Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 July 2025Main stream

Projekt për rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve, kalon në pronësi të MEKI

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Pallati i Kongreseve në Tiranë ka kaluar në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndërsa pritet zbatimi i projektit të investimit për rivitalizimin e godinës.

Këshilli i Ministrave miratoi sot ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Bashkia Tiranë te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të pasurisë me numër 7/74, në zonën kadastrale 8160, Tiranë, sipas planit të rilevimit, në funksion të realizimit të projektit të investimit “Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve”.

Pas këtij vendimi, kjo pronë do t’i hiqet listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Bashkisë Tiranë.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Vendimi për kalimin e pronësisë së Pallatit të Kongreseve u miratua në 24 korrik edhe nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë, Anuela Ristani, shpjegoi se me kalimin e viteve dhe pavarësisht mirëmbajtjes e kujdesit të vazhdueshëm, Pallati i Kongreseve ka paraqitur shenja amortizimi e degradimi.

“Vendimi synon të shndërrojë Pallatin e Kongreseve në një qendër multifunksionale për konferenca, evente kulturore”, shtoi ajo. /m.m/ j.p/

The post Projekt për rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve, kalon në pronësi të MEKI appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kredi me interes zero për disa kategori sociale, miratohen procedurat

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave përcaktoi sot institucionet përgjegjëse, si dhe procedurat e miratimit dhe të dokumentacionit që duhet të plotësojnë familjet që përfitojnë kredi me interes të barabartë me 0%, të subvencionuar nga buxheti i shtetit nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave.

Vendimi përfshin familjet që banojnë si qiramarrës në ish-pronë private, familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë, si dhe fëmijët në përkujdesje të Republikës.

Masa e subvencionit të interesave të kredisë për këto familje, për banesa me kosto të ulët, është me 0 % interes.

Aplikimi për përfitimin e kredisë me interes 0% kryhet nga kryefamiljari ose kujdestari ligjor në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, duke ngarkuar vërtetimin negativ nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes nuk figuron, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pronë e regjistruar ose në proces regjistrimi ose vërtetimin për një pronë që është nën normat e banimit.

Me kërkesë të Entit Kombëtar të Banesave, Ministria e Brendshme i përcjell EKB-së dokumentacionin që vërteton statusin e familjes aplikuese si familje e punonjësit të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë.

Individët ose familjet e miratuara për të përfituar kredi me interes 0% qëndrojnë në listë pritjeje pa afat kohor të caktuar.

Lista e familjeve, që plotësojnë kushtet për të përfituar kredi me interes 0 %, miratohet me vendim të komisionit ad hoc të kredisë, të ngritur pranë EKB-së. Komisioni ad-hoc ngrihet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Entit Kombëtar të Banesave, brenda 5  ditëve nga paraqitja e kërkesave. Komisioni shqyrton kërkesën brenda 10 ditëve nga ngritja e tij. Ndaj vendimit të refuzimit të komisionit, kërkuesit paraqesin ankim administrativ pranë EKB-së brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.

Listat e përfituesve përfshijnë të dhëna për përbërjen e familjes, sipas certifikatës familjare, strukturën e apartamentit që përfiton, si edhe të dhëna mbi gjendjen: e strehimit; familjare; sociale.

Procedura e dhënies së subvencionimit të interesave të kredisë zbatohet nga institucionet financiare me të cilat ministria përgjegjëse për strehimin ka lidhur marrëveshje. Në rastet kur kryefamiljari, emri i të cilit i është përcjellë institucionit financiar, në rastin e familjeve qiramarrëse në ish-pronë private, ka ndërruar jetë, institucioni financiar vijon me procedurat e përfitimit të kredisë, duke pasur parasysh certifikatën familjare të datës 1 dhjetor 1992, të vënë në dispozicion nga EKB-ja.

Listat e familjeve përfituese të programit të subvencionimit të interesave të kredisë me 0% interes i dërgohen institucionit financiar me të cilin është nënshkruar marrëveshja, si dhe çdo institucioni që do të monitorojë subvencionimin.

Enti Kombëtar i Banesave, në rolin e institucionit që zbaton programin, njofton institucionin financiar për ndërprerjen e subvencionimit të interesave të kredisë kur, nga verifikimet konstatohen: se qytetari nuk ka liruar banesën e pronarit brenda afatit të përcaktuar; falsifikime të dokumenteve apo deklarata të rreme; mangësi apo të meta në dokumentacionin e dosjes së familjes përfituese.
/m.m/j.p/

The post Kredi me interes zero për disa kategori sociale, miratohen procedurat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikonstruksioni i shkollës së mesme në Çorovodë, miratohen shpronësimet

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i shkollës së mesme “Ramiz Aranitasi”, Çorovodë, si dhe ruajtjes së perimetrit të sigurisë në shkolla”, Bashkia Skrapar.

Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Skrapar.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 105 974 (një milion e njëqind e pesë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katër) lekësh.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të vendimit në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3  muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Skrapar.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Skrapar, brenda 30 ditëve nga data e  miratimit të vendimit,  nis  procedurat  për  hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në  favor  të Bashkisë  Skrapar  për  pasuritë  e  shpronësuara.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

The post Rikonstruksioni i shkollës së mesme në Çorovodë, miratohen shpronësimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shoqëri aksionare për prodhimin dhe tregtimin e armëve, Qeveria miraton kushtet e negociimit të “KAYO”

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot kushtet e negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a, me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët për prodhimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve.

Sipas këtij vendimi, shoqëria “KAYO”, sh.a., negocion dhe pranon një pjesëmarrje jo më të ulët se 20 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., kontribuon në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 5000 m2, që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi dhe pa të drejtë transferimi të pronës, e cila do të mbetet në çdo rrethanë pronë e shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a.

Po ashtu, shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti më të cilin negocion, minimalisht një vlerë investimi jo më të ulët se 50 milionë euro.

Të tjera kushte janë ofrimi i linjave teknologjike të prodhimit ose montimit të armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë, si dhe sigurimi i rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin, montimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël dhe dronëve për Forcat e Armatosura dhe për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.

Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se administratori/ët e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.

Po ashtu, shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se, minimalisht 40 % e Këshillit Drejtues ose Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.

Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të ligjit“Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore, të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

/m.m/j.p/

The post Shoqëri aksionare për prodhimin dhe tregtimin e armëve, Qeveria miraton kushtet e negociimit të “KAYO” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kërkuan shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, Kushtetuesja rrëzon deputetët e opozitës

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e një të pestës së deputetëve të Kuvendit për shfuqizimin e ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për Zonat e Mbrojtura’”, si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Gjatë shqyrtimit të kritereve paraprake, Gjykata vlerësoi njëzëri, se pretendimet për lirinë e kërkimit shkencor dhe të sigurisë juridike në lidhje me komunitetin, janë pretendime të reja, të paraqitura pas çeljes së shqyrtimit gjyqësor, për rrjedhojë ato nuk mund të merren në shqyrtim.

Kurse për sa u përket pretendimeve për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit, parimeve të shtetit të së drejtës dhe të hierarkisë së akteve normative, Gjykata vlerësoi njëzëri se kërkuesi nuk ka sjellë argumente kushtetuese në mbështetje të tyre.

Për sa i përket pretendimit për papajtueshmërinë e ligjit me MSA-në dhe cenimin e acquies communitarire, qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë. Për rrjedhojë, për sa kohë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje, ky pretendim konsiderohet i rrëzuar.

Konkretisht, sipas njërit qëndrim, MSA-ja është një marrëveshje ndërkombëtare që synon një proces për t’u ndërmarrë nga shteti shqiptar, që i përcakton direktivat si bazë dhe referencë për përafrim të legjislacionit, por pa i bërë ato instrumente me forcë detyruese dhe pjesë të së drejtës së brendshme në kuptimin kushtetues dhe për këtë shkak kontrolli kushtetues, sipas nenit 122 të Kushtetutës, shtrihet vetëm për pajtueshmërinë e ligjit objekt shqyrtimi me nenin 108 të MSA-së.

Sipas qëndrimit tjetër, neni 108 i MSA-së nuk mund të shihet i shkëputur nga acquis communautaire pasi ndryshe do të mbetej pa substancë. Ndaj, në rastet kur kërkohet kontrolli i pajtueshmërisë së ligjit me MSA-në, neni 108 përfshin në përmbajtjen e tij edhe acquies communautarire, për rrjedhojë kontrolli duhet bërë duke konsideruar edhe përmbajtjen e direktivave në fjalë.

Gjykata vendosi të shqyrtojë në themel pretendimet që lidhen me procedurën parlamentare (që kanë të bëjnë me raportin shoqërues të projektligjit dhe konsultimin publik) dhe pretendimet që lidhen me përmbajtjen e ligjit në drejtim të pajtueshmërisë me marrëveshjet ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim dhe respektimit të identitetit kombëtar e trashëgimisë natyrore.

Për pretendimin për cenimin e nenit 82 të Kushtetutës në lidhje me raportin shoqërues të projektligjit që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij, qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë në dy drejtime, për rrjedhojë nuk u arrit numri i kërkuar prej 5 gjyqtarësh për vendimmarrje. Në këto kushte ky pretendim u rrëzua.

Konkretisht, sipas njërit qëndrim, u vlerësua se, në mënyrën sesi është formuluar ligji i kundërshtuar në lidhje me krijimin e Zyrave të Administrimit të Parqeve Kombëtare, duket se ai nuk sjell shpenzime financiare dhe për këtë qëllim llogaritja e tyre ishte pamundur të bëhej. Në verifikim të normës kushtetuese duket se qëllimi i kushtetutëbërësit nuk është verifikimi i masës së shpenzimeve, pra llogaritja e tyre, por përligjja e tyre.

Në këtë kuptim, për sa kohë që shpenzimet në këtë ligj janë të përligjura, për shkak të angazhimeve që ka marrë shteti shqiptar në kuadrin konventor të pasqyruar edhe në ligjin ekzistues, si edhe në konsideratë që edhe funksionet, në thelb, mbeten të njëjta, nuk duket se ka pasur nevojë për një përligjje të mëtejshme të këtyre shpenzimeve.

Sipas qëndrimit tjetër, u vlerësua se Zyra e Administrimit të Parqeve Kombëtare është një strukturë e re dhe në shtesë të funksioneve shtetërore aktuale i shtohen edhe funksionet e reja që kanë të bëjnë me planet e menaxhimit në përputhje me ndryshimet e reja ligjore që lejojnë veprimtarinë ekonomike, turistike dhe infrastrukturë mbështetëse për to.

Efektet financiare rezultojnë jo vetëm nga përmbajtja e ligjit që parashikon krijimin e këtyre zyrave, por konfirmohen edhe nga raporti i Komisionit të Ligjeve që ka pohuar se projektligji sjell efekte financiare.

“Neni 82, pika 1, i Kushtetutës vendos detyrimin që projektligji të shoqërohet kurdoherë kur është rasti me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij, pasi kjo është një çështje që ka të bëjë jo vetëm me financat publike, që merren në mbrojtje shprehimisht nga Kushtetuta, por edhe me faktin se procedura e hartimit, miratimit dhe zbatimit të buxhetit i nënshtrohet procedurave specifike kushtetuese, të cilat karakterizohen edhe nga parimi i transparencës dhe llogaridhënies. Ky detyrim nuk është përmbushur në këtë rast ndaj neni 17 i ligjit nr. 21/2024 dhe dispozitat e tjera që lidhen me të duhen shfuqizuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në lidhje me pretendimin për konsultimin publik, Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tij me arsyetimin si më poshtë.

Sipas nenit 56 të Kushtetutës e drejta e konsultimit publik përfshin jo vetëm informimin për gjendjen e mjedisit, por edhe informimin për mbrojtjen e tij. Ky nen, së bashku me nenin 8 të Konventës së Aarhus-it, përcakton detyrimin pozitiv për konsultim publik, i cili shtrihet si për aktet individuale dhe projektet konkrete, ashtu edhe për aktet rregullatore normative me natyrë të përgjithshme në fushën e mjedisit.

Gjykata vëren se ligji i kundërshtuar, i cili sjell ndryshime në zonat e mbrojtura, është qartësisht një ligj që ka të bëjë me mjedisin dhe për këtë arsye ai u analizua në këndvështrim të nenit 56 të Kushtetutës dhe nenit 8 të Konventës së Aarhus-it si më sipër.

“Edhe pse Konventa e Aarhus-it e ka kufizuar detyrimin për konsultim vetëm për aktet qeveritare dhe procedurat e ndërmarrë nga autoritetet publike ekzekutive dhe jo ndaj atyre legjislative, duke qenë se e drejta për t’u informuar për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij është një e drejtë kushtetuese, sipas nenit 56 të Kushtetutës, ajo shtrihet ndaj të gjitha organeve, përfshirë Kuvendin. Në këtë kuptim, në rastin në shqyrtim, nisma për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura është një nismë e deputetëve dhe pavarësisht faktit se ajo nismë ka pësuar ndryshime, ndër të tjera, bazuar në sugjerimet e Këshillit të Ministrave, ajo mbetet një nismë origjinale e deputetëve”, thuhet në njoftimi n e Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë shkak, Gjykata vlerëson se konsultimi publik i bërë nga Kuvendi në lidhje me draftin e paraqitur nga deputetët përmbush detyrimin e përcaktuar nga neni 56 i Kushtetutës dhe nuk cenon nenin 8 të Konventës së Aarhus-it, e cila, për sa më sipër, nuk gjen zbatim për Këshillin e Ministrave në përgatitjen e sugjerimeve të tij për ligjin, për sa kohë kjo nuk ishte një nismë ligjore qeveritare.

Pretendimet për cenimin e identitetit kombëtar dhe trashëgimisë natyrore, të parashikuar në Preambulën e Kushtetutës dhe për respektimin e detyrimeve ndërkombëtare, Gjykata vendosi t`i shqyrtojë ato së bashku në kuptim të nenit 122 të Kushtetutës. Në lidhje me thelbin e këtyre pretendimeve, Gjykata, me shumicë votash, vendosi rrëzimin e tyre, me arsyetimin si më poshtë.

Gjykata vëren se MSA-ja synon bashkëpunimin në luftën kundër degradimit të mjedisit, duke përcaktuar një proces përafrimi legjislativ pa vendosur detyrime konkrete të zbatueshme. Pavarësisht se në dukje ligji objekt kërkese liberalizon politikat shtetërore në administrimin e zonave të mbrojtura, ai, në thelb, përbën një ligj kuadër, i cili nuk është i vetëzbatueshëm dhe në vetvete nuk sjell pasoja dhe, për rrjedhojë, nuk cenon detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit sipas MSA-së.

Gjykata u ndal në mënyrë të posaçme në përputhshmërinë e ligjit objekt shqyrtimi me nenin 108 të MSA-së, i cili parashikon se “Palët do të zhvillojnë dhe forcojnë bashkëpunimin në detyrën shumë të rëndësishme të luftës kundër degradimit mjedisor, me synim promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore”.

Gjykata vlerësoi se ky nen synon bashkëpunimin në luftën kundër degradimit mjedisor dhe arriti në përfundimin se ligji i kundërshtuar, duke qenë ligj kuadër, edhe pse shton disa elemente të reja të administrimit të zonave të mbrojtura në raport me ligjin ekzistues, nuk duket të sjellë pasoja konkrete të drejtpërdrejta në këtë drejtim.

Duke pasur parasysh se për zbatimin e ligjit do të nxirren VKM-të specifike për shpalljen e zonave të mbrojtura, të cilat do të bëjnë përcaktimet e detajuara përkatëse për secilën zonë, vetëm në atë moment mund të verifikohet mospërputhja me detyrimet ndërkombëtare sipas nenit 108 të MSA-së, pra nëse përmbushet detyrimi për mosdegradim mjedisor.

E njëjta analizë vlen edhe për përputhshmërinë e këtij ligji me konventat ndërkombëtare të Rio-së, Bernë-s, Ramsar-it dhe Paris-it, për shkak të mungesës së efekteve dhe pasojave konkrete të ligjit kuadër objekt shqyrtimi.

/m.m/

The post Kërkuan shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, Kushtetuesja rrëzon deputetët e opozitës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Shërbimi i Kardiologjisë në QSUT, kujdes të specializuar për çdo pacient

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Shërbimi i Kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ofron kushte dinjitoze dhe trajtim me teknologji moderne për çdo pacient.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot opinionin e disa prej tyre të cilët vlerësojnë shërbimin e ofruar si dhe kushtet sipas standardeve më të mira europiane.

“Me zërin e qytetarëve që trajtohen çdo ditë në Shërbimin e Kardiologjisë pranë QSUT, aty ku profesionalizmi, përkushtimi dhe teknologjia moderne bashkohen për të ofruar kujdes të specializuar për çdo pacient”, u shpreh Koçiu.

Pacientët shprehen të kënaqur nga shërbimi i ofruar në këtë spital.

“Mua më kanë pritur, më kanë përcjellë dhe më kanë shpëtuar jetën në kohë rekord. Kam përshtypjet më të mira. Rregull special, nuk më kanë lënë gjë, si jashtë shtetit”, u shpreh një pacient.

“Kam qenë edhe në Greqi, por këtu kam ngelur shumë e kënaqur”, tha një tjetër.

“Po vij në një spital të ri. Gjendja këtu është jashtëzakonisht e përmirësuar, njësoj si në spitalet shumë të mira që ka Europa”, shtoi një tjetër.

/j.p/

The post Koçiu: Shërbimi i Kardiologjisë në QSUT, kujdes të specializuar për çdo pacient appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eksperienca unike e rafting në Vjosë tërheq turistë të shumtë

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Lumi Vjosa, i njohur si “lumi i fundit i egër në Evropë”, po kthehet në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për adhuruesit e natyrës dhe sporteve ekstreme.

Të apasionuar pas sporteve ekstreme, turistë të shumtë rendin në rrjedhën e Vjosës për të përjetuar eksperiencën unike të rafting.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të një grupi turistësh duke bërë rafting në Vjosë.

Me rrjedhje të lirë dhe natyrë të paprekur, Vjosa përshkon një territor të mbrojtur me kanione, shpella dhe një biodiversitet të pasur, duke ofruar një përvojë të rrallë për ata që zgjedhin ta eksplorojnë përmes raftingut.

Turistët e aventurës përshkojnë me gomone lumin nga Përmeti deri në Këlcyrë me një gjatësi gati 20 km.

Rrjedha është e qetë në disa vende dhe e tërthortë e me dallgë në vende të tjera me thellësi më të madhe.

Turizmi i aventurës gërshetohet shumë mirë në Përmet me traditën, kulinarinë e mikëpritjen.

Ndaj rafting në Vjosë nuk është vetëm një sport, por konsiderohet edhe një përvojë gjithëpërfshirëse që ndërthur emocionin me bukuritë natyrore, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik të komuniteteve lokale dhe në rritjen e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë si një destinacion turistik alternativ.

/m.m/j.p/

The post Eksperienca unike e rafting në Vjosë tërheq turistë të shumtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Po u fundosej gomonia nga moti i keq, Policia shpëton 5 shtetas në Durrës

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Policia Detare e Durrësit shpëtoi 5 shtetas që rrezikonin të mbyteshin, pasi gomonia e tyre po fundosej për shkak të motit të keq.

Efektivët e trajnuar të Njësisë Policore Detare, me mjete lundruese, u shkuan në ndihmë 5 shtetasve mesditën e sotme.

Gjatë patrullimeve në të gjithë hapësirën detare të qarkut, shërbimet e Njësisë Policore Detare konstatuan, në afërsi të Gjirit të Durrësit, 5 shtetas që kërkonin ndihmë, pasi gomonia e tyre rrezikonte të fundosej për shkak të erërave të forta.

Menjëherë pas konstatimit, efektivët e Njësisë, me mjete lundruese, ndërhynë në kohë dhe bënë të mundur nxjerrjen në breg të qytetarëve, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore.
Njësia Policore Detare fton çdo qytetar apo turist që ndodhet në vështirësi dhe ka nevojë për ndihmë, të kontaktojë menjëherë duke garantuar reagim të shpejtë, profesional dhe të specializuar.

The post Po u fundosej gomonia nga moti i keq, Policia shpëton 5 shtetas në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ishte larguar nga familja, gjendet fëmija 7-vjeçar në plazhin e Shëngjinit

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe të vrojtuesve bregdetarë u mundësua gjetja e një fëmije që ishte larguar nga prindërit, në plazhin e Shëngjinit.

Punonjësit e Policisë në Shëngjin i dorëzuan familjes, në gjendje të mirë shëndetësore, fëmijën 7-vjeçar nga Kosova.

Salla Operative e DVP Lezhë u njoftua nga një pushuese nga Kosova, se djali i saj ishte larguar dhe nuk po e gjente dot.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Rendit të planifikuara me shërbim në zonën e plazhit në Shëngjin, së bashku me patrullat me biçikleta dhe vrojtuesit bregdetarë, u angazhuan dhe koordinuan veprimet për gjetjen e fëmijës.

Pas rreth një ore kërkimesh intensive në terren, punonjësit e Policisë e lokalizuan të miturin. Fëmija ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu rikthye menjëherë nënës së tij.

Nëna e fëmijës ka falënderuar shërbimet e Policisë dhe vrojtuesit bregdetarë për reagimin e shpejtë dhe profesional që kontribuoi në gjetjen e të miturit.

/m.m/j.p/

The post Ishte larguar nga familja, gjendet fëmija 7-vjeçar në plazhin e Shëngjinit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Miratohet Strategjia Kombëtare e Turizmit 2030, Kumbaro: Objektiva të qartë për rritjen e të ardhurave nga turizmi

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030.

Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, përmes një videomesazhi ku shprehet se strategjia është finalizim i një pune dyvjeçare.

“Qeveria Shqiptare sot miratoi Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030, pas një procesi gati 2-vjeçar hulumtimesh, studimesh dhe konsultimesh, ndërsa kjo strategji vendos objektiva të qartë dhe të matshëm për rritjen e të ardhurave nga turizmit deri në vitin 2030, shoqëruar me rritje të kapaciteteve akomoduese dhe përmirësim të standardeve, ndarjen e Shqipërisë në gjashtë rajone turistike dhe detyra të reja për agjencitë shtetërore që lidhen me industrinë e turizmit”, njoftoi Kumbaro.

Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: investimet, politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, menaxhimi i destinacioneve, zhvillimi i produktit turistik, marketingu i destinacioneve dhe ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit.

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.

“Sot mirënjohje për të gjithë stafin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për ata dhjetëra specialistë që u përfshinë në hartimin e kësaj strategjie dhe sigurisht për partnerët tanë të GIZ që japin një kontribut të çmuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm”, shprehet Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

/m.m/j.p/

The post Miratohet Strategjia Kombëtare e Turizmit 2030, Kumbaro: Objektiva të qartë për rritjen e të ardhurave nga turizmi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

25 vjet nga rënia në krye të detyrës, përkujtohet Dëshmori i Atdheut Arben Zylyftari

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Në ambientet e Akademisë së Sigurisë u zhvillua sot ceremonia përkujtimore për ish-drejtuesin e lartë të Policisë së Shtetit, Arben Zylyftari, i cili humbi jetën 25 vjet më parë, në krye të detyrës.

Në ceremoni morën pjesë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, drejtori i Akademisë së Sigurisë Ilirjan Mandro, familjarë dhe të afërm të Dëshmorit të Atdheut.

Gjatë fjalëve të tyre, drejtuesit Bizhga dhe Mandro vlerësuan veprën e ish-drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit Arben Zylyftari, i cili humbi jetën gjatë përballjes me elementin kriminal.

Ata u shprehën se kujtimi i tij do të vlerësohet ndër breza dhe se emri i tij do të jetë gjithmonë pjesë e Policisë së Shtetit.

Bashkëshortja dhe djali i Dëshmorit të Atdheut, gjatë fjalëve të tyre, kujtuan me mall familjarin e tyre dhe shprehën mirënjohje për drejtuesit e Policisë së Shtetit, që kujtojnë ndër vite punonjësit që sakrifikuan jetën e tyre, për të mirën e të gjithëve.

Në fund të ceremonisë, të panishmit vendosën kurora me lule në bustin e Dëshmorit të Atdheut Arben Zylyftari.

/m.m/j.p/

The post 25 vjet nga rënia në krye të detyrës, përkujtohet Dëshmori i Atdheut Arben Zylyftari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare, mbështetje 203 aplikimeve për ferma organike

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Bujqësia organike në Shqipëri po zhvillohet gjithmonë e më tepër, duke sjellë jo vetëm produkte cilësore në treg, por edhe fitime më të larta për fermerët.

Fermat me prodhim organik kanë mundësi të drejtpërdrejtë për rritjen e eksporteve në tregjet e BE dhe më gjerë, duke mundësuar rritjen e konkurrueshmërisë dhe modernizimin e sektorit.

Sipas të dhënave nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, në Skemën Kombëtare të mbështetjes për Bujqësinë 2025 janë shpallur përfitues me subvencione 203 fermerë për zhvillimin e fermave organike.

Sipas kritereve që ka miratuar qeveria për subvencionet në bujqësinë organike bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës.

Fermat organike, për vitin e parë, përfitojnë financim në vlerën 100 000 lekë, në vitin e dytë, 150 000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.

/r.e/

The post Skema Kombëtare, mbështetje 203 aplikimeve për ferma organike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mashtrimet me Call Center, SPAK dhe autoritetet gjermane godasin grupin kriminal: 6 të arrestuar në Shqipëri

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me autoritetet gjermane kanë goditur një grup kriminal të mashtrimit të shtetasve gjermanë nëpërmjet Call Center-ave.

Në një konferencë të përbashkët për mediet sot me autoritetet gjermane, prokurori i SPAK, Eneid Nakuçi theksoi se janë arrestuar gjashtë persona që gjendeshin në Shqipëri, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim.

“Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar në 18 prill të vitit që kaloi nga ana e SPAK është ushtruar kontroll në ambientet e një Call Center-i të paligjshëm në Shqipëri, ku u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale të dyshuara të shumta digjitale, por edhe dokumentare. Në kushtet kur kishim të bënim me dy hetime paralele u dërguan për një analizë më të thelluar pranë autoriteteve gjermane. Në përgjigje nga ana e autoriteteve gjermane u dërgua analiza e plotë e këtyre provave digjitale, të cilat të analizuara në harmoni me provat materiale të sekuestruara në Shqipëri çuan në rezultatin e qartë të ekzistencës së një grupi të struktura kriminal me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë dhe jo vetëm, nëpërmjet qendrës së thirrjes së Call Center-ave të paregjistruar si biznes në organet tatimore.

“Gjykata ka vendosur caktimin e masave “arrest me burg” për pesë shtetas dhe për tre të tjerë masën “arrest me shtëpi”. Gjatë mëngjesit të ditës së sotme është bërë i mundur ekzekutimi i masave të sigurimit për të gjithë personat që gjendeshin në Shqipëri dhe vijon puna për kapjen e dy shtetasve të tjerë që nuk ndodheshin në Shqipëri”, tha Nakuçi.

Sipas Nakuçit, vlera e dëmit të shkaktuar është mbi 363 mijë euro.

Nga ana tjetër, oficeri i policisë gjermane Oliver Hofman, drejtues i operacionit “Pandora”, tha se “kjo ditë është një ditë shumë e rëndësishme dhe një piketë e rëndësishme në bashkëpunimin tonë dhe luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe sidomos kundër skemave profesionale të mashtrimit”.

Sipas Hofman operacioni nisi në dhjetor të vitit 2023.

“Ne filluam të përgjonim mbi 20 telefonata mashtruese dhe krijuam një qendër thirrje, me qëllim që këto telefonata mashtruese të arrinin të kapeshin në kohë reale duke arritur të shmangnim humbjet financiare. Ne zhvilluam edhe hetime shumë komplekse në fushën e krimit kompjuterik me qëllim që të lokalizonim qendrat e thirrjeve dhe autorët e këtyre thirrjeve në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Serbi dhe Liban”, tha Hofman.

Hofman nënvizoi se “qëllimi ynë ishte goditja e plotë e kësaj organizate kriminale të madhe”.

“Ky operacion ka çuar në goditjen e 12 qendrave thirrjesh ndërkombëtare dhe në arrestime të shumta, ndërkohë janë dhënë edhe dënimet e para, ndër ta edhe organizatori i infrastrukturës kryesore në Gjermani”, tha Hofman.

Hofman vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet ndërkombëtare.

“Kemi punuar për një vit e gjysmë dhe kemi pasur bashkëpunim me shumë institucione ndërkombëtare si dhe me SPAK dhe Policinë e Shtetit. Ky bashkëpunim ishte jashtëzakonisht domethënës për suksesin që arritëm sot”, tha Hofman.

Sipas Hofman, grupi kriminal vepronte nga Tirana.

“Janë identifikuar 5 persona meshkuj dhe një femër, të moshës 21 – 36 vjeç. Sot u bë e mundur të arrestoheshin 6 persona dhe patëm mundësinë ta mbështesim këtë operacion në terren”, tha Hofman.

Hofman nënvizoi se “ky sukses thekson fuqinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimin tonë të përbashkët për drejtësi”.

“Ai dërgon një mesazh të qartë për të gjitha grupet kriminale që veprojnë dhe ky është: Kufijtë nuk do të ndalojnë që në të ushtrojmë ndjekjen penale dhe të mbrojmë njerëzit nga veprat kriminale. Do të doja të përmendja e edhe mbështetjen financiare shumë të rëndësishme nëpërmjet fondit ndërkombëtar të sigurisë të BE-së, sepse ishin vendimtare për të kryer këtë hetim”, tha Hofman.

/m.q/r.e/

The post Mashtrimet me Call Center, SPAK dhe autoritetet gjermane godasin grupin kriminal: 6 të arrestuar në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Botërori 2026, ambasada e SHBA: Aplikoni për vizë tani

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Kampionati Botëror i Futbollit FIFA 2026 do të jetë më i madhi deri më sot, me ndeshje që do të zhvillohen në 11 qytete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe në Meksikë e Kanada.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ftoi sot qytetarët që dëshirojnë të ndjekin këto ndeshje të aplikojnë sa më shpejt për vizë amerikane.

“Ne nxisim të gjithë udhëtarët e huaj që kanë nevojë për vizë amerikane të aplikojnë tani,” thuhet në një postim të Ambasadës në rrjetet sociale.

/r.e/

The post Botërori 2026, ambasada e SHBA: Aplikoni për vizë tani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Biblioteka Kombëtare merr pjesë për herë të parë në Panairin e Librit në Ulqin

31 July 2025 at 15:01

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Autorë, botues dhe lexues nga mbarë rajoni u mblodhën në Panairin e Librit në Ulqin, për të festuar gjuhën dhe kulturën shqipe.

Me sloganin “Një klik larg dijes”, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë u prezantua për herë të parë në Panairin e Librit në Ulqin, duke promovuar botimet e saj bibliografike e shkencore studimore, tanimë edhe të digjituara online.

Kryefjala e këtij panairi ishte informimi për të gjithë lexuesit, kërkuesit shkencorë dhe të interesuarit në koleksionet e digjituara bibliotekare, thesaret e Bibliotekës Kombëtare, dhe mënyrës së ruajtjes dhe promovomit të koleksioneve, duke mundësuar bashkëpunime në të ardhmen midis kësaj biblioteke dhe qyteteve ku flitet shqip.

Ky ishte edicioni i 24-të i Panairi i Librit në Ulqin që u zhvillua përgjatë 5 ditëve (27-31 korrik) dhe mori një vëmendje të lartë si nga botuesit, ashtu edhe nga lexuesit e thjeshtë.

/r.e/

The post Biblioteka Kombëtare merr pjesë për herë të parë në Panairin e Librit në Ulqin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kërkim për kultivim narkotikësh, arrestohet 27-vjeçari në Vaun e Dejës

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Një 27-vjeçar u arrestua sot nga Policia pasi ishte shpallur në kërkim si autor i dyshuar i kultivimit të 180 bimëve narkotike kanabis sativa në fshatin Mnelë.

Policia bëri të ditur se “në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale në kuadër të operacionit policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kapën dhe ndaluan shtetasin P. N., 27 vjeç”.

Sipas Policisë, “ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet e kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se një bashkëpunim me një 17-vjeçar, kanë kultivuar 180 bimë të dyshuara narkotike kanabis Sativa, në fshatin Mnelë, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, në muajin qershor. Punohet për kapjen e 17-vjeçarit”.

Në vijim të veprimeve procedurale, Policia njoftoi se u krye kontroll në banesën e shtetasit Z. N., 62 vjeç, babai i shtetasit të arrestuar, ku u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu që 62-vjeçari e mbante pa leje.

“U referuan materialet procedurale në Prokurori dhe nisi procedimi penal për 62-vjeçarin”, njoftoi Policia.

/m.q/

The post Në kërkim për kultivim narkotikësh, arrestohet 27-vjeçari në Vaun e Dejës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria, paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara nga zjarret

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, gjatë një takimi koordinues, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, tha se ky takim bëhet për dy qëllime: vlerësimin e gatishmërisë operacionale për Emergjencat Civile dhe vlerësimin e dëmeve dhe përgjigjes që duhet të marrin banorët e prekur, veçanërisht në sektorin e blegtorisë.

Vengu tha se “gjatë muajit korrik kemi pasur 59 zjarre masive dhe një mori zjarresh më të vogla në zonat e banuara apo rurale. Në total, mbi 29 mijë sipërfaqe hektarë e djegur”.

“Na rezulton që qarqet më të prekura janë Vlora me 17 500 hektarë, pasuar nga Dibra me 4524 hektarë, Tirana 2400 hektarë dhe Berati 1500 hektarë. Pavarësisht se në të kaluarën mund të kemi pasur vite me më shumë sipërfaqe të djegura, rekordi historik për Shqipërinë është në vitin 2007 me 127 mijë hektarë të djegur. Deri në vitin 2024 sezonet verore kishin 6 zjarre në javë, ndërsa këtë vit ka pasur 13 zjarre në javë”, tha Vengu.

Ministri Vengu bëri me dije se në operacionet për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin janë angazhuar në total 14 200 vetë, dy mijë mjete të specializuara dhe 63 operacione nga ajri, në të cilat janë përfshirë 4 helikopterë nga forcat shqiptare, dy nga forcat hungareze, dy Canader nga Italia, dy nga Greqia dhe një nga Kroacia.

“Nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë mjete ajrore në dispozicion dhe ne do vijojmë të investojmë në rinovimin e flotës tokësore dhe ajrore. Janë evituar fatkeqësitë në jetë njerëzish dhe dëmet e tjera. Na rezultojnë të prekura 12 banesa, 3 stane, një objekt kulti dhe një nënstacion energjie”, vijoi ai.

Vengu tha se bashkitë e prekura nga pasojat e zjarreve në vend duhet të vijojnë sa më shpejt me vlerësimin e dëmeve, sa rrënjë ullinj, sa kullota, sa dëme ka pasur në zonat e mbrojtura, etj.

Ministri Vengu u ndal edhe te rëndësia e bashkërendimit mes forcave të reagimit vendor dhe atyre qendror siç janë Forcat e Armatosura, batalioni mbështetës i Emergjencave Civile dhe dy regjimentet, ai i veriut dhe i jugut.

“Në të kaluarën kishim konstatuar një lloj varësie ekstreme të bashkive ndaj reagimit të kapaciteteve qendrore. Pasi rakorduam me Komitetin Kombëtar të Emergjencave Civile, udhëzuam prefektët dhe bashkitë që të rrisnin gatishmërinë vendore dhe të rezervonin angazhimin e Forcave të Armatosura në zonat e banuara, infrastrukturën kritike dhe zonat e mbrojtura”, pohoi Vengu.

“Mekanizmi evropian që mobilizuam na dha një mbështetje edhe në kufizimin e vatrave në Zonat e Mbrojtura si në Lurë dhe Llogora. Ky bashkërendim dhe reagim gjakftohtë në qarqe si Shkodra, Lezha, Korça, Fieri, Gjirokastra na dha mundësinë që Forcat e Armatosura të përqendroheshin në Dibër, Berat, dhe Vlorë, që të evitonim situata më dramatike”, vijoi ai.

Ministri i Mbrojtjes e cilësoi këtë si një leksion të vyer të muajit korrik, që duhet vazhduar me të njëjtën vigjilencë edhe gjatë muajit gusht.

Vengu tha se po vijon puna për forcimin e zinxhirit të reagimit në Emergjencat Civile, ndërsa shtoi se po investohet në ngritjen e katër qendrave rajonale për t’i dhënë mundësi bashkive që të përqendrohen në elementët zjarrfikës urbanë dhe periurbanë.

“Këto qendra rajonale do të marrin përsipër mbulimin në zonat rurale, pyjore dhe malore ku kemi rrezikshmëri më të lartë. Kemi evidentuar dy zona, Bushatin që do mbulojë zonën e nën Shkodrës, Shëngjinin, Velipojën, Lezhën dhe për jugun, zonën e Kranesë në Finiq. Investimi ka filluar dhe do të jetësohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërsa do të ketë edhe rinovim të flotës së dedikuar në këto qendra rajonale”, tha Vengu.

“Do jenë qendra me kapacitet për të ulur helikopterët, për t’i furnizuar ato, ndërsa po punojmë edhe për të evidentuar dy ish-reparte për ngritjen e dy qendrave të tjera për një mbulim rajonal të lindjes dhe juglindjes së vendit”, pohoi Vengu, ndërsa theksoi se këto investime janë të buxhetuara dhe në proces.

Ministri Vengu u shpreh se do të ketë një rinovim edhe të flotës zjarrfikëse në mbarë vendin.

“Një leksion tjetër i korrikut janë edhe Llogoraja dhe Dukati, ku kishte një monitorim me kamera termike 24 orë, një rrjet kamerash që duhet ta shtrijmë në të gjitha pikat me rrezikshmëri të lartë nga zjarret në vend”, cilësoi Vengu.

Vengu u ndal edhe te rëndësia e kapaciteteve njerëzore, vullnetarët, teksa shtoi se banorët e zonave të prekura janë të parët që kanë elementin e reagimit të shpejtë duke ndihmuar zjarrfikësit vendorë apo qendrore në operacionet e tyre për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Ministri Vengu u shpreh se ky rrjet vullnetarësh duhet të sanksionohet dhe strukturohet që të ketë shtrirje në mbarë vendin.

/e.i/r.e/

The post Qeveria, paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëmet nga zjarret, Denaj: Mbështetje ushqimore për blegtorinë, rivitalizim i të mbjellave

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Qeveria adreson një paketë mbështetëse për fermerët, për dëmet e shkaktuara nga zjarret në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.

Në konferencën e përbashkët me ministrat e Mbrojtjes Pirro Vengu, atë të Brendshëm Ervin Hoxha dhe drejtorin e përgjithshëm të Emergjencave Civile, Haki Çako, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj vlerësoi ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë për marrjen e masave ndaj dëmeve të shkaktuara nga zjarret.

Denaj tha se, “zjarret kanë shkatuar dëme kryesisht në zonën e jugut të vendit, në Delvinë, në blegtori, bletari por dhe në kullota. Janë 230 koshere me bletë të dëmtuara, 8 stane, ndërsa jemi duke vlerësuar nevojën për ushqim për blegtorinë në të gjithë zonat e prekura nga zjarret”.

Ministrja bëri të ditur se, furnizimi me bazë ushqimore për blegtorinë, në zonën e prekur nga zjarret është mundësuar në kohë rekord.

“Që prej ditës së martë janë shpërndarë në Delvinë 20 tonë ushqime dhe kemi një kapacitet prej 100 tonë ushqime rezervë për t’u shpërndarë në zonat e tjera të vendit, ku paraqitet nevoja”, tha ajo, teksa u bëri apel institucioneve në terren të bëjnë përllogaritjet për nevojat e tjera që paraqiten.

Ajo shtoi se qeveria do të vijë me një paketë mbështetëse për rivitalizimin e një sipërfaqeje toke prej 29 mijë hektarësh me të mbjella.

“Është një sipërfaqje toke prej 29 mijë hektarë, po mendojmë një paketë mbështetëse për të rivitalizuar këtë pjesë me të mbjella”, tha Denaj.

/r.e/

The post Dëmet nga zjarret, Denaj: Mbështetje ushqimore për blegtorinë, rivitalizim i të mbjellave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, protestojnë bizneset e pedonales së Korçës; Bashkia shtyn vendimin

31 July 2025 at 15:18

Pas disa ditësh aksion në mbarë vendin për lirimin e hapësirave publike të zëna nga baret dhe restorantet, institucionet shtetërore nëpërmjet shkresave po njoftojnë bizneset se kanë afat deri më 2 Gusht për lirimin e tyre vullnetar, në të kundërt hapësirat e vendosura do të shemben dhe subjekti do të penalizohet me gjobë.

Për shumë biznese vendimi për shkatërrimin e strukturave metalike konsiderohet i padrejtë, pasi siç ata pohojnë operojnë kundrejt kontratave të rregullta të miratuara nga pushteti vendor, ndërsa më i padrejtë cilësohet vendimi për heqjen e tyre në mesin e sezonit turistik.

Në qytetin e Korçës dy të rinj sipërmarrës të barit “Mësonjëtorja” në zonën e pedonales së qytetit (pranë shkollës së parë shqipe), pas njoftimit të marrë më 29 Korrik nga Drejtoria e Kontrollit të Territorit për pezullim të kontratës kanë protestuar me mbylljen e biznesit jo vetëm për vendimmarrjen e padrejtë të institucioneve shtetërore, por edhe zbatimin e një aksioni në mes të sezonit turistik.

Dy të rinjtë nga qyteti i Korçës kërkojnë zgjidhje nga institucionet e qeverisë për shtyrjen e afatit të heqjes së strukturave deri në mbylljen e sezonit turistik. Deri tani kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët nga pushteti vendor.

Leonard Ligori njëri prej drejtuesve të këtij biznesi i kontaktuar nga Monitor tha se prej vitit 2022 që ka marrë me qira lokalin, operon me kontratë të rregullt për zhvillimin e aktivitetit me tavolina, brenda strukturës metalike të ngritur, e domosdoshme për zonën e Korçës, që njihet për klimën e ftohtë.

Zoti Ligori thotë se në kontratë parashikohet  që leja për strukturën shtesë është e rinovueshme çdo vit. Në rastin konkret leja është rinovuar në muajin Mars 2025 me afat vlefshmërie deri më  Mars 2026.

Në lejen e lëshuar për këtë subjekt “Leje për zhvillimin e aktivitetit me tavolina” nga Drejtoria e Kontrollit të Territorit, Bashkia Korçë përcaktohen kushtet zbatuese të lejes, ku subjekti duhet të respektojë sipërfaqen e lejuar me skica topografike.

“Në rastin e mosrespektimit të sipërfaqes së lejuar me (tavolinë, karrige, mbajtëse lulesh, çadra dielli, tendë dielli, dhe sende të tjera të lëvizshme apo të palëvizshme, subjekti penalizohet me masën e kundërvajtjes administrative”, citohet në lejen e dhënë për këtë subjekt më 13 Mars 2025.

Për rrjedhojë Ligori ngre shqetësimin se jo vetëm që njoftimi për shfuqizim kontrata është në shkelje me afatet e lejes së marrë në muajin Mars 2025, por mbi të gjithë nga bashkia e Korçës nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak për heqjen e strukturës së lokalit.

Në shkresën dërguar më 28 Korrik 2025 nga Drejtoria e Kontrollit të Bashkisë Korçë.

“Në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi, ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” , Vendimit të Këshillit të Ministrave 28.12.2015 “Për miratimin e rregullave, kushteve dhe procedurave për përdorimin e hapësirave publike” ju njoftojmë se leja e dhënë për shfrytëzimin e hapësirës publike për vendosjen e strukturave të përkohshme është pezulluar në kuadër të procesit të lirimit dhe sistemimit të hapësirave publike në të gjithë territorin.

Për këtë qëllim jeni të detyruar të lironi hapësirën publike brenda datës 2 Gusht 2025. Në rast të mosrespektimit të afatit të përcaktuar më lart, strukturat gjithëpërfshirëse do të ndërmarrin veprime për lirimin e plotë të hapësirës puplike”, citohet në shkresën e Drejtorisë së Kontrollit të Bashkisë Korçë.

“Sot protestojmë! Na falni që jemi mbyllur” “Kërkojnë shtyrje të afatit deri në mbyllje të sezonit turistik”; a ka partneritet pa konsultim? Bizneset nuk janë armiku juaj” ; “Pse njoftohemi vetëm 4 ditë para dhe në mes të sezonit turistik?; Nuk jemi zaptues, por taksapagues. Duam dëmshpërblim!” janë disa nga pankartat e afishuar sot në xhamat e barit Mësonjëtorja në Korçë.

Bizneset kërkojnë nga qeveria dhe pushteti vendor që vendimmarrja të shtyhet pas përfundimit të sezonit turistik, në mënyrë që të shmanget falimentimi i subjekteve që varen nga kjo periudhë.

“Kjo situatë po na çon drejt falimentimit, edhe pse kemi kontrata të rregullta dhe nuk kemi marrë asnjë paralajmërim për marrje masash. Vendimi është i njëanshëm dhe pa asnjë formë dialogu,” përfundon Ligori.

Sakaq sot, Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, ka njoftuar në një deklaratë për mediat se aksioni për lirimin e hapësirave publike në qytet, i cili prek edhe bizneset në zonën e pedonales, do të shtyhet deri më 17 gusht, në përfundim të Festës së Birrës Korça.

“Diskutimi i djeshëm me bizneset u trajtua nga ana ime si diskutim konstruktiv, ku kam qenë i hapur të dëgjoj e të pranoj deri në masë të caktuar shqetësimet reale të bizneseve. Ju është dhënë ky afat nga ana ime deri më 17 gusht që përkon me mbylljen e festës së birrës, por ndërkohë u është kërkuar që t’i heqin të gjithë elementët e tjerë, pedanat, vazot, dhe mund të qëndrojnë tendat deri më 17 gusht, e më pas të zëvendësohen,” deklaroi Filo.

Prej disa ditësh aksioni për lirimin e hapësirave publike nga baret dhe restorantet po zbatohet edhe në Tiranë, të cilët pohojnë se zbatimi i aksionit gjatë sezonit turistik po u shkakton atyre dëme në xhiro. Ankesa ka pasur edhe nga kompanitë prodhuese të ujit të pijshëm të botiluar të cilët furnizojnë këto struktura. Prodhuesit pohojnë se kjo situatë po u shkakton rënie të shitjeve.

The post Lirimi i hapësirave publike, protestojnë bizneset e pedonales së Korçës; Bashkia shtyn vendimin appeared first on Revista Monitor.

Nga Alpet Shqiptare në bregun Jonian, Shqipëria një arratisje alternativë me buxhet të përballueshëm

31 July 2025 at 14:43

Nga Alpet Shqiptare në bregun Jonian, ky thesar ballkanik po kthehet në një nga arratisjet më joshëse të Europës

RTL Radio ka çelur serinë e saj mbi destinacionet alternative të pushimeve në Europë.

Në pjesën e tretë të kësaj serie, vëmendja është përqendruar te Shqipëria – një vend në mes të një transformimi të shpejtë, që po kthehet në një pikë të nxehtë në hartën turistike të Europës. Me një territor që shtrihet nga majat e egra të Alpeve Shqiptare deri te bregdeti magjepsës i Jonit, Shqipëria po perceptohet gjithnjë e më shumë si një nga arratisjet më tërheqëse të kësaj vere.

Natyrë e paprekur në veri
Shqipëria ofron një shumëllojshmëri të jashtëzakonshme brenda një sipërfaqeje të vogël, me peizazhe natyrore larg turizmit masiv. Në veri, pranë kufirit me Kosovën dhe Malin e Zi, ndodhen të ashtuquajturat “Bjeshkët e Nemuna” ose Alpet Shqiptare. Zonat e Valbonës dhe Thethit përshkohen nga shtigje ecjeje që kalojnë nëpër peizazhe malore spektakolare, thuajse të paprekura nga dora e njeriut.

Fshatra të vegjël me shtëpi guri, lumenj të kthjellët dhe pamje panoramike e kthejnë këtë rajon në një parajsë për adhuruesit e natyrës dhe ata që kërkojnë qetësi.

Parku Kombëtar i Vjosës – një mrekulli natyrore unike në Europë
Parku Kombëtar i Vjosës, i shpallur në vitin 2023 si “Parku i Parë Kombëtar i Lumit të Egër” në Europë, shton edhe më shumë bukuri natyrore në hartën e Shqipërisë. Lumi Vjosa konsiderohet si lumi i fundit i madh në kontinent që rrjedh i lirë, pa diga apo pengesa, ndërsa rajoni përreth është habitat i mbi 1,100 llojeve të kafshëve dhe bimëve, përfshirë rrëqebullin ballkanik, lundërtarët dhe zogj të rrallë.

Zona monitorohet dhe mbrohet me përkushtim, ndërsa promovohen forma të qëndrueshme të turizmit të butë.

Riviera – plazhe si në Maldive
Për ata që preferojnë detin më shumë se malet, edhe këtu Shqipëria nuk zhgënjen. Riviera Shqiptare përgjatë bregut të Jonit është një nga rajonet më të bukura, por ende të paeksploruara plotësisht të Mesdheut.

Plazhet e Ksamilit, Dhërmiut dhe Himarës ofrojnë rërë të imët, ujëra të kristalta ngjyrë smeraldi dhe një atmosferë të qetë – larg turmave të resorteve të mëdha.

Që prej verës së vitit 2024, kjo pjesë e bregdetit është bërë më lehtësisht e aksesueshme falë Tunelit të Llogarasë, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që lidh më shpejt malet me detin. Udhëtimi nëpër kalimin dikur të rrezikshëm është shkurtuar nga 30 në vetëm 7 minuta, duke nxitur ndjeshëm turizmin në rajon.

Jeta urbane dhe kujtesa historike
Kryeqyteti, Tirana, është një përzierje ngjyrash, historie dhe gjallërie urbane. Qendra e saj është plot energji krijuese – nga kafenetë me muzikë live dhe arti në rrugë, te restorantet inovative dhe një popullatë e re që i jep jetë qytetit.

Tirana përballet hapur edhe me të shkuarën e saj. Muzeumet Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, të vendosura në bunkerë nëntokësorë nga koha e diktaturës, tregojnë historinë e komunizmit në një mënyrë vizuale mbresëlënëse.

Kulturë dhe thesare historike
Trashëgimia kulturore e Shqipërisë është po aq e pasur sa peizazhet e saj natyrore. Në veriperëndim ndodhet Shkodra, një nga vendbanimet më të vjetra të rajonit, e vendosur pranë liqenit më të madh në Ballkan. Kalaja e Rozafës ngrihet mbi qytet, duke ofruar pamje të gjera mbi ujërat, malet dhe lumin që përshkon zonën.

Më në jug, qytetet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Berati – i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve” – dhe Gjirokastra, e dalluar për arkitekturën osmane dhe shtëpitë prej guri, ofrojnë pamje autentike dhe plot gjallëri të traditave dhe identitetit shqiptar.

Informacione praktike
Edhe pse ende jashtë Bashkimit Europian, Shqipëria pranon euron në shumë restorante dhe dyqane. Monedha kombëtare është leku, por turistët shpesh nuk kanë nevojë të këmbejnë para.

Me një kosto jetese më të ulët se vendet fqinje, Shqipëria ofron një mundësi pushimi të përballueshme për buxhetin.

Me pak fjalë, Shqipëria ofron natyrë spektakolare, mikpritje të ngrohtë, kulturë të pasur dhe një Rivierë që mund të krahasohet me destinacionet më të njohura. Qoftë në ecje në male, relaks buzë detit apo eksplorim të qyteteve historike, mbetet një destinacion i paprekur – afër shtëpisë, por me ndjesinë e një bote tjetër./ RTL

 

The post Nga Alpet Shqiptare në bregun Jonian, Shqipëria një arratisje alternativë me buxhet të përballueshëm appeared first on Revista Monitor.

❌
❌