Interi ka arritur marrëveshje personale me Ademola Lookman – kërkohet nga Atalanta që të ulet çmimi
Ademola Lookman është kthyer në objektivin kryesor të Interit, ndërsa klubi zikaltër synon të përforcojë repartin ofensiv pas largimeve të Joaquin Correa dhe Marko Arnautovic në fund të sezonit 2024/25.
Sipas Corriere dello Sport, drejtuesit e Interit tashmë kanë arritur një marrëveshje personale me sulmuesin nigerian, i cili është shpallur së fundmi edhe Lojtari Afrikan i Vitit, por bisedimet me Atalantën për çmimin e kartonit të tij mbeten ende në zhvillim.
Atalanta ka vendosur një çmim prej 50 milionë eurosh për 27-vjeçarin, por Interi shpreson ta mbyllë marrëveshjen për rreth 40 milionë euro – një shumë që klubi është i gatshëm ta paguajë pa qenë nevoja të shesë ndonjë lojtar të ekipit të parë.
Sipas Sky Sport Italia, kjo shumë është në dispozicion menjëherë dhe nuk do të ndikohet nga lëvizjet e tjera të afatiti kalimtar. Megjithatë, pa një marrëveshje me Atalantën, pavarësisht akordit me lojtarin, transferimi nuk mund të zyrtarizohet.
Shpejtësia, driblimi dhe ndjesia për golin e bëjnë atë një nga sulmuesit më të kërkuar në Itali këtë verë.
Në rast se nuk arrihet marrëveshja për Lookmanin, Interi ka në listë edhe disa alternativa. Sipas përditësimit të së mërkurës, emrat që po shqyrtohen janë: Christopher Nkunku (Chelsea), Nico Gonzalez (Juventus) dhe Jadon Sancho (Manchester United).
Interi mbetet optimist për të mbyllur me sukses operacionin për Ademola Lookman, një lojtar që do të shtonte eksplozivitet dhe cilësi në repartin sulmues të kampionëve të Italisë. Negociatat me Atalantën pritet të vazhdojnë intensivisht në ditët në vijim. /Telegrafi/
The post Interi ka arritur marrëveshje personale me Ademola Lookman – kërkohet nga Atalanta që të ulet çmimi appeared first on Telegrafi.