Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 August 2025Main stream

Tre të arrestuar për shkelje rrugore në Lezhë, procedohen penalisht 14 të tjerë

15 August 2025 at 12:47

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Policia Rrugore e Lezhës ka rritur gatishmërinë në përmbushjen e parametrave të sigurisë, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve, gjatë sezonit veror.

Në këtë kuadër shërbimet e Policisë po kryejnë monitorime pandërprerë të akseve rrugore, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, të loguara dhe të paloguara, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti, si dhe parkimet e gabuara që bëhen pengesë për qarkullimin.

Gjatë këtyre dy javëve, janë arrestuar 3 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 14 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë vënë gjithsej 2094 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

“Konkretisht janë vendosur: 15 masa për mosvënien e rripit të sigurimit; 114 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse; 131 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 25 masa për drejtim mjeti në efektin e alkoolit; 23 masa për xhama të errësuar;
763 masa për parakalime të gabuara; 435 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar; 35 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve; 553 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor”, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të Policisë.

Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Lezhës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
/m.m/

The post Tre të arrestuar për shkelje rrugore në Lezhë, procedohen penalisht 14 të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Angazhim maksimal për shuarjen e zjarreve në veri, operacione nga ajri me 6 helikopterë

15 August 2025 at 12:45

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot angazhimin maksimal të gjithë strukturave të shtetit për shuarjen e çdo vatre zjarri në veri të vendit.

Rama bëri të ditur se “që në orët e para të mëngjesit, 6 helikopterë janë në misione intensive në Fushë Arrëz, Mirditë dhe Bulqizë”.

Në 24 orët e fundit ka pasur një përmirësim të dukshëm të situatës nga zjarret në vend. Gjatë kësaj periudhe janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 3 vatra janë aktive dhe 6 janë në monitorim.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve në gjithë territorin e vendit u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 740 forca operacionale, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 323 forca ushtarake, 7 automjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter të FA-së. Gjithashtu morën pjesë 4 helikopterë (EBA, çek, sllovak) dhe 1 avion Canadair nga Italia.

/m.m/j.p/

The post Rama: Angazhim maksimal për shuarjen e zjarreve në veri, operacione nga ajri me 6 helikopterë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Dita e shtegtarëve” në Lezhë, çelet ekspozita “Simfoni libri me autorë lezhjanë”

15 August 2025 at 12:03

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ “Dita e Shtegtarëve”, një festë e përvitshme që i kushtohet kryesisht emigrantëve në Lezhë, u festua sërish sot me organizimin e aktiviteteve të shumta kulturore.

Biblioteka “Gjergj Fishta” prezantoi ekspozitën “Simfoni libri me autorë lezhjanë”, në të cilën përfshihen krijime nga emra të shquar si Frang Bardhi, Gjergj Fishta, Ndoc Gjetja, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Shpresa Kapisyzi, Agim Isaku, Tonin Çobani e Frano Kulli, deri te shkrimtarët më të rinj të qyteti.

“Kjo ekspozitë është jo vetëm një udhëtim në kohë përmes fjalës së shkruar, por edhe një dëshmi e gjallë e trashëgimisë letrare lezhjane, që bashkon të kaluarën me të tashmen në një simfoni të përbashkët librash e autorësh”, thufet në njoftimin e bashkisë Lezhë.

Prej vitit 2006, Lezha është kthyer në epiqendër të festës tradicionale “Dita e Shtegtarëve”.

Bashkia e Lezhës organizon çdo vit aktivitete të shumta, për ta kthyer 15 gushtin në një ditë simbol të gjithë atyre qytetarëve që janë larguar nga atdheu.

/m.m/j.p/

The post “Dita e shtegtarëve” në Lezhë, çelet ekspozita “Simfoni libri me autorë lezhjanë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Testimi i informatizuar për “Mjekësi të Përgjithshme”, nga 18 deri 22 gusht

15 August 2025 at 10:59

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Testimi i informatizuar për programin e studimit “Mjekësi e Përgjithshme” do të zhvillohet nga 18-22 gusht.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila ndau njoftimin e rëndësishëm për aplikantët në programin e studimit për Mjekësinë e Përgjithshme.

Kalendari i plotë i testimeve është publikuar tashmë nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, në kuadër të organizmit të testimit të informatizuar të maturantëve që duan të ndjekin programin e studimit “Mjekësi e Përgjithshme” në Universitetin e Mjekësisë Tiranë.

20200 maturantë kanë aplikuar në fazën e parë për të ndjekur studimet e larta në të gjitha universitetet e vendit, ose 500 më shumë se një vit më parë.

Në 10 programet e listuara si preferencat e 20200 maturantëve aplikantë, interesi vazhdon të jetë i ngjashëm ndër vite.

Teknologjia, mjekësia dhe financat renditen në tri fushat më të kërkuara, ku edhe mundësia për vende të lira në raundin e dytë zerohet.

/m.m/j.p/

 

The post Manastirliu: Testimi i informatizuar për “Mjekësi të Përgjithshme”, nga 18 deri 22 gusht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mikpritja e veçantë e Shkodrës në aeroportin “Nënë Tereza”

15 August 2025 at 10:47


TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Shkodra, me bukuritë e shumta natyrore dhe historike, është kthyer në destinacion mjaft të kërkuar për vizitorët vendas, por edhe për turistët e huaj.

Promovimi i potencialit turistik që ofron kryeqendra e veriut, mbetet pika e fortë e numrit gjithnjë e në rritje të turistëve të huaj që zgjedhin këtë destinacion.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ajo që e cilësoi “mikpritja e veçantë e Shkodrës në aeroportin ‘Nënë Tereza'”, një tjetër gjetje për të promovuar “ngjyrat” e qytetit tek turistët e huaj.

“Një pikë takimi për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shkodrën për të shijuar bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore”, shkruan Rama, krahas videos ku turistët marrin ftesën e parë për të vizituar Shkodrën sapo mbërrijnë në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Zonat më të vizituara në Shkodër mbeten Velipoja, Thethi, zona e Liqenit të Shkodrës, Pedonalja e Shkodrës, Kalaja e Rozafës.

Përveç pasurive natyrore, Shkodra ka edhe një ofertë të rëndësishme kulturore ku Muzeu “Marubi”, Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, Muzeu “Oso Kuka”, Muzeu i Kalasë, të cilët ngjallin kureshtjen e turistëve.

/m.m/j.p/

The post Rama: Mikpritja e veçantë e Shkodrës në aeroportin “Nënë Tereza” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë

15 August 2025 at 09:20

TIRANË, 15 gusht/ATSH/ 15 gushti është Dita e Shën Marisë, një nga festat më të kremtuara për besimtarët e krishterë.

I njohur si “Fjetja e Hyjlindëses”, 15 gushti është dita kur shenjtorja iu bashkua birit të saj, në botën e përjetshme.

Festa e Fjetjes së Hyjlindëses kremtohet në 15 gusht, e paraprirë nga dy javë agjërimi (kreshme). Kjo festë, e cila quhet edhe “Marrja”, është për të përkujtuar vdekjen, ngjalljen dhe lavdërimin e Nënës së Krishtit. Ajo shpall që Maria “u mor” nga Perëndia, në mbretërinë qiellore të Krishtit, në të përmbushurit e ekzistencës së saj trupore dhe shpirtërore.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka ndarë kalendarin e festimeve në të gjitha kishat dhe manastiret e Fjetjes së Hyjlindëses Mari.

“Fjetja e Hyjlindëses” është paraqitur në afresket e kishave të ndryshme orthodhokse, anembanë vendit, ashtu sikurse edhe “Lindja e Virgjëreshës” apo “Hyrja e saj në Tempull”.

15 gushti kremtohet edhe nga besimtarët katolikë në të gjithë botën. Besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë të Ngjiturit e Zojës në Qiell, apo Zojën e Madhe, siç njihet ndër shqiptarë. Simbolikisht i vendosur në qendrën e periudhës së verës, ky solemnitet mund të konsiderohet si kohë për çlodhje e ripërtëritje.

Zojës së Madhe i janë kushtuar shumë kisha si ajo e Barbullushit në kryedioqezën metropolite të Shkodër-Pultit, ajo e Mamurrasit, në kryedioqezën metropolite të Tiranë-Durrësit, ajo e Kaçë-Naraçit në dioqezën e Sapës, ajo e Grudës dhe ajo në fshatin Kollomzë afër Ulqinit, në kryedioqezën e Tivarit, ajo e Letnicës në Karadak dhe ajo e Zymit të Hasit, në administraturën apostolike të Prizrenit në Kosovë.

Në trevat shqiptare Kishat kushtuar Virgjërës Mari janë dëshmi identiteti shpirtëror e kombëtar, thesar feje e arti.

/m.m//a.f/

The post Dita e Shën Marisë, një nga festat më të rëndësishme të besimtarëve të krishterë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 14 August 2025Main stream

“Respekt”, Rama ndan foton e të riut duke shpëtuar një qenush nga zjarri

14 August 2025 at 22:25

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Zjarret që kanë përfshirë edhe zona të banuara kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme duke djegur shtëpi, sipërfaqe me bimësi dhe gjithashtu edhe kafshë.

Ndërsa shpëtimi i jetëve njerëzore dhe i banesave ka qenë prioritet gjatë aksioneve për shuarjen e flakëve, shpëtimi i kafshëve shtëpiake dhe bagëtive ka qenë po ashtu prioritet për banorët, por edhe për forcat e emergjencave.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foton e një të riu në qytetin e Gramshit, duke shpëtuar një qenush të bllokuar në mes të flakëve.

“Respekt”, shkruan Rama krahas fotos.

Më herët sot kryeministri informoi se 207 shtëpi janë të dëmtuara nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit, nga të cilat 40 familje deri tani kanë humbur shtëpinë plotësisht.

Po ashtu, deri tani numërohen 3 619 krerë bagëti të humbura, ndërsa inventarizimi i dëmeve vazhdon.

/m.m/r.e//a.f/

The post “Respekt”, Rama ndan foton e të riut duke shpëtuar një qenush nga zjarri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Tradita e Libohovës prezantohet para qindra turistëve në Qafën e Pazarit në Gjirokastër

14 August 2025 at 20:52

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Qyteti i gurtë i Gjirokastrës gjatë këtij viti ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj.

Qendra muzeale e qytetit është destinacioni fillestar, pasi të gjithë turistët e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Qafa e Pazarit, “aty ku takohen tradita e Libohovës me sytë kureshtarë të qindra turistëve për t’i shtuar magjinë mbrëmjeve gjirokastrite”.

“Vajzat e Libohovës, njëra më e bukur se tjetra me kostumet tradicionale dhe energjinë rinore ndriçuan sokakët e gurit duke e kthyer në një skenë të hapur ku vizitorët që po shijojnë Gjirokastrën, u bënë pjesë e festës”, u shpreh Kumbaro.

Sipas ministres, “tradita jonë nuk është thjesht histori, por një shpirt i gjallë që frymëzon breza”.

Ndër destinacionet më të preferuara për turistët janë Pazari karakteristik, kalaja e Argjiros, banesat karakteristike të Zekatëve, Skëndulajve, Parku Natyror i Viroit apo vlerat e trashëgimisë kulturore në njësitë administrative si Parku Arkeologjik i Antigonesë, objektet e kultit.

Gjatë këtij viti bashkia e Gjirokastrës ka organizuar një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike për promovimin e vlerave të folkut, traditës, etj.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.

/m.m/a.f/r.e/

The post Kumbaro: Tradita e Libohovës prezantohet para qindra turistëve në Qafën e Pazarit në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Plazhet e Durrësit siç nuk ua tregojnë ata që duan t’ju thonë se turizmi ka ngecur

14 August 2025 at 18:30

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Qyteti bregdetar i Durrësit edhe këtë sezon turistik veror vijon të jetë një ndër të preferuarit e turistëve vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregdeti i Durrësit, i mbushur plot me pushues.

“Faleminderit për këtë video kujt ma dërgoi! Nga plazhet e Durrësit siç nuk ua tregojnë ata që duan t’ju thonë se turizmi ka ngecur”, u shpreh kryeministri.

E gjithë vija bregdetare e Durrësit ofron një hapësirë të konsiderueshme dhe të larmishme me plazhe ranore dhe pjesërisht shkëmbore, si edhe struktura hoteliere apo agroturizëm, të cilat ofrojnë shërbime turistike për të gjithë turistët dhe vizitorët vendas dhe të huaj.

Përveç turizmit të detit dhe rërës Durrësi ka edhe një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme.

Qyteti është i pasur me histori, arkitekturë dhe site arkeologjike si: Amfiteatri romak, Muret rrethuese të kalasë së qytetit, Shesh-tregu Bizantin, Kulla Veneciane, Termat antike romake, Bazilika e Arapajt, Fortifikimi i Skënderbeut në Kepin e Rodonit, Kalaja e Ishmit etj.

/m.m/r.e/a.f/

The post Rama: Plazhet e Durrësit siç nuk ua tregojnë ata që duan t’ju thonë se turizmi ka ngecur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Rilindja Urbane 2.0”, Rama: Transformojmë hapësirat publike në hapësira cilësore komunitare

14 August 2025 at 17:38

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama kujtoi sot se lirimi i hapësirave publike nuk është një aksion i përkohshëm, por është një program katërvjeçar që quhet “Rilindja Urbane 2.0”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga çmontimi i një tjetër strukture metalike që kishte zënë hapësirat publike.

Rama siguroi se “ky program nuk mbaron me këto çmontime, po vazhdon me rehabilitimin e me transformimin e hapësirave publike në hapësira cilësore bashkëjetese komunitare”.

“Disa e vonojnë çmontimin vullnetar me idenë e gabuar se ‘aksioni do mbarojë’, por ky nuk është një aksion, është një program katërvjeçar që quhet Rilindja Urbane 2.0 dhe ky program nuk mbaron me këto çmontime, po vazhdon me rehabilitimin e me transformimin e hapësirave publike në hapësira cilësore bashkëjetese komunitare”, shtoi Rama.

Kryeministri u kujtoi përfaqësuesve të bizneseve se nëse nuk i çmontojnë vullnetarisht këto struktura, ato jo vetëm që do të hiqen, por do të ketë edhe gjobë.

“Kush nuk e heq më mirë vetë atë që ka bërë, në fund do ta heqë po bashkë me një gjobë”, theksoi ai.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Aksioni ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/m.m/r.e//a.f/

The post “Rilindja Urbane 2.0”, Rama: Transformojmë hapësirat publike në hapësira cilësore komunitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Zjarret, Ambasada e Greqisë: Solidaritet me mjete ajrore zjarrfikëse

13 August 2025 at 22:24

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Ambasada e Greqisë në Shqipëri shprehu sot solidaritetin me vendin tonë për përballjen me situatën e zjarreve, ku aktualisht po kontribuon me mjete ajrore zjarrfikëse.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e Greqisë në Shqipëri shpreh mbështetjen e saj të sinqertë për vendin mik dhe fqinj, Shqipërinë, ndërsa shprehet se “po monitoron situatën me frontin e gjerë të zjarreve në vend”.

“Në frymën e bashkëpunimit dhe solidaritetit, Greqia, brenda kuadrit të kapaciteteve të saj, kontribuon në përpjekjet për shuarjen e zjarreve me mjete ajrore zjarrfikëse, si në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, ashtu edhe në kontekstin e bashkëpunimit dypalësh. Mendimet tona janë me popullin shqiptar”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Greqisë.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë territorin e vendit u regjistruan 34 vatra aktive zjarri, nga të cilat 13 janë izoluar dhe shuar.

/m.m//a.f//r.e/

The post Zjarret, Ambasada e Greqisë: Solidaritet me mjete ajrore zjarrfikëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

34 vatra aktive, 13 të shuara, Rama: Gatishmëri maksimale, ndihmë edhe nga partnerët

13 August 2025 at 22:01

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në gjithë territorin e vendit kishte 34 vatra aktive zjarri, nga të cilat 13 janë izoluar dhe shuar.

Kryeministri e konsideroi “një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, që vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin”.

Rama bëri të ditur se në operacione janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura.

“Po ashtu janë angazhuar mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare. 5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë”, shtoi Rama.

Kryeministri nënvizoi se në përballje me situatën e zjarreve janë angazhuar qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve.

“Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës”, theksoi ai.

Rama siguroi se gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë

/m.m//a.f//r.e/

The post 34 vatra aktive, 13 të shuara, Rama: Gatishmëri maksimale, ndihmë edhe nga partnerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Raporti i DASH për Shqipërinë: Qeveria, hapa të besueshëm për të ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje

13 August 2025 at 21:48

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin e ri për të drejtat e njeriut, ku për Shqipërinë theksohet se gjatë vitit 2024 ”nuk pati ndryshime të rëndësishme në situatën e të drejtave të njeriut”.

Raporti vlerëson se “qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut”.

Lidhur me lirinë e shtypit, raporti nënvizon se “Kushtetuta parashikon lirinë e shprehjes, duke përfshirë edhe për anëtarët e shtypit dhe mediet e tjera, dhe qeveria zakonisht i respektonte këto të drejta, megjithëse shpifja ishte një vepër penale”.

“Në prill, parlamenti krijoi një komision ad hoc për dezinformimin dhe në takimet e tij fillestare komisioni ftoi anëtarët e organizatave të medias dhe organizatave joqeveritare (OJQ) të merrnin pjesë dhe të monitoronin punën e komisionit. Media dhe shoqëria civile i panë këto veprime si një hap pozitiv drejt mbrojtjes së lirisë së shprehjes”, thuhet në raport.

Në raport theksohet se “ligji dhe kushtetuta ndalonin arrestimin dhe paraburgimin arbitrar dhe parashikonin të drejtën e çdo personi për të kundërshtuar ligjshmërinë e arrestimit ose paraburgimit të tij në gjykatë dhe qeveria në përgjithësi i respektoi këto kërkesa”.

“Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve vonoi procedurat penale. Burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, menaxhimi i dobët i kalendarit gjyqësor, stafi i pamjaftueshëm dhe mosparaqitja e avokatëve dhe dëshmitarëve gjithashtu e penguan sistemin gjyqësor të gjykonte çështjet në kohën e duhur. Sipas PBB-së, procesi i verifikimit të sistemit të drejtësisë e përkeqësoi situatën dhe çoi në vende të lira në gjykata dhe prokurori”, citon raporti.

Lidhur me marrëdhëniet e punës, raporti nënvizon se “ligji parashikonte një pagë minimale për të gjithë sektorët, dhe paga minimale kombëtare ishte më e lartë se pragu kombëtar i varfërisë”.

Për sa i përket mbrojtjes së refugjatëve, raporti vlerëson se “qeveria bashkëpunoi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare në ofrimin e mbrojtjes dhe ndihmës për refugjatët, refugjatët e kthyer ose azilkërkuesit, si dhe persona të tjerë të shqetësuar”.

Lidhur me situatën për të drejtat e njeriut raporti thotë se “nuk pati ndryshime të rëndësishme në situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit”.

“Çështjet e rëndësishme të të drejtave të njeriut përfshinin raporte të besueshme për kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias, duke përfshirë autocensurën e gazetarëve. Qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të të drejtave të njeriut”, thuhet në raport.

Lidhur me lirinë e shtypit, raporti thekson se “qytetarët ishin të lirë të kritikonin hapur qeverinë, duke përfshirë mediet tradicionale dhe sociale, dhe ata e bënë këtë”.

/m.m/r.e//a.f/

The post Raporti i DASH për Shqipërinë: Qeveria, hapa të besueshëm për të ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret, Vengu: Kemi blerë dy avionë, po trajnojmë ekipin e pilotëve

13 August 2025 at 20:40

TIRANË, 13 gusht/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu bëri të ditur sot se Shqipëria ka blerë dy avionë që do të shërbejnë për menaxhimin e situatave që krijohen nga zjarret në vend, ndërkohë po trajnohet edhe ekipi i pilotëve që do të veprojnë në të tilla raste.

Në një prononcim për mediet nga Delvina, Vengu informoi mbi situatën aktuale të zjarreve në vend, ndërsa u ndal tek investimet e parashikuara nga qeveria për forcimin e kapaciteteve operacionale.

“Avionët janë blerë, ka një procedurë standarde se si bëhen këto investime dhe procedura po zbatohet. Avionët duhet të prodhohen që të vijnë në Shqipëri. Është një proces që merr kohë. Ne po kërkojmë të prodhohen sa më shpejt. Jemi në këto kushte, i keni shifrat në Thesarin e Shtetit. Nuk kemi bërë disbursimin sepse nuk kemi lidhur kontratë. Kjo ka të bëjë me planin e investimeve të qeverisë shqiptare”, shtoi ai për mediet.

Ndërkohë, Vengu theksoi se ajo që duhet të realizohet me shpejtësi është formimi i pilotëve të këtyre mjeteve.

“Nga viti 2007 Shqipëria nuk ka pilotë avionësh. Ky është realiteti që duam të transformojmë. Prandaj kemi hapur edhe një shkollë aviacioni, që pritet të fillojë të operojë në qershor 2026 në Vlorë”, shtoi ai.

Duke folur për operacionet nga ajri, ministri bëri të ditur se në datën 15 gusht bëhen dy muaj që kur helikopterët janë ngritur për të menaxhuar kriza në mbarë vendin.

“Nuk kemi pasur kurrë kaq shumë mjete ajrore të dedikuara”, shtoi ai, ndërsa vlerësoi edhe mbështetjen e marrë nga vendet partnere në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Europiane.

Duke folur për investimet në menaxhimin e krizave, Vengu veçoi ngritjen e katër qendrave rajonale të Mbrojtjes Civile.

“Ajo që ne kemi përgatitur si pjesë e programit qeverisës Shqipëria 2030 ka të bëjë me një element të ri, me faktin se ne duhet të kemi qendra rajonale që të menaxhojnë elementët zjarrfikës në zonat pyjore dhe malore. Forca të dedikuara, të specializuara. Fatmirësisht jemi në kushte që të mund të rindërtojmë flotën kombëtare të tokës, dhe të vijojmë të investojmë në flotën ajrore. Këto qendra do të shërbejnë për të dislokuar helikopterë dhe për t’i furnizuar po ashtu”, shtoi ai.

/a.f/r.e/

The post Zjarret, Vengu: Kemi blerë dy avionë, po trajnojmë ekipin e pilotëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shërbimi Veterinar nis groposjen e kafshëve të ngordhura nga zjarri në Gramsh

13 August 2025 at 19:32

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Shërbimi Veterinar i Elbasanit dhe bashkia e Gramshit kanë nisur punën në terren për evidentimin e kafshëve të ngordhura dhe procesin e groposjes së tyre, me qëllim që të mos përhapen sëmundjet tek banorët.

Kjo ndërhyrje e koordinuar synon të parandalojë përhapjen e sëmundjeve dhe të garantojë sigurinë shëndetësore e mjedisore në zonën e prekur.

Drejtori i Shërbimit Veterinar në DRVMB Elbasan, Spiro Hunçi, së bashku me stafin veterinar të Zyrës Vendore të Veterinarisë Gramsh, nën drejtimin e përgjegjësit të sektorit veterinar Fatmir Ozuni, ndodhen sot në njësinë administrative Skënderbegas, ku po zhvillohet procesi i evidentimit dhe inventarizimit të kafshëve të ngordhura, të djegura apo asfiksuara si pasojë e zjarrit.

Zyrtarët konfirmuan se po bëhet groposja dhe asgjësimi i kontrolluar i kafshëve, në përputhje me kërkesat e sigurisë veterinare të mbrojtjes së mjedisit.

“Po kryhet groposja dhe asgjësimi i kontrolluar i trupave të kafshëve, në përputhje me kërkesat e sigurisë veterinare dhe mbrojtjes së mjedisit. Kjo ndërhyrje e koordinuar synon të parandalojë përhapjen e sëmundjeve dhe të garantojë sigurinë shëndetësore e mjedisore në zonën e prekur”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në këtë operacion po merr pjesë edhe kryetari i bashkisë Gramsh, Besian Ajazi, së bashku me strukturat vendore të emergjencave dhe banorët e zonës.

/m.m//a.f//r.e/

The post Shërbimi Veterinar nis groposjen e kafshëve të ngordhura nga zjarri në Gramsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten dy përdorues mjetesh në Dhërmi dhe Ksamil

13 August 2025 at 18:24

TIRANE, 13 gusht/ATSH/ Pas një denoncimi të bërë për një automjet që qarkullonte me shpejtësi dhe në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kryen menjëherë verifikimet dhe identifikuan automjetin.

Nga veprimet e kryera rezultoi se automjeti tip “Audi”, në pronësi të një subjekti privat, kishte kryer parakalim në një kthesë me fushëpamje të kufizuar, duke hyrë në sens të kundërt, në aksin rrugor Dhërmi–Himarë.

Për këto shkelje, u vendos masa administrative 52 000 lekë në zbatim të Kodit Rrugor.

Në një rast tjetër, pas një denoncimi se një automjet taksi kishte kryer parakalim të gabuar, duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore Sarandë bënë menjëherë të mundur identifikimin e drejtuesit të tij, i cili nga verifikimet e kryera rezultoi se kishte kryer parakalim të gabuar, duke hyrë në sens të kundërt, në aksin rrugor Sarandë–Ksamil.

Për këto shkelje, u vendos masa administrative 40 000 lekë në zbatim të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim garantimin e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës, veçanërisht në zonat turistike ku lëvizshmëria është e lartë gjatë sezonit veror.

/m.m//a.f//r.e/

The post Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten dy përdorues mjetesh në Dhërmi dhe Ksamil appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Beteja me zjarret, në operim edhe dy helikopterë nga Emiratet e Bashkuara Arabe

13 August 2025 at 16:14

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) i vijnë në ndihmë Shqipërisë për situatën e paprecedentë të zjarreve këtë vit, me dy helikopterë ‘Black Hawk’ të Forcës Ajrore, që janë dislokuar në bazën ajrore të Kuçovës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur sot se helikopterët po operojnë efektivisht në zjarret në të gjithë territorin e vendit, duke qenë një ndihmë shumë e madhe në mbështetje të strukturës nga toka për fikjen e zjarreve.

Gjeneral brigade, Mudhafar Al Amri, drejtor në Detyrë i Shpëtimit dhe Zjarrfikjes, Autoriteti i Mbrojtjes Civile në Abu-Dabi, ishte sot në terren për të ndjekur nga afër operacionet për fikjen e zjarreve në zonën e Gramshit.

Ai theksoi edhe një herë gatishmërinë e vendit të tij për të ofruar ndihmë për Shqipërinë në këtë situatë të rënduar me zjarret.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Haki Ҫako e falënderoi për ndihmën konkrete, që po jep rezultat në terren.

Gjatë orëve të fundit në gjithë territorin e vendit janë evidentuar 37 vatra zjarri aktive, ndërkohë që vijojnë operacionet nga toka dhe nga ajri për neutralizimin e zjarreve.

/m.m/r.e//a.f/

The post Beteja me zjarret, në operim edhe dy helikopterë nga Emiratet e Bashkuara Arabe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarret në Gramsh, MM urdhër evakuimi për tri fshatra të tjerë

12 August 2025 at 16:08


TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes lëshoi sot një njoftim urgjent për evakuimin e banorëve të tri fshatrave të tjerë në Gramsh, si pasojë e situatës së shkaktuar nga zjarret.

Përmes një njoftimi urgjent për evakuim, Ministria e Mbrojtjes kërkon që banorët e fshatrave Ërmenj, Harunas dhe Zenelas të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt.

Ndërkohë, sipas MM-së fshati Skënderbegas është evakuuar.

Më herët sot, MM dha urdhër për evakuimin e banorëve në tre fshatra të tjera të Gramshit: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për shkak të dy fronteve të rrezikshme të zjarrit me të cilat po përballet zona që prej mëngjesit.

Në terren janë dislokuar 80 trupa të Forcave të Armatosura në mbështetje të forcave vendore, të cilat po punojnë pa ndërprerje për izolimin e flakëve.

Në vijim pritet të nisë mbështetja nga ajri për të frenuar përhapjen e zjarrit.

Gjatë 24 orëve të fundit në gjithë vendin janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.

/m.m/j.p/

The post Zjarret në Gramsh, MM urdhër evakuimi për tri fshatra të tjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Humb jetën 80-vjeçari në fshatin Kullollas të Gramshit, Policia: Dyshohet se ndezi zjarr në kopshtin e banesës

12 August 2025 at 14:35

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Policia e Elbasanit bëri të ditur sot se nga vatrat e zjarreve në Gramsh ka humbur jetën një 80-vjeçar.

Përmes një njoftimi për shtyp të Policisë së Elbasanit bëhet e ditur se dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit.

“Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.

“Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Elbasanit.

Për shkak të situatës që ka dalë nga kontrolli, Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve të 3 fshatrave.

/m.m/j.p/

The post Humb jetën 80-vjeçari në fshatin Kullollas të Gramshit, Policia: Dyshohet se ndezi zjarr në kopshtin e banesës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KAYO shkresë administratorit të Focus Media News: Materialet e gazetarëve mund të tërhiqen pranë Rezervave të Shtetit

12 August 2025 at 14:22

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Administratori i kompanisë shtetërore KAYO, Ardi Veliu njoftoi sot se “lirimi i ndërtesës së shoqërisë ‘Focus Media News sh.p.k.’ është kryer në kushte të larta sigurie, në prani të Forcave të Armatosura, duke dokumentuar me procesverbal çdo send të ndodhur brenda saj”.

Në një letër drejtuar administratorit të shoqërisë “Focus Media News sh.p.k.”, Veliu u shpreh se pretendimet për fshirjen e materialeve të gazetarëve janë të pabazuara dhe të pavërteta.

“Materialet e gjetura brenda ambienteve, pas inventarizimit u dërguan pranë Rezervave të Shtetit, me adresë Rruga Bajram Tusha, pranë ish-Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës”, thuhet në letër

Veliu bëri të ditur se administratori i “Focus Media News sh.p.k.” duhet të paraqitet personalisht pranë Rezervave të Shtetit si i vetmi person i autorizuar, për të marrë sa më parë sendet e gjetura dhe të inventarizuara në objekt.

Në këtë drejtim, kompania shtetërore “KAYO” i ka bërë thirrje administratorit që t’i tërheqë të gjithë bazën materiale.

/m.m/

The post KAYO shkresë administratorit të Focus Media News: Materialet e gazetarëve mund të tërhiqen pranë Rezervave të Shtetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌