Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 July 2025Main stream

Aksident në Elbasan/ Makina merr para biçikletën, lëndohet rëndë 60-vjeçari

By: Rovena
14 July 2025 at 21:43

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne, rreth orës 20:40, në aksin rrugor Elbasan – Metalurgji, në afërsi të vendit të njohur si “Ish qendra tregtare”. Sipas burimeve nga vendngjarja, një automjet ka përplasur një person rreth 60 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë. Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar drejtuesit të biçikletës dëmtime në kokë.

Për shkak të goditjes  së rëndë, i plagosuri është  nisur nga Elbasani me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit./abcnews.al

BE: Negociata me Trump/ Tarifat: Unioni nuk përjashton kundërpërgjigje ndaj SHBA

By: Rovena
14 July 2025 at 21:30

Ministrat e Bashkimit Evropian ranë dakord në takimin që patën këtë të hënë që të përqendrohen në negociata intensive me Shtetet e Bashkuara për të shmangur tarifat e reja prej 30% ndaj importeve Europiane, të cilat presidenti Amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se do të hyjnë në fuqi në 1 gusht.

Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maros Sefcovic (Maros Sefkovic), paralajmëroi se një tarifë e tillë do të “shkatërronte tregtinë transatlantike” dhe do të kishte pasoja të mëdha për zinxhirët e furnizimit dhe ekonominë në të dy anët e Atlantikut. Ai shtoi se ndonëse kërcënimi ka krijuar një “dinamikë të re”, negociatat janë ende të hapura dhe mund të sjellin një rezultat të mirë për të dyja palët.

“Një tarifë 30% e bën pothuajse të pamundur të vazhdohet tregtia si më parë. Prandaj do të bëj gjithçka për të shmangur këtë skenar jashtëzakonisht negativ,” tha Sefcovic para takimit të ministrave të BE-së për çështjet tregtare. Edhe pse Trump ka dërguar një letër zyrtare për vendosjen e tarifave, BE ende beson se negociatat me SHBA-të mund të vazhdojnë. Megjithatë, Komisioni Evropian ka theksuar se BE-ja duhet të përgatitet për çdo skenar, përfshirë edhe kundërmasa ndaj Washingtonit.

Komisioni ka propozuar pezullimin e paketës së parë të tarifave të mundshme kundër mallrave amerikane në vlerë prej 21 miliardë eurosh, për të zbutur marrëdhëniet me Washingtonin.

Megjithatë mediat ndërkombëtare shkruajnë se Unioni 27 anëtaresh mund të përgatis edhe një paketë të dytë që do të godiste mallrat amerikane me vlerë prej 72 miliardë eurosh. Ministri i Jashtëm danez, deklaroi se është ende herët për kundërmasa, por BE duhet të jetë gati për çdo hap të nevojshëm.

“Nëse do paqe, duhet të përgatitesh për luftë. Dhe mendoj se kjo është situata ku ndodhemi,” u shpreh ai. Ndërkohë, Ministri francez për Tregtinë, kërkoi që BE të shkojë përtej propozimeve të Komisionit dhe të shqyrtojë goditjen edhe ndaj shërbimeve amerikane apo përdorimin e një instrumenti financiar që lejon BE-në të hakmerret kundër vendeve të treta që ushtrojnë presion ekonomik ndaj vendeve anëtare./abcnews.al

Trump kërcënon Putin me tarifa/ “Tarfia 100% për mallra ruse, nëse nuk mbyll luftën për 50 ditë”

By: Rovena
14 July 2025 at 21:20

Shtetet e Bashkuara do të tarifojnë Rusinë me 100% tarifa tregtare nëse Vladimir Putin nuk pranon t’i jap fund luftës me Ukrainën brenda 50 ditësh. Ishte ky njoftimi i fortë i paralajmëruar nga Presidenti Amerikan që u dha këtë të hënë nga Shtëpia e Bardhë, pasi Trump takoi Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se presioni, i tij tregtar ka shërbyer për të ndalur dhe parandaluar disa luftëra, ku mes tyre sipas asaj që Trump tha ishte edhe një luftës mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jemi shumë të pakënaqur me Rusinë dhe ne do të vendosim tarifa shumë të ashpra nëse ata nuk arrijnë një marrëveshje paqeje brenda 50 ditësh. Tarifa tregtare prej 100%, do ti quaja tarifa dytësore dhe ju mund ta kuptoni se çfarë do të thotë kjo. Ne kemi qenë të suksesshëm në zgjidhjen e shumë luftërave nëpërmjet presionit tregtar. Keni Indi – Pakistan, keni Ruandë – Kongo keni gjithashtu Kosovën dhe Serbinë. E përdora tregtinë për ta ndalur këtë luftë mes tyre”, tha Trump.

Donald Trump tha se është koha që Vladimir Putin ti kthejë vendit të tij ekonominë që meriton, ndërsa shtoi se nuk është i sigurt nëse tani ne këto momente duhen Sanksione te reja ndaj Rusisë. Presidenti Amerikan tha se ai ka folur disa herë me Presidentin Rus dhe tha se bisedimet me të ishin shumë të mira, por shtoi se Kreu i Kremlinit sapo mbyllte telefonatën me të zgjidhte të bombardonte qytetet Ukrainës duke shfaqur qarte zhgënjimin me të.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë dha më shumë detaje edhe mbi armët që Washingtoni do ti jap Ukrainës ku theksoi se pagesat e këtyre armëve prej miliarda dollarësh  do të bëhen nga Bashkimi Europian dhe nga NATO, duke shtuar se kjo nuk do të jetë më një barrë vetëm e Amerikës. Trump tha se në dërgesat e armëve për Ukrainën  do të ketë edhe armë të tjera përveç sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot, por për diçka të tillë nuk dha më shumë detaje.

Në rastet e nevojave urgjente Kreu i shtëpisë së Bardhë tha  se armët për Ukrainën mund të dërgohen nga bazat amerikane në Europë dhe më pas Washingtoni do ti zëvendësoj ato në vende siç është Gjermania. Hapi i fundit i Donald Trump për të shtuar presionin maksimal ndaj Rusisë vjen pasi Presidenti Amerikan ka deklaruar më herët se mbyllja e luftës në Ukrainë mbetet një nga prioritetet e tij kryesore./abcnews.al

Bejko këshillon partitë e vogla për të çarë në sferën politike: Ndërtoni identitet mbi vlera

By: Rovena
14 July 2025 at 20:48

I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti politik Roland Bejko theksoi se për të çarë në skenën politike, partitë e vogla duhet të ndërtojnë një bazë të qëndrueshme mbi parime dhe vlera të qarta. Sipas tij, këto forca nuk mund të funksionojnë si modele autoritare, por duhet të gjejnë një kohezion të brendshëm dhe të ndërtojnë një marrëdhënie të shëndetshme mes anëtarëve të tyre, e cila nuk duhet të prishet përmes përplasjeve publike.

Bejko nënvizoi se partitë që synojnë të sjellin ndryshim duhet të kenë si udhërrëfyes vlerat demokratike, tolerancën, komunikimin e hapur dhe përkushtimin ndaj çështjeve thelbësore si liria, ndërtimi i shtetit dhe reforma sociale e ekonomike.

“Gjithçka që këta e kanë realizuar shumë gjatë dhe në detaj se si është paraqitur politika në 35 vite dhe e kanë paraqitur atë në fushata që kanë bërë, në studio dhe në biseda individuale. Këta duhet t’i kenë manual mbi tavolinë, duhet që të mbështeten në vlera morale, në parime të qëndrueshme, mbi tolerancën pa diskutim dhe duhet që të gjejnë një kohezion të brendshëm, sepse nuk mund që të funksionojë një parti moderne mbështetur tek autoritarizmi i një lidershipi të caktuar dhe tek disiplina. Këta janë të detyruar që të bashkëjetojnë në koherencë dhe të ndërtojnë disa shtylla pricipale mbi të cilat këta nuk duhet t’i negociojnë me asnjë siç janë çështjet e lirisë, të komunikimit dhe njëri-tjetrin, me shtet bërjen, me republikën me gjithçka që është keq në aspektin politik, por dhe ekonomik, social e të tjera. Këta duhet të ruajnë fillimisht një marrëdhënie të brendshme, të ruajnë njëri-tjetrin dhe të mos i zgjidhin në debate publike”, tha Bejko./abcnews.al

Përplasje dhe zhgënjim në “Real Story”: Leka dhe Bejko kritikojnë krizën morale në koalicionin “Shqipëria Bëhet”

By: Rovena
14 July 2025 at 20:29

Në një debat të ngarkuar emocionalisht në studion e emisionit Real Story në ABC News, gazetari Martin Leka dhe analisti Roland Bejko shprehën shqetësimin e tyre mbi situatën aktuale politike dhe përçarjet brenda koalicionit “Shqipëria Bëhet”. Leka u shpreh i zhgënjyer nga zhvillimet e fundit, duke vënë në dyshim nëse votat e marra nga ky koalicion përfaqësojnë shpresën e qytetarëve, apo janë produkt i zhgënjimit të thellë ndaj opozitës dhe mazhorancës.

Sipas Lekës, morali dhe ideja fillestare e bashkimit për ndryshim janë komprometuar, dhe bashkëpunimi me nismën “Thurje” duhet të rishqyrtohet. Ai shtoi se mandati, sipas parimeve të shpallura nga vetë drejtuesit e koalicionit, duhet t’i kishte kaluar kandidatit Shabani.

“Jam i zhgënjyer nga e gjithë kjo që ndodh. Jam shumë në dilemë se shumë vota që i kanë shkuar Shqipëria Bëhen janë vota të shpresës, apo thjesht të zhgënjimit nga opozita apo mazhoranca. Është një spektakël i shëmtuar. Nëse ne i shkojmë idesë që duhet të ngjallim shpresë, shpesa është tek fjala që hyn. Sipas fjalës së Lapajt, mandati sot duhet të merrte Shabani Në këtë situatë unë mendoj, se për hir të së vërtetës koalicioni ‘Shqipëria bëhet’ dhe nisma ‘Thurje’ duhet prishur, është prishur morali i koalicionit dhe idesë për të cilën kanë hyrë në këto zgjedhje”, tha Martin Leka.

Analisti Roland Bejko e cilësoi si të dhimbshme çfarë po ndodh me koalicionin, duke theksuar se, pavarësisht arritjes së 200 mijë votave, një sukses në kushtet e sistemit aktual zgjedhor dhe përballë figurave dominante si Rama dhe Berisha brenda strukturës është shfaqur një krizë e thellë identiteti dhe morali. Ai kritikoi mungesën e një ideologjie të qartë, duke thënë se përplasjet mes drejtuesve dhe debati publik e kanë dëmtuar rëndë imazhin e kësaj force politike.

“200 mijë vota nuk janë pak Këta janë më të votuarit dhe u mërzita shumë. Të kesh dy dinozaur të mëdhenj si Rama e Berisha dhe me këtë Kod Zgjedhor është arritje për partitë e vogla. Kam qenë pesimist se do të prisheshin. Ju mund edhe ta mbani këtë koalicion, por moralisht keni rënë. Nuk keni më një ideologji. Deri dje PD ka patur një program të djathtë që nuk e zbatoi dot kurrë. Sot nuk ka ideologji, ka vetëm Berishën. PD u ndërtua rreth një ëndrre të cilën e prishi Sali Berisha rrugës. Nuk mendoj se partia juaj do të fitonte. Unë personalisht për ty kam qenë në mbështetje, jam investuar dhe të kam dhënë vota. Në këtë moment, më dhimbset kjo që po ndodh, po humbet. U krijua perceptimi se edhe si gjithë të tjerët po ziheni për pushtet. Në këto kushte partia juaj nuk do të shkonte lart, sepse filluar cicmicet e vogla. Debati që bëri Lapaj dhe Qorin iu dëmtoi, që bëri Shehaj me Lapajn iu dëmtoi. Debatet me të mëdhenjtë dhe me të vegjlit ju ka dëmtuar”, tha Bejko i prerë./abcnews.al

Sarandë/ U kapën me armë dhe tentuan t’i iknin policisë, lihet në burg ushtari i Admir Tafilit dhe dy tjerët nga Kamza

By: Rovena
14 July 2025 at 19:35

Gjykata e Sarandës ka lënë në burg 3 persona, të cilët lëvizin me armë në një automjet luksoz të premten në mbrëmje. Me kërkesë të Prokurores Hava Memko, Gjyqtari Fatmir Ndreu caktoi sot masën e sigurisë “Arrest në burg” për 27-vjecarin Endrit Doku, 27-vjecarin Ervis Cukali dhe 21-vjecarin Imer Gega, të tre nga Kamza.

Ata u ndaluan mbrëmjen e së premtes nga efektivët e forcave “Shqiponja” të Komisariatit të Sarandës, në rrugën “Butrinti”, teksa lëviznin me një automjet luksoz “Porsche” Panamera. Njëri prej tyre, pikërisht Endrit Doku, tentoi t’i largohej kontrollit duke u hedhur në det bashkë me çantën që mbante në krah.

Ai u arrit të kapej nga skafi i policisë kufitare Sarandë, ndërsa një polumbar gjeti në thellësi çantën bashkë me armën e zjarrit pistoletë brenda saj. Ndaj tij policia ngriti akuzën “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit” dhe “kundërshtim i punonjësit të rendit publik.

Ndërsa dy të tjerët u arrestuan për akuzat “moskallëzimi i krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Cukali ndërkohë rezultoi person në kërkim prej dy vitesh për “sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake”, për një ngjarje të ndodhur në Fier ku u zbuluan 21 kg tritol./abcnews.al

“Krimet e tij rrëqethin”, Çupi: Berisha, figura më përçarëse në historinë politike të Shqipërisë

By: Rovena
14 July 2025 at 18:38

Analisti Frrok Çupi, i ftuar në emisionin Tirana Live në ABC News, ka bërë deklarata të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilin e cilësoi si një nga figurat më të rrezikshme dhe përçarëse në historinë politike të vendit.

Çupi u shpreh se nga Berisha mund të pritet gjithçka e keqe, pasi ai e sheh veten në fundin e rrugës politike dhe përpiqet të tërheqë pas vetes sa më shumë, përfshirë edhe vetë vendin.

Sipas tij, Berisha është një figurë që nuk di të ndalet dhe urren gjithçka që nuk e kontrollon, duke përhapur konflikt dhe përçarje që në fillesat e karrierës së tij. Çupi theksoi se ndonëse Shqipëria i ka bërë shumë favore, ai nuk ka ditur kurrë t’i vlerësojë ato dhe ka reaguar me dhunë e urrejtje, madje edhe ndaj njerëzve të tij.

Çupi kritikoi ashpër edhe mangësitë në legjislacionin shqiptar, që sipas tij kanë lejuar që Berisha të mos përballet me drejtësinë për veprimet e tij. Sipas analistit, veprime të fundit të Berishës, si ngjarja në Theth, janë dëshmi e qëndrimit të tij të pandryshuar ndaj Shqipërisë dhe dëshirës për të destabilizuar vendin.

“Nga Sali Berisha pret gjithçka të keqe dhe të dëmshme. Berisha e shikon veten në fund të botës dhe kërkon që të tërheqë sa më shumë afër vetes, qoftë edhe vendin. Vendi i ka bërë ndere të mëdha, por një personi që nuk di ta vlerësojë. Berisha nëse nuk pushon diçka e urren. E gjithë historia është kështu që nga njerëzit e vet, që nga Tropoja. Nisi pushimin dhe vrau 200 të rinj dhe të reja, që janë tropojanë të gjithë. Berisha është i vetmi nga udhëheqësi shqiptarë, që ndahet për përçarjen e vendit nga udhëheqësit e vet. Në këtë rast bie në sy mungesa e legjislacionit shqiptar. Është një dobësi e ligjit që e ka mbajtur këtë njeri të tillë. Berisha është njeriu më i urryer dhe i neveritur i këtij vendi, e çfarë nuk i ka bërë këtij vendi. Përveç atyre që janë të denoncuara zyrtarisht, ka shumë denoncime. Berisha i ka marrë veriorët si mish për top, për të sulmuar jugun. Aktet e Sali Berishës rrëqethin, e do vendin të shkatërruar nga konfliktet e të tjera. Ai nuk e njeh Shqipërinë dhe nuk e do kështu. Ai “teatri” që ndodhi në Theth, ishte lëkura e Berishës”, tha analisti Frrok Çupi./abcnews.al

Tre vatra zjarri në Drenovë të Mallakastrës, shërbimet zjarrfikëse në luftë me flakët

By: Rovena
14 July 2025 at 18:08

Tre vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Drenovë të Mallakastrës.

Shërbimet zjarrfikëse janë duke u përpjekur të mbajnë nën kontroll flakët deri në mbërritjen e helikopterit teksa flakët janë shtrirë në një sipërfaqe të gjerë të favorizuara edhe nga era e fortë.

Zjarri vijon të jetë aktiv që nga orët e para të mëngjesit të sotëm pas riaktivizimit.

Flakët aktualisht po përhapen në masivin pyjor me pisha ndërsa në orët e paradites u dogjën edhe ullishte./abcnews.al

Katër viktima nga një aksident ajror në Londër

By: Rovena
14 July 2025 at 17:52

Katër persona kanë humbur jetën pas një aksidenti ajror të ndodhur të dielën në Aeroportin Southend, në Londër, raportoi agjencia e lajmeve PA. Ngjarja tragjike ndodhi gjatë orëve të pasdites, ndërsa shkaqet e rrëzimit të avionit të vogël mbeten ende të paqarta. Menjëherë pas përplasjes, mjeti fluturues shpërtheu në flakë.

Autoritetet vendase kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Policia e Essex-it dhe Shërbimi i Ambulancës reaguan menjëherë ndaj thirrjeve për ndihmë, pas raportimeve se një avion rreth 12 metra i gjatë ishte përplasur në tokë.

Kompania Zeusch Aviation, e cila operon nga Aeroporti Lelystad në Holandë, konfirmoi se fluturimi SUZ1 ishte përfshirë në aksidentin e ndodhur. Sipas faqes zyrtare të kompanisë, avioni përdorej për fluturime mjekësore, duke transportuar pacientë ose organe për transplant.

Dega për Hetimin e Aksidenteve Ajrore (AAIB) ka hapur një hetim zyrtar dhe ka dërguar një ekip multidisiplinar në vendngjarje, që përfshin ekspertë nga fusha të ndryshme si operacionet ajrore, faktorët njerëzorë, inxhinieria dhe analizimi i të dhënave të regjistruara.

Dëshmitarë okularë kanë rrëfyer për mediat britanike momentet dramatike të aksidentit. “Piloti u rrotullua me kokë poshtë dhe avioni u përplas në tokë. Ishte në ajër vetëm për disa sekonda përpara se të shpërthente në flakë. Ishte zjarr dhe tym gjithandej. Fatmirësisht, vajza ime nuk po shikonte drejt avionit në atë moment,” tha një dëshmitar./abcnews.al

 

Australia organizon stërvitjen më të madhe ushtarake ndonjëherë

By: Rovena
14 July 2025 at 17:25

Stërvitjet më të mëdha të luftës në Australi, Ushtrimi Talisman Sabre, janë duke u zhvilluar dhe pritet të tërheqin vëmendjen e anijeve spiune kineze. Australia lëshoi raketa nga Sistemi i saj i Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë M142, i njohur si HIMARS, gjatë ushtrimeve me zjarr të vërtetë në Zonën e Stërvitjes Shoalwater Bay, një hapësirë prej 4,500 kilometrash katrorë në shtetin Queensland.

HIMARS u blenë së fundmi nga SHBA.
“Sot ishte hera e parë që Ushtria Australiane ka qëlluar me zjarr të vërtetë platformat tona me rreze të gjatë veprimi, të cilat janë HIMARS, kështu që është një ditë e jashtëzakonshme”, tha Nick Wilson.

Talisman Sabre filloi në vitin 2005 si një stërvitje e përbashkët dyvjeçare midis SHBA-së dhe Australisë.

Bëhet e ditur se këtë vit, më shumë se 35,000 personel ushtarak nga 19 vende, duke përfshirë Kanadanë, Fixhin, Francën, Gjermaninë, Indinë, Indonezinë, Japoninë, Holandën, Zelandën e Re, Norvegjinë, Papua Guinenë e Re, Filipinet, Korenë e Jugut, Singaporin, Tajlandën, Tongën dhe Mbretërinë e Bashkuar, do të marrin pjesë gjatë tre javëve.

Malajzia dhe Vietnami po marrin pjesë gjithashtu si vëzhgues.

Stërvitja do të zhvillohet gjithashtu në Papua Guinenë e Re, fqinjin më të afërt të Australisë, duke shënuar kështu herën e parë që aktivitetet e Talisman Sabre mbahen jashtë Australisë.

Ndryshe, stërvitja filloi zyrtarisht të dielën me një ceremoni në Sydney.

Presidenti Zelensky propozon zgjatjen e ligjit ushtarak

By: Rovena
14 July 2025 at 17:05

Volodymyr Zelensky ka propozuar zgjatjen e ligjit ushtarak, raportojnë mediat shtetërore ukrainase. Aktualisht, gjendja ushtarake dhe mobilizimi në Ukrainë do të zgjasin deri më 6 gusht.

Por zgjatja e planifikuar, raporton Suspilne, do të shtonte 90 ditë, duke e çuar deri më 5 nëntor nëse miratohet në parlament.

Parlamenti i Ukrainës votoi për herë të fundit për të zgjatur gjendjen ushtarake më 16 prill, dhe e ka bërë këtë gjatë gjithë luftës. Vendi ka qenë nën gjendje ushtarake që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt 2022.
Yesterday — 13 July 2025Main stream

Rriten helmimet nga alkooli/ Mjekët: Kryesisht të rinjtë, e përziejnë me drogën

By: Rovena
13 July 2025 at 15:43

Vera shton festat e bashkë me to dhe konsumin e alkoolit.  Abuzimi me sasinë dhe përziera me substanca narkotike ka shtuar  dhe helmimet.

Mjekët në shërbimin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë thonë se janë në fluksin e punës.

“Me rritjen e temperaturave kanë filluar të rriten dhe rastet toksikologjike. Më shumë intoksikacione nga alkooli, së bashku dhe substancat e tjera. Rritet sasia e konsumimit të alkoolit gjithashtu dhe kombinimi me substanca të tjera, lëndë narkotike. Alkooli varjon nga birra, vera dhe kokteilet e ndryshme, të gjitha llojet”, tha mjekja Matilda Kambo.

Pacientët më të shpeshtë që kërkojnë ndihmën e mjekëve toksikologë  janë djem dhe vajza, kryesisht të rinj. Më shumë gjatë fundjavës. Disa prej tyre paraqiten dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Në përgjithësi gjatë fundjavës rastet dhe rriten për shkak dhe të festave që ndodhin dhe në sezonin veror. Raste që vijnë në urgjencë, por duke përmendur këtu dhe rastet që hospitalizohen për shkak të varësive të ndryshme”, shtoi Matilda Kambo.

Mund të vijnë dhe në koma alkoolike. Pra niveli i alkoolit është aq i lartë sa pacienti fillon dhe humbet koshiencën. Duhet të marrë terapi  dhe të dalë nga gjendja. Kryesisht janë të rinj, variojnë moshat 20, 25,  30, 35 vjeç.

Ndërkohë  që  këto kohë temperaturash të larta alkooli  mund të bëhet shkak për  helmime të rënda  mjekët rendisin dhe të tjera  dëmesh që vijnë prej tij.

“Alkooli është drogë si të gjithë drogërat e tjera dhe alkooli dëmton.  Dëmton organizmin, dëmton zemrën, dëmton trurin, na plak, demenca e alkoolit, alkooli nuk ka freskon,  alkooli na dehidron dhe na sëmur”, përfundoi mjekja.

Të shumtë kanë qenë dhe turistët të cilët për shkak të teprimit me alkoolin  kanë kërkuar ndihmë pranë urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë./abcnews.al

Stuhitë e fuqishme dhe përmbytjet përfshijnë Spanjën

By: Rovena
13 July 2025 at 15:07

Disa zona në Spanjë, përfshirë bregdetin e Katalonjës, Aragonin dhe Castellonin, janë përfshirë nga alarme për stuhi dhe reshje të forta, njofton Associated Press.

Një mesazh paralajmërues u dërgua në telefonat celularë të popullsisë për të paralajmëruar reshjet e rrëmbyeshme.

“Reshjet do të shoqërohen me stuhi, erëra të forta dhe vetëtima. Shmangni udhëtimet këtë pasdite të së shtunës dhe ndiqni të gjitha këshillat”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga agjencia meteorologjike e Katalonjës

Pamjet nga zjarrfikësit e Katalonjës dhe Qeveria e Castellonit në Valencia kanë treguar për rrugë të përmbytura dhe zona të tjera që janë goditur nga shirat e dendur.

Agjencia kombëtare e motit AEMET ka bërë të ditur se ekzistojnë gjasa të larta për përmbytje të menjëhershme në tetë provinca, përfshirë në Huesca, Teruel dhe Zaragoza, si dhe Barcelonë, Girona, Lleida, Tarragona e Castellón.

Alarmi është luhatur mes nivelit të kuq dhe atij portokalli, dhe pritej të çaktivizohej në mbrëmjen e së shtunës, teksa të gjitha shërbimet lokale dhe rajonale të trenave në Katalonjë u pezulluan për disa orë

Ndër të tjera, një njësi e emergjencave në kuadër të Ushtrisë spanjolle u dislokua në qytetin verilindor të Zaragozës, pas stuhive të forta që shkaktuan përmbytje në gjithë provincën.

Pamjet e publikuara nga Njësia e Emergjencave Ushtarake (UME) kanë shfaqur ekipet e ndërhyrjes duke larguar ujin e tepërt dhe duke vendosur barriera rrugore për të parandaluar përmbytje të mëtejshme.

Ekipet lokale të shpëtimit në Zaragoza nuk kanë raportuar për viktima.

Aksidenti i rëndë në autostradën Tiranë–Durrës ku humbi jetën 18-vjeçari, arrestohet i riu në Tiranë

By: Rovena
13 July 2025 at 15:02

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 19-vjeçar, përgjegjës për aksidentin tragjik që ndodhi ditën e djeshmë në autostradën Tiranë–Durrës, ku për pasojë humbi jetën një 18-vjeçar dhe mbeti i dëmtuar pasagjeri tjetër.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor Tiranë arrestuan shtetasin D. D., 19 vjeç, pasi ditën e djeshme, në autostradën “Tiranë–Durrës”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti  ka humbur jetën pasagjeri, shtetasi E. B., 18 vjeç, banues në Durrës, si dhe janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe pasagjeri tjetër, shtetasi E. Sh., 19 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton policia e Tiranës./abcnews.al

I shpallur në kërkim për kultivim të lëndëve narkotike/ Arrestohet 25-vjeçari në Lezhë

By: Rovena
13 July 2025 at 14:52

Policia e Lezhës ka arrestuar një 25-vjeçar të shpallur më parë në kërkim për kultivim të lëndënve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, të zhvilluar më datë 25.05.2025, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim:M. B., 25 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, të kryera në bashkëpunim”, njofton policia./abcnews.al

Policia e Shtetit vlerësohet sërish për masat e marra në Giro d’Italia dhe në edicionin e 82-të, të Turit Çiklistik të Shqipërisë

By: Rovena
13 July 2025 at 14:12

Pas vlerësimit të parë nga RCS Sport & Events, organizatorja ndërkombëtare e Giro d’Italia, Policia e Shtetit ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm për angazhimin e saj maksimal dhe profesionalizmin në garantimin e sigurisë gjatë dy eventeve të mëdha sportive: Giro d’Italia dhe Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, me porosi të Presidentit të Unionit Europian të Çiklizmit (UEC), Enrico Della Casa, dhe Presidentit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), David Lappartient, i dhuroi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, kaskën e një prej çiklistëve të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë simbolike mirënjohjeje për punën dhe kontributin e Policisë Shqiptare.

Takimi u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u theksua roli i jashtëzakonshëm i strukturave policore në mbarëvajtjen e të dy garave.

“Është kënaqësi që ndodhem në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe pranë zotit Proda. Ndihem mirë për vlerësimet që janë bërë nga Federata Botërore, si për Giro d’Italia, ashtu edhe për xhiron e Shqipërisë. Një nga komisarët më të rëndësishëm të gjithë gjykimeve që ka bërë në Evropë dhe në Ballkan, më ka thënë dy fjalë në Vlorë që më janë ngulitur në kokë. Kur erdha, tha, për në Shqipëri, më kishin folur jashtëzakonisht, në kuptimin që ky shtet ka probleme, por në organizimin e Policisë së Shtetit është një nga policitë që mund të merren shembull në Ballkan dhe në Evropë. Më e rëndësishmja ishte që nuk pati asnjë rrëzim. Ky është një lloj sporti që ka shumë probleme, me rrezik, dhe u mbyll Giro d’Italia në mënyrë të shkëlqyer. Dhe erdhi qershia mbi tortë: xhiroja e Shqipërisë. Ndaj jemi këtu për të falënderuar Policinë, nga punonjësi më i thjeshtë deri te Drejtori i Përgjithshëm, zoti Proda. Kemi sjellë një kaskë të Giro d’Italia, të një prej çiklistëve të ekipit Movistar, në emër të Presidentit të UCI-së, si një dhuratë për Policinë Shqiptare”, tha Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku.

“Faleminderit, vlerësim i madh për Policinë e Shtetit. Jam i nderuar të kem sot në Drejtorinë e Policisë Presidentin e Federatës së Çiklizmit, zotin Anxhaku. E kam thënë edhe më parë: ta shikoje garën, ishte spektakolare, por të shërbeje për të marrë masat e sigurisë që gara të zhvillohej, ishte akoma edhe më spektakolare. Falënderoj për vlerësimin Federatën e Çiklizmit. Është një nder i veçantë dhe siguroj që Policia e Shtetit është e gatshme të ofrojë shërbime sigurie për çdo lloj aktiviteti sportiv në vend, jo vetëm për çiklizmin”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Në përfundim të takimit, Anxhaku i ka dorëzuar zyrtarisht Drejtorit të Përgjithshëm kaskën e çiklistit të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë vlerësimi në emër të drejtuesve të UEC dhe UCI.

I zhdukur prej gati një muaji/ Familja kërkon ndihmë për gjetjen e 23-vjeçarit: Së fundi ka qenë në Francë

By: Rovena
13 July 2025 at 13:53

Një 23-vjeçar rezulton i zhdukur prej më shumë se një muaji, ndërsa familjarët kanë bërë kallëzim në Policinë e Memaliajt për ndihmë në gjetjen e tij.

Një grua ka bërë kallëzim në Policinë e Memaliajt, pasi kërkon ndohmë për gjetjen e djalit të saj 23-vjeç. Ajo ka deklaruar se që prej 10 qershorit ka humbur kontaktet me djalin e saj, sipas saj i riu ka qenë së fundmi në Francë, por prej atëherë nuk ka pasur asnjë komunikim me ta.

Policia ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave dhe për gjetjen e të riut./abcnews.al

Korça preferohet edhe për arkeologjinë/ Mijëra turistë vizitojnë Tumën e Kamenicës

By: Rovena
13 July 2025 at 13:46

Në Korçë sitet arkeologjike po tërheqin gjithnjë e më tepër turistë. Një prej tyre ëshë Tuma e Kamenicës e cila daton prej shekullit të  XII para Krishtit.

Një grup historianësh të antikitetit, mjekësh dhe mësues nga Universiteti i Vjenës dhe Salsburgut kishin planifikur që një vit më parë për ta vizituar. Vizitorët mbetën të befasuar nga jao që panë.

“Punoj në departamentin e antikitetit në universitetin e Salsburgut dhe fokusi im janë arkeologjia nënujore dhe historia e mjekësisë.  Shumë mbresëlënëse, më pëlqeu shumë. Një zonë shumë e rëndësishme këtu dhe nga sa dëgjova ka një lidhje mes vendndodhjes dhe Tumës këtu gjë që është shumë e rrallë.  Është shumë e rëndësishme puna që është bërë këtu jo vetëm në anën e mjekësisë pra është shumë impresionuese. Shqipëria është një vend shumë interesant, jam i lumtur që jam këtu.   Kam qenë vite më parë dhe kam vizituar Butrintin dhe këtë herë kam parë shumë vende historike dhe arkeologjike”, tha një turist.

“Vij nga Vjena dhe jam mësuese e latinishtes ndaj jam shumë e interesuar për arkeologjinë e Ballkanit.  Ne kemi shumë studentë me origjinë nga vendet e Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Bosnja si edhe Shqipëria ndaj më shërben të kuptoj më shumë për vendet nga ata vijnë. Mendoj që është shumë interesante dhe keni bërë një punë shumë të mirë në mënyrën sesi e prezantoni historinë tuaj. Mendoj që është ende duke u zhvilluar dhe ajo që i shkrova bashkëshortit tim dje është që jam shumë kurioze sesi do të duket pas 10 vitesh ndaj shpresoj të vijmë pas 10 vitesh për ta pare”, u shpreh një turiste.

“Kemi 2-3 ditë që kemi ndërmarrë këtë tur dhe kemi parë Tiranën dhe Shkodrën. Jemi duke vizituar sitet antike dhe prehistorike dhe ky vend është shumë i pasur. Jam mësuese e latinishtes dhe anglishtes në Vjenë, Austri. Kemi një program shumë të ngjeshur, kemi parë gërmimet e Linit ishte një pamje shumë e bukur në liqen.  Është mahnitëse, kemi qenë më herët në një tur në Bullgari dhe aty kemi parë tuma të ngjashme, çka më kujton disi atë kulturë.   Interesi im kryesor është kultura romake dhe më pëlqeu shumë rruga Egnatia në Elbasan, por mendoj që ky muze këtu është shumë informues, dhe i mbajtur shumë mire”, shtoi një tjetër.

Në Tumën e Kamenicës  ndërtuar në shekullin e 12 para erës së re deri  tani janë zbuluar 400 skelete njerëzore të asaj periudhe dhe rreth 3500 objekte arkeologjike. Ajo përfaqëson monumentin më të madh mortor të zbuluar në Shqipëri./abcnews.al

❌
❌