Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 July 2025Main stream

SERBI – Alarm i kuq për shkak të nxehtësisë ekstreme

BEOGRAD, 22 korrik /ATSH-AA/ – Serbia sot shpalli alarm të kuq kombëtar për shkak të një vale të nxehti me origjinë nga Afrika, me temperatura që parashikohen të arrijnë deri në 42 gradë Celsius deri të premten, sipas Institutit Hidrometeorologjik të vendit.

Instituti tha se temperaturat në të gjithë vendin këtë javë pritet të variojnë midis 32 dhe 42 gradë Celsius.

Qytetarëve u këshillohet të qëndrojnë brenda gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.

Ministria e Brendshme e Serbisë paralajmëroi gjithashtu se nxehtësia ekstreme po rriste rrezikun e zjarreve në ditët në vijim dhe i bëri thirrje publikut të tregojë kujdes.

Zëvendësdrejtori i Njësive Zjarrfikës dhe Shpëtimit në Departamentin e Situatave të Emergjencave, Milos Milenkovic, tha se zjarret në pyje u rritën me 284 për qind në qershor dhe korrik. Ai shtoi se katër zjarre janë aktualisht aktive në zona të hapura.

Ai tha se 15 persona ishin shpëtuar nga zjarret në muajt e mëparshëm të shkaktuara nga temperaturat e larta, duke theksuar se shkaku kryesor ishte “faktori njerëzor”./   /os/

The post SERBI – Alarm i kuq për shkak të nxehtësisë ekstreme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – A do të lëkundet Putin pas ultimatumit të Trumpit?

UASHINGTON, 22 korrik /ATSH/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dërguar një paralajmërim të qartë Kremlinit, javën e kaluar, duke e njoftuar për planet për dërgimin e furnizimeve me armë për Kievin përmes Evropës dhe duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të vendosin “tarifa shumë të rënda” ndaj Rusisë nëse nuk arrin marrëveshje për luftën në Ukrainë brenda 50 ditësh.
Trump nuk ka specifikuar nëse do të arrihet një armëpushim apo vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes. Sidoqoftë, shumë analistë thonë se kjo ka pak gjasa të ndodhë.
Ja përse:
Synimet territoriale

Qëllimet e presidentit rus, Vladimir Putin, qartësisht shkojnë përtej pushtimit të një pjese të Ukrainës: Ai e ka bërë të qartë se synon të nënshtrojë vendin dhe ta dobësojë NATO-n dhe Perëndimin, duke kërkuar që të rikthejë një pjesë të ndikimit që Moska kishte gjatë epokës sovjetike mbi një pjesë të Evropës.

Por, një synim më afatshkurtër lidhet drejtpërdrejt me territorin. Rusia aktualisht kontrollon pothuajse 20 për qind të territorit të Ukrainës. Përveç Gadishullit të Krimesë, që Rusia e ka nën kontroll që nga viti 2014, Putini zyrtarisht – dhe në mënyrë të rreme – pretendon se rajonet ukrainase sikurse Donjecku, Luhansku, Zaporizhja dhe Hersoni janë tashmë pjesë e Rusisë – përfshirë edhe zona të mëdha që Rusia ende nuk i ka pushtuar.

Rusia ka thënë se tërheqja e plotë e Ukrainës nga këto katër rajone është parakusht për ndonjë marrëveshje të paqes – një kërkesë që Kievi thotë se është e papranueshme. Dhe përderisa analistët thonë se Putini mund t’i bëjë ballë çdo kundërshtie brenda vendit nëse do të pranonte një marrëveshje që do ta kufizonte praninë ruse vetëm në territoret që kontrollon aktualisht, ai nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të bëjë diçka të tillë.

Përkundrazi, Rusia ka këmbëngulur në këtë kërkesë. Në terren, ajo ka synuar që ta bëjë realitet këtë pretendim, duke shtyrë përpara veçanërisht në rajonin e Donjeckut dhe duke bërë përparim drejt qytetit të shkatërruar të Pokrovskut.

Në një nga reagimet e para ruse lidhur me deklaratat e Trumpit, ligjvënësi i afërt me Kremlinin, Konstantin Kosachyov, tha në Telegram “oh, aq shumë gjëra mund të ndryshojnë në fushëbetejë brenda 50 ditësh”.

Rusia mund të synojë që të intensifikojë ofensivën e saj në javët në vijim, duke u përpjekur që të bëjë përparim jo vetëm në provincat që pretendon se i kontrollon, por edhe në rajone të tjera, sikurse në Harkiv dhe Sumi, në veri të Donjeckut. Në qershor, Putin bëri një kërcënim të tërthortë lidhur me përpjekjen për të marrë nën kontroll qytetin e Sumit.

Megjithatë, ekziston një kufi se çfarë mund të ndryshojë në gjashtë javë në fushëbetejë, ku përfitimet graduale ruse kanë ardhur me një çmim të lartë sa i përket viktimave, që vlerësohet se kanë arritur afër shifrës 1 milion të vrarë apo të plagosur nga ana ruse.

Por, përderisa nuk ka mundësi që Rusia të pushtojë pjesët e mbetura, që janë nën kontrollin e Qeverisë ukrainase, në katër rajonet e përmendura deri në shtator – përfshirë kryeqytetet e Zaporizhjës dhe Hersonit – ky fakt vetëm mund të rrisë dëshirën e Putinit që të sigurojë kontroll të plotë, të paktën në letër, para ndonjë marrëveshje të mundshme.

“Sipas mendimit tim është e qartë që Putini nuk dëshiron armëpushim, të paktën jo derisa të marrë kontrollin e të gjitha rajoneve që janë të përcaktuara si ruse në versionin e tij të Kushtetutës”, tha Dmitry Gudkov, ish-ligjvënës opozitar në Parlamentin rus për Current Time më 16 korrik. “Në thelb, kjo do të nënkuptonte kapitullimin e Ukrainës”.

“Ultimatumet janë të papranueshme”

Trump ka synuar që të ndërmjetësojë përfundimin e luftës në Ukrainë që kur mori detyrën gjashtë muaj më parë, pas një fushate zgjedhore në të cilën ai deklaroi se luftës do t’i jepte fund “brenda një ose dy ditësh”. Përballë rezistencës së Putinit, më së shumti përmes refuzimit të tij të kujdesshëm të kërkesës amerikane për një armëpushim 30-ditor, Trump ka përdorur retorikë të ashpër ndaj Putinit në javët e fundit.

Por, paralajmërimi 50-ditor përbën herën e parë që Trumpi i dha Kremlinit një ultimatum – një formë presioni që Putini, i cili ka kërkuar që Rusia të trajtohet e barabartë me vendet e tjera të politikës së tij të jashtme, duket se nuk e pëlqen. Kështu, teksa shumë në Perëndim kanë kërkuar që Trump të bëjë kërkesa specifike ndaj Putinit, ende nuk është e qartë nëse një ultimatum e rrit apo e ul mundësinë për një marrëveshje.

Putini nuk ka folur publikisht për deklaratat e Trumpit dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov nuk ka thënë asgjë specifike për këto deklarata. Ndërkaq, zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, që mbikëqyr raportet me SHBA-në, më 15 korrik tha se “çdo përpjekje për të bërë kërkesa, veçanërisht ultimatume, është e papranueshme për ne”.

“Nëse ne nuk mund të arrijmë qëllimet tona përmes diplomacisë, atëherë [lufta kundër Ukrainës] do të vazhdojë”, tha Ryabkov, duke dhënë, deri tani, refuzimin e vetëm zyrtar të thirrjes së Trumpit për marrëveshje brenda 50 ditësh – deri më 1 ose 2 shtator. “Ky është një qëndrim i palëkundur”.

Dy çështje kryesore

E njëjta gjë mund të vlejë edhe për dërgesat e shtuara të armëve që Trump i ka premtuar Ukrainës, me aleatët e NATO-s që do të mbulojnë kostot duke blerë sisteme mbrojtëse raketore Patriot dhe armë të tjera nga SHBA-ja ose do t’i dërgojnë Kievit armatim që tashmë veçse e kanë.

Fried, që projektoi sanksionet ndaj Rusisë vite më parë, tha se nëse njoftimi i Trumpit për armët për Ukrainën dhe presioni ekonomik ndaj Rusisë “jetësohen, ashpërsohen dhe zbatohen”, mund të bëjnë dallim të madh në kuptim të luftës dhe rrugës drejt paqes.

“Janë dy çështje kryesore: Të nisin dërgesat me armë dhe të vazhdojnë pa ndërprerje; të kristalizohen opsionet tona të politikës për goditjen e ekonomisë ruse. Nëse i bëjmë të dyja, Ukraina do të jetë në një pozicion krejt tjetër”, tha ai. “Nëse supozimet apo shpresat e Putinit për një dështim të udhëheqjes amerikane dhe braktisje të Ukrainës rezultojnë të jenë të gabuara, atëherë ndoshta ai do të detyrohet të pranojë një ujdi”.

Analistë të tjerë sugjerojnë se kjo gjë nuk do të ndodhë së shpejti, ose mund të mos ndodhë fare.

Pikëpamja mbizotëruese në Rusi është se “asnjë prej këtyre zhvillimeve nuk do ta ndryshojë strategjinë e Putinit për të detyruar Kievin në kapitullim, me çdo mjet të mundshëm”, shkroi Tatyana Stanovaya.

“Putini nuk do të heqë dorë lehtë nga optimizmi i tij për luftën, dhe ai beson se [Trump] ka pak karta në dorë”, shkroi më 14 korrik në X Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë në Berlin, shkruan REL./   /os/

The post KOMENT – A do të lëkundet Putin pas ultimatumit të Trumpit? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Zjarre masive përfshijnë ishullin e Sicilisë

TRAPANI, 22 korrik /ATSH/ – Një zjarr i madh që shpërtheu të dielën, midis qyteteve Trapani dhe San Vito Lo Capo në Sicilinë perëndimore vazhdoi gjatë natës, duke shkatërruar qindra hektarë.

Vala e fortë e nxehtësisë që përfshiu Evropën ka shkaktuar zjarre në shumë vende, duke prekur mijëra njerëz dhe duke nxitur evakuime.

Një valë e re nxehtësie ekstreme pritet të përfshijë Italinë, ku meteorologët që paralajmërojnë për temperatura potencialisht rekord në rajonet jugore të vendit dhe ishujt kryesorë.

Autoritetet thonë se temperaturat do të mbeten dukshëm mbi mesataren gjatë gjithë javës, me temperaturat maksimale që pritet të kalojnë 42 gradë Celsius në Pulia, Bazilikata, Sardenjë dhe Sicili.

Nxehtësia do të ndihet edhe në Italinë qendrore, me temperatura maksimale që do të arrijnë mbi 36 gradë Celsius në qytete të tilla si Roma dhe Firence./   /os/

The post ITALI – Zjarre masive përfshijnë ishullin e Sicilisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Në brigjet polake të Baltikut zbulohet një depozitë e madhe nafte dhe gazi

VARSHAVË, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Kompania kanadeze ”Central European Petroleum” (CEP) njoftoi se ka bërë një zbulim të rëndësishëm nafte në brigjet polake të Baltikut.

”Sipas rezultateve të shpimeve testuese, rezervat e rikuperueshme të naftës bruto dhe gazit natyror vlerësohen në 200 milionë fuçi ekuivalente nafte”, theksoi kompania.

CEP tha se fusha naftëmbajtëse në det të hapur ”Wolin East” ndodhet afërsisht 6 kilometra nga qyteti port i Swinoujscie, në veriperëndim të Polonisë, në kufi me Gjermaninë.

Kompania tha se fusha ”Wolin East” vlerësohet të jetë “fusha më e madhe konvencionale e hidrokarbureve” e zbuluar ndonjëherë në Poloni dhe “një nga zbulimet më të mëdha konvencionale të naftës në Evropë në dekadën e fundit”.

”Nëse fusha konfirmohet, ajo mund të jetë një nga pikat e kthesës në historinë e eksplorimit të hidrokarbureve në Poloni”, tha gjeologu i njohur polak, Krzysztof Galos.

Zhvillimi i ardhshëm i këtij vendi mund të kontribuojë ndjeshëm në forcimin e sigurisë energjetike të Polonisë dhe në uljen e varësisë së saj nga furnizuesit e jashtëm të hidrokarbureve.

Aktiviteti minerar mund të fillojë brenda tre deri në katër vjetësh.

Fusha mund të mbulojë 4% deri në 5% të kërkesës vjetore të naftës së Polonisë për disa vite./  /os/

The post VARSHAVË – Në brigjet polake të Baltikut zbulohet një depozitë e madhe nafte dhe gazi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – 14 viktima pas sulmit izraelit ndaj tendave të palestinezëve të zhvendosur në Gaza

GAZA, 22 korrik /ATSH-AA/ – Katërmbëdhjetë persona u vranë dhe 25 u plagosën kur ushtria izraelite shënjestroi tendat e palestinezëve të zhvendosur që kishin mbetur të uritur dhe të etur në Gaza.

Ushtria izraelite shënjestroi tendat e palestinezëve të zhvendosur në veri të Kampit të Refugjatëve Shati, në perëndim të qytetit të Gazës, sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA.

Në sulmin izraelit, 14 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, humbën jetën dhe 25 të tjerë u plagosën.

Trupat e atyre që humbën jetën në sulm dhe të plagosurve u dërguan në Spitalin Shifa në Gaza.

Rripi i Gazës, nën sulmin izraelit dhe një rrethim të rreptë që kufizon hyrjen e ndihmës humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të thellë dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe materialesh higjienike.

Ushtria izraelite, e cila ka shkatërruar 88 për qind të Gazës duke shkatërruar edhe infrastrukturën civile, shpesh synon palestinezët e zhvendosur me urdhër deportimi në zonat ku ata janë strehuar.

Të paktën 59 029 palestinezë janë vrarë dhe 142 135 janë plagosur në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023./ /os/

The post FOKUS – 14 viktima pas sulmit izraelit ndaj tendave të palestinezëve të zhvendosur në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

GJERMANI – ”Mercedes” tërheq 223 mijë makina për probleme me airbag-un

HANOVER, 21 korrik /ATSH-AA/ – Prodhuesi gjerman i automjeteve ”Mercedes-Benz” thuhet se do të tërheqë rreth 223 000 automjete komerciale në të gjithë botën për shkak të një defekti në airbag.

Sipas një liste në uebfaqen e Autoritetit Federal Gjerman të Automjeteve Motorike (KBA), Mercedes-Benz do të tërheqë 223 000 automjete në të gjithë botën, 60 246 prej të cilave në Gjermani.

Deklarata e përfshirë në listë tha se pasagjerët mund të preken në “një aksident në të cilin aktivizohet airbag-u” në modelet e furgonëve ”Viano” dhe ”Vito” të prodhuara midis dhjetorit 2002 dhe shkurtit 2006.

Sipas raporteve të mediave gjermane në këto automjete, “gjeneratori i gazit mund të shpërthejë në një aksident ku aktivizohet airbag-u” dhe në këtë rast, airbag-u nuk do të ofrojë më siguri dhe ekziston rreziku i lëndimit të pasagjerëve për shkak të thyerjes së pjesëve të gjeneratorit të gazit./   /os/

The post GJERMANI – ”Mercedes” tërheq 223 mijë makina për probleme me airbag-un appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska konfirmon interesin për negociata paqeje me Kievin

MOSKË, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Kremlini ka konfirmuar interesin e tij për një raund të tretë negociatash midis Kievit dhe Moskës, të propozuar nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky për t’i dhënë fund luftës.

”Gjatë takimit të mëparshëm, të dyja palët shkëmbyen qëndrime”, theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Sipas agjencive ruse, Peskov tha se ”një shkëmbim pikëpamjesh dhe negociata janë duke u zhvilluar, por deri më tani palët janë plotësisht kundër dhe se ende nevojitet punë e madhe diplomatike”.

Të shtunën, Zelensky propozoi një takim për në fund të kësaj jave.

Sipas Peskov, ende nuk ka një datë përfundimtare.

Ai deklaroi se pala ruse nuk e ka ndryshuar përbërjen e delegacionit.

Në dy raundet e mëparshme të bisedimeve në Stamboll, kryenegociatori rus ishte këshilltari presidencial dhe ish-ministri i Kulturës Vladimir Medinsky.

Në maj, Kievi dhe Moska zhvilluan negociata dypalëshe për herë të parë në tre vjet.

Në këtë takim dhe në një tjetër pasues në Stamboll në qershor, të dyja palët ranë dakord për një shkëmbim të gjerë të të burgosurve dhe kthimin e ushtarëve të rënë.

Megjithatë, hapat drejt përfundimit të luftës kundër Ukrainës, të urdhëruar nga presidenti rus Vladimir Putin në shkurt 2022, nuk u diskutuan./   /os/

 

The post RUSI – Moska konfirmon interesin për negociata paqeje me Kievin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Vendimi i paprecedentë i gjykatës: Qentë janë pjesë e familjes së ngushtë

NJU JORK, 21 korrik /ATSH/ – Ai që dikur ishte miku më i mirë i njeriut, tani është edhe familja e tij më e ngushtë, të paktën në Nju Jork, sipas nypost.com.

”Qentë janë shumë më tepër sesa ju posedoni”, vendosi një gjykatës në Bruklin duke lejuar familjen e pikëlluar të një qenushi, të adhurueshëm të veshur me smoking dhe të quajtur Duke, të padisë për shqetësim emocional pasi këlyshi i tyre u godit mizorisht nga një shofer i papërgjegjshëm.

”Nan DeBlase, e cila po shëtiste qenin e djalit të saj Trevor DeBlase më 4 korrik 2023, ka të drejtë për dëmshpërblim sepse u torturua duke parë këlyshin e pambrojtur katërvjeçar të shtypur”, theksoi gjykatësi i Gjykatës së Lartë, Aaron Maslow.

“Është e arsyeshme që një juri të arrijë në përfundimin se të parit e Duke duke u shtypur nga makina shkaktoi shqetësim emocional përtej asaj që përjetohet përgjithësisht nga humbja”, shkroi Maslow në vendimin e tij të konsideruar shpërthyes.

“Kjo gjykatë nuk mund ta kuptojë pse një kafshë shtëpiake e dashur nuk mund të konsiderohet familjare sipas doktrinës së zonës së rrezikut dhe sipas modelit faktik të paraqitur nga paditësit”, shton ajo.

Pothuajse saktësisht dy vjet më parë, Nan po shëtiste Duke në ”Mill Basin”, kur një shofer përplasi qenin.

“Ishte shumë traumatike, jashtëzakonisht shumë”, tha Nan, 66 vjeçe, NYP.

“Dua të them, isha histerike kur ndodhi”, shtoi ajo.

Vdekja e parakohshme e Duke – vetëm disa muaj pasi ecte në altar në dasmën e Trevor, e veshur me një smoking elegant – u kap në video, duke treguar se si Nan priti me durim që një makinë para saj të kalonte, përpara se ajo të kalonte rrugën.

“Disa orë më parë një shofer gati sa nuk e goditi nënën time, ai goditi Duke-un tim të ëmbël dhe e vrau atë”, shkroi Deblase në Instagram më 4 korrik 2023.

“Nuk mund ta besoj që po i shkruaj këto fjalë tani”, thuhet në postim.

“E doja këtë qen më shumë se vetë jetën dhe gjërat nuk do të jenë kurrë njësoj pa të”, shtohet në të.

DeBlases ngritën padi një muaj më vonë, duke sfiduar një ligj “të vjetëruar” i cili i lejonte Trevor-it të padiste shoferin Mitchell Hill vetëm për vlerën e tregut të qenit të tij të çmuar, plus shpenzimet mjekësore – afërsisht 2 000 dollarë.

Nan e quajti vendimin e Maslow “të vonuar shumë”.

Pronarëve të qenve në Tenesi u lejohet në mënyrë të ngjashme të padisin për deri në 5 000 dollarë dëmshpërblim joekonomik nëse një kafshë shtëpiake vritet ose pëson lëndime serioze nga një tjetër, por akti duhet të ndodhë në pronën e viktimës.

Ndërsa Trevor tani ka një tjetër qen, Cooper, vdekja e Duke ende e prek atë dhe Nan./  /os/

The post NJU JORK – Vendimi i paprecedentë i gjykatës: Qentë janë pjesë e familjes së ngushtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – OBSH: Çdo orë mbi 30 persona në botë humbasin jetën në pishina, dete, lumenj ose liqene

GJENEVË, 21 korrrik /ATSH-ANSA/ – Çdo orë, më shumë se 30 njerëz në mbarë botën humbasin jetën në pishina, dete, lumenj ose liqene.

Kjo barazohet me mbi 300 000 vdekje çdo vit ose tre milionë në dekadën e fundit.

Ky numër tragjik, por i parandalueshëm, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “përfaqëson një shkak kryesor të vdekjes në nivel global, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë” dhe “kërkon ndërhyrje urgjente”.

Gjatë muajve të verës, rastet tragjike shfaqen shpesh në lajme. Fëmijët e vegjël janë viktimat kryesore të ujit. Sipas Raportit të parë Global të OBSH-së mbi Parandalimin e Mbytjeve, mbytja është shkaku i tretë kryesor i vdekjes tek fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç, me norma më të larta në zonat rurale dhe të varfra.

Fëmijët nën 5 vjeç përbëjnë gati një të katërtën e viktimave, ndërsa mbi gjysma e vdekjeve përfshijnë njerëz nën 30 vjeç.

Një pjesë e konsiderueshme e mbytjeve përfshijnë të rritur pa përvojë që mbivlerësojnë aftësitë e tyre në ujë të hapur, ndërsa në një masë më të vogël, ato lidhen me sëmundje të papritura.

Edhe ujërat e brendshme, siç janë liqenet dhe lumenjtë, janë të rrezikshme. Për të zvogëluar rreziqet, ekspertët rekomandojnë zgjedhjen e vendeve të mbikëqyrura nga personel i kualifikuar, shmangien e rrymave, respektimin e sinjalistikës, marrjen e mësimeve të notit që në moshë të vogël, shmangien e zhytjes pas vakteve të mëdha ose ekspozimit të zgjatur në diell./   /os/

The post FOKUS – OBSH: Çdo orë mbi 30 persona në botë humbasin jetën në pishina, dete, lumenj ose liqene appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BULLGARI – Një diplomat i përfshirë në një sekuestrim rekord kokaine

SOFJE, 21 korrik /ATSH-BTA/ – Një sasi rekord prej 205,9 kg kokainë u sekuestrua në pikën kufitare ”Kapitan Andreevo” nga një automjet me targa belge, që e kishte një diplomat nga Republika e Kongos në Bruksel.

Tre persona u arrestuan, dy burra, të moshës 40 dhe 43 vjeç, dhe një grua 54-vjeçare.

Lajmi u njoftua gjatë një konference për shtyp në pikën kufitare, ku morën pjesë ministri i Brendshëm Daniel Mitov, ministrja e Financave Temenuzhka Petkova, prokurori i Qarkut të Haskovos Ivan Stoyanov, drejtori i Agjencisë Doganore Georgi Dimov dhe kryekomisioneri Boyan Raev, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Luftimin e Krimit të Organizuar.

Ministria e Brendshme e përshkroi këtë si sasinë më të madhe të kokainës së sekuestruar ndonjëherë në kufijtë tokësorë të Bullgarisë.

”Kokaina u gjet gjatë një inspektimi të automjetit diplomatik që mbërriti në Bullgari nga Turqia më 18 korrik”, theksoi prokurori i qarkut të Haskovos, Ivan Stoyanov.

”Droga ishte në pesë valixhe. Të arrestuarit – një belge, një bullgar që drejtonte makinën dhe diplomati, u akuzuan zyrtarisht më 19 korrik. Ata u mbajtën për 72 orë”, tha Stoyanov.

Ai shtoi se akuzat kundër tyre mbartin një dënim me burgim nga 15 deri në 20 vjet dhe një gjobë prej 200 000 deri në 300 000 leva.

Sipas vlerësimit të gjykatës, vlera e drogës së sekuestruar është 37,69 milionë leva./   /os/

The post BULLGARI – Një diplomat i përfshirë në një sekuestrim rekord kokaine appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – IA përshpejton diagnostikimin e kancerit të lëkurës në pjesë të largëta të botës

LONDËR, 21 korrik /ATSH-DPA/ – Një studiuese universitare skoceze ka zhvilluar mjete të inteligjencës artificiale që mund t’u japin njerëzve në zona të largëta të botës qasje në diagnoza të shpejta dhe potencialisht shpëtimtare të kancerit të lëkurës.

Tess Watt, një studente doktorature në Universitetin Heriot-Watt në Edinburg, e cila udhëhoqi projektin për të zhvilluar teknologjinë, tha se ”qëllimi është të mundësojë diagnostikimin e hershëm të problemeve të lëkurës kudo në botë, pa pasur nevojë të konsultohet drejtpërdrejt me një dermatolog”.

Teknologjia funksionon edhe pa qasje në internet.

Sistemi kërkon që një pacient të bëjë një fotografi të problemit të tij të lëkurës duke përdorur një aparat fotografik të vogël të lidhur me një pajisje Raspberry Pi, një kompjuter portativ me kosto të ulët dhe me efikasitet energjetik, i aftë të ruajë sasi të mëdha informacioni.

Fotografia analizohet në kohë reale duke përdorur sistemet më të fundit të klasifikimit të imazheve, duke e krahasuar atë me një grup të dhënash masive prej mijëra imazhesh të ruajtura në pajisje për të arritur në një diagnozë.

Rezultatet më pas ndahen me një klinikë lokale të mjekut të përgjithshëm për të filluar një plan të përshtatshëm trajtimi.

Projekti besohet të jetë i pari i këtij lloji që kombinon diagnozën mjekësore të bazuar në inteligjencën artificiale me qëllimin e ofrimit të shërbimeve për komunitetet e largëta./ /os/

The post BM – IA përshpejton diagnostikimin e kancerit të lëkurës në pjesë të largëta të botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Si ushqehet Jannik Sinner ”mbreti” i Wimbledonit?

LONDËR, 21 korrik /ATSH-ANSA/ – Si ushqehet mbreti i Wimbledonit, Jannik Sinner? Padyshim mirë.

Kampioni i tenisit ndjek një dietë të ekuilibruar dhe të kontrolluar si të gjithë atletët, por ka disa fakte interesante për t’u ditur.

Ja një shpjegim me tetë pika i dietës së Jannikut.

1. Adhurues i karotave

Jannik Sinner i do karotat. Ai i ha ato në çdo duke i preferuar ato ndaj ushqimeve të tjera – zakonisht bananeve – që kolegët e tij i hanë shpesh.

Ato janë një rimbushje perfekte: karotat ju ngopin, rimbushin mineralet e humbura përmes djersës dhe janë të pasura me vitaminë A, e cila mbron lëkurën nga dëmtimi i diellit.

2. Lëng kastraveci turshi

Një tjetër frazë e padëshiruar? Lëng kastraveci turshi, i cili u bë viral pas fitores së tij në Australian Open sepse Jannik Sinner piu pak prej tij atje.

Lëngu i kastravecit turshi është një suplement natyral: është i pasur me natrium dhe kalium, të cilat ndihmojnë funksionin e muskujve dhe zvogëlojnë rrezikun e ngërçeve, të cilat janë shumë të zakonshme gjatë një sforcimi të zgjatur si një ndeshje tenisi.

3. Një mëngjes i shëndetshëm

Tërshërë, fruta dhe mjaltë në ditët e ndeshjeve, ose kos, fruta të thata dhe bukë integrale me reçel ose mjaltë: ky është mëngjesi i tij për t’u imituar, i balancuar në mënyrë të përkryer me proteina, karbohidrate dhe yndyrna të shëndetshme.

4. Ha drekë dhe darkë të balancuara në mënyrë të përkryer

Nuk ka sekrete të veçanta në dietën e tij. Jannik Sinner ha atë që të gjithë duhet të hamë, padyshim në sasi të përshtatura sipas nevojave të tij.

Burimet e tij të karbohidrateve përfshijnë makaronat ose orizin kaf, ndërsa mishi i bardhë dhe peshku janë burimet e tij të preferuara të proteinave.

Për më tepër, si gjithmonë, ai shoqëron çdo vakt me një dozë të shëndetshme perimesh për t’u siguruar që po merr mjaftueshëm fibra, vitamina dhe minerale.

Por ai kurrë nuk e tepron me perimet, si për të shmangur fryrjen ashtu edhe sepse ato nuk janë ushqimi i tij i preferuar.

5. Ushqimi i tij ”ngushëllues” është ushqimi i gatuar në shtëpi

Kur është pyetur se nga cila pjatë nuk do të hiqte dorë kurrë, Jannik Sinner është përgjigjur gjithmonë me bindje se janë duart e gjyshes së tij, Maria.

Në përgjithësi, ai e do gatimin në shtëpi, prandaj ndoshta shefi i tij personal është babai i tij, Hanspeter, një shef kuzhine profesionist.

Në ditët pa ndeshje, ai gjithashtu përgatit ushqim ngushëllues për të, siç është tigani i malësorit me petulla të mbetura, mish derri dhe lakër.

6. Disa kënaqësi të rralla

Pica me miqtë, sushi, peshk me patate të skuqura dhe ëmbëlsira.

“I dua dhe shpesh kënaqem. Në fund të fundit, nuk humbet një ndeshje sepse ha pak ëmbëlsirë”, tha ai në një intervistë.

Dhe kur bëhet fjalë për ëmbëlsira, Jannik Sinner nuk e ka fshehur kurrë preferencën e tij për ato të bëra në shtëpi, si strudeli ose biskotat e bëra në shtëpi nga gjyshja ose nëna e tij Siglinde.

7. Ai nuk ka obsesione “shëndetësore”

Dieta e Jannik Sinner nuk përfshin as tepricat “e shëndetshme” që karakterizojnë dietat e kampionëve të tjerë të tenisit.

Spanjolli Carlos Alcaraz, për shembull, e ka eliminuar plotësisht glutenin nga dieta e tij pavarësisht se nuk është intolerant ose alergjik. Ngjashëm me Djokovic, i cili gjithashtu ka eliminuar të gjitha sheqernat e rafinuar.

8. Nuk ha ushqime ultra të përpunuara

Jannik Sinner nuk ha ushqime ultra të përpunuara si ushqime të lehta dhe pije me sheqer. Ai i ka eliminuar ato plotësisht./   /os/

The post SOFT NEWS – Si ushqehet Jannik Sinner ”mbreti” i Wimbledonit? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Kemi rigjallëruar SHBA-në, tani jemi më të respektuarit në botë

UASHINTON, 20 korrik /ATSH-ANSA/ – Sot shënohet përvjetori gjashtëmujor i mandatit tim të dytë, i konsideruar si një nga periudhat më domethënëse të çdo presidenti, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump.

“Me fjalë të tjera, ne kemi arritur shumë gjëra të mëdha, duke përfshirë përfundimin e disa luftërave në vende që nuk janë të lidhura me ne”, theksoi Trump.

“Gjashtë muaj nuk është një kohë e gjatë për të rigjallëruar një vend të madh. Një vit më parë, ne ishim të vdekur, pothuajse pa asnjë shpresë për rigjallërim. Tani, ne jemi vendi më i respektuar në botë”, shtoi ai. /os/

The post SHBA – Trump: Kemi rigjallëruar SHBA-në, tani jemi më të respektuarit në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – IDF vret 67 palestinezë që kërkonin ndihma ushqimore në Gazën veriore

GAZA, 20 korrik /ATSH/ – Ushtria izraelite ka vrarë të paktën 67 persona që prisnin kamionë me ndihma të OKB-së në Gazën veriore, thotë ministria e shëndetësisë e territorit e drejtuar nga Hamasi, shkruan BBC.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kishin “qëlluar me të shtëna paralajmëruese” për të larguar “një kërcënim të menjëhershëm”.

”Gjashtë persona të tjerë u vranë duke pritur ndihmë diku tjetër në Gaza dhe më shumë se 150 persona u plagosën, disa rëndë”, tha ministria.

Të shtunën, ajo paralajmëroi se uria ekstreme po rritej në Gaza dhe një numër gjithnjë e më i madh njerëzish po mbërrinin në objektet e saj “në një gjendje rraskapitjeje dhe lodhjeje ekstreme”.

Ka pasur raportime pothuajse të përditshme për palestinezë të vrarë ndërsa kërkonin ushqim që nga fundi i majit.

Të shtunën, të paktën 32 persona u vranë nga të shtënat izraelite pranë dy pikave të shpërndarjes së ndihmave në Gazën jugore, sipas ministrisë.

Shumë nga incidentet kanë ndodhur pranë vendeve të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-të dhe Izraeli, i cili përdor kontraktorë privatë sigurie për të shpërndarë ndihmë nga vendet në zonat ushtarake izraelite, por disa kanë ndodhur pranë ndihmës së sjellë nga OKB-ja. /os/

The post GAZA – IDF vret 67 palestinezë që kërkonin ndihma ushqimore në Gazën veriore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SLLOVENI – Parlamenti voton legalizimin e vdekjes së asistuar

LUBJANE, 20 korrik /ATSH-AA/ – Parlamenti i Sllovenisë ka miratuar një ligj që u jep të rriturve me sëmundje terminale të drejtën për t’i dhënë fund jetës së tyre, pasi shumica e votuesve e mbështetën këtë masë në një referendum.

Siç raportojnë mediat lokale, ligjvënësit miratuan projektligjin të premten e kaluar, me 50 vota pro, 34 kundër dhe tre abstenime, që mundëson vdekjen e asistuar në rastet e vuajtjeve të padurueshme kur të gjitha opsionet e trajtimit janë shteruar.

E drejta për vdekje të asistuar nuk do të jetë e vlefshme në rastet e vuajtjeve të padurueshme që rrjedhin nga sëmundjet mendore.

Ligji pritet të hyjë në fuqi në javët në vijim.

Në një referendum këshillues vitin e kaluar, 55 për qind e sllovenëve votuan në favor të vdekjes së asistuar.

Këtë javë, Komisioni për Etikën Mjekësore i Sllovenisë tha se mbetet i vendosur në qëndrimin se projektligji mbart rreziqe të larta etike pavarësisht disa ndryshimeve gjatë miratimit në parlament.

Tereza Novak, një ligjvënëse nga Lëvizja për Liri në pushtet, e cila kishte mbështetur projektligjin, tha në parlament se “e drejta (për vdekje të asistuar) nuk përfaqëson një disfatë për mjekësinë”.

“Do të ishte gabim që mjekësia t’i privojë njerëzit nga e drejta e tyre për të vdekur nëse ata duan dhe mjekësia nuk mund t’i ndihmojë ata”, tha deputetja liberale.

Partia Demokratike Sllovene (SDS) konservatore e ka denoncuar projektligjin, duke theksuar se ai “hap derën për një kulturë vdekjeje, humbje të dinjitetit njerëzor dhe minimizim të vlerës së jetës, në veçanti të më të prekshmëve”.

The post SLLOVENI – Parlamenti voton legalizimin e vdekjes së asistuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Presidenti i EESC: Reformat e Shqipërisë në disa fusha qëndrojnë më lart se të shteteve anëtare

BRUKSEL, 20 korrrik /ATSH/ Procesi i pranimit të vendeve të reja në projektin e Bashkimit Evropian duhet të mbështetet nga struktura efektive dhe burime të mjaftueshme financiare, deklaroi në një intervistë presidenti i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), sindikalisti austriak Oliver Röpke, shkruan eunews.it

”Në një kohë kur flitet me këmbëngulje për zgjerimin e Bashkimit Evropian, është e rëndësishme që shoqëria civile dhe partnerët socialë të vendosen në qendër”, thekson ai.

Forumi i mbajtur në Bruksel u përqendrua në rëndësinë e institucionalizimit të një dialogu të strukturuar midis partnerëve socialë dhe krijimit të një hapësire të fortë qytetare, me qëllim zgjerimin e klubit me dymbëdhjetë yje deri në fund të dekadës.

“Dialogu i fortë civil dhe social është ADN-ja e Komitetit, kështu që është kërkesa jonë kryesore edhe kur bëhet fjalë për zgjerimin. Zgjerimi është një proces i hapur, i cili përfaqëson jo vetëm një imperativ gjeopolitik, por edhe një premtim demokratik, një angazhim moral dhe shoqëror”, shton ai.

Në fakt, fokusi i presidentit të EESC-së në shoqërinë civile nuk është sigurisht asgjë e re. As vëmendja e tij ndaj integrimit gradual të vendeve kandidate – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Serbia, Turqia dhe Ukraina në BE.

Röpke e quan iniciativën një “sukses” dhe siguron se ajo do të mbetet në fuqi gjatë mandatit të ardhshëm të EESC, i cili fillon tetorin e ardhshëm.

Megjithatë, duhet të tregohet kujdes që të mos ngatërrohen mjetet me qëllimet dhe të mos krijohen zëvendësues de facto për zgjerimin: “ECM është një mjet që duhet të shërbejë për të lehtësuar pranimin në Bashkim, por nuk mund ta zëvendësojë atë duke rrezikuar t’i lërë vendet kandidate në harresë”.

Sidoqoftë, këmbëngul sindikalisti, ”dialogu midis komponentëve të ndryshëm të shoqërisë nuk është luks, por një domosdoshmëri strukturore për të ndërtuar demokraci të qëndrueshme përpara se këto shtete të bashkohen me BE-në”.

Si mund të promovohen zhvillime të tilla në praktikë?

“Sigurisht, nuk ka një model të vetëm, por ne besojmë se institucionalizimi i dialogut social dhe ofrimi i një kuadri të qartë, për shembull, me qëllim forcimin e negociatave kolektive, është thelbësor”, shpjegon Röpke.

”Për shembull, jo pa një dozë krenarie, disa vende kandidate duan të përditësojnë sistemet e tyre të dialogut dhe të ndërtojnë diçka të ngjashme me EESC-në”, thekson ai.

Progresi dhe pengesat

Presidenti i EESC-së i sheh pozitivisht zhvillimet aktuale.

“Ne shohim përparim në disa vende megjithëse mbetet shumë punë për t’u bërë”. Në të vërtetë, në disa raste, standardet janë më të larta se në vendet e BE-së. Nëse marrim indeksin e lirisë së shtypit, për shembull, zbulojmë se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë rezultate më të mira se Bullgaria, Qiproja, Kroacia, Greqia, Italia, Malta, Rumania dhe Hungaria”, shton Röpke.

”Po ashtu vende si Shqipëria po bëjnë hapa të mëdhenj në reformën gjyqësore, megjithëse problemet mbeten në fusha të tjera, siç janë transparenca dhe lufta kundër korrupsionit”, thekson ai.

”Fatkeqësisht, nuk po bëhet përparim kudo. Në disa vende, reformat janë të dobëta dhe po përparojnë ngadalë, ndërsa në të tjera ka pasur edhe pengesa. Ky është rasti në Gjeorgji, ku qeveria autoritare dhe proruse ka shtypur brutalisht mospajtimin demokratik për muaj të tërë. Ato janë verifikuar edhe në Serbinë e Aleksandar Vuçiç dhe në Turqinë e Rexhep Tajip Erdogan, ku hapësira qytetare vazhdon të tkurret”, nënvizon Röpke.

Çështja e financimit

“Tani, është e qartë se zgjerimi është rritur ndjeshëm në agjendën e Brukselit vitet e fundit. Kam besim të plotë tek presidentja Von der Leyen dhe komisionerja Marta Kos për të çuar përpara një proces zgjerimi të bazuar në meritë dhe për ta rigjallëruar atë. Ky proces është përshpejtuar për disa vende kandidate – veçanërisht Shqipëria, Mali i Zi dhe Ukraina – dhe duke shprehur shpresën se ato i përmbushin angazhimet e tyre dhe mund të përfundojnë negociatat deri në vitin 2028”, thekson me optimizëm Röpke.

Është po aq e qartë se që zgjerimi i Unionit të jetë i suksesshëm, nevojiten burime të mjaftueshme, si dhe vullnet i vërtetë politik nga ana e 27 vendeve. EESC së shpejti do të miratojë qëndrimin e tij mbi propozimin e Von der Leyen për një buxhet të ri të BE-së, i cili tashmë është refuzuar nga Parlamenti Evropian, autoritetet rajonale dhe disa kancelari.

/os//r.e/

The post BRUKSEL – Presidenti i EESC: Reformat e Shqipërisë në disa fusha qëndrojnë më lart se të shteteve anëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Irani dhe treshja evropiane bien dakord të rifillojnë bisedimet bërthamore

TEHERAN, 20 korrik /ATSH-AA/ –  Irani dhe treshja evropiane, respektivisht Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, kanë rënë dakord në parim për të rifilluar negociatat bërthamore javën e ardhshme.

Siç raporton transmetuesi shtetëror iranian Press TV, duke cituar një burim iranian, të dyja palët kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet, por koha dhe vendi i negociatave ende nuk janë finalizuar.

Në bisedimet me ministrin iranian i Punëve të Jashtme, kryediplomatët britanik, francez, gjerman dhe të BE-së kanë theksuar urgjencën e kthimit në diplomaci për një marrëveshje bërthamore, përndryshe ata thanë se janë të gatshëm të aktivizojnë mekanizmin e “rikthimit të menjëhershëm” të OKB-së, që do të thotë rivendosjen e sanksioneve ndërkombëtare.

Bisedimet midis Teheranit dhe SHBA-së po zhvilloheshin përmes ndërmjetësve omanë deri në sulmin e papritur të Izraelit ndaj Iranit më 13 qershor, i cili shkaktoi një luftë 12-ditore. Sulmi ndodhi vetëm dy ditë para një raundi të gjashtë të planifikuar të negociatave në Muscat.

Irani akuzoi SHBA-në për bashkëpunim në sulmin izraelit, i cili vrau zyrtarë të lartë ushtarak iranianë, shkencëtar bërthamorë dhe civilë. SHBA-ja gjithashtu nisi sulme në tre lokacione të mëdha bërthamore iraniane, duke pretenduar se i shkatërruan ato. Një armëpushim hyri në fuqi më 24 qershor.

Derisa SHBA-ja dhe evropianët thonë se Irani nuk mund të ketë kurrë një bombë bërthamore, Teherani argumenton se programi bërthamor i tij është menduar për përdorim paqësor të energjisë bërthamore.

Pas bisedimeve me treshen evropiane dhe BE-në, ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, tha se ishte SHBA-ja ajo që u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe çdo raund i ri bisedimesh është i mundur vetëm “kur pala tjetër të jetë gati për një marrëveshje bërthamore të drejtë, të ekuilibruar dhe reciprokisht të dobishme”.

“Nëse BE-ja dhe treshja evropian duan të kenë një rol, ata duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe t’i lënë mënjanë politikat e lodhura të kërcënimit dhe presionit, përfshirë ‘rikthimin e menjëhershëm’ për të cilin nuk u mungon absolutisht asnjë bazë morale dhe ligjore”, tha ai në X.   /os/

The post FOKUS – Irani dhe treshja evropiane bien dakord të rifillojnë bisedimet bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKE – Kremlini: Zgjidhja e Ukrainës është një proces i gjatë, Trump e di këtë

KIEV, 20 korrrik /ATSH-ANSA/ – Deklaratat e Donald Trump tregojnë një dëshirë për të arritur një marrëveshje në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, por Uashingtoni po e kupton gjithnjë e më shumë kompleksitetin e këtij procesi “të gjatë dhe të vështirë”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

”Ne jemi mësuar me retorikë mjaft të ashpër dhe të drejtpërdrejtë”, shtoi Peskov, por “në të njëjtën kohë ai konfirmon qëllimin e tij për të vazhduar të bëjë gjithçka që është e mundur për të lehtësuar një zgjidhje paqësore”.

”Putin gjithashtu ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të arritur një marrëveshje paqësore sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Peskov shtoi se ”një takim midis Vladimir Putin dhe Donald Trump është i mundshëm dhe i nevojshëm”, por ka ende punë për t’u bërë; ai moment nuk ka ardhur ende”.

“Ndoshta do të jetë gjithashtu e nevojshme të formalizohen disa marrëveshje të rëndësishme që do të arrihen me kalimin e kohës, pasi të jetë bërë shumë punë. Por ai moment nuk ka ardhur ende”, vuri në dukje zëdhënësi. /os/

The post MOSKE – Kremlini: Zgjidhja e Ukrainës është një proces i gjatë, Trump e di këtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Mbiturizmi, pasojë e shoqërisë apo e mediave sociale?

ROME, 20 korrrik /ATSH/ – Sektori i turizmit ka arritur në një pikë kthese. Dy rrugë: rënie ose rigjenerim. Udhëtimi ka ndryshuar; sasia e udhëtimeve po rritet, por edhe cilësia e udhëtarëve, shkruan nxwss.com.

Tashmë përvoja turistike shihet si një listë blerjesh, e cila ushtron presion mbi vendet dhe banorët e tyre.

Vera sjell diell, vapë dhe një atmosferë të qetë, një ndjesi që mund të lindë nga pushimet e shumëpritura, qoftë një pushim nga puna apo studimi.

Miliona njerëz vendosin të rezervojnë një udhëtim çdo vit, dhe zgjedhja e destinacionit pothuajse gjithmonë diktohet nga trendet e mediave sociale.

Me fjalë të tjera, vendet më “në modë” preken nga fenomeni i mbiturizmit.

Turizmi i tepërt

Edhe pse është një term i kohëve të fundit, numrat që e karakterizojnë duket se përshkruajnë një fenomen shumëvjeçar. Dhe të themi të drejtën, është.

Organizata Botërore e Turizmit parashikon që deri në vitin 2030, turistët do të kalojnë 2 miliardë.

Termi në vetvete është me të vërtetë relativisht i ri, i shpikur nga Rafat Ali, CEO dhe themelues i një firme analitike të industrisë së udhëtimeve.

Mbiturizmi i referohet “fenomenit ku një destinacion popullor ose një peizazh i veçantë mbingarkohet në mënyrë të paqëndrueshme nga turistët”.

Është e qartë se ky fenomen ka ekzistuar për shumë vite, por vetëm kohët e fundit ka tërhequr vëmendje të gjerë.

Turizmi i mbipopulluar i plazhit dhe roli i mediave sociale

Qoftë për të dokumentuar pushimet tuaja, për t’u prezantuar ndjekësve tuaj një vend të ri, apo për të mbajtur të azhurnuar “albumin” tuaj virtual, mediat sociale luajnë një rol të madh në udhëtimet e shumë njerëzve.

Vite më parë, para ardhjes së mediave sociale, ajo që mund të rriste turizmin në një vend ishte fjala gojë më gojë.

Një foto ose video e retushuar për ta bërë vendin ku ndodheni edhe më të bukur dhe të këndshëm për syrin vetëm sa rrit dëshirën e atyre që e shikojnë atë pas një ekrani për ta vizituar atë.

Ekspozimi që mund të fitoni përmes profilit tuaj në Instagram është shumë më i lartë se fjala gojë më gojë midis miqve. Duhet të merren në konsideratë edhe ndikuesit, pasi ata, sipas përkufizimit, e drejtojnë vëmendjen e ndjekësve të tyre në fusha me interes të kohëve të fundit.

Shkaqet e turizmit të mbipopulluar

Për ta kuptuar plotësisht fenomenin, duhet të thellohemi në shoqëri.

Zhvillimi i mediave të komunikimit dhe, mbi të gjitha, lëvizshmëria i inkurajon ndjeshëm turistët të udhëtojnë nga një vend në tjetrin.

Turizmi në vetvete sjell një rritje të madhe ekonomike që ndryshon stilin e jetës së njerëzve. Edhe ata mund të detyrohen të udhëtojnë diku tjetër për t’i shpëtuar turmave turistike.

Për më tepër, njerëzit gjithmonë duan të ndihen të veçantë, duke kërkuar destinacione ekskluzive dhe pak të njohura, për të qenë në gjendje të thonë: “Unë kam qenë atje dhe ju jo!”

Është e qartë se së shpejti ai destinacion do të mbushet me turistë dhe do të humbasë magjinë e tij të të paeksploruarës.

Ana tjetër e kësaj është zbulimi i vendeve të mrekullueshme, të cilat pa turistë do të mbeteshin të braktisura dhe të panjohura.

Blogerët e udhëtimeve: avokatë të mbi-turizmit?

Jo, ose të paktën jo tërësisht. Siç u përmend më sipër, mediat sociale luajnë një rol themelor në turizëm, dhe si në çdo fushë të jetës, e vërteta qëndron diku në mes.

Blogerët e udhëtimeve lindën nga dëshira për ta kthyer pasionin e tyre – udhëtimin – në një profesion.

Qëllimi i tyre kryesor është të vizitojnë destinacionet turistike më të njohura me një sy më kritik dhe vëmendje ndaj detajeve, duke ditur se si t’i drejtojnë më së miri ndjekësit e tyre se ku të qëndrojnë, të hanë ose thjesht cilat zona të vizitojnë ose të shmangin.

Sapo të kenë përfunduar listën e tyre të vendeve të famshme, kurioziteti i tyre për vendet më të largëta në Tokë rritet, kështu që ata fillojnë të kërkojnë. Videoja postohet në mediat sociale, dhe në çast, ndjekësit e tyre janë gati të rezervojnë pushimet e tyre të ardhshme atje.

Besohet se ky nuk është “faji” i blogerëve të udhëtimeve, por një pasojë e drejtpërdrejtë e marrëdhënies midis ndjekësit dhe ndikuesit.

Të kesh një figurë referimi i ndihmon të gjithë të kenë drejtim në jetën e tyre, dhe sigurisht ka nga ata që i ndjekin më seriozisht, ndërsa të tjerë, në vend të kësaj, distancohen më shumë nga mediat sociale.

Identifikimi dhe sjellja e tyre në vëmendjen e një audience më të gjerë ofron mundësinë për të zbuluar perla natyrore (ose urbane) që mund të ofrojnë një përvojë unike dhe të gjenerojnë të ardhura për destinacionin.

Varet nga turistët të jenë sa më respektues ndaj natyrës dhe vendit. /os/

The post KOMENT – Mbiturizmi, pasojë e shoqërisë apo e mediave sociale? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IZRAEL – Mijëra protestues mbushin rrugët e Tel-Avivit, kërkohet marrëveshje për Gazën

TEL-AVIV, 20 korrik /ATSH-ANSA/ Dhjetëra-mijëra izraelitë protestuan mbrëmë në qendër të Tel-Avivit për të kërkuar një marrëveshje që do të garantonte lirimin e të gjithë pengjeve në Rripin e Gazës, sipas medieve izraelite.

E përditshmja ”Yioth Ahronoth” raportoi se protestuesit marshuan nëpër qendër të Tel-Avivit duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur slogane që bënin thirrje për përfundimin e luftës dhe kthimin e menjëhershëm të pengjeve.

Ish-pengjet e liruara nga Hamasi thuhet se morën pjesë gjithashtu në marshim.

Pjesëmarrësit u bënë thirrje të drejtpërdrejta udhëheqësve izraelitë dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump që të punojnë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.   /os/

The post IZRAEL – Mijëra protestues mbushin rrugët e Tel-Avivit, kërkohet marrëveshje për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌