Rama: Listë e zezë për ndërtuesit që shkelin ligjin. Do të konfiskohen ndërtimet e braktisura!
Nga Gazeta ‘SI’- Në takim me deputetët ekzistues dhe ata kandidatë në zgjedhjet e 11 Majit dhe me drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një sërë aktesh normative për reformën e territorit.
Rama bëri të ditur se do të ketë rishikim edhe të ligjit të ndërtimit.
“Paketa e re e reformës së territorit do të ketë 2 faza. Qeveria do ndërhyjë në kushtet e emergjencës me një numër aktesh dhe akte normative që do jetë paralelisht dhe me një akt tjetër për ujin e pijshëm dhe mbetjet. Do të jetë pastaj një fazë të dytë më mbrapa ku do rishikohen të gjitha ligjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me territorin, duke filluar nga ligji për ndërtimin që është shumë i vjetër, është prekur në 2-3 raste, por mbetet jashtë kohe. Jemi duke diskutuar një sërë ndërhyrjesh shumë të domosdoshme”.
Kryeministri tha se do të krijohet me ligj një listë e zezë ku do të përfshihet e gjithë kjo kategori investitorësh.
“Kemi diskutuar dhe do të miratohet me ligj krijimi i një liste të zezë të ndërtuesve dhe investitorëve që abuzojnë me territorin dhe shkelin lejet e ndërtimit. Kush hyn në listën e zezë do humbasë të drejtë të marrë leje ndërtimi dhe do penalizohet nëse përfshihet në industrinë e ndërtimit. Do marrim masa për një kategori ndërtuesish shumë problematikë, si ata mashtruesit te zona ku ishim së bashku me ministrin e Drejtësisë, që nuk linin banorët të futeshin në pallat, apo edhe të tjerë si ata, që i lënë blerësit e apartamenteve të tyre në rrugë, pa dokumente hipotekore, ose duke bërë edhe shitje të dyfishta. Masat për këtë kategori do jenë drastike dhe ju bëj thirrje të vrapojnë ta zgjidhin këtë problematikë sa pa dalë së shpejti ky akt normativ, se pastaj do gjejnë një bela që do ta kenë shumë të vështirë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Në takim Rama paralajmëroi së do të konfiskohen për interes publik të gjitha objektet e braktisura në Shqipëri, të cilat janë të tilla që prej viteve 90’. Gjithashtu ai theksoi se do të konfiskohen edhe objektet në të cilat është shkelur leja e ndërtimit përtej masës 2% të kufirit të parashikuar në leje.
“Nga ana tjetër, do të marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe të gjitha ngrehinat e braktisura nëpër Shqipëri që nga vitet ’90, që qëndrojnë si karakatinë dhe që kanë edhe problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve. Do të sqarojmë përfundimisht edhe aspektin me të cilin kanë luajtur shumë njerëz të sistemit të drejtësisë, që kanë mbajtur anë e kanë shkelur edhe të ligjshme edhe të ndërlikuara, kur vjen puna te shkelja e lejes së ndërtimit me 2% të kufijve të lejes. 2% është krejtësisht e arsyeshme që është edhe në vende të tjera të botës, por kur ky 2% kapërcehet, kjo do të provokojë sekuestrimin e menjëhershëm të të gjithë ndërtimit, jo të një pjese. Paligjshmëria është e plotë sepse shkelje në ndërtim dhe ndërtimi i volumeve shtesë për qëllim fitimi bëhen në vetëdije dhe janë një shkelje në vazhdim e ligjit. Kjo do të sjellë kalimin menjëherë të asaj prone në dyert e shtetit”,- tha Rama.
Kreu i ekzekutivit njoftoi edhe krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.
“Do të procedojmë më pas në vijim paralelisht me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit dhe Zhvillimit si një agjenci me shtrirje në territor dhe me përfaqësi në çdo rajon. Të gjitha bashkitë do ta kenë më të lehtë për sa i përket planifikimit dhe zhvillimit të territorit, gjë që do t’i ndihmojë shumë bashkitë e vogla sidomos”.- tha Rama.
Ndër të tjera, kryeministri tha se inspektorët e mbrojtjes së territorit, duhet që të mbajnë përgjegjësi në rastet kur kanë lejuar ndërtime pa leje.
The post Rama: Listë e zezë për ndërtuesit që shkelin ligjin. Do të konfiskohen ndërtimet e braktisura! appeared first on Gazeta Si.