Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë ka bërë të ditur se ka filluar shkëputjen e bizneseve nga rrjeti, për shkak të përfundimit të afatit të përcaktuar që ato të lidhin marrëveshje me furnizues tjerë të energjisë. Deri tani janë shkëputur qindra njehsorë nga 1.400 në total që do t’i nënshtrohen këtij procesi.
Qindra biznese në Kosovë janë përballur me ndërprerje të furnizimit me energji elektrike nga data 16 gusht, pasi ka hyrë në fuqi vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.
Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) ka konfirmuar se mbi 90 për qind e mbi 1.400 njehsorëve të identifikuar si biznese tashmë janë shkyçur, ndërsa pjesa tjetër pritet të shkyçet ditëve në vijim nëse nuk arrijnë marrëveshje me furnizues privatë të licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
“Shumica e mbi 1400 njehsorëve elektrikë, të identifikuar si prona të kompanive, janë shkyçur gjatë ditës së djeshme, janë diku 90 për qind e atyre janë shkyçur. Pjesa tjetër e mbetur do të shkyçen në ditët në vijim, nëse nuk arrijnë marrëveshje me ndonjë nga furnizuesit e licencuar nga ZREE-ja”, kanë treguar nga KEDS.
Sipas vendimit, kompanitë me mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit nuk mund të furnizohen më nga KEDS si operator publik, por janë të detyruara të lidhen me një nga 22 furnizuesit e licencuar në treg.
Për dy muaj (qershor-korrik), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) kishte vepruar si Furnizues i Mundësisë së Fundit për të shmangur ndërprerjet, por ky afat ka skaduar më 31 korrik.
Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tre të tjera janë në proces të licencimit.
Në mesin e tyre përfshihet edhe Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe KEK-u.
Deri më 31 korrik, mbi 250 biznese private kanë nënshkruar kontratë me KESCO-n, ndërkohë që janë në pritje edhe dhjetëra kërkesa të tjera.
Pas vendimit të Gjykatës Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë dhe njoftimit të pranuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, KEDS ka njoftuar bizneset që nuk kanë lidhur kontrata se do të detyrohen të zbatojnë vendimet duke paralajmëruar se mosveprimi do të rezultojë në shkyçje nga rrjeti duke filluar nga data 16 gusht.
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) dhe veprimeve të ndërmarra nga KEDS për ndërprerjen masive të furnizimit me energji elektrike ndaj bizneseve, duke theksuar ndikimin disproporcional që kjo ka tek bizneset në pronësi të grave.
Në reagimin zyrtar, G7 shpreh shqetësimin e thellë për situatën e krijuar. Sipas tyre, ky proces, i zbatuar në mënyrë të menjëhershme, shpeshherë në prani të forcave policore, ka krijuar një klimë pasigurie të thellë për sektorin privat dhe ka dërguar sinjale negative tek investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Sipas Dhomës, më së shumti të dëmtuara janë gratë sipërmarrëse.
“Veçanërisht të prekura nga kjo situatë janë bizneset në pronësi të grave, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë vendore”, thuhet në reagim.
G7 thekson se ato përballen me humbje të të ardhurave, dëmtim të zinxhirit të shërbimeve dhe prodhimit, si dhe rrezikim të vendeve të punës, “shumica prej tyre të mbajtura nga gra – si dhe mbyllje të mundshme të aktiviteteve ekonomike”.
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës gjithashtu thekson se kanë pranuar ankesa nga anëtaret për raste ku edhe bizneset me kontrata të vlefshme janë përballur me shkyçje, si dhe raste të tjera ku subjekte që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të kaluar në tregun e lirë janë përfshirë në këtë proces.
Sipas tyre, kjo dëshmon se “tranzicioni drejt tregut të lirë të energjisë është zbatuar në mënyrë të papërgatitur dhe pa analizë të plotë të implikimeve për ekonominë”.
Në reagimin e saj, Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 paraqet tri kërkesa konkrete:
-Që ZRrE dhe KEDS të pezullojnë menjëherë ndërprerjen e furnizimit me energji për bizneset dhe të sigurojnë një proces të drejtë, transparent dhe ligjërisht të qartë.
-Që të hapet një dialog i strukturuar dhe gjithëpërfshirës me odat ekonomike dhe organizatat e biznesit, në mënyrë që të hartohet një plan tranzicioni i arsyeshëm për daljen në tregun e lirë të energjisë.
-Që të krijohen mekanizma mbrojtës dhe lehtësues për bizneset e vogla dhe të mesme, me fokus të posaçëm tek ndërmarrjet në pronësi të grave, për të shmangur dëme të pariparueshme në aktivitetin e tyre ekonomik.
Edhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar me shqetësim të madh ndaj situatës së krijuar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për ndërprerjen e energjisë elektrike, duke e cilësuar atë si të jashtëligjshëm dhe të dëmshëm për bizneset, ekonominë dhe qytetarët e vendit.
Në reagimin e saj, OEK ka bërë të ditur se ka pranuar ankesa të shumta nga bizneset, të cilat raportojnë se zyrtarë të KEDS-it, të shoqëruar nga policia, kanë ndërprerë energjinë elektrike në objektet e tyre.
Kjo prani e forcave policore, sipas Odës, ka krijuar një imazh tepër negativ tek investitorët e huaj dhe ka ulur besimin për sjelljen e investimeve të reja në Kosovë.
“Ky veprim jo vetëm që ka dëmtuar bizneset dhe shpresat për investime të huaja, por ka penguar edhe zgjerimin e investimeve vendore. Për më tepër, kemi raste kur edhe bizneset me kontrata të vlefshme janë përballur me ndërprerje të energjisë, si dhe raste kur bizneseve që nuk plotësojnë kriterin ligjor për daljen në tregun e lirë u është ndërprerë furnizimi”.
OEK ka vlerësuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike nuk është menaxhuar siç duhet nga ZRrE, duke e cilësuar atë si të papërgatitur dhe arbitrar.
“Bizneset përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës dhe punësojnë mbi 143 mijë qytetarë. Një vendim si ky i sotmi, u ka shërbyer vetëm armiqve të Kosovës”.
Kurse, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë përmes një reagimi ka thënë se procesi ka një mori shkeljesh ligjore dhe procedural, derisa ka apeluar Qeverinë e Kosovës dhe ZRRE-në që të pezullojnë menjëherë zbatimin e vendimit dhe të hapin një proces të rishqyrtimit transparent.
“Ne ritheksojmë se forma e zgjedhur nga ZRRE, e përkrahur në heshtje nga të gjitha institucionet relevante, do të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, përfshirë rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike, rritje të çmimit të produkteve, rrezikimin e mijëra vendeve të punës, uljen e prodhimit vendor dhe mbytjen e tij nga importet që po rriten çdo ditë dhe mbylljen e një numri të madh veprimtarish biznesore”.
Po ashtu edhe Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për bizneset, duke e cilësuar si të jashtëligjshëm, arbitrar dhe shkatërrues për ekonominë e vendit.
Sipas LBK-së, këto masa godasin rëndë prodhimin vendor, minojnë besimin e investitorëve të huaj, dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe cenojnë mirëqenien e qytetarëve.
“Bizneset që përbëjnë 56% të ekonomisë dhe punësojnë mbi 140 mijë persona nuk duhet të përballen me masa të padrejta dhe të paarsyeshme. Ky vendim i sotëm nuk i shërben Kosovës – përkundrazi, i shërben interesave të individëve të caktuar dhe shteteve fqinje”.
Organizata i ka bërë thirrje spektrit politik, Presidentes dhe Kryeministrit në detyrë që të ndërhyjnë menjëherë, duke kërkuar: Formimin e institucioneve sa më shpejt, shkarkimin e bordit të ZRRE-së dhe ndalimin e menjëhershëm të ndërprerjes së energjisë për bizneset.
“ZRRE me vendime arbitrare po shkatërron prodhimin dhe ekonominë e Kosovës. Kërkojmë ndaljen e menjëhershme të këtyre veprimeve dhe dialog me bizneset”.
Shkyçjen e qindra bizneseve nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike nga KEDS e ka quajtur persekutim Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) teksa kjo parti i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të merret sa më parë me institucione siç janë Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe asessi të mos mbetet e pa ndëshkuar.
Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës shkyçjen e bizneseve nga rrjeti i energjisë elektrike e ka cilësuar si një katastrofë kombëtare ekonomike duke theksuar se kjo situatë rrezikon mbi 100 mijë familje në Kosovë, për shkak të mungesës së furnizimit me energji dhe ndërprerjes së aktivitetit ekonomik të bizneseve.
Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Në vendet e Bashkimit Evropian, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër./ Fatos Shala
The post “Tregu i lirë” i lë në errësirë bizneset e Kosovës, mbi 90% shkëputen nga rrjeti elektrik appeared first on Revista Monitor.