Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 July 2025Main stream

Bashkitë rrisin shpenzimet e personelit dhe ulin investimet

By: V K
16 July 2025 at 08:48

Shpenzimet e pushtetit vendor për 5-mujorin e parë 2025, evidentojnë zhvendosje të theksuar drejt shpenzimeve të personelit dhe tkurrje të mëtejshme të shpenzimeve kapitale, në raport me shpenzime totale.

Personeli zuri 56% të shpenzimeve totale bashkiake në 5 mujorin 2025 nga 52% që zunë vitin e kaluar në këtë periudhë.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se shpenzimet për paga dhe kontributet shoqëruese arritën 16,454 milionë lekë, ose rreth 25% më shumë se një vit më parë.

Ndërkohë shpenzimet kapitale zunë 14% të shpenzimeve totale, në 5-mujorin 2025 nga 16.6% në vitin 2024.

Shtimi me 25% i shpenzimeve të personelit në vitin 2025, erdhi nga rritja e pagave.

Në anën tjetër, shpenzimet kapitale, matësi kryesor i investimeve publike në infrastrukturë, shërbime dhe asete të reja, kanë mbetur praktikisht të pandryshuara në nivelin: 4,1 miliardë lekë milionë lekë, gati të njëjtin nivel si një vit më parë.

Ndërsa kostot e personelit kanë “ngrënë” një copë më të madhe të tortës së shpenzimeve, hapësira për projekte zhvillimi nuk është zgjeruar, madje realisht është ngushtuar, po të llogariten edhe efektet e inflacionit.

Kontrasti midis ritmit të rritjes së pagave dhe ngrirjes së investimeve po ul produktivitetin e buxheteve vendore, ku shumica e fondeve po përdoren kryesisht për funksionimin e përditshëm, jo për rritje kapacitetesh apo përmirësim shërbimesh.

10 vite nga nisja e zbatimit të reformës territoriale, në vend që të rrisin shërbimet për qytetaret i kanë përkeqësuar ato.

Kompetencat dhe territoret e bashkive, janë zgjeruar dukshëm pas reformës territoriale të vitit 2015 dhe gjithashtu, edhe kapacitetet financiare.

Reforma shkriu 373 njësi vendore në 61 bashki, ndërkohë fondet janë dyfishuar dhe pushteti i bashkive është i gjerë në komunitetet që drejtojnë, që nga strehimi e deri te kujdesi social, bujqësia, infrastruktura rurale dhe arsimi parashkollor, të cilat nëse zotërohen siç kërkojnë ligjet, ata mund të ndikojnë cilësinë e jetës, po aq edhe sa politikat e qeverisë qendrore.

Por në realitet, cilësia e shërbimeve, jo vetëm që nuk ka ndryshuar që nga reforma, por në shumicën e rasteve, kostoja e tyre është rritur, teksa rajonet e Shqipërisë po zbrazen nga popullsia dhe sidomos të rinjtë.

Komunitetet rurale po përballen me mungesa të mëdha në shërbime dhe në infrastrukturë, teksa bashkitë e vendit nuk janë të afta të zbatojnë dhe të realizojnë buxhetet e tyre të vogla karshi nevojave të mëdha.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në 2024 pushteti vendor realizoi vetëm 43 për qind të programit të investimeve. Nga 46,3 miliardë lekë të planifikuara u investuan vetëm 19,9 miliardë lekë ose më pak se gjysma e programit./ Monitor

The post Bashkitë rrisin shpenzimet e personelit dhe ulin investimet appeared first on Albeu.com.

Qeveria gati të rikthejë skemën e kompensimit të TVSH-së për fermerët, në nivelin 10%

By: V K
16 July 2025 at 08:28

Pas përfundimit të aksionit për kontrollin e tregtimit me faturë të produkteve blegtorale, qeveria po përgatitet të rikthejë një skemë kompensimi për fermerët, nëpërmjet rimbursimit të TVSH-së në nivelin 10%.

Sipas burimeve për Monitor, është gati një projektligj i ri, i cili parashikon që kompensimi për fermerët të aplikohet duke nisur nga viti 2026, si pjesë e një reforme më të gjerë për formalizimin e zinxhirit agroushqimor dhe uljen e kostove për prodhuesit vendas.

Deri tani, në rang vendi rezultojnë të regjistruar 100 mijë fermerë të pajisur me NIPT që kanë të drejtë të shesin te përpunuesi, grumbulluesi apo supermaketet produktet e veta, pa faturë TVSH-je, por nëpërmjet autofaturës që plotësohet prej blerësit.

Skema e TVSH-së së rimbursueshme që përfitohej prej përpunuesve, u hoq plotësisht në vitin 2022. Pas heqjes së saj, ku fermeri përfitonte tregtimin e produkteve me çmim të leverdisshëm, u rrit kostoja e prodhimit, sepse TVSH-ja e paguar nuk kreditohet më dhe bëhet pjesë e kostos së lëndës së parë.

Deri në vitin 2017, rimbursimi i TVSH-së për përpunuesit ishte 20%, ç`ka do të thotë se psh,. për çdo blerje të qumështit me faturë tatimore nga fermeri, përpunuesi mund të kreditonte këtë vlerë në TVSH-në e zbritshme.

Kjo skemë e bënte ekonomikisht të leverdishme blerjen edhe me çmim të lartë për fermerin dhe siguronte marzh të qëndrueshëm fitimi për industrinë.

Nga viti 2019 deri në 2022, skema ndryshoi. TVSH-ja në blerje (nga fermerët) u ul në 6%. Ndërsa TVSH-ja në shitje e produkteve të bulmetit mbeti 20%.

Kjo krijoi një pabarazi fiskale, pasi industria paguante më shumë në dalje sesa kreditonte në hyrje.

Prej vitit 2022, skema e TVSH-së së kreditueshme u heq plotësisht, duke vendosur 0% TVSH të zbritshme për blerjet e qumështit nga fermerët.

Shoqata e Industrisë së Përpunuesve të Qumështit, propozoi që skema të harmonizohej me praktikat e rajonit, ku TVSH-ja e blerjes dhe e shitjes të unifikohej në 6% ose 9%, për të shmangur pabarazitë tatimore.

Skema e vjetër të zëvendësohej me një mekanizëm neutral fiskal, jo penalizues për përpunuesin. Ky propozim nuk u pranua nga Ministria e Financave në buxhetin e vitit 2022.

Në vend të rimbursimit të TVSH-së, qeveria aplikoi subvencione direkte deri në 10,000 lekë për krerë bagëtie/lopë për fermerët.

Por përpunuesit në atë kohë theksuan se skema e subvencioneve, nuk do të ketë efekt të të drejtpërdrejtë në uljen e kostos së lëndës së parë për industrinë. Nuk garanton formalizimin, sepse nuk është e lidhur me volumin real të qumështit të shitur.

Ndryshe nga rajoni, ku subvencionet jepen për litër qumësht të prodhuar e dorëzuar, në Shqipëri mungon kjo logjikë e orientuar drejt prodhimit të formalizuar.

Situata me heqjen e TVSH-së së kreditueshme, kostot e larta të ushqimit të kafshëve nga fragmetizimi i tokave dhe mungesës së vaditjeve krijuan një zinxhir pasojash në sektor, duke ulur ndjeshëm volumin e përpunimit dhe duke vënë në rrezik vazhdimësinë e kapaciteteve prodhuese, ndërkohë që tregu po përballet me konkurrencë gjithnjë e më të fortë të mallrave të gatshme që vijnë nga importi.

Po ashtu për shkak të çmimit më të lirë të shitjes së qumështit jashtë, importet vijojnë të jenë në nivele të larta, pasi qumështi i prodhuar nga fermat e huaja po përdoret, kryesisht në sezonin e verës si lëndë e parë për përpunuesit vendas.

Në periudhën janar-prill 2024, u importuan 6 mln litra qumësht sipas të dhënave të Doganave. Kjo ishte sasia më e larta e qumështit e importuar prej 2016-s.

Për janar-prill 2025 u importuan 5,1 mln litra qumësht. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar importet janë ulur 15,4%.

Çfarë synon aksioni?

Nisja prej 14 korrikut të aksionit të tatimorëve për kontrollin e zinxhirit të tregtimit të mallrave blegtorale nga fermeri drejt grumbulluesit dhe konsumatorit final, shkaktoi paqartësi te fermerët në radhë të parë dhe grumbulluesit ku nisën t’i kërkonin njëri-tjetrit fatura fiskale, teksa mes tyre transaksionet dokumentohet me autofaturim të blerësit.

Po ashtu, inspektorët tatimorë nisën të kërkonin origjinën e mallit edhe te tregtarët ambulantë.

Nisur nga situata Administrata Tatimore sqaroi për Monitor se fokusi i aksionit është forcimi i kontrollit në terren mbi lëshimin e autofaturës për tregtimin e produkteve blegtorale, ku rezulton informalitet i lartë në tregtimin e tyre, sidomos prej grumbulluesve dhe përpunuesve të mëdhenj.

Nëpërmjet këtij aksioni tatimet synojnë të rrisin të ardhurat, dhe të forcojnë sistemin për gjurmueshmërinë e mallit.

Pavarësisht nisjes së aksionit skema e faturimit për tregtimin e mallrave blegtorale nga fermeri drejt grumbulluesit nëpërmjet faturës fiskale të llojit autofaturim, me qëllim më pas hedhjen në treg të tyre për konsumatorin final nuk ndryshoi.

Do të vijojë të mbetet e njëjtë. Pra fermeri i pajisur me NIPT shet produktet e tij te grumbulluesi, përpunuesi apo supermarketet, ndërsa këta të fundit kanë detyrimin e lëshimit në SelfCare të autofaturës.

E njëjta skemë do të vijojë të funksionojë për shitjen e fermerëve të regjistruar si tatimpagues për kategorinë “person fizik” apo “shpk”. Në këtë rast fatura e fiskalizuar për shitjen e mallit lëshohet prej tij. Në këtë rast nuk funksionon autofatura.

Po ashtu, përmes një njoftimi Tatimet bënë me dije se tregtarët ambulantë nuk kanë asnjë detyrim, për të lëshuar faturë dhe për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat.

Ndërsa Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në reagimin e saj bëri me dije se kontrollet për sigurinë ushqimore dhe pajisjen me faturë tatimore nuk janë aksion kundër fermerëve, por një hap për ta formalizuar, forcuar dhe mbështetur sektorin bujqësor./ Monitor

The post Qeveria gati të rikthejë skemën e kompensimit të TVSH-së për fermerët, në nivelin 10% appeared first on Albeu.com.

Vrasja e 23-vjeçarit Renis Dobra/ Arrestohen dy prej autorëve, shpallen në kërkim dy të tjerë (EMRAT)

By: V K
16 July 2025 at 08:01

Dy nga autorët e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra, ngjarje kjo e ndodhur pak ditë më parë në Ulëz të Matit. Raportohet se dy personat e arrestuar janë; Petrit Çakrri allias Hoxhaj dhe Fatjon Bushgjoka, i pari i kapur në Lekbibaj të Tropojës, ndërsa i dyti në Tiranë.

Ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe dy pjesmarrësit e tjerë në vendngjarje. Bëhet fjalë për shtetasit; Kristi Bushgjokaj alias Kristë Bushgjokaj dhe Aleksander Bushgjokaj alias Aleksandër Bushgjokaj.

Ndërkohë, detajet e krimit janë raportuar ditën e djeshme në emisionin “Në Shënjestër” në News24 të gazetares Klodiana lala.

Hetimet kanë zbuluar se Çakrri ka marrë me qira në Rinas, dy automjete, një Range Rover të zi dhe një Hunday të bardhë.

Petrit Çakrri, i cili pasi dha dëshminë për atë që njihet si procesi i Shekullit, rezulton të ketë patur procedentë të shumtë penalë, që nga vjedhjet e deri tek përplasjet me policinë.

Teksa në vitin 2017, u arrestua nën dyshimet për mashtrim me pasoja të rënda. Në aktakuzë thuhej se ai kishte mashtruar një biznesmen nga Vora, të cilit i kishte marrë një shumë prej 4.4 mln lekësh të reja, duke iu prezantuar si tregtar, të cilit i kishte premtuar se do t’i siguronte mallra me çmime më të lira sesa tregu.

Çakrri, që u tradhtua nga kamerat e sigurisë dhe GPS e makinës që kishte marrë me qira dhe që përdori në krim, nga ku hetuesit përmes pamjeve filmike kanë mundur të zbulojnë pikën e dhënies së automjeteve me qira, ku del se pasi kanë dorëzuar makinat që përdoren në krim, kanë marrë automjete të tjera po me qira.

Por, zbulimi i GPS së makinës, i ka mundësuar grupit të hetimit, se automjeti me të cilin udhëtonte Çakrri, që tashmë e ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha ka lëvizur në trajektoren ku ka lëvizur edhe Renis Dobra.

The post Vrasja e 23-vjeçarit Renis Dobra/ Arrestohen dy prej autorëve, shpallen në kërkim dy të tjerë (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
16 July 2025 at 07:42

Sot, më 16 korrik 2025, dollari amerikan, blihet me 83.2 lekë dhe shitet me 84.5 lekë.

Euro, blihet me 97.2 lekë dhe shitet 98 lekë.

Franga zvicerane, këmbehet në blerje me 103.9 lekë, ndërsa në shitje me 105 lekë.

Paundi britanik, blihet me 111.5 lekë dhe shitet me 113 lekë.

Dollari kanadez, sot në blerje këmbehet me 60.5 lekë, ndërsa në shitje me 62 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit 16 Korrik 2025/ I nxehti afrikan mbërthen Shqipërinë, temperatura deri në 41°C

By: V K
16 July 2025 at 07:35

Këtë të mërkurë në vendin tonë, termometri do të shënojë edhe kulmin e kësaj vale afrikane, me temperatura deri në 41 gradë C.

Përsa i përket kushteve atmosferike, mot i kthjellët dhe i nxehtë do të dominojë në të gjithë territorin e vendit.

Orët e pasdites do të sjellin kalime vranësirash të lehta, në zonat malore përgjatë shtrirjes Lindore.

Pritet që vlera më të larta të shënohen përkatësisht në Qarqet: Shkodër, Elbasan dhe Berat ku termometri do t`i afrohet 41 gradëve.

Temperaturat e ajrit mbeten të larta si në mëngjes dhe në mesditë, duke luhatur vlerat ditore nga 12°C vlera më e ulët në Peshkopi, deri në 41°C pritet vlera maksimale në qarkun e Elbasanit dhe zona të izoluara të qarkut Berat.

Era do të fryjë mesatare me shpejtësi maksimale mbi 30 km/h nga drejtimi Perëndimor – Veriperëndimor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 1 ballë.

The post Parashikimi i motit 16 Korrik 2025/ I nxehti afrikan mbërthen Shqipërinë, temperatura deri në 41°C appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 15 July 2025Main stream

Tregtarët ambulantë/ Administrata Tatimore: Nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë dhe as për të mbajtur dokumentacion për mallrat apo shërbimet

By: V K
15 July 2025 at 15:57

Sipas tatimeve, ky përjashtim parashikohet në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, konkretisht në nenin 5, pika 1, gërma c).

Gjithashtu, ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 5, pika 1, gërma j), përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë.

Administrata Tatimore, ka bërë një njoftim ku informon se individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.

Sipas “tatimeve” detyrimet e vetme të një tregtari ambulant janë të jetë mbi moshën 16 vjeç; të jetë i vetëpunësuar dhe të mos punësojë persona të tjerë; të tregtojë në hapësira publike me leje të lëshuar nga Bashkia përkatëse; të jetë i regjistruar si ambulant pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore dhe të paguajë: kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; tarifën për zënien e hapësirës publike; taksat bashkiake të aplikueshme.

Në përfundim të njoftimit thuhet se administrata Tatimore mbetet e angazhuar në krijimin e një klime besimi dhe bashkëpunimi me qytetarët, duke garantuar që çdo politikë tatimore të zbatohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe të kuptueshme për të gjithë.

Njoftimi:

Administrata Tatimore informon opinionin publik dhe individët e regjistruar si “tregtarë ambulantë” se, bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi, nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë tatimore dhe as për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat apo shërbimet që tregtojnë.

Ky përjashtim parashikohet në ligjin nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, konkretisht në nenin 5, pika 1, gërma c). Gjithashtu, ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 5, pika 1, gërma j), përcakton qartë statusin dhe kushtet e ushtrimit të aktivitetit të tregtarëve ambulantë.

Detyrimet e vetme të një tregtari ambulant janë:

Të jetë mbi moshën 16 vjeç;

Të jetë i vetëpunësuar dhe të mos punësojë persona të tjerë;

Të tregtojë në hapësira publike me leje të lëshuar nga Bashkia përkatëse;

Të jetë i regjistruar si ambulant pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore;

Të paguajë: Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; Tarifën për zënien e hapësirës publike; Taksat bashkiake të aplikueshme.

Administrata Tatimore mbetet e angazhuar në krijimin e një klime besimi dhe bashkëpunimi me qytetarët, duke garantuar që çdo politikë tatimore të zbatohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe të kuptueshme për të gjithë.

The post Tregtarët ambulantë/ Administrata Tatimore: Nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë dhe as për të mbajtur dokumentacion për mallrat apo shërbimet appeared first on Albeu.com.

Klubi italian e gjen zgjidhjen tek Asllani, fillojnë negociatat me Interin

By: V K
15 July 2025 at 15:47

Kristjan Asllani, mund të veshë shumë shpejt fanellën e Fiorentinës/ Klubi i Seria A e llogarit mesfushorin e Kombëtares si organizatorin e duhur, ndërsa ky është roli që po shqetëson klubin.

Stefano Pioli, duket se ka dhënë dritën jeshile. Dhe palët janë në negociata siç raportohet në Itali.

Interi nuk do të hiqte dorë lehtë nga Asllani, që nuk heq dorë nga Seria A. Për të ka pasur ofertë zyrtare nga Real Betis, por Asllani vendosi veton duke refuzuar.

E njëjta gjë nuk pritet të ndodhë me Fiorentinën. Vetëm se këto të fundit duhet të plotësojnë kërkesën e Interit, që është plot 15 milionë euro.

The post Klubi italian e gjen zgjidhjen tek Asllani, fillojnë negociatat me Interin appeared first on Albeu.com.

Kryeministri i Ukrainës jep dorëheqjen, ja kush pritet ta zëvendësojë

By: V K
15 July 2025 at 15:38

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, ka dhënë dorëheqjen. Kjo vjen një ditë pasi Volodymyr Zelenskyy, propozoi Shmyhal si ministër të ri të mbrojtjes të Ukrainës dhe tha se mbështetej në mbështetjen e parlamentit për riorganizimin e qeverisë.

Ai propozoi Yulia Svyrydenko, aktualisht zëvendëskryeministre e parë, për të kryesuar qeverinë e re si kryeministre.

Shmyhal e ka mbajtur këtë post që nga marsi i vitit 2020, duke e bërë atë kreun e qeverisë me shërbimin më të gjatë që kur vendi fitoi pavarësinë në vitin 1991 pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

The post Kryeministri i Ukrainës jep dorëheqjen, ja kush pritet ta zëvendësojë appeared first on Albeu.com.

Aksioni për pastrimin e hapësirave publike/ Kishin zënë vendin me blloqe betoni, arrestohet 67-vjeçari, procedohet i biri

By: V K
15 July 2025 at 15:09

Ditën e sotme, në kuadër të operacionit të koordinuar për çlirimin e hapësirave publike, Policia e Shtetit, ka ekzekutuar një urdhër për lirimin e një hapësire publike të zënë në mënyrë të paligjshme nga një familje në rrugën “Ali Demi” në Tiranë.

Hapësira në fjalë ishte bllokuar me beton dhe automjete nga familjarët e një 67-vjeçari i arrestuar një javë më parë.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi B. D., 67-vjeç, dhe djali i tij E. D., 25-vjeç, akuzohen për disa vepra penale, përfshirë “Falsifikimin e dokumenteve”, “Pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësinë” dhe “Kanosjen”.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, Komisariatin Nr. 1 në Tiranë dhe Drejtorinë e Mirëmbajtjes së Trotuareve e Zgarave pranë Bashkisë së Tiranës.

Gjatë ditës së sotme u hoqën blloqet e betonit që kishin zënë rrugën, ndërsa më herët ishin sekuestruar dy automjete që ishin përdorur për të bllokuar hapësirën.

Hetimet kanë zbuluar se babë e bir kishin falsifikuar dokumente në përpjekje për të pretenduar pronësinë mbi territorin publik, të cilin e kishin zënë në mënyrë të përsëritur dhe me konflikt ndaj banorëve të zonës.

Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vijimin e hetimeve.

Autoritetet konfirmojnë vijimin e operacioneve për lirimin e të gjitha hapësirave publike, të zëna në mënyrë të paligjshme në kryeqytet dhe në të gjithë vendin.

The post Aksioni për pastrimin e hapësirave publike/ Kishin zënë vendin me blloqe betoni, arrestohet 67-vjeçari, procedohet i biri appeared first on Albeu.com.

Zgjedhjet e 11 majit/ Berisha: Balluku dhe 3 ministra të tjerë përdorën fondet e bujqësisë për të blerë vota

By: V K
15 July 2025 at 14:40

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ka ngritur sërish akuza ndaj kryeminsitrit Rama për blerje masive votash në zgjedhjet e 11 majit 2025, përmes përdorimit të fondeve publike në sektorin e bujqësisë.

Sipas Berishës, qeveria përdori skemën e garancisë sovrane për kreditë bujqësore në mënyrë të paligjshme gjatë fushatës zgjedhore, duke e kthyer atë në një mjet elektoral për të favorizuar “fermerët e lidhur me pushtetin”.

Ai pretendon se janë shpërndarë 200 milionë euro garanci, ndërkohë që kodi zgjedhor ndalon transaksione të tilla gjatë periudhës zgjedhore.

Berisha përmendi disa ministra që sipas tij, kanë qenë pjesë e kësaj fushate të maskuar si mbështetje për bujqësinë, duke përfshirë Anila Denaj, Delina Ibrahimaj, Belinda Balluku, Arbjan Mazniku.

Berisha: Farsa elektorale 11 maj 2025 është farsa më e shëmtuar që nga koha e zgjedhjeve moniste në diktaturën e Enver Hoxhës.
Për të siguruar mandatin e katërt, Edi Rama përdori të gjitha llojet e krimeve elektorale të padëgjuara më parë.

Ai për herë të parë, njeriu që shkatërroi bujqësinë shqiptare, njeriu që shkatërroi blegtorinë në kuptimin pothuaj të përgjysmimit të krerëve, dhe si shkak rënia dramatike e prodhimit të qumështit dhe prodhimeve të tjera blegtorale bujqësore, u kujtua në vitin elektoral të shpërndajë 200 milionë euro garanci 70 përqind të kredive të buta për fermerët.

Natyrisht jo për fermerin e vërtetë, por për fermerët e qeverisë, për fermerët e lidhur me qeverinë dhe kundrejt shpërblimeve të mëdha në vota.
Vazhdojmë.

Si u blenë votat me skemat në bujqësi?

1. Garancia sovrane për kreditë për SME në bujqësi.

2. Programi kombëtar për subvencionin në bujqësi.
Edi Rama në skemën e parë premtoi 70 përqind garanci sovrane për kredi të buta në bujqësi për SME-të.
Fondi 250 milionë euro nga 32 milionë euro që kanë marrë fermerët çdo vit.
Skema është shpallur me datën 10 shkurt 2025.
Kodi zgjedhor, neni 91/4 dhe vendimi numër 9, viti 2020 i KQZ ndalon çdo lloj transaksioni dhe ndikimi në procesin zgjedhor.

Kurse kjo skemë u aplikua gjatë fushatës zgjedhore nga ministrat Denaj, Ibrahimaj, Lubi Balluku, Mazniku dhe shumë të tjerë.

Më 10 shkurt 2025, Edi Rama njofton se garancia sovrane do mbulojë 70 përqind të principalit të kredisë. Faktikisht pra është një blerje masive votash.

Pjesëmarrësit në atë takim ishin Anila Denaj, guvernatori i bankës, Delina Ibrahimaj dhe drejtoresha e AZHBR.

Takimi me Këshillin e Agrobiznesit, përsëri me të njëjtit persona.

Me 7 mars, takim me Bashkimin e Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë, përsëri të njëjtit persona.

Me 10 mars, takim me Bashkimin e Prodhuesve, pjesëmarrës të njëjtit persona.

Me 11 mars, vazhdon pra fushata e paraqitjes në kundërshtim me ligjin të shpërndarjes së garancisë sovrane për kredi.

Me 13 mars, kjo tryezë spostohet në Malësinë e Madhe.

Me 18 mars, takim me të rinjtë e punësuar në Ministrinë e Bujqësisë dhe institucionet e varësisë, Bora

Muzhaqi dhe Anila Denaj.

Me 20 mars, takim në AZHBR.

Në prill, takim në Cërrik me letrat e indulgjencës për të blerë vota.

Vazhdon në mars, takim në Kurbin. Anila Denaj, garancinë sovrane e shndërron në flamurin e fushatës së saj elektorale.

Tani del edhe Paketa e Maleve.

Në Vishaj, në Zall Herr vazhdon fushata me 200 milionë garancinë sovrane.

Vazhdon fushata në Ibën e Poshtme, në Çekrezë, në Pukë, Pinar.

Me projektet qeveritare në bujqësi bëhet fushatë.

Vazhdon në Goriçan në Berat.

Pra, siç e shihni, me skemën e garancisë sovrane, në kundërshtim flagrante me ligjin, me kodin, Edi Rama dhe ministrat e tij qarkuan Shqipërinë për të blerë vota.

The post Zgjedhjet e 11 majit/ Berisha: Balluku dhe 3 ministra të tjerë përdorën fondet e bujqësisë për të blerë vota appeared first on Albeu.com.

Zbardhet vendimi/ Koeficienti i ri i indeksimit rrit pensionet e reja në vitin 2025! Ja rregullat për rivlerësimin e pagave para dhe pas vitit 1994

By: V K
15 July 2025 at 14:22

Është miratuar në parim vendimi për indeksimin e bazës së vlerësuar të vitit 2023 për efekt të llogaritjes së pensioneve, i cili do të zbatohet për të gjithë qytetarët që përfitojnë të drejtën për pension pas datës 1 janar 2025.

Sipas projektvendimit të Këshillit të Ministrave, indeksi i ri vjetor është llogaritur në masën 9.3% për pagat e viteve 1994–2023, duke reflektuar ecurinë e kontributeve mesatare për person të siguruar.

Ky indeks do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e bazës mbi të cilën llogaritet pensioni, duke bërë që pensionet fillestare mujore të jenë më të larta për ata që dalin në pension gjatë vitit të ardhshëm.

“Duke rritur dhe bazën e vlerësuar individuale, për të gjithë personat që e drejta për pension iu lind nga data 01.01.2025, nga kjo datë e në vazhdim do të arrihet të përllogariten, të jepen pensione mujore që janë të lidhura drejtpërdrejt me kontributet e paguara dhe që vetëm për shkak të tyre mund të jenë më të larta së më parë”, – thuhet më tej në relacion.

Paralelisht me vendimin, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përgatitur edhe relacionin shoqërues, ku bëhet e ditur se për pagat përpara vitit 1994 do të përdoret një koeficient unifikues prej 13.397, duke u dhënë atyre një rritje mesatare me 8.6% krahasuar me vitin e kaluar.

Kjo do të thotë se për shembull, një punonjës që ka marrë 3.233 lekë në muaj në vitet ‘80, do të ketë një pagë të rivlerësuar prej 43.312 lekë për llogaritjen e pensionit.

Pas miratimit të vendimit, paga maksimale e rivlerësuar bëhet 110.123 lekë nga 100.752 që ishte një vit më parë, ndërsa paga minimale shkon në 33.037 lekë nga 30.225 lekë.

Ky përmirësim, përfiton direkt rreth 40 mijë qytetarë që do të aplikojnë për pensione të reja deri në fund të vitit 2025.

Vendimi thekson gjithashtu se për pensionet me datë lindjeje të së drejtës deri në 31 dhjetor 2024, llogaritja do të bëhet mbi bazën e indeksit të çmimeve të konsumit, ndërsa nga 1 janari 2025 e në vazhdim do të përdoret baza e rivlerësuar.

Për periudhën 1994–2023, indeksimi do të bëhet sipas pagave të paguara çdo muaj dhe sipas punëve dhe profesioneve të përcaktuara në vendimin nr. 561 të Këshillit të Ministrave të vitit 2005.

Kjo metodologji ruan frymën kontributive të sistemit të pensioneve, ku pensioni lidhet ngushtë me shumën dhe kohëzgjatjen e kontributeve të derdhura.

Për vitet pas 1994-ës, koeficientët janë të ndryshëm për çdo vit, për shkak të luhatjeve të pagave reale në ekonominë shqiptare.

Për shembull, për vitin 1995 koeficienti është 10.781, për vitin 1996 është 8.365, ndërsa për vitin 1999 është 5.673.

Për vitet 2024 dhe 2025 nuk aplikohet indeksim, por paga referohet në masën reale të deklaruar.

Ndërkohë, ISSH sqaron se rritja e pensioneve të reja do të varet edhe nga rritja vjetore e kontributeve mesatare që derdhen nga punonjësit aktivë.

Formula aktuale e përcaktimit të pensionit fillestar, e ndryshuar me reformën e vitit 2014, përcakton një pension bazë (aktualisht rreth 9.800 lekë) dhe një shtesë mbi të që është 1% për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar.

Ky sistem synon të sigurojë që pensionet të jenë sa më të drejta dhe në përputhje me kontributet e dhëna. Pritet që vendimi të kalojë për miratim në një nga mbledhjet e ardhshme të qeverisë, ndërsa koeficientët e indeksimit do të përfshihen në përllogaritjet për pensionistët e rinj nga fillimi i vitit 2025.

The post Zbardhet vendimi/ Koeficienti i ri i indeksimit rrit pensionet e reja në vitin 2025! Ja rregullat për rivlerësimin e pagave para dhe pas vitit 1994 appeared first on Albeu.com.

Përplasje në Konispol/ Rama-Dules: Jep dorëheqjen ti nëse nuk i shkarkon drejtorët

By: V K
15 July 2025 at 14:12

Kryebashkiaku i Konispolit, Ergest Dule, raportohet se ka refuzuar të shkarkojë drejtorët e tij. Dule ka mbrojtur stafin, duke deklaruar se bëhet fjalë për të rinj të aftë dhe profesionistë.

Ky qëndrim ka sjellë përplasjen me kryeministrin Rama, i cili raportohet se i është drejtuar Dules me fjalët: “Jepe ti dorëheqjen, nëse nuk i shkarkon ata”.

Në Bashkinë e Konsipolit, deri më tani, kanë dhënë dorëheqjen vetëm dy nënkryetarë dhe disa administratorë, ndërsa drejtuesit e drejtorive vijojnë të jenë në detyrë.

The post Përplasje në Konispol/ Rama-Dules: Jep dorëheqjen ti nëse nuk i shkarkon drejtorët appeared first on Albeu.com.

Tragjedi në Dhërmi/ Ishte duke luajtur volejboll, humb jetën 20-vjeçari

By: V K
15 July 2025 at 13:29

Një 20-vjeçar nga Kosova ka ndërruar jetë gjatë pushimeve, në Shqipëri. Anid Hoxha nga Rahoveci ka humbur jetën teksa ka qenë duke luajtur volejboll me shoqërinë e tij në bregdetin e Dhërmiut.

Specialistët e Stacionit të Policisë Dhërmi referuan materiale për vlerësim, pasi më datë 14.07.2025, pranë një plazhi në Dhërmi, në fushën e volejbollit, dyshohet se ka humbur jetën për shkaqe natyrale shtetasi A. H., 20 vjeç, banues në Kosovë, i cili ndodhej me pushime së bashku me shoqërinë e tij. Autopsia mjekoligjore do të kryhet pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë, për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

The post Tragjedi në Dhërmi/ Ishte duke luajtur volejboll, humb jetën 20-vjeçari appeared first on Albeu.com.

Atentati ndaj Aredin Beharit/ Skerdi Tasi: S’mora asnjë lekë për këtë punë, ja kush ishte porositësi

By: V K
15 July 2025 at 12:36

I penduari i drejtësisë, Skerdi Tasi, vijon të dëshmojë në GJKKO në kuadër të “Plumbit të Artë”. Në sallë, Tasi ka treguar se porosia për vrasjen e Hajredin Beharit, krim që mbeti në tentativë, u dha nga Renato Çami.

Sipas dëshmisë së tij, Henrik Hoxhaj, do të ishte personi që do ta ndihmonte Tasin për vrasjen, “punë” për të cilën i ishte premtuar një apartament në Fier dhe një shumë parash edhe nga Viron Tavanxhi.

Ai thekon se nuk mori asnjë lekë pasi nuk e realizoi dot punën.

Dëshmia e Skerdi Tasit:

Nga Henriku mësova se kishte marrë porosi edhe nga një tjetër për këtë punë, nga Renato Çami.

Këtë ma konfirmoi Henriku. Ai fliste me të me një Blackberry. Henriku mbante kontakte edhe me nipin e Renatos.

Unë prezent në takimet e Henrikut me Renaton nuk kam qenë. Për tentativën ndaj Hajredin Beharit, lokali ndodhet afër rrethrrotullimit të parkut.

Një lokal i vogël në anë të rrugës. Unë qëllova nga jashtë lokalit. E pamë që objektivi ndodhej aty. Ishte me 3-4 vetë të tjerë.

Unë kur qëllova isha 1 metër larg derës. Unë kam pasur veshur një bluzë me kapuç dhe pantallona xhins.

Besoj se qëllova 5-6 herë. Një breshëri qëllova. Ai u shtri nën tavolinë dhe mendova se e godita.

Pas 100 m më priste Riku (Henriku). I thashë që e godita. Shkuam tek lokali i Rikut. Pastaj kaluam nga Gjanica, hodha pistoletën në lumë.

Pas disa ditësh takova Henrikun. Aty debatuam. Më tha, pse e more përsipër kur nuk e bëje dot. Shënjestra kishte shkuar në polici dhe kishte thënë disa emra të dyshuar. Një prej tyre ishte porositësi i vërtetë. Riku më tha, mirë që na dha punë, që nuk e bëmë dot, por tani t’i hapim edhe probleme me policinë.

Henriku më tha se kishte dhënë shpjegime në polici. Henriku më konfirmoi se emri i porositësit ishte në dosjen e policisë.

Nuk mora asnjë lek për këtë punë, pasi nuk e realizuam dot.

The post Atentati ndaj Aredin Beharit/ Skerdi Tasi: S’mora asnjë lekë për këtë punë, ja kush ishte porositësi appeared first on Albeu.com.

Çfarë ndodhi brenda mbledhjes me dyer të mbyllura? Belinda Balluku merr në dorë frenat e Bashkisë Tiranë!

By: V K
15 July 2025 at 12:04

Pasi ka marrë të gjitha masat për të vrarë politikisht kryebashkiakun e burgosur Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama, po planifikon se si do të qeveriset në detaje Tirana.

Me sa duket rolin kryesor në këtë projekt do e ketë Bela “punëmbaruara” dhe kjo është vënë re dje, në takimin e kryeministrit me drejtuesit e bashkisë ministrat dhe deputetët e qarkut Tiranë.

Gjithçka ka ndodhur pasi fjalimi para kamerave mbaroi dhe ato u fikën, duke i dhënë fund transmetimit live.

Rama përsëriti edhe njëherë mesazhin se nuk dihet çdo të ndodhë me zgjedhjet e parakohëshme, nëse do të ketë të tilla apo jo dhe pastaj u largua duke ia deleguar kompetencat ministrave të tij.

Formalisht, në mungesë të Erion Veliajt dhe pasi janë eleminuar nga zyrat të gjithë drejtuesit e tij të besuar drejtimin e bashkisë Rama ia ka deleguar katër ministrave: Ogerta Manastirliut, që do të merret me strukturat, Blendi Gonxhes, që do të mbulojë trafikun, transportin dhe parkingjet, Petrit Malajt që do të mbikqyrë financat dhe mbi të gjitha Belinda Ballukut, e cila nuk do të përgjigjet vetëm për shërbimet, por që do të jetë edhe syri e veshi i shefit, për atë që ndodh në vendin e lënë bosh nga Veliaj.

Kjo u kuptua edhe nga fjala që mbajti dje Bela, përpara deputetëve dhe drejtorëve të bashkisë, pas largimit të Ramës.

Një burim brenda mbledhjes rrëfeu për Lapsi.al se toni i saj qe i ashpër dhe kritik, si në padrone e vërtetë e këtij institucioni.

Balluku është akuzuar shpesh se ka pasur një rivalitet të ashpër me “Lalin”, se ajo financonte në mënyrë indirekte protestat e opozitës para bashkisë e madje ajo është fshikulluar edhe nga një sërë mediash pro qeveritare dhe pro Veliajt se ka përgatitur dosjen me emrin anonim të Nesti Angonit, për ta burgosur vëllain e saj armik.

“Sikur të gjitha këto që ju thoni të ishin të vërteta Balluku nuk e fshehu të hënën se ajo ndodhej në vendin që i takonte”,-vazhdoi burimi i Lapsi.al.

“Nuk qe e rastësishme që pasi Rama foli në përgjithësi, duke u marrë edhe me Thethin para kamerave, ai ia la drejtimin e mbledhjes për Tiranën Belës”, theksoi ai në kushtet e anonimatit.

Sipas këtij rrëfimi, Balluku është treguar e prerë dhe arrogante.

“Unë do të jem më e drejtpërdrejtë se kolegët e mij ministra. Unë i njoh mirë problemet e kësaj bashkie sepse kam qenë në të kaluarn pjesë e saj”, i’u drejtua zv kryeministrja drejtorëve, duke lënë të kuptohet se ishte në zotërim të situatës dhe nuk priste të kundërshtohej nga askush.

Ajo i ka fshikulluar ata për mungesë bashkëpunimi me qeverinë, duke lënë të kuptohet se tani bashkia e Tiranës ka zot.

Edhe benjamini i saj, ministri i Financave Petrit Malaj, kur e mori fjalën me stilin e vet të mefshët, vuri theksin – natyrisht jo pa leje – te shpenzimet e shumta që kishte bashkia, të trashëguara nga koha e Veliajt për të ardhura që i mblidhte kryesisht nga industria e ndërtimit.

“Kur mbledhja përfundoi drejtorët dhe punonjësit e bashkisë nuk dinin nëse duhet të gezoheshin, që Rama nuk kërkoi edhe këtu dorëheqje masive dhe nuk artikuloi kritika të forta, apo të mërziteshin për faktin se ai po i linte mbi kokë Belinda Ballukun, që njihet për sjelljet e saj proverbiale me vartësit me të cilët nuk ka gjë për të ndarë. As në makthin e tyre më të çmendur këta drejtues të kohës së Lalit nuk e kishin imagjinuar se do të përfundonin në dorë të Belës”, komentoi burimi i Lapsit.

Ende nuk dihet nëse ky komandim pa spaleta i Ballukut nga Rama, është bërë thjeshtë për të kordinuar mbarëvajtjen e punës së përditshme në institucion, apo ai lidhet edhe me hipotezën e zgjedhjeve të parakohëshme në Tiranë, të cilën edhe njëherë kryeministri e la të hapur sikur ajo të mos vendoset prej tij, por prej drejtësisë.

Emri i Belinda Ballukut, është përfolur mes socialistëve edhe për një kandidim të mundshëm për Tiranën madje ajo për shumkënd është një pretendente më e fortë (sidomos pas provës që kaloi në Fier) edhe se Elisa Spiropali apo Blendi Gonxhe, që thuhet se i kanë vënë syrin këtij posti.

Por gjithësesi, ndonëse në dy deklarata me radhë Rama e ka lënë të hapur mundësinë e bashkimit të Tiranës me 3 bashkitë e tjera që do të futen në zgjedhje të parakohëshme, duket se ai nuk e ka marë vendimin final për shkarkimin e Veliajt, të cilit, pasi iu mohua kërkesa për një masë arresti më të butë edhe nga Gjykata e Lartë, nuk duket më të ketë të ardhme politike./Lapsi.al

The post Çfarë ndodhi brenda mbledhjes me dyer të mbyllura? Belinda Balluku merr në dorë frenat e Bashkisë Tiranë! appeared first on Albeu.com.

Kujtim Gjuzi niset drejt Thethit, thirrje Ramës: Nuk e ke kuptuar ku e ke futur familjen tënde…

By: V K
15 July 2025 at 11:44

Ish-deputeti Kujtim Gjuzi, së bashku me disa mirditorë, janë drejtuar këtë të martë drejt Thethit, për të mbështetur banorët thethianë të cilët prej ditësh tanimë janë duke u përballur me fadromat që po i shembin bujtinat e tyre të cilat i kanë ngritur pa leje.

Për mediat, Gjuzi u shpreh se kryeministri Edi Rama ka bërë një gabim dhe se duhet të dëmshpërblejë një për një të gjithë banorëve të cilëve ua shembi shtëpizat e tyre prej druri.

Sipas ish-deputetit aksioni i ditëve të fundit në Theth ka prerë në besë dukagjinasit, të cilëve vetë Rama u premtoi që do t’ua legalizojë dhe do t’i gëzojnë shtëpitë e tyre.

“E para ju falenderoj që keni ardhur. Ne si konservatore jemi përgjigju thirrjes së Zef Gonajt për të qenë në Theth,. Thethi është i thethianëve i komunitetit katolik dhe nëse ne flasim shqip sot dhe nuk flasim serbisht apo greqisht është pikërisht se këto zona që e kanë mbrojtur vendin.

Të shkosh në Dukagjin dhe të shembsh shtëpitë e të tjerëve pasi u ke thënë shtëpitë do ti gëzoni, kjo nuk quhet vetëm prerje në besë, por kjo është një krim bastard.

Unë nuk kam çfarë ftesë ti bëj Ramës, që zotëria duhet të mësojë dhe të lexojë kanunin e Lek Dukagjinit. Mesa duket akoma ai nuk e kupton se ku ka futur jo vetën, pro ka futur të gjithë familjen e tij. Kjo nuk është kërcënim, por është për ti thënë që ke bërë një gabim që duhet ta dëmshpërblesh.

Të dëmshpërblejë të gjithë ku ka vënë fadromë. Atij vëllait Çam duhet të kërkojë falje, të gjithë ata njerëzve që i ka sharë me libër shpie”, tha Gjuzi.

The post Kujtim Gjuzi niset drejt Thethit, thirrje Ramës: Nuk e ke kuptuar ku e ke futur familjen tënde… appeared first on Albeu.com.

E rëndë në Malësi të Madhe/ Po punonte për hapjen e pusit, humb jetën 55-vjeçari (EMRI)

By: V K
15 July 2025 at 11:23

Këtë të martë, një 55-vjeçar ka humbur jetën,  pasi është dëmtuar aksidentalisht , teksa po punonte për hapjen e një pusi uji me sondë shpimi.

Mësohet se viktima është Astrit Himja.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10:30, në lagjen “Mehaj”, Koplik.

Njoftimi i policisë:

Koplik, Malësi e Madhe/Informacion paraprak

Rreth orës 10:30, në lagjen “Mehaj”, shtetasi A. H., rreth 55 vjeç, duke punuar me sondë shpimi për hapjen e një pusi uji, aksidentalisht është dëmtuar dhe për pasojë ka humbur jetën.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

The post E rëndë në Malësi të Madhe/ Po punonte për hapjen e pusit, humb jetën 55-vjeçari (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Ilir Beqaj sëmuret në burg, shtrohet me urgjencë në QSUT

By: V K
15 July 2025 at 10:55

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ka shfaqur probleme shëndetësore në burg dhe është shtruar me urgjencë në QSUT.

Gazetarja Klodiana Lala, raporton se ish-ministri Beqaj, ka pasur temperaturë të lartë dhe infeksion të rëndë në lëkurë.

Sipas burimeve, gjendja e tij shëndetësore është ende e pastabilizuar.

Ilir Beqaj mbahet prej 1 viti në paraburgimin e Durrësit.

Ai është marrë i pandehur për dosjen e “SASPAC”, ku akuzohet për abuzim me donacionet e huaja, ndërsa po gjykohet me procedurë të zakonshme edhe për dosjen e “Sterilizimit”.

The post Ilir Beqaj sëmuret në burg, shtrohet me urgjencë në QSUT appeared first on Albeu.com.

Njihuni me katër shenjat që do të përjetojnë periudhën më të mirë të jetës së tyre deri në fund të vitit

By: V K
15 July 2025 at 10:47

Duke filluar nga dita e sotme, e deri në fund të vitit 2025, katër shenja të horoskopit pritet të përjetojnë një transformim të thellë dhe një përmirësim të ndjeshëm në jetën e tyre personale dhe profesionale.

Prania e Neptunit dhe lëvizja e tij retrograde në muajt në vijim do të ndikojë ndjeshëm në energjinë e tyre, duke sjellë qartësi, qasje të reja dhe përparim.

Dashi

Dashi ndodhet në prag të një periudhe të thellë vetë analize dhe zhvillimi personal. Me Neptunin që ndikon fuqishëm në shenjën e tyre, kjo është një periudhë ideale për të reflektuar mbi rrugën e ndjekur dhe për të bërë korrigjime të rëndësishme.

Nga 23 tetori, kur Neptuni do të kalojë në retrogradë në shenjën e Peshqve, Dashit do t’i jepet një perspektivë më e thellë shpirtërore, duke e ndihmuar të kuptojë më mirë vetveten dhe të shfrytëzojë potencialin e tij maksimal.

Peshqit

Për Peshqit, kjo është një periudhë që thekson vlerësimin personal dhe ristrukturimin financiar. Neptuni ndriçon çështjet që lidhen me pasurinë dhe vetëbesimin, duke i ndihmuar ata të marrin vendime më të mençura dhe të përmirësojnë gjendjen e tyre ekonomike.

Në fund të tetorit, fokusi do të zhvendoset te identiteti dhe pozicioni i tyre në shoqëri, duke hapur rrugën për rritje personale dhe profesionale.

Peshorja

Për Peshoren, ky është momenti për të vënë në balancë marrëdhëniet personale dhe profesionale. Retrograda e Neptunit i shtyn të analizojnë thellë lidhjet dhe të vlerësojnë nëse këto raporte janë të shëndetshme dhe të ndershme.

Fundi i vitit do të sjellë gjithashtu një përqendrim te shëndeti dhe puna, duke i dhënë mundësi Peshorëve të përmirësojnë përditshmërinë e tyre dhe të marrin drejtimin e duhur në karrierë.

Virgjëresha

Virgjëresha do të ketë një periudhë të favorshme për t’u përqendruar në financat dhe partneritetet. Menaxhimi i borxheve, burimeve të përbashkëta dhe investimeve bëhet prioritet.

Lëvizja retrograde e Neptunit i jep mundësi për të sjellë qartësi dhe transparencë në planet afatgjata. Në fund të tetorit, vëmendja do të zhvendoset te marrëdhëniet, duke i ndihmuar Virgjëreshat të arrijnë harmoni dhe qëllime të përbashkëta me partnerët e tyre.

The post Njihuni me katër shenjat që do të përjetojnë periudhën më të mirë të jetës së tyre deri në fund të vitit appeared first on Albeu.com.

Vazhdon vala e dorëheqjeve/ Largohen edhe drejtorët e Bashkisë Sarandë, kryebashkiaku i Konispolit refuzon urdhrin e Ramës

By: V K
15 July 2025 at 10:19

Vala e dorëheqjeve dhe shkarkimeve në pushtetin vendor, vazhdon pas ultimatumit të Kryeministrit Edi Rama, që ka kërkuar rifreskime në stafet e bashkive në të gjithë vendin.

Së fundmi, bashkia që është prekur nga dorëheqjet është ajo e Sarandës. Mesohet se kanë dhënë dorëheqjen të gjithë drejtorët e Bashkisë së Sarandës.

Por, një ngërç po krijohet në Bashkinë e Konispolit. Siç ka mësuar gazetari Didani, kryetari i Bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, ka refuzuar të shkarkojë drejtorët në varësi të tij, dhe për këtë ka patur debat me Kryeministrin Rama.

Dule është shprehur se, “drejtorët janë të rinj dhe të aftë në punë”. Nga ana tjetër, Kryeministri i është përgjigjur duke thënë “jepe ti dorëheqjen nëse nuk i shkarkon”.

Një ditë më parë, pati dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve në njësitë administrative në Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër, Lushnje etj.

The post Vazhdon vala e dorëheqjeve/ Largohen edhe drejtorët e Bashkisë Sarandë, kryebashkiaku i Konispolit refuzon urdhrin e Ramës appeared first on Albeu.com.

❌
❌