Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 August 2025Main stream

Zjarr masiv në jug të Shqipërisë – evakuime në Livinë dhe Ardhasovë, rrezikohet hidrocentrali i Bistricës

10 August 2025 at 08:43

Ekipet zjarrfikëse dhe forcat operacionale në zonën e Finiqit patën një natë sfiduese, ku disa vatra zjarri të përhapura nga era e fortë kanë rrezikuar banorët.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, njoftoi përmes një postimi në Facebook se ekipet e zjarrfikësve janë përballur me një situatë të rënduar në disa fshatra të jugut.

“Një natë tepër sfiduese në Finiq, ku ekipet zjarrfikëse të bashkive Finiq, Delvinë, Konispol dhe Sarandë, të mbështetura nga 5 zjarrfikëse dhe 70 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe 20 efektivë të Policisë së Shtetit, u përballën pareshtur me vatrat”, shkroi ai.

Zjarret kanë përfshirë zonat: Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë dhe Krongj

Për shkak të rrezikut të menjëhershëm, është bërë evakuimi i përkohshëm i banorëve në fshatrat Livinë dhe Ardhasovë.

Ministri Vengu shtoi se janë marrë masa për asistencë mjekësore, sidomos për personat e moshuar, ndërkohë që “forcat operacionale dhe ato vullnetare siguruan mbrojtjen e çdo banese dhe biznesi të rrezikuar”.

Situata është bërë më kritike në orët e para të mëngjesit, kur flakët kanë rrezikuar Hidrocentralin e Bistricës.

“U realizua një operacion i suksesshëm për të parandaluar përhapjen e flakëve që rrezikonin hidrocentralin e Bistricës, ku në këto momente pritet të ndërhyet gjithashtu nga ajri,” bëri të ditur ministri.

Për shkak të situatës, qarkullimi i mjeteve në aksin Muzinë–Bistricë mbetet i kufizuar deri në përfundim të operacioneve.

Forcat zjarrfikëse dhe strukturat mbështetëse vijojnë të jenë në gatishmëri, për të monitoruar çdo hapësirë të rrezikuar nga riaktivizimi i vatrave, për shkak të erës dhe temperaturave të larta. /Telegrafi/

The post Zjarr masiv në jug të Shqipërisë – evakuime në Livinë dhe Ardhasovë, rrezikohet hidrocentrali i Bistricës appeared first on Telegrafi.

Shqipëria përballet me valën e të nxehtit ekstrem, temperaturat sot arrijnë 39°C

10 August 2025 at 08:31

Shqipëria po përballet sot me një valë të nxehti ekstrem, me temperatura që në shumë zona do të kalojnë 38°C.

Moti do të mbetet i kthjellët gjatë gjithë ditës, ndërsa priten kushte për temperatura maksimale deri në 39°C në zonat e ulëta dhe bregdetare.

Në Tiranë, termometri do të shënojë mbi 37°C që në orët e mesditës, ndërsa gjatë pasdites vlerat do të ngjiten pranë 39°C. Në zonat malore priten temperatura më të buta, por gjithsesi mbi mesataren sezonale.

MeteoAlb paralajmëron qytetarët të shmangin ekspozimin e gjatë në diell nga ora 11:00 deri në 17:00 dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje për të shmangur dehidratimin.

Temperaturat minimale pritet të zbresin gjatë natës deri në 20°C në ultësirën perëndimore, duke sjellë një freskim të lehtë pas vapës përvëluese të ditës.

Sipas meteorologëve, vala e të nxehtit pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, duke mbajtur mbi vendin tonë kushte tipike të motit veror ekstrem./abcnews/

The post Shqipëria përballet me valën e të nxehtit ekstrem, temperaturat sot arrijnë 39°C appeared first on Telegrafi.

Fluks normal në pikat kufitare, raportohen kolona vetëm te Dheu i Bardhë dhe Kullë

10 August 2025 at 08:24

Lëvizja në pikat e kalimit kufitar në Kosovë po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pritje të theksuara

Sipas të dhënave të fundit të përditësuara në orën 07:06 nga autoritetet përkatëse, vetëm në dy pika janë shënuar kolona të automjeteve.

Në pikën kufitare Dheu i Bardhë, në dalje të territorit të Kosovës është raportuar një kolonë prej 200 metrash, me kohë pritjeje rreth 30 minuta për automjetet.

Ndërkohë, në Kullë kolona arrin deri në 30 metra si në hyrje ashtu edhe në dalje, me kohë pritjeje s 5 deri në 10 minuta.

Të gjitha pikat e tjera kufitare, përfshirë Merdarën, Vërmicën, Jarinjen, Glloboqicën, dhe Hanin e Elezit, raportohen me fluks normal, me pritje të shkurtë prej 3 deri në 5 minuta, pa kolona të automjeteve apo kamionëve.

Po ashtu, situata është e qetë edhe për transportin e mallrave – në të gjitha pikat kufitare, kamionët nuk kanë hasur në kolona, dhe pritjet janë minimale.

Autoritetet këshillojnë qytetarët që të informohen në kohë reale për situatën në kufi, për të shmangur pritjet e panevojshme gjatë udhëtimeve të tyre. /Telegrafi/

The post Fluks normal në pikat kufitare, raportohen kolona vetëm te Dheu i Bardhë dhe Kullë appeared first on Telegrafi.

Mot me diell dhe temperatura të larta

10 August 2025 at 08:10

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot moti do të jetë me diell.

Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-16°C, ndërsa ato maksimale e ditës ndërmjet 32 dhe 36°C.

Do të fryjë erë nga veriperëndimi, me shpejtësi 1 deri në 3m/s.

Indeksi UV do të jetë i lartë, prandaj këshillohet që të respektohen këshillat i IKSHP./Telegrafi/

The post Mot me diell dhe temperatura të larta appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Rasti Popoviq, lojë e Serbisë apo vetësakrificë politike

23 July 2025 at 15:51

Keqpërdorim i mundësive dhe i serbëve në Kosovë.

Kështu e komentojnë Dushan Janjiq nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike dhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi deklaratën e zyrtarit serb, Igor Popoviq, i cili Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e quajti organizatë terroriste.

Popoviq u dërgua në paraburgim për 30 ditë në Kosovë, për veprën penale “nxitje e urrejtjes dhe mosdurimit”.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, kjo vepër dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha më 21 korrik se ky ishte një “vendim politik” dhe se “nuk do të ketë vazhdim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, derisa Popoviq të lirohet”.

Janjiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se bëhet fjalë për “një lojë të pakuptimtë të pushtetit në Serbi”.

“Një qasje e tillë ndaj dialogut [me Kosovën], një qasje e tillë ndaj realitetit, tregon vetëm se Serbia me qëllim – e kam fjalën për Zyrën për Kosovën – nuk dëshiron ta bëjë punën e saj… Ky është keqpërdorim i situatës së serbëve në Kosovë, për të mbetur në pushtet në Serbi”, thotë Janjiq.

Miftaraj ndan të njëjtin qëndrim. Sipas tij, Popoviq ishte “shumë i vetëdijshëm për veprimet e tij dhe pasojat ligjore që mund t’i kishte”.

“Megjithatë, në këtë rast, ai bëri një vetësakrificë, si dëm kolateral ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili përdor [drejtorin e Zyrës për Kosovën, Petar] Petkoviq dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë serbë, apo edhe vetë serbët e Kosovës, si mjet për të larguar vëmendjen nga trazirat dhe protestat aktuale kundër Qeverisë së tij në të gjithë Serbinë”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë tha Popoviq dhe ku?

Ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, qëndroi më 18 korrik në Hoqë të Madhe, për të shënuar përvjetorin e vrasjes së disa serbëve në territorin e komunës së Rahovecit, dhe në fjalimin e tij Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e quajti organizatë terroriste.

“Vëllezërit tanë [serbët e Kosovës] kanë pësuar, sepse terroristët e UÇK-së nuk i donin serbët në këto troje, dhe me ekzekutimin e tyre, donin t’i frikësonin banorët e tjerë serbë, që të largoheshin nga ky vend. Gjithashtu, është e dhimbshme që terroristët dhe organizatorët, autorët e krimit, nuk janë gjetur dhe ndëshkuar gjatë gjithë këtyre viteve, edhe pse shohim se i gjithë Rripi i Gazës po shkatërrohet për një krim të ngjashëm të rrëmbimit të civilëve izraelitë”, tha Popoviq.

Për shkak të këtyre fjalëve, ai u ndalua në vendkalimin kufitar në Jarinjë dhe, më vonë, iu shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji, sipas nenit 141 të Kodit Penal për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit.

Për veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike ose grupeve të tjera, në një mënyrë që mund të rrezikojë rendin publik, dënimi mund të jetë me gjobë ose deri në pesë vjet burgim.

Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke abuzuar me pozicionin ose autoritetin e tij kryen këtë vepër penale, i nënshtrohet dënimit me burgim nga një deri në tetë vjet.

Avokati Lubomir Pantoviq tha më herët se do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit kundër vendimit për caktimin e paraburgimit për Popoviqin.

“Fjalor i caktuar fjalësh”

Janjiq thotë se autoritetet aktuale në Serbi kanë një “fjalor të caktuar fjalësh”, por se ato nuk mund t’i anulojnë dokumentet ndërkombëtare.

“Ekziston Marrëveshja e Kumanovës, në të cilën është përcaktuar qartë demilitarizimi dhe transformimi i UÇK-së, jo si organizatë terroriste. Politikanët në Serbi i keqpërdorin mundësitë në Kosovë dhe gjatë vizitave të rralla atje përhapin retorikë të re”, thotë Janjiq.

Ai thekson se që nga fundi i viteve 1970, vendet perëndimore kanë mbështetur ndryshimet në organizimin e UÇK-së, duke mos e konsideruar më si një organizatë terroriste, por si një forcë politike-ushtarake që ka luftuar për çlirim nga forcat serbe.

Janjiq thotë, po ashtu, se deklarata e Popoviqit nuk ishte “e mençur”, veçanërisht për shkak të proceseve gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë janë duke hetuar krimet e luftës që dyshohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

“Një deklaratë e tillë është shkatërruese, veçanërisht kur ekzistojnë procese të papërfunduara gjyqësore për krime lufte, të kryera nga ushtria dhe paraushtarakët serbë. Kjo arrogancë dhe ky primitivizëm i diskursit të ri, që përkrahet në Serbi, nuk mund t’i fshijnë faktet. Përkundrazi, kontribuojnë në propagandën politike se serbët nuk mund të integrohen”, thotë Janjiq.

“Në vend të mesazheve të paqes, gjuhë e urrejtjes”

Miftaraj thekson se ligjet aktuale në Kosovë, por edhe në shoqëritë e tjera demokratike, nuk e lejojnë gjuhën e urrejtjes.

“Igor Popoviq, në vend që ta përdorte vizitën e tij për të promovuar paqen dhe harmoninë midis popullsisë serbe në Kosovë, e keqpërdori atë, duke përdorur gjuhë urrejtjeje dhe duke dërguar mesazhe politike, që kontribuojnë më tej në përçarje dhe në përkeqësimin e marrëdhënieve etnike në Kosovë”, thotë Miftaraj.

Ai beson se të gjitha veprimet e Zyrës për Kosovën janë të organizuara dhe të orkestruara mirë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeveria serbe.

Në vitin 2022, Ivan Todosijeviq, zyrtar i Listës Serbe, u dënua me një vit burg për “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”.

Deklarata e tij lidhej me masakrën e Reçakut, të cilën e cilësoi si “trillim”.

Por, në korrik të vitit 2023, Gjykata Supreme e Kosovës e liroi atë nga të gjitha akuzat, duke konstatuar se mendimi i shprehur nuk përbënte vepër penale, pavarësisht nga ngjarja që kishte ndodhur.

Reagimet nga Kosova dhe Serbia

Pas arrestimit të Popoviqit, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Kosova nuk do të tolerojë fyerjen dhe përdhosjen e historisë, e aq më pak të luftës së zhvilluar nga UÇK-ja.

Pastaj erdhën edhe reagimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët vlerësuan se deklarata e Popoviqit “u kërkonte llogari atyre që kryen krime” dhe bënë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

Presidenti serb, Vuçiq tha se Beogradi zyrtar i ka informuar të gjithë partnerët për arrestimin e Popoviqit, duke shtuar se kjo ngjarje “mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.

“Arrestimi i Igor Popoviq tregon se [kryeministri në detyrë i Kosovës] Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe dëshiron të provokojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiq gjatë një paraqitjeje si i ftuar në Televizionin Pink të Beogradit.

Kurti tha se e sheh këtë deklaratë të presidentit serb si kërcënim, sepse vjen nga komandanti suprem i ushtrisë së një shteti.

“Me tone nxitëse të konfliktit, [deklarata] nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por si politikë shtetërore”, tha Kurti në një konferencë me gazetarët.

Më 21 korrik, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i kërkoi Drejtorisë së Policisë Kriminale (UKP) dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) të Serbisë të mbledhin informacionet e nevojshme për “identifikimin e personave” që arrestuan Popoviqin, me qëllim “vërtetimin e elementeve thelbësore të veprës penale: rrëmbim”./REL/

The post Rasti Popoviq, lojë e Serbisë apo vetësakrificë politike appeared first on Telegrafi.

Bilanci tregtar, importi shënon rritje 16 për qind në qershor

23 July 2025 at 15:45

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 17. 1 për qind në muajin qershor 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 498,3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 425. 4 milionë euro në vitin 2024.

Eksporti mbulon importin me 13. 9 për qind.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti i mallrave në muajin qershor 2025 kishte vlerën 80. 4 milionë euro, ndërsa importi 578. 7 milionë euro, që është një rritje prej 9.5 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 16.0 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, 12,5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9,8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; pijet dhe duhani; 6,7% e produktet minerale, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 14,0% e përbëjnë produktet minerale; 13,2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13,0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 8,6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 27,6 milionë ëuro, ose rreth 34,4% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 10,7%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania 9,4%, Italia 3,3, Holanda 3,2%, etj.

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 249,6 milionë euro, ose 43,1 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9,2 për qind. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,2%), Polonia (5,2%), Italia (4,7%), etj.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 36,9 milion Euro, ose 45,9% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12,2%2. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (16,9%), Maqedonia e Veriut (15,5%), Mali i Zi (6,3%), Serbia (5,7%).

“Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 82,7 milion Euro, ose 14,3% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 28,1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5,1%), Shqipëria (4,8%), Serbia (3,4%)”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërsa, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 15,9 milion Euro, ose 19,8%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,3%) dhe Turqia (2,9%).

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 246,4 milion Euro, ose 42,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (13,1%) dhe Turqia (12,6%)./KP/

The post Bilanci tregtar, importi shënon rritje 16 për qind në qershor appeared first on Telegrafi.

​Hargreaves: Partitë politike ta vënë vendin mbi interesat e tyre

23 July 2025 at 11:50

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves njoftoi për takimin që e ka zhvilluar të martën, më 22 korrik, me presidenten Vjosa Osmani.

“U pajtuam se pasojat e një bllokimi të vazhdueshëm politik do të jenë të rënda për Kosovën dhe popullin e saj”, shkroi ai në Facebook.

Tutje, Hargreaves tha se e ka përgëzuar Osmanin për përpjekjet e saj për zgjidhjen e bllokimit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Theksova përgjegjësinë e të gjitha partive politike për ta vënë vendin mbi interesat partiake për të gjetur një zgjidhje”, tha Hargreaves.

Presidentja Vjosa Osmani në konferencë për media të martën, tha se kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun në vazhdimin e afatit të mbetur prej katër ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Osmani tha se nëse arrihet marrëveshja për konstituimin e Kuvendit, ajo do të tërheq kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese./Telegrafi/

The post ​Hargreaves: Partitë politike ta vënë vendin mbi interesat e tyre appeared first on Telegrafi.

Zjarri vijon të jetë aktiv prej pesë ditësh, flakët po i afrohen Parkut të Llogorasë

23 July 2025 at 09:49

Rreth 80 forca të ushtrisë të ardhura nga Poshnja e Beratit, 20 zjarrfikës, emergjencat civile, banorë të zonës por dhe ADZM kanë nisur sot në orët e para të ditës luftën për të izoluar flakët.

Gazetari i Top Channel, raporton se ata po punojnë për mbajtjen nën kontroll të zjarrit i cili prej pesë ditësh po djeg pisha, bredha dhe bimësi te ndryshme në malin fshatit Dukat si dhe është në pikën kritike duke ju afruar Parkut të Llogorasë.

Situata vijon të jetë e rrezikshme pikërisht në zonën ku ndodhet mali i Dukatit me Llogoranë, ku terreni mjaft i vështirë, e bën te pamundur ndërhyrjen nga toka, ndërkohë që janë dy helikopterë që po punojnë duke hedhur ujë në zonën malore.

Sipas emergjencave civile, situata deri tani duket në kontroll, por era që rreth orës 11 nis në ketë zonë e bën të rrezikshme situatën./TCH/

The post Zjarri vijon të jetë aktiv prej pesë ditësh, flakët po i afrohen Parkut të Llogorasë appeared first on Telegrafi.

Takimi Kurti-Limaj, dalin detajet e fundit të negociatave

22 July 2025 at 15:36

Negociatat ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate për një marrëveshje bashkëqeverisëse janë intensifikuar në ditët e fundit. Derisa nuk ka ende një konfirmim zyrtar, përfaqësues të të dy subjekteve kanë dhënë sinjale për afrimin e qëndrimeve.

Në koalicionin LVV-Guxo dhe Alternativa janë optimistë se do të arrihet marrëveshja me Nismën, siç thonë, vetëm për postet në ekzekutiv, pasi nuk lëvizin nga emri i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

Ndërkaq, në Nismën Socialdemokrate deklarojnë se nuk kanë kushte për bashkëpunim me LVV-në, derisa shtojnë se ditët në vijim do të shohin a do të binden nga oferta e LVV-së për koalicion qeverisës.

Megjithatë, vihet në pah se përkundër kësaj marrëveshje duhet të sigurohet edhe vota e një deputeti për të krijuar shumica parlamentare prej 61 deputetëve.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se javën e kaluar ka paraqitur një ofertë konkrete karshi liderit të Nismës, Fatmir Limaj, për koalicion qeverisës. Sipas tij, në ditët në vijim do të ketë sërish takime dhe do të shihet nëse do të ketë marrëveshje për formim të institucioneve të reja para afatit obligues të Gjykatës Kushtetuese për konstituim të Kuvendit të Kosovës, i cili skadon më 26 korrik.

Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se pas takimit të fundit Kurti-Limaj ka mundësi të mëdha të arrihet një marrëveshje.

Limaj, në takimet paraprake me Albin Kurtin, është shprehur i interesuar që në kuadër të marrëveshjes me LVV-në të marrë vetëm postin e kryekuvendarit dhe jo të përfshihet në koalicion qeverisës.

Mirëpo, Kusari-Lila deklaron se tashmë është bërë e qartë se grupi i tyre parlamentar nuk ka votë për Fatmir Limajn për kryetar të Kuvendit, mirëpo po shikohen variantet tjera për pozicionet në ekzekutiv.

“Nuk mund të flas për detaje të diskutimit pasi që në diskutim apo në negociata është vetë kryeministri me zotëri Limaj. Do të thotë që ata janë të dytë që diskutojnë, por përderisa ka diskutime në vazhdimësi dhe ka ende paralajmërime për takim, unë mendoj që ka mundësi të arrihet një marrëveshje. Ajo çka ka qenë e qartë në këtë periudhë të dytë të diskutimeve, gjegjësisht ju e dini që ka pasur takime edhe në fillim të mbajtjes së seancave konstituive me udhëheqësin e Nismës Socialdemokrate, zotin Limaj, është se tashmë është e ditur se nga grupi ynë parlamentar i përbërë nga tri parti, Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, nuk ka pasur vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur zotëri Limaj kryetar i Kuvendit… Unë jam e bindur se janë duke u shqyrtuar variantet tjera, gjegjësisht mundësi të tjera, por prapë po them që në këtë fazë është ende herët të thuhet çkado për shkak se nuk është një marrëveshje e finalizuar… Nëse është marrëveshje politike, është marrëveshje për bashkëqeverisje, atëherë duhet të diskutohen pozicionet në ekzekutiv, besoj unë, apo edhe pozicionet tjera në kuadër të Kuvendit”, thekson Kusari-Lila.

Në anën tjetër, anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Fatmir Matoshi, thotë për KosovaPress se nuk kanë paraqitur kushte për bashkëpunim me LVV-në. Megjithatë, sipas tij, vazhdojnë të insistojnë në emrin e Fatmir Limajt për kryeparlamentar. Kjo çështje, sipas Matoshit, është ngritur edhe në takimin e javës së kaluar mes Kurtit dhe Limajt.

Ai nuk tregon ofertën që Kurti ia ka bërë Limajt për koalicion qeverisës, mirëpo shton se rezultatet e takimeve në ditët në vijim do të përcaktojnë nëse Nisma do të bindet të jetë pjesë e ekzekutivit me LVV-në.

“Normalisht se ne mendojmë që Fatmir Limaj, kryetar i Kuvendit, është zgjidhja më e mirë edhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk është veç për Nismën Socialdemokrate, është edhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Normalisht që këto ia themi Lëvizjes Vetëvendosje, sepse kemi një kundërshtim të madh për zonjën Haxhiu nga gjitha subjektet tjera politike… Tema e kryetarit të Kuvendit ka qenë pjesë e bisedave të fundit. Do të jetë prapë pjesë e bisedave që mund të ketë këto dy-tri ditë. Nisma nuk ka paraqitur kushte, nuk vendos kushte. Nuk është e interesuar me ngulë këmbë edhe me kushtëzuar me një pikë të caktuar… Ndërkohë, rezultatet e bisedimeve do ta përcaktojnë nëse ne do të bindemi që të jemi pjesë e një ekzekutivi me Lëvizjen Vetëvendosje”, thekson Matoshi.

Pavarësisht mundësisë së arritjes së marrëveshjes me Nismën, në koalicioninin LVV-GUXO-Alternativa thonë se duhet të sigurohet edhe një deputet për të krijuar shumicën parlamentare që do të zgjidhte kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë e re.

Sipas Kusari-Lilës, LVV bashkë me partnerët aktualisht ka 57 vota, duke u bazuar në gjashtë tentimet për votim të hapur të kandidates së tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.

Ndërkaq, për formimin e qeverisë nevojiten 61 vota. Nga zgjedhjet e shkurtit, LVV-ja ka siguruar 47 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja 25, LDK-ja 20, AAK-Nisma tetë deputetë ndërkaq, 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet pakicë – dhjetë për serbët dhe dhjetë për pakicat e tjera.

Kusari-Lila shton se me tri votat e Nismës bëhen gjashtëdhjetë deputetë, mirëpo është e bindur që do të bëhen 61 pas arritjes së marrëveshjes me Nismën, por nuk tregon se si do të sigurojnë votën edhe të një deputeti.

“Jemi në kufij të gjysmës, bëhen gjashtëdhjetë me një matematikë të thjeshtë, por jemi të bindur që mund të bëhen gjashtëdhjetë e një pas arritjes së marrëveshjes me Nismën… Me deputetët nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, tash kush do të jetë vota e gjashtëdhjetë e një, mbetet të shihet, por jam e bindur se nëse arrijmë deri në diskutim ose marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, atëherë do të mund të kemi edhe votë tjetër për të arritur gjashtë e njëshin”, shton ajo.

Shqetësim të tillë ka edhe anëtari i Kryesisë së Nismës, Fatmir Matoshi, i cili kërkon nga LVV-ja që t’i sigurojë 58 deputetë të tjerë dhe më pas të llogarisë në tri votat e Nismës.

Sipas tij, nëse LVV-ja ka vullnet politik, nuk është e pamundur të sigurohen edhe dy vota nga komunitetet joserbe, të cilët deri tani kanë shprehur rezerva për bashkëpunim me LVV-në: deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, si dhe deputeti nga radhët e komunitetit egjiptian, Veton Berisha.

“Lëvizja Vetëvendosje duhet me i pas edhe pesëdhjetë e tetë të tjera për me kriju shumicë parlamentare. Tani ata janë në bisedime edhe me deputetë të tjerë, edhe nga pakicat joserbe. Nuk është e pamundshme që të arrijmë numrin 58, nëse kanë vullnet nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje. Unë besoj që kjo gjë është e arritshme dhe nuk do të ishte fare problem”, thekson Matoshi.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja, përkundër që zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka obliguar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, mirëpo nuk ka specifikuar pasojat juridike nëse nuk ndodh një gjë e tillë.

Kuvendi nesër do të tentojë për herë të 51-të konstituimin e legjislaturës së nëntë./KP/

The post Takimi Kurti-Limaj, dalin detajet e fundit të negociatave appeared first on Telegrafi.

Diplomati suedez: Kriza politike po dëmton Kosovën, kjo është e keqe për të gjithë

22 July 2025 at 11:56

Ish-kryeministri dhe diplomati i njohur suedez, Carl Bildt, ka shprehur shqetësimin e tij për krizën e vazhdueshme politike në Kosovë dhe vonesat në formimin e një qeverie të re.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Bildt ka ngritur pyetjen nëse Kosova do të arrijë ndonjëherë të krijojë një qeveri funksionale.

“A do të ketë Kosova ndonjëherë një qeveri të re? Pamundësia për të ecur përpara po dëmton besueshmërinë e vendit, dhe kjo është keq për të gjithë”, ka shkruar Bildt.

Komentet e tij vijnë në një kohë kur vendi po përballet me bllokim institucional pas zgjedhjeve të fundit, me partitë politike ende të paafta për të arritur marrëveshje për krijimin e ekzekutivit.

Kujtojmë se të hënën ka dështuar edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Të gjitha këto ngjarje po ndodhin me vetëm pak ditë përpara fundit të afatit 30-ditor kushtetues, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin KO124/25, i cili kërkon konstituimin e Kuvendit deri më 26 korrik 2025 . /Telegrafi/

Will 🇽🇰 ever get a new government? The inability to move forward damaged the credibility of the country. And that’s bad for everyone. https://t.co/G6dwKKt80U

— Carl Bildt (@carlbildt) July 22, 2025

The post Diplomati suedez: Kriza politike po dëmton Kosovën, kjo është e keqe për të gjithë appeared first on Telegrafi.

​Gashi: Pozita e kryetarit të Kuvendit për Limajn është problematike

21 July 2025 at 11:50

Pozita e kryetarit të Kuvendit për kryetarin e Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limajn është problematike, pasi ai ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklaroi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi.

Ai, duke hyrë në objektin e Kuvendit, në tentimin e 50-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë, tha se LDK-ja nuk do të votojë për asnjë kandidat jashtë partisë së tyre për postin e kryekuvendarit.

“Është situatë e komplikuar për zotëri Limaj për postin e kryetarit të Kuvendit. Gjithsesi, akoma nuk është diskutuar në parti për një qëndrim të përgjithshëm. Megjithatë, qëndrimi i përgjithshëm është se nuk votohet asnjë kandidat jashtë LDK-së. Është e komplikuar, pasi nuk dua të merrem me problemet që ai ka – që është në listën e zezë – dhe kjo e bën më problematike për një pozicion kyç si kryetar i Kuvendit. Për pozitat e tjera është normale, pasi ka fituar zgjedhjet dhe ka të drejtë të jetë deputet”, tha Gashi./kp/

The post ​Gashi: Pozita e kryetarit të Kuvendit për Limajn është problematike appeared first on Telegrafi.

Dështon për herë të 50‑të konstituimi i Kuvendit, afati kushtetues në pikëpyetje

21 July 2025 at 11:33

Ka dështuar edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke reflektuar ngecjen e thellë të procesit institucional.

Deri tani, të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve të reja kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike .

Kryesuesi i seancës Avni Dehari bëri të ditur se seanca e radhës do të mbahet të mërkurën në orën 11:00.

Në qendër të bllokadës mbetet mungesa e një marrëveshjeje për krijimin e komisionit që do të organizonte votimin për kryetarin e Kuvendit. PDK, LDK, Lista Serbe, AAK dhe Nisma vazhdojnë të bëjnë rezistencë, ndërsa LVV insiston në kandidaturën e saj (Albulena Haxhiu) dhe votimin e fshehtë.

Sot nga 104 deputetë të pranishëm vetëm 53 deputet votuan pro formimit të këtij komisioni.

Të gjitha këto ngjarje po ndodhin me vetëm pak ditë përpara fundit të afatit 30-ditor kushtetues, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin KO124/25, i cili kërkon konstituimin e Kuvendit deri më 26 korrik 2025 . /Telegrafi/

The post Dështon për herë të 50‑të konstituimi i Kuvendit, afati kushtetues në pikëpyetje appeared first on Telegrafi.

Incidenti i armatosur në Doganaj, shkak i një mosmarrëveshjeje në trafik – në mesin e të arrestuarve edhe një polic

21 July 2025 at 11:32

Një zyrtar policor dhe tre qytetarë janë arrestuar lidhur me incidentin e ndodhur pas mesnatës në fshatin Doganaj të Ferizajt, ku dy persona mbetën të plagosur pas një përleshjeje me armë zjarri. Lajmin e ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përmes një komunikate zyrtare.

“Departamenti i Hetimeve ka pranuar sot pas mesnatës një informatë nga Policia e Kosovës lidhur me një incident gjuajtjeje me armë zjarri, ku si pasojë janë lënduar dy persona”, thuhet në njoftim.

Në incidentin që ka ndodhur rreth orës 00:52, ishte përfshirë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, i cili sipas IPK-së, është në mesin e të arrestuarve.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se incidenti ka ndodhur fillimisht si pasojë e një mosmarrëveshjeje në trafik, duke përfunduar fatkeqësisht në një incident të gjuajtjes me armë zjarri”, sqaron IPK.

Të plagosurit – një qytetar dhe zyrtari policor – janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa sipas mjekëve ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar dy vetura, dy armë zjarri (një Glock 19 zyrtare dhe një revole Zastava), 16 gëzhoja dhe një predhë.

“Pas kontakteve me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, janë arrestuar katër të dyshuar – zyrtari policor dhe tre qytetarë – të cilëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet më tej në komunikatë.

IPK ka nisur hetimet në drejtim të veprave penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Dhënie ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale”.

Bazuar në autorizimet ligjore, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e zyrtarit policor të përfshirë në këtë rast.

Hetuesit e Inspektoratit janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës dhe njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ndërsa pritet të ndërmerren edhe veprime të tjera për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit. /Telegrafi/

The post Incidenti i armatosur në Doganaj, shkak i një mosmarrëveshjeje në trafik – në mesin e të arrestuarve edhe një polic appeared first on Telegrafi.

“Pa Kuvend s’ka shtet” – Koci qeth flokët në shenjë proteste për bllokadën politike

21 July 2025 at 11:16

Avokati Arianit Koci ka protestuar sërish sot para Kuvendit të Kosovës, si rezultat i mungesës së konstituimit të tij.

Koci bëri një akt simbolik duke i qethur flokët.

“Po na rrezikohet shtetësia e Kosovës e miq e armiq tanë po binden se ne nuk jemi të aftë me majtë një shtet. Kjo nuk është më politik, po hyn në kategorinë e parapolitikës. Kërkoj që sot menjëherë të formohet Kuvendi”, tha Koci.

Koci u shpreh se kjo protestë nuk është veç për politikanë dhe deputet por edhe për krejt popullin që ka rënë në gjumë

“Pa Kuvend nuk ka demokraci, nuk ka shtet e as zhvillim ekonomik e social”, tha ai. /Telegrafi/

The post “Pa Kuvend s’ka shtet” – Koci qeth flokët në shenjë proteste për bllokadën politike appeared first on Telegrafi.

Hyseni: Investimet në Lipovicë dhe Burincë po japin rezultate konkrete

21 July 2025 at 09:51

Kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka vizituar fshatrat malorë të Karadakut, Lipovicë dhe Burincë ku është takuar me banorët lokalë për të dëgjuar nga afër kërkesat e tyre.

Gjatë vizitës, Hyseni tha se është ndier i motivuar nga mikpritja dhe vlerësimi i qytetarëve për punën e bërë deri më tani, duke theksuar se investimet në këto zona po japin rezultat.

“Kaluan një ditë të jashtëzakonshme në Lipovicë dhe Burincë. Biseduam gjatë për sfidat dhe nevojat e zonës, ndërsa morëm mirënjohjen dhe mbështetjen e tyre për punën e bërë dhe investimet që po japin rezultate, nga infrastruktura rrugore e deri te mbështetja për bujqësi”, deklaroi Hyseni.

Ai shtoi se përkushtimi i banorëve për të ndërtuar jetën në vendlindje është frymëzues dhe se mbështetja e tyre është një motiv shtesë për të vazhduar punën drejt zhvillimit të qëndrueshëm të komunës.

“Mbështetja e sinqertë e banorëve të këtyre fshatrave na motivon për të punuar edhe më shumë për një Gjilan të zhvilluar e gjithëpërfshirës”, u shpreh kryetari i Gjilanit. /Telegrafi/

The post Hyseni: Investimet në Lipovicë dhe Burincë po japin rezultate konkrete appeared first on Telegrafi.

Afati kushtetues po shkon drejt fundit, sot përpjekja e 50-të për ta zhbllokuar Kuvendin

21 July 2025 at 07:52

Sot, mbahet tentativa e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në një përpjekje tjetër për të zhbllokuar krizën institucionale që po zgjat prej muajsh.

Deri tani, të gjitha përpjekjet për formimin e institucioneve të reja kanë dështuar për shkak të mungesës së konsensusit mes partive politike.

Në thelb të bllokadës qëndron mungesa e një marrëveshjeje për krijimin e komisionit i cili do të duhej të organizonte votimin për kryetarin e Kuvendit.

Partitë PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK e Nisma vazhdojnë të mos propozojnë anëtarë për këtë komision, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje insiston në kandidaturën e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun dhe mënyrën e votimit të fshehtë.

Të shtunën, u zhvillua një takim mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe liderit të Nismës, Fatmir Limaj, por as ky takim nuk solli ndonjë marrëveshje konkrete për tejkalimin e krizës.

LVV dhe NISMA janë “barrikaduar” sa i përket këtij takimi duke mos dhënë asnjë detaj se cfarë ka ndodhur konkretisht.

Takimi u zhvillua në prag të përfundimit të afatit kushtetues, të përcaktuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve, respektivisht deri më 26 korrik 2025.

Kriza aktuale ka nxitur shqetësim te qytetarët dhe bashkësia ndërkombëtare, të cilët vazhdimisht kanë kërkuar nga liderët politikë që të vënë në vend të parë interesin e vendit. /Telegrafi/

The post Afati kushtetues po shkon drejt fundit, sot përpjekja e 50-të për ta zhbllokuar Kuvendin appeared first on Telegrafi.

Zjarr masiv në Devoll, flakët përhapen me shpejtësi drejt Kapshticës

21 July 2025 at 07:45

Zjarri i përhapur gjatë natës në fshatin Verrnik, në drejtim të zonës kufitare dhe territorit grek, ka përfshirë një sipërfaqe të mëdha toke.

Në vendin e ngjarjes janë angazhuar gjatë natës, forcat zjarrfikëse të shërbimit pyjor, gjithashtu edhe vullnetarë.

Autoritetet njoftojnë se janë dakorduar edhe me palën greke në rastin se do të duhet ndihma e tyre që të ndërhyjnë në pikën kufitare.

Zjarri masiv është përhapur shumë pranë postës dhe policisë së doganës së Kapshticës. Siç shihet edhe nga pamjet që sjell ABC News, zjarrfikëse nga Devolli, Korça, Maliqi janë angazhuar për të mos lejuar më tej përhapjen e flakëve.

Edhe pse zjarri duket se ka marrë përmasa të mëdha i favorizuar edhe nga era e fortë.

Vënia në kontroll të plotë të flakëve është e vështirë jo vetëm për shkak të përmasave të mëdha të zjarrit por edhe të terrenit të vështirë që e bën të pamundur futjen e mjeteve në zonë./abcnews/

The post Zjarr masiv në Devoll, flakët përhapen me shpejtësi drejt Kapshticës appeared first on Telegrafi.

Përleshje me armë mes një polici dhe një qytetari në Doganaj të Ferizajt – të dy mbesin të plagosur

21 July 2025 at 07:33

Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një përleshjeje me armë zjarri që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Doganaj të Ferizajt.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Sot, më 21 korrik 2025, rreth orës 00:50, policia rajonale ka pranuar një informatë për një rast të gjuajtjes me armë zjarri në fshatin Doganaj. Në këtë incident janë përfshirë dy persona, ku si pasojë të dy kanë mbetur të plagosur”, tha Veseli për Telegrafin.

Sipas Veselit, në përleshje ishin të përfshirë një qytetar që po udhëtonte me veturën “Golf 7” dhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, i cili ndodhej në një veturë “BMW”.

“Për shkak të përfshirjes së një zyrtari policor, është njoftuar menjëherë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar në koordinim me ta dhe me prokurorin kujdestar të krimeve të rënda”, shtoi Veseli.

Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar dy veturat e përfshira, dy armë zjarri të llojit pistoletë, 16 gëzhoja dhe një predhë.

“Të plagosurit janë dërguar fillimisht në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas janë transferuar në QKUK për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Sipas stafit mjekësor, ata janë jashtë rrezikut për jetë”, ka deklaruar Veseli.

Ai shtoi se policia ka intervistuar gjithashtu dy dëshmitarë që ndodheshin në njërën nga veturat në momentin e incidentit.

Rasti është cilësuar si “Vrasje e mbetur në tentativë dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë. /Telegrafi/

The post Përleshje me armë mes një polici dhe një qytetari në Doganaj të Ferizajt – të dy mbesin të plagosur appeared first on Telegrafi.

Vala e të nxehtit afrikan përfshin Kosovën – temperaturat sot arrijnë deri në 38°C

21 July 2025 at 07:10

Kosova këtë javë do të përballet me një valë të të nxehtit të skajshëm, si pasojë e masave ajrore të ardhura nga Afrika Veriore.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, nga data 21 deri më 25 korrik, vendi do të mbizotërohet nga temperatura shumë të larta, të shoqëruara me përmbajtje të ulët lagështie dhe pa reshje të shiut.

Sot sipas IHMK-së moti do të jetë kryesisht me diell. Temperaturat minimale do të sillen nga 13 – 16°C kurse ato maksimale nga 33 – 38°C.

Era do të jetë e lehtë nga drejtime të ndryshme.

IHMK paralajmëron për rreziqe të shtuara ndaj shëndetit publik, sidomos për grupet më të ndjeshme si fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

“Indeksi UV do të jetë i lartë, prandaj rekomandohet të shmangen rrezet direkte të diellit nga ora 9:00 deri në 17:00”, thekson IHMK./Telegrafi/

The post Vala e të nxehtit afrikan përfshin Kosovën – temperaturat sot arrijnë deri në 38°C appeared first on Telegrafi.

Lirimi i hapësirave publike, kryeministri Rama: Çlirim i madh për komunitetin

20 July 2025 at 15:41

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të diel një foto që tregon lirimin e hapësirave publike të zëna më parë nga ndërtimet pa leje, duke e cilësuar këtë si një “çlirim të madh” për komunitetin dhe për këmbësorët.

Kryeministri paralajmëron gjithashtu se të gjitha ndërtimet pa leje që zënë hapësirat publike do të largohen, pavarësisht rezistencës. Ai thekson se edhe ato objekte që ende nuk janë shembur do të prishen, ndërsa ndërtuesit që nuk bashkëpunojnë do të përballen me gjoba të kripura.

“Çlirim i madh jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, po edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka e rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit. Ndërkohë ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të tëra do ikin po do ikin bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptua”, ka shkruar kryeministri Rama.

The post Lirimi i hapësirave publike, kryeministri Rama: Çlirim i madh për komunitetin appeared first on Telegrafi.

❌
❌