Gruaja e “Sandokanit” i reagon ashpër Gërvallës: Më shumë kujdes për Gani Gecin sesa për të vërtetën historike
Ish-kandidatja për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Sanije Rexha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të bëra në emisionin “Pressing” në T7.
Rexha e ka cilësuar daljen e Gërvallës si zhgënjyese për qytetarët, duke thënë se ajo i kushtoi më shumë kujdes figurës së Gani Gecit, sesa të vërtetës historike dhe sakrificës së luftës çlirimtare.
“Dalja e Donika Gërvalës në emisionin ‘Pressing’ në T7 ishte zhgënjyese për çdo qytetar që ka kujtesë të qartë për luftën çlirimtare dhe për sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Me një ton të pashpjegueshëm mbrojtës, Gërvalla i kushtoi më shumë kujdes figurës monstrume të Gani Gecit, sesa të vërtetës historike dhe moralit të drejtë”, ka shkruar.
Ajo rikujtoi se komandanti i Brigadës 112 të UÇK-së, Abedin Rexha – i njohur si Sandokani – u vra në një pritë të organizuar nga Gani Geci, vëllai i tij Fadil Geci dhe të tjerë, duke e cilësuar këtë ngjarje si atentat të paramenduar ndaj një luftëtari të lirisë.
Tutje, Rexha theksoi se në vend që të shprehte keqardhje për këtë ngjarje, ministrja në detyrë, sipas saj, zgjodhi të pozicionohej përkrah figurave tërësisht të diskredituara, si moralisht ashtu edhe politikisht.
“Kjo nuk është thjesht një lëshim politik – është një fyerje për historinë tonë dhe për gjakun e dëshmorëve. Zonjë Gërvalla, ky qëndrim është i papranueshëm. Është një turp përballë së vërtetës dhe kujtesës kolektive të popullit tonë”, ka përfunduar Rexha.
The post Gruaja e “Sandokanit” i reagon ashpër Gërvallës: Më shumë kujdes për Gani Gecin sesa për të vërtetën historike appeared first on Telegrafi.