Në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka nisur këtë të martë rigjykimi për Festim Bexhdilin, i akuzuar për përfshirje në vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e rëndë e ndodhur në janar të vitit 2020.
Bexhdili, i njohur si kopshtari i hotel “Golden” në Shijak, vendi ku dyshohet se është mbajtur i peng dhe më pas është zhdukur viktima, përmes përfaqësuesit të tij ligjor ka kërkuar pafajësi dhe hedh poshtë çdo akuzë për përfshirje direkte në ngjarje.
Avokati i tij, Ilir Murati, gjatë seancës së sotme kërkoi rishikimin e pamjeve të kamerave të sigurisë të paraqitura si prova kryesore në dosje, duke ngritur dyshime mbi mënyrën sesi janë interpretuar nga ana e akuzës.
“Kemi konstatuar një gabim të organit procedues në interpretimin e pamjeve filmike,” deklaroi Murati para trupës gjykuese, duke shtuar se sipas tij, “pamjet nuk e provojnë përfshirjen direkte të klientit të tij në rrëmbimin apo ekzekutimin e Jan Prengës.”
Rigjykimi po zhvillohet pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm për Bexhdilin dhe vendosi kthimin e çështjes për shqyrtim të ri në Apel.
Gjatë kësaj seance, në gjykatë u shoqërua edhe Aldo Majnishta, i cili u pyet në cilësinë e dëshmitarit. Ai është përmendur në dosjen hetimore nga Prokuroria e Posaçme si një prej personave që, së bashku me Bexhdilin, dyshohet të ketë ndihmuar në zhdukjen e trupit të Jan Prengës.
Sipas prokurorit të çështjes, Behar Dibra “rezulton se Festim Bexhdili së bashku me Aldo Majnishtën kanë nxjerrë trupin nga bagazhi i një makine Mercedes dhe e kanë mbuluar me çarçaf në orën 18:12. Në orën 18:30, automjeti largohet nga garazhi i ‘Golden Resort’. Bexhdili është larguar me të tjerë dhe është kthyer sërish aty.”
Në vijim, mbrojtja ka kundërshtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë interpretim të ngjarjeve nga ana e SPAK.
“Në asnjë moment nuk duket Festim Bexhdili duke kryer veprime,” deklaroi avokati Murati, duke hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë se Bexhdili “ka kaluar viktimën nga një automjet në tjetrin.”
“Kjo është ose një kqyrje e gabuar, ose me dashje e keqe. Është totalisht e padrejtë. Këto qëndrime dua t’i mbaj publike. Do të kërkojmë ndoshta edhe ekspertë të pavarur për të verifikuar pamjet,” përfundoi Murati.
Çështja pritet të vijojë në javët e ardhshme, me gjykatën që do të vendosë nëse provat filmike të rishikuara ndryshojnë ose jo pozicionin ligjor të të pandehurit në këtë dosje të bujshme.
Jan Prenga u mor peng sipas një porosie nga Ekuadori, pasi vëllai i tij në Britaninë e Madhe mori pjesë në grabitjen e një sasie kokaine në dëm të trafikantëve shqiptarë të drogës.
The post Pengmarrja dhe vrasja e Jan Prengës, kopshtari i Golden kërkon pafajësi appeared first on Lapsi.al.