Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gjermani – Pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për një periudhë disa javore

4 August 2025 at 22:49

VARSHAVË, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Forcat ajrore gjermane do të vendosin pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për për një periudhë disa javore.

Që nga dita e nesërme, avionët do të veprojnë nga baza ushtarake Minsk Mazowiecki, në lindje të Varshavës, konfirmoi një zëdhënës i forcave ajrore.

Rreth 150 ushtarë nga Bundeswehr (ushtria gjermane) janë tashmë në terren.

Polonia është një mbështetëse kyçe, politike dhe ushtarake e Ukrainës që prej fillimit të agresionit rus më shumë se tre vite më parë. Ajo gjithashtu luan rol qendror si nyje logjistike për ndihmën ushtarake të perëndimit ndaj Kievit.

Polonia  e konsideron veten të kërcënuar nga Rusia dhe po zhvillon aktualisht një program të gjerë riarmatimi.

Që nga prilli, forcat ajrore gjermane kanë ndihmuar ushtrinë polake në monitorimin e hapësirës ajrore të Polonisë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e kishte paralajmëruar këtë vendim që në janar.

Komanda e lartë e ushtrisë polake njoftoi në platformën X se avionët do të mbështesin mbrojtjen e hapësirës ajrore në krahun lindor të NATO-s.

“Ky është një tjetër shembull i bashkëpunimit mes aleatëve dhe i përkushtimit të tyre të vërtetë ndaj sigurisë së Evropës Qendrore dhe Lindore”, thuhet në deklaratë. /Ad.Ab./

 

 

The post Gjermani – Pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për një periudhë disa javore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dua Lipa falënderon ata që e bënë Prishtinën të shkëlqejë edhe më shumë

4 August 2025 at 22:44

PRISHTINË, 4 gusht/ATSH/Këngëtarja Dua Lipa ka mbyllur me sukses edicionin e këtij viti të Sunny Hill Festival, duke lënë pas netë të paharrueshme muzike, arti dhe bashkimi kulturash në zemër të Prishtinës.

Në një postim në rrjetet sociale, këngëtarja me famë botërore u shpreh e mbushur me mirënjohje dhe dashuri për familjen e saj dhe ekipin që punoi pa u lodhur për ta sjellë festivalin në jetë.

“Çfarë mënyre magjike për të mbyllur edicionin e këtij viti. Jam shumë mirënjohëse dhe falënderuese për familjen time të jashtëzakonshme dhe ekipet që bënë gjithë atë punë për t’i bërë realitet këto netë të paharrueshme,” shkroi ajo.

Dua nuk la pa falënderuar edhe artistët pjesëmarrës, ekipet e tyre dhe fansat, të cilët e kthyen këtë edicion në një festë të vërtetë emocioni dhe energjie pozitive.

“Vallëzove, këndove, festove me ne – dhe festivalin e këtij viti e bëre vërtet të paharrueshëm. Të duam pa fund. Deri vitin tjetër” përfundoi ajo.

Sunny Hill Festival, i themeluar nga vetë Dua Lipa dhe familja e saj, është tashmë një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon, duke sjellë në Prishtinë emra të njohur ndërkombëtarë dhe duke promovuar një Kosovë moderne, kreative dhe të hapur ndaj botës.

/Kosovapress/

The post Dua Lipa falënderon ata që e bënë Prishtinën të shkëlqejë edhe më shumë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Rusia tërhiqet nga traktati për çarmatimin bërthamor

4 August 2025 at 22:15

MOSKË, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Rusia deklaroi sot se nuk do të respektojë më një traktat kyç për çarmatimin bërthamor, disa vite pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën nga marrëveshja.

Ministria e Jashtme ruse njoftoi se Moska po i jep fund moratoriumit me të cilin kishte respektuar Traktatin për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) që kur SHBA-ja doli nga traktati në vitin 2019.

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar me një përgjigje “simetrike” ndaj vendimit të SHBA-së për të vendosur raketa në Gjermani duke filluar nga viti 2026.

Sipas Kremlinit, armët për këtë përgjigje ruse kanë qenë gati për përfundim që një vit më parë.

Traktati INF, i nënshkruar në vitin 1987 nga udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev dhe presidenti amerikan Ronald Reagan, parashikonte eliminimin e të gjitha raketave balistike dhe raketave lundruese tokësore me rreze të shkurtër (500–1,000 km) dhe rreze të mesme (1,000–5,500 km).

SHBA u tërhoq nga traktati në 2019, duke akuzuar Rusinë për shkelje të marrëveshjes.

Sipas ushtrisë gjermane, vendosja e armëve bërthamore amerikane në Gjermani ka për qëllim të shërbejë si mjet frenimi ndaj vendosjes nga Rusia të raketave Iskander me mbushje bërthamore në Kaliningrad, enklavë ruse që ndodhet afër kufirit me Poloninë dhe ka rreze të mjaftueshme për të goditur qytete gjermane. /Ad.Ab./

 

The post MOSKË – Rusia tërhiqet nga traktati për çarmatimin bërthamor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Netanyahu njofton vendimin për pushtimin e plotë të Gazës

4 August 2025 at 22:04

TEL AVIV, 4 gusht /ATSH/- Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu konfirmoi sot se është marrë një vendim për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, duke përfshirë operacionet ushtarake në zonat ku besohet se mbahen pengje, sipas “Euronews”.

“Ne po angazhohemi për të çliruar Gazën nga tirania e këtyre terroristëve”, tha Netanyahu në një video të postuar në X.

“Shumë banorë të Gazës vijnë tek ne dhe thonë: ‘Na ndihmoni të çlirohemi nga Hamasi” dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë”, shtoi ai.

Zyra e Kryeministrit tha gjithashtu në një mesazh drejtuar Shefit të Shtabit, Gjeneral Lejtnant Eyal Zamir, “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë ju duhet të jepni dorëheqjen”.

Netanyahu dhe Zamir kanë qenë në kundërshtim me mënyrën se si po zhvillohet lufta në Gazë – mes tensioneve që kanë arritur kulmin e tyre sot.

Vendimi i raportuar i kryeministrit izraelit vjen pas disa muajsh bisedimesh për armëpushim midis qeverisë së tij dhe Hamasit, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të përsëritura.

Izraeli është përballur gjithashtu me presion ndërkombëtar në rritje për të arritur një marrëveshje armëpushimi, pasi Hamasi publikoi një video ku shfaqeshin pengje izraelite të dobësuara që mbahen në Gaza, të cilat grupi tha se ishin rezultat i bllokadës së ndihmës humanitare nga Izraeli në territorin e shkatërruar nga lufta.

Videot patën një ndikim të rëndësishëm në publikun izraelit dhe shkaktuan protesta nga mijëra njerëz të shtunën në mbrëmje dhe thirrje për një marrëveshje armëpushimi. //a.i/

The post IZRAEL – Netanyahu njofton vendimin për pushtimin e plotë të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 4 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Zëvendëskancelari gjerman: Duhet rritur presioni ndaj Izraelit dhe Hamasit

4 August 2025 at 21:54

UASHINGTON, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil bëri sot thirrje që qeveria e tij të ndjekë një qasje të ekuilibruar ndaj konfliktit në Gaza, ndërsa presioni ndërkombëtar rritet mbi Izraelin për shkak të situatës së rëndë humanitare në territorin palestinez.

“Është e qartë se presioni duhet të rritet nga të dyja palët”, tha Klingbeil, i cili është edhe si ministër i financave, për transmetuesin gjerman “Welt TV” gjatë një vizite në Uashington.

“Ne kemi nevojë për zgjidhje humanitare. Duhet të sigurohemi që dërgesat e ushqimit të arrijnë, që situata mjekësore të përmirësohet. Dhe duhet të sigurohemi që më në fund të arrihet një armëpushim”.

Klingbeil theksoi se ishte e rëndësishme që Berlini të deklaronte qartë se grupi ekstremist palestinez Hamas është përgjegjës për përshkallëzimin e konfliktit në Gaza, duke vënë në dukje se debati aktual po jepte përshtypjen se duhej vendosur “nëse do të vuash me palën palestineze apo me palën izraelite”.

“Megjithatë, ishte gjithashtu e rëndësishme të theksohej se Izraeli mban një nivel tepër të lartë përgjegjësie në dritën e situatës”, shtoi ai.

“Ata nuk po i japin drejtësi kësaj në shumë vende”, tha Klingbeil në lidhje me përgjegjësinë e Izraelit. “Veprimet e Hamasit duhet të shihen veçmas nga gjendja e vështirë e popullsisë civile palestineze”, theksoi Klinbeil

Ai  përsëriti se Partia e tij Social Demokrate, partneri i vogël në qeverinë e koalicionit të kancelarit konservator Friedrich Merz, nuk ishte në favor të njohjes së shpejtë të një shteti palestinez. Në vend të kësaj, ai tha se “është e rëndësishme të përqendrohemi së pari në një armëpushim dhe të ndihmojmë popullsinë”. /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Zëvendëskancelari gjerman: Duhet rritur presioni ndaj Izraelit dhe Hamasit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMSTERDAM – Holanda e para në financimin e armëve për Ukrainën përmes NATO-s

4 August 2025 at 21:30

AMSTERDAM, 4 gusht /ATSH/ – Holanda do të jetë kontribuesi i parë në mekanizmin e ri të financimit të NATO-s për armatimin e Ukrainës, të quajtur “Lista e kërkesave prioritare të Ukrainës” (PURL), me një pagesë prej 500 milionë eurosh (rreth 578 milionë dollarë), njoftoi sot ministria holandeze e Mbrojtjes, sipas Reuters.

Ukraina ka nevojë për më shumë mbrojtje ajrore dhe municione tani. Si aleati i parë i NATO-s, Holanda do të dërgojë një paketë armësh amerikane me vlerë 500 milionë euro (përfshirë pjesë dhe raketa të sistemit Patriot), deklaroi ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, në një postim në X.

“Kjo ndihmon Ukrainën të mbrohet vetë dhe pjesën tjetër të Evropës nga agresioni rus”, shtoi ai.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Holandës, thuhet se edhe shtete të tjera kanë premtuar financime sipas këtij mekanizmi të ri.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi muajin e kaluar se SHBA-ja do të furnizojë me armë Ukrainën, por këto do të paguhen nga aleatët evropianë. Megjithatë, ai nuk dha detaje se si do të funksionojë kjo skemë.  /Ad.Ab./

 

The post AMSTERDAM – Holanda e para në financimin e armëve për Ukrainën përmes NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Politico” artikull për kryeministrin Rama: Ambicia për Shqipërinë pa para në dorë deri në 2030-ën

4 August 2025 at 21:25

TIRANË, 4 gusht /ATSH/- Plani për të ndaluar paratë e gatshme deri në fund të dekadës do të jetë i vështirë për t’u realizuar – në një vend ku nuk u besohet bankave, sipas “Politico.eu”.

Në një vend ku paratë e gatshme janë mbret, ambicia e kryeministrit Edi Rama për ta lënë Shqipërinë pa para deri në vitin 2030 do ta kthente shoqërinë përmbys.

Për vite me radhë, shqiptarët kanë preferuar t’i mbajnë paratë e tyre nën dyshek – pranë AK-47-shit të tyre, sipas një shakaje kombëtare – në vend që t’i fusnin në banka.

Por nëse Rama e plotëson dëshirën e tij, Shqipëria do të bëhet ekonomia e parë pa para të gatshme në botë.

Shumë nga arsyet për këtë është se për momentin kaq shumë transaksione ndodhin nën banak.

“Eliminimi i parave të gatshme është një përparësi absolute për vendet me informalitet të lartë dhe sasi destabilizuese të parave të paligjshme në sistemin financiar”, tha Selami Xhepa, profesor i Shkencave Ekonomike në Universitetin e Tiranës.

Problemi është se sistemi bankar dhe shoqëria mund të mos jenë gati për të ndërmarrë këtë hap.

Shumica e shqiptarëve preferojnë të menaxhojnë kursimet e tyre jashtë sistemit bankar, duke i fshehur kartëmonedhat larg syve të të tjerëve dhe duke këmbëngulur në pagesa fizike, me para në dorë, sa herë që është e mundur.

Edhe në udhëzuesit turistikë për Shqipërinë, shprehja “paraja është mbret” shpesh shfaqet si këshillë për vizitorët.

Edhe pse shumica e dyqaneve zinxhir ose restoranteve më të mëdha pranojnë karta, kafenetë, sallonet e bukurisë, butikët, kompanitë e telekomunikacionit dhe dyqanet ushqimore nuk pranojnë.

Në një dyqan rrobash në qendër të Tiranës, nuk ishte e mundur të paguaje me një kartë digjitale. E njëjta gjë ndodh edhe kur hipën në një taksi apo autobus.

Qeveria e qendrës së majtë kërkon ta çlirojë Shqipërinë nga ajo që raporti i vendit i Komisionit Evropian për vitin 2024 e përshkroi si një “ekonomi e madhe informale” që pengon biznesin dhe konkurrencën (pa përmendur uljen e të ardhurave tatimore).

Vlerësimet e vendosin ekonominë gri – pjesën e ekonomisë që nuk llogaritet në statistikat zyrtare – në midis 29% dhe 50% të produktit të brendshëm bruto (PBB).

Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Bankave Shqiptare tha se qeveria dhe institucionet do të hartonin një plan për të hapur rrugën për pagesat me karta digjitale, me hapat e mëtejshëm që përfshijnë një kufi për blerjet e bëra me monedhë fizike, integrimin me sistemin e pagesave SEPA të BE-së deri në tetor dhe lançimin e pagesave të menjëhershme SEPA menjëherë pas kësaj.

Kapërcimi i traumës bankare në Shqipëri

Një nga problemet është se shqiptarët thjesht nuk i pëlqejnë bankat. Një sondazh i kohëve të fundit e kryeer nga Shoqata e Bankave të Shqipërisë zbuloi se vetëm 34% e popullsisë u besonte atyre.

Banka Botërore raportoi se më pak se 50% e shqiptarëve kanë një llogari bankare.

Banka e Shqipërisë thotë se 78% “kanë qasje” në një llogari bankare, më pak se mesatarja evropiane prej 96%.

Jo të gjithë janë të bindur se plani ka kuptim. Genc Pollo, bashkëthemelues i Partisë Demokratike të opozitës dhe ish-zëvendëskryeministër, tha përpjekja për të mbyllur zonat gri të ekonomisë duke ndaluar paratë e gatshme ishte “si të vrisje pula duke përdorur artileri”.

Ai e quajti idenë një “sulm ndaj lirisë personale të mbajtësve legjitimë të kartëmonedhave”.

Ndërsa u pajtua se bankat shqiptare mund të jenë “të ngathëta dhe të shtrenjta”, rregullimi më i zgjuar dhe më shumë konkurrencë nga platformat e parave online dhe kriptovalutat do të ishin një rrugë më e mirë sesa ndalimi i përdorimit të parave të gatshme.

Pollo kishte pak shpresë se një shoqëri pa para të gatshme do të reduktonte pastrimin e parave.

Erald Kapri, një anëtar i sapozgjedhur i parlamentit për Partinë e Mundësive të qendrës së djathtë, tha se dyshonte se politika ishte në lojë.

“Është vetëm një nga ato ide të Ramës për të tërhequr vëmendjen dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet reale të vendit, siç janë korrupsioni ose kostoja e lartë e jetesës”, tha ai.

Trauma post-komuniste

Ideja e kalimit gjithnjë e më shumë pa para të gatshme po ndiqet nga shumë vende të zhvilluara, si Suedia, Estonia dhe Irlanda.

Megjithatë, Shqipëria është një çështje tjetër dhe skepticizmi publik është i kuptueshëm.

Pas rënies së komunizmit në fillim të viteve 1990, bankat dhe institucionet financiare, së bashku me “kompanitë e investimeve”, filluan të shfaqeshin duke premtuar norma interesi tepër të larta deri në 19% për depozitat.

Disa kompani u rritën shpejt në më shumë se 25, dhe në kulmin e kësaj çmendurie, një në gjashtë shqiptarë kishin investuar para – në shumë raste, të gjitha kursimet e tyre të jetës – në skemat piramidale.

Investitorët e hershëm morën pagesa bujare, por këto u bënë më të vogla dhe më pak të shpeshta ndërsa sistemi u përkul nën peshën e vet.

Deri në janar të vitit 1997, kompanitë e para filluan të falimentonin, duke i nxitur shqiptarët të përpiqeshin të tërhiqnin fondet e tyre në masë, duke krijuar një rreth vicioz të një kolapsi të mëtejshëm.

Deri në mars, vendi ishte në kaos dhe kishte filluar rebelimi. Ushtarët dhe policia braktisën postet e tyre, dhe turma shqiptarësh të zemëruar dhe të thyer akuzuan qeverinë se nuk i kishte ndaluar mashtrimet dhe madje kishte përfituar prej tyre.

Rreth 2 000 njerëz u vranë në përleshjet midis qytetarëve dhe autoriteteve, dhe nga bandat e armatosura me më shumë se një milion armë të grabitura nga depot shtetërore të armëve.

Në përgjithësi, u humbën rreth 1,2 miliardë dollarë – ekuivalente me gjysmën e PBB-së në atë kohë.

Kjo periudhë shkaktoi një valë emigrimi, duke e kthyer vendin vite prapa në aspektin e zhvillimit të tij dhe duke shkatërruar besimin e qytetarëve në institucionet bankare dhe shtet.

Banka të shtrenjta

Gjatë pothuajse tre dekadave që nga ajo kohë, bankat kanë dështuar në rindërtimin e besimit.

“Një pjesë e problemit, është se bankat ofrojnë pak përfitime dhe janë të shtrenjta për t’u përdorur. Kjo i dekurajon njerëzit nga hapja e llogarive dhe përdorimi i kartave bankare dhe transfertave digjitale”, tha profesor Xhepa.

“Shumica prej tyre kanë mbajtur norma interesi diskriminuese. Të larta për kreditim dhe shumë të ulëta për kursime. Pagesat ndërkombëtare kanë pasur gjithashtu tarifa të larta, duke dekurajuar transfertat nga emigrantët”, tha ai.

Pagesat digjitale vendase midis bankave shqiptare kanë tarifa të larta transaksionesh – kostoja e dërgimit të 500 eurove ishte deri në 50 euro – ndërsa normat për format e tjera të transaksioneve mund të jenë po aq të larta sa i përket kostos.

Kurset e këmbimit bankar midis lekut dhe euros janë gjithashtu të njohura për mungesën e konkurrencës.

Edhe në dyqane, bizneset kundërshtojnë faktin që duhet të paguajnë deri në 3,5% për transaksion për përpunimin e kartave.

“Disa biznese madje u faturojnë klientëve një vlerë shtesë për pagesën me kartë”, tha Brumbulli,  i Shoqatës Bankare.

Kjo i ndihmon bizneset të shmangin taksat, pasi pagesat me para në dorë shpesh nuk kryhen nëpërmjet arkës.

Ndërsa ambicia për të hequr dorë nga pagesat cash deri në vitin 2030 është e guximshme, suksesi ende varet nga futja e infrastrukturës së pagesave digjitale me kosto të ulët dhe të lehtë për t’u aksesuar – duke përfshirë potencialisht një monedhë digjitale të bankës qendrore ose një platformë kombëtare pagesash të menjëhershme.

Edhe pse Banka e Shqipërisë ka studiuar monedha të tilla dhe “stablecoin” – një lloj kriptomonedhe – si mjete të mundshme, nuk ekziston një plan zyrtar.

Pa një plan të hartuar për mekanizma të tillë, plani i Ramës rrezikon të mbetet aspirues.//a.i/

 

 

 

The post “Politico” artikull për kryeministrin Rama: Ambicia për Shqipërinë pa para në dorë deri në 2030-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BSH vendos kufi për transfertat SEPA, jo më shumë se 3 euro për hyrjet

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektrregulloren që vendos bazat për nivelin e tarifave që bankat dhe institucionet e pagesave do të aplikojnë, pas anëtarësimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA).

Projektrregullorja “Mbi tarifat e pagesave ndërkufitare në zonën SEPA dhe kushtet e transparencës” parashikon që tarifat e aplikuara nga Operatorët e Shërbimeve të Pagesave (banka ose institucione financiare jobanka të pagesave dhe parasë elektronike) për pagesat SEPA dalëse nuk mund të tejkalojnë kufijtë e përcaktuar nga Banka e Shqipërisë për vlerat korresponduese të pagesave vendase në Euro që procesohen përmes sistemeve të saj dhe përcaktohen në kuadrin rregullator të këtyre sistemeve.

Sipas ndryshimeve të propozuara, “Për funksionimin e sistemit AIPS EURO për shlyerjen e transfertave vendase për klientë në Euro”, komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat në sistemin euro do të ulet nga 6 euro në 4 euro.

Ndërkohë, totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0,02% e vlerës së transferuar. Ashtu siç ndodh me transfertat në Lekë, edhe rregullorja për transfertat në Euro do të stimulojë përdorimin e kanaleve elektronike për kryerjen e transfertave, duke parashikuar komisione të përgjysmuara për veprimet që kryhen nëpërmjet këtyre kanaleve.

Komisioni minimal që bankat mund të aplikojnë për transfertat kombëtare në monedhën europiane, të kryera nëpërmjet e-banking, nuk mund të jetë më i lartë se 2 euro. Ndërsa totali i komisioneve për çdo transfertë me vlerë deri në 150 mijë euro nuk mund të jetë më i lartë se 0,01% e vlerës së transferuar.

Ndërkohë, komisionet maksimale që bankat mund të aplikojnë, pavarësisht shumës së transfertës, propozohen të jenë të njëjta si në rregulloren aktuale: përkatësisht 50 euro për transfertat e kryera në degë dhe 25 euro për ato të nisura nëpërmjet kanaleve elektronike.

Këto nivele tavan do të aplikohen edhe për transfertat në nisje në zonën SEPA. Ndërsa, për tarifat e pagesave SEPA hyrëse, nëse aplikohen nga institucioni i përfituesit të pagesës, ato duhet të reflektojnë kostot përkatëse të ofruesit të shërbimeve të pagesave. Këto tarifa, në asnjë rast, nuk mund të kalojnë vlerën 3 euro për transaksion.

/r.e//a.f/

The post BSH vendos kufi për transfertat SEPA, jo më shumë se 3 euro për hyrjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA propozon garanci deri në 15,000 dollarë për viza turistike dhe biznesi

4 August 2025 at 21:20

UASHINGTON, 4 gusht /ATSH/-  Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka propozuar që aplikantët për viza biznesi dhe turistike të kërkojnë një garanci deri në 15,000 dollarë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një veprim që mund ta bëjë procesin të papërballueshëm për shumë njerëz, sipas AP.

Në një njoftim që do të publikohet nesër në Regjistrin Federal, departamenti tha se do të niste një program pilot 12-mujor – sipas të cilit njerëzit nga vendet që konsiderohen se kanë norma të larta tejkalimi të afatit dhe kontrolle të brendshme të pamjaftueshme të sigurisë së dokumenteve – mund të detyrohen të paraqesin garanci prej 5,000, 10,000 ose 15,000 dollarësh kur të aplikojnë për vizë.

Propozimi vjen ndërsa administrata Trump po shtrëngon kërkesat për aplikantët për vizë.

Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se shumë aplikantë për rinovimin e vizave do të duhej t’i nënshtroheshin një interviste shtesë ballë për ballë, diçka që nuk kërkohej në të kaluarën.

Përveç kësaj, departamenti ka propozuar që aplikantët për programin e Lotarisë së Diversitetit të Vizave të kenë pasaporta të vlefshme nga vendi i tyre i shtetësisë.

Sipas një njoftimi paraprak, në faqen e internetit të Regjistrit Federal, tha se programi pilot do të hynte në fuqi brenda 15 ditëve nga publikimi i tij zyrtar dhe se ishte i nevojshëm për të siguruar që qeveria e SHBA-së nuk do të ishte përgjegjëse financiarisht nëse një vizitor nuk i përmbahej kushteve të vizës së tij.

“Të huajt që aplikojnë për viza si vizitorë të përkohshëm për biznes ose kënaqësi dhe që janë shtetas të vendeve të identifikuara nga departamenti – si vende me norma të larta qëndrimi të tejkaluara të vizave, ku informacioni i shqyrtimit dhe verifikimit konsiderohet i mangët, ose që ofrojnë shtetësi me investim – nëse i huaji ka marrë shtetësi pa kërkesë për qëndrim, mund t’i nënshtrohen programit pilot”, thuhej në njoftim.

Vendet e prekura do të listohen sapo programi të hyjë në fuqi. Garancia mund të hiqet në varësi të rrethanave individuale të aplikantit.

Garancia nuk do të zbatohet për qytetarët e vendeve të regjistruara në Programin e Heqjes së Vizave, i cili mundëson udhëtimin për biznes ose turizëm deri në 90 ditë.

Shumica e 42 vendeve të regjistruara në program janë në Evropë, dhe të tjerat në Azi, Lindjen e Mesme dhe gjetkë.

Obligacionet e vizave janë propozuar në të kaluarën, por nuk janë zbatuar. Departamenti Amerikan i Shtetit tradicionalisht e ka dekurajuar kërkesën për shkak të procesit të deklarimit dhe shkarkimit të një garancie dhe për shkak të keqkuptimeve të mundshme nga publiku.

Megjithatë, departamenti tha se pikëpamja e mëparshme nuk mbështetet nga asnjë shembull apo provë e kohëve të fundit, pasi bonot e vizave nuk janë kërkuar përgjithësisht në asnjë periudhë të kohëve të fundit. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA propozon garanci deri në 15,000 dollarë për viza turistike dhe biznesi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kamberi dorëzon kallëzim penal ndaj Ana Brnabiç

4 August 2025 at 21:16

PRISHTINË, 4 gusht/ATSH/ Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, kanë dorëzuar një kallëzim penal kundër kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, për veprën penale të “nxitjes së urrejtjes etnike, fetare dhe racore”,.

Ky veprim vjen pas një deklarate të Brnabiç gjatë një konference për shtyp më 30 korrik 2025, ku ajo tha: “Dhe dëgjuam thirrjen Allahu Ekber dhe gjëra të tjera të neveritshme”, duke iu referuar protestave në Novi Pazar. Sipas Kamberit, kjo deklaratë nuk është lapsus, por stigmatizim i qartë ndaj fesë islame dhe komuniteteve myslimane, përfshirë shqiptarët.

“Gjuha e urrejtjes nuk është vetëm çështje morali apo politike – ajo është çështje ligjshmërie dhe drejtësie,” theksoi Kamberi në reagimin e tij publik.

Ai shtoi se në një shtet që pretendon të ecë drejt integrimeve evropiane, nuk mund të tolerohen deklarata që nxisin frikë, ndasi dhe urrejtje.

Deputetët kërkojnë që prokuroria të hetojë Brnabiç sipas nenit 317 të Kodit Penal të Serbisë, që ndalon nxitjen e urrejtjes mbi baza kombëtare, racore dhe fetare.

Ky veprim nuk është hakmarrje politike dhe as sensacionalizëm. Është një thirrje për drejtësi dhe për vendosjen e një precedenti që askush, pavarësisht pozitës, nuk është mbi ligjin,” deklaroi Kamberi.

Ai përfundoi se drejtësia nuk është privilegj i shumicës, por mburoja e të drejtave të secilit qytetarë.

/Kosovapress/

The post Kamberi dorëzon kallëzim penal ndaj Ana Brnabiç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Takim pune me arkitektë për standardizimin e objekteve bujqësore sipas normave të BE-së

iTIRANË, 4 gusht /ATSH / Ekspertë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bashkë me ekspertë të huaj dhe arkitektë dhe studio arkitekturore, diskutuan në Tiranë rreth identifikimit të sfidave dhe përcaktimin e hapave të mëtejshëm në drejtim të hartimit të stallave blegtorale dhe objekteve bujqësore sipas standardeve të Bashkimit Europian për fermat blegtorale.

Ky takim shënoi një hap konkret drejt modernizimit të infrastrukturës bujqësore dhe blegtorale në vend, duke theksuar rëndësinë që ka arkitektura në zhvillimin rural, mirëqenien e kafshëve dhe përgatitjen për sfidat mjedisore dhe ekonomike të së ardhmes.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që kanë të bëjnë me: Boshllëqet aktuale në projektimin e objekteve bujqësore; Sfidat praktike dhe ato rregullatore që hasin arkitektët dhe fermerët dhe nevoja për krijimin e një strukture përfaqësuese të aktorëve të përfshirë në këtë fushë.

MBZHR dhe Giz Albania vijon të fuqizojë dialogun ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, duke nxitur shkëmbimin e ideve dhe zgjidhjeve të përbashkëta në fushën e zhvillimit rural dhe bujqësisë së qëndrueshme.

1 nga 5

/r.e//a.f/

The post Takim pune me arkitektë për standardizimin e objekteve bujqësore sipas normave të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova pranohet në Aleancën Evropiane për Arsimin Dual

4 August 2025 at 20:56

PRISHTINË, 4 gusht/ATSH/ Kosova është pranuar si anëtare e Aleancës Evropiane për Praktikën Profesionale / Arsimin Dual (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), duke u bërë vendi i 43-të që i bashkohet kësaj platforme evropiane prestigjioze.

Për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ky anëtarësim përbën një arritje të madhe dhe është dëshmi e përkushtimit për të fuqizuar arsimin profesional, duke e lidhur atë ngushtë me nevojat reale të tregut të punës.

Synimet kyçe të Kosovës përmes kësaj platforme përfshijnë: Përfshirjen aktive të sektorit privat në zhvillimin e arsimit dual; Zgjerimin e arsimit dual në partneritet me bizneset; Integrimin e arsimit dual në programet për aftësimin dhe riaftësimin e të rriturve; Krijimin dhe funksionimin e Këshillave Sektoriale të Shkathtësive; Përmirësimin e qeverisjes së shkollave profesionale. Anëtarësimi në EAfA gjithashtu i mundëson Kosovës të ftojë për anëtarësim edhe organizata vendore, si: Odat ekonomike, shoqatat sektoriale, përfaqësues të sektorit privat, partnerë socialë dhe organizata rinore. Platforma EAfA nxit praktika profesionale cilësore, mobilitet të praktikantëve, bashkëpunim ndërkombëtar, dhe mbështet ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe angazhimin e autoriteteve lokale dhe të partnerëve socialë në zhvillimin e arsimit profesional. Ministria thekson se praktikat profesionale janë çelës për një kalim të suksesshëm nga arsimi në tregun e punës, duke u ofruar të rinjve aftësi praktike në kushte reale pune. Pas aplikimit tonë zyrtar, kemi punuar intensivisht për të përmbushur të gjitha kriteret që kërkohen për pranim në këtë aleancë. Sot, Kosova është pjesë e një rrjeti evropian që promovon cilësinë dhe bashkëpunimin në fushën e arsimit profesional,” thuhet në deklaratën e MAShTI-t.

/kosovapress/

The post Kosova pranohet në Aleancën Evropiane për Arsimin Dual appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Qeveria voton për shkarkimin e prokurores së përgjithshme

4 August 2025 at 20:56

JERUSALEM, 4 gusht /ATSH/- Kabineti izraelit votoi unanimisht sot për shkarkimin e prokurores së përgjithshme, duke përshkallëzuar një ngërç të gjatë midis kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe gjyqësorit –  të cilin kritikët e shohin si një kërcënim për institucionet demokratike të vendit, sipas AP.

Gjykata Supreme e ngriu këtë vendim ndërsa do të shqyrtojë ligjshmërinë e tij.

Netanyahu dhe mbështetësit e tij akuzojnë prokuroren e përgjithshme Gali Baharav-Miara për tejkalim të kompetencave të saj – duke bllokuar vendimet e qeverisë së zgjedhur – përfshirë një veprim për të shkarkuar kreun e gjencisë së Sigurisë së Brendshme të Izraelit, një tjetër zyrë në dukje apolitike.

Ajo tha se ekziston një konflikt interesi pasi Netanyahu dhe disa ish-ndihmës të tij po përballen me një sërë hetimesh penale.

Kritikët akuzojnë Netanyahun, i cili është në gjyq për korrupsion, për minimin e pavarësisë gjyqësore dhe për përpjekjen për të fokusuar pushtetin në duart e qeverisë së tij të koalicionit, më nacionaliste dhe fetare në historinë e Izraelit.

Netanyahu i ka mohuar akuzat duke thënë se është viktimë e një “gjuetie shtrigash” nga zyrtarë gjyqësorë armiqësorë të nxitur nga media.

Një përpjekje e qeverisë së Netanyahut për të rishikuar gjyqësorin në vitin 2023 shkaktoi protesta masive disa mujore dhe shumë vëzhgues besojnë se kjo e dobësoi vendin përpara sulmit të Hamasit, më 7 tetor – që shkaktoi luftën në Rripin e Gazës.

“Lëvizja për Qeverisje Cilësore” në Izrael, një grup i njohur mbikëqyrës, tha se kishte paraqitur një peticion urgjent në Gjykatën Supreme pas votimit të sotëm.

Grupi tha se më shumë se 15 000 qytetarë i ishin bashkuar peticionit, duke e quajtur shkarkimin prokurores së përgjithshme “të paligjshëm” dhe “të paprecedentë”.

Në një deklaratë, grupi akuzoi qeverinë për ndryshimin e procedurave të shkarkimit vetëm pasi dështoi të shkarkonte ligjërisht Baharav-Miara sipas rregullave ekzistuese.

Gjithashtu, “Lëvizja për Qeverisje Cilësore” përmendi një konflikt interesi në lidhje me gjyqin në vazhdim të Netanyahut.

“Ky vendim e kthen rolin e prokurores së përgjithshme në një emërim politik. Beteja ligjore do të vazhdojë derisa ky vendim i gabuar të përmbyset”, tha grupi. //a.i/

The post IZRAEL – Qeveria voton për shkarkimin e prokurores së përgjithshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MAS hap konsultimin publik për Planin e Veprimit të Arsimit Digjital 2025–2030

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hapur procesin e konsultimit publik për projektvendimin “Për miratimin e Planit të Veprimit të Arsimit Digjital 2025–2030, duke përfshirë standardet për arritjen e kompetencës digjitale”, një dokument strategjik që synon të transformojë sistemin arsimor shqiptar përmes digjitalizimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Dokumenti përcakton një vizion të qartë për arsimin digjital në Shqipëri deri në vitin 2030, të mbështetur në dokumente strategjike kombëtare si Strategjia Kombëtare e Arsimit dhe Agjenda Digjitale.

Plani synon: Zhvillimin e kompetencave digjitale për nxënësit dhe mësuesit; Zgjerimin e rrjetit të SMARTlab-eve në shkollat bazë dhe të mesme; Furnizimin me 5500 laptopë për shkollat publike, me mbështetjen e Bankës Botërore, CEB dhe IPA III; Zgjerimin e lidhjes broadband dhe Wi-Fi me shpejtësi të lartë në të gjitha institucionet arsimore; Krijimin e mekanizmave monitorues për të ndjekur progresin e digjitalizimit në arsim; Rritjen e përfshirjes sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të gjelbër në sistemin arsimor.

Ky plan kontribuon gjithashtu në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Europian, në veçanti në fushën e arsimit dhe shoqërisë digjitale.

Konsultimi do të zgjasë 20 ditë pune, nga data 5 gusht deri më 1 shtator 2025, dhe do të zhvillohet përmes portalit zyrtar të Regjistrit Elektronik për Konsultime Publike:
www.konsultimipublik.gov.al

MAS fton të gjithë qytetarët, ekspertët e fushës, organizatat jofitimprurëse, institucionet publike dhe të gjitha palët e interesuara të japin komentet dhe sugjerimet e tyre, me qëllim përmirësimin e përmbajtjes së këtij dokumenti të rëndësishëm që synon ndërtimin e një sistemi arsimor modern, të aksesueshëm dhe të përshtatur me nevojat e epokës digjitale.

/r.e//a.f/

The post MAS hap konsultimin publik për Planin e Veprimit të Arsimit Digjital 2025–2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Ministri gjerman i Financave kërkon tarifë më të ulët për çelikun

4 August 2025 at 19:24

UASHINGTON, 4  gusht/ATSH-DPA/  – Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, shpreson të negociojë një përjashtim për eksportet e çelikut gjatë vizitës së tij në Uashington, ku zhvilloi sot bisedime  me sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent, vetëm disa ditë para se të hyjnë në fuqi tarifat e reja të SHBA-së ndaj importeve nga Bashkimi Evropian.

Klingbeil tha se planifikon të diskutojë një rregullore kuotash për eksportet e çelikut, e cila mund të lejojë që sasi të caktuara të këtij metali të tregtohen mes të dyja palëve me një tarifë më të ulët, ose edhe pa tarifë fare.

“Do të ishte shumë e rëndësishme për industrinë gjermane të çelikut, për shumë vende pune në Gjermani”, u tha ai gazetarëve në Uashington.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën një marrëveshje tregtare në fund të muajit të kaluar për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje të gjatë për tarifat, e cila u nxit nga presidenti Donald Trump.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Trump dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shumica e importeve nga BE-ja drejt SHBA-së do të përballen me një tarifë prej 15% duke filluar nga data 7 gusht. Ndërkohë, tarifat mbi mallra të caktuara si alumini dhe çeliku do të mbeten në nivelin 50%.

Klingbeil shprehu zhgënjim lidhur me negociatat që çuan në marrëveshjen e shpallur më 27 korrik.

“Mendoj se ishim shumë të dobët. Nuk mund të jemi të kënaqur me rezultatin që u arrit,” tha ministri, i cili është gjithashtu edhe  zëvendëskancelar i Gjermanisë. /Ad.Ab./

The post SHBA – Ministri gjerman i Financave kërkon tarifë më të ulët për çelikun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasadori gjerman viziton fshatin Bisnicë në Pogradec

4 August 2025 at 19:21

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner vizitoi së fundmi fshatin Bishnicë në rrethin e Pogradecit, ku organizata gjermane humanitare “Christliches Hilfswerk Wismar” prej shumë vitesh zhvillon punë sociale dhe me të rinjtë.

Ambasada financoi sigurimin e materialeve të ndërtimit për një qendër shëndetësore, e cila u ndërtua me punë vullnetare.

Mirëmbajtja e godinës sigurohet nga Bashkia e Pogradecit, e cila në të njëjtën ndërtesë menaxhon edhe një shkollë komunitare.

Ky projekt është një shembull i bukur i ndihmës “Hilfe zur Selbsthilfe” dhe i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ndryshme.

Ambasada gjermane shprehu në një postim në rrjetet sociale falenderime të përzemërta për Bashkinë, komunën Vërçan dhe organizatën “Christliches Hilfswerk Wismar”, si dhe për kryetarin e saj të palodhur, Frieder Weinhold.

“Së bashku kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm për të ardhmen e Bishnicës”, thekson Ambasada gjermane.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Ambasadori gjerman viziton fshatin Bisnicë në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Tarifat amerikane ndaj Indisë do të rriten ndjeshëm

4 August 2025 at 19:14

UASHINGTON, 4 gusht /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi sot se do të rrisë ndjeshëm tarifat ndaj Indisë, sipas “Bloomberg”.

“India jo vetëm që po blen sasi të mëdha të naftës ruse, por pjesën më të madhe të naftës së blerë, e shet në Tregun e Hapur për fitime të mëdha”, shkroi sot Trump në “Truth Social”.

“Atyre nuk u intereson se sa njerëz në Ukrainë po vriten nga Makineria Ruse e Luftës. Për shkak të kësaj, unë do ta rris ndjeshëm tarifën e paguar nga India për SHBA-në”, shtoi ai.

Tarifat gjithëpërfshirëse të njoftuara nga presidenti Trump do të hyjnë në fuqi, këtë javë.

Javën e kaluar, Trump njoftoi një tarifë prej 25% për mallrat nga India, duke përfshirë një taksë shtesë importi për shkak të blerjes së naftës ruse nga vendi.

Trump e ka drejtuar zemërimin e tij si ndaj Indisë ashtu edhe ndaj Kinës për blerjet e naftës ruse.

Kina e quajti kërkesën një pengesë kyçe në bisedimet tregtare, ndërsa India nuk është zotuar të ndalojë blerjet dhe po i nxit qytetarët të mbështesin mallrat vendase.

India po përballet me tarifa prej 25% për eksportet e saj në SHBA – sipas planeve që Trump i ndërmori javën e kaluar.

Trump nënshkroi një urdhër për të rritur tarifat ndaj Kanadasë në 35%, ndërsa vendosi norma nga 10% në 40% për dhjetëra partnerë.

Këto tarifa do të hyjnë në fuqi të plotë këtë javë, ndërsa Trump duket se do ta ndryshojë në mënyrë dramatike peizazhin tregtar të SHBA-së.

Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, tha se raundi i fundit i tarifave është “pothuajse i përcaktuar” dhe nuk ka gjasa të ndryshojë. //a.i/.

The post SHBA – Trump: Tarifat amerikane ndaj Indisë do të rriten ndjeshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE pezullon kundërmasat tarifore ndaj SHBA-së për gjashtë muaj

4 August 2025 at 19:12

BRUKSEL, 4 gusht /ATSH/- Bashkimi Evropian njoftoi sot se do të pezullojë kundërmasat tarifore ndaj SHBA-së për gjashtë muaj, sipas “Reuters”.

Vendimi vjen pas marrëveshjes tregtare mes SHBA-së dhe BE-së të arritur, javën e kaluar.

“Bashkimi Evropian do të pezullojë dy paketat e kundërmasave tarifore ndaj SHBA-së për gjashtë muaj – pas një marrëveshjeje me presidentin e SHBA-së Donald Trump”, tha sot një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Marrëveshja BE-SHBA lë shumë pyetje të hapura, duke përfshirë tarifat për pijet alkoolike, dhe urdhri ekzekutiv i Trump javën e kaluar që vendos tarifa për shumicën e mallrave të BE-së në 15% nuk përfshinte përjashtime të tilla si për automjetet dhe pjesët e tyre.

Zyrtarët e BE-së thanë se presin që së shpejti të pasojnë më shumë urdhra ekzekutivë.

“BE vazhdon të punojë me SHBA-në për të finalizuar një Deklaratë të Përbashkët, siç është rënë dakord më 27 korrik”, tha zëdhënësi në një deklaratë.

“Duke pasur parasysh këto objektiva, Komisioni do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të pezulluar me gjashtë muaj kundërmasat e BE-së kundër SHBA-së, të cilat duhet të hyjnin në fuqi më 7 gusht”, shtoi ai.

Tarifat hakmarrëse janë të ndara në dy pjesë: njëra në përgjigje të detyrimeve të çelikut dhe aluminit të SHBA-së, dhe tjetra në përputhje me tarifat bazë dhe ato të automjeteve të Trump. //a.i/

The post BRUKSEL – BE pezullon kundërmasat tarifore ndaj SHBA-së për gjashtë muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bizneset shqiptare më afër mundësive financiare përmes platformës “Akses në Financë”

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Bizneset shqiptare, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), tashmë kanë në dispozicion një burim të ri informacioni dhe orientimi për skemat financiare: platformën “Akses në Financë”, të menaxhuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

AIDA njofton se, platforma, e aksesueshme në www.aida-smefinance.gov.al, ofron një pasqyrë të plotë të granteve, kredive, garancive dhe nismave të tjera financiare që ofrohen nga institucione publike, organizata ndërkombëtare, banka dhe donatorë vendas e të huaj.

Synimi kryesor i kësaj platforme është të shërbejë si një portë unike për informimin dhe aksesin në financë, duke lehtësuar qasjen e bizneseve në fondet e nevojshme për zhvillim, zgjerim apo rikuperim pas vështirësive ekonomike.

AIDA bën të ditur se iniciativa u mundësua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në mbështetje të qeverisë shqiptare, me fokus në zbutjen e ndikimeve negative të krizës së COVID-19 ndaj sektorit privat.

AIDA fton të gjithë donatorët, institucionet financiare dhe bankat që operojnë në Shqipëri të dërgojnë informacion mbi skemat e tyre financiare në adresën: info@aida.gov.al, në mënyrë që ato të publikohen dhe të jenë lehtësisht të aksesueshme për komunitetin e biznesit.

/r.e//a.f/

The post Bizneset shqiptare më afër mundësive financiare përmes platformës “Akses në Financë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LITUANI – Ministri i Financave emërohet të drejtojë qeverinë teknike

4 August 2025 at 18:43

VILNUS, 4 gusht /ATSH / – Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, pranoi sot dorëheqjen e kryeministrit Gintautas Paluckas dhe të gjithë qeverisë së tij, duke emëruar ministrin e Financave, Rimantas Sadzius, si drejtues të qeverisë së përkohshme, sipas “Euronews”

Presidenti ka deri në 15 ditë për të propozuar një kandidat të ri për postin e kryeministrit për miratim nga parlamenti (Seimas). Deri atëherë, Sadzius do të udhëheqë qeverinë teknike.

Paluckas njoftoi dorëheqjen të enjten e kaluar, pas hapjes së dy hetimeve paraprake nga autoritetet ligjzbatuese mbi aktivitetet e tij të biznesit, që shkaktuan shqetësime publike në rritje. Ai e konfirmoi  sot vendimin gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të qeverisë .

Kandidati i ri për kryeministër do të propozohet nga Partia Socialdemokrate, grupi më i madh në parlament.  Kandidati  kryesor është ish-kryetari i bashkisë së Jonavës dhe ish-ministri i Ekonomisë, Mindaugas Sinkevicius, pavarësisht se në maj 2024 u dënua me gjobë dhe ndalim 3-vjeçar për ushtrim detyre për shkak të një skandali abuzimi me detyrën, dënim që u konfirmua edhe në apel në shtator.

Kandidatët e tjerë të mundshëm janë ish-eurodeputeti dhe ish-ministri i Mbrojtjes Kombëtare Juozas Olekas, ministrja e Sigurisë Sociale dhe Punës Inga Ruginiene, si dhe kryetari i qarkut të Vilnusit, Robert Duchnevic. /Ad.Ab./

 

The post LITUANI – Ministri i Financave emërohet të drejtojë qeverinë teknike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌