BE: Ndihma për Gazën e kufizuar, pavarësisht marrëveshjes me Izraelin
Ka pasur disa sinjale se më shumë kamionë dhe furnizime po mbërrijnë në Gazë, por Bashkimi Evropian nuk sheh përmirësim të mjaftueshëm në terren, tha sot shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, përpara një takimi me zyrtarë të lartë të Lindjes së Mesme dhe BE-së, në Bruksel.
“Situata në terren, në Gazë është serioze. Është një gjë të nënshkruash marrëveshje në letër dhe një tjetër t’i zbatosh ato”, tha Kallas.
BE-ja arriti një marrëveshje me Izraelin javën e kaluar për të përmirësuar situatën humanitare në Rripin e Gazës, duke përfshirë rritjen numrit të kamionëve me ndihma dhe hapjen e pikave të kalimit dhe rrugëve të caktuara të ndihmës.
“Më kërkuan të hartoja një listë me sanksione, tani u takon 27 vendeve të vendosin se çfarë duhet të bëjnë”, tha Kallas duke iu referuar masave te mundshme kundër Izraelit për shkelje të të drejtave të njeriut.
Në qershor të vitit 2025, Spanja, Irlanda dhe Sllovenia kërkuan pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.
Suedia gjithashtu i ka kërkuar Këshillit Evropian të miratojë sanksione kundër ministrave izraelitë që promovojnë aktivitete të paligjshme të vendbanimeve dhe punojnë në mënyrë aktive kundër një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete.
Në përputhje me rrethanat, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas ka propozuar një listë të sanksioneve ndaj Izraelit, të cilat do të diskutohen në Këshillin e ardhshëm të BE-së.