 13 vjeçe ishte abuzuar seksualisht. Ne prani të psikologut është marrë në pyetje e mitura, e cila tregoi se natën që mungoi në shtëpi, e kishte kaluar me disa miq.
Ajo tregoi identitetin e 30-vjeçarit dhe dy 15-vjecarëve për të cilët nisi kërkimi policor.
Por 30-vjecari, ndërkohe ishte larguar nga vendbanimi dhe policia është ende në kërkim të tij. Dy adoleshentët janë marrë në pyetje në prani të psikologut. Ata po ndiqen penalisht në gjendje të lirë./abcnews.al
-
- Rreziqet e Inteligjencës Artificiale/ Papa Leoni XIV: Asgjë që vjen nga njeriu dhe zgjuarsia e tij s’duhet të minojë dinjitetin e të tjerëve
Rreziqet e Inteligjencës Artificiale/ Papa Leoni XIV: Asgjë që vjen nga njeriu dhe zgjuarsia e tij s’duhet të minojë dinjitetin e të tjerëve
VATIKAN- Papa Leoni XIV paralajmëroi për rrezikun e sulmit ndaj dinjitetit njerëzor, në kontekstin e përdorimit në rritje të Inteligjencës Artificiale dhe në një epokë të dominuar nga “shkenca dhe teknologjia”.
“Asgjë që vjen nga njeriu dhe zgjuarsia e tij nuk duhet (…) të minojë dinjitetin e të tjerëve”, tha ai gjatë një meshe në Vatikan.
Rreziqet e Inteligjencës Artificiale janë një temë e përsëritur për papën amerikan.
“Ne jetojmë sot në një kulturë të re, thellësisht të formësuar dhe të ndërtuar nga teknologjia. Varet nga ne dhe nga ju, të sigurohemi që kjo kulturë të mbetet njerëzore”, tha ai.
“Sot, në një kulturë ku dimensioni digjital është i kudondodhur, në një kohë kur lindja e inteligjencës artificiale shënon një gjeografi të re në jetën e individëve dhe të shoqërisë në tërësi, kjo është sfida me të cilën duhet të përballemi, duke reflektuar (…) mbi aftësinë tonë për të dëgjuar dhe folur, për të kuptuar dhe për t’u kuptuar”, vazhdoi ai.
Që në qershor, papa paralajmëroi për pasojat e mundshme të Inteligjencës Artificiale në zhvillimin intelektual të të rinjve.
“Ne të gjithë jemi (…) të shqetësuar për fatin e fëmijëve dhe të rinjve, dhe për pasojat e mundshme të përdorimit të Inteligjencës Artificiale në zhvillimin e tyre intelektual dhe neurologjik”, paralajmëroi papa amerikan në një mesazh për pjesëmarrësit e Konferencës së dytë vjetore të Romës mbi IA-në.
“Asnjë brez nuk ka pasur ndonjëherë qasje kaq të shpejtë në sasinë e informacionit që është tani në dispozicion falë Inteligjencës Artificiale. Por edhe një herë, qasja në të dhëna, sado e gjerë, nuk duhet të ngatërrohet me inteligjencën”, shtoi papa.
Ngërçi politik/ Kosova në “gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur”
Shteti i Kosovës është në gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur, kështu e përshkruan situatën institucionale në Kosovë, politologu Dritëro Arifi, profesor në Kolegjin UBT në Prishtinë.
Sipas tij, kjo gjendje është pasojë e dështimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të përmbyllur konstituimin e këtij institucioni deri më 26 korrik.
Kjo datë shënonte skadimin e afatit prej 30 ditësh të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për deputetët e Kuvendit, të cilëve, sipas një vendimi të po kësaj gjykate të publikuar më 24 korrik, u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim për konstituimin e Kuvendit nga data 27 korrik e deri më 8 gusht.
Politologu Arifi rikujton se Kosova është shtet parlamentar dhe, përderisa Kuvendi i Kosovës është institucion që ratifikon çdo ligj vendor dhe marrëveshje ndërkombëtare si dhe mbikëqyr institucionet tjera të shtetit, mosfunksionimi i tij e çon vendin në një situatë problematike.
“Shumica e të gjitha institucioneve relevante, me të cilat funksionon një shtet – sidomos një Republikë parlamentare – varen kryesisht nga Kuvendi. Pra, pa votat e Kuvendit nuk funksionon asgjë… Shteti i Kosovës është në gjendje të jashtëzakonshme, veçse se nuk është e shpallur. Është faktike”, thekson Arifi në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, gjendjen e jashtëzakonshme mund ta shpallë presidenti i vendit, në rast se: ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes; ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike; ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Zyrës së presidentes së Kosovës, nëse presidentja Vjosa Osmani konsideron se vendi po hyn në një fazë të mosfunksionimit institucional dhe rreziqet e situatës aktuale. Deri në publikimin e artikullit, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës sqarojnë se Kuvendi i Kosovës është gjeneratori kryesor që vë në lëvizje aktivitetin shtetëror, duke mbikëqyrur llogaridhënien e ekzekutivit, agjencive të pavarura dhe mekanizmave të tjerë, si dhe duke miratuar ligje dhe duke ratifikuar marrëveshjet e ndryshme ndërkombëtare.
Vullnet Bugaqku nga ky institut, thekson se përderisa Kuvendi mbetet i pakonstituuar, shteti i Kosovës është praktikisht në një bllokadë institucionale dhe aktualisht pa shtegdalje.
“Si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, shumë çështje mbesin pezull. Pa pasur një konstituim të Kuvendit, normalisht që edhe shteti nuk mund të veprojë dhe funksionojë në mënyrë normale dhe në mënyrë të plotë, në kuptimin e ushtrimit të përgjegjësive dhe funksioneve të secilit funksionar, por edhe të secilit institucion”, thekson Bugaqku.
Bllokada institucionale aktuale, sipas vëzhguesve të situatës politike në vend, tashmë po e përballë vendin me një varg pasojash.
Përplasjet politike, vlerësojnë ata, tashmë po dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, duke e paraqitur si një vend që nuk ka stabilitet politik.
Gjithashtu, pa Kuvend të konstituuar, që do të ratifikonte marrëveshjet ndërkombëtare, Kosova ende nuk ka arritur të marrë para-financimin nga fondi prej rreth 880 milionë eurosh nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, si dhe 90 milionë euro nga Banka Botërore.
Aktualisht shteti i Kosovës “është në pauzë” dhe nuk ka ndonjë sinjal se situata mund të dalë nga bllokada, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, në mungesë të një Kuvendi të konstituuar, Qeveria në detyrë e Kosovës, e cila ka kompetenca të kufizuara, aktualisht nuk ka kujt t’i përgjigjet apo t’i raportojë.
“Kur nuk ka Kuvend, nuk mund të formohet një qeveri e re dhe legjitime. Rrjedhimisht, shtohen mundësitë që kjo që është tani [Qeveria në detyrë] të prodhojë vendime të kundërligjshme dhe jokushtetuese, si dhe të krijojë një lloj situate kaotike për sa i përket zbatimit të kushtetutshmërisë, por edhe ligjshmërisë në vend”, thekson Bugaqku.
“Përveç presidentes që ka një legjitimitet, madje shumë të cunguar, sepse presidentja zgjidhet prej Kuvendit…Pra, absurditet në vete. I vetmi institucion ku jepet llogaridhënia është Parlamenti, ndërkaq ne nuk kemi Parlament”, thotë Arifi.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike në Kosovë, tashmë janë në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që pritet të sqarojë rrugën drejt konstituimit të Kuvendit pas 8 gushtit.
Lidhur me moskonstituimin e Kuvendit ka reaguar Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Ajo u ka thënë mediave vendore se ngërçi politik po vonon progresin e aspiratave të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve të Kosovës, si dhe u ka bërë thirrje liderëve politikë që të punojnë për të arritur një marrëveshje për konstituimin e organit ligjvënës./REL/
Bashkë me të birin dhunoi vëllanë, pranga 62-vjeçarit në Ksamil
KSAMIL- Dy persona janë arrestuar në flagrancë e në Ksamil pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dhunuar një person tjetri.
Sipas policisë, i dhunuari është vëllai i njërit prej agresorëve.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. H., 62 vjeç dhe E. H., 35 vjeç (babë e bir), banues në Ksamil, pasi më datë 28.07.2025, gjatë një konflikti, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta shtetasin B. H., 57 vjeç (vëllai i shtetasit Sh. H.), banues në Ksamil, duke i shkaktuar dëmtime në pjesën e kokës”, thekson Policia./abcnews.al
Europa, mes zjarreve dhe përmbytjeve/ Rumani, tre viktima dhe dhjetëra të zhdukur
Teksa Ballkani dhe Europa janë në luftë me zjarret që kanë shkrumbuar mijëra hektarë dhe kanë detyruar mijëra njerëz të evakuohen, Rumania përballet me një situatë të pazakontë të motit për këtë stinë.
Të paktën tre persona kanë humbur jetën në Rumaninë lindore për shkak të përmbytjeve. Ndërkohë qindra njerëz u evakuuan teksa autoritetet po kërkojnë për persona të zhdukur.
Rreth 25 fshatra në nëntë rajone u goditën nga shirat e rrëmbyeshëm dhe erërat e forta që shkatërruan çatitë dhe shkulën pemët, duke bllokuar qarkullimin në rrugët kombëtare.
Qarqet më të goditura në Rumaninë veriore ishin Neamt dhe Suceava, ku dy lumenj dolën nga shtrati, duke lënë të vdekur një 66-vjeçar dhe duke detyruar qindra njerëz të evakuoheshin.
Agjencia e emergjencave tha gjithashtu se dy gra, të moshës 85 dhe 83-vjeç, gjithashtu humbën jetën si pasojë e përmbytjeve.
Agjencia e menaxhimit të ujërave e Ministrisë së Mjedisit tha se niveli i ujit në dia lumenj u rrit në nivele rekord dhe po vijon puna për riparimin e urave të shembura.