Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 July 2026Abc News

SPAK mbyll hetimet për fraksionin e dosjes “Metamorfoza”, nën akuzë 9 të pandehur

21 July 2026 at 15:39

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për fraksionin e ndarë të dosjes “Metamorfoza”, për 9 të pandehur të cilët janë hetuar në mungesë, pasi masat e sigurisë për ta nuk janë ekzekutuar nga policia e shtetit prej gati 3 vitesh.

Prokurorët Arben Kraja dhe Bledar Maksuti mbyllën hetimet për Ervis Martinaj, një prej personave më të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, për Denis Bajrin, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Bardhyl Mavraj, Eljon Hato, Arsad Bashli.

Hetimet u mbyllën edhe për Nuredin Dumanin, person që po gjykohet edhe në megaoperacionin ‘Plumbi i Artë’. Ky i fundit mbahet në masën e sigurisë arrest në burg dhe ka statusin bashkëpunëtor i drejtësisë.

Ndaj të gjithë grupit, SPAK ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit te strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armeve shpërthyese dhe municionit”.

Çështja ka zbritur në GJKKO dhe pritet të hidhet shorti për të caktuar gjyqtarin i cili do marrë në shqyrtim kërkesën e prokurorisë, për kalimin ose jo të çështjes në gjyq.

VIDEO/ Skandali në postën e Durrësit! Me thesin me para në dorë. Kamerat kapin lëvizjet e shefes së Financave dhe arkëtares

21 July 2026 at 15:18

ABC News ka siguruar pamjet që tregojnë lëvizjet e punonjësve të postës së Durrësit.  Në pamjet shihet shefja e Financës së Postës dhe arkëtares, dhe momentet kur lëvizin në ambientet e brendshme.

Siç shihet në video duket që lëviz me thesin me para në zyra të ndryshme të Postës së Durrësit.

Kujtojmë se drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj,  shefja e financës, Valbona Doni dhe arkëtarja Paola Dana janë vënë në pranga nga policia në kuadër të operacionit policor të koduar “Filiali”.

Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.

Ndalimi i tyre u bë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.

VIDEO/ Përfshihet nga flakët autobusi në Vietnam, të paktën 7 viktima

21 July 2026 at 14:55

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pasi një autobus u përfshi nga flakët në Vietnam.

Sipas autoriteteve, autobusi me 24 vende ishte nisur nga provinca Lam Dong drejt qytetit Ho Chi Minh kur shpërtheu zjarri. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke bllokuar shumë prej pasagjerëve brenda mjetit.

Pesë persona të tjerë arritën të shpëtonin, por mbetën të plagosur dhe u dërguan për trajtim mjekësor.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynë për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e viktimave.

Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet vijojnë.

 

🇻🇳 Deadly Bus Fire in Southern #Vietnam

7 killed & 5 injured after a 24-seat sleeper bus traveling from Đà Lạt (Lâm Đồng Province) to Ho Chi Minh City crashed near Đồng Nai City, Đồng Nai

Authorities are investigating the cause of Fire#คุกกี้ติ๋มหก Thứ 3 #sınav #うたコン pic.twitter.com/85UijOsSu6

— Daily Briefs (@Daily_Briefs_) July 21, 2026

“T’u bashkohemi vendeve evropiane”, Dervishi: Paketa e Maleve duhet të vazhdojë, do të sjellë zhvillim dhe investime të reja

21 July 2026 at 14:23

Kryetari i Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave, Kujtim Dervishi në një intervistë në emisionin “Money Report”, foli për paketën e maleve, duke argumentuar rëndësinë e kësaj pakete.

Ai  cilësoi atë një nismë me potencial të madh për zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonave malore në Shqipëri.

Dervishi tha se është optimist për këtë paketë dhe se ajo mund të sjellë më shumë investime, veçanërisht në zonat që kanë nevojë për zhvillim dhe përmirësim të infrastrukturës.

“Jam entuziast për këtë paketë dhe kjo paketë duhet të vazhdojë. Nisma ‘Dyfisho biznesin’ do të shtojë biznesin dhe do t’i japë një zhvillim të madh edhe Paketës së Maleve”, u shpreh Dervishi.

Po ashtu tha se ka diskutuar për këtë çështje edhe me përfaqësues të bizneseve dhe me investitorë jashtë vendit, duke theksuar se ka interes të shtuar për zhvillimin e zonave malore shqiptare.

“Jam entuziast për këtë paketë dhe kjo paketë duhet të vazhdojë. Në një takim që kam qenë me disa biznese tët tjera me kryeministrin përpara një muaji, e kam sqaruar dhe mendoj që kjo do të jetë shumë funksionale. Nisma “Dyfisho biznesin”, do të shtojë biznesin dhe dot t’i japë një zhvillim të madh edhe paketës së maleve.

Por duhet thënë se është ngritur një tymnajë, kryesisht nga veriu që kanë thënë se paketa e maleve nuk duhet të funksionojë se do t’i rrëmbejnë oligarkët. Në daljet e mia jashtë shtetit kam diskutuar me disa pronarë që janë shumë të interesuar për të zhvilluar paketën e maleve. Pushteti vendor duhet të jetë shumë i qartë për të shpjeguar procesin e dokumentacionin. Edhe emigrantët janë shumë të interesuar për të investuar në Shqipëri. Interesi më i lartë është kryesisht në zona malore që kanë nevojë për infrastrukturë… Edhe emigrantët boll kanë punuar në emigracion, të vijnë të investojnë…Edhe ne t’i bashkohemi trendit evropian, Zvicrës”, tha ndër të tjera ai.

/abcnews.al.

Superprodhimi ul çmimet e perimeve/ Tregjet mbushen me prodhime të Myzeqesë, bie kostoja për konsumatorët

21 July 2026 at 14:09

Prej dy javësh tregjet e Fierit janë plot me perimet e freskëta të fushës, duke shënuar nisjen e atij që quhet sezoni i bollëkut në Myzeqe dhe që zgjat deri në fund të gushtit.

Superprodhim kanë shënuar këtë verë të gjitha perimet bazë si domatet, specat, trangujt dhe patëllxhanët e po ashtu edhe bostanorët. Përveç kultivuesve të mëdhenj, tregjet po furnizohen edhe nga produktet e kopshteve të fermerëve.

Këta të fundit megjithëse me çmime të ulëta, vijnë nga zona si Rroskoveci dhe Patosi për të tregtuar perime dhe frutat e kopshteve

Në këtë periudhë, tregjet në Fier furnizohen në masë nga kultivuesit e mëdhenj që mbjellin sipërfaqe të konsiderueshme me perime. Prodhimi i tyre shkon për eksport në pjesën më të madhe ndërsa furnizon edhe tregjet vendase.  Ndërkohë edhe produktet e fermerëve të vegjël kanë mbushur tregjet duke diktuar ulje çmimesh pas një periudhe kur këto të fundit shënuan rritje të paprecedentë.

Këtë vit në qarkun e Fierit, u mbollën 7500 ha sipërfaqe tokë me perime dhe 1200 ha sera.

/abcnews.al/

Bankat lehtësojnë kushtet e kreditimit/ Rritet kërkesa për financimin e konsumit dhe blerje banesash

21 July 2026 at 13:58

Bankat lehtësuan kriteret e kreditimit për qytetarët në tremujorin e dytë të vitit. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, kjo u evidentua si për huatë e dhëna për konsum, ashtu edhe për kreditë për blerjen e banesave.

Kërkesa për kredi nga individët u rrit gjatë kësaj periudhe e po ashtu edhe shkalla e miratimit të huave. Faktorët që kanë ndikuar lidhen kryesisht me nevojën më të madhe për financimin e konsumit dhe atë të blerjes së shtëpive, normat e interesit dhe besimin e konsumatorëve.

Sa i takon kredidhënies për blerjen e banesave, sipas bankës qendrore ndikim ka dhënë edhe ligji për rivlerësimin e pronave, duke u evidentuar si një tjetër faktor që ka nxitur kërkesën për hua në tremujorin e dytë të viti. Procesi i rivlerësimit me tatim të reduktuar ka nisur zbatimin prej marsit të këtij viti dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026.

Ndërkohë, prej korrikut të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë vendosi masa kufizuese për marrjen e kredive për blerje banesash, po pavarësisht kësaj 2025 regjistroi nivel rekord, ndërsa duket se efektet e rregullores së  po reflektohen përgjatë këtij viti pasi huadhënia për këtë segment ka shfaqur një tendencë ngadalësimi.

Sa i takon bizneseve të mëdha, bankat ndoqën thuajse të njëjtat standarde kreditimi me fillimin e vitit dhe lehtësuan më tej kushtet për sipërmarrjet e vogla e të mesme. Referuar anketës së bankës së Shqipërisë, kërkesa e bizneseve për kredi nga sistemi bankar u rrit në tremujorin e dytë si për likuiditet ashtu edhe për financimin e investimeve dhe tendenca pritet të jetë e njëjtë edhe në muajt në vijim.

/abcnews.al/

Sherr në një lokal në Durrës/ Arrestohen menaxheri dhe një punonjës, goditën me sende të forta turistët e huaj

21 July 2026 at 11:00

Një konflikt fizik i ndodhur në një lokal plazhi në Golem ka përfunduar me arrestimin e dy personave dhe procedimin penal të dy të tjerëve, të gjithë punonjës të subjektit ku ndodhi ngjarja.

Sipas Policisë së Durrësit, menjëherë pas njoftimit për përplasjen mes disa shtetasve dhe pesë pushuesve turq, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh ndërhynë në vendngjarje dhe nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë 33 vjeç, menaxher i hapësirës së plazhit, dhe 37 vjeçari, punonjës i subjektit, të dy banues në Durrës.

Ata akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”, pasi dyshohet se gjatë konfliktit, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta dy pushues turq.

Ndërkohë, në gjendje të lirë u proceduan penalisht 48 vjeç, banakier, dhe 49 vjeç, punonjës sigurie në të njëjtin subjekt.

Sipas policisë, ata dyshohet se kanë goditur dhe kanosur tre shtetas të tjerë turq. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Plagosje të lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Kanosje”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila po vijon veprimet e mëtejshme hetimore.

/abcnews.al/

“Yjet u sulmuan për pak ditë, por sot shkëlqejnë”/ Rama: Flamingot janë historia e Shqipërisë së re, sorrat dhe korbat nuk e kthejnë më vendin pas

21 July 2026 at 10:22

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video-mesazh me tone të forta politike, ku ka komentuar zhvillimet e fundit dhe vizionin e tij për Shqipërinë.

Rama u shpreh se “ato yje” përfaqësojnë Shqipërinë reale, qytetarët që sipas tij fitojnë të ardhurat me punë dhe meritë, ndërsa kritikoi ata që, sipas tij, përpiqen të hedhin baltë mbi çdo arritje.

“Ato yje janë Shqipëria reale. U sulmuan, u shuan për pak ditë, por shkëlqejnë. Disa sorra e korba duan ta kthejnë përmbys. Nuk kthehet më përmbys ky sistem. Është sistemi i garës dhe meritës”, deklaroi kryeministri.

Duke iu referuar asaj që e quajti “historia e flamingove”, Rama tha se ajo simbolizon historinë e Shqipërisë, ndërsa “sorrat dhe korbat” përfaqësojnë, sipas tij, ata që përhapin negativitet dhe pengojnë zhvillimin e vendit.

Kryeministri foli edhe për “Paketën e Maleve”, duke e cilësuar atë si një projekt të rëndësishëm për investimet e së ardhmes. Ai kritikoi zërat kundër investimeve të huaja.

“Ato yje ndajnë Shqipërinë e dembelhaneve që duan vetëm lekë dhe nuk lënë gjë pa thënë për gjithë të tjerë që lekun e fitojnë me punë. Ato yje janë Shqipëria reale, ato yje u sulmuan, u shuan për pak ditë, por sot shkëlqejnë. Disa sorra e korba duan ta kthejnë përmbys. Nuk kthehet më përmbys ky sistem. Është sistem i garës e meritës.

Nga ajo çfarë unë kam reflektuar nga gjithë ajo që kam parë nga pasqyra e Bulevardit të flamingove është temë tjetër. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë, ndërsa historia e sorrave dhe korbave që e kanë marrë peng dhe e kanë kthyer në një shëmbylltyre simetrike me jashtënxjerrjen e asaj opozitës që tani nuk dihet ku është. Ekstremet e majta dhe të djathta që vijnë për të sjellë më të keqen përmes dështakë zemërakes. Paketa e maleve është historia e investimeve të së ardhmes.

Këta që bërtasin për Shqipërinë që u dashka të jetë vetëm e shqiptarëve dhe ku nuk duhet të ketë të huaj është më e keqja që mund të ndodhë”, tha Rama, duke shtuar: “Shumë respekt për flamingot që më kanë mësuar shumë dhe më kanë bërë të mendoj thellë, dhe vetëm refuzim dhe madje edhe neveri për ata që janë sorra dhe korbat e këtij vendi që ulërijnë shajnë që këndojnë vulgaritete në kor. U duket se po ndryshojnë botën, asnjë shans nuk kanë. Ne nuk ndryshojmë rrugë por do bëjmë çmos t’ju marrim të gjithëve”, tha ai.

Rritet bilanci tragjik i tërmeteve në Venezuelë, mbi 5,270 viktima

21 July 2026 at 10:10

Bilanci i viktimave nga tërmetet e dyfishta që goditën Venezuelën më 24 qershor ka shkuar në të paktën 5,278 të vdekur, sipas të dhënave më të fundit zyrtare të publikuara nga presidenti i Parlamentit, Jorge Rodriguez.

Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 70 viktima të tjera, ndërsa numri i të plagosurve mbetet 16,740. Tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 shkaktuan dëme të mëdha, veçanërisht në shtetin bregdetar La Guaira, pranë kryeqytetit Caracas.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat më të prekura, ku ekipet ende po nxjerrin viktima nga rrënojat e ndërtesave të shembura. Mbi 23 mijë persona vazhdojnë të jenë të pastrehë dhe janë strehuar në më shumë se 100 kampe të përkohshme.

Presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez, premtoi se deri në muajin dhjetor do t’u dorëzohen të prekurve 4,000 banesa të reja, ndërsa shpërndarja e tyre do të bëhet çdo muaj. Ajo bëri të ditur gjithashtu se rreth 200 familje kanë përfituar tashmë apartamente në një kompleks banesash sociale dhe se qeveria synon të ndërtojë mbi 10,000 shtëpi të reja deri në vitin 2027.

Plagosja e Juxhin Hamajezit në Tiranë/ Arrestohen dy bashkëpunëtorët e dyshuar të Klodian Kallos

21 July 2026 at 09:56
Policia ka arrestuar Gjergji Lleshin dhe Lulzim Mejdanin në lidhje me plagosjen e Juxhin Hamajezit, ngjarje e ndodhur në muajin maj të këtij viti. Dy të arrestuarit dyshohen se kanë bashkëpunuar me autorin e dyshuar të ngjarjes, Klodian Kallo, dhe akuzohen për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”.

Sipas burimeve, gjatë marrjes në pyetje, Lleshi dhe Mejdani kanë refuzuar të japin deklarime lidhur me ngjarjen apo për autorin e dyshuar, duke u shprehur se do të flasin vetëm para gjykatës.

Juxhin Hamajezi, një person me precedentë të mëparshëm penal, mbeti i plagosur më 27 maj pasi u qëllua me një plumb në këmbë. Sipas hetimeve, plagosja ndodhi pas një konflikti me Klodian Kallon, i cili dyshohet se lidhej me një borxh të pashlyer.

Nga të dhënat paraprake rezulton se Hamajezi kishte marrë një automjet tip Jaguar dhe nuk kishte kryer pagesën për të, çka dyshohet se solli përshkallëzimin e konfliktit. Edhe autori i dyshuar, Klodian Kallo, rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penalë.

“Daily Mail”: Tirana në sytë e turistëve, një nga qytetet më ekonomike dhe më interesante të Evropës

21 July 2026 at 09:51

Kryeqyteti i Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Sipas medias britanike Daily Mail, Tirana renditet ndër destinacionet urbane më ekonomike në Evropë, falë kombinimit të çmimeve të përballueshme, historisë, kulturës dhe atmosferës së gjallë që ofron për vizitorët.

Artikulli thekson se Tirana është renditur e treta në Evropë për koston më të ulët të një pushimi urban, sipas Barometrit të Kostove të Qyteteve 2026 të kompanisë britanike “Post Office”. Vizitorët mund të shijojnë atraksione kulturore me çmime simbolike, si shfaqjet në Teatrin e Operas, muzetë dhe një darkë tradicionale në restorante cilësore, ndërsa akomodimi dhe fluturimet mbeten ndër më të lirat në kontinent.

Daily Mail rekomandon gjithashtu një vizitë në Durrës, vetëm 40 kilometra nga Tirana, duke vlerësuar amfiteatrin romak, shëtitoren bregdetare dhe atmosferën e qetë larg turizmit masiv.

Në Tiranë, vëmendje të veçantë marrin muzeu “Shtëpia me Gjethe”, komplekset Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, si dhe teleferiku i Dajtit, që ofron pamje panoramike të kryeqytetit. Artikulli ndalet edhe te zona e Bllokut, e cila sot është kthyer në një nga qendrat më të frekuentuara për gastronominë dhe jetën e natës.

Sipas medias britanike, ajo që e bën Tiranën të veçantë është energjia e qytetit, mikpritja e banorëve dhe kontrasti mes së kaluarës komuniste dhe zhvillimit modern, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në një destinacion që ofron shumë vlerë për paratë e shpenzuara.

Tepelenë/ Arrestohet 57-vjeçari për kultivim kanabisi

21 July 2026 at 09:45

Një 57-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tepelenë, pasi u kap duke kultivuar 175 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa në vazo, në një zonë të thellë të kanioneve të fshatit Progonat.

Operacioni antidrogë, i koduar “Rrjedha”, u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, pas një hetimi të zhvilluar me metoda proaktive në bashkëpunim me Prokurorinë.

Sipas Policisë, i arrestuari, shtetasi me iniciale I. M., banues në Tepelenë, u kap në vendin ku kishte kultivuar bimët narkotike, të cilat u sekuestruan dhe u asgjësuan.

Policia njofton se kontrollet antikanabis do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

FMN miraton 690 milionë dollarë të tjerë për Ukrainën, mbështet ekonominë gjatë luftës

21 July 2026 at 09:41

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka miratuar një disbursim të menjëhershëm prej rreth 690 milionë dollarësh për Ukrainën, në kuadër të programit të huasë që synon të mbështesë ekonominë e vendit gjatë luftës me Rusinë.

Me këstin e fundit, fondet e lëvruara nga FMN-ja për Kievin arrijnë në rreth 2,2 miliardë dollarë, nga një paketë totale financimi prej 8,1 miliardë dollarësh.

Pagesa u miratua pas rishikimit të programit të reformave, në kuadër të të cilit Ukraina është angazhuar të ruajë stabilitetin ekonomik dhe të zbatojë reforma në luftën kundër korrupsionit, sistemin tatimor dhe politikën monetare.

FMN vlerëson se, pavarësisht luftës që vijon prej shkurtit 2022 dhe sulmeve të vazhdueshme ruse, Ukraina ka arritur të ruajë stabilitetin makroekonomik dhe financiar. Sipas institucionit, zbatimi i programit ka qenë “në përgjithësi i kënaqshëm”.

Drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva, deklaroi se Ukraina vazhdon të tregojë një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, duke theksuar se ruajtja e stabilitetit makroekonomik mbetet prioriteti kryesor i vendit në kushtet e luftës.

Yesterday — 20 July 2026Abc News

Rëndohet bilanci, mbi 5.200 viktima dhe mijëra të pastrehë nga tërmeti në Venezuelë

20 July 2026 at 15:27

Bilanci i viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Venezuelën më 24 qershor ka shkuar në 5.208 të vdekur, ndërsa autoritetet vijojnë të përditësojnë të dhënat nga zonat më të prekura.

Sipas autoriteteve, gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar edhe rreth 100 viktima të tjera, ndërsa numri i të plagosurve mbetet 16.740.

Më shumë se tre javë pas katastrofës, ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet në ndërtesat e shembura, me shpresën për të gjetur persona të zhdukur. Deri më tani nuk është publikuar një bilanc zyrtar për të zhdukurit.

Ndërkohë, situata humanitare mbetet e rëndë. Mbi 21 mijë qytetarë kanë mbetur pa strehë dhe po jetojnë në kampe të përkohshme, ndërsa shumë familje vijojnë të kenë nevojë për ushqime, ujë dhe ndihmë mjekësore.

Sipas bilancit zyrtar, qindra ndërtesa janë dëmtuar nga lëkundjet e forta, ndërsa 190 prej tyre janë shembur plotësisht, duke lënë pas dëme të mëdha materiale dhe duke rënduar edhe më tej pasojat e një prej fatkeqësive më të rënda natyrore që ka përjetuar vendi.

/abcnews.al/

Shmanget tragjedia në plazhin e Shëngjinit/ Rrezikuan të mbyteshin në det, shpëtohen nëna dhe djali i mitur

20 July 2026 at 15:14

Një ngjarje e rëndë është shmangur në plazhin e Shëngjinit këtë të hënë, ku një grua dhe djali i saj i mitur rrezikuan të mbyteshin teksa ishin futur në det për t’u larë. Incidenti ndodhi në zonën e Ranës së Hedhun. Sipas te dhënave paraprake, nënë e bir, në rrethana ende të paqarta kanë hasur vështirësi në ujë duke rrezikuar jetën.

Ndërhyrja e menjëhershme e rojeve bregdetare te ndihmuar edhe nga pushues të tjerë, bënë të mundur nxjerrjen e tyre në kohë nga deti.

Shërbimet e urgjencës mbërritën me shpejtësi në vendngjarje, duke u dhënë ndihmën e parë mjekësore, pasi dyshohet se kishin konsumuar sasi të konsiderueshme uji.

Aktualisht, nëna dhe fëmija ndodhen në Spitalin e Lezhës, ku po marrin ndihme mjekësore dhe fatmirësisht gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.

❌
❌