Përfundon faza e intervistës në procesin e përzgjedhjes së kreut të BKH-së
TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Ka përfunduar sot faza e intervistës për përzgjedhjen e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pas zhvillimit të testit të poligrafit më datat 24 dhe 25 korrik.
Intervistat u zhvilluan në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Kjo fazë u monitorua nga përfaqësues ndërkombëtarë dhe kishte në fokus vlerësimin e njohurive profesionale, aftësive drejtuese si dhe qasjen e kandidatëve ndaj sfidave që lidhen me detyrën e Drejtorit të BKH-së.
Në përfundim të intervistave, Komisioni i Përzgjedhjes vendosi që të shtatë kandidatët pjesëmarrës, Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta, të kalojnë në fazën e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë, në përputhje me ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
SPAK rikonfirmon angazhimin për një proces përzgjedhjeje transparent, të drejtë dhe të bazuar në kritere të qarta profesionale dhe ligjore. /j.p/
The post Përfundon faza e intervistës në procesin e përzgjedhjes së kreut të BKH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.