Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 12 August 2025Faktoje

Ngecin hetimet për fondet IPARD

12 August 2025 at 14:00

Prej dy vitesh, fondet IPARD për bujqësinë shqiptare janë të bllokuara për shkak të dyshimeve për korrupsion, por hetimet e SPAK-ut nuk kanë sjellë ende rezultate konkrete. Brukseli këmbëngul që autoritetet shqiptare ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet, duke theksuar se paratë europiane duhet të mbrohen siç duhet. Ministria e Bujqësisë deklaron se po punon për auditimin e jashtëm dhe të tjera masa përmirësuese, por ende nuk ka një datë të qartë për rifillimin e financimeve IPARD.

Esmeralda Topi 

Prej dy vitesh, bujqësia shqiptare është pa miliona euro nga programi IPARD III, pasi fondet e Bashkimit Europian për zhvillimin rural janë bllokuar për shkak të dyshimeve për korrupsion. Brukseli ka dy vite që u kërkon autoriteteve shqiptare ta trajtojnë me seriozitet këtë çështje, por deri më tani reagimi i tyre i ngjan ritmit të breshkës.

Që prej vitit 2020, dosja për hetimin e abuzimeve me fondet e IPARD ka kaluar nëpër tryezat e institucioneve të drejtësisë shqiptare, pa asnjë rezultat konkret. Fillimisht, çështja u regjistrua në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Pas dy vitesh, SPAK shpalli moskompetencën dhe ia kaloi dosjen Prokurorisë së Tiranës. Në shtator 2023, dosja u rikthye sërish në SPAK.

Asokohe, SPAK i tha Faktoje.al se hetimi penal mbi shpërndarjen e fondeve ishte ende në fazë paraprake dhe, për shkak të sekretit hetimor, nuk mund të jepte më shumë informacion.

Të njëjtën përgjigje e dha edhe këtë fillim gushti.

“Çështja është në fazën e hetimeve paraprake. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike informacione të mëtejshme,” – SPAK.

Pra, edhe pas dy vitesh, hetimi për dosjen IPARD vijon të endet në fazë paraprake. Asnjë emër. Asnjë arrestim. Asnjë akt akuze.

“Të detyrojnë të besosh se nuk ka drejtësi!” – thotë Romeo Nazarko, një nga denoncuesit e parë të skemës së abuzimeve me fondet IPARD në Shqipëri. “Kam bërë tre kallëzime në SPAK, përfshi edhe IPARD-in, të treja në gjumë,” shton ai.

Në vitin 2023, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) përfundoi hetimin administrativ mbi abuzimet me fondet e IPARD II dhe ia përcolli raportin përfundimtar, së bashku me rekomandimet, autoriteteve shqiptare dhe Komisionit Evropian. Në një reagim për Faktoje.al zyra e shtypit pranë OLAF nënvizon se tanimë vendimmarrja për çdo hap të mëtejshëm u takon autoriteteve kompetente vendase, sipas vlerësimit të tyre. Me fjalë të tjera, OLAF e kalon topin në fushën tonë.

“OLAF zhvillon hetime administrative. Më pas, u takon autoriteteve kompetente të vendosin mbi çdo veprim të mëtejshëm lidhur me rekomandimet e OLAF, sipas vlerësimit të tyre. Për këtë arsye, ne nuk jemi në gjendje të komentojmë më tej, përfshirë detajet e hetimit dhe provat e mbledhura nga OLAF”, nënvizon zyra e shtypit të OLAF për Faktoje.al.

Paratë europiane të mbrohen siç duhet

Që kur u pezulluan fondet IPARD, Komisioni Evropian ka përsëritur vazhdimisht kërkesën që çështja të trajtohet me seriozitet nga autoritetet shqiptare. 

Për dy vite me radhë, kanë theksuar nevojën për masa korrigjuese dhe për transparencë të plotë në hetimin e abuzimeve, duke e bërë këtë kusht të domosdoshëm për rifillimin e financimeve.

Komisioni është në dijeni të një auditimi të jashtëm që qeveria shqiptare ka kontraktuar për të verifikuar grantet dhe pagesat e IPARD II, si dhe sistemin e ri të menaxhimit dhe kontrollit të brendshëm. Por ndërkohë që procedurat bilaterale vazhdojnë, nuk jepen detaje të tjera, ndërsa pritshmëria është që çështja të zgjidhet shpejt e me përgjegjësi.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë fermerët shqiptarë, sektorin agroushqimor dhe zonat rurale në të ardhmen, me kusht që interesat financiare të Bashkimit Evropian të mbrohen siç duhet.”- bën të qartë një zëdhënës i Komisionit Evropian për Faktoje.al.

Nuk ka datë për rikthimin e IPARD

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural deklaron për Faktoje.al se “është e angazhuar maksimalisht dhe po zbaton një plan veprimi me masa konkrete, dakordësuar me strukturat e Komisionit Evropian.” 

Auditimi i jashtëm, që sipas ministrisë “është në fazë zbatim dhe rezultatet e tij priten brenda këtij viti”, është një nga hapat kryesorë për rifillimin e fondeve.

Pas përfundimit të tij, ministria thekson se do të kryhen “procedurat në zbatim të Marrëveshjes Financiare Kuadër të Partneritetit dhe Marrëveshjes Sektoriale”, të cilat janë vendimtare për finalizimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin IPARD III dhe hapjen e thirrjeve për aplikime.

Por pavarësisht përpjekjeve, ende nuk ekziston një datë konkrete për rikthimin e fondeve IPARD. Ministria shton se “në përfundim të auditimit dhe përmbushjes së rekomandimeve të dhëna, do të finalizohet Marrëveshja e Financimit dhe më pas do të hapen thirrjet për aplikime.” 

Megjithatë, për fermerët dhe gjithë sektorin e bujqësisë, këto janë vetëm hapa në një proces që po zvarritet prej kohësh. Ata kërkojnë një datë të saktë për rifillimin e financimeve që do t’i japin frymëmarrje bujqësisë shqiptare.

Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante. Përmes programit IPARD II, i cili u zbatua gjatë viteve 2014 dhe 2020, Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro fonde. Dhe teksa vendi priste të niste mbështetjen në bujqësi përmes IPARD III me 146 milionë euro grante, Komisioni Evropian vendosi pezullimin bazuar në dyshimet për korrupsion. 

IPARD #Bujqësi #SPAK #Korrupsion #Shqipëri #KomisioniEvropian

The post Ngecin hetimet për fondet IPARD appeared first on Faktoje.al.

Shqipëri: Nevojiten urgjentisht përgjigje mbi pengimin e berë ndaj Focus Media Group dhe të drejtën e gazetarëve për të ushtruar detyrën

By: FAKTOJE
12 August 2025 at 10:50

DEKLARATË E PËRBASHKËT

12 Gusht 2025

Ne, Rrjeti SafeJournalists, partnerët e Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe organizatat shqiptare për lirinë e medias, shprehim shqetësimin e përbashkët mbi pengimin policor dhe ngjarjet pasuese që prekën Focus Media Group: News24, BalkanWeb, Panorama, Gazeta Shqiptare dhe media të tjera të lidhura me të.

Në orët e para të 9 gushtit, Policia e Shtetit rrethoi ndërtesën në Tiranë ku ushtrojnë veprimtarinë këto media, ndërpreu furnizimin me energji elektrike dhe pengoi qasjen për gazetarët dhe stafin. Kjo ndaloi transmetimin televiziv të News24 në kohë reale. Sipas Focus Media Group, nuk ishte dhënë asnjë paralajmërim paraprak për ndërprerjen efektive të sinjalit të transmetimit.

Veprimi i policisë buron nga një mosmarrëveshje më e gjerë pronësie midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Focus Media Group mbi qiratë dhe procedurat. Megjithatë, ndërhyrja e fortë e policisë është kryer mesa duket deri tani mbi baza ligjore të paqarta dhe pa respektuar procedurën e rregullt ligjore. Në mungesë të një baze ligjore të publikuar, vendimve gjyqësorë dhe urdhrave ekzekutues, ose një afati dhe hapash të qartë për vijimin e procesit, ligjshmëria dhe proporcionaliteti i veprimit vendosen seriozisht në pikëpyetje.

Si pasojë, që nga data 9 gusht një nga transmetuesit kryesorë të lajmeve në Shqipëri në nivel kombëtar, News24, ka qenë jashtë transmetimit. Deri më 12 gusht 2025, ende nuk ka asnjë qartësi se kur do të rifillojë transmetimi, as mbi të ardhmen e gazetarëve, punonjësve të medias dhe stafit mbështetës të Focus Media Group. Kjo pasiguri minon besimin e publikut, dobëson pluralizmin dhe rrezikon të krijojë një efekt frikësues mbi lirinë e medias.

Ndikimi mbi punonjësit e medias është i menjëhershëm dhe serioz. Rreth 230 të punësuar, gazetarë, punonjës të medias dhe staf mbështetës tani përballen me rrezikun e papunësisë, ndërsa shumë prej tyre prej disa kohësh po përjetojnë vonesa në pagesat e rrogave dhe mosshlyerje të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me ndërtesën e bllokuar dhe veprimtarinë e ndërprerë, mjetet e tyre të jetesës dhe e ardhmja e tyre profesionale janë në rrezik.

Prandaj, ne u bëjmë thirrje të përbashkët autoriteteve shqiptare që të garantojnë të drejtën e gazetarëve për të punuar, sigurinë e tyre, dhe:

  • të ofrojnë një shpjegim të plotë dhe publik mbi bazën ligjore, domosdoshmërinë dhe urgjencën e operacionit të ndërmarrë në orët e para të së shtunës, më 9 gusht 2025, duke përfshirë kohën e zhvillimit, metodat e përdorura, proporcionalitetin dhe nëse janë marrë parasysh alternativa më pak kufizuese;
  • të heqin kordonin policor, të rikthejnë furnizimin me energji elektrike dhe të lejojnë hyrje të lirë dhe pa pengesa në redaksi dhe vendet e raportimit, pa frikësim ose ndërhyrje;
  • të mbrojnë materialet dhe infrastrukturën gazetareske, duke u përmbajtur nga çdo sekuestrim ose dëmtim dhe duke siguruar akses të sigurt në pajisje, arkiva dhe lidhjet e transmetimit;
  • të mbrojnë të drejtat e punës gjatë ndërprerjes, duke bashkëpunuar me Inspektoratin e Punës që pagat dhe kontributet shoqërore të shlyhen dhe të mundësohen ambiente të përkohshme dhe masa për vazhdimësinë e punës;
  • të ofrojnë garanci efektive ligjore duke publikuar bazën ligjore dhe urdhrat, duke përcaktuar afatin dhe kushtet për heqjen e masave, duke siguruar një mundësi të qasshme për ankim me efekt pezullues kur është e zbatueshme, si dhe duke bashkëpunuar me AMA-n duke përdorur mjetet më pak kufizuese për të ruajtur vazhdimësinë e shërbimit të lajmeve;
  • të hetojnë çdo pengesë ndaj gazetarëve dhe të sigurojnë llogaridhënie dhe të komunikojnë rregullisht me publikun.

Ndërkohë, ne u bëjmë thirrje pronarëve dhe drejtuesve të Focus Media Group:

  • të veprojnë me urgjencë për të mbrojtur mjetet e jetesës dhe të drejtat e punonjësve, të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore dhe kontraktuale, si dhe të sigurojnë ambiente të përkohshme dhe plane vazhdimësie për të mbrojtur stafin dhe për të ruajtur aksesin e publikut në informacion;
  • të angazhohen në mënyrë konstruktive me autoritetet për të zgjidhur mosmarrëveshjen në mënyrë ligjore dhe transparente, me sa më pak ndërprerje të jetë e mundur në punën gazetareske dhe në të drejtën e publikut për t’u informuar;
  • të sigurojnë shlyerjen e rrogave dhe kontributeve shoqërore, aksesin e sigurt në pajisje dhe të dhëna, si dhe të mos ndërmarrin masa hakmarrëse ndaj stafit gjatë kësaj ndërprerjeje;
  • të ofrojnë transparencë të plotë mbi situatën ligjore dhe kontraktuale, në mënyrë që punonjësit dhe publiku të kuptojnë bazën e mosmarrëveshjes.

Kjo nuk është thjesht një mosmarrëveshje kontraktuale. Kjo situatë ngre çështje thelbësore lidhur me respektimin e procedurave të rregullta, proporcionalitetin, lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias. Të gjitha palët duhet të veprojnë shpejt, në mënyrë transparente dhe në interes të publikut për të siguruar që këto të drejta të respektohen dhe mbrohen.

Nënshkruar,

Rrjeti SafeJournalists

  •  Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
    • Shoqata e Gazetarëve të Kosovës
  •  Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
  •  Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
  •  Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
  •  Sindikatë e Medias e Malit të Zi

Reporterët pa Kufij  (RSF)

Partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR)

  •  Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
  •  Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
  •  ARTICLE 19 Europe
  •  Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
  •  Shtyp i Lirë Pa Kufizim (FPU)

Organizata të shoqërisë civile në Shqipëri:

  • Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
  • Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
  • Asociacioni e Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
  • Gruaja Shqiptare në Audiovizual (AWA)
  • Amfora
  • Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)
  • Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM)
  • Komiteti Shqiptar i Helsinkit (AHC)
  • Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
  • Rrjeti Ballkanik për Raportim Hulumtues Shqipëri (BIRN Albania)
  • Faktoje
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptar (UGSH)
  • Shoqata e Gazetarëve Europian, Seksioni shqiptar
  • Qendra Citizens Channel
  • Qendra Respublica

The post Shqipëri: Nevojiten urgjentisht përgjigje mbi pengimin e berë ndaj Focus Media Group dhe të drejtën e gazetarëve për të ushtruar detyrën appeared first on Faktoje.al.

Asnjë provë për shërimin e kancerit nga konsumi i vajgurit

12 August 2025 at 09:57

Pretendimi: Vaj i farës se zezë dhe vajguri kurojnë shumë sëmundje si kanceri, reumatizmi, diabeti dhe sëmundjet e veshkave

Verdikti: E paprovuar

——————————————————

Një video e postuar në rrjete sociale, nga një faqe që shet vajëra bimorë, tregon një burrë, i cili pretendohet se është mjek, që deklaron se vajguri dhe vaji i farës së zezë shëron një mori sëmundjesh, përfshirë dhe kancerin.

Teksti që shoqëron postimin pretendon se ky kombinim kuron një mori sëmundjesh duke filluar nga reumatizma tek diabeti tek kanceri në të gjitha format e tij. Reklama hedh një rrjet të gjerë për të kapur sa më shumë klientë.

Nuk shpjegohet se si vajguri apo vaji i farës së zezë luftojnë qelizat kanceroze, tumoret apo metastazat. Reklama kërkon që lexuesi ta besojë pa ofruar asnjë shpjegim të mekanizmit, vetisë, apo mënyrës me anë të të cilës kjo substancë shëron këto sëmundje. Reklama nuk citon asnjë literaturë shkencore apo studim.

Siç Faktoje ka shpjeguar dhe më parë, nuk ka prova të besueshme se vajguri shërben si kurë për kancerin, dhe nuk ka patur teste klinike të mjaftueshme mbi këtë përdorim. 

Prof. Dr. Zihni Sulaj, i kontaktuar nga Faktoje, pohoi se “nuk ka prova të bazuara në evidencë klinike që vajguri mund të përdoret në praktikën klinike moderne, aq më tepër si terapi për lloje të ndryshme të kancerit.”

Burri në video është Erxhan Muharremi. Siç kanë sqaruar dhe kolegët e Kallxo, Erxhan Muharremi thotë që është mjek alternativ, por nuk ka ndonjë kredencial në shëndetësi apo shkencë. Ai pretendon se ka shëruar mijëra pacientë me metodën e vajgurit, por refuzon të përmendë emra.

Ndërkohë, sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) pirja e vajgurit mund të shkaktojë të vjella, diarre, enjtje të stomakut, kollitje, përgjumje, shqetësim, nervozizëm dhe humbje ndjenjash. Për më tepër ata që pinë vajguri mund të hasin vështirësi ose dhimbje në frymëmarrje. Kollë, pneumoni, dhe vështirësi apo shimbje në frymëmarrje pas pirjes së vajgurit janë tregues që vajguri ka hyrë në mushkëri. Për më tepër, pirja e sasive të mëdha të vajgurit mund të shkaktojë koma, konvulsione, madje edhe vdekjen. Nëse vajguri prek lëkurën për periudha të shkurtra, mund ta shkaktojë skuqje, kruarje, apo plagë; nganjëherë mund të shfaqen flluska ose rrjepje lëkure. Ka patur disa raste të evidentuara të fëmijëve që janë helmuar nga pirja aksidentale e vajgurit.

Disa mjekë onkologë në Shqipëri kanë pohuar për “Faktoje” se, fatkeqësisht, kanë evidentuar raste të personave të sëmurë me kancer që kanë pirë vajguri duke menduar se do t’i ndihmonte me sëmundjen e tyre. Mjekët specialistë kanë ngritur alarmin herë pas here mbi rrezikun e kurave që vijnë nga interneti, duke përmendur edhe atë të “vajgurit çudibërës.”

The post Asnjë provë për shërimin e kancerit nga konsumi i vajgurit appeared first on Faktoje.al.

Before yesterdayFaktoje

Bllokimi i “Focus Media News”, gazetarët në protestë

By: FAKTOJE
11 August 2025 at 16:44

Pas bllokimit të sinjalit të televizionit News 24 nga ndërhyrja e policisë dhe forcave ushtarake, dhjetëra gazetarë protestuan duke kërkuar lirimin e ambientëve dhe funksionimin normal të medias.

Sebi Alla

Ora 07.36, dt 09.08.2025, sinjali televiziv u shkëput, kur forca të shumta policore dhe ushtarake, bllokuan ambientet e televizionit News 24, agjencisë së lajmeve Balkanëeb, Gazetës Panorama, Gazetës Panorama Sport dhe Radio Rash. Mbyllja u bë pas një urdhri të lëshuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Invovacionit e cila sipas saj, duke iu referuar vendimeve gjyqësore, kaloi hapësirat e marra në shfrytëzim nga “Focus Media News”, tek Agjencia Shtetërore e Prodhimit dhe Tregtimit të Armëve KAYO.sha. Ndërsa pretendimet e palëve shtet-subjekt privat janë të ndryshme, 230 punonjës të medias, gazetarë, operatorë dhe staf mbështetës teknik, kanë mbetur pa punë prej tre ditësh dhe nuk lejohet që të futen në zyrat e tyre, duke mos kryer misionin parësor: “informimin e publikut”.

Protesta

Ditën e sotme dhjetëra gazetarë të “Focus Media News” dhe shumë kolegë nga media të tjera protestuan me parkarta në duar ky binte në sy disa të tilla si: “Media nuk mbyllet, por mbrohet”; “Ne s’jemi kriminelë që na sillni polici dhe ushtri”, apo “Liria e medias nuk është negociatë”. … “Të shtunën në mëngjes, pa paralajmërim, u ndërpre sinjali ynë dhe u bllokua hyrja e gazetarëve në vendin e tyre të punës. Na u tha se ishte një çështje kontrate qiraje, por të gjithë e dimë se marrëdhëniet kontraktuale nuk mund dhe nuk duhet të shërbejnë si pretekst për të mbyllur një zë të lirë informimi. Konfliktet civile zgjidhen në gjykata, jo duke fikur ekranin e një televizioni që i shërben publikut”-tha drejtoresha e informacionit në News 24, Anila Jole. Ndërsa shtoi se “…kjo që ndodhi nuk është vetëm një çështje e News24, është çështje që prek çdo media dhe çdo gazetar në Shqipëri, pasi sot është News24, nesër mund të jetë çdo zë tjetër kritik”.

Konflikti

“Focus Media News” prej më shumë se dy dekadash është vendosur në godina shtetërore nëpërmjet kontratave të qirasë të nënshkrruara në disa vite me kohë zgjatje të ndryshme shfrytëzimi. Një nga godinat është me kontratë të përfunduar që në vitin 2023, por në procese të vazhdueshme gjyqësore, ndërsa godina tjetër me kontratë qiraje në fuqi deri në vitin 2033. “Nëse shoqëria Kayo do të kishte një vendim gjyqësor për lirimin e godinës do të kishte një njoftim paraprak nga përmbaruesi dhe më pas lirimin e ambienteve e bën përmbaruesi. Në këtë rast nuk ka asnjë vendim gjyqësor dhe asnjë përmbarues”, u shpreh avokati i kompanisë, Erjon Kanxheri. Ndërsa në përgjigjen e saj zyrtare, Ministria e  Ekonomisë, Kulturës dhe Invovacionit thotë se ka ndjekur të gjithë procedurat ligjore. “Pretendimi i shoqërisë se kontrata e saj e qirasë ka afat deri në vitin 2033 lidhet me një pasuri tjetër shtetërore, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasurinë e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a”. Mësohet se IKMT ka prishur në orët e para të mëngjesit të sotëm një tunel lidhës mes dy objekteve, godinës A që është sekuestruar dhe pretendohet se i ka përfunduar kontrata dhe godinës B e cila ka leje shfrytëzimi deri në vitin 2033. “Focus Media News” shprehet se gjatë ndërhyrjes janë dëmtuar një pjesë e teknikës, duke rrezikuar arkiven dhe serverat. Megjithëse institucionet shtetërore nuk kanë sekuestruar godinën B, sërish punonjësit nuk lejohet të futen brenda atyre ambienteve, me pretendimin se për të shkuar deri aty “shkelin në pronë shtet”. Përvecc forcave të policisë që qëndrojnë në perimetrin e jashtëm të objeteve, në brendësi janë forcat ushtarake të cilët janë udhëzuar për të mos lejuar asnjë punonjës të futet.  

Reagimet

Organizatat mediatike vendase dhe të huaja reaguan me shqetësim në lidhje me bllokimin e sinjalit të transmetimit të “Focus Media News”, duke e cilësuar ndërhyrjen me forca policore dhe ushtarake si të papranueshme dhe cënim i lirisë së medias. Qëndrime pati sot edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Rrjeti Global për Mediat e Pavarura (IPI). Në reagimet e tyre theksohet se nevojiten veprime të menjëhershme nga autoritetet shtetërore për rikthimin e plotë të funksionimit të mediave, përfshirë sinjalin e News24, dhe për të ofruar arsyetim ligjor për pengimin e aksesit të publikut në përmbajtjen mediatike. Edhe Faktoje.al bashkohet me qëndrimin se bllokimi, cënimi i lirisë dhe veprimet që lënë të papunë dhe në pasiguri mbi 200 punonjës të medias, gazetarë dhe staf mbështetës, janë të papranueshme, pavarësisht konflikteve dhe pretendimeve institucione shtetërore-subjekt privat.

The post Bllokimi i “Focus Media News”, gazetarët në protestë appeared first on Faktoje.al.

Të gjeneruara pamjet e ushqimit të dërguara nga deti në Gaza

11 August 2025 at 13:16

Pretendimi: Ky imazh tregon ushqim me shishe të hedhura në det nga egjiptianët për palesitnezët në Gaza

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————–

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se tregon ushqim me shishe të hedhura në det nga egjiptianët për palestinezët në Gaza.

Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, një në tre persona në Gaza “nuk ka ngrënë për ditë të tëra.” 

Disa raportime legjitime treguan inisiativën e disa egjiptianëve për të transportuar drithëra dhe ushqime të tjera të nëpërmjet shisheve plastike që mund të pluskojnë në det, me shpresën që do të arrijnë Gazën nëpërmjet rrymave detare. Ideja u propozua nga një inxhinier egjiptian me bazë në Japoni, i cili sugjeroi që shpërndarja e ushqimit nëpërmjet detit Mesdhe ishte metoda më praktike, duke pasur parasysh bllokadën e vazhdueshme në Gaza.

Në një postim në Facebook, ai shpjegoi se një bidon plastik 25 litra i mbyllur mirë mund të mbajë afërsisht gjashtë deri në tetë kilogramë ushqim, duke lënë një boshllëk ajri prej rreth tetë litrash për të siguruar pluskimin mbi ujë. Për të qënë të suksesshme këto dërgesa duhet të lëshohen të paktën katër kilometra larg bregdetit, në një kënd 60 gradë në verilindje, për të anashkaluar rrymat e kundërta.

Megjithatë, imazhet në postimin e mësipërm nuk janë autentike. Ato janë gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Në imazhin e njerëzve që mbanin shishe, një gisht i madh duket sikur përkulet në mënyrë të panatyrshme. Programet gjeneruese AI shpesh kanë vështirësi në krijimin e duarve dhe gishtërinjve realistë. Shishet në det janë gjithashtu të shtrembëruara, ndërsa tiparet e burrave në sfond janë shumë të paqarta dhe të vështira për t’u dalluar. Gjithashtu, disa nga shishet pluskojnë mbi sipërfaqen e ujit, duke sfiduar ligjet e fizikës.

Imazhi i shishes që noton në det, gjithashtu, duket jorealist. Nëse do të ishte e mbushur me ushqim, shishja nuk do të pluskonte aq shumë mbi sipërfaqe. Si pasojë e peshës së ushqimit, ajo duhet të ishte pjesërisht e zhytur në ujë.

Si përfundim, megjithëse ka raportime të besueshme se disa egjipitianë po hedhin shishe të mbushura me ushqim në det me shpresë se do të arrijnë popullin e Gazës, këto imazhe nuk janë të vërteta, por të gjeneruara me programe kompjuterike.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

The post Të gjeneruara pamjet e ushqimit të dërguara nga deti në Gaza appeared first on Faktoje.al.

Asnjë prej këtyre pamjeve nuk i përket tërmetit në Rusi

11 August 2025 at 09:53

Pretendimi: Kjo video tregon pamje nga tërmeti 8.8 ballë që goditi gadishullin e Kamchatka në Rusi në korrik 2025

Verdikti: Gjysmë e vërtetë

———————————————————

Në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon tërmetin 8.8 ballë që goditi bregun Kamchatka të Rusisë më 29 korrik 2025.

Video 1-minutëshe përbëhet nga klipe të ndryshme, disa prej të cilave në fakt nuk tregojnë tërmetin e korrikut 2025 në Rusi.

Klipi i parë, siç Faktoje ka shpjeguar më parë, tregon një tërmet që goditi gadishullin Noto në Japoni më 1 janar 2024 me magnitudë 7.6 ballë.

Klipi i dytë tregon vërtet pamje nga tërmeti 8.8 ballësh në Rusi këtë korrik.

Klipi i tretë, megjithatë, qarkullon në rrjet të paktën që nga viti 2024, dhe me gjasa tregon tërmetin që goditi gadishullin Noto në Japoni më 1 janar 2024 me magnitudë 7.6 ballë.

Një tjetër klip, që tregon tundjet e një tërmeti të xhiruara nga brenda një treni, gjithashtu është në rrjet që në 2024, përpara tërmetit të korrikut 2025. Nga përshkrimet e shoqërojnë, me gjasa ai tregon po të njëjtin tërmet 7.6 ballë që ra në Japoni në 1 janar 2024.

Klipi pasardhës, gjithashtu qarkullon në rrjet që përpara korrikut, specifikisht që në Mars të këtij viti. Ai tregon pamje nga Tailanda, ku u ndjenë lëkundjet e një tërmeti 7.7 ballë që goditi Myanmarin qendror më 28 mars 2025. 

Nga po i njejti tërmet i marsit 2025 është edhe klipi pasardhës, i cili gjithashtu qarkullon në rrjet që përpara tërmetit në Rusi.

Klipi i fundit i videos, gjithashtu, qarkullonrrjet që përpara korrikut 2025, dhe me gjasa tregon tundjet nga një tërmet 6.5 ballë që goditit Japoninë më 27 prill 2024.

The post Asnjë prej këtyre pamjeve nuk i përket tërmetit në Rusi appeared first on Faktoje.al.

Komisarë të djegur, më mirë një mik se një gradë në polici

By: FAKTOJE
8 August 2025 at 14:08

Dhjetëra ankesa dhe padi në gjykatë nga 86 komisarë që fituan gradën, por u lanë në listë pritje duke u djegur karrierën një pjese të tyre. Emërime klienteliste dhe pa gradë përkatëse në poste kyçe?

Nga Sebi Alla

Një vit pritje për tu emëruar në pozicionin e punës sikurse iu jepte këtë të drejtë grada e fituar me konkurs, por në fund, ajo që morën nga strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit ishte lajmërimi që humbën jo vetëm punën sipas gradës, por edhe vetë gradën, duke ua hequr një yll nga supet… Dhjetëra komisarë janë djegur në një proces të dyshimtë emërimesh në strukturat e policisë, duke i detyruar disa prej tyre që t’i drejtohen gjykatës për rikthim të gradës së fituar dhe emërim në pozicionin e punës që i korrespondon këtij titulli. “Nuk është ndjekur procesi i rregullt i emërimeve pozicion pune-gradë dhe pavarësisht se jemi renditur fitues dhe kapur mbi 70 pikë, sikurse e përcakton ligji për Policinë e Shtetit, jemi shmangur padrejtësisht dhe në pozicione pune që i përket gradës komisarë janë emëruar nënkomisarë”, thotë për Faktoje.al një oficer policie, i cili konfirmon se tashmë ka hapur padi kundër Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë me objekt: “detyrim të palës së paditur për dhënien e gradës komisar dhe pozicion të punës që i korrespondon kësaj grade”. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al shprehet ndër të tjera se: “…dhënia e gradës punonjësve të Policisë, në listë pritje, nuk lidhet drejtpërdrejt me renditjen”. Problematikat për emërimet e padrejta, klienteliste apo të ndikuar nga faktorë të tjerë janë ngritur edhe nga oficerë policie me gradën kryekomisarë, të cilët një pjesë prej tyre kanë parashtruar ankesa të shumta dhe më pas si mundësi të fundit shohin gjykatën.

Digj komisarin, punëso nënkomisarin

Më 26 prill 2024 pas përfundimit të procesit të konkurrimit u miratua lista e personave që fitonin gradën drejtues i parë, kryekomisar dhe komisar. Për gradën drejtues i parë nevojiteshin 12 pozicione pune, për gradën kryekomisar 200 dhe për atë komisar 320. Ndonëse në konkurs morën pjesë oficerë për fitimin e tre gradave, problematika është shfaqur kryesisht në emërime të padrejta dhe jo mbi bazën e meritokracisë për gradën kryekomisar dhe komisar. Konkretisht problem më i madh është për gradën komisar.

Sipas ligjit të Policisë së Shtetit, fitonin gradë ata që merrnin mbi 70 % të pikëve. Konkretisht, në nenin 55 të ligjit për Policinë e Shtetit në pikën 2 të saj thuhet: “Shpallen fitues vetëm aplikantët, të cilët kanë marrë një vlerësim jo më të ulët se 70% të vlerës së përgjithshme të pikëve të testimit”. Gradën e fituan 406 oficerë të cilët siguruan mbi 70 pikë nga 100 të mundshmet. Të 320 oficerët e renditur të parët u emëruan menjëherë në postet përkatëse dhe morën gradën, ndërsa pjesa tjetër prej 86 oficerëve që de facto fitonin gradën komisar kaluan në listë pritjeje, deri në hapjen e pozicioneve të punës. Edhe pse rezultoi se u hapën shumë pozicione punë për gradën komisar, emërimet janë bërë edhe me gradën nënkomisar, duke mos iu përmbajtur kriterit të pikëzimit, por edhe gradës. “Duke qenë drejtpërdrejtë të interesuar, jemi informuar se janë hapur vende të lira pune që i korrespondon gradës komisar dhe nuk jemi emëruar ne që ishin në listë pritje dhe me gradën përkatëse, por nënkomisarë”, thotë për Faktoje.al, një tjetër oficer policie, i cili tashmë shpresën e ka vetëm në vendimin gjyqësor.

Punë e “mirë” pa gradë….

Sipas rregullores, nëse brenda harkut kohor të një viti hapen pozicione pune për një gradë përkatëse, titullari është i detyruar të emërojë kandidatin me më shumë pikë në listën e pritjes dhe më pas në rend zbritës deri në plotësimin e vakancave të krijuara. “Nëse ka oficerë që s’kanë qenë në pozicione pune ekuivalente me gradën dhe janë emëruar gjatë vitit të fundit dhe kanë marrë gradë, duke anashkaluar oficerët në listë pritjeje që plotësonin kriteret, atëherë kemi shkelje dhe shpërdorim detyre”, thotë për Faktoje.al, Sadedin Fishta, kreu i Shoqatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit. “Problemi më i madh është me gradën komisar, por kemi pasur ankesa edhe nga kryekomisarë me të njëjtat shqetësime”, pohon ai. Fishta shprehet për Faktoje.al se për këtë shqetësim të ngritur nga shumë oficerë policie ka informuar edhe kreun e Ministrisë së Brendshme Ervin Hoxha. “Pas informimit presim një reagim nga ministri pasi kjo situatë nuk mund të kalojë lehtë, pasi në mënyrë të drejtëpërdrejtë zhbën edhe konceptin e konkurrimit”-thotë Fishta. Megjithatë, emërime janë bërë edhe nga lista prej 86 kandidatëve që ishin në listë pritje, që kishin fituar gradën komisar, por edhe aty nuk është ndjekur kriteri i pikëzimit, për të kaluar nga vendi 321 dhe me emërim zbritës sipas pikëve të fituara. “Kandidatet e renditur poshtë kuotave të shpallura të lira për gradën përkatëse, që janë vlerësuar me të paktën 70% të pikëve të vlerësimit të përgjithshëm, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë qëndruar në listën e pritjes për fitimin e gradës, për periudhën 29.04.2024 – 28.04.2025. Referuar dispozitave ligjore në fuqi nëse brenda këtij afati nuk bëhej e mundur dhënia e gradës, punonjësi i nënshtrohet konkurrimit të radhës”, thotë për Faktoje.al Policia e Shtetit. Në këtë mënyrë, një pjese të madhe kandidatëve që ishin në listë pritjeje u është djegur fitimi i gradës, duke i detyruar që të rifuten në konkurrim. Fjalia “nëse brenda këtij afati nuk bëhej e mundur dhënia e gradës, punonjësi i nënshtrohet konkurrimit të radhës”, bien ndesh me pretendimet e ankuesve, pasi “mundësitë” për vende të lira pune që i korrespondonin gradës kanë qenë, por emërimet nuk janë kryer sipas Ligjit për Policinë e Shtetit dhe udhëzimeve përkatëse. Me tre oficerë policie që Faktoje.al komunikoi thanë se disa nga emërimet me gradën nënkomisar në pozicionet e komisarit, ku përfshihen edhe shefa krimesh shpesh nuk kanë pasur certifikatë sigurie, kanë qenë me masë disiplinore dhe nuk kanë konkurruar për gradë dhe gjithashtu nuk kanë vite pune, që të justifikojnë ligjërisht pozicionin që mbajnë.

Në gjyq për punë dhe gradë

Faktoje.al ka ndjekur problemin e emërimeve në polici prej disa kohësh dhe gjithashtu edhe proceset gjyqësore. Në një rast ku ka “padi kolektive”, gjykata administrative (shënim: Faktoje.al e disponon edhe padinë, por ruan konfidencialitetin e efektivëve), i ka kërkuar disa herë juristit që mbron palën e paditur “Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit” që të vendosë në dispozicion të gjykatës emërimet përkatëse (të drejtorive vendore) përgjatë harkut kohor 29.04.2024-28.04.2025 për pozicionin e punës komisar dhe gradën përkatëse të të emëruarve. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, as gjykatës nuk i është vënë në dispozicion këto emërime. “Gjatë procesit dukshëm konstatojmë shkelje në emërime, por presim vendimin përfundimtar”, thotë një nga komisarët de facto, por nënkomisar de jure për shkak të mosemërimit sipas meritokracisë. Megjithatë, Policia e Shtetit në një reagim për Faktoje.al, pavarësisht se nuk iu përgjigj pyetjes thelbësore nëse janë emëruar nënkomisarë në pozicione pune që i përket gradës komisar dhe a është zbatuar emërimi sipas pikëzimit në listën e pritjes thanë se: “dhënia e gradës punonjësve të Policisë, në listë pritje, nuk lidhet drejtpërdrejtë me renditjen. Ky proces ka synuar të sigurojë një përputhje të drejtë dhe të balancuar midis kërkesave të institucionit dhe zhvillimit profesional të punonjësve, duke ruajtur gjithmonë transparencën dhe objektivitetin në vlerësim”. Pavarësisht këtij qëndrimi, Faktoje.al ka mësuar se të 86 oficerët me gradën komisar që kaluan në listë pritje për emërim pasi dolën fitues kanë ndjekur të gjithë trajnimet e nevojshme post konkurrim për të cilët janë vlerësuar për profesionalizëm. 

Gradë e “zhgraduar”

Emërimet pa meritë në Policinë e Shtetit duket se janë një fenomen i hershëm, që herë pas here kthehet në çështje serioze, duke anashkaluar aspektin profesional dhe vendosur atë klientelist, miqësor apo deri në akuza për “korruptim në emërime”. Një fakt të tillë e pranon edhe kreu i Shoqatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit Sadedin Fishta. Pikërisht për të shmangur “emërimet me taraf miqësor apo politik”, Gjykata e Lartë në një vendim unifikues në gusht të vitit 2021 mori vendimin që gradat nga nënkomisar deri në nivel drejtues i parë duhet t’i nënshtrohen procedurës së vlerësimit konkurrues. “Procesi i fitimit të gradave policore nga niveli “nënkomisar” deri në nivelin “Drejtues i Parë”, duhet t’i nënshtrohet domosdoshmërisht procedurës së vlerësimit konkurrues, sipas parashikimeve të neneve 50-60 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Plotësimi i kritereve formale për fitimin e gradës, si vjetërsia në gradën pararendëse dhe/ose ushtrimi efektiv i funksionit në përputhje me gradën e pretenduar, nuk mund të sjellin fitimin gjyqësisht të gradës policore, pa iu nënshtruar më parë punonjësit e Policisë së Shtetit një procesi vlerësimi konkurrues nga komisioni i gradimit”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë. Kjo çështje u mor në shqyrtim pikërisht për t’i prerë rrugë emërimeve klienteliste në Policinë e Shtetit, duke e detyruar këtë të fundit që emërimet të bëheshin mbi bazën e gradës dhe meritokracisë pas konkurrimit. Rasti i komisarëve tashmë është në duart e Gjykatës Administrative, por çështja e shkeljeve ligjore mund të kalojë edhe në denoncime për ndjekje të mundshme penale për krerët e Policisë së Shtetit për çështjen e emërimeve pa kriter në radhët e policisë.

The post Komisarë të djegur, më mirë një mik se një gradë në polici appeared first on Faktoje.al.

Kujdes nga këshilla në rrjet për trajtimin e djegies me miell

8 August 2025 at 13:42

Pretendimi: Djegiet e lehta mund të trajtohen me miell

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————

Një artikull i portalit shiko.news pretendon se nëse digjeni gjatë gatimit mund të përdorni miell për të trajtuar djegien.

Artikulli tregon historinë e një përdoruesje interneti, e cila ishte djegur me vaj të nxehtë dhe kishte vendosur miell në djegie. “Kur kaluan dhjetë minuta, ajo lau dorën e saj dhe pa rezultatet që ishin të mrekullueshme, nuk kishte asnjë shenjë djegieje ose flluskash në dorën e saj,” shkruhet në artikull.

Megjithatë, ekspertët mjekësorë nuk bien dakord me këtë këshillë.

Dr. Justin Gillenwater, Drejtor Mjekësor në Qendrën e Djegieve në Qarkun e Los Angeles + Qendrën Mjekësore USC tha për Reuters se “mielli absolutisht nuk duhet të aplikohet në asnjë plagë djegieje në asnjë kohë. Mielli NUK do të ndihmojë në lehtësimin e djegies dhe mund të çojë në një rrezik në rritje të infeksionit”. Ai shtoi se “mielli mund të jetë i dhimbshëm dhe i vështirë për t’u pastruar nga vendi i djegies dhe mund ta bëjë të vështirë diagnostikimin e madhësisë dhe thellësisë së djegies.”

Dr. Sam Mandell, specialist i kujdesit për djegiet në Qendrën Mjekësore Harborview në Seattle dhe profesor i asociuar i kirurgjisë në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Washingtonit tha gjithashtu se mielli mund të jetë i dhimbshëm për të pastruar plagët dhe se nuk ka prova që mbështesin miellin si një trajtim për djegiet. Ai shtoi se “kur shpërndahet si pluhur i imët, mielli është i ndezshëm dhe duhet të mbahet larg burimeve të ndezjes.”

Jeffrey W. Shupp, MD, FACS, drejtor i Qendrës së Djegieve në Qendrën Spitalore MedStar në Washington tha se përdorimi i miellit nuk rekomandohet pasi mund ta bëjë më të vështirë shërimin e plagës. “Ai errëson shtratin e plagës [duke e bërë] të vështirë vlerësimin e dëmtimit. Gjithashtu mund të përshpejtojë përhapjen e baktereve duke rritur shanset për infeksion të plagës,” tha ai.

Henry Schiller, MD, një kirurg i specializuar në djegie nga qendra mjekësore akademike jofitimprurëse, Klinika Mayo tha se mielli do ta bënte punën e profesionistëve mjekësorë që merren me djegien më të vështirë dhe për këtë arsye nuk duhet të vihet mbi djegie. Ai i tha Reuters se “mielli do të duhej të pastrohej nga një djegie pasi do të ndërhynte në aftësinë për të aplikuar zëvendësues të përkohshëm të lëkurës, të cilët mund të jenë të nevojshëm për të ndihmuar në shërimin e plagëve sipërfaqësore.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Klinika Mayo këshillojnë që djegiet duhet të trajtohen me ujë të rrjedhshëm të ftohtë për të ulur temperaturën e djegies dhe se unazat dhe sendet e tjera të ngjitura pas trupit duhet të hiqen menjëherë para ënjtjes. 

The post Kujdes nga këshilla në rrjet për trajtimin e djegies me miell appeared first on Faktoje.al.

Presidenti Trump nuk paralajmëroi fundin e Bashkimit Europian

By: FAKTOJE
8 August 2025 at 11:01

Pretendimi: Trump paralajmëroi se Bashkimi Europian do të zhduket për shkak të emigrantëve

Verdikti: Mungon konteksti

Një postim i shpërndarë në Facebook citon presidentin amerikan Donald Trump të ketë paralajmëruar se së shpejti Bashkimi Europian dhe Europa vetë nuk do të ekzistojnë më.  Megjithatë, kur shihen nga afër komentet e Trump përgjatë një udhëtimi të javëve të fundit në Skoci, nuk bëhet fjalë për një paralajmërim për BE-në, por një deklaratë provokuese e Trumpit mbi situatën e emigracionit në Europë.  

A screenshot of a social media post

AI-generated content may be incorrect.

Gjatë një vizite në Skoci në fund të korrikut 2025, Trump deklaroi: “Përsa i përket emigracionit, duhet të veproni shpejt. Përnryshe nuk do ta keni më Europën.” Është pikërisht kjo deklaratë, “Nuk do ta keni më Europën”, që është interpretuar nga përdoruesit në Facebook si një paralajmërim për diçka katastrofike në strukturën e Bashkimit Europian. Megjithatë, deklarata e Trump kishte për qëllim kritikimin e politikave evropiane mbi emigracionit dhe refugjatët, një kthim favori ndaj partive të djathta në Europë, dhe nuk parashikon fundin e Bashkimit Europian. Trumpi për më tepër vazhdoi me të njejtën retorikë duke folur për një “pushtim të tmerrshëm” dhe i vuri fajin emigracionin për “vrasjen e Evropës.” 

Trump përdor shpesh një retorikë të ekzagjeruar dhe të sensacionalizuar për të shtyrë drejt kontrolleve më të rrepta ndaj imigracionit. Në SHBA, ai ka nisur një politikë të rreptë kundër emigrantëve, duke rritur buxhetin e agjentëve të ICE (Zyra për Zbatimin e Imigracionit dhe Doganave) me disa miliarda dollarë dhe duke rritur ndjeshëm deportimet. 

Fjalët e Trump i bëjnë po ashtu jehonë asaj që njihet si teori e “Zëvendësimit të Madh.” Këtu bëhet fjalë për besimin e pabazuar se popullatat perëndimore po zëvendësohen qëllimisht nga emigrantë jo-evropianë. 

Faktoje i ka hedhur poshtë këto teori kur figura si Elon Musk (që deri para disa muajsh ishte mjaft i afërt me presidentin) paralajmëruan në mënyrë të ngjashme se Europa po humbet identitetin dhe popullsinë nga emigracionin që vjen nga Afrika. Por këto pretendime bazohen më shumë në frikë sesa në fakte. Për shembull, në vitin 2023, 4.3 milion persona migruan drejt BE-së nga një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Megjithatë kjo përfaqëson një ulje prej 18% (rreth 1 milion veta më pak) në krahasim me vitin 2022. 

A graph of a number of people with numbers

AI-generated content may be incorrect.

Në përgjithësi edhe përse trendi ndër vite ka qënë në rritje, me një rritje të fortë sidomos në vitin 2021 pas shpërthimit të COVID, këto numra janë stabilizuar në vitet e fundit. Për më tepër, vende si Gjermania që kanë një fluks të lartë emigrantësh, shpesh i kërkojnë vetë emigrantët për të plotësuar vendet e punës të nevojshme në ekonominë gjermane, siç e tregon dhe vetë Deutsche Welle. 

Edhe në rastin e SHBA-së, përqindja e emigrantëve është rreth 14.3% e popullsisë totale. Edhe pse kjo shifër ka qënë në rritje prej vitit 1970, kjo përqindje është  historikisht jo më e lartë se për shembull në fund të shekullit të 19-të, kur emigrantët nga Europa lëvizën për në SHBA. Migrimi dhe refugjatët paraqesin sfida të shumta për BE-në, por nuk ka fakte konkrete se BE-ja apo kontinenti Europian do të shfarosen për shkakt të emigrimit. 

The post Presidenti Trump nuk paralajmëroi fundin e Bashkimit Europian appeared first on Faktoje.al.

Ende herët për të ngritur alarmin ndaj dëmeve të kimioterapisë

By: FAKTOJE
8 August 2025 at 10:58

Pretendimi: Një studim i fundit ka zbuluar se kimioterapia nxit përhapjen e tumoreve në trup

Verdikti: Mungon konteksti

Në një postim në Facebook, po qarkullon lajmi se një studim nga një universitet kinez ka treguar se kimioterapia nxit përhapjen e tumoreve. Postimi për më tepër përhap panik duke e cilësuar studimin si “tronditës,” dhe duke thënë se ai “vë në dyshim” metodat tradicionale për të trajtuar kancerin. Studimi në fjalë është nxjerrë jashtë kontekstit, dhe për më tepër nuk merr parasysh mënyrën sesi studimet shkencore funksionojnë dhe sesi ato mund të aplikohen më gjerësisht. 

A screenshot of a phone

AI-generated content may be incorrect.

Ky postim në shqip është bazuar në një artikull që është publikuar në gazetën kineze South China Morning Post. Ky artikulli raporton mbi një studim të kryer nga një skuadër shkencëtarësh kinezë, i publikuar në revistën mjekësore Cancer Cell me 3 korrik 2025. Megjithëse synimi i kimioterapisë është të vrasë qelizat kancerogjene, studimi i zhvilluar mbi minjtë me kancer në gji, provoi një efekt anësor të rëndësishëm. Kimioterapia mund po ashtu të “zgjojë” qelizat kancerogjene të fshehura dhe jo-aktive në trup. Kur këto qeliza “zgjohen,” ato shumohen dhe përhapen në pjesë të reja të trupit, edhe nëse tumori origjinal është zhdukur.

Ky studim është i rëndësishëm, por studime të ngjashme mbi mundësinë që qelizat kancerogjene të përhapen në pjesën tjetër të trupit kanë ekzistuar dhe më përpara. Ky ishte rasti i një studimi të publikuar në vitin 2017 nga një grup studiuesish në Shtetet e Bashkuara. 

Megjithatë, duke përdorur një titull të sensacionalizuar siç është “kimioterapia nxit përhapjen e kancerit,” ky lloj postimi heq këto studime nga konteksti i tyre më i gjerë. Për shembull, si në rastin e studimit të viti 2017-të dhe atij të vitit 2025, bëhet fjalë për studime paraprake, të cilat do të duan punë të mëtejshme në pacientë dhe jo vetëm në studime mbi kafshët. Pra do të duhen disa eksperimente në klinika me pacientë të ndryshëm që të shihen rezultate të plota. Këto studime tregojnë se disa ilaçe kimioterapie, në një mjedis eksperimental, mund të shkaktojnë rritjen e qelizave joaktive te minjtë. Kjo nuk do të thotë që kimioterapia në thelb “shkakton” përhapjen e kancerit te pacientët. 

Një nga pasojat e një titulli të tillë në mediat sociale është ulja e besimit në përdorimin e kimioterapisë si një nga metodat e rekomanduara nga mjekët për trajtimin e kancerit. Për shumicën e llojeve dhe fazave të kancerit, kimioterapia mbetet një trajtim i rëndësishëm që zgjat mbijetesën dhe zvogëlon rrezikun e metastazës. 

Edhe në studimin e kryer nga shkencëtarët kinezë, ata konfirmojnë se një kombinim i kimioterapisë me disa trajtime specifike mund të ndalojë metastazat dhe riaktivizimin e qelizave kanceroze në pjesë të tjera të trupit. Pra kimioterapia vazhdon të jetë një metodë e rekomanduar dhe nga shkencëtarët që kanë vënë në dukje disa nga efektet anësore.   

The post Ende herët për të ngritur alarmin ndaj dëmeve të kimioterapisë appeared first on Faktoje.al.

Nisma rajonale për menaxhimin e zjarreve në Ballkanin Perëndimor

8 August 2025 at 10:27

Zjarret në peizazh përbëjnë një kërcënim serioz dhe një sfidë gjithnjë në rritje për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke lënë pasoja afatgjata në ekosisteme, komunitete dhe ekonomi. Përmes koordinimit të përmirësuar rajonal dhe veprimit të përbashkët nga ministritë kompetente, Programi për Menaxhimin e Zjarreve në Peizazh në Ballkanin Perëndimor hedh themelet për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi rreziqet nga zjarret në peizazh dhe forcimin e qëndrueshmërisë së peizazhit përmes menaxhimit të qëndrueshëm të ekosistemit.

Në vend që të mbështetet vetëm në qasjet tradicionale që fokusohen ekskluzivisht te shuarja e zjarreve, programi zbaton konceptin e menaxhimit të integruar të zjarreve në peizazh — duke nxitur bashkëpunimin ndërsektorial, forcimin e kapaciteteve vendore dhe ndërtimin e peizazheve të qëndrueshme që janë në gjendje të përballen në mënyrë efektive me kërcënimet nga zjarret.

Parandalimi është kryefjala e kësaj nisme, me synimin për të siguruar një menaxhim të qëndrueshëm të burimeve natyrore në mënyrë që të mbrohen njëkohësisht njerëzit dhe ekosistemet. Qëllimi është krijimi i peizazheve dhe komuniteteve të qëndrueshme ndaj zjarrit, të cilat do të vazhdojnë ta çojnë përpara këtë nismë edhe në të ardhmen, në nivel rajonal.

Nisma rajonale mbështetet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si partner strategjik dhe përfshin aktivitete edukative, zhvillim politikash dhe angazhim praktik në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Natyra është përgjegjësi e përbashkët, dhe çdo hap drejt parandalimit bën një ndryshim të rëndësishëm. Mbi 95% e zjarreve të peizazheve në rajon shkaktohen nga pakujdesia njerëzore — një fakt që tregon qartë se zgjidhjet janë në duart tona. Programi bën thirrje për ndërgjegjësim, pjesëmarrje dhe përgjegjësi kolektive për të mbrojtur peizazhet tona dhe për të siguruar një të ardhme të sigurt për brezat që vijnë. Përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe një vizioni afatgjatë, mund të ndjekim një qëllim ambicioz, por të arritshëm: zero zjarre të shkaktuara nga faktorë njerëzorë.

Falë mbështetjes së vazhdueshme dhe partneritetit me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, kjo nismë po ndërton një themel të fortë për ndikim afatgjatë dhe të qëndrueshëm në rajon. Ne besojmë fort se një veprim i vetëm mund të ndryshojë gjithçka.

The post Nisma rajonale për menaxhimin e zjarreve në Ballkanin Perëndimor appeared first on Faktoje.al.

Ky zjarr në magazinat e kompanisë Temu është i manipuluar

8 August 2025 at 10:21

Pretendimi: Ky imazh tregon një zjarr që ka përfshirë magazinat e firmës kineze Temu

Verdikti: E pavërtetë

————————————————-

Një imazh që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon magazinat e firmës kineze Temu të përfshira nga një zjarr.

Mbishkrimi në postimin e mësipërm tall çmimet e lira të Temu duke deklaruar se dëmet përllogariten të jenë në vlerën e vetwm 43 dollarëve.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Goolge Lens, Faktoje gjeti se ky pretendim qarkullon në rrjet që në 2024. 

Megjithatë, imazhi është i rremë. 

Jo vetëm që shkronjat në logo shfaqen në mënyrë të çuditshme, por emri i markës është shkruar gabim si “Tehu” në anën e magazinës. Më tej, logo zyrtare e kompanisë është e pasaktë.

Ç’është më treguese, në versionin e vitit 2024, këndi i poshtëm djathtas i imazhit tregon logon e Grok, programit gjenerues të inteligjencës artificiale të krijuar nga kompania e xAI. 

Një kërkim në rrjet me fjalë kyçe nuk gjeti asnjë raport për një zjarr të kohëve të fundit në një depo të Temu.
Si përfundim, pyetur në janar 2025 mbi imazhin viral, një zëdhënës i Temu tha për Factchequeado se “pretendimi për një zjarr në një depo të Temu është plotësisht i rremë.”“Asnjë incident i tillë nuk ka ndodhur në asnjë nga objektet tona,” shtoi ai.

The post Ky zjarr në magazinat e kompanisë Temu është i manipuluar appeared first on Faktoje.al.

Finlanda ende nuk e ka njohur Palestinën si shtet sovran

7 August 2025 at 15:51

Pretendimi: Finlanda e njeh zyrtarisht Palestinën si shtet sovran dhe të pavarur

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————

Në fillim të gushtit 2025, në rrjetet sociale shqipfolëse nisi të qarkullojë lajmi se Finlanda kishte njohur zyrtarisht Palestinën si shtet sovran.

Megjithatë, këto lajme janë të nxituara.

Finlanda ende nuk e njeh shtetin e Palestinës.

Në korrik 2025, Finlanda nënshkroi një deklaratë të përbashkët të ministrave të jashtëm që u bënte thirrje shteteve të njihnin ose të shqyrtonin njohjen e Palestinës si shtet. Iniciativa, e udhëhequr nga Franca, erdhi përpara një samiti të OKB-së në shtator 2025 dhe përfshinte 15 nënshkrues nga Europa, Amerika e Veriut dhe Paqësori.

Pavarësisht nënshkrimit, Finlanda nuk e ka njohur zyrtarisht Palestinën. Ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen përsëriti se një hap i tillë do të ndërmerrej vetëm si pjesë e një kuadri më të gjerë që favorizon paqen dhe sigurinë e ndërsjellë.

“Ne besojmë se njohja e Palestinës është një hap drejt modelit me dy shtete. Mbështetja e zgjidhjes me dy shtete do të thotë që Finlanda do ta njohë Palestinën në një moment të caktuar,” shkroi Valtonen në platformën X. “Njohja do të ndodhë në një kohë kur konsiderohet se promovon më së miri stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon dhe si pjesë e një kuadri më të gjerë që përparon sigurinë e të dyja palëve. Ky kuadër u shqyrtua në New York dhe puna vazhdon.”

Në gusht 2025, presidenti finlandez Alexander Stubb deklaroi se është i gatshëm të miratojë njohjen e Palestinës nëse qeveria e paraqet një propozim të tillë. Kryeministri i Finlandës, Petteri Orpo, përsëriti mbështetjen e Helsinkit për një zgjidhje me dy shtete, pa specifikuar nëse qeveria ishte e gatshme të njihte një shtet palestinez.

Deri në kohën e botimit të këtij artikulli, Finlanda ende nuk e njeh Palestinën si shtet.

The post Finlanda ende nuk e ka njohur Palestinën si shtet sovran appeared first on Faktoje.al.

Vendimi për pagën minimale 500 euro nuk është miratuar ende

7 August 2025 at 14:00

Në fushatën zgjedhore të 11 majit, kryeministri Edi Rama e nisi garën me një shifër premtuese për qytetarët: 500 euro. Kaq do të bëhet paga minimale në Shqipëri, sipas tij, deri në vitin 2026. 

Hapi i parë drejt përmbushjes së këtij premtimi, miratimi i vendimit nga Këshilli i Ministrave.

Në qershor do ta bëjmë pagën minimale 500 euro dhe do të hyjë në efekt nga janari i 2026-ës”, njoftoi kryeministri Rama pak përpara zgjedhjeve, duke shtuar se kjo rritje do të ndodhë pa vendosur “asnjë taksë shtesë” për biznesin në 18 muajt e parë. Një premtim i lehtë dhe i kuptueshëm për të gjithë votuesit.

Por dy muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, kur tymi i fishekzjarreve elektoralë është shuar, Faktoje vendosi të verifikojë nëse është hedhur ndonjë hap konkret drejt realizimit të këtij premtimi.

Për të marrë përgjigje, dërguam një kërkesë për informacion pranë Këshillit të Ministrave, për të kuptuar nëse vendimi,  i njoftuar se do të merrej në qershor, është miratuar.

Përgjigjja erdhi qartë dhe shkurt: “Deri tani nuk ka asnjë akt të miratuar lidhur me rritjen e pagës minimale në 500 euro

Pra deri në fund të korrikut premtimi mbetet vetëm në arkivin e fjalimeve të kryeministrit.

Rritja e pagës minimale është premtim i përsëritur i kryeministrit, i cili përpara zgjedhjeve vendore 2023 tha se paga minimale do të shkonte 450 euro. Ky premtim nuk u mbajt dhe paga minimale ende sot është rreth 400 euro. 

Zgjedhjet parlamentare të 2025-ës sollën një rast të ri për ta përdorur pagën minimale si kartë elektorale. Premtimi, këtë herë për 500 euro deri tani ka mbetur, (siç ndodh shpesh në politikën shqiptare), një kapitull entuziast i fushatës zgjedhore, që duket se nuk ka kaluar ende në letrat e administratës.

Afati i përmendur nga kryeministri, (janari i vitit 2026),  ende mund të përmbushet. Por deri tani, aktet zyrtare të premtuara mungojnë. Për këtë arsye premtimin e kryeministrit për miratimin në qershor të vendimit për pagën minimale 500 euro e konsiderojmë të pambajtur.

The post Vendimi për pagën minimale 500 euro nuk është miratuar ende appeared first on Faktoje.al.

Marketing i rremë me emrin e mjekut Myftar Barbullushi

7 August 2025 at 13:25

Pretendimi: Ky produkt i rekomanduar nga mjeku Myftar Barbullushi shëron diabetin për 10 ditë

Verdikti: E pavërtetë, skemë mashtrimi

————————————–

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse duket se tregon gazetaren shqiptare Eni Vasili duke folur për “një truk 30 sekondësh që ul nivelin e sheqerit 3 herë më shpejt se çdo gjë tjetër” të demonstruar nga doktor Myftar Barbullushi, i cili “çmendi Europën.”

Sipas videos, kompanitë farmaceutike fshinë pamje të ketij truku nga interneti për të ruajtur përfitimet e tyre. Më tëj, vetë miliarderi Elon Musk pretendohet se ka konfirmuar se ky truk përdoret nga astronautët e SpaceX për të mbajtur nivelin e sheqerit.

Në pjesën e dytë të videos, duket se mjeku Myftar Barbullushi rekomandon në një fjalim të stërgjatur dhe të hallakatur, që shikuesit të klikojnë një link poshtë videos për të mësuar më shumë. Ai paralajmëron gjithashtu se ata nuk duhet të vonohen sepse video mund të fshihet nga çasti në çast.

Megjithatë, e gjithë video dhe narrativa e saj janë të rreme. Ato janë krijuar për një skemë mashtrimi që ka për qëllim shitjen e një produkti.

Ndër të parat shenja që kjo video nuk është autentike spikat shqipja e çalë e të dy folësve, “Vasili” dhe “Barbullushi.” Gjithashtu, zëri i “Vasilit” nuk i përngjan zërit të vërtetë të gazetares.

Kjo na bën të dyshojmë se video është manipuluar me anë të teknologjisë deepfake, e cila manipulon shprehitë e fytyrës. Videos së manipuluar me deepfake i është shtuar audio.

Vetë Barbullushi ka njoftuar se video është e rremë, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve.

The post Marketing i rremë me emrin e mjekut Myftar Barbullushi appeared first on Faktoje.al.

Seria e videove “Hap sytë” – Mos kliko, kontrollo – ja mjetet

By: FAKTOJE
7 August 2025 at 12:50

Shpesh herë videot, fotografitë dhe informacionet që na sygjerohen online nuk janë ashtu siç duken. Faktoje ju vjen në ndihmë me serinë e videove tutorial, duke ju shpjeguar qartë dhe duke ju sugjeruar mjetet falas online, që mund të përdorni si një profesionist: Nga një pretendim te prova: verifikimi me Google Maps & Search, Google Lens: Syri digjital që të nxjerr gënjeshtrën zbuluar, etj.

Si ta zbulojmë të vërtetën vetëm me mendje të kthjellët

Si të verifikojmë një fotografi online

Si të verifikojmë një video online

Si të verifikojmë një vendodhje gjeografike online

Si të kuptoni pamjet e gjeneruara me Inteligjencë Artificiale

The post Seria e videove “Hap sytë” – Mos kliko, kontrollo – ja mjetet appeared first on Faktoje.al.

Zbatuesit e Kodit të ri Penal janë kundër, për kë u bë Kodi?

By: FAKTOJE
6 August 2025 at 16:58

Nga Sebi Alla– Prokurorët, avokatët dhe gjyqtarët, (tre palët në një proces penal), u vendosën para faktit të kryer me 950 nene të Kodit të ri Penal, të cilët ata i kundërshtojnë në një pjesë të madhe, por nëse mazhoranca me votat e saj e miraton, njerëzit e drejtësisë duhet ta zbatojnë.

Sapo drafti i Kodit Penal u publikua në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, njëkohësisht me konferencën e mbajtur për “arritjet” e këtij Kodi, pati reagime të shumta.

Pak zëra që dolën në mbrojtje ishin përfaqësues të qeverisë, konkretisht Ministri i Drejtësisë dhe kryeministri, gjithashtu edhe kreu i grupit të punës, Arben Rakipi.

Konstitucionalistë të njohur, avokatë dhe drejtues të prokurorive dhe të gjyqësorit, ngritën shqetësimin se në thelb, ky Kod nuk është gjithëpërfshirës, shton masat represive të dënimit me burg për çështje që mund të ishin kundravajtje penale dhe lë mundësi interpretimesh, por edhe keqinterpretimesh.

Qeveria e merr “lehtë”

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në ditën e prezantimit të Kodit të ri Penal tha se është produkt i një procesi gjithëpërfshirës dhe sipas tij për hartimin kanë kontribuuar ekspertët më të mirë.

“Kodi i Ri Penal është produkt i një procesi gjithëpërfshirës dhe profesional, ku janë angazhuar ekspertët më të mirë të së drejtës penale. Ai synon përafrimin me konventat, direktivat dhe standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare, rekomandimet e institucioneve kryesore të drejtësisë, si dhe kontributet e partnerëve ndërkombëtarë, akademikëve, shoqërisë civile dhe mediave”, tha Manja.

Por a është drafti deri tani produkt i një procesi gjithëpërfshirës, siç deklaroi ministri Manja?   

I pari që reagoi ishte Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela.  “Prokuroria e Përgjithshme nuk ka qenë e përfaqësuar zyrtarisht në grupin e punës për hartimin e një Kodi të ri Penal“, tha ai.

Në të njëjtën ditë, përmes një takimi informal që kryetari i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi me gazetarët, rezultoi se Prokuroria Speciale nuk ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e Kodit të ri Penal. Dumani nuk komentoi draftin e ri, sa kohë që, sipas tij, paketa e propozimeve nuk kishte mbërritur ende në SPAK.

Edhe Bashkimi Evropian përmes një reagimi për Faktoje.al theksoi rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për paketën e projekt-amendamenteve të Kodit të ri Penal duke përfshirë institucionet e drejtësisë, aktorët e sundimit të ligjit dhe shoqërinë civile.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka theksuar gjithashtu rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor, që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë.

Edhe kryetari i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, Maksim Haxhia tha në një reagim zyrtar se drafti i Kodit Penal duhet të dilte me një komunikim për të gjithë aktorët. “Nuk kemi prezencën e nevojës pse duhet Kod i ri. Nuk është si rrjedhojë e nevojës së organeve të drejtësisë”, tha ai

Reagimet

Edhe pse në tryezën e prezantimit të draftit për Kodin e ri Penal ishin Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe kreu i grupit të punës, hartues të Kodit, ish-kryeprokurori Arben Rakipi, i pari që hodhi dyshime mbi këtë kod aty për aty ishte kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

“Të mos harrojmë se ligji penal nuk është thjesht për juristët. Ai është për shoqërinë dhe nëse nuk kuptohet, ka gjasa të mos respektohet, por nëse nuk zbatohet drejt, nuk bëhet as drejtësi”, tha Sadushi.

Më i drejtpërdrejtë në kritika të forta u shfaq Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela. “Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve”, tha Çela.

Konstitucionalisti, avokati njëherazi pedagogu, Jordan Daci, në një reagim për Faktoje.al shprehet se Kodi i ri ka zgjeruar gamën e veprave penale, e ka mbingarkuar me interpretime dhe sipas tij është thellësisht me probleme nëse kalon për miratim. “Vepra të cilat mund të përfshihen si kundravajtje penale me Kodin e Ri cilësohen vepra penale. Me këtë Kod kushdo mund të shkojë në burg”, tha ai, ndërsa shton se është një draft- kod represiv dhe “nuk duhet të arnohet, por të zhbëhet i gjithi”.

Avokati Daci shkon më tej teksa shprehet se nëse miratohet ky Kod, ashtu siç është apo me disa arnime, shumë nene do të shkojnë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese

Hartuesit e Kodit

Nisma për një Kod të ri Penal ishte politike, ku mazhoranca që në fundin e vitit 2019 bëri publike nevojën sipas saj të një Kodi të ri i përafruar me vendet e BE-së dhe ngritjen e grupit të ekspertëve.

Faktoje.al iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë me një kërkesë për informacion mbi përbërjen e grupit të punës, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk pati qëndrim zyrtar.

Nga analizimi që i ka bërë Kodit të ri Penal, avokat Daci thotë se se më shumë se punë ekspertësh në këtë rast kemi kopjime të kodeve nga Turqia, Franca dhe Italia që janë modifikuar, ç’ka sipas tij, ka sjellë mbingarkesë dhe shpesh nene që flasin për të njëjtin fakt penal dhe bien në kundërshtim me nene të tjera, po në të njëtin Kod.

“Kodi i ri ka probleme të karakterit parimor dhe gjithashtu edhe të teknikës juridike”, thotë Daci.

Përfundimi

Kodi i ri Penal ka hasur në kundërshtimin e krerëve të sistemit të drejtësisë, Dhomës së Avokatëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile por edhe medias. Reagimet e menjëhershme nga organet kryesore të drejtësisë por edhe jashtë saj tregojnë se procesi (deri më tani) për hartimin e Kodit të ri Penal nuk ka qënë gjithëpërfshirës, duke e kategorizuar deklaratën e ministrit Ulsi Manja si të pavërtetë.

The post Zbatuesit e Kodit të ri Penal janë kundër, për kë u bë Kodi? appeared first on Faktoje.al.

E pabazë dëshmia e virologut kinez për krijimin e Covid-19 nga Fauci

6 August 2025 at 16:27

Pretendimi: Dr. Chao Shan dëshmoi nën betim se Dr. Anthony Fauci bashkëpunoi fshehurazi me PKK dhe Aleancën EcoHealth për të krijuar dhe lëshuar Covid-19 si armë biologjike.

Verdikti: E paprovuar

————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i pazakontë se një virolog nga Wuhan ka dëshmuar se këshilltari kryesor mjekësor i presidentit amerikan Biden gjatë viteve të pandemisë, Anthony Fauci kishte bashkëpunuar me Partinë Komuniste të Kinës dhe Aleancën EcoHealth për të krijuar Covid-19 si armë biologjike.

Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë referencë apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.

Postimi duket se i referohet një artikulli të botuar më 10 maj 2025 në portalin amerikan “The People’s Voice”, i njohur më parë si “News Punch”. 

Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, “NewsPunch” ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Artikulli i The People’s Voice, si zakonisht, nuk ofron asnjë lloj prove për këtë pretendim të pazakontë. Ai i referohet një virologu nga Insitituti i Virologjisë së Wuhan të quajtur Dr. Chao Shan, që pretendohet se është zhdukur pas kësaj dëshmie.

Chao Shan është vërtet një virolog nga Instituti i Virologjisë së Wuhan.

Megjithatë, nuk ka prova se ai ka pretenduar ndonjëherë se Fauci, PKK dhe EcoHealth kanë bashkëpunuar për të krijuar një armë biologjike në Covid-19.

Në 2023, një gazetare kineze pretendoi se Dr. Chao Shan kishte pranuar se Covid-19 ishte dizenjuar is armë biologjike. Megjithatë, Fauci, PKK dhe EcoHealth nuk përmenden në këtë pretendim.

Gjithsesi, edhe pretendimi se Chao kishte thënë se Covid-19 ishte armë biologjike është i pakonfirmuar. Si provë për këtë pretendim u soll një intervistë 30-minutëshe, jo me Chao, por me një figurë të errësuar, i cili pretendon se Chao e kishte quajtur koronavirusin një “armë biologjike”.

The post E pabazë dëshmia e virologut kinez për krijimin e Covid-19 nga Fauci appeared first on Faktoje.al.

Pamjet nga tërmeti në Myanmar ndahen si në Rusi

6 August 2025 at 14:32

Pretendimi: Kjo video tregon pamje nga tërmeti 8.8 ballë që goditi Rusinë lindore në korrik 2025

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Një video e postuar në rrjete sociale shqipfolëse pretendon se tregon “një nga tërmetet më të forta në bot딓goditi Lindjen e Largët të Rusisë në orët e para të mëngjesit” të 31 korrikut 2025.

Më 30 korrik 2025, një tërmet i fortë me magnitudë 8.8 ballë Rihter goditi brigjet e gadishullit Kamchatka në Rusi. Goditja shkaktoi valë cunami që arritën në Japoni, Hawai dhe bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi i mësipërm qarkullon në rrjet që nga marsi i 2025.

Pamjet në fakt tregojnë një skenë që ndodhi në Myanmar gjatë tërmetit të fortë me magnitudë 7.7 të 28 marsit 2025, i cili shkaktoi mbi 3.000 vdekje.

The post Pamjet nga tërmeti në Myanmar ndahen si në Rusi appeared first on Faktoje.al.

Milot–Balldren sërish në pikën zero

5 August 2025 at 14:00

Në kulmin e fushatës elektorale, ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku lajmëroi shpalljen e fituesit për Milot–Balldren “brenda 2-3 ditësh”, por pas 3 muajsh tenderi u anulua. Projekti i nyjes strategjike të “Korridorit Blu” mbetet pezull, për herë të dytë në 7 vite.

Esmeralda Topi 

Më 15 prill 2025, në kulmin e fushatës elektorale, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi publikisht:

“Në dy-tre ditët në vazhdim, ne do të shpallim konsorciumin fitues për sa i përket Milot–Balldren”.

Fakt

As pas dy ditësh, as pas dy javësh, nuk u shpall asnjë fitues. Përkundrazi, në mesin e muajit korrik, Ministria e Infrastrukturës njoftoi zyrtarisht anulimin e procedurës për koncesionimin e segmentit rrugor Milot–Balldren, me argumentin se “asnjë nga ofertat e paraqitura nuk ishte e përshtatshme”.

Ky është dështimi i dytë për të njëjtin projekt, i cili që prej vitit 2018 mbetet një ndër nismat më të debatueshme infrastrukturore në vend.

Procedura për dhënien me koncesion të segmentit 17-kilometërsh Milot–Balldren nisi fundvitin e kaluar, më 19 dhjetor 2024. Pas disa shtyrjeve, gara u zhvillua më 10 mars të këtij viti, me katër oferta të paraqitura nga kompanitë “Gener 2”, “Salillari”, “A.N.K” dhe “4 A-M”.

Një muaj më pas, ministrja Balluku bëri deklaratën publike për shpalljen e afërt të fituesit. Por, siç tregojnë edhe dokumentet zyrtare, në datën 19 qershor ofertuesit u njoftuan për skualifikimin, dhe në 14 korrik procedura u anulua përfundimisht.

Sipas Ministrisë, asnjë prej ofertave nuk përmbushte kushtet e ftesës konkurruese. Me këtë vendim, projekti i shumëpërfolur u kthye sërish në pikën zero.

Një nyje strategjike 

Segmenti Milot–Balldren është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, i njohur ndryshe si Korridori Blu. Rruga parashikohej të ndërtohej me një vlerë ndërtimi prej 182.5 milionë eurosh, ndërsa me gjithë kostot e projektimit, mirëmbajtjes dhe operimit, vlera e kontratës do të arrinte në rreth 365 milionë euro për 35 vite.

Sipas planit të biznesit të koncesionit, kjo rrugë pritej të gjeneronte 1 miliard euro të ardhura përgjatë gjithë periudhës koncesionare. Tarifa e kalimit do të ishte 0.12 euro për kilometër, duke e përkthyer në 2.5 euro për një autoveturë që përshkon segmentin e plotë.

Në vitin 2018, i njëjti segment iu dha me modelin e Partneritetit Publik Privat kompanisë “A.N.K.”, e cila duhej ta ndërtonte me fonde të veta dhe të paguhej më pas nga shteti. Por ajo kontratë u anulua, pasi kompania nuk gjeti financim.

Përfundim

Deklarata e ministres së infrastrukturës Belinda Balluku për shpalljen e fituesit “brenda dy-tre ditësh” rezultoi e pavërtetë. E gjithë procedura për koncesionimin e segmentit rrugor Milot–Balldren, u anulua dhe segmenti strategjik mbetet ende në letër. 

The post Milot–Balldren sërish në pikën zero appeared first on Faktoje.al.

❌
❌