Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Bumerangu ndodhet brenda kutive

10 June 2025 at 16:32

Nga Skënder Minxhozi

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve njoftoi se ka anulluar pushimet verore pas kalimit në rinumërim të disa qarqeve kryesore. Kryekomisioneri Ilirian Celibashi tha gjithashtu se nuk nevojiten fonde shtesë për të rinumëruar votat në Tiranë, Fier e Dibër pasi janë kursyer 3 milion euro nga procesi i votimit në diasporë. Në këtë mënyrë mesi i gushtit do e gjejë KQZ në procesin e rinumërimit, duke e shtyrë drejt fundit të verës certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve. Shqipëria s’do të njohë rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura në pranverë deri në fund të verës. Tipike shqiptare kjo dukuri e shëmtuar më shumë se 30 vjeçare!

Opozita po turret drejt rinumërimit të votave në disa qarqe kryesore, në abuzim me të drejtën përkatëse që i jep Kodi Zgjedhor. Ashtu siç sugjeronte me të drejtë një koleg së fundi, kjo taktikë bllokimi e shtyrjeje duhet të ketë edhe një përgjegjësi të caktuar nga pas. Nëse kontestohet vetëm për të kontestuar, ndërkohë që shifrat nuk lëvizin, duhet të ketë një penalitet për atë palë që e abuzon këtë të drejtë. Zgjedhjet kombëtare nuk mund të mbahen peng për arsye grupi apo paneli politik.

Strategjia e opozitës synon në këto kushte të arrijë disa objektiva të brendshme, kuptohet duke shpërfilur gjithçka që mund të konsiderohet si interes publik apo kombëtar. Së pari Berisha kërkon që përmes mbajtjes “gjallë” të debatit për standartin e zgjedhjeve, të anashkalojë dhe anullojë çdo tendencë diskutimi e debati brenda PD në lidhje me përgjegjësinë e tij personale në rezultatet e 11 majit. “Neni Basha” i cili e nxjerr jashtë zyrës së kryetarit Doktorin, është një çengel procedural që përflitet se do të përdoret nga zyrtarë të caktuar në PD sapo rezultati zgjedhor të jetë shpallur zyrtarisht nga KQZ. Berisha nuk do të donte kurrsesi që kjo andrallë statutore apo edhe debate e pakënaqësi të individëve të ndryshëm në parti, të vendosin sadopak në rrezik pozitën e tij dominuese në PD. Jo më kot avokati i tij kërcënonte pak ditë më parë me përplasje fizike ata që do t’i binin në qafë “shpëtimtarit të partisë”!

Së dyti, edhe kjo e lidhur me fatin e Berishës, PD po kërkon që përmes rinumërimeve të largojë edhe debatin tjetër më të gjerë, atë të forumeve drejtuese partiake për humbjen madhështore ku e futën opozitën shqiptare. Listat e mbyllura qenë produkti i një vizioni të bunkerizuar që Berisha ka për forumet drejtuese të partisë. Përgjegjësia e këtyre forumeve për lënien rrugëve të mbi 200 mijë votave, është një temë që normalisht duhet të kishte provokuar një debat të fuqishëm të brendshëm të cilin në PD po mundohen ta bllokojnë me çdo kusht. Dhe karta më e përdorur në këto raste dihet cila është: Na vodhën!

Së treti, ndërtimi i një teoreme për trukimin e zgjedhjeve do të shërbente si karburant për të rianimuar sadopak votuesin opozitar, i cili ndodhet tashmë i demotivuar, në një depresion psikologjik të cilit nuk i shihet fundi. Gjetja e ndonjë parregullsie brenda kutive të rinumëruara do t’i jepte një grimë shpresë dhe fuqi tezës se zgjedhjet u fituan, por Rama përvetësoi fitoren!

Ka një kundër-argument megjithatë në gjithë këtë strategji “tërhiq e mos e këput”. Është bumerangu që krijohet objektivisht kur paditë dhe ankimimet verifikohen dhe rezultati nuk ndryshon. Gjatë këtyre javëve pas 11 majit Berisha dhe zyrtarët më të lartë të PD kanë shpenzuar shumë kohë dhe energji për të artikuluar akuza të rënda dhe skualifikuese për procesin elektoral. Treni bullgar është një togëfjalësh i përdorur gjerësisht në kriticizmin e opozitës ndaj zgjedhjeve. Megjithatë asnjë provë konkrete nuk ka filtruar deri më sot nga mbi 5000 kutitë e votimit në të gjithë territorin në lidhje me këtë akuzë, edhe pse me mundësitë që ofron sot teknologjia celularët dhe kamerat e çdo tipi e formati filmojnë gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë të përditshme.

Edhe akuza tjetër, ajo e mungesës së 130 mijë fletëve të votimit, u pa nga hapja e kutive të Vlorës se kishte qenë një boshllëk procedural, e jo një vakuum i vërtetë që nënkupton manipulim dhe modifikim të rezultatit.

Sali Berisha e di fort mirë se duke kërkuar rihapjen e procesit në qarqet e mëdha, thjesht po shtyn certifikimin final të zgjedhjeve. Ai e di se po kërkon në vendin e gabuar për provat e manipulimit. Prej kohësh që tashmë s’mbahen mend, zgjedhjet shqiptare nuk e kanë të keqen brenda kutive të votimit. Zgjedhjet tona nuk blihen ose shiten ditën e zgjedhjeve, as kutitë nuk hapen dhunshëm për t’u mbushur me fletë votimi. Gjithçka ndodh shumë më herët. Atëhere kur palët dalin e blejnë nëpër fshatra e qytete me para në dorë, vende pune apo oferta të tjera ekonomike. Dhe në këtë pikë opozita ka qenë e paaftë të krijojë me vota konkrete e të qarta mozaikun e vjedhjes së zgjedhjeve në 11 maj.

Rezultati elektoral i radhës nuk le shumë vend për të manovruar me akuzat e vjedhjes e manipulimit. 33 mandate distancë mes palëve kryesore janë një greminë që nuk mund ta mbushë asnjë akuzë apo listë akuzash. Vullneti i votuesit ka qenë i qartë, detajet dhe ngjarjet sporadike nuk mund ta tjetërsojnë një humbje të rëndë dhe të pakthyeshme politike e elektorale. Duke rihapur kutitë pa gjetur në to atë që do të dëshëronte të gjente (përveç firmave të komisionerëve të vet) Berisha do të kishte në fund të sezonit veror një argument më pak për vjedhjen e zgjedhjeve. Një argument me pak, por një bumerang më shumë…

Masakër qeveritare apo masakër brezash?!

3 June 2025 at 10:14

Nga Skënder Minxhozi

Katër djem (jo edhe aq) të rinj vinin vërdallë nëpër Shqipëri dhe emigracion gjatë fushatës së fundit të 11 majit. Disa prej tyre kishin qenë aktivistë politikë në të shkuarën, njëri edhe deputet. Pakkush nga votuesit e kuptonte se çfarë përfaqësonin politikisht dhe me gjasë ende s’kanë lexuar asnjë rresht nga programi i tyre. Dinë se ata janë kundër Ramës dhe Berishës.

Pak shqiptarë patën kohë t’i kuptojnë partitë e reja deri në 11 maj. Jo si persona, por si projekte politike. E megjithatë Lapaj, Shehaj, Shabani e Qori morën plot 164 mijë vota, bashkë me treshen Basha-Alibeaj e Shehi. Një e katërta e votave opozitare në 11 maj u hodh jo për ASHM-në e Berishës, Metës e Mediut por për parti që kandidonin për herë të parë në zgjedhje. Një mal me vota që në katër vite firuan nga thesi i madh i votave anti-qeveri, për shkak levizjesh e partish të ngritura me nxitim, me pak financa dhe me fare pak njohje në opinionin publik. Pa shumë shaka në rrethet mediatike qarkullon një batutë e cila sfidon këdo të gjejë numrat dy në partitë e Lapajt, Shehajt e Qorit. Me siguri mbi 95% e shqiptarëve nuk jua dinë emrat!

Nëse kërkojmë të kuptojmë 11 majin, nuk mund ta minimizojmë kurrsesi rezultatin final vetëm tek “vjedhje, vjedhje, vjedhje…”. Nxitimi i Berishës dhe Metës për t’ja faturuar humbjen e tyre te madhe personale dhe të shtrirë pothuajse në të gjithë hartën e vendit, vetëm rolit manipulues të qeverisë është një alibi e cila ka mërzitur tashmë edhe vetë elektoratin e djathtë, i cili ka 12 vjet që pret që këta kalorës të vjetër të politikës të nxjerrin më në fund nga cilindri kartën magjike që do të çojë në opozitë Edi Ramën.

Ajo që ka ndodhur në vend të fitores së premtuar, është një refren qaraman që fillon në mëngjes e nuk shuhet as në darkë, madje edhe në studiot gjithashtu qaramane që vajtojnë zgjedhjet. Gjuetia e momentit quhet “gjej votat e vjedhura”, duke mohuar njëherësh “votat e humbura për fajin e shefave”! Askush nuk i kërkon sot fjala vjen Berishës llogari përse nuk i ruajti dot votat. Edhe pse ishte vetë shefi i opozitës siguronte të madh e të vogël se kësaj radhe Rama s’kishte nga ja mbante pasi ai i kishte siguruar votat e shqiptarëve.

Pyetja që studiot televizive opozitare dhe media tjetër pranë PD e PL refuzon ta bëjë është “pse nuk jepni dorëheqjen për shkak se nuk i ruajtët votat”?! Sepse e sigurt është që dikush duhej të kishte ikur tashmë. E thotë edhe “neni Basha” që Berisha e instaloi në statutin e partisë duke e shoqëruar me ironi dhe thumba për paraardhësin e tij. Si e do dorëheqjen, për shkak se nuk mblodhe vota mjaftueshëm, apo për shkak se pasi i mblodhe nuk dite t’i ruash?! Do ikësh si i pabesueshëm për elektoratin, apo si i pazoti të ruash kutitë e tua?! Këto janë pyetjet që s’i bën askush sot, por që janë thelbi i humbjes së 11 majit.

Leximi që nxjerrin në pah shifrat tregon se përveç rastit të PS, e cila ka ruajtur kuotat si një parti e vjetër dhe si forca politike më e madhe e tranzicionit (mori mbi 850 mijë vota), pala tjetër përballë, ajo e PD-PL ka rënë zhurmshëm duke humbur 250 mijë vota krahasuar me 2021. Dyshja Berisha-Meta që janë parë si formati elektoral më dinamik dhe si rreziku më i madh për PS, rezultuan të jenë një tollumbace e shfryrë në raport me sfidën ndaj pushtetit.

Gjysëm milioni vota (529 mijë egzaktësisht) nuk janë pak për të kaluar një katërvjeçar të qetë në opozitë, por janë krejt të pamjaftueshme për të synuar qeverisjen. Dhe PD-LSI synimin kryesor kanë pushtetin,  të paktën kështu na kanë thënë deri më sot.

Puna është se trashëgimia politike dhe elektorale e këtyre dy siglave të mëdha të politikës shqiptare ndodhet sot nën trysninë e erozionit nga ajo që mund të shihet si një luftë brezash në elitën politike të vendit.

Nuk ishin vetëm Lapaj, Shehja e Qori problemi i Sali Berishës e Ilir Metës në 11 maj. Janë edhe politikanët e rinj, ata që nuk janë përlyer me servilizmin ndaj shefave të djeshëm ose të sotëm dhe që e bëjnë të qetë gjumin në darkë, pa frikën e ndonjë kontrolli të BKH në shtëpi.

Konkretisht, Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti kanë marrë të dy së bashku në qarkun Tiranë në 11 maj plot 38.5 mijë vota. Ndërkohë i gjithë koalicioni ASHM ka marrë në Tiranë 164 mijë vota. Vetëm dy kandidatë të listës së hapur kanë marrë çerekun e votave të të gjithë opozitës së vjetër në kryeqytet!

Nuk ka tregues më të qartë se ky, se efekti gërryes ka funksionuar së jashtmi, por ka qenë prezent edhe brenda elektoratit të PD e PL. Së bashku me partitë e reja, kandidatët e rinj brenda PD janë sfida reale ndaj brezit të vjetër të politikanëve demokratë që vijojnë t’i shkojnë pas qorrazi Doktorit. Nuk ka një masakër qeveritare në zgjedhjet e majit, ka një masakër brezash në rradhët e opozitës së vjetër shqiptare që nuk di ta shohë humbjen në sy dhe ta pranojë.

Berisha i 12 majit është lajmi më i keq për opozitën

26 May 2025 at 15:18

Nga Skënder Minxhozi

Rrallë herë distanca mes palëve në një proces zgjedhor ka qenë kaq e qartë dhe e panegociueshme. Plot 33 mandate parlamentare ndajnë sot dy partitë më të mëdha të vendit pas zgjedhjeve të 11 majit. Me këtë raport forcash mund të krahasohen vetëm zgjedhjet e dekadës së parë të pluralizmit, ato të viteve 1992-1997, kur gara nuk qe thjesht stafetë pushteti por përmbysje e vërtetë në dy kontekste shumë të vështira dhe komplekse.

Ky rezultat e ka bërë edhe më dramatike se më parë situatën brenda opozitës kryesore. Nëse Lulzim Basha e Monika Kryemadhi fitonin 63 mandate në vitin 2021, sot opozita e Berishës e Metës ka vetëm 50 të tillë. Një realitet shifrash që e ka bërë agresiv dhe mohues Sali Berishën dhe besnikët rreth tij, teksa Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve po vijon të certifikojë rezultatet në 12 qarqet.

Një Berishë që diku shfaqet i qetë e në humor, e diku kërcënues e sfidues, është profili i kreut të vjetër të opozitës pas 11 majit. Dikush e sheh këtë qëndrim si një teatër të momentit pas të cilit fshihet kënaqësia për mandatet e fituara. Dikush tjetër e konsideron si një qëndrim të dyzuar për shkak të vështirësisë ku ndodhet, me një situatë të dobësuar në Kuvend dhe një proces gjyqësor që po përgatitet të fillojë ndërsa statusi non grata mbetet i palëvizur. Gjithsesi është një Berishë tjetër ky nga ai që pamë gjatë fushatës që sapo u mbyll.

Edhe për shkak të udhëzimeve e strategjisë së konsulentëve amerikanë Sali Berisha u soll gjatë fushatës pa gjuhën e helmatisur që përdor rëndom sa herë që ka zgjedhje. Ai u kthye në “origjinë” sapo rezultati nisi të marrë formë, duke përdorur ndaj Ramës e të tjerëve gjuhën e zakonshme me pullë të kuqe, kërcënimet, sharjet e fyerjet më të rënda. U rikthye në Berishën që gjithmonë kemi njohur, ofensiv, arrogant dhe shpërfillës.

Kishte shumë arsye që e shtynë Doktorin të ndjekë një trajektore të qetë para zgjedhjeve. Përtej këshillave të Lacivitas e të tjerëve, ai qëndroi stoik në shpresën për të marrë një sinjal çfarëdo nga Uashingtoni. Pagoi miliona dollarë që t’i vinte një ftesë, një heqje e statusit non grata apo një mesazh nga dikush pranë Donald Trump. Premtoi gjithçka, shmangu epitetet e sharjet për Edi Ramën edhe kur ai e quante “buf” dhe “kënetë”, i futi në sirtar përkohësisht kërcënimet. Një Berishë model, në një moment shumë delikat, ku fitorja dhe disfata qëndronin ngjitur me njëra-tjetrën. Një Berishë që tejkaloi vetveten dhe duroi me gojën mbyllur e veshët hapur drejt Amerikës.

Post-12 maji, kur votat e Vorës në fillim e më pas ato të të gjithë territorit nisën t’i japin formë një humbjeje epokale, shënuan një rikthim të fortë në origjinë. U rishfaq Berisha i akuzave “fantastiko-shkencore”, i marrjes nëpër gojë të gjithkujt e gjithçkaje, i tezave më të pamendueshme të cilat si zakonisht i vijnë në vesh nga qytetari dixhital. Mbi të gjitha u rikthye mes nesh Doktori që nuk e di çfarë është dorëheqja dhe reflektimi, autokritika dhe të tërhequrit pas. Tani nuk është më politikan por misionar. Zgjidhje më praktike për të përjetësuar veten në zyrën e kryetarit nuk do ta gjente as Lacivita megjithë stafin e Trumpit, edhe sikur të mendoheshin një muaj rresht!

Berisha po përpiqet t’i japë një përmasë mistike karrierës së tij politike në kushtet e një humbjeje të thellë e të pafalshme. Po i thotë shqiptarëve se nuk është më një politikan që ecën sipas rregullave të lojës, por një misionar që i bindet vetëm Zotit. Me fjalë të tjera po i thotë atyre që e votuan dhe ne të tjerëve se pas kësaj humbjeje të rëndë që pësoi në 11 maj do të ndodhin dy gjëra: e para nuk do të dorëhiqet nga posti i kreut të PD dhe e dyta ai nuk do t’i bindet më statutit të partisë dhe logjikës që thotë se humbësi largohet, por do ta trajtojë veten si një rast krejt special, që tejkalon normat partiake dhe sfidon në heshtje lumin e thirrjeve për largim.

Me këtë qasje Berisha hedh në koshin e plehrave edhe nenin e famshëm të largimit të kryetarit të partisë pas humbjes së zgjedhjeve, të cilin dikur e quante me shpoti “neni Basha”. Nuk dihet nëse do të bjerë dakord të paktën që ta quajë këtej e tutje atë pikë të statutit “neni Berisha”!

Sjellja e Sali Berishës pas 11 majit është një kapje me thonj pas karriges, jashtë kohe, jashtë logjike dhe jashtë të gjitha rregullave e kanuneve që mbajnë në këmbë një forcë politike demokratike në një sistem demokratik standartesh. Nëse në fushatë u përmbajt njëfarësoj që të mos rrëshqiste në formatin klasik shumëvjeçar që na ka mësuar të shohim, sot nuk ka më asnjë faktor madhor që ta përmbajë të mbyllur e të ndrydhur absurdin që gjallon brenda Berishës dhe stafit të tij të ngushtë në lidhje me zgjedhjet dhe kapjen e PD.

Kush mendon sot se Berisha është një njeri i lumtur me rezultatin që arriti në 11 maj mund të jetë duke u gabuar rëndë. Shifra e 50 deputetëve arrin t’i fusë brenda thesit të gjithë besnikët që Berisha do të donte t’i kishte me vete “për ditë të keqe” pas vetes, por kjo shifër përfaqësimi është mjaft anemike për të pasur një peshë politike të dorës së parë në politikën shqiptare dhe institucionet që rrjedhin prej saj. Edi Rama ndodhet shumë pranë shifrës magjike 84 në Kuvend, e cila i siguron votimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Nëse fjala vjen PS do të kishte marrë rezultatin e vitit 2021, pra 74 mandate, votat e PD do të ishin esenciale për çdo konsensus të këtij niveli. Në anën tjetër, katër deputetë të partive të reja, pa llogaritur 3 mandatet e PSD të Doshit, janë një hapësirë votash mbi të cilat Doktori nuk ka kontroll dhe influencë, çka e bën edhe më kompleks pozicionin e tij në parlament.

Me 50 deputetë në katër vitet e ardhshme ai do të ketë mjaftueshëm karburant për të thirrur nën armë mbështetësit e tij të hënave kur thirret në SPAK, por nuk do të ketë shumë peshë për të ushtruar influencën që do të donte të kishte në pallatin e politikës. Aq më pak për të ushtruar mjaftueshëm presion mbi drejtësinë në një moment shumë delikat për të e familjarët e tij. 11 maji ofroi një listë të mpakur mandatesh, prej nga rrjedh edhe pozita e vështirë e Berishës sot, kur po i kërkohet largimi edhe nga kandidatët që futi në listat e deputetëve.

Ky realitet do ta bëjë Berishën edhe më pak elastik e të hapur në kushtet e reja ku ndodhet. Ajo që vjen për PD është edhe më e keqe sesa ajo që kemi parë deri para zgjedhjeve të 11 majit. Prandaj 12 maji është momenti që dikush, dikur dhe diku brenda Partisë Demokratike të ngrihet e të flasë duke e parë në sy Berishën, për t’i thënë se po e fut partinë në një rrugë pa krye, duke mos dhënë dorëheqjen.

Pasi mori vetëm 7 bashki nga 61 të tilla në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, pasi e mpaku opozitën duke provokuar lindjen e një gjysëm dyzine partish të reja opozitare që duhej të ishin parimisht aleatet e PD, pasi mori 13 deputetë më pak se Basha në 11 maj, Sali Berisha po thotë sot se s’ka ndërmend të largohet nga kreu i PD. Mjafton vetëm post-12 maji për t’i thënë “mjaft” mbretërimit të pambaruar të Doktorit të salduar në karrigen e kryetarit!

Humbja shqiptare e Lacivitas dhe fryma botërore anti-Trump

19 May 2025 at 22:09

Orët e para të të hënës kanë sjellë turma të mëdha entuziaste në rrugët e Bukureshtit me flamuj rumunë dhe ato të Bashkimit Evropian në duar. Kryetari i bashkisë së Bukureshtit Nikoshur Dan, një politikan centrist dhe proeuropian ka triumfuar me tetë pikë diferencë ndaj kundërshtarit të tij Xhorxh Simion në garën për poltronin e presidentit.

Simion, një nacionalist i ashpër dhe euroskeptik i bindur u mundua të fitojë betejën duke kopjuar fushatën amerikane të Donald Trump dhe duke u akuzuar në mënyrë të përsëritur si i afërt me Vladimir Putin.

E gjitha kjo perspektivë e zymtë ka rënë pas fitores së Dan dhe forcave properëndimore që i ngritën lart kuotat e tij elektorale pas raundit të parë të votimeve. Zgjedhjet rumune ishin vetëm testi politik i radhës në një Europë të futur në kaos nga lufta në Ukrainë, qëndrimi ndaj Rusisë dhe pozicionimi ndaj linjës së re politike e tregtare të Donald Trump në SHBA. Më parë në këtë test brenda kontinentit e kishte kaluar Gjermania, ku e djathta proeuropiane e Friedrich Merz kishte mundur të ndalë valën elektorale të AFD të ekstremit të djathtë.

Këto dy procese elektorale nuk janë të vetmet të mbajtura nën një klimë presioni që vjen nga pasojat e epokës së re ku kanë hyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas zgjedhjes së Donald Trump, e që përzihet me një listë të gjatë krizash sociale, kulturore apo identitare brenda kontinentit të vjetër. Europa e sotme ka vite që e vuan praninë e Trump në zyrën më të rëndësishme të botës, një marrëdhënie e vështirë që ka nisur qysh në mandatin e parë të Trump në vitin 2016.

Vetëm një javë para zgjedhjeve të shkurtit në Gjermani, zv.presidenti amerikan J.D Vance mbajti një fjalim në Mynih, ku ai sulmoi me terma të ashpër të gjitha demokracitë evropiane, politikat ekonomike e sociale të BE dhe politikën e saj të jashtme. Fjala e J.D Vance kishte si sfond sulmet e ethshme të manjatit miliarder Elon Musk, i cili ndërhyri në mënyrë të hapur në procesin zgjedhor gjerman, duke u rreshtuar pro partisë së ekstremit të djathtë AFD. Vështirë se mbahet mend një sulm më i organizuar dhe i hapur i një demokracie ndaj një vendi tjetër sovran e demokratik në prag të një procesi tejet delikat për të ardhmen e vendit.

E megjithatë AFD nuk mundi të marrë pushtetin. Në të kundërt, siç duket edhe nga presioni amerikan, ajo u skedua në 2 maj nga Zyra federale për Mbrojtjen e Kushtetutës si një parti ekstremiste. Një vendim që nuk u ndryshua edhe pas deklaratës së Sekretarit të Shtetit Rubio, se kjo ishte një  “tirani e maskuar”, ndërsa zv.presidenti Vance u shpreh se “Muri i Berlinit i ringrit”. Kaq i fortë ishte reagimi gjerman, sa këtë e ndjeu edhe Tesla me makinat e saj elektrike, shitjet e të cilave ranë në shifra 70-80 përqind në Gjermani dhe të gjitha vendet kryesore evropiane.

Ardhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në 20 janar të këtij viti i dha hov një fushate të vërtetë botërore të “ndreqjes së hesapeve” majtas-djathtas, në Evropë e Azi, me miq e armiq. Shpallja e linjës së re diplomatike të mosndërhyrjes (siç u pa me Gjermaninë, një sjellje e pjesshme e selektive), si dhe nisja e një lufte panbotërore me tarifat doganore, e futën Presidencën Trump në një sfidë që praktikisht përfshiu aleatë dhe kundërshtarë. Të gjithë bashkë nën goditjen e Donaldit që kërcënoi Groenlandën me pushtim, që ftoi Kanadanë të bëhet shteti i 51-të i SHBA, që deklaroi se Bashkimi Evropian u krijua “për të varrosur Amerikën”, që nisi një luftë tregëtare të paprecedent me Kinën dhe që kërcënoi me pushtim të Kanalit të Panamasë.

Hutimi ndërkombëtar përballë kësaj rrokopuje të papritur duket se ka zgjatur shumë pak. Pasi siç po provohet nga java në javë, Trump po has vështirësi të mëdha në aplikimin e kësaj epoke të re globale që kërkon t’u imponojë vendeve të tjera. Një muaj e gjysmë pas dy prillit, kur shpalli listën e tarifave reciproke me shtetet e treta, vetëm Britania e Madhe ka konkluduar një marrëveshje tregtare me Uashingtonin. Kritikët e Trump thonë se vendet e tjera qëndrojnë në pritje se mos presidenti ndërron mendje, ndërkohë që Kina dhe BE tregohen të kujdesshme. Bisedimet e deritanishme japin shenja shtensionimi, por ende jo marrëveshje afatgjata.

Në planin politik revolucioni Trump duket se po prodhon të kundërtën e asaj që pritej. Jo një eksportim të modelit të ri amerikan dhe as të real-politikës apo strategjisë anti-sistem të cilat predikon doktrina e Donald Trump, por një thirrje nën armë e forcave të moderuara në të gjitha vendet kryesore, që po kërkojnë t’i bëhen pengesë rrëshqitjes që i kërcënon nën shembullin amerikan.

Dhe faktet janë të dukshme. Përveç zgjedhjeve gjermane e rumune, edhe Australia i dha në 3 maj sërish pushtetin partisë laburiste të Antoni Albanese, duke refuzuar opozitën e Peter Dutton, një politikan me qëndrime të ngjashme me Trump.

Shumë mijëra kilometra më në veri, rasti më i bujshëm i reagimit ndaj epokës trumpiste duket se është ai i Kanadasë, ku liberalët e majtë të Marc Carney arritën të mbajnë në opozitë edhe për katër vite Pierre Polievre, një opozitar që përdori gjatë fushatës një pjesë të tezave të Trump. Agresioni i fortë diplomatik i Trump krijoi shanset që edhe një parti në pushtet e diskretituar, si ajo Liberale, të fitojë papritur në zgjedhje. Sepse me poshtërimin që i kishte bërë thuajse çdo ditë kanadezëve, Trump ja doli të “krijojë” për herë të parë në historinë moderne të vendit, një materie deri tani ta panjohur në Kanada: nacionalizmin kanadez!

Ndërkohë ngjitur me Kanadanë, në 11 mars ishulli më i madh i botës Groenlanda, tregoi me votën e 55 mijë banorëve të tij se nuk e dëshëron bashkimin me SHBA. Në zgjedhje fituan demokratët, të cilët janë më të afërt me Danimarkën dhe nuk e duan pavarësinë e plotë nga vendi evropian.

Paralelisht me këto ngjarje, paradoksalisht e djathta ekstremiste evropiane ndjehet sot që Trump është në pushtet, më e dobët se dje kur ai s’kishte ardhur ende në Shtëpinë e Bardhë. Marine Le Pen, politikania franceze që është simboli i të djathtës ksenofobe jo vetëm në vendin e saj, e gjen veten me një dënim nga gjykatat vendase, që mund ta pengojë të garojë në zgjedhjet e 2027. Edhe kryeministra të afërt me Trump si Viktor Orban, po ndjejnë izolim brenda Bashkimit Evropian, ndërsa Brukseli po mendon të anashkalojë politikën e vetos që Hungaria, Sllovakia e ndonjë vend tjetër përdorin për të bllokuar vendimmarrjet sensitive të BE.

Në listën e këtij rizgjimi duket se futet edhe vendi ynë, me peshën e tij modeste në këtë përballje globale. Fushata në Shqipëri ka qenë e përqëndruar fort tek karta Trump dhe njerëzit që e sollën atë në zgjedhjet shqiptare. Prania e Chris Lacivita në kampin opozitar dhe kontrata 6 milion dollarë me një kompani lobimi pranë stafit të Trump dhe Rubio, jo vetëm që i dha opozitës një hov drejt spektrit të tezave që përdor sot Donald Trump. Këto dy blerje brenda rrethit të ngushtë të Presidentit sollën në zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri edhe fjalorin që përdor sot ky mjedis politik, edhe sjelljet që aplikon ai sot SHBA me palët e treta, pa harruar premtimin për të zbatuar këtu tek ne shumëçka nga ato që sot Uashingtoni po zbaton në planin e brendshëm.

Fatmirësisht kjo “ethe” e importuar ra zhurmshëm me votën e shqiptarëve. Lacivita dhe kompania “Continental Strategy” do i marrin honoraret e majme që kanë nënshkruar me PD e Berishën, por projekti i tyre për të sjellë në pushtet në Shqipëri një të djathtë-satelit të linjës Trump, dështoi. Mesa duket bota po fillon të kërkojë dhe të gjejë gradualisht antitrupat ndaj asaj që shihet sot si përmbysja më e madhe gjeopolitike pas rënies së Murit të Berlinit. Dikush, me mendje dhe vështrim të hollë, fut në këtë rizgjim edhe zgjedhjen e Papës Leoni i 14-të. Për arsye të kuptueshme…

Shumë pak, shumë vonë

8 May 2025 at 09:20

Nga Skënder Minxhozi

Domethënë Partia Demokratike harxhoi gjashtë milionë dollarë dhe sa e sa miliona të tjera ende të padeklaruara, vetëm që një gazetar të pyeste në Departamentin e Shtetit a udhëton dot shefi i opozitës shqiptare në SHBA?!

Kjo është trokitja më e shtrenjtë e një medie në një derë institucioni, ndërkohë që vetë institucioni mund të kishte ndjekur rrugët zyrtare për t’i hequr non gratën Sali Berishës.

Rruga që lobistët e Berishës dhe ish-zyrtarë të DASH gjetën për të thënë që kreu i PD nuk është më non grata, është ajo e derës së pasme të Departamentit. Ky është një variant poshtërues më shumë sesa dritë jeshile.

Nuk u bë ajo që ndodhi me stafin e Viktor Orban. Pra që të hiqej statusi ‘non grata’ me vendim zyrtar të administratës amerikane. U gjet një gazetar që bëri një pyetje a thua se Berisha donte të shkonte me pushime në Amerikë. Shumë pak, shumë vonë!

Tashmë ndodhemi përballe një gjetjeje emergjence, më shumë sesa përballë një ndryshimi zyrtar të një qëndrimi amerikan ndaj një politikani ballkanik. Interesimi i gazetarit amerikan për të marrë një mesazh online është një zgjidhje e sforcuar që nuk ngop askënd. As personin e shpallur non grata, as partinë që drejton dhe aq më pak shqiptarët që mbajnë shënim në sfond.

Është një supë e holluar me ujë që nuk ofron asnjë garanci se statusi i doktorit ka ndryshuar.

The post Shumë pak, shumë vonë first appeared on JavaNews.al.

Donte një fushatë si të Trumpit, po i del një fushatë si e Bidenit

21 April 2025 at 23:25

Nga Skënder Minxhozi

Si Trump ka vetëm kapelen që i kanë thënë të mbajë në kokë. Të tjerat deri tani i ka si Joe Biden, presidenti të cilin e urreu në heshtje, teksa shihte sesi administrata e tij e dënonte me statusin non grata.

Sali Berisha po bën të flitet shumë për të këto orë, jo edhe aq për premtimet të cilat dihen se sa të shumta e bujare janë në kohë fushatash, por më tepër për gafat, gjestet e shkarjet e vogla banale para kamerave.

Është një Berishë ky i fushatës së fundit elektorale, të cilin e njihnim dhe e kujtonim shumë të ndryshëm gjatë 30 viteve të fundit: majë kalit të garës elektorale, plot vrull e populizëm që i buronte nga e gjithë qenia e tij. Aq sa shumëkush, miq apo armiq,  pranonin me gjysëm zëri se ky politikan kishte lindur për fushatat dhe mitingjet.

Sot rrjedha e ngjarjeve e ka kthyer Berishën në sinoret biologjike të dikujt që e ka të vështirë të menaxhojë ritmin e një fushate kombëtare zgjedhjesh. Pak a shumë ashtu si “i urryeri” Joe Biden i cili rrëshqiste nga shkallët e avionit apo ngrinte me shikimin diku në sallë teksa mbante një fjalim. Është ana e vetme që Berisha s’do të donte ta shfaqte në publik.

Është ai aspekt që tek një politikan populist si ai, i cili ofron gjithmonë luftën, përballjen dhe grushtin e ngritur, përbën një kontrast të papranueshëm, një thyerje kapitulluese, një kthesë fatale drejt humbjes.

Sali Berisha ka pasur vetëm një tabu në jetën e tij politike: të duket i dobët para syve të shqiptarëve. Në momentet më të vështira ai ka qenë sfidues dhe i palëkundshëm, i ashpër dhe i panegociueshëm në qëndrime e sjellje. Ka qenë arketipi i liderit politik të postkomunizmit që nuk ndërron rrugë në asnjë rrethanë, që mbetet stoik dhe idhnak, cilatdo të jenë situatat dhe pozita ku ndodhet.

Kjo fushatë po na zbulon për herë të parë një Berisha në variantin e tij “soft”. Një politikan që ka humbur sigurinë në ecje, të cilit njerëzit i urojnë shëndet duke i vënë në dukje moshën, që nis të harrojë datat e vendet apo që fjalët i dalin të shtrembëruara duke u bërë objekt ironie e shpotie nga kundërshtarët. Gjithçka normale dhe fiziologjike për një njeri me shumë vite mbi shpinë, por njëherësh edhe gjithçka që është e papranueshme dhe që bie ndesh me modelin dhe mentalitetin që Sali Berisha ka kultivuar në politikën shqiptare.

Doktori do të donte një fushatë të tipit të Donald Trump, e cila përfundoi me fitoren e miliarderit përballë dyshes Biden-Harris. Në fakt pa dëshirë dhe në mënyrë krejt të papritur fushata e tij po nis t’i ngjajë listës së gafave e rrëzimeve të Joe Biden. Një spostim fatal dhe më i urryeri i imagjinueshëm për Berishën, i cili energjisë konstante të Edi Ramës që është në çdo moment të ditës në video apo në fushatë në terren, s’po arrin t’i mbajë ritmin dhe tensionin e duhur.

Nuk është kjo fushata që opozita kishte planifikuar me Berishën. Partia Demokratike endet prej 12 vitesh në nostalgjinë elektorale të Sali Berishës, si politikani që transformohet në momentin e garës politike.

Në fakt ajo që opozita po gjen është një aspekt dobësie që megjithëse i pritshëm dhe logjik, konsiderohej i largët dhe i pamundur për ndjekësit e Doktorit. Të paktën në këto zgjedhje, ku Berisha përsërit vazhdimisht se do të jetë kryeministri i ardhshëm pas 11 majit.

Momenti kur mbahen zgjedhjet aktuale parlamentare përkon me një temë shumë debatuar në vitet e fundit, e cila është ajo e konsumit të elitës politike të postkomunizmit. Dalja e partive te reja në skenë dhe mërzia e elektoratit shqiptar me fytyrat e vjetra të 30 viteve të shkuara ende në skenë, e bëjnë fatale çedimin dhe rëniet apo gafat para kamerave të fushatës.

Berishës po i ndodh pikërisht kjo në momentin më të padëshërueshëm. Kishte dashur një fushatë si të Trumpit, por po i del një fushatë si e Bidenit. Problem i madh, tre javë para votës!

 

Donte një fushatë si të Trumpit, po i del një fushatë si e Bidenit

21 April 2025 at 16:58

Nga Skënder Minxhozi/

Si Trump ka vetëm kapelen që i kanë thënë të mbajë në kokë. Të tjerat deri tani i ka si Joe Biden, presidenti të cilin e urreu në heshtje, teksa shihte sesi administrata e tij e dënonte me statusin non grata. Sali Berisha po bën të flitet shumë për të këto orë, jo edhe aq për premtimet të cilat dihen se sa të shumta e bujare janë në kohë fushatash, por më tepër për gafat, gjestet e shkarjet e vogla banale para kamerave. Është një Berishë ky i fushatës së fundit elektorale, të cilin e njihnim dhe e kujtonim shumë të ndryshëm gjatë 30 viteve të fundit: majë kalit të garës elektorale, plot vrull e populizëm që i buronte nga e gjithë qenia e tij. Aq sa shumëkush, miq apo armiq,  pranonin me gjysëm zëri se ky politikan kishte lindur për fushatat dhe mitingjet.

Sot rrjedha e ngjarjeve e ka kthyer Berishën në sinoret biologjike të dikujt që e ka të vështirë të menaxhojë ritmin e një fushate kombëtare zgjedhjesh. Pak a shumë ashtu si “i urryeri” Joe Biden i cili rrëshqiste nga shkallët e avionit apo ngrinte me shikimin diku në sallë teksa mbante një fjalim. Është ana e vetme që Berisha s’do të donte ta shfaqte në publik. Është ai aspekt që tek një politikan populist si ai, i cili ofron gjithmonë luftën, përballjen dhe grushtin e ngritur, përbën një kontrast të papranueshëm, një thyerje kapitulluese, një kthesë fatale drejt humbjes.

Sali Berisha ka pasur vetëm një tabu në jetën e tij politike: të duket i dobët para syve të shqiptarëve. Në momentet më të vështira ai ka qenë sfidues dhe i palëkundshëm, i ashpër dhe i panegociueshëm në qëndrime e sjellje. Ka qenë arketipi i liderit politik të postkomunizmit që nuk ndërron rrugë në asnjë rrethanë, që mbetet stoik dhe idhnak, cilatdo të jenë situatat dhe pozita ku ndodhet.

Kjo fushatë po na zbulon për herë të parë një Berisha në variantin e tij “soft”. Një politikan që ka humbur sigurinë në ecje, të cilit njerëzit i urojnë shëndet duke i vënë në dukje moshën, që nis të harrojë datat e vendet apo që fjalët i dalin të shtrembëruara duke u bërë objekt ironie e shpotie nga kundërshtarët. Gjithçka normale dhe fiziologjike për një njeri me shumë vite mbi shpinë, por njëherësh edhe gjithçka që është e papranueshme dhe që bie ndesh me modelin dhe mentalitetin që Sali Berisha ka kultivuar në politikën shqiptare.

Doktori do të donte një fushatë të tipit të Donald Trump, e cila përfundoi me fitoren e miliarderit përballë dyshes Biden-Harris. Në fakt pa dëshirë dhe në mënyrë krejt të papritur fushata e tij po nis t’i ngjajë listës së gafave e rrëzimeve të Joe Biden. Një spostim fatal dhe më i urryeri i imagjinueshëm për Berishën, i cili energjisë konstante të Edi Ramës që është në çdo moment të ditës në video apo në fushatë në terren, s’po arrin t’i mbajë ritmin dhe tensionin e duhur.

Nuk është kjo fushata që opozita kishte planifikuar me Berishën. Partia Demokratike endet prej 12 vitesh në nostalgjinë elektorale të Sali Berishës, si politikani që transformohet në momentin e garës politike. Në fakt ajo që opozita po gjen është një aspekt dobësie që megjithëse i pritshëm dhe logjik, konsiderohej i largët dhe i pamundur për ndjekësit e Doktorit. Të paktën në këto zgjedhje, ku Berisha përsërit vazhdimisht se do të jetë kryeministri i ardhshëm pas 11 majit.

Momenti kur mbahen zgjedhjet aktuale parlamentare përkon me një temë shumë debatuar në vitet e fundit, e cila është ajo e konsumit të elitës politike të postkomunizmit. Dalja e partive te reja në skenë dhe mërzia e elektoratit shqiptar me fytyrat e vjetra të 30 viteve të shkuara ende në skenë, e bëjnë fatale çedimin dhe rëniet apo gafat para kamerave të fushatës. Berishës po i ndodh pikërisht kjo në momentin më të padëshërueshëm. Kishte dashur një fushatë si të Trumpit, por po i del një fushatë si e Bidenit. Problem i madh, tre javë para votës!

The post Donte një fushatë si të Trumpit, po i del një fushatë si e Bidenit first appeared on JavaNews.al.

Macron, Starmer dhe “fantazma” elektorale e Lacivitas

10 April 2025 at 13:32

Nga Skënder Minxhozi

Edi Rama do të donte që Samiti i Komunitetit Politik Evropian të mbahej në datën e tij fillestare të përfolur, 9 maj. Pra dy ditë para zgjedhjeve. Për arsye të kuptueshme korrektese në raport me votën e shqiptarëve, kjo datë ishte e papërshtatshme, por kjo s’do të thotë që marketingu që kjo ngjarje po prodhon është më pak i rëndësishëm për organizatorët. Domethënë për qeverinë socialiste dhe kryeministrin e saj, i cili është i njohur për organizime e protokolle të kësaj natyre. Është e ditur se Rama egzaltohet në përgatitjen e ngjarjeve të tilla, merret me çdo ftesë, me menunë e ushqimit, vendin ku do ulen miqtë dhe dekorin e sallave e qilimin e kuq që pret delegacionet tek hyrja. E gjitha kjo e ka një arsye madhore shtesë, përtej detajeve për të cilat Rama njihet se është “i sëmurë”: një Samit i këtij formati është dhurata më e bukur elektorale që kryeministri do të kishte zgjedhur symbyllur edhe sikur ta pyesnin dhjetë herë rresht!

Ky samit e kthen Ramën në territorin e vet të preferuar të komfortit: politikën e jashtme. Një sferë e politikbërjes e cila në rastin e socialistëve kompenson edhe konsumin e qëndrimit gjatë në pushtet. Në fakt në 12 vjet drejtimi të vendit, me ulje-ngritjet e ekonomisë, mungesën e efiçensës në shkallët e ndryshme të qeverisjes, rastet e korrupsionit dhe premtimet e pambajtura, politika e jashtme ka qenë rregullisht kali i betejës i maxhorancës aktuale që ka nxjerrë nga pika e vdekur karvanin socialist.

Gjetja e pasaportës evropiane si simbol i fushatës elektorale vjen si një akt gati i detyrueshëm për Edi Ramën, si ikona e suksesit më të madh të qeverisjes së tij katërvjeçare, të mjegulluar nga Spak dhe amullitë e tjera të politikës së brendshme.

Në katër vitet e fundit u hapën negociatat me Brukselin dhe vendi riktheu kokën nga industria e turizmit e tulatur nga pandemia. Aktualisht jemi, për habinë e të gjithëve, një vend i dalluar në kryerjen e detyrave të shtëpisë së Brukselit. Aq të dalluar sa komisionerja e zgjerimit deklaron publikisht se negociatat do të mbyllen brenda vitit 2027!

Në anën tjetër, turizmi është afirmuar pa më të voglin dyshim si aktiviteti më i suksseshëm ekonomik i qeverive Rama që nga viti 2013. Një bilanc prej miliona turistësh të huaj, paralelisht me hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian, janë dy duar që lajnë njëra-tjetrën në procesin e normalizimit dhe hapjes së vendit ndaj botës.

Edhe një episod në dukje sipërfaqësor, ai i ardhjes dy herë në Tiranë të një presidenti francez brenda një viti e gjysëm (një i tillë s’kishte shkellur kurrë më parë tokën shqiptare), përbën një avantazh të cilin Edi Rama po e përdor në këtë atmosferë zgjedhjesh, duke e vënë Samitin mu në mes të sheshit Skënderbej. Si për të thënë publikisht dhe me forcë se ky është arsenali i tij i vërtetë në garën me kundërshtarët.

Data e zgjedhjeve po i ofron një bonus unik kryeministrit Rama. Një Samit i cili mbledh në qendër të Tiranës një hapësirë shtetesh që nisin në Kaukaz dhe mbarojnë në ishullin britanik. Nuk është e rastit që fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore në Shqipëri po përkon me njoftimet për vizitat zyrtare që presidenti francez dhe kryeministri britanik do të zhvillojnë paralelisht me mbajtjen e Samitit, i pari në datën 17 maj dhe i dyti në datën 15. Nëse kësaj dysheje i shton Von Der Leyen, kancelarin Merz, Melonin, Zelenskin, Erdoganin e dy dyzina liderësh të tjerë të kontinentit, menuja e 16 majit bëhet “e rëndë në kalori”.

Vjen kësisoj e përsëritet një situatë e njohur për të gjithë ne shqiptarët, ku opozita njofton çdo javë izolimin e afërt qeverisë socialiste në planin ndërkombëtar dhe rregullisht ky lloj parashikimi hidhet poshtë nga ajo që ndodh në terren. Aty ku thuret rrjeta e ndërlikuar e raporteve me shtetet dhe institucionet, e ku Edi Rama ka treguar se di të notojë më me shkathtësi sesa me ndërtimin e një ujësjellësi në Kukës apo një cope rrugë në Përmet.

Kemi mësuar mjaftueshëm në këto 30 e kusur vite se kjo rrethanë, pra mbajtja e raporteve të ngushta me vendet dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare përbën një koeficient që nuk i shërben vetëm karrierave personale të krerëve tanë politikë, por edhe vetë vendit. Një shtet i vogël dhe i ekspozuar ekonomikisht dhe në planin e sigurisë si Shqipëria, ka nevojë konstante të ruajë e forcojë marrëdhëniet me miqtë dhe partnerët.

Bilanci 12 vjeçar i qeverisjes së majtë në planin e brendshëm ka treguar prej kohësh shenja plakjeje e konsumi. Është një bilanc i cili do ta vendoste në risk fitoren e mandatit të katërt nëse nuk do të shoqërohej në sfond nga një proces i vazhdueshëm dhe për disa aspekte edhe i papritur hapjeje dhe bashkëpunimi të ngushtë me vendet kryesore të Evropës e SHBA.

Kjo është hipoteka e vërtetë e qeverisjes së Ramës në katër vitet e fundit, kur negociatat me BE u hapën dhe kur miliona turistë zbuluan “papritur” se të vish në Ksamil është po aq bukur dhe komode sa të shkosh në një ishull grek të Egjeut.

Politika e jashtme dhe turizmi, të përmbledhura nën nocionin e “hapjes” së vendit, janë suksesi i vërtetë 12 vjeçar i qeverisjes socialiste. I cili kontraston edhe më shumë kur vendoset përballë pozitës së vështirë të kundërshtarit kryesor Sali Berisha. Një politikan i veteran i cili dikur priste Xhorxh Bush në Tiranë, kurse sot gëzohet e rreh shuplakat se e ftoi ambasada greke në festën kombëtare, teksa këshilltari i Trump Lacivita është kthyer tashmë në një lloj fantazme elektorale për të dhe opozitën shqiptare! Pozitë shumë e ndryshme kjo nga ajo e kundërshtarit që po bën gati tapetin e kuq të 16 majit!

Katastrofa paraelektorale e Sali Berishës

22 March 2025 at 18:45

Nga Skënder Minxhozi/

Çdo natë, pas daljes së listave zyrtare të 1 majit, gjen nëpër studiot e debateve televizive një lloj politikani që ka më shumë për të thënë e kritikuar  për përtinë e vet sesa për kundërshtarin. Janë kandidatët e lënë jashtë listave, ose të hedhur nga zona e rehatshme e listës së mbyllur tek gara vrastare në listë të hapur. I përkasin që të gjithë opozitës, madje një koalicioni opozitar: Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Burra e gra deri dje pretendentë dhe me vota nga pas në vendet e tyre të origjinës tani dalin e sulmojnë publikisht Berishën e Nokën që i trajtuan si presje dhjetore. Dashnor Sula, një politikan i vjetër dhe me influencë në një pjesë të Shqipërisë së mesme, është rasti klasik sesi një forcë politike hedh nga dritarja disa mijëra vota, vetëm se i del nga fjala një demokrati të hershëm.

Madhështore kjo aleancë ka tashmë vetëm emrin, pas asaj që ka ndodhur javët e fundit. E gjitha kjo e parapërgatitur nga një stinë e gjatë absurdi që është konsumuar brenda mureve të selisë së ish-Shqupit. Si fillim, pasi mori partinë me vendim gjykate, Doktori filloi ta zhveshë projektin e tij të ri politik nga të gjitha premtimet që kishte bërë gjatë turit të Foltores në vitet 2022-2023. Ndërsa Lulzim Basha zbehej gradualisht në marzhet e opozitës, Berisha i mblodhi  një nga një rreth vetes njerëzit e ish-kryetarit, me premtimin se do të respektonte qëndrimet dhe pozicionet e tyre. Sot, tre vjet pas fillimit të atij procesi, ka vetëm një PD dhe ajo i përket Sali Berishës. Kush ka hyrë në atë derë me mendjen e vet (apo atë të Lulit), ka kohë që e ka bërë lavazhin cerebral, sipas linjës politike të shefit të vjetër.

Kjo parapërgatitje ka krijuar kushtet që sot të kemi një formacion politik ku ende dëgjohen termat “bashkëjetesë” apo edhe “primare”, po ku gjithçka është false si në ato dyqanet me fruta dhe ushqime plastike që ka ndërtuar qeveria e Kim Jong Unit në të dalë të aeroporteve nga vijnë pak qindra të huajt që vizitojnë me leje Korenë e Veriut. Ka primare po s’ka fitimtarë primaresh. Ka votime, por s’ka vendimmarrje konform atyre votimeve.

Rudimenti i premtimeve të hapjes dhe liberalizimit të partisë bëri që primaret të mbijetojnë edhe në këtë fillim-fushate. Për të zezën e PD, kuptohet. Sepse ata që e morën seriozisht premtimin se me primaret do të prenotonin një vend në parlament, u zhgënjyen keqas. E kotë të kujtojmë listën e gjatë të të zhgënjyerve që u votuan nga anëtarësia dhe sot gjenden në rrugë të madhe pasi Doktori i bëri listat ashtu siç kishte menduar dhe planifikuar.

Edhe po të donte ta prishte me dorën e vet fushatën aktuale, Sali Berisha s’do ta bënte dot më mirë se kaq sabotimin e vetvetes. Në momentin kur atij dhe opozitës së vjetër i duhej çdo votë e mundshme shqiptari që është kundër qeverisë dhe Edi Ramës, kreu i PD la rrugës bishta e fraksione, injoroi aleatë të vjetër dhe parti të reja, duke toleruar një nebulozë siglash në radhët e opozitës, e cila do të thithë vota kudo në 12 qarqet ku do votohet pas dy muajsh. Të gjitha sondazhet tregojnë qartë sesa e dëmshme do të jetë kjo ushtri paralele opozitarësh të cilët Berisha vijon t’i përqeshë për kandidimin e familjarëve apo për atë që ai e quan “rreshtim krah Ramës”

Në anën tjetër Doktori shpërfilli taktikën e organizimit të listave, duke grupuar senatorët në zonë të sigurt e duke i hedhur të tjerët në betejë përballë ministrave të Ramës, si një pre e sigurt përballë makinerisë së shtetit. Sot pakkush beson se listat me burokratët në zonë të sigurt dhe gjithë të tjerët në mëshirën e fatit, janë një lëvizje që mund të prodhojnë rotacion në 11 maj. E kundërta është e vërtetë.

Opozita shkon në këto zgjedhje pa një kandidat kryeministër. Është si të thuash një ushtri pa komandant. Natyrisht është Berisha kreu i saj, por që njerëzit të votojnë qeverisjen e nesërme duhet që të dinë kush do të jetë qeverisësi i nesërm, e jo vetëm kryetari i partisë. Sepse në rastin e Berishës kjo ka rëndësi jo të vogël, nga momenti që për të personalisht do të jetë e vështirë të drejtojë ekzekutivin pa pasur mundësi të shkelë në Londër, Uashington a Nju Jork.

E meqë ra llafi tek amerikanët, duket se Doktorit po i bajatet në dorë edhe teza e “sherifit të ri në qytet”. Thënë ndryshe, blerja e shërbimeve të këshilltarit të Donald Trump për të përmirësuar pozitën e tij në SHBA dhe për të dhënë përshtypjen se administrata e re e ka me sy të mirë ish-kryeministrin. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit të Marco Rubios tregon në fakt të kundërtën, teksa e citon rastin e Berishës në gërmë dhe pa i ndryshuar asgjë pozicionit të vjetër të “soroistit” Blinken.

Teksa këqyr këto ditë lojën me batuta në distancë mes Ramës dhe Bashës, duke u munduar të përdorë edhe një herë ironinë e tij të njohur banale, Sali Berisha duket i pafuqishëm të ndalojë një trend që e sheh si humbës të sigurt në zgjedhjet e ardhshme, duke i hequr për herë të katërt demokratëve shpresën për një rikthim në pushtet. Kjo perspektivë që ai po e ndërton me duart  e tij në emër të bindjes se nuk mund ta ndryshojë më fatin që e pret, është me gjasë akti i fundit i degradimit të pushtetit të tij të gjatë politik. Një fund i hidhur dhe pa kthim. Jo vetëm për të, por edhe për partinë që ka vendosur të marrë me vete teposhtë.

The post Katastrofa paraelektorale e Sali Berishës first appeared on JavaNews.al.

Shpata e Dumanit dhe paralajmërimi i heshtur i Grenell

19 March 2025 at 18:14

Nga Skënder Minxhozi/

 

 

Bashkëpunëtori i ngushtë i Donald Trump, Richard Grenell, ka shpërndarë në rrjetin social një mesazh kritik të kryeministrit shqiptar në lidhje me ndalimin nga ana e Gjykatës Speciale të Kosovës të ish-presidentit Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në varrimin e të jatit. “Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturp, që e ka shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Kuvendit të Kosovës në bumerangun më brutal”, shkruante Rama në mesazhin i cili është rishpërndarë nga zyrtari i afërt i presidentit Trump.

Dhe këtu s’ka ndonjë gjë për t’u habitur, pasi është i njohur qëndrimi parimisht skeptik i republikanëve amerikanë ndaj korpusit të drejtësisë, e ndaj prokurorëve e gjyqtarëve amerikanë në veçanti. Saga hetimore e gjyqësore me mbi 90 akuza penale ndaj Donald Trump, rrezikoi ta çonte atë në burg në vjeshtën e vitit të shkuar. Vetëm fitorja e presidencës në 5 nëntor e shpëtoi Trump nga prangat thuajse të sigurta, që po përgatiteshin në disa shtete të SHBA.

Reagimi i Grenell ndërkaq pasqyron jo vetëm këtë kulturë mohimi të qeverisësve aktualë në Amerikë ndaj një pjese të drejtësisë së vendit të tyre, por më gjerësisht edhe ndaj proceseve të tjera gjyqësore ku ndodhen të përfshirë aleatë potencialë të Trump nëpër botë apo edhe zyrtarë që shihen me sy të mirë në Uashington. Prej vitesh Grenell është shprehur kundër procesit ndaj Hashim Thaçit, çka shtoi zërat se një fitore e Trump në zgjedhje do të ishte ndër të tjera edhe një liri e afërt për ish-presidentin kosovar.

Duke e zgjeruar optikën e reagimit të Richard Grenell, ajo çka na tregon dalja e tij në krah të Hashim Thaçit është alergjia aspak e fshehur e administratës aktuale amerikane ndaj teprimeve që sipas tyre sistemet e drejtësisë në vendet e treta po tregojnë ndaj politikës, biznesit e mediave. Ky qëndrim është pjesë e fushatës kundër prokurorëve e gjykatësve që Trump ka ndërmarrë në SHBA, duke premtuar se do t’i ndëshkojë ata që ngritën ndaj tij dhjetra akuza të rënda, por të cilat ranë si me magji sapo ai fitoi zgjedhjet.

Këtu në Shqipëri amerikanët kanë heshtur pas fitores elektorale të Donald Trump, ndaj zhvillimeve të vrullshme që kanë përfshirë sistemin e drejtësisë tonë të re, i cili së fundi është në kurs përplasjeje edhe me “aleatin” e saj kryesor mes elitës politike, shumicën qeverisëse të majtë.

Asnjë deklaratë nuk shënohet nga ambasada amerikane, e aq më pak nga institucionet në Uashington, pasi arrestimi pa gjyq i kryebashkiakut Veliaj provokoi një reagim të ashpër të kryeministrit Rama ndaj SPAK që vijon prej javësh. Duke mos prekur pjesën e hetimit, Rama ka pasur kritika të ashpra ndaj drejtësisë së re për faktin se po aplikon një standart të ashpër paraburgimi për kryebashkiakun e Tiranës. Rastet e Berishës, Metës dhe Veliajt, ku të hetuarit janë arrestuar e burgosur pa u shpallur të pandehur, i janë shtuar ngjarjeve të tjera të debatueshme siç qe përgjimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese pa vendim gjykate.

Rama i kujtoi të mërkurën Altin Dumanit se tashmë ai ka në dorë një shpatë “që ja dhamë ne”. I kujtoi edhe periudhën kur ishte prokuror dhe nuk bënte këto hetime e arrestime që bën sot. Një apel që tingëllon edhe si një tërheqje vëmendje se cili është në të vërtetë “autori dhe pronari” i shpatës që mban sot në dorë drejtësia e re.

E gjitha kjo sherrnajë në distancë mes qeverisë dhe SPAK ka ndodhur pas ngritjes së stekës së hetimeve të drejtësisë së re ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë, hetime të cilat kanë vendosur lupën e opinionit publik edhe mbi vetë prokurorët e gjyqtarët.

Shqipëria po konfirmohet edhe një herë si vendi i ekstremeve. Në harkun e pak viteve po kalojmë nga një sistem i dominuar nga partitokracia ku nuk dënohej askush, në një ligj xhungle të vendosur me dorën e hekurt të drejtësisë së re, e cila arreston, përgjon e dënon cilindo me standarte që në disa aspekte ngjajnë teatrale dhe të sofrcuara. Shihni vendimin e Strasburgut për Thoma Gëllçin. Apo nëse doni të dini sesa selektiv dhe “a la carte” është ky grushti i hekurt i drejtësisë speciale, shihni edhe vendimin tjetër të Strasburgut për 21 janarin që shpërfillet nga SPAK si të ishte një copë letër bakalli!

Mes sjelljes së zellshme ndaj Gëllçit dhe heshtjes për 21 janarin apo edhe për Gërdecin, të krijohet përshtypja se ka një qasje selektive të drejtësisë së re ndaj atyre dosjeve të nxehta që kanë mbajtur pezull shqiptarët për dekada të tëra e që kanë qenë ndër shtysat kryesore për vetë reformën në drejtësi pas vitit 2013.

Në këtë konteskt edhe postimi i mesazhit të Ramës nga Grenell, në dukje i largët nga konteksti shqiptar, në fakt nuk është i tillë. Amerikanët që qeverisin sot në Uashington, kanë alergji të shprehur ndaj gjykatave e prokurorëve që ashtu si në rastin e Hashim Thaçit, tregojnë një zell të tepruar për të zgjatur listën e akuzave dhe bërë presion mbi të akuzuarit. Pas nëntë viteve që paketa kushtetuese e reformës në drejtësi u votua në Kuvendi, është koha që drejtësia e re shqiptare të gjejë dhe ndjekë ekuilibrin e brishtë mes të drejtave dhe hetimit e dënimit të krimit e korrupsionit. Administrata e sotme Trump e përmend çdo ditë këtë mesazh të fortë ndaj sistemit të saj të drejtësisë. Me ose pa të drejtë, në mënyrë normale apo edhe duke e politizuar e shtyrë përtej linjave. Kjo skakierë ku luan politika dhe ligji, politikani dhe prokurori a gjyqtari, është shumë komplekse dhe delikate dhe e ndjeshme. Duhet një sens mase dhe vetëpërmbajtjeje ku ne shqiptarët kemi dëshmuar historikisht e në mënyrë të përsëritur se jemi të pazotët të sillemi kujdesshëm. Dhe po na ra në dorë shpata, duam ta përdorim siç duam, jo siç duhet.

The post Shpata e Dumanit dhe paralajmërimi i heshtur i Grenell first appeared on JavaNews.al.

PD-në e Berishës nuk e fiton dot edhe po dogje rrobat e trupit

12 March 2025 at 23:32

Nga Skënder Minxhozi

Dashnor Sula është një njeri i dëshpëruar sot. I dëshpëruar dhe i zhgënjyer. Nuk është hera e parë që i ndodh kjo për shkak të partisë ku militon prej kohësh që s’mbahen mend. Ka ushqyer në tre vjetët e fundit një iluzion i cili sot u arshivua bashkë me iluzionet e tjera të humbura në Partinë Demokratike. Ka menduar, si shumë të tjerë, se kësaj rradhe edhe Foltorja ka qenë reale, edhe bashkëjetesa e Spakistëve me anti-Spakistët është e mundshme, ka besuar se Berisha ka ndryshuar (!!!), ka menduar se në vitin e 35 pas rrëzimit të komunizmit partia e tij do të hapej më në fund prej vërteti dhe ai bashkë me të tjerë do të kishin në dispozicion rregulla loje dhe procedura që të ishin më të forta se kryetari. Ka gabuar vetëm në një element: tek personi i kryetarit!

Iluzioni kolektiv i një PD-je më të fortë, më të hapur dhe më fitimtare se ajo e Lulzim Bashës mori fund sot edhe formalisht me hedhjen në letër të listave të kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Edhe një herë më tepër, sot u pa sprova e radhës e grushtit të hekurt të Sali Berishës mbi forcën e tij politike. Nuk ka më kongrese nëpër stadiume me votë të hapur, nuk ka më premtime për të zgjedhur gjithkënd dhe gjithçka me votim, me primare dhe me garë të ndershme. Madje këta që fituan primaret janë sot të gjithë të shokuar sesi e kanë parë veten të hedhur në kosh me një laps e një letër në dorën e Doktorit.

Edhe një herë tjetër, si në vitet ’90, si në vitet e para 2000 por edhe në ato të dytat, as dekada e tretë e këtij mijëvjeçari nuk e ka shëruar dot Partinë Demokratike nga pabesia historike e Sali Berishës.

Kushdo që kishte shpresa se kjo do të ndryshonte nuk e ka njohur as Berishën dhe as PD e tij. Sepse kjo e sotmja është PD e tij personale. Mjafton të shohësh listën e Tiranës për të kuptuar sesi lënia në listë të hapur e Jorida Tabakut apo Ilir Alimehmetit është një mesazh i fortë për llojin e politikanit që vijon të bëjë përpara në parti.

Shumëkush e kujton pasionin e Dashnor Sulës në parlament apo studiot televizive. Kujton sesi dogji xhaketën për të dhënë një mesazh proteste, ashtu siç kujton sesi ushqeu për muaj me radhë shpresën romantike të bashkëjetësës mes luajalitetit për Berishën dhe përkrahjes për drejtësinë e re. Sot e tha publikisht se kishte qenë ky iluzion i kotë që e kishte hedhur në rrugën e madhe të politikës. Dash Sula foli edhe për ata që heshtën!

Sali Berisha bëri gjënë më të lexueshme në këto zgjedhje. Përkundër Ramës, i cili ka hedhur në fushën e votave emra me peshë për të tërhequr sa më shumë vota, ai zgjodhi të mbajë pranë vetes vathën e besnikëve dhe të kompromentojë rezultatin final duke lënë në listat e hapura emra më të dobët që nuk e zmadhojnë thesin e votave.

Ky akumulim emrash në kokën e listave nëpër qarqe dëshmon hapur dhe açik frikën që ka në elitën e sotme të Partisë Demokratike në lidhje me shanset reale për fitore në 11 maj. Duke u bërë grumbull në zonën e sigurt të votave, lidershipi politik i partisë në Veri dhe në Jug tregon se e ka të qartë pamundësinë objektive për të kapur masën kritike që duhet për të çuar në opozitë Ramën dhe socialistët. Lista e 11 majit e opozitës PD-PL-PR etjetj, është një pranim humbjeje ende pa u prerë shiriti i fushatës zgjedhore.

Botës i është çmendur kryetari

3 March 2025 at 13:26

Nga Skënder Minxhozi/

 

Një nga komentatorët politikë më të kujdesshëm amerikanë Farid Zakaria, ka një ide shumë të qartë për rrokopujën diplomatike që ndodhi në Zyrën Ovale mes presidentit Trump dhe Volodimir Zelenskit të Ukrainës. Sipas komentatorit, Zelenski, një tip emotiv dhe i vënë në trysni nga vite lufte në vendin e tij, duhej të kishte ruajtur qetësinë dhe të zbatonte një strategji tjetër nga ajo e sherrit me dy krerët më të lartë të SHBA në zyrën e tyre. Ai duhet të deklaronte publikisht që Trump është më i madhi, më i zoti dhe i vetmi që mund të zgjidhë krizën ukrainase. Sipas Zakarias, pas këtyre lëvdatave Zelenski duhet të kishte sjellë me vete edhe medaljen më të lartë të Ukrainës e t’ja varte në qafë presidentit amerikan para kamerave. Vetëm kështu do të shpëtonte nga kurthi që i kishin ngritur.

Përtej ironisë elegante të Farid Zakarias, jo rastësisht i ndodhi Donald Trump në shtëpinë e vet ai sherr televiziv me Volodimir Zelenskin. Një precedent absolut në historinë diplomatike të SHBA. Së pari, sepse siç kanë referuar shumë media serioze amerikane, gjithçka qe përgatitur paraprakisht nga i zoti i shtëpisë, në formën e një gjyqi publik për preidentin ukrainas, të cilin ai e ka në listën e zezë prej shumë vitesh. Që nga ajo kohë kur ndaj Trump demokratët amerikanë organizuan impeachment-in (procedurë shkarkimi) e parë. Dhe Zelenski ishte në qendër të atij sherri politik, pasi Trump akuzohej se i kishte kërkuar atij vetë të dhëna kompromentuese për djalin e kundërshtarit Biden, Hunterin, i cili kishte aktivitete biznesi në Ukrainë. Ata që e njohin Trump thonë se që nga ajo kohë ai mbart brenda vetes një ndjenjë urrejtjeje dhe antipatie për Zelenskin, të cilin e konsideron si një komedian të dobët, që nuk i ngjan fare burrit të fortë të Kremlinit, të cilin Trump e adhuron hapur.

Së dyti, ai sherr i ndezur mund të ndodhte vetëm nën presidencën Trump sepse po të shohësh çfarë ka thënë dhe çfarë ka bërë që nga 6 nëntori, kur fitoi zgjedhjet, kupton se njeriu më i fuqishëm në botë ka ardhur me qëllimin që të përmbysë gjithçka, pa marrë parasysh rrënojat që mund të krijojë gjatë rrugës. E thënë shkurt, botës i është çmendur kryetari.

Në harkun e tre muajve Donald Trump ka shpallur se do të rimarrë Kanalin e Panamasë, më pas do aneksojë Groenaldën, vijon të thotë se Kanadaja do bëhet shteti i 51-të i SHBA, ashtu siç ka deklaruar se të gjitha vendet e aleancës BRICS (Rusi, Kinë, Iran, Afrikë e Jugut dhe Brazil) do të dënohen me 100% tarifa për mallrat që eksportojnë në Shtetet e Bashkuara. Meqë ra fjala, edhe Gjiri i Meksikës tashmë quhet Gjiri i Amerikës me firmë dhe vulë të Presidentit Trump!

Por nuk mbaron këtu. Madje sa ka filluar. Në vijim të ëndrrës “koloniale” amerikane, ai kërkon të marrë nën kontroll Gazën, duke ndërtuar mbi një vend te larë në gjakun e mbi 60 mijë të vrarëve (shumica gra e fëmijë), hotele luksi dhe zona rezidenciale ku do të pushojnë njerëzit më të pasur të botës. Natyrisht në qendër të territorit do të çpojë qiellin një Trump-Tower gjigande! Dhe për ta mbyllur serinë e absurditeteve, në dy muaj ka shkatërruar raportet historike me Evropën dhe NATO-n!

Duhet të jesh mendërisht i çekuilibruar të postosh në profilet zyrtare të presidencës së SHBA video të ndërtuara me inteligjencën artificiale ku shihet presidenti amerikan duke pirë koktejle me kryeministrin Netanjahu në bregdetin e Gazës. Cinizëm i një shkalle që vetëm inteligjenca artificiale me algoritmet e saj të akullta, mund ta riprodhojë pa u pështirosur.

Lufta e shpallur e Trump ndaj aleatëve historikë perëndimorë dhe fqinjëve, Evropës, Kanadasë e Meksikës, është ndoshta kapitulli më i pakuptueshëm e absurd i presidencës aktuale të SHBA. Me Kinën nuk ka ndryshuar asgjë esenciale, me Rusinë raportet po ngrohen aq sa tanimë për qëndrimin zyrtar amerikan nuk dihet cili shkaktoi luftën në Ukrainë, vetë Ukraina apo Rusia?! Madje edhe rezolutat në OKB shohin gjithë botën kundër Rusisë, Amerikës dhe Eritreas e Koresë së Veriut! Trump po afrohet me ata që rregullisht Amerika i ka quajtur kundërshtarë e armiq dhe po largohet nga miq e aleatë historikë. Nga ata që për hir të interesave të SHBA dërguan ushtarë dhe u vranë në shpellat e Afganistanit apo shkretërirat e përvëluara të Eufratit.

Me një të rënë të lapsit, i dhënë ethshëm pas obsesionit të tij historik, politikës së tarifave mbi mallrat e importit në SHBA, Donald Trump ka hedhur në koshin e plehrave brenda pak ditësh raporte të ngushta bashkëpunimi e mirëbesimi ekonomik që Amerika i kishte ndërtuar falë punës së palodhur dhjetravjeçare të një sëre Presidentësh e burrash të tjerë shteti të Amerikës. Ka rënë doktrina bazë e vendit e cila e shihte SHBA si vendin lider të botës së lirë dhe janë dëmtuar rëndë marrëdhëniet transatlantike.

Ka rënë edhe doktrina bazë e ombrellës së sigurisë euro-atlantike e identifikuar me NATO-n, aq sa tani askush se di nëse SHBA është ende e gatshme të zbatojë fjala vjen, artikullin 5 të Traktatit të Uashingtonit për mbrojtjen e çdo anëtari të NATO-s në rast sulmi nga jashtë.

Ndërkohë vetë Trump, mes shumë marrëzive që prodhon çdo ditë, tha edhe më të fundit: Evropa e Bashkuar u krijua për të dëmtuar SHBA! Një projekt i ngritur pas Luftës së Dytë botërore për të instaluar paqen mes shtetesh që prej shekujsh luftonin mes vetes, përfshirë edhe dy luftra botërore, shihet nga kreu i Shtëpisë së Bardhë si projekt antiamerikan! Është e rrezikshme të jesh armik i Amerikës, por është fatale të jesh mik i saj, thoshte dikur Henri Kissinger, a thua se kishte parasysh pikërisht këtë situatë aktuale absurde.

Vakuumi i sforcuar që Trump po krijon në marrëdhëniet me fqinjët dhe aleatët perëndimorë po i jep shumë shpejt efektet e veta, të cilat do të ndjehen në një hark kohor shumëvjeçar. Kanadaja po afrohet me Evropën, kjo e fundit po shpejton të ndërtojë një strategji emergjente të sigurisë e mbrojtes, ndërkohë që të gjitha këto qendra të mëdha ekonomie dhe pushteti, të lëna zbuluar nga aleanca 80 vjeçare me Amerikën, po kthehen në klientë potencialë të Kinës. Mënyrë e çuditshme për ta bërë Amerikën “sërish të madhe” duke i prerë të gjitha urat që e lidhin me miqtë e aleatët. Nëse do ta prishësh pozitën ndërkombëtare e cila të ka parë si vendin lider që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, kjo e Donald Trump është receta perfekte.

Në një cep të Evropës ku ndodhemi edhe ne shqiptarët, zbatica amerikane mund të krijojë së afërmi probleme që deri dje as që mendoheshin. Revista gjermane Bild botonte disa ditë më parë plane që sipas saj po studiohen në Uashington, për tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni ynë. Përtej faktit që trumpistët e shumtë shqiptarë do të kishin rastin të kuptonin sesa kot dhe në mënyrë absurde kishin bërë tifo në distancë për Trump, në një dimension shumë serioz faktori shqiptar do të gjendej në një situatë tejet delikate e të rrezikshme nëse SHBA bënte një hap prapa nga garancitë që ka dhënë deri tani në fushën e sigurisë për Kosovën dhe Ballkanin. Amerikanët janë elementi bazë i sigurisë në rajonin tonë dhe një tërheqje e tyre do të hapte skenare potencialisht të frikshme për të ardhmen.

Kjo epokë vetmie do të shënonte potencialisht rrëzimin e marrëveshjes së Dejtonit e marrëveshjeve të tjera të mëvonshme që rregullojnë statu quonë në Kosovë dhe Ballkan, duke prodhuar një konfigurim krejt të ri të raportit të forcave mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të tretëve (Rusinë), me fokus tek marrëdhënia e serbëve me Kosovën e Bosnjen.

Donald Trump ka vendosur se në katër vjet mund të kthejë përmbys botën, ashtu siç e njohim në 80 vjetët e fundit. Ka vendosur edhe që Perëndimi i duhet i përçarë e jo i bashkuar siç jemi mësuar ta shohim. Ka një obsesion të sëmurë se të githë, evropianë e fqinj ja kanë me hile Amerikës dhe se ai ka ardhur në atë post për të ndrequr një padrejtësi kozmike që i ka rënë mbi krye SHBA për shkak të miqve të saj.

Ky duket si një bast i mbrapshtë që ka vendosur me historinë, duke shpërfillur pasojat dhe duke mos kalkuluar asnjë efekt bumerang të mundshëm. Të shohim ku e do çojë vendin e tij dhe të tjerët që do të paguajnë turbulencat e një politike që deri tani duket e fokusuar tek improvizimi, egoja e shfrenuar dhe shpërfillja për çdo ligj e normë. Imazhi i Elon Musk që shetit nëpër zyrat e Uashingtonit me një tufë djemsh me laptopa në duar që heqin fonde e pushojnë njerëz nga puna pa pyetur as për ligjin e as për instiucionet e shtetit, është metafora më e gjetur e këtij absurdi që ka pushtuar kokën e fuqisë më të madhe të botës.

 

 

Kur Rama e Berisha lenë takim te kangjellat e SPAK!

19 February 2025 at 11:13

Nga Skënder Minxhozi

I ranë nga rrugë të ndryshme por e panë veten të dy në të njëjtën pikë: te kangjellat e Prokurorisë së Posaçme. Të martën Edi Rama dhe Sali Berisha u shanë e u copëtuan në distancë siç bëjnë çdo ditë të kalendarit politik. Veçse që të dy, duke përdorur fjalë e terma në dukje të kundërt e kontradiktorë mes tyre, thanë diçka në lidhje me SPAK që shumëkujt ju duk si një sinonim përfekt i të njëjtit koncept. I pari, kryeministri, u shpreh në esencë se tani SPAK ka mbetur vetëm pa amerikanët dhe se e vetmja garanci për egzistencën e tij është PS dhe ai vetë. Në anën tjetër Berisha qe më i drejtpërdrejtë. Doktori premton shkrirjen e SPAK sapo të vijë në pushtet.

Janë dy qajse në dukje të ndryshme, por që në thelb i bashkon një element i rëndësishëm i përbashkët: statuquoja ku SPAK përgjon, heton dhe fut në burg cilindo sipas qejfit dhe interesit, duhet të marrë fund. Është një reagim paralel që distancohet vetëm së jashtmi si pozicionim ndaj drejtësisë së re, por që i unifikon qëndrimet kur vjen puna tek urgjenca për ndërhyrje. Rama tha se tani garancia jam unë (kupto, nëse nuk dua, unë jua heq garancinë), Berisha tha se unë jam fundi juaj. Ngjajnë si dy pika uji në faktin që janë në thelb dy kërcënime. Njëri i fshehur nën një guackë çokollate, tjetri i ngopur në tretësirë acidi!

Ky qëndrim i ashpër dhe gjithnjë e më konvergjent, e ka një arsye madhore. Me kalimin e javëve e muajve po përvijohet gjithnjë e më qartë se drejtësia e re po nxjerr në pah disa defekte të cilat bien ndesh jo vetëm me të drejtat kushtetuese të shqiptarëve, por po krijojnë një situatë surreale ku e gjithë ngrehina e drejtësisë dhe pse jo edhe e shtetit, ka frikë nga një prokurori e cila ka pushtete dukshëm më të forta sesa sinoret kushtetuese që lejon një demokraci liberale.

Në vakumin e lënë nga tërheqja amerikane, e cila shërbente si mburojë e palëvizshme për drejtësinë e re, duket se do të ketë zëra në rritje kundër standartit ligjor që ofrohet në punën e organeve të saj kryesore. Në rresht të parë, të Prokurorisë së Posaçme, e cila ka krijuar në dy vitet e fundit një profil agresiv hetimi dhe vënieje para drejtësisë të disa figurave qëndrore politike, duke shfaqur njëherësh edhe defektet e deformimet për mënyrën sesi po heton. Në këtë botë të re, ku në Shtëpinë e Bardhë është ulur një president tejet alergjik ndaj termave “prokuror” e “gjykatës”, nuk është aspak e rastit që Rama i kujton Dumanit se ka mbetur vetëm, kurse Berisha betohet se do ta shkrijë SPAK, pasi ka shtrënguar duart me Chris Lacivitën.

Arrestime si ai i Erion Veliajt, por më parë edhe arresti shtëpiak i Berishës apo arrestimi i shëmtuar i Ilir Metës, po preokupojnë, krahas kënaqësisë jo gjithmonë të pastër e korrekte të një shumice që kërkon ndëshkim të politikanëve me çdo kusht, edhe një grupim të heshtur për momentin qytetarësh, të cilët shohin me shqetësim se kjo drejtësi mbi rreshtat dhe jashtë çdo kontrolli, po kthehet gradualisht në abuzivizëm dhe arbitraritet.

Ky shqetësim momentalisht është i shtypur e i kompleksuar nga ilariteti i klakerëve që duartrokasin sa herë që cirku i drejtësisë bën ndonjë viktimë, pa u merakosur asfare se të drejtat e atyre që hetohen, gjykohen apo burgosen, janë një e mirë e vyer publike që përcakton në fakt sesa e përsosur, cilësore dhe e kujdesshme është demokracia në një vend normal.

Të fusësh në burg një politikan të profilit të Veliajt, i cili nuk është i pandehur por vetëm i hetuar, është diçka që kërcet edhe për më fanatikun e SPAK. Ky trajtim nuk i duhet rezervuar askujt që nuk ka vrarë apo nuk ka kryer një vepër penale në kushte flagrance. Hetoje, gjykoje e dënoje nëse ja del, por s’ke pse e linçon publikisht duke e bërë dosjen hetimore pretencë për gjyqet televizive dhe “drejtësinë” e pisët të rrjetit social. Erion Veliaj dhe e shoqja tashmë janë dënuar në kuptimin më konkret të fjalës. Janë bërë preja e një turme që kërkon të kalben në burg megjithëse as SPAK s’i ka marrë ende të pandehur e as gjykata s’i ka shpallur ende fajtorë. Ky linçim publik e ka zanafillën tek mënyra sesi SPAK ka trajtuar dosjen në fjalë.

Në këtë sens, takimi virtual i Ramës dhe Berishës tek kangjellat e SPAK shënon jo vetëm sinjalin se mburoja atlantike ka rënë, por edhe se koha ka ardhur që të ketë një reflektim serioz për punën, funksionimin dhe të drejtat e kompetencat e drejtësisë së re. Bazuar në çfarë ka ndodhur në vitet që kanë kaluar nga ajo verë e nxehtë e 2016 kur 140 deputetë inicuan një kompakt reforme, ku sot shohim sesi një prokuror merr nën përgjim gjykatësin që merr ndonjë vendim që atij s’i pëlqen, e plot deformime të tjera që dëmtojnë më së pari vetë drejtësinë e re dhe imazhin e saj tek shqiptarët.

Berisha nga kati i tetë në fushatë, Veliaj nga fushata në burg!

11 February 2025 at 14:52

Nga Skënder Minxhozi/

 

Të jemi të qartë qysh në krye të herës: as i pari s’duhej mbajtur në shtëpi dhjetë muaj pa akuzë, as i dyti s’duhet trajtuar si në kohën e komunizmit, kur vinte gazi i degës së brendshme e të çonte në burg “pa afat”. Për të qenë edhe më tej të qartë, as Ilir Meta s’duhej kapur për leckash si kriminel në mes të autostradës dhe as Ilir Beqaj s’kishte pse sillej me pranga në duar mes tunelit të kamerave në Parlament, vetëm që prokurorë e gjykatës të merrnin lëvdatat e lehta të rradhës nga populli i rrjeteve sociale. Hetime po, edhe dënime me vendim gjykate patjetër që po, linçime publike jo!

Të gjitha këto janë thënë e stërthënë nga të gjithë ne, me shkrim e me gojë në debate televizive e media të tjera prej shumë muajsh. Nuk ka të bëjë kjo as edhe një grimë me mbrojtjen e kësaj liste politikanësh që meritojnë hetim për çdo akuzë dhe dyshim, por vetëm me vendosjen e një standarti normal të aplikimit të drejtësisë që ecën sipas logjikës se nëse kështu trajtohet i fuqishmi, për më të thjeshtët, ne shqiptarët e tjerë, trajtimi rrezikon të jetë edhe më i ashpër dhe abuziv. Dhe kjo sjellje që sheh burgun si masën e sigurisë më të përdorur është e padrejtë, nëse i arrestuari nuk është kriminel që ka vrarë, tregtar droge që ka marrë në qafë jetë njerëzish apo delinkuent shoqërisht i rrezikshëm. Stërhollimi nëpër norma ligjore në këtë rast vetëm sa e fsheh një të vërtetë që po merr formë: drejtësia shqiptare ka ndryshuar kuajt por jo edhe mentalitetin e një kohe kur instikti bazik i prokurorit ishte të të plaste në burg e të hidhte çelësin nga dritarja!

Arrestimi i Erion Veliajt ishte diçka që përflitej prej muajsh. Vetë Veliaj ka qenë i qartë për eventualitetin e kësaj që ndodhi. Kodi i angazhimit në politikë është cinik. Ai të hedh nga dafinat e lavdisë e suksesit, tek biruca e burgut e plot peripeci të tjera të ngjashme.

Erion Veliaj duhet hetuar për të gjitha akuzat që ngre SPAK, por njëherësh duhet respektuar rigorozisht standarti i hetimit dhe prezumimi i tij i pafajësisë . I tiji dhe i kujtdo shqiptari që ndodhet në të njëjtën pozitë. Sepse ajo që shohim të shpaloset është një gjueti shtrigash ku këta që akuzohen si të korruptuar goditen me gurë pa folur ende gjykatat, nga të tjerë në politikë (prej vitesh të pagjykuar e hetuar), që akuzohen si të korruptuar dhe si VRASËS!

Kjo është klima surreale që po e krijon edhe vetë Spak me veprimet e tij disa herë gjysmake dhe refuzuese, siç është 21 janari, ku vjedhjet e prezumuara të njërës palë po përdoren si municion politik dhe elektoral nga pala tjetër, e cila prej vitesh ka mbi shpinë të shkruar “vjedhës dhe vrasës”. Të prezumuar edhe këta, natyrisht, derisa drejtësia e re ta ndajë mendjen për t’i gjykuar!

Me arrestimin e Veliajt, e më parë me nxjerrjen e Berishës nga arresti shtëpiak, Spak i shuajti dilemat nëse do të ndërhynte ose jo në fushatën elektorale që po nis. Dumani nuk u merakos fare se po arrestonte kreun e bashkisë së kryeqytetit dhe numrin dy të maxhorancës në ditën kur Berisha pozonte para kamerave me këshilltarin e Trump, duke i dhënë kësisoj hov spekulimeve se prokuroria e posaçme nxitoi të veprojë kundër “njerëzve të Soros” paralelisht me ardhjen në Tiranë të njerëzve të Donald Trump.

Në anën tjetër, duke zbritur nga kati i tetë Berishën për ta futur në fushatë dhe duke e marrë nga fushata për ta çuar në burg Veliajn, Spak duhet të jetë i ndërgjegjshëm se, përtej sjelljes ndaj Erion Veliajt personalisht, ka prekur drejtpërdrejt në ecurinë e fushatës zgjedhore. E thënë thatë fare, veprimet e prokurorisë së posaçme po përkthehen direkt në vota të humbura ose të fituara në 11 maj, sipas kahut politik. Natyrisht që ky s’duhet të përbëjë parimisht problem për Dumanin, por vetëm parimisht ama, pasi opinioni publik e bazon pëlqyeshmërinë e tij edhe tek perceptimet dhe bindjet që krijon kur sheh sjelljet e institucioneve në raport me ligjin dhe raste konkrete.

Që Spak ka popullaritet në opinionin publik ky është një realitet i pamohueshëm. Dhe këtë e ka arritur duke treguar kurajo për të hetuar nivelet e larta të shtetit, çka duhet të vijojë ta bëjë me rigorozitet dhe konform ligjeve pa parë asnjeri në sy.

Por meqë gjellën pa kripë nga ajo me shumë kripë (të dyja të pangrënshme) e ndan fare pak gjë, respektimi i të drejtave të personave të hetuar e akuzuar dhe mënjanimi i spektakleve penale, është gjithaq i rëndësishëm. Sepse edhe këtu ndahet, veç të tjerash, një demokraci e kujdesshme për standartin e të drejtat, nga një regjim putinist formalisht në rregull me letrat, por në thelb shkelës dhe dhunues i të drejtave njerëzore e demokratike.

 

Çfarë do ndodhë me Kosovën në diplomacinë prej “hotelxhiu” të Donald Trump?!

9 February 2025 at 17:43

Nga Skënder Minxhozi/

 

Kosova votoi këtë dielë. Një fushatë e ndezur, me shumë zhurmë, akuza, kalkulime, por me pak pritshmëri në lidhje me fituesin. Ose fituesit, sipas rezultatit që do të dalë nga kutitë e votimit. Gara elektorale u zhvillua nën një rrjetë të dendur presioni diplomatik nga fitimtarët e rinj të zgjedhjeve amerikane, të cilët kanë folur në personin e Richard Grenell, konfidentit dhe bashkepunëtorit të ngushtë të Donald Trump për këtë pjesë të planetit. Në një numër daljesh publike, shumica përmes rrjetit social, Grenell ka përdorur një gjuhë acide dhe goditëse ndaj kryeministrit Albin Kurti personalisht, duke lëshuar shigjeta që synonin hapur dhe drejtpërdrejt uljen e peshës elektorale të Vetëvendosjes në mesin e fushatës zgjedhore.

Përtej efektit konkret që sulmet “atlantike” ndaj Kurtit do të kenë në shumatoren finale të votave, ajo që qëndrimi i ashpër i administratës së re në Uashington po tregon, është se ndërrimi i kuajve në krye te pushtetit në Amerikë nuk do ta ulë dozën e presionit mbi kryeministrin kosovar, nëse ai do të vijojë të jetë i tillë edhe pas 9 shkurtit. Grenell po jep mesazhin se Albin Kurti nuk do të shihet me sy tjetër nga Trump dhe administrata e tij, edhe nëse rikonfirmohet në zgjedhjet parlamentare.

Përveç asaj që politika e jashtme nevrastenike e Trump do të prodhojë në Azi, Lindjen e mesme, Evropë e Amerikën Veriore, ne si shqiptarë kemi kuriozitetin e përligjur, pas 5 nëntorit 2024, që të rrimë më sytë hapur e veshët ngritur, për të deshifruar se ku do të na çojë ruleta diplomatike e President të ri amerikan. Më së shumti vëmendja përqëndrohet tek Kosova, e cila s’ka as ishuj për t’i dhënë familjes Trump dhe nuk është as shtet i njohur e i integruar në institucionet nderkombetare, siç është Shqipëria.

Në mandatin e parë, kur Trump uli në Zyrën Ovale me urgjencë kryeministrin kosovar Hoti dhe Presidentin serb Vuçiç (Thaçi u arrestua pak orë para se të udhëtonte për në Uashington!), shumëkush mendoi se ai takim po prodhonte hapat e parë të një dialogu Beograd-Prishtinë, që do nxirrte nga tuneli procesin e ngecur të normalizimit mes dy vendeve.

Nga ai demarsh që më vonë u arshivua sikur nuk kishte egzistuar, ka mbetur vështrimi nervoz i Vuçiç mbi stafin e tij pas shpine, për faktin që e kishin ulur të firmoste një copë letër që nuk e dinte çfarë kishte brenda!

Marrëveshja Hoti-Vuçiç nuk fliste për zgjidhje finale të ngërçit Kosovë-Serbi. Kishte aty brenda gjithçka, ndërtime rrugësh e hekurudhash, bojkot instalimesh celulare 5G nga Kina apo projekte të tjera bashkëpunimi, por jo njohje e ndërsjellë dhe paqe e pakthyeshme dypalëshe. Më e rëndësishmja në rreshtin e fundit: Kosova dhe Izraeli njohin njëri-tjetrin si shtete. E pashkruar por që u zbatua, mbetej hapja e selisë diplomatike kosovare në Jerusalem.

Mbi të gjitha, ajo marrëveshje nuk fliste askund për shkëmbimin e territoreve, një zgjidhje shumë në modë në ato kohë, e cila siç flitet, dërgoi në burg presidentin Thaçi me duart e evropianëëve, të cilët, përkundër amerikanëve, nuk e pëlqenin këtë lloj formule e cila fuste në kaos total gjithë Ballkanin nëse aplikohej nga Kosova dhe Serbia.

Sot, pesë vjet më vonë, nën ura ka rrjedhur shumë ujë dhe qeverisësit e Kosovës rigjejnë në rrugën e tyre Donald Trumpin e dikurshëm që uli në tryezë Hotin dhe Vuçiç, por në terma krejt të reja. As Kosova nuk është më ajo që ishte asokohe, as Evropa nuk është më në ato pozita dhe e gjithë bota duket se po rimerr formë me shpejtësi nën goditjet e qendrave të reja të pushtetit që po lindin, apo si pasojë e konflikteve si ai i Ukrainës apo edhe kursi i ri i Presidencës Trump.

Albin Kurti nuk dëgjoi Xho Bajden dhe njerëzit e tij? Tani do të merret vesh me Donald Trump, Richard Grenell e të tjerët, të cilët janë edhe më abrazivë dhe të ashpër se paraardhësit. Nuk pëlqente ambasadorin Hill në Beograd? Le të merret vesh me serbo-boshnjakun Rod Blagojevich i cili përflitet si ambasadori i ri amerikan në Serbi!

Gabimet e Kurtit me ndërkombëtarët ndër vite krijuan një Kosovë të mbyllur, të izoluar dhe të vetërrethuar. Gjuha e vrazhdtë e Richard Grenell, e cila është mënyra zyrtare sesi Amerika e erës Trump komunikon me botën, vetëm sa po na kujtojnë se ato gabime janë sot edhe më fatale e të rënda se dy-tre muaj më parë.

Problemet që kryeministri kosovar ka krijuar me amerikanët e evropianët ka kohë që e mbajnë peng gjithë vendin. Prandaj në këtë ditë votimi Kurti paradoksalisht nuk ka nevojë për vota e konsesus të brendshëm, sesa ka nevojë për konsensus e mbështetje të jashtme.

Mënyra sesi ai e sfidon dhe e shpërfill këtë rrethanë, është joproduktive, jo e mençur, jo largpamëse. Vetëvendosja është forcë e parë politike edhe në zgjedhjet e sotme, kjo pritet të rikonfirmohet. Por legjitimiteti i brendshëm nuk mjafton për një qeveri e cila drejton një shtet që mbahet në këmbë nga garancitë ndërkombëtare. Fantazma e Haxhi Qamilit është proverbiale për ne shqiptarët në raste si ky ku ndodhet Kosova. Legjitimiteti ndërkombëtar ka marrë një peshë të tillë për udhëheqjen politike të Kosovës, sa është kthyer në elefantin në mes të dhomës për të gjithë shqiptarët e Kosovës.

Diplomacia prej “hotelxhiu” e tregëtari e Donald Trump e cila u afishua qartë me planet turistike cinike mbi gërmadhat e Gazës së fundi, por edhe më herët në kërcënimet ndaj Kanadasë, Groenlandës e Meksikës, duhet t’i bëjë edhe më vigjilentë e të kujdesshëm liderët evropianë, ku në një cep hyjnë edhe Kurti e Rama. Sepse një diplomaci tashmë e paparashikueshme amerikane ka eventualisht kosto dhe dhimbje mbi të gjitha për kombet e vogla.

Të kuptohemi: amerikanët janë themeluesit e Kosovës së sotme. Këtë të vërtetë nuk e lëviz dot nga vendi askush, as tekat e Kurtit e as piruetat globale të Trumpit. Megjithatë bota po hyn në një fazë të turbullt sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare. Të jesh i kujdesshëm nuk është zgjedhje, por detyrë. Dhe kryeministrin që garon sot, Albin Kurtin, kjo botë e re po e rigjen të izoluar.

Një çerek milion vota që kanë futur në ankth Tiranën politike

4 February 2025 at 11:30

Nga Skënder Minxhozi

Nëse futesh në faqen e Komisionit Qëndror të zgjedhjeve, një shifër bie në sy para shumë të tjerave. Nga 1.1 milion shqiptarë jashtë vendit me të drejtë vote, deri më tani, kur na ndan edhe një muaj nga afati i mbylljes së aplikimeve (4 marsi), masa e atyre që kanë aplikuar e ka kaluar kuotën e 140 mijë personave. Shifrat vijnë në përditësim dhe ky numër mund të jetë tejkaluar tashmë.

Prej tyre, 57% e aplikantëve, ose 86 mijë shqiptarë jashtë vendit, kanë tashmë në xhep të drejtën për të votuar në distancë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas ekspertëve të zgjedhjeve në Tiranë, pritet që shifra e atyre që do të marrin dritën jeshile për të votuar nga jashtë vendit, do të shkojë afër numrit magjik 200 mijë, ose edhe mund ta kalojë këtë barrierë të pamenduar kur nisi procesi. Sipas specialistëve, kjo shifër e madhe pjesëmarrjeje ka qenë thjesht e paparashikuar kur nisi procesi i regjistrimit 22 ditë më parë, në 11 janar. Ata shprehen se pritshmëria ishte për jo më shumë se 50-60 mijë votues të aprovuar deri në 4 mars, kur është afati i fundit i regjistrimit.

Një skenar elektoral me mbi 200 vota të reja prurje nga jashtë vendit, është i komplikuar për t’u analizuar sipas qarqeve dhe sipas shpërndarjes së 140 mandateve parlamentare. Databaza e KQZ na tregon se 27 mijë vota të ardhura nga diaspora deri tani në Tiranë, përbëjnë një premisë të mjaftueshme që vota e shqiptarëve jashtë vendit të jetë përcaktuese për ndarjen finale të 37 mandateve në kryeqytet. Në qarqet më të vogla, disa mijëra vota të shqiptarëve jashtë vendit do të jenë edhe më përcaktuese sesa në “kazanin” e madh elektoral të Tiranës. Në vitin 2021 në Berat fjala vjen, mandati i pestë për PS u nda me 77 vota. Dhjetë mijë votues nga diaspora janë regjistruar deri tani në qytetin e një mbi një dritareve, çka e fut në një realitet të ri shifror garën, të paktën në një pjesë të saj. Kjo pritet të ndodhë kudo ku votimet do të jenë të ekuilibruara, siç rasti i vitit 2021 në Berat.

Nuk është e rastit se kjo peshë e papritur që ka marrë vota e diasporës, ka zgjuar të gjitha strukturat e partive kryesore. Të gjithë krerët kryesorë të pozitës dhe opozitës, pa harruar partitë e reja, kanë lënë makinat e kanë marrë avionët. Ka një “mësymje” të vërtetë të politikës shqiptare në qendrat e mëdha urbane të Greqisë, Italisë, Gjermanisë e Britanisë, për të joshur një votues i cili përbën parimisht një objekt të padeshifrueshëm për politikën e Tiranës në 11 maj.

Në këtë përballje të parë me votuesit nga diaspora, secila palë politike vjen me rezerva dhe mosbesim. Së pari vështirë se e kishin pritur kaq të shumtë në numër. Së dyti, ky grup votuesish del nga hija e influencës e partive të mëdha në Tiranë, të cilat janë mësuar që zgjedhësit t’i kenë fizikisht në Shqipëri. Qasja në distancë është në vetvete problematike. Për këtë arsye ndoshta edhe vota e emigracionit është shtyrë për 30 e kusur vite!

Që 200 mijë votues të mos jenë të influencueshëm me medotat klasike të joshjes, presionit apo edhe blerjes në 11 maj, kjo përbën një hije të errët tejet të rrezikshme në planet elektorale të partive politike.

Ky votues që vjen për herë të parë në zgjedhjet shqiptare, ka krijuar jetën e tij të pavarur në botë, një egzistencë e ndërtuar mbi punën dhe aftësinë e tij, e jo të influencueshme nga partitokracia e Tiranës. Më tej akoma, ky votues sheh dhe thith një tjetër ajër nga ai i zgjedhjeve shqiptare, aty ku jeton e punon.

Votuesit që jetojnë në vendet perëndimore janë të mësuar me përballjet e forta elektorale, rotacionet, krizat qeveritare dhe zgjedhjet e parakohshme apo edhe referendumet.

Në anën tjetër, duke e parë nga larg atdheun e tyre, këta votues kanë një perceptim të zhveshur nga emocionet, propoganda apo influencat e tjera, ndaj asaj që ndodh në Shqipëri, mënyrës sesi qeveriset, sesi bëhet politikë, sesi shkon ekonomia dhe jeta në përgjithësi. Kësisoj, përtej grupimit të votuesve që vijojnë të jenë të atashuar pas preferencave partiake që kanë lënë pas, të tjerët janë të ftohtë dhe logjikë në mënyrën sesi votojnë.

Këtu nis e panjohura dhe problemi i madh i partive në Tiranë. Rama ka frikë se mos kjo masë tashmë jo e vogël votuesish i kthehet kundër duke i prishur planet e mandateve nëpër qarqe, Berisha i tutet konsumit të tij të tejskajshëm dhe dëshirës eventuale të diasporës për një ndërrim kuajsh në krye të opozitës 33 vjeçare, partitë e vogla i shohin këta zgjedhës si terrenin e tyre të natyrshëm por i tremben faktit që për shumë prej votuesve në Evropë apo Amerikën e Veriut ata mbeten të panjohur dhe në hije.

Shkurt, politika në Tiranë do të donte të kishte më pak pjesëmarrje nga shqiptarët jashtë vendit, pasi ata janë një koeficient që mund të prishë të gjithë ekuacionin në 11 maj. Dyndjet e politikanëve e zyrtarëve partiakë që këto ditë kanë zbarkuar në qendrat e mëdha të emigracionit shqiptar, janë lakmuesi i shqetësimit që ka ngjallur në Tiranën politike fryrja graduale e listës së zgjedhësve nga diaspora.

Megjithatë këto janë llogaritë të vogla e meskine në krahasim me aktin e dhënies zë dhe figurë të mbi një milion votuesve që deri dje shihnin e dëgjonin (pasi kishin sjellë në atdhe remitancat e majme), sesi ndahej pushteti në vendin e tyre, pa pasur mundësi të influenconin sadopak në procesin politik. Në 11 maj kjo heshtje nis e thyhet. Shqiptarët më në fund po fillojnë të flasin jo përgjysëm, jo vetëm si një pjesë, por si një e të tërë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Rroftë Trump, poshtë Kushner!

18 January 2025 at 09:47

Nga Skënder Minxhozi

Kjo është vetëm njëra dilemat e mëdha që turbullojnë këto orë PD e sotme dhe kryetarin e saj. Të tjera dilema, nëse duam të shtyhemi më tej, kanë të bëjnë me qëndrimin ndaj SPAK (Berisha e quan Skap, Bardhi thotë se ka respekt), apo me futjen ose jo të Metës në listat e sigurta të kandidatëve në zgjedhje. Sa për thirrjet që vijnë për bashkim mes partive opozitare, këtu s’ka dilema: PD është dorëzuar tashmë. Nuk do bashkudhëtarë në kursin humbës që ka vendosur të ndjekë në 11 maj.

Kur kujtuan se hoqën qafe administratën “komuniste” të Joe Biden, në PD ka dalë një tjetër shkëmb i papritur nënujor: projekti enigmatik i ishullit të Sazanit i vajzës dhe dhëndërrit të Donald Trump! Një lloj rreziku nga ata që ngjajnë me një pazar apo shkëmbim influence të minutës së fundit, që nuk i dihen as përmasat e as pasojat. Pikërisht tani kur “demokratët e kuq” u shporrën nga Uashingtoni, del një projekt turistik i çiftit Xhared-Ivanka, nga ata që Edi Rama ka qejf t’i këqyrë nëpër makete e rendera, t’i shesë nëpër rrjete sociale dhe t’i propogandojë nëpër fjalime e statistika turistike, i cili prish të gjitha pritshmëritë.

Sulmi që Berisha i bëri projektit të Xhared Kushner në Sazan, duke thënë se ishte një akt trafikimi influence nga ana e Ramës, tregon pezmin që ka shkaktuar në PD kjo kthesë e mundshme në raportet me administratën e re amerikane. E cila në imagjinatën e demokratëve të Tiranës, duhej të vinte me kamzhik në dorë në derën e Edi Ramës, e jo me makete vilash e hotelesh.

Pas tre ditësh Donald Trump do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Eshtë ngjarja ku Sali Berisha ka depozituar të fundmet shpresa për daljen nga kuadrati i hekurt i statusit non grata, megjithë përfitimet politike e elektorale që ky vendim do të sillte me vete. Projekti i Sazanit, i cili merr prej muajsh konfirmime nga media dhe aktorë seriozë në SHBA dhe Evropë, ka premisat që të krijojë një turbulencë të vogël në planet e kryetarit të opozitës për izolimin amerikan të kryeministrit nga fitimtarët e rinj të zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Nuk ka zot që e gjen sot se çfarë influence mund të ketë një projekt si ky në qëndrimin e Uashingtonit zyrtar ndaj elitës tonë politike, ndaj kryeministrit dhe kreut të opozitës, por s’do të ishte fantashkencë që të parashikohej një rritje e vëmendjes së amerikanëve ndaj Shqipërisë, qoftë edhe prej faktit që ky do të ishte investimi më i rëndësishëm amerikan në vendin tonë (1,4 miliard USD), që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe siç dihet, amerikanët punojnë gjithmonë me qeveritë, jo me opozitat.

Momentit i inaugurimit të Presidentit Trump po afrohet së bashku me ripërtëritjen e zhurmës rreth projektit të Sazanit, si dhe dhënien ndaj kompanisë ndërtuese të statusit të investitorit strategjik nga qeveria shqiptare. Ky lëmsh rrethanash kontradiktore që po përkojnë në një mënyrë fatale si në një skenar filmi, natyrisht që krijon humore të skajshme në Tiranë, aty ku çdo zhvillim, çdo premisë, çdo firmë apo vulë, shihet si një zgjatim mistik i dorës amerikane, si një shenjë supreme e vullnetit të tyre, si një lëvizje poshtë tavolinës që ngre ose ul karriera politikanësh.

Prej muajsh projekti i Xhared Kushner merr bekime ose mallkime, sipas rastit, nga populli i hareshëm shqiptar i rrjeteve sociale. Një sfidë e vërtetë ka nisur në lidhje me efektin që do të ketë hoteli në ishull i çiftit Trump, për fatet e atyre që na qeverisin në Tiranë. Edhe në këtë pikë jemi ata që kemi qenë: shqiptarë të mirë dhe naivë që më së pari duhet të mendojmë sesa mirë i bën ekonomisë një projekt i tillë, sa turistë do të sjellë, cilat do të ishin përfitimet për të gjithë vendin etjetj.

Egocentrizmi e ka përjetësisht këtu shtëpinë. S’ka forcë në botë që të na bindë se të tjerët nuk janë duke menduar për ne gjatë gjithë kohës, pa na i ndarë sytë. Në një botë të madhe me tetë miliard njerëz brenda ky është një trill që të bën për të qeshur.

Ndaj kur qëllon që të njëjtët persona të thërrasin një herë “Rroftë Trump” e më pas “Poshtë Kushner”, ata që na dëgjojnë s’duhet të na marrin as seriozisht, e as me inat. Kujtojmë thjesht se ata që po shajmë apo lavdërojmë rrinë duke marrë shënim e analizuar çdo marrëzi tonën. Sëmundje e vjetër!

“Presidenti i paqes” që kërcënon aleatët e vet të NATO-s

11 January 2025 at 16:00

Nga Skënder Minxhozi/

Amerika po bëhet gati të fusë në Shtëpinë e Bardhë të parin president të historisë së saj, të dënuar me vendim gjykate. Gjykata e Nju Jorkut vendosi se Trump është fajtor në skandalin e dhënies së ryshfetit për një aktore porno, në këmbim të heshtjes së saj. Por gjykata vendosi edhe se presidenti i zgjedhur nuk duhet të vuajë asnjë penalitet për dënimin e dhënë.

Pas një vargu të gjatë surprizash, skandalesh, gënjeshtrash, sulmesh personale, akuzash ndaj cilitdo që i del para, ndryshimi qëndrimesh e pozicionesh dhe gjithfarë akrobacish të tjera gjatë mandatit të parë dhe fushatës së mandatit të dytë, Donald Trump po bëhet gati të ulet në Zyrën Ovale me skendinën penale të bërë pis nga një dënim gjyqësor. Një kampion i padiskutueshëm i anormalitetit në pragun e një rrugëtimi që mund të ndryshojë të gjithë botën. Për keq, kuptohet.

Komediani i njohur amerikan Seth Meyer shprehej në njërin nga monologjet e ditëve të fundit në shoun e tij, se kishte pritur të dëgjonte diçka nga Trump për uljen e çmimeve të sendeve të konsumit, por kur kishte hapur televizorin kishte dëgjuar në shkëmbim kërcënimin për Kanalin e Panamasë, kur kishte pritur të dëgjonte sesi Trump do të shpaloste planin për emigracionin e paligjshëm, ose për uljen e kriminalitetit apo rritjen e mirëqenies së shtresës së ulët, kishte kishte dëgjuar sesi do të sulmohej Kanadaja, Groenlanda dhe sesi do ndryshonte emrin Gjiri i Meksikës!

Trump po shkartis letrat në tavolinë para se të ulet aty si lojtari kryesor. Kërcënimet e tij gjeopolitike, të drejtuara të gjitha ndaj vendeve aleate historike dhe të ngushta nënkuptojnë një vullnet të qartë të Donald Trump për ta çuar deri në fund bixhozin e rrezikshëm në punët e botës.

Ai që e prezantonte veten rregullisht si “presidenti i paqes” tashmë ka kërcënuar me aneksim dy shtete aleate të Nato-s, plus Panamanë. “Nuk e përjashtoj përdorimin e forcës kundër Groenlandës i tha ai gazetarëve para pak ditësh, ndërkohë që me vite është mburrur se sa kohë ishte ai president në vitet 2016-2020, Amerika nuk hyri në asnjë luftë apo konflikt të armatosur në botë.

Gjatë fushatës Trump premtonte që lufta në Ukrainë do të mbaronte ende pa hyrë ai në Shtëpinë e Bardhë në 20 janar. Kurse tani ata që prisnin që Trump të niste demarshet për të zgjidhur krizën ruso-ukrainase, duhet të rrinë e të dëgjojnë sesi Kanadaja 40 milionëshe do të kthehet në një provincë amerikane. Edhe ata që prisnin që Trump të niste kërcënimet ndaj Iranit apo Kinës, ose të njoftonte hapa konkrete për krizën në Lindjen e Mesme, dëgjojnë të shastisur gjithë ditën sesi ai kërcënon një shtet krej paqësor si Danimarkën.

Ndër arsyet për aneksimin e Groenlandës, që të kujtojnë të shkuarën koloniale të Perëndimit, Trump rreshton nevojën për të pasur në nën kontroll ishullin më të madh të botës, në mënyrë që aty të instalohen radarët që do të lajmërojnë nisjen eventuale të raketave balistike ruse drejt SHBA. Njeriu që dikur thoshte se Perëndimi i ka rënë në qafë Rusisë dhe se rusët nuk kanë ndërmend të na sulmojnë, por ne ju kemi vajtur tek dera e shtëpisë, sot kërkon të marrë një ishull në dispozicion në mes të Atlantikut për të vendosur sistemet e përgjimit të një sulmi bërthamor rus drejt Amerikës!

Që Trump e ka ndërruar komplet skaletën e premtimeve të fushatës elektorale, kjo është pak po e sigurt. Por që do ta ndërronte brenda pak ditëve uljen e çmimit të vezëve me kërcënimet ndaj vendeve aleate si Danimarka apo Kanadaja, këtë pakkush e priste.

Nga zgjedhjet e 5 nëntorit kanë kaluar vetëm pak javë dhe presidenca Trump duket sikur ka konsumuar tashmë një copë të madhe të mandatit të saj. “Perandoria e tarifave” që ai kërkon të instalojë si sfidë ndaj gjithë globit, shënon një të panjohur me pasoja ende të paqarta për të ardhmen në të katër anët e botës. Javët e fundit po na zbulojnë se nuk është vetëm Kina, Rusia apo Irani oibjektivi i kësaj strategjie, por edhe vende me demokraci liberale dhe që kanë qenë besnike ndaj SHBA në politikën e tyre të jashtme. Jo rastësisht këto ditë në Kopenhagen mediat e politikanët i kujtojnë jo pa ironi amerikanëve sesi Danimarka ju bashkua fushatave ushtarake të SHBA në vende si Afganistani dhe Iraku.

Kreu i shtetit më të fuqishëm të botës ka nisur të luajë poker me nervat e globit ende pa marrë detyrën. Megjithatë diçka ai nuk e ndryshon dot deri në 20 janar: do të jetë i vetmi nga 47 presidentët e Shteteve të Bashkuara që e kalon pragun e zyrës si një i dënuar nga drejtësia.

 

Viti 2005 kokëposhtë!

7 January 2025 at 10:59

Nga Skënder Minxhozi

Ka një ndërmarrje të suksesshme elektorale në politikën shqiptare në këto 34 vite, të cilën edhe kundërshtarët nuk kanë arritur dot ta hedhin poshtë. Në harkun e një viti para zgjedhjeve të 2005, PD dhe Sali Berisha arritën që t’i japin formë një rikthimi të bujshëm në piedestalin e pushtetit, duke u ricikluar tërësisht nga hija e errët e vitit 1997, kur Berisha tregohej me gisht për gjëmën e fajdeve dhe mizoritë që pasuan, kur lëvizte vetëm i shoqëruar me eskortë në qytetet kryesore dhe ishte praktikisht i bojkotuar nga të gjitha shtetet kryesore partnere.

Berisha ndërtoi një skemë zgjedhore që parashihte nxjerrjen e një brezi të rinjsh në radhën e parë të karrigeve të opozitës, një truk i suksesshëm ky që i dha një imazh të ri një politikani thellësisht problematik, që në fakt meritonte skualifikim dhe dalje nga politika, e jo rikthim në postin e kryeministrit. Por Berisha bëri edhe më shumë se kaq. Pas Bashës e të tjerëve “mustaqe pa dirsur”, ai riktheu në PD edhe ata që kishte rrahur rrugëve, që kishte përzënë brutalisht nga partia apo që kishte akuzuar në mënyrë monstruoze. Kjo qe mrekullia elektorale që e risolli në pushtet njeriun që, pas tragjedisë së vitit ’97, në një republikë normale s’duhej të ishte lejuar të aplikonte as për postin e drejtorit të ujësjellësit në një qytet provincial. Berisha bëri asokohe gjithçka (s)po bën sot dhe u zgjodh kryeministër.

Ajo që ndodhi në 2005 është parë shpesh brenda PD si një hipotekë e përjetshme dhe e rinovueshme suksesi elektoral, e cila mund të përdorej si kartë magjike nën mëngë sa herë që PD të ndodhej keq. Mjaftojnë 12 vjetët e fundit për të kuptuar sesa unikale dhe e papërsëritshme ka qenë ringritja e vitit 2005. Uji nuk rrjedh kurrë nën të njëjtat ura thotë proverbi.

Sot PD e Doktorit s’ka asnjë trajtë sado të përafërt me partinë që rimori pushtetin 20 vjet më parë. Përtej faktit që në krye është sërish Berisha, gjithçka tjetër duket e kthyer kokëposhtë në partinë dikur të madhe demokratike. Djathtas dhe në qendër një grup kërcënues partish të reja kanë ngritur krye duke kërkuar vota e duke reklamuar mandate të cilat shfaqen aktualisht në të gjitha sondazhet e opinionit publik. Fama e përbashkuesit të madh s’po punon më për Berishën.

Në anën tjetër, aleatë të vjetër si Shehi e Duka ndjehen të lirë të thonë se duhet një kurs i ri politik duke nënkuptuar largimin e Berishës ndërkohë që Alibeaj, Kulluri dhe një pjesë zyrtarësh dikur pranë Lulzim Bashës premtojnë bejejë të ashpër për votat në disa qarqe. Edhe një aleat historik si Mediu vijon të endet gjyqeve, ndërsa çamët kanë kohë që janë rreshtuar me Ramën. I mbetet vetëm besnikëria sterile e Vangjel Dules.

Berisha e di se nuk i binden më jashtë kornizës së vogël të partisë së tij të shkërmoqur nga sherret dhe koha. Prandaj edhe s’ka bërë asnjë demarsh serioz për të ndërtuar një koalicion me opozitën tjetër, çka do të ishte edhe një lloj riciklimi pas emrave të rinj që kanë dalë në skenë. Partitë e reja me makinë llogaritëse në dorë, e shohin prezencën e tij si një mundësi për të marrë ca vota më shumë djathtas dhe në qendër, miqtë e vjetër e kanë kuptuar se me të nuk shkohet larg dhe ai vetë e di këtë më mirë se të gjithë këta të marrë së bashku. Nuk do të garojë për t’u rikthyer në pushtet, po për të mbajtur atë që ka: partinë që ja rrëmbeu Bashës me gjyq.

Si të mos mjaftonte kjo, Berisha e sheh veten të mbetur vetëm para këtyre zgjedhjeve, edhe me shkrirjen de facto të asaj që dikur njihej si partia që bënte shumicën e pushtetit. Partia e Lirisë sot s’ka as kryetarin që ndodhet në burg, as çiftin historik që e themeloi dhe i dha kuota shifrore shumë serioze në të shkuarën. Një parti me të paktën 100 mijë vota elektorale në dy zgjedhjet e fundit, sot ndodhet praktikisht përballë asgjesimit, e kjo është një rrethanë e kobshme për PD e Berishës pasi është i vetmi aleat formal që i ka mbetur.

Kjo nebulozë stemash politike opozitare, dikur pjesë thelbësore e mrekullisë elektorale të vitit 2005, sot duket e hallakatur, jashtë kontrollit dhe në një masë të mirë edhe konkurente e kundërshtare për PD. Djajtë kanë dalë nga shishja dhe s’ka zot t’i mbledhë më nën autoritetin dhe hijen e Doktorit. Ajo që dikur konsiderohej historike, pra rikthimi, sot tingëllon po kaq imperative dhe e pakthyeshme në sensin e kundërt: pra, largimi! Berisha ka vendosur të jetojë gjatë në politikën shqiptare dhe ky vendim ka pasoja. Kush jeton gjatë sheh e jeton edhe gjëra që s’do të donte t’i shihte e jetonte.

Ky nuk është vetëm një problem aleancash të pamundura. Vetë PD përfundoi aty ku pritej. Tamam si një skenën e dhunshme të 8 janarit, kur Berisha sulmoi selinë e partisë me besnikët e vet të armatosur me hunj e gurë. Doktori premtoi kolegjialitet në parti dhe ndërtoi pushtetin absolut – të vetmen gjë që di të bëjë, premtoi primare dhe sot me to tallet edhe roja i selisë, premtoi të hapte partinë dhe mbeti i rrethuar prej një grushti mbështetësish fanatikë, premtoi të lejonte zërat ndryshe dhe kontrollon deri edhe listën e atyre që pranojnë të kërcejnë me këngët e tij në mbrëmjen e vitit të ri.

Njëzet vjet më parë Sali Berisha ishte i akuzuar por jo i hetuar. Sepse njëzet vjet më parë nuk kishte askush guximin që të hetonte ose të insistonte që të hetohej ish-presidenti i vitit ’97. Sot e shohim në moshë të thyer dhe duke u paraqitur në dyert e drejtësisë, aty ku refuzoi me kokëfortësi të shkojë për dekada të tëra për të dëshmuar, madje edhe pas vrasjes së Azem Hajdarit. Një ndryshim thelbësor me dy dekada më parë, ka sjellë demistifikimin dhe rënien e paprekshmërisë së figurës më dominuese politike të 30 viteve të fundit. Tani Doktorit i vijnë akuza nga të gjitha krahët, i hetohen pronat e fëmijëve, i është rihapur Gërdeci dhe 21 janari. Një tokë e përvëluar që po merr energjitë jo vetëm të familjes Berisha, por të gjithë PD së vendosur në dispozicion të axhendës së tij penale. Partia dhe kryetari janë ngujuar kështu në një dikotomi fatale që po e merr teposhtë godinën megjithë sa janë brenda. Është një 2005 e kthyer kokëposhtë!

Viti 2005 kokëposhtë!

7 January 2025 at 10:39

Nga Skënder Minxhozi/

 

Ka një ndërmarrje të suksesshme elektorale në politikën shqiptare në këto 34 vite, të cilën edhe kundërshtarët nuk kanë arritur dot ta hedhin poshtë. Në harkun e një viti para zgjedhjeve të 2005, PD dhe Sali Berisha arritën që t’i japin formë një rikthimi të bujshëm në piedestalin e pushtetit, duke u ricikluar tërësisht nga hija e errët e vitit 1997, kur Berisha tregohej me gisht për gjëmën e fajdeve dhe mizoritë që pasuan, kur lëvizte vetëm i shoqëruar me eskortë në qytetet kryesore dhe ishte praktikisht i bojkotuar nga të gjitha shtetet kryesore partnere.

Berisha ndërtoi një skemë zgjedhore që parashihte nxjerrjen e një brezi të rinjsh në radhën e parë të karrigeve të opozitës, një truk i suksesshëm ky që i dha një imazh të ri një politikani thellësisht problematik, që në fakt meritonte skualifikim dhe dalje nga politika, e jo rikthim në postin e kryeministrit.

Por Berisha bëri edhe më shumë se kaq. Pas Bashës e të tjerëve “mustaqe pa dirsur”, ai riktheu në PD edhe ata që kishte rrahur rrugëve, që kishte përzënë brutalisht nga partia apo që kishte akuzuar në mënyrë monstruoze. Kjo qe mrekullia elektorale që e risolli në pushtet njeriun që, pas tragjedisë së vitit ’97, në një republikë normale s’duhej të ishte lejuar të aplikonte as për postin e drejtorit të ujësjellësit në një qytet provincial. Berisha bëri asokohe gjithçka (s)po bën sot dhe u zgjodh kryeministër.

Ajo që ndodhi në 2005 është parë shpesh brenda PD si një hipotekë e përjetshme dhe e rinovueshme suksesi elektoral, e cila mund të përdorej si kartë magjike nën mëngë sa herë që PD të ndodhej keq. Mjaftojnë 12 vjetët e fundit për të kuptuar sesa unikale dhe e papërsëritshme ka qenë ringritja e vitit 2005. Uji nuk rrjedh kurrë nën të njëjtat ura thotë proverbi.

Sot PD e Doktorit s’ka asnjë trajtë sado të përafërt me partinë që rimori pushtetin 20 vjet më parë. Përtej faktit që në krye është sërish Berisha, gjithçka tjetër duket e kthyer kokëposhtë në partinë dikur të madhe demokratike. Djathtas dhe në qendër një grup kërcënues partish të reja kanë ngritur krye duke kërkuar vota e duke reklamuar mandate të cilat shfaqen aktualisht në të gjitha sondazhet e opinionit publik. Fama e përbashkuesit të madh s’po punon më për Berishën.

Në anën tjetër, aleatë të vjetër si Shehi e Duka ndjehen të lirë të thonë se duhet një kurs i ri politik duke nënkuptuar largimin e Berishës ndërkohë që Alibeaj, Kulluri dhe një pjesë zyrtarësh dikur pranë Lulzim Bashës premtojnë bejejë të ashpër për votat në disa qarqe. Edhe një aleat historik si Mediu vijon të endet gjyqeve, ndërsa çamët kanë kohë që janë rreshtuar me Ramën. I mbetet vetëm besnikëria sterile e Vangjel Dules.

Berisha e di se nuk i binden më jashtë kornizës së vogël të partisë së tij të shkërmoqur nga sherret dhe koha. Prandaj edhe s’ka bërë asnjë demarsh serioz për të ndërtuar një koalicion me opozitën tjetër, çka do të ishte edhe një lloj riciklimi pas emrave të rinj që kanë dalë në skenë. Partitë e reja me makinë llogaritëse në dorë, e shohin prezencën e tij si një mundësi për të marrë ca vota më shumë djathtas dhe në qendër, miqtë e vjetër e kanë kuptuar se me të nuk shkohet larg dhe ai vetë e di këtë më mirë se të gjithë këta të marrë së bashku. Nuk do të garojë për t’u rikthyer në pushtet, po për të mbajtur atë që ka: partinë që ja rrëmbeu Bashës me gjyq.

Si të mos mjaftonte kjo, Berisha e sheh veten të mbetur vetëm para këtyre zgjedhjeve, edhe me shkrirjen de facto të asaj që dikur njihej si partia që bënte shumicën e pushtetit. Partia e Lirisë sot s’ka as kryetarin që ndodhet në burg, as çiftin historik që e themeloi dhe i dha kuota shifrore shumë serioze në të shkuarën. Një parti me të paktën 100 mijë vota elektorale në dy zgjedhjet e fundit, sot ndodhet praktikisht përballë asgjesimit, e kjo është një rrethanë e kobshme për PD e Berishës pasi është i vetmi aleat formal që i ka mbetur.

Kjo nebulozë stemash politike opozitare, dikur pjesë thelbësore e mrekullisë elektorale të vitit 2005, sot duket e hallakatur, jashtë kontrollit dhe në një masë të mirë edhe konkurente e kundërshtare për PD. Djajtë kanë dalë nga shishja dhe s’ka zot t’i mbledhë më nën autoritetin dhe hijen e Doktorit. Ajo që dikur konsiderohej historike, pra rikthimi, sot tingëllon po kaq imperative dhe e pakthyeshme në sensin e kundërt: pra, largimi! Berisha ka vendosur të jetojë gjatë në politikën shqiptare dhe ky vendim ka pasoja. Kush jeton gjatë sheh e jeton edhe gjëra që s’do të donte t’i shihte e jetonte.

Ky nuk është vetëm një problem aleancash të pamundura. Vetë PD përfundoi aty ku pritej. Tamam si një skenën e dhunshme të 8 janarit, kur Berisha sulmoi selinë e partisë me besnikët e vet të armatosur me hunj e gurë. Doktori premtoi kolegjialitet në parti dhe ndërtoi pushtetin absolut – të vetmen gjë që di të bëjë, premtoi primare dhe sot me to tallet edhe roja i selisë, premtoi të hapte partinë dhe mbeti i rrethuar prej një grushti mbështetësish fanatikë, premtoi të lejonte zërat ndryshe dhe kontrollon deri edhe listën e atyre që pranojnë të kërcejnë me këngët e tij në mbrëmjen e vitit të ri.

Njëzet vjet më parë Sali Berisha ishte i akuzuar por jo i hetuar. Sepse njëzet vjet më parë nuk kishte askush guximin që të hetonte ose të insistonte që të hetohej ish-presidenti i vitit ’97. Sot e shohim në moshë të thyer dhe duke u paraqitur në dyert e drejtësisë, aty ku refuzoi me kokëfortësi të shkojë për dekada të tëra për të dëshmuar, madje edhe pas vrasjes së Azem Hajdarit. Një ndryshim thelbësor me dy dekada më parë, ka sjellë demistifikimin dhe rënien e paprekshmërisë së figurës më dominuese politike të 30 viteve të fundit. Tani Doktorit i vijnë akuza nga të gjitha krahët, i hetohen pronat e fëmijëve, i është rihapur Gërdeci dhe 21 janari. Një tokë e përvëluar që po merr energjitë jo vetëm të familjes Berisha, por të gjithë PD së vendosur në dispozicion të axhendës së tij penale. Partia dhe kryetari janë ngujuar kështu në një dikotomi fatale që po e merr teposhtë godinën megjithë sa janë brenda. Është një 2005 e kthyer kokëposhtë!

❌
❌