Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

SIRI – Më shumë se 1 400 të vrarë gjatë dhunës së marsit në vend

22 July 2025 at 22:43

DAMASK, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Një komision hetimor sirian konfirmoi sot se 1 426 persona, kryesisht civilë, përfshirë shumë anëtarë të komunitetit alavi,  janë vrarë gjatë një vale dhune në provincat bregdetare të vendit, mes datave 6 dhe 9 mars.

Sipas zëdhënësit të komisionit, Yasser al-Farhan, përplasjet filluan kur njësi të grupeve të armatosura të lidhura me diktatorin e rrëzuar Bashar al-Asad ndërmorën sulme të koordinuara kundër forcave qeveritare në Latakia, Tartus dhe Hama, duke vrarë 238 ushtarë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Ndër viktimat ishin edhe 90 gra, shumica prej tyre civile të paarmatosura, tha komisioni në një konference  shtypi në Damask.

Sulmuesit u përshkruan si grupe të organizuara dhe të paligjshme, besnike ndaj regjimit të përmbysur të Asadit, që tani veprojnë në mënyrë të pavarur dhe kundërshtojnë autoritetet në këtë fazë tranzicioni .

“Këto grupe ndërmorën sulme në shkallë të gjerë kundër objektivave ushtarake dhe të sigurisë, bllokuan rrugë dhe përdorën armë të rënda ”, tha al-Farhan.

Qeveria e re ndërmori një operacion ushtarak për të shtypur dhunën.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë me bazë në Britani, vlerësoi në atë kohë se mbi 1 600 persona, kryesisht nga pakica alavite, ishin vrarë gjaë trazirave.

Më shumë se gjashtë muaj pas rrëzimit të ish presidentit Asad nga një aleancë rebele e udhëhequr nga elemente islamikë, dhuna vazhdon të tronditë edhe jugun e Sirisë, ku forcat  druze të milicisë po përplasen me grupe fisnore sunite beduine të mbështetura nga Damasku.

Megjithëse Presidenti Ahmad al-Sharaa është zotuar të mbrojë pakicat, kritikët e akuzojnë qeverinë e tij për arrestime simbolike dhe mungesë përgjegjësie. /Ad.Ab./

Bottom of Form

 

The post SIRI – Më shumë se 1 400 të vrarë gjatë dhunës së marsit në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Uashingtoni kërkon zgjatje të negociatave tregtare me Kinën

22 July 2025 at 22:31

UASHINGTON, 22 korrik /ATSH – DPA/ – Shtetet e Bashkuara duan të diskutojnë një zgjatje të afatit për mosmarrëveshjen tarifore me Kinën, deklaroi sot sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.

“Do të jem në Stokholm të hënën dhe të martën me homologët e mi kinezë dhe do të punojmë për atë që ka shumë gjasa të jetë një zgjatje. Mendoj se tregtia është në një pozicion shumë të mirë me Kinën”, tha Bessent në një intervistë për transmetuesin amerikan Fox Business.

Afati aktual pritet të skadojë më 12 gusht, pasi tarifat ishin reduktuar për 90 ditë për të lejuar zhvillimin e negociatave mes dy vendeve.

Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur në disa hapa tarifat ndëshkuese ndaj importeve kineze në SHBA deri në 145%. Pekini, nga ana tjetër, u kundërpërgjigj me tarifa të veta prej 125% dhe vendosi kontrolle eksporti për mineralet e rralla me rëndësi industriale dhe magnetët e prodhuar prej tyre.

Njëkohësisht, Bessent rikonfirmoi afatin e mëparshëm të 1 gushtit për konfliktin tarifor me vendet e tjera, duke deklaruar se SHBA-ja planifikon të vendosë tarifa me nivele të ndryshme për importet nga këto vende. “Ky afat është mjaft i prerë”, tha Bessent.

I pyetur nëse kjo vlen edhe për BE-në, ai konfirmoi se afati zbatohet për të gjitha vendet.

Komisioni Evropian ka qenë duke negociuar me Uashingtonin për çështjen e tarifave prej disa kohësh. Trump kishte paralajmëruar tarifa prej 30% për importet e produkteve nga BE duke filluar nga 1 gushti.

Në rast se SHBA zbaton nivelin e ri të tarifave, BE-ja planifikon të kundërpërgjigjet me tarifa të tjera. /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Uashingtoni kërkon zgjatje të negociatave tregtare me Kinën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjermani – Merz dhe Fiala kërkojnë një zgjidhje evropiane për sigurinë kufitare

22 July 2025 at 22:07

BERLIN, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Gjermania dhe Republika Çeke ranë dakord që kontrollet në kufirin e përbashkët duhet të jenë vetëm të përkohshme, deklaruan kancelari Friedrich Merz dhe kryeministri Petr Fiala pas një takimi sot në Berlin.

“Ne duam një zgjidhje evropiane”, siguroi Merz. “Por përderisa nuk jemi në gjendje të mbrojmë më mirë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, duhet të kryejmë kontrolle në kufijtë e brendshëm evropianë”.

Gjermania dhe Çekia ndajnë një kufi prej më shumë se 800 kilometrash. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, urdhëroi intensifikimin e kontrolleve në këtë kufi vetëm pak orë pasi mori detyrën në fillim të majit.

Për shkak të migracionit të parregullt, Fiala shprehu mirëkuptim për qasjen gjermane. Megjithatë, ai theksoi se në vend të kontrolleve kufitare, duhet të ketë një zgjidhje afatgjatë për kufirin e jashtëm të BE-së.

“Një zgjidhje afatgjatë duhet të jetë një zgjidhje evropiane, në mënyrë që të mund të vazhdojmë të kalojmë lirshëm kufijtë e brendshëm të BE-së”. /Ad.Ab./

The post Gjermani – Merz dhe Fiala kërkojnë një zgjidhje evropiane për sigurinë kufitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonzato: Programi “EU4Culture” në mbështetje të artistëve

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato vlerësoi sot se programi “EU4Culture” nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin e monumenteve, por edhe me kremtimin e jetës së artistëve.

I pranishëm në aktivitetin e organizuar nga organizata “Tek Bunkeri” me artistin Lulzim Beqiri, ambasadori Gonzato u shpreh se “të vësh drejtësi për ata që vuajtën brutalitetin e regjimit komunist ka të bëjë me rikthimin e shpresës, rikthimin e njerëzimit, por edhe me rikthimin e kreativitetit”.

“Kur dy nga pikturat, të cilat ishin konfiskuar, iu rikthyen, Lulzim Beqiri gjeti një frymë të re në jetën e tij artistike. Jam krenar që shoh se EU4Culture nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin e monumenteve. Ka të bëjë edhe me kremtimin e jetës së artistëve jashtëzakonisht të guximshëm si Lulzimi”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

1 nga 3

/m.m/r.e/

The post Gonzato: Programi “EU4Culture” në mbështetje të artistëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

UASHINGTON – Trump: SHBA mund të sulmojë sërish vendet bërthamore të Iranit, nëse është e nevojshme

22 July 2025 at 21:58

UASHINGTON, 22 korrik /ATSH/-  Do të sulmojmë sërish, nëse është e nevojshme, paralajmëroi presidenti i SHBA-së Donald Trump, pasi ministri i Jashtëm i Iranit tha se Teherani nuk do të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor, sipas Euronews.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të godasin sërish objektet bërthamore të Iranit nëse është e nevojshme.

Reagimi i Trump erdhi pasi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha për “Fox News” se Teherani nuk mund të hiqte dorë nga programi i pasurimit bërthamor, edhe pse objektet bërthamore ishin dëmtuar nga bombardimet amerikane, muajin e kaluar.

“Programi është ndalur sepse dëmet janë të mëdha dhe të rënda. Por padyshim, ne nuk mund të heqim dorë nga pasurimi sepse është një arritje e shkencëtarëve tanë.Dhe tani, edhe më shumë, është çështje krenarie kombëtare”, tha Araghchi.

“Sigurisht që janë të dëmtuara, dhe ne do ta bëjmë sërish, nëse është e nevojshme”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social” – duke iu referuar deklaratës së Araghchi.

Sulmet amerikane më 22 qershor goditën tre vende të pasurimit bërthamor iranian — Fordow, Natanz dhe Isfahan — gjatë konfliktit 12-ditor të Izraelit me Iranin.

Disa ditë pasi u njoftua një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Trump pretendoi se sulmet e Uashingtonit kishin “shkatërruar plotësisht” vendet bërthamore të Iranit.

Megjithatë, pretendimi i Trump u vu në pikëpyetje kur një raport i mëvonshëm i inteligjencës amerikane zbuloi se programi bërthamor i Iranit ishte shtyrë vetëm disa muaj pas.

Shtëpia e Bardhë e kundërshtoi me vendosmëri vlerësimin, duke e quajtur atë “krejtësisht të gabuar”.

Pas paralajmërimit të Trump në media sociale – Irani njoftoi se do të zhvillonte bisedime të reja të premten me vendet evropiane mbi programin e tij bërthamor.

Takimi në Stamboll do të jetë i pari që nga arritja e armëpushimit Izrael-Iran në fund të muajit të kaluar dhe vjen pas diskutimeve të ngjashme në qytetin turk, në maj.

Bisedimet do të përfshijnë zyrtarë nga Irani, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania – të njohura si vendet E3 – dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

“Tema e bisedimeve është e qartë, heqja e sanksioneve dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor paqësor të Iranit”, tha dje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.

Sipas një marrëveshjeje të vitit 2015 – të hartuar për të kufizuar aktivitetet bërthamore të Iranit – e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), Teherani ra dakord për kufizime të ashpra në programin e tij bërthamor – në këmbim të një lehtësimi të sanksioneve ndërkombëtare. //a.i/

The post UASHINGTON – Trump: SHBA mund të sulmojë sërish vendet bërthamore të Iranit, nëse është e nevojshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Efektivët në Korçë shpëtojnë të moshuarin nga zjarri, Proda: Misioni i Policisë në mbrojtje të jetës

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda falënderoi sot punonjësit e Patrullës së Përgjithshme në DVP Korçë, të cilët rrezikuan jetën duke u futur mes flakëve dhe shpëtuan një të moshuar që ishte rrethuar nga zjarri dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej, në një lagje periferike të Korçës.

Në një mesazh falënderimi, Proda vlerësoi këtë akt fisnik, që sipas tij, “tregon më së miri se të jesh pjesë e Policisë së Shtetit është shumë më tepër se një detyrë, është një mision i shenjtë në mbrojtje të jetës”.

“Të nderuar kolegë, Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari. Ndihem thellësisht i emocionuar dhe krenar për guximin, sakrificën dhe humanizmin tuaj. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi, rrezikuat jetën për të shpëtuar një qytetar të moshuar, i cili ishte rrethuar nga flakët dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej”, u shpreh Proda.

Proda siguroi se “shërbimi ndaj qytetarëve nuk është thjesht një përgjegjësi institucionale, por një thirrje e përditshme për të qenë pranë tyre, sidomos në momentet më të vështira”.

“Ju falënderoj nga zemra për shembullin e jashtëzakonshëm që dhatë dhe për nderin që i bëtë uniformës sonë. Krenar për ju dhe për të gjithë efektivët e Policisë që e nderojnë Policinë e Shtetit me veprime që frymëzojnë dhe rrisin besimin e qytetarëve tek Policia”, tha Proda.

/m.m/r.e/

The post Efektivët në Korçë shpëtojnë të moshuarin nga zjarri, Proda: Misioni i Policisë në mbrojtje të jetës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet pikë e përkohshme kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, njoftoi sot për hapje për qarkullim të përkohshëm (sezonal) të PKK Strazimir, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit, kjo pikë do të jetë e hapur nga data 25 korrik deri më 25 shtator 2025.

“Pika e Kalimit Kufitar e përcaktuar me këtë Vendim hapet për aktivitet dhe manifestime kulturore, shkencore, profesionale, sportive dhe/apo turistike”, thuhet në vendim.

/KosovaPress/

The post Hapet pikë e përkohshme kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreve në Dibër, shpëtohet bariu në Gurë-Lurë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar forca shtesë në aksionet për shuarjen e zjarreve në Dibër.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot një takim në Prefekturën e qarkut Dibër për të folur mbi situatën e zjarreve.

Vengu theksoi se ndërhyrja nga ajri, nga forcat shqiptare dhe ato italiane, ka mundësuar uljen e intensitetit të vatrave, veçanërisht në Lurë dhe në zonën e Zall-Gjoçajt.

“Fatmirësisht nuk ka rrezik për zonat e banuara, por jemi në terren për të ndjekur hap pas hapi çdo situatë”, u shpreh ministri Vengu.

Vengu bëri të ditur se gjatë pasdites, ndërhyrja e shpejtë e Forcave të Armatosura dhe atyre të bashkisë mundësoi lokalizimin dhe shpëtimin e një bariu dhe bagëtive që u rrezikuan nga përhapja e zjarrit në Gurë-Lurë.

Ministri falenderoi shërbimet Zjarrfikëse, trupën e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura që mbeten në front të parë.

“Rritja e temperaturave, kërkon monitorim të shtuar dhe alertim të menjëhershëm, veçanërisht në zonat malore dhe pyjore të ekspozuara”, u shpreh ai.

/m.m/r.e/

The post Vengu: Ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreve në Dibër, shpëtohet bariu në Gurë-Lurë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Dyzet e tre irakianë deportohen drejt Bagdadit

22 July 2025 at 21:23

LEJPSIG, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Dyzetë e tre persona u deportuan sot nga Gjermania drejt Bagdadit, konfirmoi Ministria e Brendshme, duke shënuar fluturimin e parë të tillë që nga muaji shkurt.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, i cili është shfaqur në mbështetje të një qasjeje më të ashpër ndaj migracionit, deklaroi për gazetën “Bild” se ky fluturim është pjesë e politikave të tij të reja, ndërsa vazhdon të kërkojë më shumë riatdhesime, marrëveshje me vende të tjera dhe një luftë më të fortë kundër trafikantëve të njerëzve.

Sipas autoriteteve në landin e Thuringisë, 43 personat  që ndodheshin në bord kishin detyrim ligjor për të lënë vendin. Të gjithë ishin të pamartuar dhe disa prej tyre kishin dënime penale.

Një fotograf i agjencisë DPA përshkroi përgatitjet e policisë për nisjen e fluturimit, ku pasagjerët u transportuan me automjete policie dhe dy autobusë të mëdhenj të aeroportit. Secili pasagjer u shoqërua veçmas nga një oficer policie deri në avion.

Pas uljes në kryeqytetin irakian, pasagjerët kaluan disa procedura të emigracionit, sipas burimeve nga aeroporti.

Transferimi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie në Irak, megjithatë mbeti e paqartë se ku do të dërgoheshin peesonat pas hyrjes në vend.

Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, vitin e kaluar janë deportuar 816 irakianë. Disa janë dërguar në vende të tjera të BE-së për përpunimin e kërkesave për azil, ndërsa 615 janë dërguar direkt në Irak.

Sipas OKB-së, 1,2 milionë irakianë janë të zhvendosur brenda vendit dhe rreth 3 milionë varen nga ndihma humanitare. Shumë prej të kthyerve kanë vështirësi të përmbushin nevojat bazë për jetesë.

Në një sondazh të kryer nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në vitin 2023, pothuajse gjysma e migrantëve të kthyer në Irak thanë se dëshironin të largoheshin përsëri nga vendi brenda gjashtë muajve. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Dyzet e tre irakianë deportohen drejt Bagdadit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Sfidat e migracionit të parregullt”, Muzhaqi dhe ambasadori Abbot takim me të rinjtë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ “Rrënjët e Mia” titullohet Konkursi Kombëtar ku të rinjtë shprehën përmes fotografisë artin e tyre, të cilin e shndërruan në zë për identitetin, komunitetin dhe sfidat e migracionit.️

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Abbot dhe drejtoresha e IOM Albania, Alma Jani zhvilluan sot një takim me të rinjtë pjesëmarrës në këtë konkurs.

Në fokus të takimit ishin sfidat e migracionit të parregullt dhe rëndësia e krijimit të mundësive për ta zhvilluar të ardhmen pranë vendit.

Përmes fotografisë të rinjtë shprehën lidhjen me identitetin dhe komunitetin, duke reflektuar mbi sfidat e migracionit të parregullt dhe mundësitë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.

“Një nismë frymëzuese për përfshirjen rinore, në kuadër të projektit “Forcimi i Kapaciteteve Institucionale Vendore për Migracionin në Shqipëri”, mbështetur nga Qeveria”, u shpreh ministrja Muzhaqi.

/m.m/r.e/

The post “Sfidat e migracionit të parregullt”, Muzhaqi dhe ambasadori Abbot takim me të rinjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – OKB: Mbi 1000 të vrarë pranë qendrave të ndihmës në Gazë që nga maji

22 July 2025 at 21:03

LONDËR, 22 korrik /ATSH/- Më shumë se 1000 njerëz janë vrarë nga ushtria izraelite ndërsa përpiqeshin të merrnin ushqim në Gazë – që kur sistemi i shpërndarjes së Fondacionit Humanitar të Gazës – i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli filloi në maj, tha OKB-ja, sipas BBC.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se që nga 21 korriku ka regjistruar 1 054 njerëz të vrarë në Gazë – ndërsa përpiqeshin të merrnin ushqim, nga të cilët 766 u vranë “në afërsi” të vendeve të GHF-së, dhe 288 pranë konvojeve të ndihmës së OKB-së dhe organizatave të tjera humanitare.

“Të dhënat tona bazohen në informacione nga burime të shumta të besueshme në terren, duke përfshirë ekipet mjekësore, organizatat humanitare dhe të të drejtave të njeriut. Ato janë duke verifikuar në përputhje me metodologjinë tonë të rreptë”, tha organizata.

Si Izraeli ashtu edhe GHF-ja kanë kontestuar numrin e të vdekurve, dhe si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja thonë se sistemi është i nevojshëm për të ndaluar Hamasin që të vjedhë ndihmat.

OKB-ja refuzon të bashkëpunojë me GHF-në, duke e përshkruar krijimin e tij si joetik.

Britania e Madhe dhe 27 vende të tjera kanë bërë thirrje për një përfundim të menjëhershëm të luftës në Gaza.

Sipas deklaratës së përbashkët, modeli i ofrimit të ndihmës nga Izraeli është i rrezikshëm.

Ministria e Jashtme e Izraelit e hodhi poshtë deklaratën e 28 vendeve, duke thënë se ishte ajo e shkëputur nga realiteti dhe se i dërgonte mesazhin e gabuar Hamasit.//a.i/

The post NJU JORK – OKB: Mbi 1000 të vrarë pranë qendrave të ndihmës në Gazë që nga maji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Parku Rinia” i mbushur me qytetarë, Rama ndan foto nga Korça

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Bukuritë natyrore, pozita gjeografike, mikpritja dhe traditat e bëjnë Korçën një prej destinacioneve më të frekuentuara në Shqipëri.

Për shumë pushues klima është mjaft e përshtatshme për t’i ikur të nxehtit të korrikut.

Parku “Rinia” është një prej alternativave kryesore për të kaluar këto ditë të nxehta vere.

Janë të shumtë ata të cilët mund të pushojnë në park, të shijojnë gjelbërimin, të pedalojnë, ndërsa fëmijët mund të luajnë pa e ndjerë të nxehtin e verës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky park, i mbushur plot me qytetarë. “Pasdite tek Parku Rinia, Korçë”, shkruan Rama krahas fotove.

Parku i Korçës, me një shtrirje prej 100 mijë metrash katrorë, është i veçantë sa i përket shumëllojshmërisë së drurëve dhe bimësisë.

Parku, i ndodhur në veriperëndim të qytetit, është krijuar 60 vjet më parë për të qenë mushkëria e Korçës dhe frekuentohet nga dhjetëra qytetarë të moshave të ndryshme.

Falë investimit për rehabilitimin e tij, kjo pjesë e gjelbër e Korçës u shndërrua në një park model me standarde europiane, me qëllim që të jetë sërish dhe vetëm në funksion të qytetarëve.

/m.m/r.e/

The post “Parku Rinia” i mbushur me qytetarë, Rama ndan foto nga Korça appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI -Shefja e Bundestagut pro ndalimit të simboleve dhe stemave politike

22 July 2025 at 20:36

BERLIN, 22 korrik / ATSH-DPA/ – Udhëheqësit administrativë të Bundestagut, dhoma e poshtme e parlamentit gjerman, po përpiqen të ndalojnë që deputetët të mbajnë stema apo simbole me mesazhe politike në sallën plenare.

Sipas një letre të kryetares së Bundestagut, Julia Klockner, për sekretaren e parë parlamentare të Partisë së Gjelbër, Irene Mihalic, përjashtim do të bëhet vetëm për simbolet zyrtare shtetërore që janë të dukshme në sallë; shqiponja federale, flamuri gjerman dhe flamuri i Bashkimit Evropian.

“Debati në sallën plenare zhvillohet me fjalë dhe vetëm përmes fjalëve”, thuhet në letrën e Klockner.

Ajo paralajmëroi se çdo simbol tjetër përveç atyre shtetërore mund të shkaktojë probleme ndarjeje dhe përplasje interpretimesh. Sipas saj, simbolet zyrtare përfaqësojnë trashëgiminë demokratike të Republikës Federale të Gjermanisë.

Por Mihalic ka kritikuar këtë direktivë, duke thënë se ajo mund të ndezë një “luftë kulturore” dhe të shmangë vëmendjen nga debatet reale politike.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për flamurin kombëtar, por edhe për simbole që përfaqësojnë mbrojtjen e vlerave themelore të kushtetutës sonë”, shkroi Mihalic.

Debati për simbolet në parlament gjerman pason një klimë gjithnjë e më të tensionuar në lidhje me identitetin politik, lirinë e shprehjes dhe kufijtë e saj në hapësirat institucionale. /Ad.Ab./

Top of Form

Bottom of Form

 

 

The post GJERMANI -Shefja e Bundestagut pro ndalimit të simboleve dhe stemave politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspozitë fotografike lëvizëse e të rinjve nga rajoni në Tiranë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ekspozita lëvizëse “Your Lens. Your Story. Our Europe!” mbërriti sot në Shtëpinë e Europës në Tiranë, pas ndalesave në Beograd, Podgoricë dhe Shkup.

E konceptuar nga programi WeBalkans, i financuar nga BE, ekspozita sjell 18 fotografi nga të rinj të talentuar nga i gjithë rajoni, duke përdorur sportin për të nxjerrë në pah qëndrueshmërinë, përfshirjen dhe vlerat e përbashkëta që lidhin Ballkanin Perëndimor me Bashkimin Evropian.

“Me fotografitë e tyre, të rinjtë nga Shqipëria dhe rajoni tregojnë llojin e Evropës që ata duan, dhe rrëfejnë diçka me të vërtetë të fuqishme: idenë se Evropa nuk është vetëm hapësirë gjeografike, por një bashkësi vlerash”, u shpreh Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

Ekspozita është e hapur për publikun për t’u vizituar në Shtëpinë e Europës deri më 29 korrik.

/m.m/r.e/

The post Ekspozitë fotografike lëvizëse e të rinjve nga rajoni në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Ministrja e Kulturës, Dati dhe ish-shefi “i Renault-Nissan”, Ghosn, në gjyq për korrupsion

22 July 2025 at 19:46

PARIS, 22 korrik /ATSH/ – Gjykatës francezë urdhëruan sot që ministrja e Kulturës, Rachida Dati, dhe ish-drejtuesi i njohur i industrisë së makinave, Carlos Ghosn, të përballen me gjyq për akuza lidhur me korrupsion dhe abuzim me pushtetin, njoftoi një burim gjyqësor.

Prokuroria financiare franceze (PNF) kishte kërkuar qysh në nëntor të vitit 2024 që Dati dhe Ghosn të gjykoheshin si pjesë e një hetimi për korrupsion.

Hetuesit kishin vënë në pikëpyetje pagesat për konsulencë që Dati kishte marrë nga aleanca “Renault-Nissan,  pasi ajo kishte dhënë dorëheqjen nga posti i ministres së Drejtësisë në vitin 2009 për të kandiduar në Parlamentin Evropian.

Dati ka mohuar çdo parregullsi në lidhje me pagesat që ka marrë gjatë asaj kohe.

Edhe Ghosn, i cili u arratis nga Japonia në vitin 2019 duke u vendosur në Liban ka mohuar akuzat për keqmenaxhim.

Përfaqësuesit e Datit nuk kanë komentuar menjëherë, ndërsa përfaqësuesit e Ghosn nuk kanë qenë të disponueshëm  për koment.

Ghosn, i cili ka shtetësi franceze, libaneze dhe braziliane, nuk ka dalë nga Libani që nga viti 2019, për shkak të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Japonia. /Ad.Ab./

 

The post FRANCË – Ministrja e Kulturës, Dati dhe ish-shefi “i Renault-Nissan”, Ghosn, në gjyq për korrupsion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Miratohet projektligji që dobëson agjencitë e anti-korrupsionit, publiku i zemëruar

22 July 2025 at 19:21

KIEV, 22 korrik /ATSH/- Parlamenti i Ukrainës miratoi sot legjislacionin që do të shtrëngojë rregullat për mbikëqyrjen e dy agjencive kryesore kundër korrupsionit – të cilat sipas kritikëve – mund ta dobësojnë ndjeshëm pavarësinë e tyre dhe t’i japin rrethit të presidentit Volodymyr Zelensky më shumë ndikim ndaj hetimeve, sipas AP.

Lufta kundër korrupsionit të rrënjosur është thelbësor për përpjekjen e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe për të ruajtur aksesin në ndihmat perëndimore me vlerë miliarda dollarë.

Miratimi i legjislacionit ka shkaktuar zemërimin e publikut në Ukrainë.

Ndryshimet i japin Prokurorit të Përgjithshëm autoritet të ri ndaj hetimeve dhe ndaj çështjeve të trajtuara nga Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO).

Nëse ky projektligj bëhet ligj, kreu i SAPO-s do të bëhet një figurë nominale, ndërsa NABU do të humbasë pavarësinë dhe do të shndërrohet në një nënndarje të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Projektligji do t’i dorëzohet Zelensky për nënshkrim ose veton e tij.

Në një postim në X, komisionerja e Zgjerimit e BE-së, Marta Kos shprehu shqetësim për votimin në Rada, duke e quajtur atë “një hap serioz pas”.

“Organet e pavarura si NABU dhe SAPO janë thelbësore për rrugën e Ukrainës drejt BE-së. Ligji i së drejtës mbetet në qendër të negociatave të pranimit në BE”, tha Kos.

Dega ukrainase e “Transparency International” kritikoi vendimin e parlamentit, duke thënë se ai minon një nga reformat më të rëndësishme që nga Revolucioni i Dinjitetit në vitin 2014 dhe dëmton besimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Agjencia e Sigurisë së Brendshme e Ukrainës arrestoi dje dy zyrtarë të NABU-së të dyshuar për lidhje me Rusinë.

Javën e kaluar, presidenti kreu një riorganizim të kabinetit të tij të kohës së luftës, një veprim që shihet gjerësisht si konsolidim i mëtejshëm i pushtetit brenda rrethit të tij të ngushtë. //a.i/

The post UKRAINË – Miratohet projektligji që dobëson agjencitë e anti-korrupsionit, publiku i zemëruar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ILD dhe organizata të shoqërisë civile diskutojnë prioritetet për drejtësinë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani zhvilloi një takim pune me organizata të shoqërisë civile (OSHC), që kanë në fokus të punës së tyre drejtësinë dhe të drejtat e njeriut për të diskutuar mbi pikat e forta e të dobëta të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe prioritetet për të ardhmen.

Përveç organizatave të shoqërisë civile të ftuar në takim ishin edhe partnerë ndërkombëtarë më të cilët ILD bashkëpunon prej vitesh, nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, OPDAT, Prezenca e OSBE, Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe misioni EU4 Justice, që mbështeti këtë aktivitet.

Metani bëri një paraqitje grafike të dinamikës së punës së ILD-së gjatë vitit 2024, duke u ndalur tek funksionet kryesore të institucionit, lidhur me administrimin e trajtimin e ankesave, hetimin e procedimin disiplinor dhe inspektimet.

Më tej, Inspektori i Lartë i Drejtësisë paraqiti ecurinë e veprimtarisë së ILD-së ndër vite, me të dhëna konkrete, që prej nisjes së funksionimit, në vitin 2020 dhe synimet për rritjen e efikasitetit të punës, në funksion të transparencës e forcimit të besimit të publikut tek ILD dhe institucionet e drejtësisë.

Metani iu përgjigj interesimit të pjesëmarrësve për aspekte të punës ndër vite të ILD-së, por edhe për zhvillime jashtë institucionit mbi rolin dhe pritshmëritë publike. Duke vlerësuar si shumë të çmuara kontributet e sugjerimet që u përcollën në takim nga organizatat e shoqërisë civile, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerësoi si të nevojshme edhe raportet monitoruese që bëhen për ILD-në, së fundmi nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

“Raportet e monitorimit të Shoqërisë Civile ndaj ILD-së janë tregues se ky institucion është i monitorueshëm, pavarësisht nëse biem apo jo dakord me gjetjet e përcjella, sepse në fund të fundit kështu funksionon demokracia. E rëndësishme është që puna e një institucioni monitorohet, analizohet e vlerësohet dhe ky është një mekanizëm demokratik për t’u ushqyer e vlerësuar”, shtoi ai.

Në mbyllje të takimit pjesëmarrësit bashkëndanë qëndrimin se kontaktet profesionale i shërbejnë të kuptuarit të dinamikave të punës, jo vetëm të institucionit, por edhe të nevojave e prioriteteve për t’u përcaktuar e zbatuar.

/m.m/r.e/

The post ILD dhe organizata të shoqërisë civile diskutojnë prioritetet për drejtësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit trajnon Forcat Ajrore

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Një ekuipazh ajror i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit (New Jersey) ishte në Shqipëri për të punuar me Forcat Ajrore në mirëmbajtjen e helikopterëve dhe për përgatitje për misione kërkimi dhe shpëtimi.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur sot se në kuadër të këtij bashkëpunimi ishte në Shqipëri oficeri Justin Blistyak, i cili fluturoi me helikopterin Black Hawk Tail Number 690 në operacionet e shpëtimit nga Uragani Sandy dhe misionet ajrore të zjarrfikjes në Nju-Xhersi.

“Forcat Ajrore Shqiptare përdorin të njëjtin model helikopteri për të luftuar zjarret dhe për të shpëtuar jetë në Shqipëri. Shkëmbime si ai i javës së kaluar ndihmojnë në sigurimin e një koordinimi të përsosur midis Aleatëve të NATO-s për mbrojtjen tonë të përbashkët”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.

Justin Blistyak, piloti testues i mirëmbajtjes në Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit ndodhet në Shqipëri në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror për të ofruar mbështetje për programin e helikopterëve UH-60.

Blistyak vlerësoi se ky partneritet është një mundësi e shkëlqyer, pasi i lejon të punojnë së bashku dhe të ofrojnë ndihmë praktike dhe trajnim, si në procedurat e mirëmbajtjes, ashtu edhe në aspekte shtesë të përdorimit të pajisjeve të misionit, si pajisjet e shpëtimit.

“Ky helikopter ka pasur një rol të madh në fillimet e karrierës time në Gardën Kombëtare të Nju-Xhersit. Ishte një nga helikoperët e parë me të cilët kam fluturuar deri në momentin kur u shit për përdorim ndërkombëtar në vitin 2019 dhe mbërriti këtu në Shqipëri rreth një vit e gjysmë më parë. Gjatë uraganit Sandy në vitin 2012 kam qenë shef ekuipazhi dhe kemi fluturuar me këtë helikopter për shumë orë në operacione për përballimin e fatkeqëpsive natyrore në zonat që nuk ishin të aksesueshsme me mjete pas stuhisë”, theksoi ai.

Oficeri i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit bëri të ditur se ky helikopter është përdorur gjithashtu disa herë në Nju-Xhersi për misione të shuarjes së zjarreve nga ajri dhe tani po përdoret për të njëjtin qëllim edhe këtu në Shqipëri.

“Ashtu siç bëri për ne atje, po kryen punë të jashtëzkaonshme në përmbushjen e misionit edhe këtu. Gjithashtu nga një këndvështrim i NATO-s ky helikopter i mundëson Forcave Ajrore shqiptare të ecin përpara duke marrë pjesë më me sukses në stërvitjet e NATO-s dhe duke qenë në të njëjtin nivel me shumë mjete të tjera ajrore të NATO-s që përdorin të njëjtin lloj sistem fluturimi”, shtoi ai.

/m.m/r.e/

The post Ekuipazhi ajror i Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit trajnon Forcat Ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SKOCI- SWINNEY: Vizita e Trumpit nuk e “vendos në një pozicion të dëmshëm”policinë në vend

22 July 2025 at 18:53

EDINBURG, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Forcat e rendit në Skoci nuk do të “vendosen në një pozicion të dëmshëm” për shkak të kostove të vizitës së presidentit Donald Trump, deklaroi sot kryeministri skocez John Swinney.

Presidenti i SHBA-së pritet të mbërrijë në Skoci këtë javë dhe të vizitojë të dy fushat e tij të golfit në vend, por janë ngritur shqetësime për  një operacion të gjerë të sigurisë.

Gjatë vizitës së tij të fundit të presidentit Trump në Skoci, kur  ai nuk ishte në detyrë, pati protesta të shumta.

Ai pritet të takohet si me kryeministrin britanik Keir Starmer, ashtu edhe me  Swinney gjatë qëndrimit të tij në Skoci.

Të gjithë oficerët e kontaktit të Policisë së Skocisë pritet të angazhohen për të përballuar protestat gjatë vizitës, ndërsa është kërkuar ndihmë edhe nga forca të tjera policore.

“Policia skoceze do të merret me rrethanat që do të paraqiten në lidhje me operacionin e sigurisë,” tha kryeministri Swinney. “Ne do të bashkëpunojmë me Policinë e Skocisë, Autoritetin Policor të Skocisë dhe me qeverinë e Britanisë së Madhe për kostot”, shtoi ai

I pyetur nëse fondet do të dalin nga buxheti aktual i policisë, kryeministri u përgjigj:
“Do të punojmë ngushtë me Policinë e Skocisë për financimin e këtij operacioni dhe do të sigurohemi që shërbimi i policisë në Skoci të mos dëmtohet për shkak të vizitës së presidentit Trump”.

Ndërkohë, një zyrtare e lartë e policisë i bëri thirrje atyre që planifikojnë të protestojnë gjatë vizitës së Trump që të respektojnë ligjin.

Duke folur sot me gazetarët, ndihmëskomisionerja Emma Bond inkurajoi grupet protestuese që të diskutojnë paraprakisht planet e tyre me policinë.

“Ky është një operacion i madh dhe kompleks, por policia e Skocisë ka përvojë të jashtëzakonshme në organizimin e ngjarjeve të tilla”, tha ajo.

Plani i sigurisë përfshin oficerë lokalë, kombëtarë dhe specialistë nga policia e Skocisë, si dhe nga forca të tjera të mbështetjes.

“Qëllimi kryesor është të sigurojmë që presidenti i Shteteve të Bashkuara  të Amerikës të ketë një vizitë të sigurt dhe paqësore në Skoci, ndërsa policia e Skocisë të vazhdojë të ofrojë shërbimet e saj për komunitetin gjatë kësaj periudhe”, shtoi ajo. /Ad.Ab./

The post SKOCI- SWINNEY: Vizita e Trumpit nuk e “vendos në një pozicion të dëmshëm”policinë në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPANJË – Miratohet deklasifikimi i sekreteve të regjimit diktatorial të Franco-s

22 July 2025 at 18:40

MADRID, 22 korrik /ATSH-ANSA/- Qeveria spanjolle miratoi sot një projektligj mbi informacionin e klasifikuar – i hartuar për të zbuluar sekretet e regjimit dhe diktaturës së Franco-s dhe për të revolucionarizuar aksesin në dokumente shtetërore konfidenciale.

Legjislacioni, i cili zëvendëson Ligjin e vjetër të Sekreteve Zyrtare të vitit 1968, që daton që nga diktatura e Franco-s, prezanton për herë të parë deklasifikimin automatik të informacionit pas një periudhe 45-vjeçare ose më shumë dhe të gjithë informacionit para vitit 1981 – duke përfshirë informacionin që lidhet me regjimin e Franco-s dhe periudhën e tranzicionit nga vdekja e tij (20 nëntor 1975) në demokraci në vitin 1982, me qeverinë e parë të Felipe González.

Vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe të justifikuara, nëse ekziston një kërcënim i vazhdueshëm për sigurinë kombëtare, një dokument mund të mbetet i klasifikuar, duke iu nënshtruar shqyrtimit vjetor.

“Ky legjislacion kapërcen “një boshllëk parakushtetues”, duke e sjellë Spanjën në përputhje me demokracitë e pjekura dhe duke garantuar të drejtën e qytetarëve për të ditur”, tha sot ministri i Presidencës, Drejtësisë dhe Marrëdhënieve me Kortesin, Félix Bolanos pas takimit të Këshillit të Ministrave.

Francisco Franco (4 dhjetor 1892 – 20 nëntor 1975) ishte një gjeneral dhe diktator spanjoll që udhëhoqi forcat nacionaliste në përmbysjen e Republikës së Dytë Spanjolle – gjatë Luftës Civile Spanjolle dhe më pas sundoi Spanjën nga viti 1939 deri në vitin 1975, duke marrë titullin “Caudillo”.

Kjo periudhë në historinë spanjolle, nga fitorja nacionaliste deri në vdekjen e Franco-s, njihet zakonisht si Spanja Frankiste ose si diktatura Frankiste. //a.i/

The post SPANJË – Miratohet deklasifikimi i sekreteve të regjimit diktatorial të Franco-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌