Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 13 August 2025Main stream

Zjarret, Ambasada e Greqisë: Solidaritet me mjete ajrore zjarrfikëse

13 August 2025 at 22:24

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Ambasada e Greqisë në Shqipëri shprehu sot solidaritetin me vendin tonë për përballjen me situatën e zjarreve, ku aktualisht po kontribuon me mjete ajrore zjarrfikëse.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e Greqisë në Shqipëri shpreh mbështetjen e saj të sinqertë për vendin mik dhe fqinj, Shqipërinë, ndërsa shprehet se “po monitoron situatën me frontin e gjerë të zjarreve në vend”.

“Në frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetit, Greqia, brenda kuadrit të kapaciteteve të saj, kontribuon në përpjekjet për shuarjen e zjarreve me mjete ajrore zjarrfikëse, si në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ashtu edhe në kontekstin e bashkëpunimit dypalësh. Mendimet tona janë me popullin shqiptar”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Greqisë.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë territorin e vendit u regjistruan 34 vatra aktive zjarri, nga të cilat 13 janë izoluar dhe shuar.

/m.m//a.f//r.e/

The post Zjarret, Ambasada e Greqisë: Solidaritet me mjete ajrore zjarrfikëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

34 vatra aktive, 13 të shuara, Rama: Gatishmëri maksimale, ndihmë edhe nga partnerët

13 August 2025 at 22:01

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në gjithë territorin e vendit kishte 34 vatra aktive zjarri, nga të cilat 13 janë izoluar dhe shuar.

Kryeministri e konsideroi “një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, që vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin”.

Rama bëri të ditur se në operacione janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura.

“Po ashtu janë angazhuar mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare. 5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë”, shtoi Rama.

Kryeministri nënvizoi se në përballje me situatën e zjarreve janë angazhuar qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve.

“Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës”, theksoi ai.

Rama siguroi se gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë

/m.m//a.f//r.e/

The post 34 vatra aktive, 13 të shuara, Rama: Gatishmëri maksimale, ndihmë edhe nga partnerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Raporti i DASH për Shqipërinë: Qeveria, hapa të besueshëm për të ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje

13 August 2025 at 21:48

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e ri për të drejtat e njeriut, ku për Shqipërinë theksohet se gjatë vitit 2024 ”nuk pati ndryshime të rëndësishme në situatën e të drejtave të njeriut”.

Raporti vlerëson se “qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut”.

Lidhur me lirinë e shtypit, raporti nënvizon se “Kushtetuta parashikon lirinë e shprehjes, duke përfshirë edhe për anëtarët e shtypit dhe mediet e tjera, dhe qeveria zakonisht i respektonte këto të drejta, megjithëse shpifja ishte një vepër penale”.

“Në prill, parlamenti krijoi një komision ad hoc për dezinformimin dhe në takimet e tij fillestare komisioni ftoi anëtarët e organizatave të medias dhe organizatave joqeveritare (OJQ) të merrnin pjesë dhe të monitoronin punën e komisionit. Media dhe shoqëria civile i panë këto veprime si një hap pozitiv drejt mbrojtjes së lirisë së shprehjes”, thuhet në raport.

Në raport theksohet se “ligji dhe kushtetuta ndalonin arrestimin dhe paraburgimin arbitrar dhe parashikonin të drejtën e çdo personi për të kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit ose paraburgimit të tij në gjykatë dhe qeveria në përgjithësi i respektoi këto kërkesa”.

“Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve vonoi procedurat penale. Burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, menaxhimi i dobët i kalendarit gjyqësor, stafi i pamjaftueshëm dhe mosparaqitja e avokatëve dhe dëshmitarëve gjithashtu e penguan sistemin gjyqësor të gjykonte çështjet në kohën e duhur. Sipas PBB-së, procesi i verifikimit të sistemit të drejtësisë e përkeqësoi situatën dhe çoi në vende të lira në gjykata dhe prokurori”, citon raporti.

Lidhur me marrëdhëniet e punës, raporti nënvizon se “ligji parashikonte një pagë minimale për të gjithë sektorët, dhe paga minimale kombëtare ishte më e lartë se pragu kombëtar i varfërisë”.

Për sa i përket mbrojtjes së refugjatëve, raporti vlerëson se “qeveria bashkëpunoi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare në ofrimin e mbrojtjes dhe ndihmës për refugjatët, refugjatët e kthyer ose azilkërkuesit, si dhe persona të tjerë të shqetësuar”.

Lidhur me situatën për të drejtat e njeriut raporti thotë se “nuk pati ndryshime të rëndësishme në situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit”.

“Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme për kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, duke përfshirë autocensurën e gazetarëve. Qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.

Lidhur me lirinë e shtypit, raporti thekson se “qytetarët ishin të lirë të kritikonin hapur qeverinë, duke përfshirë mediet tradicionale dhe sociale, dhe ata e bënë këtë”.

/m.m/r.e//a.f/

The post Raporti i DASH për Shqipërinë: Qeveria, hapa të besueshëm për të ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret, Vengu: Kemi blerë dy avionë, po trajnojmë ekipin e pilotëve

13 August 2025 at 20:40

TIRANË, 13 gusht/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bëri të ditur sot se Shqipëria ka blerë dy avionë që do të shërbejnë për menaxhimin e situatave që krijohen nga zjarret në vend, ndërkohë po trajnohet edhe ekipi i pilotëve që do të veprojnë në të tilla raste.

Në një prononcim për mediet nga Delvina, Vengu informoi mbi situatën aktuale të zjarreve në vend, ndërsa u ndal tek investimet e parashikuara nga qeveria për forcimin e kapaciteteve operacionale.

“Avionët janë blerë, ka një procedurë standarde se si bëhen këto investime dhe procedura po zbatohet. Avionët duhet të prodhohen që të vijnë në Shqipëri. Është një proces që merr kohë. Ne po kërkojmë të prodhohen sa më shpejt. Jemi në këto kushte, i keni shifrat në Thesarin e Shtetit. Nuk kemi bërë disbursimin sepse nuk kemi lidhur kontratë. Kjo ka të bëjë me planin e investimeve të qeverisë shqiptare”, shtoi ai për mediet.

Ndërkohë, Vengu theksoi se ajo që duhet të realizohet me shpejtësi është formimi i pilotëve të këtyre mjeteve.

“Nga viti 2007 Shqipëria nuk ka pilotë avionësh. Ky është realiteti që duam të transformojmë. Prandaj kemi hapur edhe një shkollë aviacioni, që pritet të fillojë të operojë në qershor 2026 në Vlorë”, shtoi ai.

Duke folur për operacionet nga ajri, ministri bëri të ditur se në datën 15 gusht bëhen dy muaj që kur helikopterët janë ngritur për të menaxhuar kriza në mbarë vendin.

“Nuk kemi pasur kurrë kaq shumë mjete ajrore të dedikuara”, shtoi ai, ndërsa vlerësoi edhe mbështetjen e marrë nga vendet partnere në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Europiane.

Duke folur për investimet në menaxhimin e krizave, Vengu veçoi ngritjen e katër qendrave rajonale të Mbrojtjes Civile.

“Ajo që ne kemi përgatitur si pjesë e programit qeverisës Shqipëria 2030 ka të bëjë me një element të ri, me faktin se ne duhet të kemi qendra rajonale që të menaxhojnë elementët zjarrfikës në zonat pyjore dhe malore. Forca të dedikuara, të specializuara. Fatmirësisht jemi në kushte që të mund të rindërtojmë flotën kombëtare të tokës, dhe të vijojmë të investojmë në flotën ajrore. Këto qendra do të shërbejnë për të dislokuar helikopterë dhe për t’i furnizuar po ashtu”, shtoi ai.

/a.f/r.e/

The post Zjarret, Vengu: Kemi blerë dy avionë, po trajnojmë ekipin e pilotëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shërbimi Veterinar nis groposjen e kafshëve të ngordhura nga zjarri në Gramsh

13 August 2025 at 19:32

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Shërbimi Veterinar i Elbasanit dhe bashkia e Gramshit kanë nisur punën në terren për evidentimin e kafshëve të ngordhura dhe procesin e groposjes së tyre, me qëllim që të mos përhapen sëmundjet tek banorët.

Kjo ndërhyrje e koordinuar synon të parandalojë përhapjen e sëmundjeve dhe të garantojë sigurinë shëndetësore e mjedisore në zonën e prekur.

Drejtori i Shërbimit Veterinar në DRVMB Elbasan, Spiro Hunçi, së bashku me stafin veterinar të Zyrës Vendore të Veterinarisë Gramsh, nën drejtimin e përgjegjësit të sektorit veterinar Fatmir Ozuni, ndodhen sot në njësinë administrative Skënderbegas, ku po zhvillohet procesi i evidentimit dhe inventarizimit të kafshëve të ngordhura, të djegura apo asfiksuara si pasojë e zjarrit.

Zyrtarët konfirmuan se po bëhet groposja dhe asgjësimi i kontrolluar i kafshëve, në përputhje me kërkesat e sigurisë veterinare të mbrojtjes së mjedisit.

“Po kryhet groposja dhe asgjësimi i kontrolluar i trupave të kafshëve, në përputhje me kërkesat e sigurisë veterinare dhe mbrojtjes së mjedisit. Kjo ndërhyrje e koordinuar synon të parandalojë përhapjen e sëmundjeve dhe të garantojë sigurinë shëndetësore e mjedisore në zonën e prekur”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në këtë operacion po merr pjesë edhe kryetari i bashkisë Gramsh, Besian Ajazi, së bashku me strukturat vendore të emergjencave dhe banorët e zonës.

/m.m//a.f//r.e/

The post Shërbimi Veterinar nis groposjen e kafshëve të ngordhura nga zjarri në Gramsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten dy përdorues mjetesh në Dhërmi dhe Ksamil

13 August 2025 at 18:24

TIRANE, 13 gusht/ATSH/ Pas një denoncimi të bërë për një automjet që qarkullonte me shpejtësi dhe në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kryen menjëherë verifikimet dhe identifikuan automjetin.

Nga veprimet e kryera rezultoi se automjeti tip “Audi”, në pronësi të një subjekti privat, kishte kryer parakalim në një kthesë me fushëpamje të kufizuar, duke hyrë në sens të kundërt, në aksin rrugor Dhërmi–Himarë.

Për këto shkelje, u vendos masa administrative 52 000 lekë në zbatim të Kodit Rrugor.

Në një rast tjetër, pas një denoncimi se një automjet taksi kishte kryer parakalim të gabuar, duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore Sarandë bënë menjëherë të mundur identifikimin e drejtuesit të tij, i cili nga verifikimet e kryera rezultoi se kishte kryer parakalim të gabuar, duke hyrë në sens të kundërt, në aksin rrugor Sarandë–Ksamil.

Për këto shkelje, u vendos masa administrative 40 000 lekë në zbatim të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim garantimin e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës, veçanërisht në zonat turistike ku lëvizshmëria është e lartë gjatë sezonit veror.

/m.m//a.f//r.e/

The post Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten dy përdorues mjetesh në Dhërmi dhe Ksamil appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Beteja me zjarret, në operim edhe dy helikopterë nga Emiratet e Bashkuara Arabe

13 August 2025 at 16:14

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) i vijnë në ndihmë Shqipërisë për situatën e paprecedentë të zjarreve këtë vit, me dy helikopterë ‘Black Hawk’ të Forcës Ajrore, që janë dislokuar në bazën ajrore të Kuçovës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur sot se helikopterët po operojnë efektivisht në zjarret në të gjithë territorin e vendit, duke qenë një ndihmë shumë e madhe në mbështetje të strukturës nga toka për fikjen e zjarreve.

Gjeneral brigade, Mudhafar Al Amri, drejtor në Detyrë i Shpëtimit dhe Zjarrfikjes, Autoriteti i Mbrojtjes Civile në Abu-Dabi, ishte sot në terren për të ndjekur nga afër operacionet për fikjen e zjarreve në zonën e Gramshit.

Ai theksoi edhe një herë gatishmërinë e vendit të tij për të ofruar ndihmë për Shqipërinë në këtë situatë të rënduar me zjarret.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Haki Ҫako e falënderoi për ndihmën konkrete, që po jep rezultat në terren.

Gjatë orëve të fundit në gjithë territorin e vendit janë evidentuar 37 vatra zjarri aktive, ndërkohë që vijojnë operacionet nga toka dhe nga ajri për neutralizimin e zjarreve.

/m.m/r.e//a.f/

The post Beteja me zjarret, në operim edhe dy helikopterë nga Emiratet e Bashkuara Arabe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Zjarret në Gramsh, MM urdhër evakuimi për tri fshatra të tjerë

12 August 2025 at 16:08


TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes lëshoi sot një njoftim urgjent për evakuimin e banorëve të tri fshatrave të tjerë në Gramsh, si pasojë e situatës së shkaktuar nga zjarret.

Përmes një njoftimi urgjent për evakuim, Ministria e Mbrojtjes kërkon që banorët e fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.

Ndërkohë, sipas MM-së fshati Skënderbegas është evakuuar.

Më herët sot, MM dha urdhër për evakuimin e banorëve në tre fshatra të tjera të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme të zjarrit me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit.

Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.

Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.

/m.m/j.p/

The post Zjarret në Gramsh, MM urdhër evakuimi për tri fshatra të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Humb jetën 80-vjeçari në fshatin Kullollas të Gramshit, Policia: Dyshohet se ndezi zjarr në kopshtin e banesës

12 August 2025 at 14:35

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Policia e Elbasanit bëri të ditur sot se nga vatrat e zjarreve në Gramsh ka humbur jetën një 80-vjeçar.

Përmes një njoftimi për shtyp të Policisë së Elbasanit bëhet e ditur se dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit.

“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.

“Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.

Për shkak të situatës që ka dalë nga kontrolli, Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve të 3 fshatrave.

/m.m/j.p/

The post Humb jetën 80-vjeçari në fshatin Kullollas të Gramshit, Policia: Dyshohet se ndezi zjarr në kopshtin e banesës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KAYO shkresë administratorit të Focus Media News: Materialet e gazetarëve mund të tërhiqen pranë Rezervave të Shtetit

12 August 2025 at 14:22

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Administratori i kompanisë shtetërore KAYO, Ardi Veliu njoftoi sot se “lirimi i ndërtesës së shoqërisë ‘Focus Media News sh.p.k.’ është kryer në kushte të larta sigurie, në prani të Forcave të Armatosura, duke dokumentuar me procesverbal çdo send të ndodhur brenda saj”.

Në një letër drejtuar administratorit të shoqërisë “Focus Media News sh.p.k.”, Veliu u shpreh se pretendimet për fshirjen e materialeve të gazetarëve janë të pabazuara dhe të pavërteta.

“Materialet e gjetura brenda ambienteve, pas inventarizimit u dërguan pranë Rezervave të Shtetit, me adresë Rruga Bajram Tusha, pranë ish-Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës”, thuhet në letër

Veliu bëri të ditur se administratori i “Focus Media News sh.p.k.” duhet të paraqitet personalisht pranë Rezervave të Shtetit si i vetmi person i autorizuar, për të marrë sa më parë sendet e gjetura dhe të inventarizuara në objekt.

Në këtë drejtim, kompania shtetërore “KAYO” i ka bërë thirrje administratorit që t’i tërheqë të gjithë bazën materiale.

/m.m/

The post KAYO shkresë administratorit të Focus Media News: Materialet e gazetarëve mund të tërhiqen pranë Rezervave të Shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Rrjollit në Shkodër

12 August 2025 at 12:35

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Velipoja me plazhet e saj është një ndër më të preferuarat për pushuesit vendas e të huaj këtë sezon turistik.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhi Rrjollit në Velipojë, një tjetër destinacion që tërheq pushues që zgjidhin qetësinë dhe rërën kurative.

Plazhi i Rrjollit në juglindje të Velipojës, që deri para pak vitesh njihej vetëm nga vendasit, tani po kthehet në një prej destinacioneve më të frekuentuara të Shkodrës gjatë verës.

Në juglindje të Velipojës, shtrihet një fshat i bukur dhe kryesisht i panjohur, Boks-Rrjoll, i cili së bashku me plazhin e tij të virgjër me ujëra të kristalta dhe rërë të mbushur me jod, e bëjnë këtë zonë të adhurueshme.

Plazhi i Rrjollit ka një shtrirje prej 4 km në një zonë me pyll e duna të vogla rëre. Plazhi i “strukur”, deri para pak kohëve i shfrytëzuar vetëm nga banorët e këtij fshati, vitet e fundit është kthyer në përzgjedhje të mirëfilltë të pushuesve.

/m.m/j.p/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Rrjollit në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret, MM: Urdhër evakuimi për banorët e tri fshatrave në Gramsh

12 August 2025 at 12:34

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes lëshoi sot një urdhër evakuimi për banorët e tri fshatrave në Gramsh, si pasojë e situatës së shkaktuar nga zjarret.

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se “është dhënë urdhri për evakuimin e banorëve në tre fshatra të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme zjarri me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit”.

Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.

Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.

1 nga 2

/m.m/

The post Situata nga zjarret, MM: Urdhër evakuimi për banorët e tri fshatrave në Gramsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fertilizimi in vitro falas, Koçiu: Vijnë në jetë dy foshnje tek “Koço Gliozheni”

12 August 2025 at 12:00

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Sistemi shëndetësor publik ofron tashmë shërbimin e fertilizimit in vitro (FIV) falas për çiftet që përballen me infertilitetin, përmes Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) pranë Maternitetit “Koço Gliozheni”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot rastin e suksesit me lindjen e dy foshnjave të tjera përmes procedurës in vitro.

“Dy gëzime të reja nga materniteti “Koço Gliozheni”. Dua dhe Mertoni erdhën në jetë falë programit kombëtar për trajtimin e infertilitetit, përmes procedurës in vitro që tashmë ofrohet në sistemin publik dhe po kthen në realitet ëndrrat e shumë familjeve. Urime prindërve dhe stafit mjekësor për këto mrekulli”, u shpreh Koçiu.

Për herë të parë pranë Spitalit Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni ka ardhur në jetë në 17 dhjetor 2024, fëmija i parë me teknikën e riprodhimit të asistuar.

Paketa e fertilitetit synon të mbështesë çiftet e reja përmes shërbimit falas të Fertilizimit in Vitro (FIVET).

Me buxhetin e këtij viti, rreth 150 çifte të reja po mbështeten për të realizuar ëndrrën e tyre për të krijuar familje.

1 nga 2

/m.m/

The post Fertilizimi in vitro falas, Koçiu: Vijnë në jetë dy foshnje tek “Koço Gliozheni” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr në tokën me qira, arrestohet 40-vjeçari në Tepelenë

12 August 2025 at 11:47

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera menjëherë pas njoftimit se në zonën e pyllëzuar midis fshatrave Kodër dhe Lekël, kishte rënë zjarr, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë mundësuan identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit E. M., 40 vjeç, banues në fshatin Kodër.

40-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e marrë me qira dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, pemë frutore, 5 stane me bazë ushqimore për bagëti dhe 3 krerë bagëti të trasha.

Prej mëngjesit të djeshëm, shërbimet e Policisë kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët.

Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Gjirokastër dhe me shërbimet zjarrfikëse, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

/m.m/j.p/

The post Ndezi zjarr në tokën me qira, arrestohet 40-vjeçari në Tepelenë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në Tiranë, nënkryetari i bashkisë Sulaj: Kush kryen zjarrvënie të qëllimshme, përballet me ligjin

12 August 2025 at 10:54

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Vatra zjarri me përmasa të konsiderueshme prej disa ditësh kanë përfshirë fshatin Damian në njësinë administrative Vaqarr në Tiranë.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj ka paralajmëruar të gjithë ato subjekte që kryejnë veprime për zjarrvënie të qëllimshme dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve se do të përballen me forcën e ligjit.

“Ajo që shihet është se zjarri ka përparuar nga ditët e tjera por një apel i rëndësishëm është për të gjithë ata që bëjnë këto veprime dhe me sa duket janë veprime të qëllimshme, qofshin individë apo biznese se do të përballen me forcën e ligjit”, tha Sulaj.

Sulaj siguroi të gjithë qytetarët se Bashkia do jetë 24 orë në shërbim të tyre dhe do bëjë të pamundurën që jeta dhe prona e qytetarëve të mos rrezikohet.

Nga ana e saj, administratorja e njësisë administrative Vaqarr, Jonida Mema bëri të ditur se sot zjarret kanë marrë përmasa më të mëdha dhe se është dashur ndërhyrja nga ajri për të mbajtur nën kontroll flakët por strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë për përballimin e situatës.

“Ndodhemi në fshatin Damian, lagjja Tresaj. Situata u bë pak më emergjente. Zjarri ka marrë përmasa pak më të mëdha nga dje deri më sot. Jemi afër banesave. Forcat zjarrfikëse, Emergjencat, Bashkia janë në dispozicion. Tani mbetemi me shpresë që çdo gjë të shkojë mbarë dhe me sukses në këtë situatë të vështirë. Terreni është i vështirë. Ne jemi në gatishmëri gjatë gjithë kohës”, u shpreh Mema.

/m.m/j.p/

The post Zjarret në Tiranë, nënkryetari i bashkisë Sulaj: Kush kryen zjarrvënie të qëllimshme, përballet me ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kampusi i ri i Akademisë së FA, Rama: Infrastrukturë ushtarake e bazuar në standardet e NATO-s

11 August 2025 at 14:43

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje investimet në modernizimin e infrastrukturës ushtarake, bazuar në standardet e NATO-s.

Rama ndau në rrjetet sociale fotografi nga projekti shumëfunksional i Akademisë së Forcave të Armatosura, i konceptuar nga kompania me famë botërore “Bofill Taller de Arquitectura”, që reflekton një frymë të re arkitekturore ku shkrihen mes tyre zonat akademike, stërvitore, sportive, logjistike dhe komanduese, për ta zhvendosur kampusin akademik drejt konceptit bashkëkohor të NATO-s.

“Modernizimi i infrastrukturës ushtarake nëpërmjet investimeve të qeverisë shqiptare po prek çdo qelizë të Forcave të Armatosura, bazuar në standardet më moderne të Aleancës”, u shpreh kryeministri.

Investimi në kapitalin njerëzor, sipas tij, “mbetet në fokusin e qeverisë dhe kjo reflektohet në rritjen e ndjeshme të numrit të aplikimeve për sezonin e ri, me 1634 të rinj të interesuar për programet Bachelor”.

Kampusi i ri i Akademisë së Forcave të Armatosura shtrihet në një hapësirë prej 10 hektarësh.

Kampusi do të ofrojë godinë mësimore, konvikti, qendra shëndetësore, kinemaja, palestra, pishina e mbyllur, terrenet sportive dhe ato të stërvitjes ushtarake në natyrë, si poligonet, pista e vrapit, kulla e alpinizmit, etj.

Akademia e re do të ketë si fillim 300 studentë dhe degë të reja, përfshirë dhe inteligjencën artificiale, ku do të ketë diploma të përbashkëta me Universitetin Politeknik në degë të caktuara, por dhe binjakëzime me Akademitë e vendeve aleate të NATO-s.

/m.m//a.f/

The post Kampusi i ri i Akademisë së FA, Rama: Infrastrukturë ushtarake e bazuar në standardet e NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Jo shëmbjeve me tritol në kulm të sezonit, ngrejmë komisionin hetimor “McGonigal”

11 August 2025 at 14:38

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot ndaj shembjes së një ndërtese pa leje në bregdetin e Vlorës.

Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se ka denoncuar turizmin e tritolit në kulmin e turizmit.

“Si mund të zgjosh një qytezë të tërë dhe fillojnë ditën, fillojnë pushimet, me një shpërthim të atillë, duke iu prerë dhe dritat, duke krijuar një situatë lufte”, tha ai.

Berisha theksoi se edhe ndërhyrjet në Theth ishin politikisht të motivuara, pasi ajo zonë kishte votuar me shumicë për PD-në.

I pyetur mbi investimin e Jared Kushner në ishullin e Sazanit, Berisha tha se “ligjet shqiptare lejojnë dhënien me 1 euro”.

“Nuk kam asnjë të dhënë se kemi të bëjmë me një shitje. Ligjet shqiptare lejojnë dhënien me 1 euro, siç dihet, për një periudhë të caktuar të terreneve, trojeve dhe tokave. Unë nuk kam asnjë dijeni se, ishulli i Sazanit është blerë nga çifti Kushner apo është shitur nga kreu i organizatës kriminale, Edi Rama. Personalisht, nuk kam asnjë lloj dijenie, sepse ligjet shqiptare nuk parashikojnë një gjë të tillë”, shtoi ai.

Po ashtu, Berisha tha se Opozita do të krijojë komisionin hetimor parlamentar për McGonigal. “Do përpiqemi të hetojmë edhe me Kosovën, se kjo veprimtari është shtrirë dhe në Kosovë, sikundër do të demaskojë me prova dhe fakte mbrojtjen që Altin Troplini i ka bërë McGonigalit”, tha Berisha.

Berisha shprehu solidaritetin e tij me gazetarët dhe punonjësit e “Focus Media News”.

Reagimi i Berishës vjen pasi Policia e Shtetit ka kërkuar lirimin e godinës ku ushtron aktivitetin “Focus Media News”, pasi me vendim të Gjykatës kjo godinë do t’i kalojë shoqërisë shtetërore “Kayo” sh.a.

Berisha u shpreh se “nuk ka absolutisht asnjë bazë ligjore rrethimi, ndërprerja e sinjalit dhe shkëputja e kabllove të transmetimit, që është realizuar këto 3 ditë ndaj televizionit”.

“Ka një proces gjyqësor midis palëve, sepse kemi të bëjmë me tjetërsime pronash, dhe natyrisht, ligji vepron, njeh të drejtën e parablerjes të atij që e administron pronën. Të gjitha këto, janë akte atentate të rënda ndaj fjalës së lirë, janë përpjekje për të vendosur, për të shuar çdo zë kundër çdo burimi të pavarur, çdo hetimi gazetaresk të pavarur”, u shpreh Berisha, ndërsa bëri thirrje për rikthimin e menjëhershëm të sinjalit.

/m.m//a.f/

The post Berisha: Jo shëmbjeve me tritol në kulm të sezonit, ngrejmë komisionin hetimor “McGonigal” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Droni kap zjarrvënësin, Rama: Tradhëti, të barazohet me vrasjen në Kodin Penal

11 August 2025 at 12:46

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “zjarrvënia duhet të barazohet me vrasjen në Kodin Penal”.

Rama ndau në rrjetet sociale pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme të evidentuar sot nga dronët e Forcës Ajrore.

“Të ndezësh një zjarr me qëllim, nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë”, u shpreh Rama.

Kryeministri siguroi se Policia e Shtetit është në terren për të çuar përpara drejtësisë këdo që luan me flakët mbi pasurinë e përbashkët.

“Ndërkohë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal”, shtoi Rama.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 38 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 14 vijojnë të jenë aktive dhe po ndiqen në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse.

/m.m//a.f/

The post Droni kap zjarrvënësin, Rama: Tradhëti, të barazohet me vrasjen në Kodin Penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj dekreton për një mandat të dytë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Arben Kingji

11 August 2025 at 12:43

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi sot Gjeneral Lejtnant Arben Kingji në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për një mandat të dytë.

Ceremonia nisi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar dhe vijoi me leximin e dekretit të Presidentit të Republikës për emërimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Emërimi i tij vjen në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Pas leximit të dekretit, Gjeneral Lejtnant Arben Kingji bëri betimin me dorën mbi Kushtetutë.

Në ceremoninë e betimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm mori pjesë Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe komandantët e forcave dhe strukturave të tjera të Forcave të Armatosura.

/m.m//a.f/

The post Begaj dekreton për një mandat të dytë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Arben Kingji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia Rrugore e Dibrës, 469 masa administrative në një javë

11 August 2025 at 12:38

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Policia Rrugore e Dibrës vijon monitorimin e të gjitha akseve rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Akset rrugore po monitorohen pandërprerë nga ajri me dron dhe nga toka me pajisje të logjistikës bashkëkohore, të loguara dhe të paloguara, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti apo që bëhen pengesë për qarkullimin.

Gjatë javës së parë të muajit gusht, është proceduar penalisht 1 drejtues automjeti për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë vendosur gjithsej 469 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Konkretisht janë vendosur 119 masa për parakalime të gabuara; 37 masa për mosvënien e rripit të sigurimit; 16 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse; 2 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 5 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
2 masa për xhama të errësuar; 138 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar;
masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve; 142 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrolle të tilla vijojnë çdo ditë nga Policia Rrugore, të shtrira në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Dibrës u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

/m.m//a.f/

The post Policia Rrugore e Dibrës, 469 masa administrative në një javë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌