Rritet përdorimi i automjeteve elektrike
TIRANË, 16 korrik/ATSH/ Në gjysmën e parë të këtij viti, Shqipëria ka regjistruar një rritje të ndjeshme të mjeteve elektrike, me një total prej 2,323 automjetesh të regjistruara, duke shënuar një rritje prej 82% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), gjatë periudhës Janar-Qershor 2025, 25,2 % e mjeteve të regjistruara për herë të parë janë elektrike, një tregues i fuqishëm se përdoruesit po preferojnë gjithnjë e më shumë teknologjinë elektrike.
Flota e mjeteve elektrike ka arritur numrin prej 8701 automjetesh në qershor 2025, që përbën një rritje prej 36% krahasuar me vitin 2024.
Ndërsa numri i automjeteve hibride gjithashtu kanë shënuar rritje. Aktualisht 51% e automjeteve të regjistruara për herë të parë gjatë këtij viti janë me teknologji elektrike apo hibride plug-in.
Në këtë mënyrë është shënuar një ulje e konsiderueshme e emetimeve të CO2, me një reduktim prej 11 milionë kg CO2 në vit, duke ndihmuar në pastrimin e ajrit.
Përveç kësaj, kjo ka kontribuar në një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit, me një ulje prej gati 383 metra kub të ndotësve atmosferikë, që është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së mjedisit.
Sipas DPSHTRR-së 74% e autoveturave të regjistruara gjatë periudhës janar-qershor 2025 janë Euro 5 ose standarde më të avancuara, duke treguar një progres të konsiderueshëm në përdorimin e automjeteve më ekologjike dhe më të pastra. /j.p/
The post Rritet përdorimi i automjeteve elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.