Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 July 2025Abc News

Veliaj, “seancë” në qeli/ Kthupi: Ramës do i vijë momenti që duhet ta shkarkojë Veliajn

By: Re Nato
23 July 2025 at 23:34

Avokati Rezart Kthupi thotë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka betejë të gjatë ligjore, teksa është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Kthupi u shpreh se kryeministrit Edi Rama, do i vijë momenti që do duhet ta shkarkojë Veliajn.

“Janë akuza për shpërdorim detyre, janë akuza që kërkojnë fakte. Do jetë betejë interesante ligjore. Unë mendoj që liria e zotit Veliaj, varet nga ekzistenca e funksionit të kryetarit të bashkisë. I ushtrimit të funksionit të kryetarit të bashkisë. Nuk mendoj se zoti Veliaj do e japë dorëheqjen. Për shkak të nevojës që ka Bashkia Tiranë, unë mendoj se kryeministri do vendosë ta shkarkojë zotin Veliaj. Ky është i vetmi moment që zoti Veliaj të ketë shanse. Zoti Veliaj ka përpara tij një betejë shumë të gjatë ligjore. Ka edhe betejë politike dhe publike e mediatike. Unë mendoj që Tirana është e nevojshme të futet në proces zgjedhor për kryetarin e bashkisë.”, theksoi ai./abcnews.al

E mërkurë zie/ Përgjaken rrugët e Shqipërisë, 6 viktima vetëm në 24 orë

By: Rovena
23 July 2025 at 23:27

Një re zie ka mbuluar Shqipërinë këtë të mërkurë, 23 korrik 2025, teksa gjashtë jetë u shuan brenda vetëm 24 orëve në aksidente tragjike.

Një turiste nga Holanda humbi tragjikisht jetën në plazhin e Filikurit në zonën e Potamit në Himarë pasi u rrëzua nga lartësia. 23-vjeçarja holandeze rreshqiti aksidentalisht. Shoku i saj u përpoq ta mbajë, por nuk ka mundur, duke bërë që ajo bjerë nga një lartësi prej rreth 30 metrash.

Mesditën e kësaj të mërkure një aksident i rëndë ndodhi në Bulqizë, ku humbën jetën dy persona, Desta Gjeta dhe Burhan Gjoka. Kurse një fëmijë i mitur mbeti i plagosur dhe u ndodhet te Spitali i Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë një aksident tjetër u shënua në Dibër. Tek Ura e Luznis në fshatin Hotesh, një makinë u gjet e përmbysur në oborrin e një banesë, ku për pasojë ndërroi Arta Çera dhe mbeti i plagosur bashkëshorti i saj, Hajri Çera.

Një tragjedi ndodhi në Krujë. Ku një vajzë e mitur, rreth moshës 4-vjeçare u përplas aksidentalisht me makinë nga babai i saj, në afërsi të biznesit të tyre. E mitura u çua menjëherë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi që t’u mbijetonte plagëve.

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Piraj, mbrëmjen e kësaj të mërkure.

Një autoveturë u përplas me një trailer me targa serbe dhe më pas ka përfunduar jashtë rruge, duke u rrëzuar në një kanal. Si pasojë e përplasjes, një grua e moshuar që udhëtonte si pasagjere në autoveturë ka humbur jetën në vend, ndërsa tre pasagjerë të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë, si dhe drejtuesi i mjetit, kanë mbetur të plagosur./abcnews.al

Greta Thunberg proteston në Tiranë/ Aktivistja e njohur për mbrojtjen e klimës, në tubimin kundër luftës në Gaza

By: Re Nato
23 July 2025 at 23:23

Me pankarta në duar, “dërgoni ushqim, jo bomba” u mbajt protesta e rradhës në Sheshin “Skëndërbej” për të ngritur zërin për vuajtjet e popullit palestinez, si pasojë e luftës me Izraelin..

Siç kishte njoftuar në rrjeter sociale, dhjetërave protestuesve, iu bashkua edhe aktivistja e njohur suedeze me famë ndërkombëtare Greta Thunberg.

Në fjalën e saj, në zemër të kryeqytetit, Thunberg tha se gjendjen humanitare në Gaza është alarmante, ndërsa sipas saj arsyeja pse lufta në Gaza ka degraduar në gjendocid është heshtja e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar ndaj akteve të Izraelit, që kanë ardhur duke u përshkallëzuar.

Me flamurin e Palestinës në duar, aktivistët kërkuan armëpushim në Gaza.

Protesta zgjati rreth një orë, ndërsa thirrjeve “Liri për Palestinën”, iu bashkua në shqip edhe aktivistja Thunberg./abcnews.al

 

 

 

Rivlerësimi i pronave me 5 përqind/ Ministria hedh draftin për konsultim publik, zbatimi nga 1 janari 2026

By: Re Nato
23 July 2025 at 23:14

Nga 1 janari i vitit te ardhshem nis rivleresimi i pronave. Ministria e Financave ka hedhur per konsultim publik draftin, nisme qe u jep mundesine qytetareve dhe bizneseve te perafrojne vleren e prones se tyre me ate te tregut.

Sipas projektligjit, norma e tatimit do te jete 5% nga 15% qe eshte aktualisht dhe qytetaret do te kene kene mundesi te kryejne kete proces deri me 30 shtator 2026.

Amnistia perfshin edhe rivleresimin e pasurive qe jane ne proces regjistrimi. Nisma ishte propozuar qe prej vitit te kaluar, por konkretizimi zgjati ne kohe edhe per shkak te vendosjes se ccmimeve te references per banesat argumentojne financat. sipas Ministrisë rritja e ccmimeve te banesave nga rivleresimi i fundit e ben dosmosdoshmeri perditesimin e vleres se prones me ate te trefur.

Nga viti 2011 e deri ne vitin 2022 jane zbatuar ne vend tre procese per rivleresimin e pronave, nje nismë qe ka nxitur interes te lartë nga qytetaret dhe bizneset për te përfituar prej saj për shkak te normës së tatimit të reduktuar që duhet te paguajne. Vecc qytetareve, perfituese do te jete edhe vete qeveria pasi permes kesaj nisme rriten te ardhurat tatimore per arken e shtetit./abcnews.al

Aksident në Lezhë-Shkodër/ Makina përplaset me trajlerin me targa serbe, një viktimë dhe 4 të plagosur

By: Re Nato
23 July 2025 at 23:06

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Piraj.

Një autoveturë është përplasur me një trailer me targa serbe dhe më pas ka përfunduar jashtë rruge, duke u rrëzuar në një kanal. Si pasojë e përplasjes, një grua e moshuar që udhëtonte si pasagjere në autoveturë ka humbur jetën në vend, ndërsa tre pasagjerë të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë, si dhe drejtuesi i mjetit, kanë mbetur të plagosur.

Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak për aksidentin është bërë një parakalim i gabuar nga ana e trailerit me targa serbe, duke shkaktuar përplasjen fatale.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes./abcnews.al

SHBA miraton shitje ushtarake për Ukrainën, në fokus mbrojtja ajrore dhe teknologjia e dronëve

By: Rovena
23 July 2025 at 22:39

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë miratimin për një paketë të re shitjeje ushtarake drejt Ukrainës, me një vlerë prej 322 milionë dollarësh. Marrëveshja përfshin raketa për mbrojtje ajrore si dhe automjete taktike, me qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kievit përballë sulmeve të vazhdueshme nga Rusia.

Kjo ndihmë vjen në një kohë kur Ukraina ka nisur të zbatojë një strategji të re mbrojtjeje, e përqendruar te zhvillimi dhe përdorimi i dronëve interceptorë mjete ajrore pa pilot të destinuara për të ndaluar dhe asgjësuar objektiva ajrore armike.

Pavarësisht se forcat ukrainase disponojnë sisteme të avancuara si bateria raketore Patriot, përdorimi i tyre është i kufizuar për shkak të kostos së lartë dhe numrit të kufizuar. Një raketë e vetme Patriot arrin një çmim mbi 3 milionë dollarë, çka i bën ato më pak të përshtatshme për përdorim të shpeshtë pa ndikuar në rezervat strategjike.

Në kontrast, dronët interceptorë ofrojnë një alternativë më të lirë dhe më të qëndrueshme, si në aspektin financiar ashtu edhe në aspektin operacional. Investimi në këtë teknologji synon të zgjerojë mbulimin ajror të Ukrainës me mjete më të aksesueshme dhe të përshtatura për luftën moderne.

Ligjvënësit izraelitë i kërkojnë Qeverisë të aneksojë Bregun Perëndimor

By: Re Nato
23 July 2025 at 22:11

Më shumë se 70 ligjvënës izraelitë kanë miratuar një rezolutë më 23 korrik, përmes së cilës i bëhet thirrje Qeverisë të vendosë sovranitet mbi Bregun e pushtuar Perëndimor, edhe pse ky veprim simbolik nuk ndikon në statusin ligjor të territorit palestinez.

Votimi i rezolutës në Parlamentin izraelit, që nuk ka fuqi detyruese, u mbështet nga anëtarët e koalicionit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, si dhe nga disa deputetë opozitarë.

Ata thanë se aneksimi i Bregut Perëndimor “do ta forcojë shtetin e Izraelit, sigurinë e tij dhe do të parandalojë çdo vënie në dyshim të së drejtës themelore të popullit hebre për paqe dhe siguri në atdheun e tyre”.

“Sovraniteti në Xhudea dhe Samaria” – emërtimi që Izraeli përdor për Bregun Perëndimor, të cilin e ka pushtuar që nga viti 1967 – ishte “një pjesë përbërëse e realizimit të sionizmit dhe vizionit kombëtar të popullit hebre”, thuhet në tekstin e mocionit.

Yesterday — 23 July 2025Abc News

Uri masive në Gazë, 10 të vdekur për 24 orë

By: Rovena
23 July 2025 at 21:51

Kriza humanitare në Gazë po thellohet mes sulmeve të vazhdueshme izraelite dhe bllokadës së ndihmave. Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se 10 persona kanë vdekur nga uria në 24 orët e fundit në enklavë. E para njoftimit, mbi 100 organizata kanë kërkuar ndërhyrje urgjente ndërkombëtare për të ndalur urinë dhe për të siguruar një armëpushim të përhershëm. Por me paralajmërimin e organizatave humanitare nuk është pajtuar Qeveria e Izraelit.

Të paktën dhjetë persona kanë vdekur nga uria në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, ka njoftuar të mërkurën Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Munir al – Boursh, situata është alarmante.

“Numri i vdekjeje nga uria dhe kequshqyerja po rritet në shkallë alarmante. Këta nuk janë thjesht numra janë thirrje për ndihmë, një lutje njerëzore për botën që të veprojë para se të jetë vonë”, ka theksuar al- Boursh.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë u dha pak kohë pasi mbi 100 organizata humanitare dhe të drejtave të njeriut u bënë thirrje qeverive të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur përhapjen e urisë në Gazë.

Organizatat kërkuan gjithashtu armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, si dhe heqjen e të gjitha pengesave për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Në deklaratën e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë “Mercy Corps”, Këshillin Norvegjez për Refugjatët dhe “Refugees International”, paralajmërohet se uria në Gazë po përhapet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që ndihmat jetike, si ushqimi, uji dhe barnat, qëndrojnë të pashpërndara pranë kufirit, pasi organizatave humanitare u ndalohet të veprojnë.

“Derisa rrethimi i qeverisë izraelite po i lë të uritur banorët e Gazës, punonjësit e ndihmave po bashkohen me ta në radhët për ushqim, duke rrezikuar të qëllohen. Furnizimet kanë mbaruar plotësisht dhe organizatat humanitare po shohin kolegët dhe partnerët e tyre teksa rraskapiten para syve të tyre”, thuhet në reagimin e organizatave.

E zëdhënësi i Qeverisë izraelite, David Mencer, në reagimin e tij ka thënë se deklarata e organizatave humanitare është e rreme dhe s’përkon me realitetin në terren.

“Çdoherë që ka krizë të urisë në Gazë, ajo është e orkestruar nga Hamasi. Ata po përpiqen të parandalojnë shpërndarjen e ushqimit duke plaçkitur kamionët me ndihma”, ka deklaruar zëdhënësi i qeverisë izraelite.

Pavarësisht kësaj, ofensiva izraelite nuk ka ndaluar duke shkaktuar vdekjen e 21 palestinezeve në orët e hershme të së mërkurës. Në sulmin e fundit izraelit në enklavë raportohet se shumica e të vdekurve ishin gra dhe fëmijë.

Bombardimet goditën një shtëpi në pjesën veriperëndimore të qytetit të Gazës, duke lënë të vrarë të paktën 12 persona, bazuar në raportin nga spitali Shifa, në të cilin ishin trajtuar trupat e viktimave. Një tjetër sulm ka goditur një ndërtesë banimi në zonën Tal al-Hawa në veri të Gazës, duke vrarë të paktën gjashtë persona.

Mes të vdekurve ishin tre fëmijë dhe dy gra. Tetë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Sulmi i tretë ka goditur një tendë në lagjen Naser të qytetit të Gazës në orët e vona të së martës, ku mbetën të vrarë tre fëmijë, theksohet në njoftim.

Sipas ushtrisë izraelite, forcat e saj kanë goditur rreth 120 caqe në të gjithë Gazën gjatë 24 orëve të fundit, duke përfshirë celula militante, tunele dhe ndërtesa të minuara.

Rama tregon pamjet, lirohen hapësirat publike në Lalëz: Hapi i parë i një qasjeje të re ndaj buzës së detit

By: Re Nato
23 July 2025 at 21:43

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga lirimi i hapësirave në plazhin në Gjirin e Lalëzit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shprehs se ky. është vetëm hapi i parë i një qasjeje të re ndaj buzës së detit, e cila është e të gjithë shqiptarëve

“A ia vlen të humbasësh gjithë këta shezllonë e çadra për të sfiduar shtetin?!

Nuk e di, këta e dinë – në Lalëz këta e gdhinë si zaptues me qindra çadra dhe e ngrysën si të përzënë me duar në xhepa – po kthesa e këtij viti me plazhet publike është vetëm hapi i parë i një qasjeje të re ndaj buzës së detit, e cila është e të gjithë shqiptarëve jo vetëm e disa tregtarëve”, shkruan Rama në Facebook./abcnews.al

 

Arrestohen katër zyrtarë në Gjakovë, dyshohet se lëshuan vendime për prona

By: Re Nato
23 July 2025 at 21:33

Policia e Kosovës tha se ka arrestuar katër zyrtarë nga Drejtoria e Urbanizmit dhe ajo e Gjeodezisë dhe Kadastrës në Gjakovë, pasi ata dyshohet se kanë mundësuar që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet bartja e pronave në pronësi të personave të tretë.

Sipas njoftimit, zyrtarët, dy burra dhe dy gra, dyshohet se këto veprime i kanë bërë gjatë vitit 2018 dhe 2019.

Policia tha se pas hetimeve të kryera kanë siguruar dëshmi se të arrestuarit kanë lëshuar kundërligjshëm pëlqimet dhe vendimet për parcelizimin dhe bartjen e pronave tek personat e tretë, pa dijeninë dhe autorizimin e pronarëve legjitimë.

Të arrestuarit janë intervistuar dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Pas intervistimit, ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orë.

Rusia dhe Ukraina zhvillojnë bisedime në Turqi

By: Rovena
23 July 2025 at 21:13

Rundi i tretë i bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës janë takuar mbrëmjen e 23 korrikut në Stamboll, me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, që u ka bërë thirrje palëve që t’i japin fund sa më shpejt që të jetë e mundur “luftës së përgjakshme”, që ka nisur mbi tre vjet më parë.

“Qëllimi ynë është që t’i jepet fund luftës së përgjakshme sa më shpejt që të jetë e mundur. Qëllimi përfundimtar është një armëpushim që do t’i hapte rrugë paqes”, tha Fidan në nisje të negociatave.

Turqia, e cila ka raporte të mira me të dy fqinjët e saj në Detin e Zi, ka furnizuar Ukrainën me dronë dhe nuk i është bashkuar Perëndimit në sanksionimin e Moskës.

Ministri Fidan falënderoi liderët rus dhe ukrainas, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, për shfaqjen e “vullnetit për të mbajtur këto bisedime”, si dhe presidentin amerikan Donald Trump, për thirrjet e tij për t’i dhënë fund luftës.

Ai tha se raundi i parë dhe i dytë i bisedimeve, të cilët gjithashtu u zhvilluan në Stamboll, arritën “rezultate të rëndësishme”.

“Jemi të gëzuar që kemi parë realizimin e këmbimit të të burgosurve”, tha ai.

“Shpresa jonë për këtë raund të tretë negociatash është që palët të zhvillojnë konsultime thelbësore dhe të orientuara drejt rezultateve mbi memorandumet që kanë shkëmbyer”, tha Fidan.

Ai shtoi gjithashtu se nëse arrihet një armëpushim, Turqia ka “infrastrukturën e nevojshme për një mekanizëm për ta monitoruar atë”.

Palët janë takuar në Stamboll në maj dhe qershor dhe janë pajtuar vetëm për këmbimin e të burgosurve dhe trupave të ushtarëve të vrarë.

Javën e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, i dha Rusisë 50 ditë kohë që t’i japë fund luftës, në të kundërtën tha se Moska do të përballet me sanksione. Por, Kremlini nuk ka dhënë sinjale se ka vullnet për kompromis.

“Askush nuk pret një rrugë të lehtë. Do të jetë shumë e vështirë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për pritjet e tij për bisedimet.

Ukraina tha se shpreson që të dy vendet do të diskutojnë për lirimin e të burgosurve dhe të nisin punën për një takim mes Zelenskyt dhe Putinit.

Të dy palët kanë qëndrime krejtësisht të ndryshme për përfundimin e konfliktit.

Rusia ka kërkuar që Ukraina të tërhiqet nga katër rajonet ukrainase që Moska pretendon se i ka aneksuar në shtator të vitit 2022 një kërkesë që Kievi e ka cilësuar si të papranueshme.

Ukraina ka përjashtuar çdo negociatë për territorin para një armëpushimi dhe ka thënë se kurrë nuk do të njohë pretendimet e Rusisë mbi territoret e pushtuara përfshirë Krimenë, të cilën Moska e aneksoi në vitin 2014.

Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha në lindje dhe jug të Ukrainës dhe ka lënë të vrarë dhjetëra mijëra ushtarë dhe civilë.

Veliaj, zyrtarisht i pandehur/ Avokati Hoxha: Në themel të çështjes, mund të ndryshohet masa në arrest shtëpiak

By: Re Nato
23 July 2025 at 21:10

Avokati Arbër Hoxha thotë se drejtësia, duhet të vendosë mbi bazën e provave, duke iu referuar edhe çështjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili tashmë është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Hoxha u shpreh se në themel të çështjes, mund të ndryshohet masa për Veliajn, nga arrest në burg, në arrest shtëpiak.

“Drejtësia, mbi të gjitha një drejtësi funksionale dhe e guximshme, duhet të vendosë mbi bazën e provave, dhe jo mbi bazën e emrave. Që do të thotë, zoti Veliaj, unë i uroj shumë sukses në raport me fatin e vet personal, pse jo, edhe politik. Dhe mbi të gjitha, besoj se ndaj zotit Veliaj, në themel të çështjes, mund të ndryshohet masa e sigurimit, të paktën në arrest shtëpie”, theksoi ai./abcnews.al

Veliaj në burg, po drejtimi i bashkisë?/ Lami: PS sot, më e fortë apo më e atakuar? Muça: Ramës mund t’i kushtojë elektoralisht

23 July 2025 at 21:03

Veliaj është pas hekurave që prej shkurtit, por interesi publik dhe politik qëndron mbi drejtimin e bashkisë së Tiranës.

Analisti Roland Lami tha se duhet të shtrojmë pyetjen nëse PS është më e fortë apo atakohet më shumë pas arrestimit të një prej eksponentëve të rëndësishëm politik si Veliaj.

“Sot Veliaj është përballë akuzës, dhe shtrohet pyetja PS është më e fortë apo atakohet më shumë. Fati i PS nuk lidhet me atë të Veliat.Kur atakohesh krijon kosto dhe për partinë politike. Veliaj mund ta ndjekë çështjen deri në fazën finale.”

Gazetari Flogert Muça u shpreh për ‘Real Story’ se nuk ka pse Rama të marrë kosto politike për dosjen Veliaj, por në anën tjetër të monedhës mund t’i kthehet në kosto elektorale.

“Është argument që nuk ka pse të marrë kosto politike Edi Rama dhe mos të bëjmë sikur jetojmë në parajsën e demokracisë. Por kundërargumenti, Rama duke bërë këtë lëshim mund t’i kthehet në kosto elektorale. Duke hyrë në garë, kandidatët mund t’i thonë këtij do i besojmë ne. Nuk ka pasur asnjë bashki të madhe që ka ndodhur kjo.”

/ abcnews.al

“Berisha i lirë pavarësisht akuzave”, Meçe: Veliaj këmbëngul në pafajësi. Rama i fokusuar te hallet e qytetit

By: Rovena
23 July 2025 at 20:58

Në një analizë të drejtpërdrejtë në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Arben Meçe komentoi zhvillimet më të fundit që lidhen me përballjen ligjore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe solli në vëmendje raste të tjera të ngjashme në skenën politike shqiptare.

Meçe theksoi se ndryshe nga rasti i Jamarbër Malltezit, i cili ndodhet në fazë gjykimi për një vepër penale, apo Sali Berishës, që ndonëse përballet me akuza të rënda është ende i lirë, Veliaj po kalon një proces ku ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë, ndërsa vazhdon të deklarojë pafajësinë e tij.

Sipas Meçes, situata ndaj Veliajt është kthyer në një përplasje mes ligjit dhe perceptimit publik, ku shumë qytetarë shohin një lloj ndëshkimi nga ana e kryeministrit Rama, një ide që ai e hodhi poshtë, duke argumentuar se Rama po qëndron jashtë këtij procesi dhe është i përqendruar në menaxhimin e punëve të qytetit.

“Jamarbër Malltezi e kishte kaluar fazën e deklarimit të veprës penale dhe ishte në gjykim. Berisha është me vepër penale sot dhe është i lirë. Veliaj ka të drejtë të kërkoj ndryshimin e masës së sigurisë. Erion Veliaj të gjitha deklaratat e i ka që unë jam i pafajshëm, ai nuk e pranon fajësinë. Ne jemi në një pistë ligjore dhe në një debat politik për Erion Veliajn. Jo më shumë se sa një orë më parë dy miqtë më takojnë dhe më thonë pse Edi Rama po dënon Erion Veliajn. Sepse kanë këtë perceptim, ndërkohë që Rama nuk është i përfshirë fare. Rama qëndron në distancë dhe është i fokusuar që të zgjidhë hallet që ka qyteti. Sali Berisha po paralizohet sepse prodhoi VKM dhe prodhuan korrupsion dhe normalisht duhet të pranojë që të japë dorëheqjen”, tha analisti./abcnews.al

Bashkitë, në prag zgjedhjesh?/ Lami: Tirana mund të ketë zgjedhje të parakohshme

23 July 2025 at 20:44

Erion Veliaj ndodhet që prej muajit shkurt në paraburgim ndërkohë që interesi i qytetarëve dhe klasës politike lidhet me drejtimin e bashkisë më të madhe në vend.

Analisti Roland Lami tha se në Tiranë ka disa komponentë që mund të shpien në zgjedhje të parakohshme. Lami në analizën e tij tha se shumë vende të BE në të cilën drejtues të institucioneve janë gjendur në gjykim juridik, janë distancuar nga posti politik, gjë që sipas Lamit duhet të ishte bërë edhe nga Veliaj.

“Janë disa komponentë që Tirana të ketë zgjedhje të parakohshme. Në politikë nuk gjykohet ftohtësisht. Politikisht a mundet  një kryetar bashkie të mund të mbajë bashkinë kryesore ku ndërkohë precedentët e mëparshëm, kur dikush atakoihet politikisht dhe akuza ndaj tij është e rëndë. Moralsiht ndjen detyrimin për tu distancuar nga posti politik dhe i drejtohet gjykimit juridik. Këtë e bëjën shumë vende në BE. Elementi i dytë, Veliaj është përfaqësues i subjektit politik dhe PS nuk ka pse i lejon kosto vetes që një person të abuzoj me statusin e kryetarit të bashkisë. Mund të interpretohet si suport politik.” / abcnews.al

Rasti Veliaj/ Hoxha: Do shkarkohet nga kryeministri Rama. Lami: Drejtësia duhet të qëndrojë neutrale

By: Re Nato
23 July 2025 at 20:30

Avokati Arbër Hoxha thotë se nuk është e largët dita, që kryeministri Edi Rama do shkarkojë Erion Veliajn, nga posti i kryebashkiakut të Tiranës.

Në emisionin “Real Story” në ABC News, Hoxha u shpreh se Veliaj do shkarkohet për shkelje të rëndë të kushtetutës.

Ndërsa politologu Roland Lami deklaroi se rasti Veliaj, shërbeu për të parë se si SPAK do vepronte si institucion dhe shtoi se drejtësia duhet të qëndrojë neutrale.

Arbër Hoxha: Zoti Veliaj ka thënë që po mbahet në burg pa akuzë. Tani, nga i dyshuar, është i pandehur dhe besoj se nuk do të jetë e largët dita që zoti Veliaj do të shkarkohet nga kryeministri për shkelje të rëndë të kushtetutës. Besoj se nuk do të jetë e largët dita që zoti Veliaj do të shkarkohet për shkelje të rëndë të kushtetutës. Vendimet e Gjykatës së Lartë janë vendime të Kolegjit.

Roland Lami: Rasti Veliaj, krijon një bilanc pozitiv te qeveria e zotit Rama, por edhe te SPAK. E ekspozon qeverinë të distancuar nga drejtësia. Në perceptimin e BE krijohet ideja që institucionet e pavarura po lëvizin pa ndërhyrje politike. Rama, nuk e ka për gjë të çojë edhe një nga bijtë e tij. Në aspektin e bilancit të SPAK, edhe për SPAK është një bilanc, me një figurë të lartë si zoti Veliaj. Nëse tek zoti Rama, politizimi i çështjes është në ADN e partive politike, drejtësia duhet të qëndrojë strikt, neutral. Rasti Veliaj ishte për të parë si vepron SPAK si institucion. Duhet të na shërbente si rast model, duke pasur si busull ligjin dhe provën. Janë 3-4 komponentë, magnësi në rastin e zotit Veliaj. Mënyra se si është mbajtur në paraburgim./abcnews.al

‘Në kërkim’ të paqes tregtare/ SHBA dhe BE afër arritjes së marrëveshjes për tarifa bazë 15%

23 July 2025 at 19:59

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po afrohen drejt një marrëveshjeje për vendosjen e një tarife bazë prej 15% mbi mallrat e ndërsjellta, kanë konfirmuar burime diplomatike të BE-së. Marrëveshja, që ende nuk është zyrtarizuar, pritet të përfshijë disa përjashtime për mallrat evropiane.

Lajmi fillimisht u raportua nga Financial Times, duke cituar tre burime të njohura me situatën, të cilët thanë se marrëveshja mund të mbulojë edhe industrinë e makinave dhe do të ndjekë modelin e marrëveshjes së fundit të SHBA-së me Japoninë.

Sipas të njëjtave burime, të dy palët pritet të heqin tarifat për një sërë produktesh, përfshirë avionët, pijet alkoolike (si verërat dhe pijet e forta), si dhe pajisjet mjekësore.

Kjo marrëveshje vjen në një kohë kur tensionet tregtare mes SHBA-së dhe BE-së ishin të shpeshta. Një tarifë prej 30% mbi importet nga BE në SHBA ishte planifikuar të hynte në fuqi muajin e ardhshëm, çka do të shkaktonte kundërmasa të ashpra nga Brukseli.

Presidenti amerikan Donald Trump, i njohur për qëndrimet e tij agresive ndaj sistemit aktual tregtar global, kishte kritikuar prej kohësh “pabarazitë” në marrëveshjet tregtare ekzistuese. Edhe pse fillimisht paralajmëroi tarifat e reja, Trump vendosi të shtyjë zbatimin e tyre deri më 1 gusht, duke dhënë kohë për negociata me partnerët.

Marrëveshja e mundshme do të ishte një përparim i madh në uljen e tensioneve tregtare transatlantike dhe do të ofronte një kuadër të ri për bashkëpunim ekonomik mes dy prej blloqeve më të fuqishme në botë. Ajo gjithashtu do të ndihmonte në stabilizimin e tregjeve dhe në parandalimin e një lufte tarifore që mund të ndikonte miliona vende pune dhe miliarda dollarë tregti. / abcnews.al

❌
❌