Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

TEHERAN – Irani emëron kreun e ri të Këshillit të Sigurisë

5 August 2025 at 22:47

TEHERAN, 5 gusht  /ATSH-DPA/ – Ali Larijani, këshilltari konservator i udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, është emëruar sekretar i përgjithshëm i Këshillit të fuqishëm të Sigurisë së vendit, njoftoi sot Teherani.

Larijani, 67-vjeç, pason ish-komandantin e Korpusit me ndikim të Gardës Revolucionare Islamike, Ali Akbar Ahmadian, i cili do të marrë një pozicion të sapokrijuar në qeveri, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Tasnim”.

Këshilli i Sigurisë merret me çështje që lidhen me sigurinë kombëtare dhe vendimet që ndërmerren për  mbrojtjen e vendit islamik dhe ka diskutuar shpesh programin bërthamor të vendit në të kaluarën.

Vendimet e tij për çështje të tilla duhet të miratohen nga udhëheqësi suprem i vendit.

Këshilli kryesohet nga presidenti Masoud Pezeshkian dhe përfshin dhjetra anëtarë të tjerë, përfshirë disa ministra dhe gjeneralë.

Mbetet e paqartë nëse emërimi i nivelit të lartë do të sjellë një ndryshim kursi brenda aparatit të pushtetit të Iranit.

Larijani planifikoi të kandidonte për president vitin e kaluar, por u skualifikua nga Këshilli i Rojësve, një organ qendror mbikqyrës.

Ish-gjeneral brigade dhe matematikan në profesion, Larijani konsiderohet pjesë e elitës tradicionale të Iranit, por vitet e fundit ka marrë vazhdimisht pozicione më të moderuara. Ai më parë shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Sigurisë nga viti 2005 deri në vitin 2007. /Ad.Ab./

The post TEHERAN – Irani emëron kreun e ri të Këshillit të Sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shuhet vatra e zjarrit në Shkodër, tre mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë të angazhuar

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bëri me dije mbrëmjen e sotme, se forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për shuarjen e një vatre zjarri pranë ish-fushës së aviacionit, në njësinë administrative Rrethina.

Sipas Becit, në operacion u angazhuan 3 mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë, të cilët punuan për neutralizimin e flakëve që rrezikonin përhapjen për shkak të erës së fortë.

Në një postim në rrjetet sociale, Beci falënderoi efektivët për përkushtimin e treguar jo vetëm sonte, por në të gjitha ndërhyrjet e ditëve të fundit, në përballje me vatrat e zjarrit në territorin e bashkisë Shkodër.

Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për shuarjen e një vatre zjarri në Njësinë Administrative Rret...
1 nga 4

/e.i/r.e/

The post Shuhet vatra e zjarrit në Shkodër, tre mjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë të angazhuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Meloditë e Mesdheut”, mbrëmje muzikore në Amfiteatrin e Durrësit

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula dhe instrumentistët e njohur Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violonçel, si edhe kori i fëmijëve “Okarina”, sollën sot një atmosferë magjike në skenën antike të Amfiteatrit të Durrësit përmes koncertit “Meloditë e Mesdheut”.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako e cilësoi këtë aktivitet, si një koncert mbresëlënës dhe një udhëtim me meloditë më të bukura të Mesdheut, që përcolli emocione të forta dhe përjetime të rralla për qytetarët dhe turistët e shumtë.

“Një event i veçantë ku u takuan muzika, arti dhe historia e që do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut”, tha Sako.

Koncerti kishte në program këngët e meloditë më të bukura të pellgut të Mesdheut.

Sopranoja Inva Mula erdhi me këtë koncert pas MIK Fest në Korçë, ku u zhvillua edicioni i tij i tetë.

/e.i//r.e/

The post “Meloditë e Mesdheut”, mbrëmje muzikore në Amfiteatrin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Emisarja e Britanisë për Ballkanin Perëndimor flet me Kurtin

PRISHTINË, 5 gusht /ATSH/ E dërguara e posaçme e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, ka diskutuar sot me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për shqetësimet e saj lidhur me tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe nevojën për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura përmes dialogut të lehtësuar nga BE.

Sipas një njoftimi të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, Dame Karen theksoi se Britania e Madhe mezi pret të mirëpresë përfaqësuesit e Kosovës në takimet e Procesit të Berlinit në Britaninë e Madhe në tetor.

Ajo do të flasë gjithashtu me presidentin e Serbisë. /KosovaPress/

The post Emisarja e Britanisë për Ballkanin Perëndimor flet me Kurtin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Kievi: Rusia dërgon 9 000 ushtarë shtesë çdo muaj për të luftuar në Ukrainë

5 August 2025 at 22:17

KIEV, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Rusia është në gjendje të dërgojë 9 000 ushtarë shtesë çdo muaj për të luftuar në Ukrainë, pavarësisht humbjeve të mëdha që ka pësuar, deklaroi sot  komandanti i Përgjithshëm i forcave ukrainase, Oleksandr Syrskyi.

“Ushtria ruse synon të formojë 10 divizione të tjera deri në fund të vitit”, shkroi Syrskyi në Facebook.

“Prandaj, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të vazhdojmë masat e mobilizimit, të përmirësojmë stërvitjen luftarake dhe të forcojmë komponentin e dronëve të forcave tona të armatosura”, tha shefi i ushtrisë.

Syrskyi e vlerësoi numrin e viktimave ruse në luftë në më shumë se 33,000 ushtarë në korrik.

Syrskyi tha se situata ishte veçanërisht kritike në seksionet e vijës së frontit pranë Pokrovsk, Dobropillia dhe Novopavlivka në Ukrainën lindore.

Në ditët e fundit, vëzhguesit ushtarakë nga të dyja palët kanë raportuar përfitime territoriale ruse, veçanërisht pranë Pokrovskut dhe Myrnohradit në rajonin e Donetskut. /Ad.Ab./

 

 

The post UKRAINË – Kievi: Rusia dërgon 9 000 ushtarë shtesë çdo muaj për të luftuar në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani merr letër nga presidenti Trump: Do t’i avancojmë qëllimet tona të përbashkëta

PRISHTINË, 5 gusht /ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani ka marrë një letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara, lidershipin e guximshëm dhe shpreh dëshirën për të thelluar bashkëpunimin në vitet që vijnë.

Sipas një njoftimi të Presidencës, në letër, Presidenti amerikan shkruan se vendimi për të pranuar shtetas nga shtete të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se lidershipi në këtë çështje tregon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta,” ka theksuar Presidenti Trump në letrën e tij.

Duke e falënderuar Presidenten për angazhimin e saj në forcimin e partneritetit me SHBA-të, Presidenti Trump gjithashtu shprehet: “Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë.”

Në fund të letrës, Presidenti Trump i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump.

/KosovaPress/

The post Osmani merr letër nga presidenti Trump: Do t’i avancojmë qëllimet tona të përbashkëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 5 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dredha: Pas shiut, rrugët e Vlorës në normalitet të plotë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut përfshinë sot qytetin e Vlorës, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë, mes tyre edhe rruga “Albano dhe Romina”, ndërsa nën “pushtetin” e ujit është lagjja historike e Muradies.

Kryetari i bashkisë së qytetit bregdetar, Ermal Dredha reagoi sot në mbrëmje duke u shprehur se “pas reshjeve intensive të shiut, brenda më pak se dy orësh, rrugët e qytetit janë kthyer në normalitet të plotë, falë angazhimit të menjëhershëm të Ujësjellësit dhe të gjitha ekipeve të bashkisë”.

Ndërkohë, Dredha tha se vazhdon puna për pastrimin e të gjithë territorit.

Zonat më të prekura nga reshjet e shiut ishin në lagjen “Skelë” (afër kryqëzimit të madh), zonën pranë bibliotekës publike, përreth Kishës Ortodokse dhe sheshi “Albano & Romina”.

Në disa segmente rrugore, automjetet u bllokuan për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, ndërsa shërbimet e emergjencës nisën punën për pastrimin e pusetave dhe rivendosjen e normalitetit në qarkullim.

Nga puna e punonjësve të bashkisë Vlorë për pastrimin e qytetit pas reshjeve të shiut
1 nga 15

/e.i//r.e/

The post Dredha: Pas shiut, rrugët e Vlorës në normalitet të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Terry Reid, muzikanti britanik që performoi me “Rolling Stones” dhe Jimmy Page vdes në moshën 75-vjeçare

5 August 2025 at 21:46

LONDËR, 5 gusht /ATSH/- I njohur si ‘Superlungs’, Reid refuzoi rolin e vokalistit në grupet angleze të rock-ut “Led Zeppelin” dhe “Deep Purple” për t’u përqendruar në karrierën solo, sipas “The Guardian”.

Terry Reid, muzikanti britanik – zëri i të cilit ishte i lartë dhe shpirtëror i dha atij nofkën “Superlungs”, dhe karriera e të cilit u kryqëzua me “Rolling Stones” dhe Jimmy Page – ka vdekur në moshën 75-vjeçare.

Në muajt e fundit, Terry Reid po trajtohej për kancer. Reid nuk pati kurrë një hit në listat e BM-së – por albume të tilla si “River” i vitit 1973 mbeten të vlerësuara nga kritika.

“Led Zeppelin” dhe “Deep Purple” i ofruan Reid të ishte këngëtari kryesor i tyre, por ai  refuzoi të bashkëpunonte.

“Ka vetëm tre gjëra që ndodhin në Angli: Rolling Stones, Beatles dhe Terry Reid”, tha në vitin 1968 Aretha Franklin.

I lindur dhe i rritur në Cambridgeshire, Reid ishte këngëtar, kitarist dhe kompozitor, fillimisht me grupin “Redbeats”.

Pasi punoi me Peter Jay dhe “Jaywalkers”, Reid u ftua të bashkohej me grupin e fundit.

Në moshën 16-vjeçare, ai performoi me “Rolling Stones” në turne së bashku me Ike & Tina Turner dhe “Yardbirds”.

Pasi u shkëput si artist solo dhe u miqësua me Jimi Hendrix, Reid u bashkua sërish me “Rolling Stones” në turnetë në të gjithë SHBA-në.

Kitaristi i “Yardbirds”, Jimmy Page, e admironte Reid dhe e ftoi të bashkohej me grupin e ri që po formonte, por Reid e refuzoi, duke përmendur angazhimin e tij ndaj turneut amerikan me “Rolling Stones”.

Ai rekomandoi Robert Plant, këngëtarin e “Band of Joy”, së bashku me bateristin e grupit, John Bonham: të dy artistët iu bashkuan Jimmy Page dhe formuan “Led Zeppelin”.

Ai gjithashtu refuzoi ofertën e Ritchie Blackmore për të qenë këngëtari kryesor i “Deep Purple” pas largimit të Rod Evans në vitin 1969.

Reid nënshkroi një marrëveshje menaxhimi dhe regjistrimi me Mickie Most, i cili mbikëqyri dy albumet e tij të para në studio.

Albumi i tij i parë “Bang Bang, You’re Terry Reid” përmbante një këngë që ai e shkroi kur ishte 14 vjeç, “Without Expression”, e cila do të përfundonte duke u interpretuar nga John Mellencamp, REO Speedwagon dhe Crosby, Stills, Nash & Young.

Por albumet e tij nuk ishin suksese komerciale, dhe Reid, duke mos qenë dakord me Most, përfundimisht u nda prej tij.

Pas disa vitesh në harresë për shkak të një mosmarrëveshjeje me Most, Reid u rikthye për të regjistruar albumin “River” të vitit 1973, i pari nga tre albumet e asaj dekade, dhe u zhvendos në Kaliforni.

Ai hoqi dorë nga karriera e tij solo në vitet 1980, duke u përqendruar në bashkëpunime me artistë, përfshirë Bonnie Raitt, Don Henley dhe Jackson Browne.

Një rikthim në vitin 1991 me albumin “The Driver” të regjistruar në studion e Trevor Horn nuk pati sukses komercial dhe megjithëse versioni i tij i këngës “Gimme Some Lovin” i grupit britanik “Spencer Davis Group” u shfaq në kolonën zanore të filmit “Days of Thunder” me Tom Cruise, Reid më vonë e shpalli “The Driver” “të padëgjueshëm”.

Ai gjithashtu vazhdoi të bënte turne, por iu desh të anulonte një seri koncertesh kohët e fundit për shkak të semundjes së kancerit.

Reid la pas bashkëshorten e tij, Annette. Homazhe u bënë nga shumë muzikantë, përfshirë Joe Bonamassa, i cili tha se Reid ishte një nga artistët më të mëdhenj që ka ekzistuar ndonjëherë dhe një person dhe shpirt i bukur. //a.i/

The post Terry Reid, muzikanti britanik që performoi me “Rolling Stones” dhe Jimmy Page vdes në moshën 75-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUMANI – Vdes ish-presidenti, Ion Iliescu që udhëhoqi tranzicionin e tregut të lirë

5 August 2025 at 21:26

BUKURESHT, 5 gusht /ATSH-AGERPRES/ – Ish-presidenti rumun Ion Iliescu, i cili udhëhoqi tranzcionin kaotik të vendit nga komunizmi në demokraci, vdiq sot në moshën 95-vjeçare.

Iliescu ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri dhe ishte shtruar në spital në fillim të qershorit në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht.

“Me keqardhje të thellë qeveria njofton ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Rumanisë, Ion Iliescu”, thuhet në një deklaratë qeveritare.

Iliescu ishte presidenti i parë i dalë fitues në zgjedhjet e lira në Rumani dhe shërbeu dy herë, midis viteve 1990-1996 dhe 2000-2004.

Ai u akuzua për krime kundër njerëzimit gjatë revoltës së dhunshme që rrëzoi regjimin komunist të Rumanisë në vitin 1989, por gjithmonë i mohoi akuzat.

I lindur në vitin 1930, në qytetin jugor të Oltenitës, Iliescu studioi inxhinieri në Rusi dhe më vonë u kthye në Rumani, ku u bashkua me Partinë Komuniste.

Pas zgjedhjes së tij si president në vitin 1990 me Partinë Social Demokrate, ai u rizgjodh për një mandat katërvjeçar, por pësoi humbje në vitin 1996.

Iliescu u rikthye në pushtet në vitin 2000 për një mandat të tretë dhe të fundit, gjatë të cilit Rumania iu bashkua NATO-s dhe nisi përpjekjen e saj për anëtarësim në BE. /Ad.Ab./

 

The post RUMANI – Vdes ish-presidenti, Ion Iliescu që udhëhoqi tranzicionin e tregut të lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

U-19, Shqipëria luan miqësoren e parë me Italinë

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Shqipëria U-19 luajti pasditen e sotme takimin e parë miqësor kundër Italisë U-19. Në takimin e zhvilluar në Novarello Sporting Center, ekipi i drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj u mund me rezultatin 4-1.

Tekniku kuqezi e nisi sfidën me këtë formacion: Taho (GK), Avdullari, Sina, Gecaj, Shpuza, Gashi, Huqi, L. Krasniqi, B. Krasniqi, Arifi (C), Malaj.

Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh falë golit të realizuar nga Besalet Krasniqi në minutën e 8-të. Por axurrët barazuan shifrat pas tri minutash me Cama-n, ndërsa pëmbysën rezultatin në minutën e 17-të me Federico Coletta-n. Vendasit shënuan edhe golin e tretë në minutën e 41-të me Artesanin. Trajneri Ahmataj bëri dy zëvendësime pak para përfundimit të pjesës së parë, duke hedhur në fushë El Malem dhe Sylejmanin. Fraksioni i parë mbyllet me shifrat 3-1 për Italinë.

Pjesa e dytë nis mirë për italianët, të cilët realizojnë golin e katërt me Atzenin. Trajneri shqiptar ndërhyri në fushë edhe në këtë fraksion duke hedhur forca të freskëta si Duka, Hoxha e Lataj. Gjithsesi deri në fund rezultati nuk ndryshon më, pavarësisht përpjekjeve të skuadrës sonë.

Ekipi kuqezi do të luajë të enjten sfidën e dytë miqësore të programuar ndaj Italisë në ora 11:00. Këto dy takime janë të rëndësishme në kuadër të përgatitjeve të kualifikueseve të Europianit për këtë grup-moshë.

/r.e/

The post U-19, Shqipëria luan miqësoren e parë me Italinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Liqeni i Malit të Gramozit, Rama ndan pamjet

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Liqeni i malit të Gramozit në Kolonjë është një ndër destinacionet ideale turistike, për vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Përmes rubrikës “Beautiful Albania”, kryeministri Edi Rama publikoi sot një video të këtij liqeni.

Ky liqen, një “thesar” i fshehur i bukurive natyrore shqiptare gjendet në 2400 metra lartësi, ndërsa malet e larta dhe natyra përreth ofrojnë një panoramë të jashtëzakonshme.

Liqeni me origjinë akullnajore, sipërfaqe rreth 0,4 ha dhe formë elipsi, renditet në listën e atraksioneve më të kërkuara, sidomos në dimër kur reshjet e borës dhe temperaturat e ulta e shndërrojnë në një sipërfaqe të ngrirë mes bimësisë dhe pyjeve të shumta të zonës.

Të apasionuarit pas lartësive, ngjiten në këto territore të thyera për të ushtruar sportin e alpinizmit apo ecjeve malore, ndërsa liqeni vizitohet sipas itinerarit: qyteti i Ersekës – fshati Starje – liqeni i Gramozit.

/e.i//r.e/

The post Liqeni i Malit të Gramozit, Rama ndan pamjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Francis Ford Coppola, regjisori italian fitues i çmimit “Oscar” shtrohet në spital 

5 August 2025 at 21:06

ROMË, 5 gusht /ATSH-ANSA/- Regjisori i njohur italian, fitues i çmimit “Oscar” Francis Ford Coppola, është shtruar sot në spitalin “Tor Vergata”, në Romë.

Coppola mori pjesë në Festivalin Magna Graecia në Kalabri në korrik për të prezantuar filmin e tij të fundit, “Megalopolis”.

Regjisori, 86 vjeç, kaloi një pjesë të verës në Itali, duke kërkuar vende për filmin e tij të ri, xhirimet e të cilit janë planifikuar të nisin këtë vjeshtë.

Në mesin e korrikut, Coppola u prit nga një turmë të rinjsh në Soverato – si i ftuar special në premierën e Festivalit të Filmit Magna Graecia.

“Të rinjtë më thonë se bota është një katastrofë, por unë përgjigjem se nuk ka problem që njeriu nuk mund ta zgjidhë”, tha ai.

“Ne duhet të ndërtojmë një të ardhme të re të shkëlqyer dhe ta bëjmë atë së bashku për të mirën e fëmijëve tanë. Dhe sonte po bëjmë një hap drejt së ardhmes”, tha Coppola.

Pasi fitoi një çmim “Oscar” dhe u bë një ikonë e Hollivudit, Coppola vendosi të merrej me një film të vetëfinancuar prej 120 milionë dollarësh, “Megalopolis”, një film ambicioz dhe i vlerësuar nga kritika – që do të shfaqet premierë në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 2025.

Projekti do të jetë gjithashtu subjekt i një dokumentari: “Megadoc”, me regji të Mike Figgis, që do të bëjë debutimin e tij në Festivalin e Filmit në Venecia në vitin 2025.

Coppola ka lidhje shumë të ngushta me Italinë, dhe në veçanti me rajonin e Bazilikatës.

Agostino, gjyshi i Francis, emigroi nga Bernalda në fillim të viteve 1900, dhe më 1 maj 1989, Coppola u bë qytetar nderi i qytetit, ku ai shpesh kalon pushimet e tij, duke shijuar gjithashtu plazhet e Metapontos, pranë detit Jon.

Regjisori ka një plan për të rigjallëruar zonën e Metapontos; në fakt, ai ka blerë një ndërtesë të vjetër në Bernalda për ta shndërruar atë në një hotel. //a.i/

The post Francis Ford Coppola, regjisori italian fitues i çmimit “Oscar” shtrohet në spital  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SUEDI – Vendet anëtare skandinave të NATO-s i ofrojnë Ukrainës 500 milionë dollarë

5 August 2025 at 21:06

MALMOE, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Vendet skandinave të NATO-s, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia, po ofrojnë gjithsej më shumë se 500 milionë dollarë për një iniciativë për të përshpejtuar dërgesat e armëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ukrainë.

Suedia po kontribuon me 275 milionë dollarë në iniciativën e “Listës së Kërkesave me Prioritet për Ukrainën” (PURL) të koordinuar nga NATO, me Danimarkën që premton 580 milionë krona daneze (90 milionë dollarë) dhe Norvegjinë 1.5 miliardë krona norvegjeze (146 milionë dollarë), njoftuan sot qeveritë e tre vendeve.

Si pjesë e iniciativës, vendet pjesëmarrëse do të blejnë pajisje mbrojtëse nga Shtetet e Bashkuara dhe më pas do t’i vënë ato në dispozicion të Ukrainës në mënyrë që ajo të mund të mbrohet kundër pushtimit të vazhdueshëm rus.

“Paketa skandinave përfshin raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot”, tha ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, në një konferencë për shtyp në Stokholm.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, falënderoi tre vendet për kontributin e tyre.

Financimi siguron dërgimin e pajisjeve shpëtimtare dhe mallrave thelbësore në vijën e parë të frontit, duke forcuar pozicionin e Ukrainës dhe duke e ndihmuar atë të mbrohet nga agresioni, ndërkohë që përpiqet për paqe të qëndrueshme, tha Rutte në një postim në X.

Vendet skandinave kanë qenë ndër donatorët më të mëdhenj për Ukrainën që nga shpërthimi i luftës ruse në Ukrainë pothuajse tre vjet e gjysmë më parë.

Holanda njoftoi dje lëvrimin e një paketë të ngjashme me vlerë rreth 500 milionë euro si pjesë e “PURL” it. /Ad.Ab./

 

The post SUEDI – Vendet anëtare skandinave të NATO-s i ofrojnë Ukrainës 500 milionë dollarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Netanyahu takon zyrtarët e sigurisë ndërsa Izraeli shqyrton pushtimin e plotë të Gazës

5 August 2025 at 20:48

TEL AVIV, 5 gusht /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u takua sot me zyrtarë të lartë të sigurisë për të finalizuar një strategji të re për luftën 22-mujore në Gaza, tha sot zyra e tij, sipas “Reuters”.

Pavarësisht presionit të fortë ndërkombëtar për një armëpushim për të lehtësuar krizën e urisë dhe kushtet e tmerrshme në enklavën e rrethuar palestineze, përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas kanë dështuar.

“Tetë persona të tjerë vdiqën nga uria ose kequshqyerja në 24 orët e fundit”, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës, ndërsa 79 të tjerë vdiqën në sulmet e fundit izraelite.

Zyra e kryeministrit tha se Netanyahu kishte mbajtur një “diskutim të kufizuar sigurie” që zgjati rreth tre orë, gjatë të cilit shefi i Shtabit të Përgjithshëm ushtarak Eyal Zamir prezantoi opsionet për vazhdimin e fushatës në Gazë.

Një zyrtar izraelit tha më herët se ministri i Mbrojtjes, Israel Katz dhe ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer, një njeri i besueshëm i Netanyahut, do të merrnin pjesë gjithashtu në takim për të vendosur mbi një strategji që do t’ia paraqiste kabinetit këtë javë.

“Channel 12” i Izraelit, duke cituar një zyrtar nga zyra e Netanyahut, tha se kryeministri po kërkonte marrjen e kontrollit të të gjithë territorit.

Kjo do të përmbyste vendimin e vitit 2005 për t’u tërhequr nga Gaza, duke ruajtur kontrollin mbi kufijtë e saj, një veprim që partitë e krahut të djathtë e fajësojnë për marrjen e pushtetit nga Hamasi.

Megjithatë, nuk ishte e qartë nëse Netanyahu po parashikonte një pushtim të zgjatur apo një operacion afatshkurtër që synonte shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve izraelite.

Zyra e kryeministrit nuk pranoi të komentonte mbi raportin e “Channel 12”.

“Është ende e nevojshme të përfundojmë mposhtjen e armikut në Gazë, të lirojmë pengjet tona dhe të sigurohemi që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin”, u tha Netanyahu rekrutëve të rinj në një bazë ushtarake.

“Ne nuk do të heqim dorë nga asnjë nga këto misione”, shtoi ai.

Lufta u shkaktua nga sulmet e militantëve të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke kapur 251 pengje. //a.i/

 

The post TEL AVIV – Netanyahu takon zyrtarët e sigurisë ndërsa Izraeli shqyrton pushtimin e plotë të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM nis zbatimin e marrëveshjes me Francën për kthimin e emigrantëve

5 August 2025 at 20:24

LONDËR, 5 gusht /ATSH/- Britania e Madhe tha se do të fillojë zbatimin e një marrëveshjeje për të kthyer disa emigrantë që mbërrijnë me anije të vogla në Francë brenda disa ditësh, një pjesë kyçe e planeve të saj për të reduktuar emigrimin e paligjshëm, sipas “Reuters”.

Sipas marrëveshjes së re, Franca ka rënë dakord të pranojë kthimin e personave pa dokumente që mbërrijnë në BM me anije të vogla, ndërsa Britania e Madhe do të pranojë një numër të barabartë azilkërkuesish legjitimë me lidhje familjare britanike.

Kryeministri Keir Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron njoftuan skemën pilot për kthimin e emigrantëve, muajin e kaluar.

Më shumë se 25 000 emigrantë kanë mbërritur në BM me anije të vogla deri më tani në vitin 2025.

Starmer është zotuar të “shkatërrojë bandat” e kontrabandistëve në përpjekje për të zvogëluar numrin e mbërritjeve.

Starmer, popullariteti i të cilit ka rënë që nga fitorja në zgjedhje vitin e kaluar, po përballet me një presion për të ndaluar emigrantët që vijnë me anijet e vogla – nga partia “Reform UK” e Nigel Farage, e cila kryeson sondazhet kombëtare të opinionit.

Ministri i Brendshëm francez, Bruno Retailleau tha në X se marrëveshja e re midis vendeve kishte një “objektiv të qartë” për të shkatërruar rrjetet e kontrabandës së njerëzve, megjithëse ministrja e Brendshme britanike Yvette Cooper nuk tha se sa njerëz do të ktheheshin sipas skemës.

Burime qeveritare thanë më parë se marrëveshja do të përfshinte rreth 50 kthime në javë, ose 2 600 në vit. //a.i/

 

The post LONDËR – BM nis zbatimin e marrëveshjes me Francën për kthimin e emigrantëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Shefi i ushtrisë paraqet opsionet për pushtimin e Gazës

5 August 2025 at 20:10

TEL AVIV/GAZA, 5 gusht /ATSH- DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka zhvilluar bisedime me shefin e ushtrisë Eyal Zamir rreth hapave të mëtejshëm në luftën e Gazës, mes raportimeve se qeveria është gati të urdhërojë pushtimin e plotë të territorit bregdetar.

Zyra e Netanyahut tha se Zamir i paraqiti atij opsione të mundshme për vazhdimin e luftës, e cila ka vazhduar për gati 22 muaj. Hollësirat e planit  nuk janë bërë ende të të ditura.

Takimi erdhi pasi disa media izraelite raportuan unanimisht dje se Netanyahu po nxiste pushtimin e plotë të Rripit të Gazës pavarësisht kundërshtimeve nga udhëheqja ushtarake.

Megjithatë i duhet kabinetit izraelit të Sigurisë të miratojë një plan të tillë.

Kanali televiziv  “N12” ka raportuar  se kabineti i Sigurisë do të mblidhet të enjten për konsultime. /Ad.Ab./

 

The post IZRAEL – Shefi i ushtrisë paraqet opsionet për pushtimin e Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje shiu në Vlorë, përmbytje në disa rrugë të qytetit

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut përfshinë sot qytetin e Vlorës, duke shkaktuar përmbytje në disa rrugë, mes tyre edhe rruga “Albano dhe Romina”, ndërsa nën “pushtetin” e ujit është lagjja historike e Muradies.

Sipas pamjeve nga mediet, niveli i ujit në rrugë është rritur ndjeshëm, duke penguar qarkullimin normal të automjeteve dhe këmbësorëve.

Zonat më të prekura përfshijnë: Lagjen “Skelë” (afër kryqëzimit të madh), zonën pranë bibliotekës publike, përreth Kishës Ortodokse dhe sheshi “Albano & Romina”.

Në disa segmente rrugore, automjetet janë bllokuar për shkak të prurjeve të mëdha të ujit, ndërsa shërbimet e emergjencës kanë nisur punën për pastrimin e pusetave dhe rivendosjen e normalitetit në qarkullim.

/e.i//r.e/

The post Reshje shiu në Vlorë, përmbytje në disa rrugë të qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Policia e Shtetit: Shqipëria, jo strehë për rrjetet kriminale

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Mbrojtja e personave që largohen nga diskriminimi, përndjekja dhe konfliktet është detyrim ligjor dhe angazhim ndërkombëtar.

Në kuadër të projektit EU4Migration, u zhvillua sot një takim në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, me pjesëmarrjen e drejtoreshës për Politikat e Migracionit, Azil dhe Antitrafikut në Ministrinë e Brendshme Alma Bime, përfaqësuesve të departamentit për Kufirin dhe Migracionin, të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, UNHCR, dhe International Police Organization – IPO.

Sipas Policisë së Shtetit, takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit institucional në fushën e azilit, menaxhimit të kufijve dhe identifikimit të rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore.

“Shqipëria nuk do të shërbejë si rrugë kalimi apo strehë e sigurt për rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore. Ky është një shembull i vendosmërisë së institucioneve ligjzbatuese për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin njerëzor, si dhe për të goditur çdo formë të krimit të organizuar”, njoftoi Policia.

/m.q/r.e/

The post Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, Policia e Shtetit: Shqipëria, jo strehë për rrjetet kriminale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPORT – Ish – kampioni i Botës, Frank Mill, vdes në moshën 67 vjeç

5 August 2025 at 19:31

DYSELDORF, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Frank Mill, i cili ishte pjesë e skuadrës fituese të Kupës së Botës në futboll në vitin 1990 të Gjermanisë Perëndimore e që ka fituar dhe një medalje bronzi olimpike në vitin 1988, ka vdekur në moshën 67 vjeç, njoftoi sot ish-klubi i tij Rot-Weiss Essen, duke cituar familjarë të tij.

Essen konfirmoi një raport nga gazeta “Bild”, i cili tha se Mill nuk u shërua kurrë nga një goditje në tru që pësoi në muajin maj në Itali.

Sulmuesi Mill e filloi karrierën e tij profesioniste në vitin 1976 në qytetin e tij të lindjes, Essen, në Rot-Weiss. Me pas kaloi pesë vjet te “Borussia Mönchengladbach” në vitet 1981-1986, më pas  tetë vjet te “Borussia Dortmund” deri në vitin 1994 përpara se ta përfundonte karrierën e tij me dy sezone te “Fortuna Dusseldorf”.

Mill shënoi 41 gola në divizionin e dytë në sezonin e tij të fundit në Essen dhe 123 gola në 387 ndeshje të Bundesligës.

Ai fitoi Kupën e Gjermanisë me Dortmundin në vitin 1989.

“Frank nuk ishte vetëm një nga futbollistët më të mëdhenj që Rot-Weiss Essen ka nxjerrë ndonjëherë, ai ishte gjithashtu një person i shkëlqyer, i thjeshtë, autentik dhe plot energji pozitive”, tha anëtari i bordit të Essen, Alexander Rang.

Ai shtoi se Mill “jo vetëm që karakterizoi klubin tonë dhe zonën e Ruhr-it me sjelljen e tij, por ai ishte gjithashtu një ambasador për futbollin në të gjithë Gjermaninë”. /Ad.Ab./

 

The post SPORT – Ish – kampioni i Botës, Frank Mill, vdes në moshën 67 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eco Routes në Ujëvarën e Topojanit, projekt i BE-së për natyrë dhe turizëm të qëndrueshëm

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Projekti Eco Routes i Bashkimit Europian është një iniciativë që synon të promovojë transportin e qëndrueshëm, turizmin e gjelbër, dhe zhvillimin rajonal në përputhje me strategjinë e BE-së për tranzicionin e gjelbër dhe ruajtjen e biodiversitetit.

Njërën nga ditët e ‘Reel the Site’, BE bën me dije se është vizituar Ujëvara e Topojanit, aty ku natyra dhe turizmi i qëndrueshëm bashkohen falë projektit Eco Routes, të financuar nga Bashkimi Europian.

Sipas BE-së, konkurrentët eksploruan shtigjet e ecjes të zhvilluara për të lidhur njerëzit me natyrën dhe për të promovuar turizmin ndërkufitar.

“Pjesë e të njëjtit projekt është edhe Parku i Aventurave në Shishtavec, një hapësirë për të gjitha moshat që sjell aktivitete në natyrë dhe e bën zonën edhe më tërheqëse për vizitorët”, thuhet në njoftim.

Projekti Eco Routes synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të rrisë vizitat e zonave Kukës dhe Rahovec, duke nxitur bashkëpunimin ndërkufitar dhe duke e kthyer këtë rajon në një destinacion për ekoturizëm.

Eco Routes është një rrjet rrugësh turistike ose trase ekologjike ku përdoren nga biçikleta, ecësit, ose transporti publik; lidhen zona natyrore, parqe kombëtare, monumente kulturore e vende të trashëgimisë; janë të zhvilluara në mënyrë të qëndrueshme, pa ndotje dhe me përfitim për komunitetet lokale dhe promovohet ekoturizmi, produkte vendase dhe bizneset e vogla.

Qëllimi i projektit është reduktimi i ndotjes nga transporti duke nxitur biçikletat dhe ecjen, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm në harmoni me natyrën dhe kulturën, ndërlidhja e rajoneve rurale me qytetet për të ndihmuar zhvillimin ekonomik lokal, ndërgjegjësimi për natyrën dhe trashëgiminë kulturore përmes udhëtimeve edukative dhe ekologjike, etj.

/e.i//r.e/

The post Eco Routes në Ujëvarën e Topojanit, projekt i BE-së për natyrë dhe turizëm të qëndrueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌