Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

FSHF: Vijojnë punimet për tribunën e re qendrore në stadiumin e Vorës

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se punimet për ndërtimin e tribunës së re qendrore në stadiumin e qytetit të Vorës po vijojnë me ritme të larta.

Sipas FSHF-së, ndërhyrjet parashikojnë rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes për lojtarët, ambientet për stafet teknike, si edhe hapësira të tjera funksionale, të domosdoshme për garantimin e standardeve bashkëkohore të funksionimit të impiantit.

“Aktualisht janë hedhur themelet e strukturës, ndërsa në ditët në vijim pritet të nisë faza e betonimit të plintave”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Ky është një investim i përbashkët mes Federatës së Futbollit dhe Bashkisë Vorë që synon të transformojë plotësisht infrastrukturën e stadiumit dhe t’i japë një pamje të re dhe moderne në prag të edicionit të ri futbollistik.

/e.i/r.e/

The post FSHF: Vijojnë punimet për tribunën e re qendrore në stadiumin e Vorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turneu i futbollit në Preshevë, Duka: Qëllimi ynë, të promovojmë futbollin e të motivojmë fëmijët të luajnë

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Turneu i futbollit në Luginën e Preshevës u mbyll mbrëmjen e djeshme, duke finalizuar me sukses një aktivitet të mbështetur plotësisht nga Federata Shqiptare e Futbollit. Takimet finale u ndoqën nga afër edhe nga presidenti i Federatës, Armand Duka, i cili zhvilloi edhe një bisedë shumë miqësore me fëmijët pjesëmarrës në turne.

Pas ceremonisë së ndarjes së medaljeve dhe kupave për fituesit, Duka mbajti një prononcim të shkurtër për mediet e pranishme në këtë turne.

Presidenti i FSHF tregoi se vizita e parë në Luginën e Preshevës ishte mjaft emocionuese dhe se qëllimi i këtij turneu ishte promovimi i futbollit dhe motivimi i fëmijëve që të luajnë futboll.

Ai falënderoi organizatorët për bashkëpunimin si edhe kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës, ndërsa tha se në të ardhmen mund të ketë edhe projekte të reja.

Për mua është kënaqësi dhe emocion që jam sot këtu. Qëllimi i FSHF-së, objektivi i saj është motivimi i fëmijëve kudo që ato jetojnë për të luajtur futboll. Ky turne është jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, ka specifikat e veta, por nuk ka asnjë qëllim politik përveç se të promovojë futbollin”, tha Duka.

Sipas tij, “futbolli ka vetëm një gjuhë, atë sportive, të topit, të golit dhe respektin për shokët, kundërshtarin, për lojën dhe për veten. Nëpërmjet lojës ne duam të  krijojmë ura komunikimi, mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi dhe të edukojmë sa më mirë fëmijët tanë kudo që ata jetojnë”.

“Dua të falënderoj iniciatorët dhe organizatorët, stafin e FSHF që ka bashkëpunuar për ta bërë sa më mirë, kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës për angazhimin dhe mbështetjen. Mund ta konsideroj fillimin e një organizimi të ri.

Në bisedat që kemi bërë me të gjithë aktorët e futbollit në Luginë, do të krijojmë projekte të reja bashkëpunimi për të qenë sa më afër fëmijëve, talenteve dhe për ta bërë sa më të mirë jetën e tyre sportive”, pohoi Duka.

Ai shtoi se pritet të ndërtohen projekte të qëndrueshme për të ardhmen, ndërsa u ndal edhe te kërkesat e fëmijëve.

“Dihen dëshirat, të kenë një infrastrukturë më të mirë. Çfarë mund të bëjmë ne për t’i mbështetur? Besoj se do të krijojmë një marrëdhënie të qëndrueshme me komunitetin sportiv këtu jo vetëm për infrastrukturë, por edhe për të edukuar trajnerë, për mbështetje me uniforma sportive dhe topa”, tha presidenti i FSHF, Armand Duka.

Presidenti i FSHF-së gjatë turneut të futbollit në Luginën e Preshevës
1 nga 8

/e.i/r.e/

The post Turneu i futbollit në Preshevë, Duka: Qëllimi ynë, të promovojmë futbollin e të motivojmë fëmijët të luajnë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turneu i futbollit për fëmijë, Duka vizitë zyrtare në Bujanoc e Preshevë

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një vizitë historike në komunën e Bujanocit, në kuadër të turneut të futbollit për fëmijë që po zhvillohet në Luginën e Preshevës me mbështetjen e FSHF-së.

Në këtë vizitë, presidenti Duka u shoqërua nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, dhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj. Ata u pritën në një takim miqësor nga kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të klubeve shqiptare “Tërnoci” dhe “Besa”, si dhe përfaqësues të medias lokale.

Gjatë takimit, presidenti Duka u njoh nga afër me situatën aktuale të futbollit në këtë zonë, si dhe me nevojat për zhvillimin e mëtejshëm të tij. U kërkua mbështetje nga FSHF për rritjen e kapaciteteve në formimin e trajnerëve dhe furnizimin me bazë materiale për klubet, ndërsa një nga temat kryesore ishte përmirësimi i infrastrukturës sportive në këtë komunitet.

Presidenti Duka konfirmoi angazhimin e FSHF-së për të vijuar me mbështetjen ndaj turneve të ngjashme në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë që kanë këto nisma për aktivizimin e fëmijëve dhe zhvillimin e futbollit në nivel komunitar.

Nga ana e tij, kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, falënderoi FSHF-në për kontributin konkret në organizimin e këtij aktiviteti, duke e cilësuar si një nismë me vlera të mëdha sportive dhe shoqërore që forcon bashkëpunimin dhe frymën e unitetit përmes sportit.

Në takim u përmend edhe figura e kapitenit të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, me origjinë nga Tërnoci, i cili është një shembull frymëzimi për fëmijët e Luginës së Preshevës që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e sportit.

Gjithashtu, presidenti i FSHF-së zhvilloi edhe një takim zyrtar me kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Në fokus të takimit ishin projektet për përmirësimin e infrastrukturës sportive, përfshirja e fëmijëve dhe të rinjve, vajza dhe djem në aktivitete të organizuara dhe bashkëpunimi i mëtejshëm institucional në të gjitha nivelet.

Kryetarja Sinani vlerësoi mbështetjen e FSHF-së në organizimin e turneut të futbollit për fëmijë, që për pesë ditë me radhë ka përfshirë mbi 300 fëmijë nga Presheva, Bujanoci dhe diaspora shqiptare në grup-moshat U-7, U-9, U-11 dhe U-13.

Presidenti Duka, nga ana e tij, nënvizoi se ky turne është vetëm fillimi i një angazhimi të qëndrueshëm të FSHF-së në Preshevë, dhe se do të ndiqen hapa konkretë në mbështetje të zhvillimit të futbollit në këtë zonë me potencial të madh sportiv.

Në fund të takimeve zyrtare, Duka tha se “ndjej ngrohtësinë e fëmijëve që luajnë futboll dhe shoh interesimin e madh të medias për Turneun e Luginës së Preshevës, për të cilin Federata e Futbollit nuk u kursye në asnjë aspekt që të bëhej i mundur”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në vizitat zyrtare në Bujanoc e Preshevë
1 nga 8

/e.i/r.e/

The post Turneu i futbollit për fëmijë, Duka vizitë zyrtare në Bujanoc e Preshevë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndeshja Shqipëri–Serbi, FSHF dënohet nga FIFA me gjobë 161.500 franga zvicerane dhe mbyllje 20% të stadiumit në ndeshjen me Letoninë

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor pas ndeshjes Shqipëri–Serbi, e zhvilluar më 7 qershor 2025 në stadiumin “Air Albania”.

Sipas vendimit, FSHF dënohet me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të luhet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun, për shkak të sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë (këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimi i gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare).

FSHF vlerësoi se ky vendim është një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik dhe dëmton jo vetëm Federatën, por mbi të gjitha Kombëtaren.

FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve të Kombëtares që të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën tonë, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë.

“Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm mund ta mbështesim Kombëtaren siç ajo e meriton”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

The post Ndeshja Shqipëri–Serbi, FSHF dënohet nga FIFA me gjobë 161.500 franga zvicerane dhe mbyllje 20% të stadiumit në ndeshjen me Letoninë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sfida me Serbinë, FSHF dënohet nga FIFA

By: V K
23 July 2025 at 10:28

Federata Shqiptare e Futbollit, është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor pas ndeshjes Shqipëri–Serbi, e zhvilluar më 7 qershor 2025 në stadiumin “Air Albania”.

Sipas vendimit, FSHF dënohet me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të luhet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun, për shkak të sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë (këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimi i gjesteve apo mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë himneve kombëtare).

Ky vendim është një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik dhe dëmton jo vetëm Federatën, por mbi të gjitha Kombëtaren.

FSHF, u bën thirrje të gjithë tifozëve të Kombëtares që të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën tonë, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë.

Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm, mund ta mbështesim Kombëtaren siç ajo e meriton.

The post Sfida me Serbinë, FSHF dënohet nga FIFA appeared first on Albeu.com.

Tirana, rrethimi dhe siguria mbajnë peng rikthimin e klubit në “Selman Stërmasi”

By: armand
22 July 2025 at 17:31

Në sezonin e ri, Tirana ka shansin të luajnë në kryeqytet, në stadiumin e tyre “Selman Stërmasi”, derisa ky i fundit të prishet. Si fusha, dhe ambientet e brendshme, janë rregulluar dhe në këto kushte, bardheblutë nuk kanë pse të migrojnë nëpër Shqipëri. Gjithsesi, në FSHF bëjnë me dije se, që Tirana të luajë në […]

The post Tirana, rrethimi dhe siguria mbajnë peng rikthimin e klubit në “Selman Stërmasi” appeared first on BoldNews.al.

Hidhet shorti i kampionatit “Abissnet Superiore 2025/2026”, zbardhet kalendari i plotë i ndeshjeve

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” është hedhur sot shorti për kalendarin e kampionatit “Abissnet Superiore” për sezonin 2025/2026.

Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin përfaqësuesit e klubeve të kampionatit “Abissnet Superiore” dhe përfaqësues të medias.

Ceremonia e shortit u drejtua nga shefi i Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, dhe java e parë premton menjëherë emocione, pasi goglat rezervuan përballjen finale të sezonit të kaluar në “Abissnet Superiore”.

Java e parë e kampionatit “Abissnet Superiore”, sezoni 2025–2026:

Partizani – Vora
Teuta – Dinamo City
Vllaznia – Egnatia
AF Elbasani – Flamurtari
Bylis – Tirana

Kampionati “Abissnet Superiore” do të ngrejë siparin më 23 gusht.

Më poshtë gjeni kalendarin e plotë me të gjitha sfidat:

Kalendari i kampionatit Abissnet Superiore sezoni 2025-2026

The post Hidhet shorti i kampionatit “Abissnet Superiore 2025/2026”, zbardhet kalendari i plotë i ndeshjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga java e parë në të fundit, njihuni me kalendarin e plotë të Superiores

By: armand
18 July 2025 at 15:44

FSHF ka zhvilluar shortin për kalendarin e Superiores. Janë mësuar 36 javët e plota ku ka klasike, derbi, por dhe sfida me rivalitet historik. Datat po ashtu janë bërë të ditura dhe pse do të ndryshojnë në varësi të javëve. Supersfida e javës së parë është Vllaznia-Egnatia, ku përsëritet finalja e madhe e Final-Four. Ndërsa […]

The post Nga java e parë në të fundit, njihuni me kalendarin e plotë të Superiores appeared first on BoldNews.al.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF miraton rregulloren e re të kategorisë “Abissnet Superiore”, risitë e “Final 4”

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka miratuar propozimin e ri për ndryshimin e rregullores së kampionatin “Abissnet Superiore” për fazën “Final 4”.

Në një njoftim, FSHF bën të ditur se, pas takimit konsultues me drejtuesit e klubeve, ku shumica shprehën mbështetjen për këtë propozim, Komiteti Ekzekutiv vendosi ta miratojë.

Kështu, duke nisur nga sezoni 2025-2026, faza “Final 4” do të funksionojë sipas kësaj rregulloreje:

Kampionati është me 4 faza të rregullta, vajtje – ardhje.

Renditja pas 36 javëve përcakton pjesëmarrësit në Final 4.

Katër ekipet e para kualifikohen në Final 4.

Pikët në Final 4 do të përgjysmohen, duke marrë për bazë vlerën më të ulët.

Sipas FSHF-së, do të luhen në total 6 ndeshje dhe skema është e tillë:

Java 1

Vendi 1 vs Vendi 4

Vendi 2 vs Vendi 3

Java 2

Vendi 1 vs Vendi 3

Vendi 2 vs Vendi 4

Java 3

Vendi 1 vs Vendi 2

Vendi 3 vs Vendi 4

FSHF njofton se të gjitha ndeshjet zhvillohen në stadiumin “Air Albania”.

Pjesëmarrësit në kompeticionet europiane përcaktohen nga renditja e Final 4. Vendi 9 dhe 10 i “Abissnet Superiore” bie nga kategoria. Vendi tetë i “Abissnet Superiore” shkon në “play out”.

Në rast barazimi pikësh midis dy ose më shumë ekipeve në fazën “Final 4”, renditja përcaktohet sipas kritereve në vijim: Pikët e grumbulluara në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4;  Diferenca e golave (shënuar – pësuar) në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4; Diferenca e përgjithshme e golave në të gjithë sezonin (kampionati + Final 4).

/j.p/

The post Komiteti Ekzekutiv i FSHF miraton rregulloren e re të kategorisë “Abissnet Superiore”, risitë e “Final 4” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përplasja e madhe/ KOKSH dhe FSHF, sfida institucionale e sportit shqiptar, Fidel Ylli: Ne jemi ata që respektojmë ligjin

6 July 2025 at 22:32

I ftuar në emisionin “Botërori i Vogël”, në ABC News, presidenti i KOKSH, foli për përplasjen mes KOKSH dhe FSHF, një sfidë thuajse institucionale e sportit shqiptar.

Gjatë intervistës, në këtë çështje ka një gabim sipas tij, pasi rruga e zgjedhur për ta ndjekur çështjen me gjykatën e Lozanos është një gabim.

“Të gjithë anëtarët kërkonin të bëheshin zgjedhje sepse ishin përpara lojërave olimpike por presidenti nuk pranonte. Dhe në këtë mënyrë në momentin që shkarkohet presidenti kjo Asamble shkon dhe regjistrohet në Gjykatë. Gjykata e Tiranës pasi e shqyrtoi dhe në 13 faqe shtjellon gjithçka dhe e regjistron. Në këtë moment fillon  lufta ndërmjet ish-presidentit dhe zotit Duka, bëhen bashkë dhe filluan gjyqet. Pasi humben gjyqet, këta në vend të shkonin në Gjykatën e Apelit sipas ligjit, këto zgjodhën Gjykatën e Lozanos. Dhe në këtu vijnë zgjedhjet. Futem unë në lojë si kandidaturë për t’u zgjedhur…Këta zgjodhën rrugën e gabuar, rrugën e Lozanës…”, tha ai.

Gjatë intervistës, theksoi se kjo është një çështje regjistrash që janë kompetencë ekskluzive të gjykatave të vendit, duke shtuar se KOKSH respekton ligjin.

Ai tha se do e respektonin Lozanën po të ishte çështje sportive, por siç nënvizoi ai kjo është një çështje regjistrash.

“Po të shohim ligjin e sportit, ka një nen që thuhet për zgjidhje e mosmarrëveshje organizohet Këshilli i Arbitrazhit Sportiv. Tani kjo çështje është sportive apo regjistrash? Sepse kjo është çështje regjistrash që janë kompetencë ekskluzive e gjykatave të vendeve. Kjo që ka ndodhur është çmenduri, dhe do të jetë një njollë e zezë për atë gjyqtar që ka gjykuar këtë çështje… Por ne jemi ata që respektojmë ligjin, kemi pritur vendimin e Gjykatës së Apelit”, tha më tej Ylli.

Fusha të reja futbolli në Shqipëri/ Dervishaj: Fushë në Përrenjas dhe Gjirokastër, Kavaja me stadium të ri

By: Rovena
29 June 2025 at 22:41

Zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Arben Dervishaj, ka bërë publike disa vendime të rëndësishme për të ardhmen e infrastrukturës dhe financimit të futbollit shqiptar, gjatë një interviste në emisionin “Botërori i Vogël” në ABC News.

Ai theksoi se, përkundër mungesës së mbështetjes financiare nga shteti dhe zvarritjes së ligjit për sponsorizimet dhe basteve sportive, FSHF ka vendosur të investojë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë.

Gjithashtu, Dervishaj njoftoi për projekte të reja infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e fushave të reja, përmirësimin e stadiumeve ekzistuese si në Përrenjas, apo Gjirokastër si dhe ngritjen e një hoteli pranë Shtëpisë së Futbollit për akomodimin e ekipeve kombëtare. Ai konfirmoi gjithashtu se stadiumi kombëtar do të mbajë emrin “Air Albania” për edhe pesë vite të tjera.

“Duke qenë se FSH duke parë federatën e klubeve. Fe4derata e Futbollit merr zero lekë nga buxheti i shtetit, duke parë këtë rast, duke qenë se ne nuk kemi akoma ligjin e sponsorizimeve, dhe ligji nuk po miraton ligjin e basteve. Atëherë federata duke pasur një performamcë më të mirë, duke krijuar më shumë të ardhura, ka vendosur që të japë një shifër prej 3 milionë euro për Superioren dhe Kategorinë e Parë.

Gjithashtu u vendos që edhe për pesë vite stadiumi në kryeqytet të vazhdojë të mbajë emrin “Air Albania”, kjo sipas FSHF. Ne në këtë vit do të përfundojmë fushën e tretë në shtëpinë e futbollit, do të fillojmë mbledhjen e kësaj fushe. Po punojmë edhe për ndërtimin e një fushe në Përrenjas. Do të fillojnë ndërtimet edhe në stadiumin e Kavajës, që do të jetë i kategorisë së parë.

Kjo për të rritur inventarin e fushave të stërvitjes. Së shpejti do të fillojnë ndërtimet edhe për ndërtimin e një hoteli pranë Shtëpisë së Futbollit për akomodimin e ekipit kombëtar të futbollit. Për çdo kategori duhet që të bëjmë shumë më shumë investime”, tha Arben Dervishaj./abcnews.al

Sezoni futbollistik 2024-2025: 26 kampionate kombëtare dhe 2900 futbollistë të rinj

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Sezoni futbollistik shqiptar 2024-2025 shënoi një tjetër moment historik në zhvillimin e tij, duke regjistruar një numër rekord lojtarësh të regjistruar.

Federata Shqiptare e Futbollit shprehet se në krahasim me edicionin e kaluar, këtë sezon janë shtuar 2900 futbollistë të rinj, duke e çuar numrin total në 23 374 lojtarë të licencuar, mes të cilëve 21 647 janë djem dhe 1729 vajza.

Gjatë këtij sezoni janë organizuar 26 kampionate kombëtare në të gjitha grup-moshat, përfshirë 22 për djem dhe 4 për vajza, me pjesëmarrjen e 319 ekipeve në total, nga të cilat 284 janë skuadra djemsh dhe 35 vajzash.

Janë zhvilluar gjithsej 2783 ndeshje zyrtare, ku janë angazhuar 85 delegatë dhe 58 vëzhgues. Gjatë këtij edicioni, në të gjithë kampionatet kanë gjykuar 330 arbitra.

Për të katërtin sezon radhazi, sistemi VAR është aplikuar në të gjitha ndeshjet e kampionatit “Abissnet Superiore”, duke u përdorur në 185 ndeshje. Sakaq, ky sistem është aplikuar edhe në 33 ndeshje të Kategorisë së Parë, që përbën rreth 30% të totalit të këtij kampionati.

The post Sezoni futbollistik 2024-2025: 26 kampionate kombëtare dhe 2900 futbollistë të rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSHF “hap thesin”/ Shifër rekord, 3 milionë euro për Superioren dhe Kategorinë e Parë

By: xhir jeta
27 June 2025 at 12:47

Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njoftoi këtë vendim, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm, me të ardhurat që do të vijnë nga komercializimi.

“Do të rrisim me 30% të ardhurat nga komercializimi dhe, në vitin 2026, do të shpërndajmë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, si mbështetje direkte financiare për përmirësimin e funksionimit të tyre”, – u shpreh Presidenti Duka gjatë fjalës së tij në Asamble.

Mbështetja financiare do të shpërndahet gjatë periudhës ndërmjet dy asambleve dhe përbën një hap të rëndësishme për rritjen e standardeve në menaxhimin e klubeve, rritjen e cilësisë së garës dhe krijimin e kushteve më të mira për lojtarët, trajnerët dhe stafet teknike./abcnews.al

FSHF zgjidh qesen: 3 milionë euro për klubet e Superiores dhe Kategorisë së Parë

By: user 2
27 June 2025 at 09:56

Në kohën kur zhvillimi i futbollit varet gjithnjë e më shumë nga investimet, që në terma të thjeshtë do të thotë nga paratë e shpenzuara, Federata e Futbollit ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të ngritur nivelin e futbollit profesionist në vend. FSHF ka vendosur për një rritje të konsiderueshme të mbështetjes financiare për klubet e “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njoftoi këtë vendim, duke e konsideruar si një hap të rëndësishëm, me të ardhurat që do të vijnë nga komercializimi.“Do të rrisim me 30% të ardhurat nga komercializimi dhe, në vitin 2026, do të shpërndajmë 3 milionë euro për klubet e Kategorisë Superiore dhe të Parë, si mbështetje direkte financiare për përmirësimin e funksionimit të tyre”, – u shpreh Presidenti Duka gjatë fjalës së tij në Asamble.

Lexo më tej: Askush nuk e do, por të gjithë e votojnë në Asamble: FSHF konfirmon “Final 4”

Mbështetja financiare do të shpërndahet gjatë periudhës ndërmjet dy asambleve dhe përbën një hap të rëndësishme për rritjen e standardeve në menaxhimin e klubeve, rritjen e cilësisë së garës dhe krijimin e kushteve më të mira për lojtarët, trajnerët dhe stafet teknike.

📈 Rritja e të ardhurave nga komercializimi, 3 milionë euro do të shpërndahen për klubet e Abissnet Superiore dhe Kategorisë së Parë në vitin 2026. ⚽#abissnetsuperiore #kategoriaepare #fshf #futbollhttps://t.co/V97ffjuYsd

— FSHF (@FSHForg) June 27, 2025

The post FSHF zgjidh qesen: 3 milionë euro për klubet e Superiores dhe Kategorisë së Parë appeared first on Lapsi.al.

Mblidhet Komiteti Ekzekutiv i FSHF, miratohet ndërtimi i dy fushave të reja

By: M C
26 June 2025 at 16:11

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së u mblodh në “Shtëpinë e Futbollit” dhe u miratuan disa vendime të rëndësishme.

Në fushën e investimeve, u vendos ndërtimi i dy fushave të reja në Durrës, një pranë shkollës “Bernardina Qeraxhia” dhe fusha tjetër në Katund të Ri.

Komiteti miratoi edhe projektin për pajisjen me uniforma të reja për arbitrat dhe akademinë e arbitrimit.

Diskutimet përfshinë edhe çështje administrative, si organizimi i ndeshjeve të ardhshme të Kombëtares, programet e edukimit dhe për kanalin televiziv FSHF TV.

The post Mblidhet Komiteti Ekzekutiv i FSHF, miratohet ndërtimi i dy fushave të reja appeared first on Albeu.com.

FSHF do të ndërtojë një fushë futbolli me vlera edukative pranë muzeut “Martin Cani”

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Në mbledhjen e fundit, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së miratoi ndërtimin e një fushe me bar artificial pranë muzeut “Martin Cani”.

Pas kërkesës së familjes Cani drejtuar FSHF-së dhe presidentit të FSHF-së, Armand Duka, Komiteti Ekzekutiv vendosi për realizimin e këtij projekti, që synon jo vetëm të ruajë kujtimin e Martin Canit, por edhe të promovojë vlerat e sportit dhe kulturës si mjete edukimi dhe ndërgjegjësimi për brezat e rinj.

Martin Cani humbi jetën tragjikisht pranë shkollës “Fan Noli” në nëntor të vitit 2024, dhe kjo ngjarje ka prekur mbarë opinionin publik shqiptar.

Fusha e futbollit pranë muzeut “Martin Cani” do të ketë një sipërfaqe prej 60 m².

FSHF mbetet gjithmonë e angazhuar për realizimin e projekteve me karakter social e ndërgjegjësues, që ndikojnë pozitivisht në komunitet dhe edukimin e fëmijëve përmes sportit.

/gj.m/r.e//a.f/

The post FSHF do të ndërtojë një fushë futbolli me vlera edukative pranë muzeut “Martin Cani” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSHF miraton ndërtimin e dy fushave të reja në Durrës

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit u mblodh në “Shtëpinë e Futbollit” dhe miratoi disa vendime të rëndësishme.

Në fushën e investimeve, u vendos ndërtimi i dy fushave të reja në Durrës, një pranë shkollës “Bernardina Qeraxhia” dhe fusha tjetër në Katund të Ri.

Komiteti miratoi edhe projektin për pajisjen me uniforma të reja për arbitrat dhe akademinë e arbitrimit.

Diskutimet përfshinë edhe çështje administrative, si organizimi i ndeshjeve të ardhshme të Kombëtares, programet e edukimit dhe për kanalin televiziv FSHF TV.

/r.e//a.f/

The post FSHF miraton ndërtimin e dy fushave të reja në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Askush nuk e do, por të gjithë e votojnë në Asamble: FSHF konfirmon “Final 4”

By: user 2
25 June 2025 at 15:21

Askush nuk e preferon, të gjithë e kritikojnë, por skema me Final 4 mbetet në fuqi, sepse në Federatën Shqiptare të Futbollit askush nuk ka ndërmend ta ndryshojë. Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e ka konfirmuar praktikisht vazhdimësinë, me Aldi Topçiun, drejtori administrativ i FSHF i cili foli qartë.

“Kampionati pati histori suksesi, vlen të tregohet, meriton gjithashtu që kjo strukturë të mbështetet dhe të përforcohet për vitin që vjen. Bashkë me ju kemi planifikuar një analizë të këtij sezoni. Do të vijojmë me ngulm lobimin me Qeverinë për ligjin e sponsorizimit. Kemi besim se do na ndikojnë edhe në aspekt komerciale të garës sonë dhe do të vazhdojmë për konsolidimin e Final Four si produkt premium dhe si platformë forcimi sportive dhe komerciale”, u shpreh Aldi Topçiu.

Çfarë ndodhi në Asamble

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së zhvilloi punimet sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, me pjesëmarrjen e delegatëve, anëtarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve kombëtare e ndërkombëtare të futbollit. Në këtë aktivitet morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, përfaqësuesi i FIFA-s, Marco Ferri, dhe ai i UEFA-s, Jozef Kliment.

Nga verifikimi i kryer nga Komisioni i Verifikimit, në këtë asamble, nga 47 delegatë, ishin prezentë 44 delegatë të klubeve e shoqatave anëtare të FSHF. Komisioni i Verifikimit, mbështetur në Statutin e FSHF dhe Rregulloren e Asamblesë, vëren se thirrja e Asamblesë së Përgjithshme është kryer në përputhje me Statutin e FSHF dhe konform afateve të përcaktuara.

Sipas Statutit, u kërkua që anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të miratonin rendin e ditës. Në vijim, anëtarët votuan për përjashtimin e Shoqatës së Mjekësisë Sportive, e cila nuk është funksionale dhe në përputhje me ligjin. Në asamble, anëtarët votuan për pranimin e dy shoqatave si anëtare të FSHF-së: Shoqata e re e Mjekëve Sportivë dhe Fizioterapistëve dhe Shoqata Shqiptare e Futsallit dhe Minifutbollit.

Lexo më tej: E nis Superiorja, Superkupa trofeu i fundit i vitit: FSHF vendos datat e kampionateve

Sipas rendit të ditës, Asambleja vijoi punimet duke miratuar procesverbalin e Asamblesë së kaluar, raportin e aktivitetit të FSHF-së për periudhën ndërmjet dy asambleve 2024/25, prezantuar raportin financiar të FSHF për vitin 2024, raportin e auditorëve të pavarur dhe të jashtëm, ratifikimin e buxhetit të FSHF-së për vitin 2025, miratimin e buxhetit për vitin 2026.

Gjithashtu, u miratuan disa ndryshime në Statut që synojnë qartësimin, përmirësimin teknik dhe harmonizimin e dispozitave ekzistuese të Statutit. Ndryshimet përfshijnë saktësimin e emërtimeve ligjore të shoqatave anëtare, përmirësimet gjuhësore dhe redaktime për qartësi më të madhe, si dhe rregullime që lidhen me përfaqësimin, përbërjen e organeve statutore dhe transparencë institucionale.

Përplasja me KOKSH, pezullohen raportet

Në pikën e fundit të rendit të ditës, anëtarët votuan për pezullimin pa afat të gjitha marrëdhënieve juridike të FSHF me KOKSH, deri në momentin kur:

– Gjendja e ligjshmërisë të rikthehet;

– Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të zbatohet plotësisht; dhe

– KOKSH të veprojë në përputhje me statutin e vet dhe normat ndërkombëtare të vetëqeverisjes së sportit.

Me miratimin e të gjitha këtyre pikave, u mbyllën edhe punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.

The post Askush nuk e do, por të gjithë e votojnë në Asamble: FSHF konfirmon “Final 4” appeared first on Lapsi.al.

Zyrtare, edhe sezonin e ri Superliga e futbollit do luhet me ‘Final 4’

25 June 2025 at 13:20

Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur që skema “Final 4” do të vijojë të përdoret edhe për sezonin e ri futbollistik. Lajmi u bë i ditur gjatë punimeve të zhvilluara sot, ku morën pjesë të gjithë anëtarët e FSHF-së përmes delegatëve të tyre.

Drejtori i FSHF-së, Aldi Topçiu, theksoi se kjo formulë ka rezultuar e suksesshme duke sjellë më shumë tifozë në stadiume dhe rritje të të ardhurave për futbollin shqiptar:

“Do të vazhdojmë me ‘Final 4’ për konsolidimin si një produkt premio dhe si një platformë forcimi dhe komerciale”.

Në mbledhje nuk pati asnjë kundërshtim ndaj skemës, e cila përfshin katër skuadrat e para të renditura në sezonin e rregullt, të cilat përballen më pas në një mini-turne final për të shpallur kampionin e Shqipërisë.

The post Zyrtare, edhe sezonin e ri Superliga e futbollit do luhet me ‘Final 4’ appeared first on Sot News | Lajme.

Starton më 23 gusht / Ja datat zyrtare të sezonit të ri në Superligë

20 June 2025 at 12:24

Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar datat e fillimit për të gjitha kompeticionet futbollistike për sezonin e ri 2025–2026, ku vëmendja më e madhe shkon natyrisht te Superliga shqiptare, e cila do të nisë më 23 gusht 2025.

Ashtu si në edicionet e kaluara, elita e futbollit shqiptar do të zhvillojë javën e parë në fundjavën e fundit të gushtit dhe do të përfundojë më 24 maj 2026.

Në të njëjtën datë, 23 gusht, do të startojë edhe Kategoria e Parë, ndërsa Kupa e Shqipërisë do të fillojë më 1 tetor 2025, duke ruajtur formatin tradicional të garës.

Ndërkohë, FSHF ka konfirmuar se kampionati i futbollit për vajza do të nisë më 27 shtator 2025, për të përfunduar më 31 maj 2026, duke shënuar kështu edhe një hap të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit të femrave në vend.

Pritet që në javët në vijim të zyrtarizohet edhe kalendari i plotë i ndeshjeve për të gjitha ligat, ndërsa ekipet kanë nisur tashmë përgatitjet për sezonin e ri që parashikohet të jetë shumë konkurrues.

The post Starton më 23 gusht / Ja datat zyrtare të sezonit të ri në Superligë appeared first on Sot News | Lajme.

❌
❌