TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Pas një punë disavjeçare nga një grup ekspertësh, i udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi, u prezantua sot drafti i Kodit të ri Penal.
Në fjalën e tij, Rakipi bëri edhe prezantimin e risive kryesore të propozuar për Kodin e ri Penal.
Rakipi u ndal fillimisht tek “shtimi i gamës së interpretimit të koncepteve në mënyrë që praktikat gjyqësore të mbështeten në një dokument të unifikuar”.
“Ato koncepte nuk lënë shteg më për t’u keqinterpretuar. Sistemi gjyqësor do të ketë një element më tepër pavarësie në raport me to. Përcaktimi ligjor i koncepteve është një element thelbësor për forcimin e pavarësisë këtij sistemi”, tha Rakipi.
Një çështje tjetër që Rakipi paraqiti si element me plot risi të reja ishte çështja e dënimit në tërësi.
“Dënimi në tërësi në Republikën e Shqipërisë është rregulluar nga dy dispozita të cilat në vetvete janë të pamjaftueshme për t’i dhënë rendësi asaj procedure dhe atyre elementëve që bazohet gjykata për ta mbështetur vendimin e saj. I kemi dhënë peshë specifike të gjitha elementëve mbi kriteret që bazohet vendimi. Është një garanci për të arritur në një dënim të drejtë”, tha Rakipi.
Rakipi shtoi po ashtu se i është dhënë peshë “aplikimit të dënimeve plotësuese”.
Një tjetër risi e Kodit të ri Penal, tha Rakipi do të jetë edhe për konfiskimet.
“Për veprat penale që krijojnë pasuri të padrejtë, është rekomanduar përveç rasteve kur konfiskimet janë të detyruara, kjo masë parandaluese të mund të ketë epërsi në të gjitha rastet e tjera, kur nuk është e detyruar. Është i pamjaftueshëm dënimi penal nëse rikuperimi ndaj veprës nuk është i plotë, siç është rasti i të mirave, të krijuara nga kryerja e veprës penale”, tha Rakipi.
Risi tjetër shtoi Rakipi, është edhe përfshirja e disa elementëve penal procedurale që lidhen me viktimën dhe me të drejtat e viktimës.
Sa i përket të miturve, Rakipi u shpreh se “kjo është një çështje mjaft e rëndësishme e karakterit jo vetëm penal, por edhe social e edukativ.
“Të gjithë ne kemi besuar që rinia është e ardhmja e vendit dhe nisur nga kjo jemi detyruar që qasjen ndaj tyre edhe në fushën penale ta kemi plot takt, dhembshuri dhe humanizëm të shtuar. Ne kemi bërë kujdes që të mund të jemi sa më të dhembshur në raport me to, që masat edukuese përreth tyre të jenë efikase”, tha Rakipi.
Një tjetër risi tha Rakipi është edhe propozimi për trajtimin si të mitur edhe të një 21-vjeçari, i cili deri tani është cilësohej i tillë kur është nën 18-vjeç.
“Risia tjetër është që tek grupmoshat e reja ta rrisim nivelin e moshës dhe kemi parashikuar, se nëse do të plotësohen disa kushte të tjera që janë shënuar në ligj, si i mitur të trajtohet edhe një 21-vjeçar. Është rezultat i një vlerësimi statistikor dhe logjik që mbështet tek pjekuria e tyre”, tha Rakipi.
I ndalur tek persona juridikë, Rakipi tha se “duhet te strukturohet nëpërmjet masash dhe strukturash të posaçme për të bërë të mundur evitimin e kryerjes së veprës penale”.
“Rritet kujdesi i posaçëm që aktiviteti i tyre të lejohet në përputhje me ligjin dhe mos të lejojë shtigje që paligjshmëria të zërë vend. Rregullimi është nja standard që bazohet në direktivat e BE-së të dhëna për akte të ndryshme të cilat sipas gjasave mund të krihen edhe nga personi juridik”, tha Rakipi.
Sa i përket risive të këtij projekti që lidhen me direktivat, Rakipi tha se direktivat janë dhënë për fusha të ndryshme.
“Direktiva lidhet me numrin e veprave penale, direktivat janë në fushën e kibernetikës, terrorizimit, krimet kundër njerëzimit, ushqimit, mjedisit, mbrojtja e kafshëve, financat e BE-së, financat, sistemi tatimor dhe doganor, prokurimet publike dhe elementë të shumtë që janë pasqyruar në këtë kod. Nevoja për t’i rivlerësuar rikonceptuar apo dispozita kanë bërë që numri i tyre të shtohet jo pak”, tha Rakipi.
I ndalur tek perspektiva e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian, Rakipi tha se drafti “është një përgatitje korrekte e jona për ta pritur me legjislacion penal të gatshëm”.
Rakipi bëri të ditur gjithashtu se është propozuar edhe aplikimi për lirimin parakohe me kusht për personat e dënuar më burgim të përjetshëm.
“Ne kemi patur në ligj disa pengesa që lidhen me lirimin parakohe me kusht sa lidhet me burgimin e përjetshëm. Ne dolëm në përfundimin që “Po” mund të aplikojmë lirimin parakohe me kusht për dënimin me burgim të përjetshëm. Është një propozim shumë i guximshëm, debati ka qenë i fortë. Sepse këtu mpleksen shumë gjëra, një pjesë së cilës janë viktima, procesi i edukimit, paqja sociale, shkalla e kriminalitetit në vend. Nisur nga besimi që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë përmirësohen, nëse kushtet me të cilët vendosen edhe puna me ta është e efektshme.
“Është një eksperiencë e përditshme që ndodh gjithandej, ndaj e përfundimisht e propozuam këtë zgjidhje. Mund të krijojë debate sidomos në ato çështje që kanë një karakter social mjaft të fortë. Presim të dalim më një zgjidhje të përbashkët. Këtë urim e kam më të gjithë specialistët që ta marrin me seriozitet dhe ta lexojnë me përgjegjësi, të analizojnë konceptin në mënyrë të përgjegjshme”, tha Rakipi.
Rakipi shpjegoi gjithashtu edhe një tjetër risi që lidhet me shkeljet e punonjësve të administratës së Tatimeve.
“Një tjetër risi tjetër që doja ta përmendja lidhet me një proces dekriminalizimi që ne kemi bërë për një grup vepre të fushës së Tatim Doganave si tendencë që jep autoritet administratës publike në raport me shkeljet e para të vërtetuara. Ne kemi ndjekur alternativën që administrata tatimore dhe autoriteti tatimor do të vlerësojnë administrivisht shkeljet e para dhe nëse shkeljet e dyta do të pikasen atëherë merr juridiksion sistemi i drejtësisë penale”, u shpreh Rakipi.
“Nëse shkelja e parë, që në rrugë të zakonshme vlerësohet nga pikëpamja administrative, është me nivel të lartë shmangie evazioni, sjell kompetencën e prokurorit të ushtrojë ndjekjen penale pavarësisht zgjidhjes së rregullit që përshkrova. Nga pikëpamja praktike, do të ulë numrin e çështjeve por do të shtojë edhe përgjegjësinë e organeve përkatëse”, u shpreh ai.
/m.q/
The post Rakipi prezanton risitë e Kodit të ri Penal: Drafti, përgatitje korrekte për anëtarësimin në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.