TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit Elisa Spriopali mbajti sot një fjalim në Konferencën e 6-të Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve, e cila zhvillohet në Gjenevë (Zvicër), nën organizimin e Unionit Ndërparlamentar, me temë “Bashkëpunimi parlamentar dhe multilateralizmi për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin”.
Në fjalën e saj Spiropali vuri në pah rolin aktiv të Kuvendit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke përmendur miratimin e rezolutës për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
“Si parlamentarë, ne duhet të jemi në pararojë në përballjen me çdo formë rreziku, deformimi apo sfide që kërcënojnë shoqëritë tona. Ne në Shqipëri jemi krenarë që kemi qëndruar përkrah Ukrainës në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare, duke dënuar pa asnjë mëdyshje agresionin rus dhe duke mbështetur çdo nismë që ka për qëllim llogaridhënien, ndihmën humanitare dhe rindërtimin.
“Kuvendi i Shqipërisë ishte një ndër parlamentet e para që ka miratuar projekt rezolutën “Për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe sigurinë evropiane””, tha Spiropali.
Kryeparlamentarja theksoi se “vështirë se gjendet një kohë tjetër kur bashkëpunimi ndërparlamentar për paqen, sigurinë, drejtësinë dhe mirëqenien të jetë kaq i domosdoshëm dhe kaq kritik sa në kohën e sotme”.
Spiropali adresoi në fjalën e saj nevojën e bashkëpunimit ndërparlamentar.
“Nga kufiri lindor i BE-së, në Lindjen e Mesme, në Afrikë dhe më gjerë, bota po përballet me një krizë të rëndë dhe trazira të mëdha. Forcat e përçarjes, konfliktit të dhunshëm dhe pabarazisë po venë në provë vlerat tona të përbashkëta: paqen, stabilitetin, drejtësinë. Përballja me sfidat globale, nga shkeljet e sovranitetit të shteteve tek ndryshimet klimatike dhe pabarazitë shoqërore, kërkojnë një angazhim të palëkundur ndaj multilateralizmit dhe bashkëpunimit ndër-parlamentar. Sot më tepër se kurrë ne duhet të krijojmë dhe zbulojmë mundësi të reja për bashkëpunim dhe progres”, tha Spiropali.
Në fjalën e saj, Spiropali theksoi se Shqipëria është e angazhuar ndaj vlerave të demokracisë. Spiropali nënvizoi më tej se Shqipëria, që 3 dekada më parë ishte një nga vendet më të izoluara në botë, sot kryeson garën për anëtarësimin në BE.
“Sot më tepër se kurrë në duhet të krijojmë dhe zbulojmë mundësi të reja për bashkëpunim dhe progres. Shqipëria është tërësisht e angazhuar ndaj vlerave të demokracisë, pasi e dimë mirë nga përvoja që paqja dhe drejtësia nuk janë dhurata, por fryt i përpjekjeve të përbashkëta i mësimeve të nxjerra gjatë shtetformit dhe konsolidimit të institucioneve.
“Vendi im, i cili pak më shumë se 3 dekada më parë ishte ndër vendet më të izoluara në botë, sot kryeson garën për anëtarësim në BE dhe është lider rajonal në Ballkanin Perëndimor. Presidenca shqiptare e OSBE-së gjatë vitit 2020 si dhe kontributi si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit dëshmuan, qasjen bashkëpunimit dhe paqësore të Shqipërisë në zhvillimet ndërkombëtare”, tha Spiropali.
Spiropali shtoi se “aktualisht Shqipëria është anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut e angazhuar fort në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njërit kudo në botë duke ngritur zërin kundër çdo padrejtësi dhe abuzimi”.
Spiropali u shpreh se Shqipëria është e angazhuar për të garantuar se kuadri ligjor dhe politikat tona publike, të kontribuojnë për krijimin e një rendi botëror më të drejtë dhe më paqësor.
“Ne në Kuvendin e Shqipërisë e konsiderojmë diplomacinë parlamentare si një soft power për mbrojtjen e sigurisë, arritjen e paqes dhe garantimin e prosperitetit të kombeve dhe njerëzve tanë. Kjo konferencë është një thirrje për veprim për të garantuar që kuadri ynë ligjor dhe politikat tona publike të kontribuojnë realisht për krijimin e një rendi botëror më të drejtë dhe më paqësor. Pa parlamentarë të përkushtuar, multilateralizmi mbetet një teori. Me veprim të përbashkët dhe të koordinuar, ai bëhet mjet i fuqishëm për ndryshim”, tha Spiropali.
/m.q//r.e/
The post Spiropali në Gjenevë: Shqipëria e angazhuar të kontribuojë për një rend botëror më të drejtë dhe më paqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.