Vijon lirimi i hapësirave publike në Lushnjë, Malaj: Në fokus, sundimi i ligjit
TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me kryetaren e bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, ndoqën nga afër aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre te qytetarët.
Ky aksion po vijon edhe në thellësi të lagjeve të qytetit, me qëllim që t’i japë fund kaosit dhe zaptimit të paligjshëm të këtyre hapësirave.
Ministri Malaj theksoi se themeli i këtij aksioni është sundimi i ligjit dhe krijimi i hapësirave të lira për qytetarët.
“Askush nuk mund të zaptojë hapësirat publike për interesa personale, as të pengojë lëvizjen dhe funksionimin normal të jetës urbane në Lushnjë”, tha Malaj.
Ai bëri thirrje që sipërmarrësit dhe individët që në mënyrë të padrejtë kanë zaptuar hapësira publike t’i lirojnë ato vullnetarisht, në mënyrë që të evitohen penalitetet.
“Është e rëndësishme të ndërtohet një klimë ku të sundojë fryma e ligjit dhe ku respektohen hapësirat e përbashkëta”, theksoi ai.
Kryetarja e bashkisë, Sefa informoi se tashmë është hartuar një plan masash, është bërë evidentimi i të gjitha ndërtimeve në të gjithë territorin.
“Janë dërguar njoftime sipas procedurave ligjore, duke i ftuar qytetarët që të heqin vetë montimet pa leje, ndërsa ato me leje janë shfuqizuar me vendime zyrtare. Disa qytetarë kanë menduar se kjo do të ishte vetëm një periudhë kalimtare, por tashmë është marrë një aksion i plotë në të gjithë territorin, ku nuk do të lejohet asnjë tentativë për zaptim”, theksoi Sefa.
Sipas saj, hapësirat publike do t’i kthehen qytetarëve.
“Përveç zonës qendrore, edhe hapësirat brenda territorit të qytetit do të rikthehen si zona çlodhëse me të gjithë elementët urban”, deklaroi Sefa.
/a.f/
The post Vijon lirimi i hapësirave publike në Lushnjë, Malaj: Në fokus, sundimi i ligjit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.