TIRANË, 29 mars /ATSH/ Kur na ndajë pak javë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste shpalosi sot programin “Shqipëria 2030”. Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u ndal tek infrastruktura që e cilësoi si “një nga kuajt më të fortë të betejës tonë”.
Kreu i qeverisë shpalosi fillimisht progresin në fushën e infrastrukturës gjatë qeverisjes së tij, ku nënvizoi se janë ndërtuar 935 kilometra rrugë kombëtare, mes të cilave 21 kilometra ura dhe 12 kilometra tunele.
“Nga koha kur ne kemi marrë detyrën, kemi ndërtuar 935 kilometra rrugë kombëtare, mes të cilave 21 kilometra ura dhe 12 kilometra tunele, por dua ta theksoj që nga koha kur ne kemi marrë detyrën, kemi vazhduar të punojnë me rrugët e mbetura rrugëve. Këneta e “bufit të kënetës” me daulle kanë hapur shumë kantiere për të fituar vota për të rrokanisur kokën e njerëzve me ato 10 mijë kilometrat fantazmë të rrugëve, por asnjë rrugë të vetme, një të vetme, jo vetëm që nuk e kanë përfunduar, por nuk e kanë financuar, sepse nuk kanë më një problem që një rrugë fillon nga një qeveri, vazhdon nga një qeveri tjetër. Problemi është që nuk e kanë financuar, e kanë hapur me 5 lekë, një rrugë që bën 1 mijë lekë dhe na lanë një gropë të madhe, nga e cila u desh një mandat vetëm që të dilnim nga gropa e infrastrukturës”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se Korridori 8 dhe Korridori Blu do të jenë plotësisht përfunduar brenda mandatit të katërt, ndërsa shtoi se dhe 700 kilometra rrugë të reja do të ndërtohen brenda mandatit të katërt.
“Sot, Korridori 8, Korridori Blu për të cilin na qeshnin kur unë e thashë: është korridori i piktorit. Korridori i piktorit sot është korridor i futur në rrjetin europian, në rrjedhën e korridoreve europiane falë Samitit që bëmë këtu në 2023 me Bashkimin Europian, kemi edhe Korridorin 8, që nuk ishte i futur në rrjedhën e korridoreve europiane dhe faktikisht, qoftë njëri, qoftë tjetri, sot janë kantiere reale, janë kantiere reale me segmente të përfunduara dhe me segmente që janë në punë e sipër, dhe këtu janë të gjithë segmentet dhe të dy korridoret do të jenë plotësisht përfunduar brenda mandatit të katërt, ku do të ndërtojmë edhe 700 kilometra rrugë të reja dhe për të ngacmuar pak publikun, por ndërkohë ju do t’i keni të gjitha këto specifike sipas qarqeve. Rruga e Bregut, Dhërmi-Sarandë, brenda mandatit të katërt do të jetë një rrugë turistike, që do të vazhdojë atë nga tuneli i ri i Llogorasë, deri në Dhërmi, rruga e shumëpritur, e shumëdëshiruar dhe e shumënevojshme”, tha Rama.
“Rruga e shumëpritur Tiranë – Krujë, rruga Berat – Çorovodë do të jetë një rrugë e parametrave dhe standardeve europiane. Ura e Leklit Përmet – Çarshovë, pra do të jenë të lidhura bashkë të gjitha. Ersekë – Leskoviku, Rrëshen Burrelit, Vau i Dejës – Pukë – Fushë-Arrëz, Rruga e Vjetër Tepelenë – Vlorë, Ura mbi lumin Vjosë – Selenicë. Skrapar- Gramsh, Skrapar- Përmet, Gjirokastër- Libohovë, Poliçan- Zagori, pra, siç shihet, ose kryqëzimi i llixhave Elbasan – Gramsh, siç shihet, të gjitha këto segmente janë segmente që tani më nuk bëjnë lidhjen nga pika A tek pika B, por janë A-B-C-D dhe krijohen arterie të brendshme që lehtësojnë shumë lidhjen midis qyteteve tona turistike dhe kur shkohet në Korçë, do mund të shkohet në Përmet e në Gjirokastër pa pasur nevojë që të kthehesh dhe t’i biesh prapë nga Tirana”, nënvizoi Rama.
Duke u ndalur tek projeket për ndërtimin e rrugëve të reja dhe përfundimin e atyre që po ndërtohen aktualisht, Rama theksoi se “brenda 2026 përfundon faza e parë dhe e dytë e superstradës Tiranë-Durrës. Përfundon edhe Kombinat – Ndroq – Plepa. Maqellarë – Peshkopia përfundon këto ditë, Qukës – Qafë Plloçë, Berat – Ballaban përfundon po këtë vit”, tha Rama.
Rama u shpreh se brenda vitit 2025 hyn në funksion Qendra Kombëtare e Monitorimit të Trafikut.
“Do kalojmë në një nivel tjetër, nuk do kemi më policë nëpër rrugë, nuk do kemi më postblloqe, nuk do kemi më njerëz që dalin nga ferra me uniformë, edhe që thonë “Ndalo”, dhe ti s’di të ndalosh a mos ndalosh, se mund të mos jenë ekzaktësisht ata që thonë që janë. Synimi është që gjithë kjo infrastrukturë të përfundojë. Bindja është që do të përfundojë! Pse? Sepse të gjitha këto që thashë janë të financuara, nuk janë të vizatuara, janë të financuara nga buxheti i shtetit dhe nga fondet e marra prej WBAF-it, që është Fondi i Ballkanit Perëndimor i Investimeve që mbështeten nga Bashkimi Europian”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë foli gjithashtu edhe për ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore, duke përfshirë linjat Durrës – Prishtinë dhe Vorë – Han i Hotit, që do të bashkojnë Shqipërinë me Kosovën dhe Malin e Zi.
“Por ne nuk do të lëmë pa bërë atë që është pjesa e shumë munguar e gjithë këtyre viteve. Kemi të gjithë programin e infrastrukturës hekurudhore dhe konkretisht kemi Rrogozhinë -Pogradec, kemi Rrogozhinë – Vlorë. Kemi Durrës – Prishtinë, që është një projekt shumë ambicioz që po punojmë me qeverinë e Kosovës, jemi në fazën e projektit. Kemi Vorë – Hani i Hotit, i financuar, i tenderuar si një projekt, së bashku me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kemi Sukth – Porto Romano që është një projekt shumë i rëndësishëm, pa pasur parasysh edhe porti i ri i Durrësit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi po ashtu se “kemi Durrës – Rrogozhinën, po ashtu pjesë e Korridorit 8, Tiranë – Rinas – Durrës, që është në 80% të punës i realizuar dhe falë gjitha këtyre ndërhyrjeve ne praktikisht, jo vetëm me rrugët, por edhe me hekurudhat futemi në rrjetin hekurudhor të rajonit; bashkohemi me Kosovën, bashkohemi me Malin e Zi, bashkohemi me Maqedoninë e Veriut. Ata i kanë trashëguar nga kohë e mëparshme dhe nuk patën një “Liri Demokraci” agresive që iu tha njerëzve: “Merrni hekurudhat dhe përdorni për të bërë gardhe për ndërtimet pa leje, që janë një mrekulli e 8-të e botës”, kështu u tha atëherë”.
Në lidhje me portin e Durrësit, Rama theksoi se ky projekt është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
Rama theksoi se porti i ri i Durrësit, që do të financohet nga qeveria shqiptare, do të trefishojë kapacitetin e portit të vjetër dhe do të shërbejë si një pikë kyçe për zhvillimin e tregtisë.
“Këneta thotë që ne kemi bërë krimin e madh të ndërhyrjes dhe të heqjes së portit më të vjetër në botë nga qendra e qytetit. Vetëm një mendje komplet e mbyllur, për të mos thënë e trashë, një mëndje që jeton në një qytetërim tjetër dhe ashtu jeton, mund të thotë që një port tregtar duhet të rrijë mes qytetit. Nëse ka mundësi që ai të spostohet nga mesi i qytetit dhe porti i Durrësit, që ishte në mes të qytetit do duhej spostuar dhe sikur aty të mos bëjë asgjë, thjesht do duhej marrë, ngritur peshë dhe çuar jashtë qytetit, sepse ishte një qendër kanceroze, përveçse një pseudoportë pa asnjë kusht për t’u bërë një portë për Shqipërinë 2030”, tha Rama.
Rama shtoi se porti i ri nuk do të jetë vetëm port tregtar, por do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, porti i NATO-s.
“Porti i ri, gara ndërkombëtare është hapur, së shpejti do të fillojë nga puna, financimi është i qeverisë shqiptare, do të trefishojë kapacitetet ekzistuese, potencialin e Portit të vjetër, por mbi të gjitha do të jetë zemra e një sistemi të ri tregtie, duke krijuar mundësinë e hapjes së dy Porteve të Thata në Prishtinë dhe në Shkup, dhe duke e bërë Shqipërinë një pikë referimi në Mesdhe. Nga ana tjetër, Porti i ri nuk do të jetë vetëm port tregtar, por do të ketë edhe krahun e vet ushtarak, porti i NATO-s. Jemi shumë afër finalizimit të mbështetjes financiare nga NATO-ja. Pra, me portin ushtarak, Shqipëria rrit në mënyrë eksponenciale sigurinë e vet, duke pasur NATO-n këtu”, tha Rama.
Kryeministri përmendi gjithashtu rritjen e aksesit të shqiptarëve në fluturime, duke thënë se ky akses ka arritur nga 6% në vitin 2013, në 32% sot. Rama nënvizoi se e kanë kthyer Tiranën në aeroportin me rritjen më të lartë në Europë, tre vjet rresht, duke lënë pas Beogradin për numër pasagjerësh.
“Po aksesi i qytetarëve shqiptarë në fluturimet ajrore, e dini sa qytetarë shqiptarë kishin akses në ajër për të shkuar? Flasim për qytetarët këtu, banorë, nuk flasim për shqiptarët në emigracion. Në 2013, aksesi në fluturime ishte 6%, vetëm 6%. Sot, e dini sa qytetarë shqiptarë këtu “ku s’ka bukë për të ngrënë, këtu ku vdesin të gjithë nga uria, këtu ku njerëzit vriten rrugëve, këtu, ku s’ka më njerëz”, kanë marrë avionin? 32%. Pra, kemi rritur aksesin, sepse kemi ulur ndjeshëm çmimin e fluturimeve dhe praktikisht e kemi kthyer Tiranën në aeroportin me rritjen më të lartë në Europë, tre vjet rresht, dhe në ndërkohë kemi lënë pas Beogradin për numër pasagjerësh. Kur ne e morëm detyrën në atë aeroport hynin e dilnin 1,7 milionë pasagjerë në vit. Vitin që lamë pas ishin 11 milionë pasagjerë në Tiranë, në aeroport”, tha Rama.
Në përfundim Rama theksoi se “në 8 maj, shpresojmë do të bëjmë edhe fluturimin e pagëzimit të pistës së aeroportit të Vlorës, ku terminali do të kërkojë edhe ca kohë për shkak të vonesave me furnizimet materiale”.
/r.e/
The post Brenda mandatit të katërt ndërtim i 700 km rrugë, më 8 maj “pagëzohet” pista e aeroportit të Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.