Kurti: Serbia po nxit tensione, qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Serbisë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar sërish Serbinë për përpjekje të qëllimshme për të destabilizuar rajonin dhe për nxitje të urrejtjes ndëretnike.
Në një konferencë për media Kurti foli për arrestimin e Igor Popoviqit, ndihmësdrejtor në Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, i cili dyshohet për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit etnik.
“Sundimi i rendit dhe ligjit është themeli i shtetit tonë dhe ai nuk bën dallime sipas etnisë apo pozitës. Çdokush që e shkel ligjin do të përballet me drejtësinë”, tha Kurti.
Ai konfirmoi se rasti i Popoviqit është në trajtim nga organet kompetente të drejtësisë së Kosovës dhe lidhet me veprime që synojnë të sulmojnë vlerat themelore të popullit shqiptar.
“Popoviqi dhe Vuçiqi – dy fytyra të së njëjtës politikë përçarëse”, theksoi ai.
Kryeministri në detyrë theksoi se komentet e Popoviqit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë të izoluara, por pjesë e një linje të qartë politike nga Beogradi zyrtar, që sipas tij, synon të destabilizojë Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Edhe sot Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në vendin tonë, përkundrazi, po përpiqet t’i relativizojë ato. Përmes njerëzve si Popoviq, ata provokojnë dhe nxisin ndarje e urrejtje etnike në Kosovë”, tha Kurti përcjell Kurti.
Ai reagoi me shqetësim edhe ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhënë më 20 korrik, duke i cilësuar si “kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme”.
“Kur komandanti suprem i një ushtrie lëshon deklarata nxitëse dhe kërcënuese, kjo nuk është më mendim individual, por politikë shtetërore që synon të prishë paqen në rajon”, u shpreh Kurti.
Kurti paralajmëroi për rrezik të ndalimeve arbitrare dhe provokimeve nga autoritetet serbe ndaj qytetarëve të Kosovës që kalojnë nëpër territorin e Serbisë.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin udhëtimet drejt Serbisë, sepse kemi indikacione të qarta për rrezikim dhe ndalime të pajustifikuara”, tha ai.
Kurti theksoi rëndësinë e maturisë dhe bashkëpunimit qytetar me institucionet shtetërore, duke theksuar nevojën për ruajtjen e unitetit dhe qetësisë në këto momente tensioni.
“Qytetarët tanë duhet të qëndrojnë të bashkuar, të qetë dhe të matur. Bashkë mund t’i përballojmë çdo provokimi dhe kërcënimi”, tha ai.
Po ashtu Kurti u bëri thirrje Bashkimit Evropian, NATO-s dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar që të reagojnë qartë dhe me vendosmëri ndaj retorikës së Vuçiqit, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për deklarime politike të zakonshme, por për një fushatë të organizuar destabilizuese ndaj Kosovës dhe rajonit. /Telegrafi/
The post Kurti: Serbia po nxit tensione, qytetarët të shmangin udhëtimet drejt Serbisë appeared first on Telegrafi.