Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama ndan pamjet: Shkodra po merr frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në qytetin e Shkodrës. Rama thekson se “Shkodra ka nisur të marrë frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike dhe bashkëpunimit me bizneset, të cilat kanë kuptuar rëndësinë po edhe interesin reciprok të kësaj përpjekjeje që do të vijojë”.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror.

Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan pamjet: Shkodra po merr frymë lirisht pas lirimit të hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Stakohet linja Bulqizë-Krastë, Balluku: Dëme të konsiderueshme në sistemin energjetik nga zjarret

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Linja e transmetimit të energjisë Bulqizë-Krastë është stakuar për arsye sigurie për shkak të përhapjes së flakëve në afërsi të saj.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot se “për arsye sigurie kemi qenë të detyruar të stakojmë nënstacione apo linja transmetimi, në afërsi të vatrave të zjarrit, por duke u kujdesur edhe për shërbim të pandërprerë për të gjithë qytetarët”.

Balluku tha se “rasti më i fundit është në zonën e Bulqizës, ku zjarri i është afruar linjës 35 kV Bulqizë – Krastë. Për efekt sigurie u stakua linja”.

Sipas Balluku pa tension janë nënstacionet Krastë, Batër dhe HEC-et e zonës në fjalë.

Balluku nënvizoi se “dëmet e shkaktuara në sistemin energjetik nga situata e zjarreve në të gjithë territorin, deri tani janë të konsiderueshme, por të përballueshme nga operatorët në terma të shërbimit”.

/m.q/j.p/

The post Stakohet linja Bulqizë-Krastë, Balluku: Dëme të konsiderueshme në sistemin energjetik nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia thirrje qytetarëve: Raportoni zaptimet e hapësirave publike në “Tirana Ime”

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Bashkia e Tiranës i bën apel qytetarëve që të kontribuojnë për një qytet më të pastër dhe të aksesueshëm për të gjithë, duke raportuar çdo rast zaptimi të hapësirave publike në aplikacionin “Tirana Ime”.

Përmes këtij aplikacioni, qytetarët mund të njoftojnë menjëherë për ndërtimet pa leje mbi trotuare, në lulishte apo në hyrje pallatesh – problematika që shpesh pengojnë lëvizjen e lirë dhe cenojnë hapësirën publike.

Në rubrikën “Raporto”, çdo përdorues mund të dërgojë informacion të detajuar, të shoqëruar me foto dhe vendndodhjen e saktë. Pas verifikimit në terren nga strukturat përkatëse të bashkisë, merren masat e nevojshme për lirimin e hapësirës.

“Ke hasur ndonjë hapësirë publike të zaptuar që pengon lëvizjen e qytetarëve? Ka ndonjë ndërtim pa leje në trotuare, lulishte apo në hyrje pallatesh? Aplikacioni “Tirana Ime” është krijuar nga Bashkia e Tiranës për të ndihmuar qytetarët të raportojnë problematikat në qytet”, njoftoi IMT në rrjetet sociale.

Në rubrikën “Raporto” mund të raportohet menjëherë një zaptim i hapësirës publike duke shtuar foto dhe vendndodhje. Strukturat përkatëse do ta verifikojnë në terren dhe do të marrin masat e nevojshme.

/m.q/j.p/

The post Bashkia thirrje qytetarëve: Raportoni zaptimet e hapësirave publike në “Tirana Ime” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Rreth 100 kamionë me ndihma hyjnë në zonë, ndërsa Izraeli nis një pauzë taktike

27 July 2025 at 13:23

TEL AVIV, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Në sfondin e një krize të afërt urie në Rripin e Gazës, dërgesa masive ndihmash humanitare arritën sot për herë të parë, pas shumë muajsh në këtë zonë të rrethuar dhe të goditur rëndë nga lufta.

”Një autokolonë me rreth 100 kamionë me ndihma për popullsinë e vuajtur hyri në Gaza përmes pikës kufitare Kerem Shalom”, sipas burimeve palestineze nga territori.

Pak orë më parë, ushtria izraelite njoftoi se do të zbatojë një “pauzë taktike në aktivitetet ushtarake për qëllime humanitare” nga ora 10:00 deri në 20:00 (07:00–17:00 GMT), çdo ditë dhe deri në një njoftim të dytë.

Kjo pauzë do të vlejë për zonën al-Mawasi në jugperëndim të Rripit të Gazës, për Deir al-Balah në qendër dhe për qytetin e Gazës në veri, zona ku ushtria izraelite thotë se nuk është aktive për momentin.

Izraeli e kishte shpallur më herët al-Mawasi si një “zonë humanitare”, por që nga ajo kohë, ushtria izraelite ka kryer disa sulme atje, me pasoja fatale për civilët. Deir al-Balah strehon magazinën qendrore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila, sipas OBSH-së,   është dëmtuar gjatë ndërhyrjes së trupave tokësore izraelite.

Gjithashtu, do të hapen korridore humanitare nga ora 06:00 deri në 23:00 për të lejuar Kombet e Bashkuara dhe organizatat e ndihmës të shpërndajnë ushqime dhe ilaçe për popullsinë në Gaza, njoftoi ushtria izraelite.

Këto masa vijnë si reagim ndaj rritjes së kritikave ndërkombëtare për operacionet ushtarake të Izraelit në territorin palestinez. Që nga përfundimi i armëpushimit në mars, vetëm një sasi e kufizuar ndihmash ka arritur në zonë.

OBSH-ja  paralajmëroi së fundmi për një krizë urie vdekjeprurëse mes rreth dy milionë banorëve të Gazës.

Izraeli mohon ekzistencën e një rreziku për uri, duke e përshkruar atë si një “fushatë” të grupit islamik Hamas. /Ad.Ab./

 

The post GAZA – Rreth 100 kamionë me ndihma hyjnë në zonë, ndërsa Izraeli nis një pauzë taktike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në Bulqizë dhe Mirditë vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në fshatrat e Mirditës dhe Bulqizës vijon puna për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Ministria e Mbrojtjes ndau foto të efektivëve të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore dhe Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile të Komandës Mbështetëse, gjatë operacioneve për shuarjen e flakëve, të dislokuar në Mirditë dhe Bulqizë.

Sipas njoftimit zyrtar të MM-së në Qafë Buall, bashkia Bulqizë zjarri është përhapur drejt zonës së Qytetit të Vjetër, fshatit Plan i Bardhë dhe drejt Krastës. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 120 forca nga strukturat operacionale  dhe kanë  ndërhyrë 2 helikopterë.  Situata është më e qetë dhe nuk rrezikohen zona urbane. Janë evakuuar 6 banesa.

Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, vazhdon aktiv zjarri vatra e të cilit është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth, kua janë angazhuar rreth 80  forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë. Nuk ka rrezik për banesat.

Në fshatin Kulmë dhe fshatin Fang, bashkia Mirditë, zjarr i rënë në një sipërfaqe pyjore ka marrë përmasa të mëdha, favorizuar nga temperaturat ekstreme dhe era që fryn. Në fshatin Fang operuan forca zjarrfikëse, shërbimi pyjor, forca bashkiake dhe vullnetarë të ndihmuar dhe nga 80 forca ushtarake në total me 3mjete dhe rreth 40 forca bashkiake.

/m.q/j.p/

The post Në Bulqizë dhe Mirditë vijojnë operacionet për shuarjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KROACI – Përmbytje në disa zona të vendit

27 July 2025 at 12:41

DUBROVNIK, 27 korrik /ATSH/ – Pjesë të Kroacisë u goditën nga një stuhi me shira që shkaktuan përmbytje, sipas telegrafi.com.

Ndërkohë, në afërsi të Karlovacit dhe Loshinjit ra edhe breshër, ndërsa një sasi e madhe shiu ra në Cres, raportojnë mediet kroate.

Administrata e qytetit të Dubrovnikut kishte lëshuar një njoftim ku thuhej se Shërbimi Meteorologjik dhe Hidrologjik Kroat (DHMZ) ka dhënë një paralajmërim për mot të keq për zonën e Dubrovnikut, sipas dubrovniktimes.com.
Sipas njoftimit, ekziston mundësia e stuhive të izoluara, ndërsa gjatë natës nga e shtuna në të diel priten reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe kushte të rënda atmosferike.

DHMZ paralajmëron se mund të shkaktohen dëme në prona, përmbytje të menjëhershme lokale, shpërthime ere me forcë stuhie si dhe breshër.

Po ashtu, janë të mundshme ndërprerje të aktiviteteve në natyrë dhe të transportit./
/Ad.Ab./

The post KROACI – Përmbytje në disa zona të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Borsh, helikopteri i FA-së ndërhyn për shuarjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Në zonat e Borshit, Piqerasit dhe Sasajt të bashkisë së Himarës po vijon puna për shuarjen e vatrave të zjarreve.

Që në orët e para të mëngjesit po kryhet ndërhyrja edhe nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura, ndërsa ekipet në terren vijojnë të punojnë për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka siguruar pamjet nga aksioni që po zhvillohet aktualisht nga ajri në zonën e Borshit ku helikopterë të FA-së po mbushin kovën me ujë në det për të shuar flakët.

Situata në terren sipas raportimeve mbetet dinamike për shkak të erërave të forta dhe të paqëndrueshme, që favorizojnë përhapjen e zjarrit.

/m.q/

The post Zjarri në Borsh, helikopteri i FA-së ndërhyn për shuarjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Zjarre të fuqishme, ndërsa temperaturat arrijnë nivele ekstreme

27 July 2025 at 12:05

IZMIR, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Një zjarr i dytë i madh pyjor shpërtheu mbrëmë në Turqi duke u përhapur me shpejtësi për shkak të kushteve të thata dhe erërave të forta.

”Flakët iu afruan zonave të banuara në provincën perëndimore të Bursës, ku rreth 1 300 persona u evakuuan për në zona të sigurta”, sipas ministrit të Transportit, Abdulkadir Uraloğlu.

Ai tha se ”edhe një strehë për kafshë ishte evakuar”.

Autoritetet bënë të ditur se rreth 500 punonjës shpëtimi ndodhen në terren. Helikopterë dhe avionë janë përdorur për të luftuar flakët nga ajri, por u detyruan të ndaleshin gjatë natës për shkak të rrezikut të operacionit në errësirë.

Departamenti i zjarrfikësve të Stambollit njoftoi se kishte dërguar shtatë automjete për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.

Një zjarr tjetër i madh ka shpërthyer prej katër ditësh në provincën veriperëndimore të Karabukut.

Sipas raporteve zyrtare, 14 fshatra janë evakuuar.

Ndërsa shkaku i zjarreve mbetet ende i paqartë, ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ibrahim Yumakli, tha se ”vendi është përballur me nxehtësi ekstreme dhe thatësirë ditët e fundit, ku temperaturat në pjesën juglindore të Turqisë arritën mbi 50 gradë Celsius të premten”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për të shmangur rrezikun e zjarreve.

Nxehtësia e vetme nuk shkakton zjarre pyjore, por temperaturat e larta, thatësia, lagështia e ulët dhe era janë faktorë që rrisin ndjeshëm rrezikun e përhapjes së tyre./  /Ad.Ab./

The post TURQI – Zjarre të fuqishme, ndërsa temperaturat arrijnë nivele ekstreme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhunoi 18-vjeçarin në Vlorë, pezullohet nga detyra oficeri i policisë

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Një oficer policie i komisariatit të Policisë Kufitare në Dibër është pezulluar nga detyra, pasi është përfshirë në një konflikt fizik jashtë shërbimit, në qytetin e Vlorës.

Policia njoftoi sot se “pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër”.

Sipas policisë “nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar A. I., jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M”.

Aktualisht sipas policisë nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për: raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës; kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.

Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

/m.q/j.p/

The post Dhunoi 18-vjeçarin në Vlorë, pezullohet nga detyra oficeri i policisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Tajlanda dhe Kamboxhia vazhdojnë luftën, pavarësisht apelit të Trump

BANGKOK, 27 korrik /ATSH-DPA/ – Pavarësisht thirrjeve për armëpushim midis Tajlandës dhe Kamboxhias nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, luftimet vazhduan edhe sot në mëngjes në rajonin kufitar midis dy vendeve.

Ministria e Jashtme në Bangkok citoi një zëdhënës ushtarak të thoshte se Kamboxhia kishte hapur zjarr në mëngjes dhe kishte goditur shtëpitë e civilëve.

Sipas gazetës tajlandeze ”Khaosod”, sulmi ndodhi në distriktin Phanom Dong Rak në provincën kufitare verilindore të Surin.

Megjithatë, Kamboxhia akuzoi vendin fqinj për hapjen e zjarrit herët në mëngjes.

Gazeta kamboxhiane ”Phnom Penh Post” citoi një zëdhënës të Ministrisë së Mbrojtjes të thoshte se, që nga orët e para të së dielës, “forcat tajlandeze rifilluan bombardimet” në zonën kufitare.

“Në të gjitha zonat e luftimit… Forcat tajlandeze kanë përdorur artileri, dronë dhe avionë për të lëshuar predha të rënda, bomba dhe municione thërrmuese në tokën kamboxhiane”, u citua të thoshte zëdhënësi Mali Socheata në një konferencë për shtyp.

Sipas ministrisë kamboxhiane, dy tempuj të njohur hindu janë gjithashtu në shënjestër.

Shtetet fqinje të Azisë Juglindore kanë akuzuar njëra-tjetrën se kanë shkaktuar një përshkallëzim të kohëve të fundit, nga e enjtja, e një konflikti që ka qenë i ndezur për dekada të tëra.

Të shtunën, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social pas telefonatave me udhëheqësit e të dy vendeve se ata “kanë rënë dakord të takohen menjëherë dhe të punojnë shpejt për një armëpushim dhe, në fund të fundit, paqe”.

Në një postim të veçantë, Trump tha se “rastësisht, aktualisht po merremi me tregti me të dy vendet, por nuk duam të bëjmë asnjë marrëveshje, me asnjërin vend, nëse ata janë duke luftuar – Dhe unë ua kam thënë atyre këtë”.

Çështja qendrore e konfliktit midis fqinjëve është vendndodhja e kufirit, i cili është hartuar në kohën koloniale dhe interpretohet ndryshe nga të dy vendet./  a.jor.

The post FOKUS – Tajlanda dhe Kamboxhia vazhdojnë luftën, pavarësisht apelit të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa, arrestohet 63-vjeçari

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 63-vjeçar si autor të dyshuar të zjarrvënies së djeshme, në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas ngjarjes, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit B. H., 63 vjeç, banues në Fushë-Stanë”.

“Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas dyshohet se gjatë punës si bari në zonë, ka ndezur zjarr në një sipërfaqe kullotë, në vendin e quajtur “Fushë Stanë”, në zonën e Malit me Gropa, i cili, i favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, ka sjellë si pasojë djegien e rreth 600 hektarëve tokë me kullota dhe bimësi të ndryshme, në zona të tilla si lugina e Grykës së Mullinit, Qafa e Qershisë, të cilat ndodhen brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Dajtit, që bën pjesë në Zonat e Mbrojtura Natyrore”, njoftoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, as me qëllim dhe as nga pakujdesia, pasi do të përballen me ligjin.

/m.q/j.p/

The post Zjarri në zonën e mbrojtur tek Mali me Gropa, arrestohet 63-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tavo: U shmang përhapja e zjarrit në zona të banuara në Sasaj dhe Piqeras

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit, Bashkia Himarë është përballur me një situatë të vështirë zjarresh në zonat Borsh, Piqeras dhe Sasaj, me rrezik të lartë për banesat dhe jetën e qytetarëve.

Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo njoftoi sot se aktualisht ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri me helikopter të Forcave të Armatosura, ndërsa ekipet në terren vijojnë të punojnë për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm të vatrave.

Sipas Tavos, situata mbetet dinamike për shkak të erërave të forta dhe të paqëndrueshme, që favorizojnë përhapjen e zjarrit.

Tavo njoftoi se gjatë gjithë natës, në një front të gjerë dhe kompleks, të gjitha kapacitetet tona janë angazhuar në terren për përballimin e flakëve.

“Efektivët e MZSH të Bashkisë Himarë, të mbështetur nga Forcat e Armatosura, Sektori i Emergjencave Civile, Shërbimi Pyjor, si dhe Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, punuan në koordinim të plotë për të përballuar flakët, për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe për të shmangur dëmet materiale në banesa e prona”, tha Tavo.

Tavo tha se “falë përpjekjeve të palodhura, u neutralizuan dy fronte të rrezikshme në Sasaj dhe Piqeras, duke evituar përhapjen e zjarrit në zona të banuara”.

“Rreth orës 04:00 të mëngjesit, për shkak të ndryshimit të erës, një fron i fuqishëm kaloi rrugën nacionale në fshatin Borsh (lagjja Vonja – drejt Shkallës). Ndërhyrja në kohë bëri të mundur shmangien e djegies së banesave. Për arsye sigurie, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u evakuuan rreth 40 qytetarë nga zonat më të rrezikuara”, njoftoi Tavo,

Bashkia Himarë shprehu mirënjohje ndaj Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, për gatishmërinë dhe mbështetjen e menjëhershme, veçanërisht për ndërhyrjen nga ajri me helikopterët e Forcave të Armatosura, që ka qenë vendimtare në kontrollin e fronteve aktive të zjarrit dhe në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.

/m.q/j.p/

The post Tavo: U shmang përhapja e zjarrit në zona të banuara në Sasaj dhe Piqeras appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mekanizmi i BE, avioni Canadair vjen nga Italia për të ndihmuar për zjarret në Borsh e Lukovë

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, një avion zjarrfikës Canadair është nisur nga Italia dhe do të angazhohet në operacionet ajrore për shuarjen e flakëve në jug të vendit, në zonat Borsh, Piqeras dhe Lukovë.

Ky mjet ajror do të forcojë ndërhyrjet në terrene të vështira dhe të paarritshme nga toka, duke dhënë ndihmë në përballimin e situatës së zjarreve që kanë përfshirë këto zona.

Ndërkohë, helikopterët e Forcës Ajrore do të angazhohen pranë fshatit Zhulat, në rajonin e Gjirokastrës, si dhe në zonën e Qafëbuallit, pranë Bulqizës.

Në Borsh, Piqeras dhe Sasaj rinisi mëngjesin e sotëm aksioni nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajror për të neutralizuar zjarret që kanë kërcënuar banesat dhe bizneset e zonës për shkak të erës së fortë që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve gjatë orëve të para të mëngjesit.

Pak orë më vonë, MM njoftoi se vatrat në këtë zonë u stabilizuan ndërsa vijon monitorimi në terren për të shmangur situatat e mundshme.

1 nga 4

The post Mekanizmi i BE, avioni Canadair vjen nga Italia për të ndihmuar për zjarret në Borsh e Lukovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Pishporos në Fier

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Me 18 kilometra vijë bregdetare ende për t’u shfrytëzuar, qyteti i Fierit ofron një potencial të vërtetë për zhvillimin e turizmit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ajri të plazhit të Pishporos në Fier. Vija bregdetare ranore e Pishporos, mbetet një destinacion turistik ende i pazbuluar.

Plazhi i Pishporos shtrihet në një gjatësi prej 9.5 km mes derdhjes së lumit të Vjosës e deri në Zvërnec të Vlorë.

Në stinën e verës plazhet ranore me shtrirje të konsiderueshme në territorin e bashkisë së Fierit, të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 kilometra në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet edhe plazhi i Semanit, me gjatësi 7 kilometra. Pjesë e vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13.7 kilometra dhe plazhi Ndërnënas 8 kilometra.

Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e vizitorëve në Fier.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Pishporos në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret, MM: 21 vatra aktive, 1350 forca operacionale të angazhuara

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi në lidhje me situatën nga zjarret në vend në 24 orët e fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë evidentuar 45 vatra zjarri nga të cilat 21 janë ende aktive, 16 vatra nën monitorim dhe 8 janë shuar.

MM njoftoi se mbeten aktive këto vatra:

Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, vazhdon aktiv Vatra e quajtur Gropa e Madhe dhe Pllau i Gjurës mbi fshatin Gurë-Lurë Zjarri,  ku janë rreth 50 forca nga strukturat operacionale.

Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit të rënë më me një shtrirje mbi 14 km, me zhvillime në tre kahe: nga Masdeja ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje, në Qafa e Tollës  si dhe në vendin e quajtur Fush Kuqe ku në terren operuan rreth 46 forca nga strukturat operacoinale.

Në Qafë Buall, Bashkia Bulqizë është përhapur drejt zonës së Qytetit të Vjetër, fshatit Plan i Bardhë dhe drejt Krastës. Në operacionin e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 120 forca nga strukturat operacionale  dhe kanë  ndërhyrë 2 helikopterë.  Situata është më e qetë  dhe nuk rrezikohen zona urbane. Janë evakuuar 6 banesa

Në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, bashkia Delvinë, ka vijuar operacioni me të gjitha strukturat, të ndihmuar nga 58 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse të FA-së. Vartra ka midis fshatrave Borsh, Piqers. Sasaj, njësia administrative Lukovë, janë 4 vatra te shkëputura midis tyre por në lartësi dhe pa asnjë mundësi ndërhyrje me njerëz dhe mjete. Era ndihmon përhapjen me shpejtësi të flakëve. Ndërhyrje nga ajri ka në orët e para të mëngjesit.

Vatra e zjarrit që përfshiu fshatrat Kalas – Tatzat – Senicë – Vergo – Kopaçëz – Palavli, të bashkisë Dlvinë , aktualisht vazhdon aktiv zjarti  fshatin Kopaçëz në mal, ku janë angazhuar rreth 70 forca nga të gjitha strukturat operacionale, një autoa,bulancë dhe helikopteri Cougar .

Në zonën e Shmilit në fshatin Lugaxhi, bashkia Elbasan, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit me angazhimin në teren të rreth 50 forcave bga strukturat operacionale.

Në zonën mbrapa mali të Lisecit, Bashkia Gramsh, është izoluar në shumë pjesë vatra e zjarrit e aktivizuar që prej mbrëmjes së djeshme në terren të vështirë për ndërhyrne e forcave  operacionale. Zjarri është sipërfaqësor dhe pa dëme, sepse pylli është shumë i lartë.

Në zonën e Shkopetit, njësia administrative Milot, vazhdon aktiv zjarri vatra e të cilit është përhapur edhe në territorin e bashkisë Mirditë. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth, kua janë angazhuar rreth 80  forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë. Nuk ka rrezik për banesat.

Në fshatin Kulmë dhe fshatin Fang,  bashkia Mirditë, zjarr i rënë në një sipërfaqe pyjore ka marrë përmasa të mëdha, favorizuar nga temperaturat ekstreme dhe era që fryn. Në fshatin Fang operuan forca zjarrfikëse, shërbimi pyjor, forca bashkiake dhe vullnetarë të ndihmuar dhe nga 80 forca ushtarake në total me 3mjete dhe rreth 40 forca bashkiake.

Në vendin e quajtur Qeramica ndërmjet fshatrave Trestenik- Vishocicë të bashkisë Devoll, është aktivizuar një vatër zjarri, e cila për shkak të erës rrezikon të përhapet, pasi vendi ku ndodhet  është e veshur me barishte e shkurre.

Në fshatin Kriçkovë, bashkia Pogradec, forcat operacionale janë në terren për vënien në kontroll të situatës.

Në Parkun Kombëtar të Prespës, fshati Lajthizë, Bashkia Pustec, është aktivizuar një vatër zjarri. Për shuarjen e zjarrit u aktivizuan  në total rreth 60 forca operacionale, ndërsa sot pritet të angazhohen 75 forcave operacionale.

Në fshatin Galinë, bashkia Berat zjarri  është aktiv dhe në vendngjarje ka shkuar Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Berat.

Në zjarrin e rënë në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, bashkia Gjirokastër, i cili ka ardhur nga territori i bashkisë Delvinë, nga një zonë në lartësi të madhe, u angazhuan rreth 60 forca të strukturave operacionale, por zjarri është duke përparuar drejt vendit të quajtur Bregu i Pamjes, zonë e mbrojtur dhe pritet ndërhyrje nga ajri.

Zjarri në fshatin Izvor i Vjetër dhe në fshatin Duraj, bashkia Memaliaj, vazhdon të jetë aktiv. Zjarri është izoluar dhe fikur ne fshatrat Levan, Bardhj, Xhafaj, Njësia Administrative Krahës.

Vijon  puna për shuarjen e zjarrit të rënë në Malin me Gropa,  bashkia Tiranë, në një sipërfaqe rreth 30 ha kullotë dhe pyll. Në operacion morën pjesë  rreth 55 forca nga strukturat operacionale. Është bërë arrestimi i një personi të dyshuar për zjarrëvënie të qëllimshme.

Në fshatin Ibë, Bashkia Tiranë, zjarr ka rënë në terreni të vështirë dhe me rrugë të pakalueshme për mjetet zjarrfikëse. Në operacion janë angazhuar: 2 helikopterë të Forcave të Armatosura, 6 mjete dhe 25 forca  nga struktura operacionale.

Në fshatin Shetel, Bashkia Shijak, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje janë dislokuar rreth 40 forca nga strukturat operacionale. Priet ndërhyrje nga ajri.

Bashkia Malësi e Madhe  është aktive vatra në vendin e quajtur “Rraze Veshtit”. Në operacion për izolimin dhe shuarjen e kësaj vatre zjarri janë angazhuar 35 forca nga të gjitha strukturat operacionale . Terreni është mjaft i vështirë, nuk është e mundur te ndërhyhet me mjete zjarrfikëse.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në monitorim mbeten vatrat në Fshatin Ulëz, bashkia Mat; në Livadhet e Peladhisë, bashkia Bulqizë; Në Majën e Paliskës,  dhe në vendin e quajtur Sashic, bashkia Vlorë; Në fshatin Markat, Bashkia Konispol; Në vendin e quajtur pyjet e Gurakuqit, bashkia Librazhd; Në fshatin Dishnicë,  bashkia Korçë; në fshatin Strelcë, bashkia Maliq; Në fshatin Muzhakë, bashkia Skrapar; Në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal; Në fshatin Paftal, bashkia Berat, në zonën e Shpiragut; në fshatin Zgërbonjë, bashkia Poliçan; në vendin e quajtur Gryka e Motinës, mbi fshatin Dragobi, në malin Sukë, fshati Mamëz, bashkia Kukës;

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan: 65 automjete zjarrfikëse, 1350 forca operacionale.

Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë; 5 automjete zjarrfikëse dhe 2 Helikopterë nga Forcat e Armatosura; 2 helikopterë hungarezë, si dhe 2 helikopter Canadair të ofruar nga Mekanizimi i Mbrojtjes Civile Evropiane Kroat dhe Italian, që operuan në zonën e Vlorës.

Sipas informacionit të dërguar nga Instituti i Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarkun e Shkodrës dhe lokale të dobëta në shumicën e qarqe të vendit.

Për Zjarret në pyje: Sot pritet nivel rrezik “i lartë” në të gjitha qarqet. Pritet rrezik “i lartë” nё zona tё lokalizuara qarku Berat (Veri), qarku Dibër (Jug), qarku Elbasan (Perëndim), qarku Fier (Lindje), qarku Lezhë (Veri), qarku Vlorë (Veri).

/m.q/j.p/

The post Situata nga zjarret, MM: 21 vatra aktive, 1350 forca operacionale të angazhuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Fidan: Stabiliteti në Ballkan me rëndësi të madhe për paqen dhe sigurinë e Evropës

ANKARA/STAMBOLL, 27 korrik /ATSH-AA/ – Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, tha se stabiliteti i Ballkanit ka rëndësi të madhe për paqen dhe sigurinë jo vetëm të Evropës, por edhe për rajonet përreth.

Fidan ishte mikpritës i Platformës së Paqes për Ballkanin të mbajtur në Stamboll, ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit.

“Ky rajon për Turqinë nuk është vetëm një prioritet strategjik, por një zonë e lidhur ngushtë edhe me lidhje kulturore dhe njerëzore”, tha ai në një konferencë për media pas takimit të platformës.

Ministri i Jashtëm turk theksoi se Ballkani është një nyje strategjike ndërmjet Evropës, Lindjes së Mesme, Mesdheut dhe Detit të Zi dhe se historikisht ka qenë në qendër të ekuilibrave politikë, ekonomikë dhe të sigurisë.

“Stabiliteti i Ballkanit është me rëndësi të madhe për paqen dhe sigurinë e rajoneve përreth, veçanërisht për Evropën”, theksoi kryediplomati turk.

“Bashkëpunimi ynë dypalësh me vendet e rajonit po zhvillohet në shumë dimensione. Përmes kontakteve të nivelit të lartë, bashkëpunimi po shtrihet çdo ditë në fusha të reja. Ne besojmë se stabiliteti në Ballkan mund të bëhet i qëndrueshëm vetëm përmes forcimit të mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimit midis vendeve të rajonit. Në thelb të këtij qëndrimi qëndron parimi i mbështetjes rajonale”, shtoi ai.

Fidan tha se Platforma e Paqes për Ballkanin përbën një hallkë të re të këtij qëndrimi dhe se objektivi është të krijohet një strukturë origjinale, e përqendruar në rezultate, që trajton sinqerisht problemet dhe mundëson kontakte të rregullta mes palëve.

Ai shtoi se dëshirojnë të krijojnë një terren ku fjala “Ballkan” të mos nënkuptojë përçarje dhe ndasi, por bashkëpunim dhe solidaritet, dhe se janë të përkushtuar që të kontribuojnë në paqen dhe begatinë e rajonit dhe rrethinës së tij.

“Ne nuk synojmë të zëvendësojmë asnjë proces ekzistues, por të mbështesim mekanizmat aktualë. Në veçanti, ofrojmë një kornizë mbështetëse për përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, duke filluar nga procesi i dialogut Beograd–Prishtinë,” tha Fidan, duke shtuar se sot janë mbledhur për të gjetur zgjidhje ballkanike për problemet ballkanike dhe për të zhvilluar projekte konkrete.

Ai tha se përveç zhvillimeve politike në rajon, janë shkëmbyer mendime edhe mbi sigurinë energjetike, forcimin e lidhshmërisë, bashkëpunimin rajonal dhe mundësitë për ndërtimin e kapaciteteve.

Fidan theksoi se mekanizmat e dialogut rajonal janë më të nevojshëm se kurrë dhe se vendimet për rajonin duhet të merren së bashku.

“Kemi një histori të përbashkët, me dhimbjet dhe bukuritë e saj. Por nuk duhet ta lejojmë këtë histori të na burgosë në qorrsokakët e së kaluarës. Duhet të nxjerrim mësime nga historia jonë e përbashkët dhe të marrim përgjegjësinë për ta formësuar të ardhmen bashkë. Nuk mund ta lëmë të ardhmen në dorën e rastësisë ose të të tjerëve”, nënvizoi ai.

Fidan tha se shpreson që Platforma e Paqes për Ballkanin t’i shërbejë këtij synimi, dhe se me përpjekjen për të ndërtuar një Ballkan që prodhon së bashku dhe i sheh dallimet si pasuri, kanë nisur këtë iniciativë për të punuar të gjithë së bashku.

Në kuadër të platformës, Fidan takoi homologët e tij nga Ballkani.

Ministrat nga Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria iu bashkuan Turqisë për të diskutuar shqetësimet dhe projektet e përbashkëta./  a.jor.

The post TURQI – Fidan: Stabiliteti në Ballkan me rëndësi të madhe për paqen dhe sigurinë e Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve në Korçë, Prefektura: 3 vatra ende aktive

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Tre vatra zjarri vijojnë që të jenë aktive në qarkun e Korçës. Sipas njoftimit të Prefekturës së Korçës vatrat janë aktivë në fshatin Dishnicë, në Strelë dhe në Parkun Kombëtar të Prespës.

Fshati Dishnicë, Njësia Administrative Bulgarec, Bashkia Korçë

Zjarri vijon aktiv në disa vatra të izoluara në zonën ndërmjet fshatrave Dishnicë dhe Barç. Operacionet e shuarjes po kryhen nga pozicione të favorshme në terren, ndërsa zona e Çardhakut po verifikohet me kujdes për të shmangur rrezikun e përhapjes. Vatrat janë nën kontroll të neutralizuara duke u mbajtur në monitorim.

Parku Kombëtar Prespa, Bashkia Pustec

Terreni i thyer dhe era përbëjnë vështirësi për ndërhyrje direkte. Janë identifikuar dy vatra të vogla poshtë shkëmbinjve. Forcat janë të ndara në grupe të specializuara dhe të pajisura me mjete të përshtatshme për këtë terren. Mbikëqyrja ajrore me dronë vijon në mënyrë të pandërprerë.

Fshati Strelcë, Njësia Administrative Gorë, Bashkia Maliq

Zjarri është neutralizuar. Aktualisht ndodhen në terren 60 forca për monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm të zonës, me qëllim parandalimin e çdo riaktivizimi të mundshëm të vatrave.

Po sipas Prefekturës së Korçës në terren përafërsisht “janë 171 forca njerëzore të angazhuara në operacione shuarjeje dhe monitorimi; 7 mjete të ndryshme zjarrfikëse, pyjore, njësive administrative, Reparti Ushtarak 1033 Drenovë; 5 mushka të ngarkuara me ujë dhe mjete për shuarjen e zjarrit me akses në zona të vështira; Dronë në përdorim për mbikëqyrje dhe orientim ajror të operacioneve”.

/m.q/j.p/

The post Situata e zjarreve në Korçë, Prefektura: 3 vatra ende aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në parkun kombëtar të Prespës, 75 forca ndërhyjnë për neutralizimin e flakëve

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Rreth 75 forca të ndara në tre grupe, nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë Pustec, punonjës të shërbimeve publike, stafi i agjencisë rajonale të zonave të mbrojtura, ushtrise dhe policisë, kanë filluar që në orën 5:00 ndërhyrjen e organizuar nga drejtuesi i operacionit për izolimin dhe neutralizimin e sipërfaqes së prekur nga zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës.

Në një pasqyrim të situatës së zjarreve në qarkun e Korçës, prefekti Nertil Jole bëri të ditur se vijon puna për vënien në kontroll të flakëve.

“Terreni i sipërfaqes ku ka prezencë të vatrave të zjarrit është shumë i thepisur dhe krijon vështirësi, por forcat janë të angazhuara në më të mirën e mundësive të tyre për të evituar rrezikun e shtrirjes së zjarrit në pjesë të paprekura të kurorës së gjelbër”, u shpreh Jole.

The post Zjarri në parkun kombëtar të Prespës, 75 forca ndërhyjnë për neutralizimin e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Falënderim me respekt për të gjithë ata që janë në gatishmëri kundër zjarreve

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama shprehu mëngjesin e sotëm falënderimin me respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura e të Policisë së Shtetit si edhe zjarrfikës, forca të Urgjencës Kombëtare e të Emergjencave Civile, të cilën janë në gatishmëri në këtë kohë të vështirë zjarresh në gjithë Europën Mesdhetare

Trupat e policisë, ushtrisë e emergjencave po përballen me flakët në një betejë të përditshme për vendosjen nën kontroll të vatrave të zjarrit, nxitur nga temperaturat e larta të javëve të fundit.

Rama falënderoi po ashtu, me një veçim plot admirim për shefin e policisë së Delvinës, Agim Troci që shpëtoi jetë duke rrezikuar të tijën.

Dita e djeshme ishte me situatë të vështirë ndërsa u raportuan 36 vatra zjarri vetëm gjatë 24 orëve, ku janë shuar 12 dhe 24 mbeten aktive. Tre qarqe janë problematike: Vlorë, Berat dhe Dibër. Aktive në misione edhe baza e helikopterëve të Farkës.

Sot kanë rinisur që në mëngjes herët përpjekjen për neutralizimin e  flakëve.

The post Rama: Falënderim me respekt për të gjithë ata që janë në gatishmëri kundër zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në Qafën e Buallit, Vengu: Efektivët punuan gjatë natës për të frenuar përhapjen e flakëve

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Një vatër e madhe zjarri u shfaq në zonën e Qafës së Buallit në Bulqizë, në orët e vona të pasdites së djeshme.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu njoftoi sot se “përballë flakëve që përfshinë zonën e Qafë Buallit në Bulqizë, efektivët tanë punuan pa u ndalur gjatë natës për të frenuar përhapjen e zjarreve dhe për të mbrojtur banesat dhe pyjet përreth”.

“Me mjetet dhe pajisjet në dispozicion, ndërhyrja nga toka ka vijuar në kushte të vështira terreni dhe erërash të forta”, shkruan ministri Vengu.

Në operacion për fikjen e zjarrit sipas MM-së u angazhuan 8 mjete zjarrfikëse, 40 efektiv të MZSH, 15 efektiv të Policisë së Shtetit, 25 forca bashkie, 10 forca vullnetare, 2 helikopterë në rotacion. Përveç operacionit në terren u operua edhe me ndërhyrje nga ajri.

/m.q/j.p/

The post Zjarri në Qafën e Buallit, Vengu: Efektivët punuan gjatë natës për të frenuar përhapjen e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌